VOAL

VOAL

Masa të veçanta për shtatzënat e prekura me koronavirus në Kosovë

April 22, 2020

Komentet

“Do të vijë dita të na kuptoni” Kur Albin Kurti paralajmëronte Kuvendin e Kosovës: VV nuk e njeh Gjykatën Speciale, ne nuk do të dorëzojmë luftëtarët e UÇK

Gjykata Speciale në Hagë ka dhënë ditën e djeshme vendimin për dënimin me 81 vite burg të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në video është rikthyer në vëmendje një fjalim i kryeministrit Albin Kurti, në kohën kur Lëvizja Vetëvendosja ishte në opozitë. Kurti paralajmëronte se VV nuk e njeh Gjykatën Speciale ndaj edhe nuk do të dërgonte në Gjykatë luftëtarët e UÇK.

“Kur Vetëvendosja të jetë në qeverisje nesër, është subjekti në qeveri që nuk ju dorëzon në Gjykatën Speciale, sepse ne nuk e njohim atë gjykatë. Edhe PDK ju dorëzon, ne jo. Veçse për krime zhvatje e plaçkitje pas luftës, ne nuk ju mbrojmë e as ju ndihmojmë, por sa për gjykatën speciale, nuk e njohim. Edhe ju keni interes që ne të vijmë në pushtet për këtë gjë. E keni vështirë ta kuptoni dhe ta pranoni por do të vijë dita”, shprehej ai. bw

 

Vendimi i Hagës- Protesta para EULEX-it edhe gjatë natës! Qëllohet godina me gurë e mjete piroteknike

Protestat e shqitparëve të Kosovës kanë vijuar edhe gjatë orëve të mbrëmjes pas zhgënjimit me vendimin e Gjykatës Speciale të Kosovës, me seli në Hagë e cila dënoi me 81 vite burg në total katër ish krerët e UÇK-së.

Një pjesë e protestuesve, rreth orës 22:30, të 16 shtatorit, kanë lëvizur në drejtim të bazës së EULEX-it, pranë tregut të gjelbër në rrugën Prishtinë-Fushë Kosovë.

Sipas Policisë, me të arritur pranë hyrjes së objektit të EULEX-it, protestuesit kanë bllokuar rrugën dhe kanë nisur të hedhin gjësende të ndryshme, mjete të forta dhe mjete piroteknike.

Si pasojë e mjeteve piroteknike, një pjesë e objektit, çatia e objektit, është përfshirë nga një zjarr i vogël, i cili, sipas Policisë, është shuar menjëherë.

Zyrtarët policorë kanë komunikuar vazhdimisht me protestuesit dhe u kanë kërkuar që protestat t’i zhvillojnë në mënyrë të qetë dhe të mos hedhin gjësende apo mjete të rrezikshme në drejtim të objekteve shtetërore.

Policia ka bërë të ditur se ka menaxhuar mbarëvajtjen e tubimeve dhe protestave, të cilat, sipas saj, kanë kaluar pa incidente madhore dhe pa të lënduar në mesin e protestuesve apo zyrtarëve policorë.

Image

Protesta përfundoi pas mesnatës, rreth orës 00:20.

Edhe gjatë ditës protestuesit nga sheshi në këmbë shkuan tek objekti i EULEX-it, të cilin gjuajtën me gurë, e më pas u kthyen sërish në shesh.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u dënua me 25 vjet burgim. Dënim i njëjtë iu shqiptua edhe Jakup Krasniqit, kurse Kadri Veseli u dënua me 18 vjet burgim, ndërsa Rexhep Selimi me 13.

Vendimi i Hagës: Protestuesit qëllojnë me gurë në drejtim të ndërtesës së Qeverisë në Prishtinë

KOSOVA– Situata e protestës kundër vendimit të Hagës për ish-krerët e UÇK-së vijon të mbetet e tensionuar. Disa qytetarë kanë qëlluar me gurë në drejtim të ndërtesës së Qeverisë së Kosovës në qendër të Prishtinës.

Qytetarët të indinjuar vepruan njësoj edhe në protestën e organizuar përballë selisë së EULEX-it, ku u godit godina e Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit./Dosja.al

Reagime në Kosovë pas shpalljes së aktgjykimit në Hagë

  • Valona Tela

Gjykata Speciale në Hagë i shpalli katër ish-krerët e UÇK-së fajtorë për katër akuza për krime lufte, ndërsa i liroi nga akuzat për krime kundër njerëzimit.

Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, ndërsa Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13.

Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe avokatët mbrojtës kanë paralajmëruar se do ta apelojnë atë.

