(Mbrëmje përkujtimore në nderim të Aristidh Kolës me rastin e 15 vjetorit të ndarjes nga jeta)
Ditën e shtunë,më 24 tetor 2015, në sallën e veprimtarive të Shoqatës Atdhetare Kulturore Shqipater-Amerikane “Bijtë e Shqipes”, bashkatdhetarët e Filadelfias përkujtuan me nderim arvanitasin e shquar, juristin, gazetarin, studiuesin dhe veprimtarin e palodhur të historisë, kulturës , gjuhës shqipe të arvanitasve dhe ndihmesës së tyre në jetën dhe historinë e Greqisë, të madhin Aristidh Kola.
Sekretari i Shoqatës, zoti Vlashi Fili, pasi i njohu pjesëmarrësit me programin e mbrëmjes ia dha fjalën kryetarit të Shoqatës z. Tajar Domi,që në fjalën e tij të hapjes së kësaj veprimtarie pasi falenderoi pjesëmarrësit në këtë takim, në pak radhë theksoirëndësinë e figurës së Aristidh Kolës, jo vetëm për arvanitasit e Greqisë, por për të gjithë shqiptarët dhe sidomos emigrantët shqiptarë. Pas kësaj, për të folur më gjërë për punën e tij shumëplanëshe në kulturën shqiptare dhe për zgjimin e bashkimin e arvanitasve, ai ia dha fjalën zotit Dritan Matraku, nënkruetar i dytë i shoqatës, i cili referoi materialin “Arvanitasi i madh Aristidh Kola”. Referuesi midis të tjerave theksoi: “Aristidh Kola ishte një veprimtar i palodhur i të vërtetës për historinë, kulturën dhe formimin e shtetit Helenë, një intelektual i plotësuar, një luftëtar trim dhe me zemër të madhe, besnik i rrënjëve të të parëve të tij, një gazetar dhe studjues me kërkesa të larta për të thënë kurdoherë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, në shërbim të drejtësisë dhe mirëkuptimit midis popujve të Ballkanit dhe sidomos midis popullit grek dhe atij shqiptar, që jeta i kish lidhur me mijra fije gjatë gjithë shekujve, por politika dhe feja i kishte futur në errësirën e mashtrimit dhe labirinthet e mërisë dhe grindjeve”. Në vazhdim z. Dritan foli për jetën dhe veprën e Aristidh Kola-s, ku midis të tjerave tha: “……Në kërkimet dhe studimet e tij Ai eci në gjurmën e rilindasve tanë, të albanologëve të shquar shqiptar e të huaj, por duke çarë me guxim në shtigje të reja. Për këtë flasin me dhjetra libra dhe qindra artikuj që ai shkroi gjatë gjithë jetës së tij, ku spikadi kultura e gjerë dhe puna e madhe e njeriut me ideale të larta ndaj shkencës dhe të vërtëtës në të. Për këtë flasin dhe vet titujt e librave të botuara rreth këtyre problemeve si: “Gjuha e perëndive”-1989, “Arvanitasit dhe prejardhja e helenëve”-1983, libër i cili është botuar 10 herë, “Zeusi pellazgjik dhe lajthitja indoeuropiane”, “Varrimi i tretë i Marko Boçarit”, “Fjalori krahasues i gjuhës shqipe”, etj. Gjithçka që shkroi Aristidh Kola në këto treva të vështira studimesh dhe zbulimesh, kishin brenda jo vetëm punën sakrifikuese të studiuesit të vërtetë, por edhe dashurinë, bindjen dhe një lloj ndjenje të brendëshme shpirtërore, të genit të tij arvanitas. Është pikërisht kjo që e ben atë të shkruaj: “Kombi pellazg i barabartë me zotin që mbiu mbi malet pyjedëndur ose mbi tokën e zezë, për të qënë lindësi i gjithë sojit njerëzor”
Në vazhdim të kësaj veprimtarie e morën fjalën antarët e shoqatës, ish emigrantë në Greqi dhe tani me banim në Filadelfia, zotërinjëve Petrit Disha dhe Sotir Goxhaj, të cilët me kujtimet dhe mbresat e tyre nga takimet apo jehona e figurës së madhe të Aristidh Kolës, jo vetëm për arvanitasit por edhe për shqiptarët emigrantë të viteve ’90 të shekullit të kaluar, midis të cilëve ai kish shumë miq dhe shokë, e bën më interesante dhe emocionuese këtë bisedë. Zoti Petrit Disha solli para pjesëmarrësve në këtë takim mbresat nga takimet me Aristidh Kolën, foli për thjeshtësinë dhe kulturën e gjërë të tij, për luftën dhe përpjekjet e tij në mbrojtje të së vërtetës së arvanitasve dhe të shqiptarëve të Kosovës në vitet e genocidit sërbë mbi ta. Pastaj ai tregoi për librat që i kishte dhuruar ati Aristidh Kola,njëri prej të cilëve kishte edhe autografin e tij në gjuhën shqipe. Pastaj z. Petrit Disha foli për projektin e tij që të sponsorizoj përkthimin dhe botimin në anglisht të librit të Aristidh Kolës “Arvanitasit”.
Ndërsa z. Sotir Goxhaj, një veprimtar i palodhur i bashkësisë shqiptare në Greqi për shumë vite, foli për peshën dhe respektin që kishin emigrantët shqiptarë për Aristidh Kolën. Ai ishte i afërt me të gjithë, njohur e panjohur nga afër, për çfarë kishte bërë e bënte për kulturën arvanitase dhe sidomos për mbrojtjen e hapur, të guximshme në të gjitha mediat greke, në gazeta, radio dhe kanale televizive, të popullit shqiptar në Kosovë ndaj genocidit sërb. Ndërmjet të tjerash ai solli para pjesëmarrësve në këtë takim, emocionet nga përcjellja për në banesën e fundit të kësaj figure të shquar të arvanitasve në Greqi, ku morën pjesë shumë emigrantë shqiptarë,bile ata përbenin shumicën, theksoi ai. Zoti Sotir Goxhaj kujton se në ato çaste ai i kushtoi edhe një elegji këtij biri të madh të Arvanitasve.
Pastaj e morë fjalën edhe zotërinjtë Llazar Vero dhe Eqerem Murataj që shprehën mendime rreth figurës së Aristidh Kolës, por edhe për një tërheqje dhe kujdes më të madh ndaj figurave të shquara shqiptare jo vetëm pas vdekjes por edhe kur janë gjallë
Fiadelfia, 24 Tetor 2015




























Komentet