15:23

Protesta para EULEX-it

Dhjetëra qytetarë u mblodhën para ndërtesës së Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit, EULEX, në zonën industriale në Prishtinë, pas shpalljes së aktgjykimit.

Disa nga ta hodhën gurë në drejtim të ndërtesës.

Më poshtë mund të shihni disa fotografi nga protesta para EULEX-it:

15:09

Të nderuar lexues, faleminderit që po e përcillni Radion Evropa e Lirë.

Nga unë, Valona Tela, mbulimin e zhvillimeve të mëtejshme e merr kolegia Mimoza Sadiku.

14:58

Hamza: Beteja nuk ka përfunduar, PDK do të ndërmarrë të gjitha veprime demokratike dhe ligjore

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, e cilësoi të rëndë aktgjykimin e sotëm ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, duke thënë se me të “jemi dënuar si popull dhe si shtet”, por theksoi se beteja ligjore nuk përfundon këtu.

“Presim që në Apel të shqyrtohen me saktësi konkluzionet mbi qëllimet e përbashkëta kriminale, përgjegjësinë individuale, autoritetin dhe kontrollin real, vlerësimin e dëshmive dhe çdo çështje faktike apo juridike që mund të ketë ndikuar në aktgjykim”, tha ai në një konferencë për media.

Ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit kanë paralajmëruar se do ta apelojnë vendimin.

Sipas Hamzës, aktgjykimi i shqiptuar sot ishte “një padrejtësi e madhe”.

“PDK-ja do të jetë në përkrahje të luftës së drejtë dhe të pastër të UÇK-së dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme demokratike dhe ligjore për këtë proces”, tha Hamza.

I pyetur për deklaratën e bërë nga avokati i Hashim Thaçit, Pierre-Richard Prosper, që po të ishte deputet do të vepronte në zhbërjen e gjykatës, Hamza u shpreh:

“Ai është avokat. Nuk është deputet, deputetët i kryejnë punët e tyre”.

Kreu i PDK-së, Bedri Hamza.

Kreu i PDK-së, Bedri Hamza.

14:33

Kurti: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së është “padrejtësi e papranueshme”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar si “padrejtësi të papranueshme” shpalljen fajtorë dhe dënimet ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

“Shpallja fajtorë dhe dënimi kaq i rëndë për katër ish-krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është padrejtësi e papranueshme, ndëshkim i madh dhe i dëmshëm”, tha Kurti në reagimin e tij.

Ai kundërshtoi edhe formulimin se aktgjykimi është shqiptuar “në emër të popullit të Kosovës”, duke thënë se kjo “formulë e zbrazët nuk duhet ngatërruar me vullnetin e popullit”.

Kurti kërkoi që aktgjykimi i shkallës së parë të ndryshohet në apel.

“Ky aktgjykim patjetër duhet ndryshuar dhe korrigjuar në shkallën e apelit dhe atë sa më parë”, tha ai.

Kurti shprehu gjithashtu mbështetje për familjet e katër ish-krerëve të UÇK-së dhe bashkëluftëtarët e tyre.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Gjykata Speciale: Të paktën 385 persona u arrestuan në mënyrë të paligjshme, qindra prej tyre u torturuan dhe u trajtuan mizorisht

Trupi gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës konstatoi se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka arritur të provojë kryerjen e krimit të luftës të arrestimit të paligjshëm ndaj të paktën 385 personave. Sipas gjykatësit Charles Smith, këta persona, të cilët nuk merrnin pjesë në luftime, u privuan arbitrarisht nga liria në 14 komuna.

Gjykata konstatoi gjithashtu se 348 persona u trajtuan mizorisht, ndërsa 308 të tjerë u torturuan.  Disa prej tyre u rrahën deri në atë masë sa nuk mund të qëndronin në këmbë, ndërsa disa humbën jetën si pasojë e dhunës.

Gjykatësi Charles Smith: Në 14 komuna anëtarë të UÇK kryen veprime ose mesveprime për heqjen e lirisë për 385 personave që nuk merrnin pjesë në luftime, që e bën arbitrar e ndalimin e tyre. ZPS vërteton se është kryer krimi i luftës ndaj së paku 385 personave! 348 persona u trajtuan mizorisht dhe 308 u torturuan. U krijuan kushte çnjerëzore ndalimi, të ndaluarit u mbajtën në ndërtesa, stalla, bagëtish, shkolla. Nuk kishte shtroja dhe mbuloja, të ndaluarit flinin në dysheme, nuk kishin ujë dhe ushqim mjaftueshëm. Panorama

Rrezikojnë dhjetëra vite burgim secili! Shqiptarët në mbështetje të ish-krerëve të UÇK në Hagë: Dënimi i tyre do të ishte vendim politik!

Shqiptarët janë mbledhur në Hagë, aty ku pritet të nisë në orën 10:00 vendimi për 4 ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

 

“Lugina është me ju! Presim drejtësi! Çdo vendim tjetër veç lirimit është vendim politik”, janë shprehur ata.
Seanca është parashikuar të nisë në orën 10:00 dhe do të jetë publike, me transmetim në shqip, anglisht dhe serbisht. Vendimi pritet me interes të jashtëzakonshëm në Kosovë, ndërsa në Prishtinë janë bërë përgatitje që qytetarët ta ndjekin atë drejtpërdrejt në një ekran të madh. Edhe në Hagë pritet prani e shqiptarëve të ardhur nga Kosova dhe vende të ndryshme të Europës.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë që prej nëntorit të vitit 2020. Procesi gjyqësor nisi më 3 prill 2023 dhe, pas dëshmive të qindra dëshmitarëve, mijëra dokumenteve dhe përballjes mes Prokurorisë dhe mbrojtjes, sot çështja mbërrin në momentin e saj vendimtar në shkallën e parë. bw

“Lufta jonë kishte qëllim mbrojtës!” Konjufca para vendimit në Hagë: Presim aktgjykim lirues për Thaçin, Veselin, Selimin dhe Krasniqin

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar pak para shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.

Konjufca e ka cilësuar këtë moment si përmbylljen e procesit gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ndërsa ka shprehur pritshmërinë për një vendim lirues.

“Sot është dita finale në këtë proces gjyqësor. Sot është i pritshëm një vendim, një aktgjykim lirues për katërshen drejtuese të shtabit të UCK-së. Lufta jonë ishte një luftë e domosdoshme mbrojtëse, kishte vetëm një qëllim, qëllimin e lirisë së popullit tonë dhe stopimin e gjenocidit të forcave paramilitare serbeSot është dita finale në këtë proces gjyqësor. Sot pritet një vendim, një aktgjykim lirues për katërshen drejtuese të Shtabit të UÇK-së”, u shpreh Konjufca.

Ai ka folur edhe për luftën e UÇK-së, duke e cilësuar atë si një përpjekje mbrojtëse të shqiptarëve të Kosovës. bw

Sot është dita e vendimit për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin

Sot është dita e vendimit për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin. Pas një prej proceseve më të gjata dhe më të ndjekura që lidhen me luftën e Kosovës, trupi gjykues i Dhomave të Specializuara në Hagë pritet të shpallë verdiktin e shkallës së parë ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Seanca është parashikuar të nisë në orën 10:00 dhe do të jetë publike, me transmetim në shqip, anglisht dhe serbisht. Vendimi pritet me interes të jashtëzakonshëm në Kosovë, ndërsa në Prishtinë janë bërë përgatitje që qytetarët ta ndjekin atë drejtpërdrejt në një ekran të madh. Edhe në Hagë pritet prani e shqiptarëve të ardhur nga Kosova dhe vende të ndryshme të Europës.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë që prej nëntorit të vitit 2020. Procesi gjyqësor nisi më 3 prill 2023 dhe, pas dëshmive të qindra dëshmitarëve, mijëra dokumenteve dhe përballjes mes Prokurorisë dhe mbrojtjes, sot çështja mbërrin në momentin e saj vendimtar në shkallën e parë.

Katër ish-drejtuesit e UÇK-së përballen me dhjetë akuza për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Mes tyre përfshihen përndjekja, burgosja, akte të tjera çnjerëzore, tortura, vrasja dhe zhdukja me forcë, si dhe akuza për arrestim e ndalim të paligjshëm ose arbitrar dhe trajtim mizor.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Specializuar, krimet e pretenduara janë kryer gjatë periudhës mars 1998–shtator 1999 në disa zona të Kosovës dhe në Kukës e Cahan, në veri të Shqipërisë. Prokuroria pretendon se viktimat përfshinin civilë, persona që nuk merrnin pjesë në luftime dhe njerëz të konsideruar kundërshtarë të UÇK-së.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi i kanë mohuar akuzat dhe janë deklaruar të pafajshëm.

Një prej përplasjeve kryesore gjatë procesit ka qenë pikërisht mënyra se si funksiononte dhe drejtohej UÇK-ja. Prokuroria ka argumentuar se të akuzuarit mbanin pozicione drejtuese dhe kishin përgjegjësi për veprimet që janë objekt i aktakuzës. Mbrojtja e ka kundërshtuar këtë tezë, duke argumentuar se UÇK-ja ishte një forcë guerile dhe vullnetare, pa strukturën vertikale të komandimit dhe kontrollit që, sipas saj, pretendon Prokuroria.

Në mbështetje të kësaj teze, përpara trupit gjykues kanë dëshmuar edhe figura të njohura amerikane që kanë pasur kontakte të drejtpërdrejta me zhvillimet në Kosovë gjatë luftës, mes tyre gjenerali në pension Wesley Clark dhe ish-zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, James Rubin.

Prokuroria e mbylli paraqitjen e provave më 15 prill 2025, ndërsa mbrojtja nisi çështjen e saj në shtator të po atij viti. Faza e paraqitjes së provave përfundoi më 18 dhjetor 2025. Palët dorëzuan parashtresat përfundimtare në janar të këtij viti, ndërsa deklaratat përmbyllëse u zhvilluan nga 9 deri më 18 shkurt.

Në total, gjatë gjykimit janë dëgjuar 134 dëshmitarë: 125 të thirrur nga Prokuroria, dy nga përfaqësuesit e viktimave dhe shtatë nga mbrojtja. Në proces janë pranuar gjithashtu 156 persona me statusin e viktimave pjesëmarrëse.

Prokuroria e Specializuar ka kërkuar një dënim jashtëzakonisht të rëndë: 45 vite burg për secilin prej katër të akuzuarve. Mbrojtja, në anën tjetër, ka kërkuar rrëzimin e akuzave dhe shpalljen e tyre të pafajshëm.

Pikërisht këto dy qëndrime diametralisht të kundërta do të marrin sot përgjigjen e parë nga gjykata.

Vendimi do të jepet nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtari amerikan Charles L. Smith III, gjyqtari gjerman Christoph Barthe dhe gjyqtari zviceran Guénaël Mettraux. Gjyqtari irlandez Fergal Gaynor është gjyqtar rezervë. Për të shpallur fajësinë, trupi gjykues duhet të arrijë në përfundimin se përgjegjësia penale është provuar përtej dyshimit të arsyeshëm, duke shqyrtuar veçmas secilin të akuzuar dhe secilën pikë të aktakuzës.

Në Kosovë, pritja e vendimit ka marrë përmasa shumë më të mëdha se një seancë e zakonshme gjyqësore. Ditët e fundit në Prishtinë janë shfaqur fotografi të ish-drejtuesve të UÇK-së dhe mesazhe si “Liria ka emër”, ndërsa më 12 shtator mijëra qytetarë morën pjesë në “Marshin për Liri”.

Për sot është përgatitur edhe një ekran i madh në Prishtinë, ku qytetarët do të mund të ndjekin shpalljen e vendimit. Ndërkohë, qindra shqiptarë raportohet se kanë udhëtuar drejt Hagës për të qenë pranë ndërtesës së gjykatës në momentin e shpalljes së verdiktit.

Edhe situata e sigurisë është në vëmendje. KFOR-i ka konfirmuar se ka ndërmarrë masa operative përpara vendimit, ndërsa NATO ka ritheksuar angazhimin për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm në Kosovë.

Për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, sot mbyllet një kapitull vendimtar i një procesi që nisi me arrestimin dhe transferimin e tyre në Hagë në nëntor 2020. Për Kosovën, vendimi pritet të ndiqet shumë përtej sallës së gjyqit, për shkak të rolit që katër të akuzuarit kanë pasur gjatë luftës dhe më pas në jetën politike dhe institucionale të vendit.

Në orën 10:00, pas rreth 6 vitesh paraburgim, qindra dëshmive dhe një beteje të gjatë juridike, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi do të dëgjojnë vendimin e trupit gjykues.

Çfarëdo që të vendoset sot, bëhet fjalë për vendimin e shkallës së parë. Procedurat e parashikuara nga Dhomat e Specializuara u japin palëve mundësinë që vendimi të kundërshtohet në apel. bw

Gjyqtarët në Hagë që nesër do të japin verdiktin: Amerikani, Charles Smith III (kryesues), gjermani Christoph Barthe, zvicerani Guanawl Mettraux & irlandezi Fergal Gaynor

Pas 234 ditëve të gjykimit, më 16 shtator përmbyllet procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Trupi gjykues që do të vendosë për vendimin e madh ka këtë përbërje:

Gjyqtari amerikan, Charles Smith III (kryesues)

EMRAT+FOTOT/ Nesër gjyqi në Hagë, ja kush janë

Gjyqtari gjerman, Christoph Barthe

EMRAT+FOTOT/ Nesër gjyqi në Hagë, ja kush janë

Gjyqtari zviceran, Guanawl Mettraux

EMRAT+FOTOT/ Nesër gjyqi në Hagë, ja kush janë

Gjyqtari irlandez, Fergal Gaynor

EMRAT+FOTOT/ Nesër gjyqi në Hagë, ja kush janë

 

Albin Kurti: Flora Brovina do të kujtohet nga populli i Kosovës për angazhimin publik dhe veprën e saj kulturore

Një jetë e tërë njerëzore e shkuar nën aktivizëm, u shua sot. Flora Brovina, vdiq në moshën 76-vjeçare duke lënë pas mes të gjallëve një trashëgimi të gjatë dhe të ngjeshur me përpjekje dhe angazhime humanitare edhe politike.
Flora Brovina kishte lindur në Skenderaj, më 30 shtator 1949, vetëm katër vite pas pushtimit të Kosovës nga Serbia dhe përfshirjes së saj në Jugosllavi. Ajo i nisi studimet për mjekësi në Beograd, kurse i kreu në Prishtinë, duke u specializuar si pediatre dhe më pas si pediatre klinike në Zagreb. Në rininë e hershme të saj, Brovina punoi edhe si gazetare për shëndetësi dhe çështje sociale në gazetën “Rilindja”, kurse pas diplomimit, Brovina punoi për vite pediatre.
Në vitin 1992, pediatrja Flora Brovina e themeloi organizatën Lidhja e Gruas Shqiptare, për mbrojtjen e të drejtave të grave, si dhe për dhënie të ndihmave humanitare e mjekësore. Gjatë viteve ’90, Brovina u bë një aktivistet më të shquara shqiptare në Kosovë, për mbrojtjen e të drejtave të grave, organizimin e protestave të grave kundër regjimit shtypës të Serbisë, kulmuar me angazhimin e saj si doktoreshë në strukturat mjekësore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në kulmin e luftës në Kosovë, më 20 prill të vitit 1999, Flora Brovina u arrestua nga policia serbe dhe u burgos. Në ditët e fundit të luftës, ajo u transferua bashkë me mbi 2000 shqiptarë të tjerë në Serbi, si pengje lufte të burgosura. Më 9 dhjetor 1999, ajo u dënua nga një gjykatë në Nish me 12 vite burgim, por Gjykata Supreme e Serbisë e ktheu rastin e saj në rigjykim. Pas presionit ndërkombëtar si nga organizatat për të drejtat e njeriut, Amnesty International dhe Human Rights Watch por edhe nga Parlamenti Evropian, Brovina u lirua nga burgu më 1 nëntor të vitit 2000, pas 19 muajsh të kaluar në burgje.
Si shkrimtare dhe aktiviste, Flora Brovina është laureuar me dhjetëra çmime dhe mirënjohje, si “Tucholsky Prize” nga Swedish PEN, PEN/Barbara Goldsmith Freedom to Write Award më 2000, PEN/Barbara Goldsmith Freedom to Write Award, Çmimi për Kurajo Qytetare – Heinrich Böll Foundation, Millennium Peace Prize for Women, më 2001 etj.
Flora Brovina ishte deputete e Kuvendit të Kosovës në gjashtë legjislatura, nga viti 2001 deri më 2019, rrjedhimisht edhe nënshkruese e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.
Flora Brovina, do të kujtohet nga populli i Kosovës dhe do të njihet nga historia e vendit tonë për angazhimin e saj publik dhe veprën e saj kulturore, humanitare, aktiviste dhe politike.
Ngushëllime familjes Brovina, bashkëveprimtarëve të saj dhe gjithë qytetarëve të Kosovës! (fb)

Sa i kushtoi Kosovës mbrojtja e të akuzuarve në Hagë?

Nadije Ahmeti

Mbi 40.6 milionë euro janë paguar nga buxheti i Kosovës për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar para Dhomave të Specializuara në Hagë.

Pjesa më e madhe e kësaj shume – rreth 39.8 milionë euro – është shpenzuar për mbrojtjen juridike, sipas të dhënave që Ministria e Drejtësisë e Kosovës ia ka dërguar Radios Evropa e Lirë.

Vetëm për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin janë paguar mbi 28.4 milionë euro nga viti 2021 deri më 14 shtator 2026.

Të dhënat bëhen publike në prag të 16 shtatorit, kur katër ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pritet të dëgjojnë aktgjykimin, pas më shumë se tre vjetësh gjykim.

Të katërt, që mbahen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ata i kanë mohuar akuzat dhe janë deklaruar të pafajshëm.

Mbi 28 milionë euro për katër të akuzuarit

Sipas Ministrisë së Drejtësisë, nga fillimi i pagesave deri më 14 shtator 2026, nga buxheti i Kosovës janë paguar mbi 40.6 milionë euro në kuadër të mbështetjes për personat e akuzuar para Dhomave të Specializuara.

Prej kësaj shume, rreth 39.8 milionë euro janë shpenzuar për mbrojtjen juridike.

Vetëm për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin janë paguar gjithsej rreth 28.47 milionë euro në periudhën 2021-2026.

Sa para u ndanë nga buxheti?

Kosova e ka marrë përsipër me ligj mbështetjen financiare të personave të akuzuar ose potencialisht të akuzuar nga Dhomat e Specializuara, përfshirë mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes dhe formave të tjera të mbështetjes të përcaktuara me ligj.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë, për vitet 2020 dhe 2021 së bashku ishin ndarë 14.14 milionë euro për zbatimin e këtij ligji.

Në vitin 2022 u ndanë 6.85 milionë euro, në vitin 2023 – 7 milionë, ndërsa në vitin 2024 – 6.85 milionë euro.

Për vitet 2025 dhe 2026 janë ndarë nga 8.05 milionë euro.

Këto ndarje arrijnë në rreth 50.95 milionë euro për periudhën 2020-2026.

Ministria nuk ka dhënë në përgjigjen e saj shifra për vitet para vitit 2020, ndonëse Radio Evropa e Lirë ka kërkuar të dhëna për secilin vit nga viti 2015.

Të dhënat e buxheteve të Kosovës, të mbledhura nga Radio Evropa e Lirë, tregojnë se ndarjet për këtë qëllim, për periudhën 2018-2026, arrijnë mbi 60 milionë euro.

Ministria e Drejtësisë thotë se aktualisht nuk ka detyrime të papaguara ndaj avokatëve apo përfituesve të tjerë në kuadër të këtij programi.

Video: Çka do të përcaktojë vendimi i 16 shtatorit?

Pagesat auditohen, por raporti nuk është publik

Shpenzimet për mbrojtjen në Hagë i nënshtrohen auditimit nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), por rezultatet e këtij auditimi nuk janë të qasshme për publikun.

Në raportet e auditimit të Ministrisë së Drejtësisë, ZKA-ja ka sqaruar se pagesat nga subvencionet dhe transferet për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave potencialisht të akuzuar janë të klasifikuara në nivelin “i kufizuar”.

Për këtë arsye, ato nuk përfshihen në raportin publik të auditimit të Ministrisë.

ZKA-ja thotë se këto pagesa auditohen ndaras dhe se për to përgatitet raport i posaçëm, i cili u komunikohet vetëm palëve përgjegjëse.

Kërkesa për më shumë transparencë

Ndonëse të dhënat nga Ministria e Drejtësisë japin një pasqyrë të detajuar të shpenzimeve për katër të akuzuarit, organizatat që kanë monitoruar këtë çështje, thonë se transparenca për përdorimin e këtyre mjeteve ka qenë problem ndër vite.

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, thotë se ky institut ka ngritur që nga viti 2020 shqetësime për mungesën e informatave rreth mënyrës se si shpenzohen paratë publike për mbrojtjen në Hagë.

“Jo rrallëherë kemi parë edhe politizim të partisë në pushtet lidhur me shpenzimet e mbrojtjes, duke publikuar shumat totale për të gjithë të pandehurit, duke ndërtuar jo rrallëherë dhe narrativin sikur shteti po shpenzon miliona euro për të njëjtit”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Sipas Miftarajt, publiku duhet të dijë jo vetëm shumën totale, por edhe sa është paguar për secilin të akuzuar dhe cilat kategori shërbimesh janë mbuluar – pa cenuar konfidencialitetin e mbrojtjes.

Edhe Anton Nrecaj, drejtor në Qendrën për Ndihmë Juridike dhe Zhvillimin Rajonal (CLARD), thotë se duhet bërë dallim i qartë mes buxhetit të ndarë dhe parave të shpenzuara realisht.

“Janë publikuar disa shuma individuale, por jo të gjitha të dhënat janë të plota. Publiku duhet të dijë shumën, periudhën, kategorinë dhe bazën e pagesës, pa cenuar konfidencialitetin e mbrojtjes”, thotë Nrecaj për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, transparenca duhet të mundësojë edhe verifikimin nëse pagesat janë bërë në përputhje me ligjin, tarifat dhe kompleksitetin e rasteve.

Çfarë paguan shteti?

Baza për financimin nga shteti u krijua në vitin 2015, kur, krahas Ligjit për Dhomat e Specializuara, Kuvendi i Kosovës miratoi edhe Ligjin për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave potencialisht të akuzuar në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara.

Ligji u garanton personave që përfshihen në këtë kategori mbështetje financiare për mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes, si dhe forma të tjera të mbështetjes të përcaktuara me ligj dhe akte nënligjore.

Ministria e Drejtësisë thotë se shpenzimet për mbrojtjen realizohen në bazë të Udhëzimit Administrativ MD 08/2022 për mbrojtjen juridike të personave potencialisht të akuzuar, të ndryshuar dhe plotësuar në vitin 2024.

Shpenzimet për vizitat e familjarëve mbulohen në bazë të një udhëzimi tjetër administrativ, të miratuar në vitin 2020 dhe të ndryshuar në vitin 2022.

Sipas rregullave në fuqi, një person i akuzuar mund të vizitohet, me mbështetje financiare, nga më së shumti 12 anëtarë të ngushtë të familjes brenda një viti dhe jo më shumë se tre anëtarë të familjes për një vizitë.

Dhomat e Specializuara u themeluan në vitin 2015 në bazë të ligjeve të Kosovës, por selinë e kanë në Hagë dhe përbëhen nga gjykatës dhe prokurorë ndërkombëtarë.

Ato trajtojnë pretendime për krime të kryera gjatë dhe pas luftës së viteve 1998-1999, të lidhura me ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kompensimi në rast të vendimit të pafajësisë

Ligji dhe një udhëzim administrativ i Ministrisë së Drejtësisë parashohin kompensim për personat e akuzuar para Dhomave të Specializuara që shpallen të pafajshëm me vendim të plotfuqishëm.

Udhëzimi përcakton se e drejta për kompensim për periudhën e privimit nga liria u takon personave ndaj të cilëve është ngritur aktakuzë dhe është zhvilluar procedurë gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, nëse ata shpallen të pafajshëm me vendim të plotfuqishëm.

Përveç periudhës së privimit nga liria, udhëzimi rregullon edhe kompensimin për dëmin material ose fitimin e humbur, si dhe dëmin jomaterial ose moral.

Udhëzimi nuk përcakton një shumë fikse të kompensimit për çdo ditë të kaluar në paraburgim nga një i akuzuar para Dhomave të Specializuara.

Miftaraj thotë se, sipas rregullave dhe praktikës që përdoren për kompensimin e privimit nga liria, shuma ndryshon varësisht nga mënyra se si trajtohet kërkesa dhe rrethanat e rastit.

“Sipas rregulloreve të brendshme të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, referenca administrative për një ditë privim nga liria në mënyrë të kundërligjshme është deri në 25 euro për ditë. Ndërsa praktika gjyqësore, në rastet kur palët e kanë dërguar rastin e tyre deri në gjykatë, ka shkuar nga 30 deri në 60 euro dita, varësisht nga rrethanat e rastit”, shpjegon Miftaraj.

Me aktgjykimin e 16 shtatorit, procesi ndaj katër ish-udhëheqësve të UÇK-së mund të hyjë në një fazë të re.

Të dyja palët do të kenë mundësi apelimi, ndërsa ligji parasheh mbështetje financiare edhe gjatë vazhdimit të procedurave gjyqësore.

Bekim Sejdiu tërhiqet nga kandidatura për president

Radio Evropa e Lirë

Bekim Sejdiu ka njoftuar se është tërhequr nga kandidatura për president të Kosovës për shkak të, siç tha, mungesës së nevojshme të deputetëve për zgjedhjen e tij.

Ky njoftim i Sejdiut është cilësuar nga zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës si “humbje” për vendin dhe duke argumentuar se mosarritja e konsensusit për çështjen e presidentit po rrezikon që vendi të përballet me zgjedhje të reja.

Sejdiu, ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese dhe ish-diplomat, tha se për këtë vendim e ka njoftuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, parti që e propozuan si kandidat të përbashkët për president.

“Në rrethanat e krijuara, të karakterizuara nga mungesa e mbështetjes së nevojshme parlamentare për zgjedhjen time si presidentit dhe nga devijimi i tërë procesit në vorbullën e dinamikave dhe përplasjeve të brendshme politike, kam vendosur të tërhiqem nga kandidatura për president të Republikës së Kosovës”, shkroi ai në Facebook.

Më 31 gusht, LVV-ja dhe LDK-ja njoftuan se ishin pajtuar që Sejdiu ishte kandidat i përbashkët për president, pas një sërë rundesh të negociatave.

Por, një ditë më vonë gjashtë deputetë të LDK-së thanë se nuk e mbështesin Sejdiun.

Sejdiu tha se kishte shprehur që deputetët dhe partitë politike do të tejkalonin ndasitë për t’i dhënë vendit stabilitet institucional.

Sipas tij, Kosova dhe qytetarët e saj “nuk kanë nevojë për drama politike dhe thellim të polarizimit, por për maturi dhe bashkim në funksion të forcimit të shtetit tonë”.

“Prandaj, me sinqeritetin më të madh shpresoj se partitë politike do të gjejnë rrugëdalje nga ky rreth vicioz, i cili, më shumë se çdo gjë tjetër, po e venitë shpresën e qytetarëve për një të ardhme prosperuese për ta dhe familjet e tyre”, shkroi ai në Facebook.

Pas njoftimit të Sejdiut, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se me tërheqjen nga kandidatura, Sejdiu tregoi “dinjitet”.

“Tërheqja e tij, përballë histerisë politike, dëshmon pikërisht pse një njeri me karakterin e tillë, do të ishte zgjedhja e duhur për president”, shkroi Abdixhiku në Facebook.

Ai e falënderoi Sejdiun për gatishmërinë e treguar për të kandiduar, por tha se në vend të zgjidhjes politike për çështjen e presidentit, “zgjedhjet e reja” janë vendosur si qëllim.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, tha se tërheqja e Sejdiut është “humbje” për një proces, që sipas saj, do të duhej të sillte në vëmendje personalitete me integritet, profesionalizëm dhe kredibilitet.

Ajo tha se në Kosova nuk ka nevojë për bllokada të reja politike, por për përgjegjësi, stabilitet institucional dhe gatishmëri për të gjetur zgjidhje.

“Fatkeqësisht, në vend që të krijojmë hapësirë për personalitete të tilla që të vënë dijen dhe përvojën e tyre në shërbim të shtetit, po krijohet një klimë politike që i demotivon ata. Përpjekja për ta çuar vendin me lehtësi drejt zgjedhjeve të reja po na dërgon nga një bllokadë në tjetrën, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë ndërtimin e një konsensusi që i duhet vendit”, shkroi ajo në rrjetet sociale.

Ndërkaq, ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e falënderoi Sejdiun për gatishmërinë për të shërbyer, por edhe “për përballen me një proces ku personalja shpesh u vendos mbi institucionalen”.

“Ndoshta pikërisht këtu qëndron humbja jonë më e madhe: jo vetëm që nuk arritëm të zgjedhim Presidentin, por humbëm edhe një tjetër mundësi për të treguar se në Kosovë mund të ndërtojmë konsensus rreth njerëzve me dije, integritet dhe dinjitet”, shkroi ajo në rrjetet sociale.

Osmani ishte pjesë e ekipit negociator të LDK-së për çështjen e presidentit.

Për zgjedhjen e presidentit të Kosovës prania e të paktën 80 deputetëve në sallën e Kuvendit, i cili ka gjithsej 120 vende.

LVV-ja e Albin Kurtit fitoi 53 mandate në zgjedhjet e qershorit. Me 12 votat – nga 18 deputetë sa ka LDK-ja, pra pa gjashtë deputetët që kundërshtuan Sejdiun – nuk arrihej pragu prej 80 votash për zgjedhjen e presidentit.

Edhe pas njoftimit nga vetë kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, se gjashtë nga 18 deputetët e partisë së tij nuk do të mbështesnin Sejdiun, marrëveshja për presidentin ishte konsideruar e vlefshme nga kreu i LVV-së, njëherësh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kurti më herët gjatë ditës së sotme po ashtu u bëri thirrje deputetëve të partive opozitare për bashkëpunim në zgjedhjen e presidentit të ri.

“Jemi kaq afër zgjedhjes së presidentit, saqë do të ishte e pafalshme të shkojmë sërish në zgjedhje për të ardhur përsëri në të njëjtën pikë. Andaj… u bëj thirrje liderëve politikë dhe deputetëve ta zgjedhimin çështjen e presidentit dhe të ecim përpara”, tha Kurti disa orë para njoftimit të Sejdiut.

Njoftimi për tërheqjen nga kandidatura për president e Sejdiut vjen një ditë pasi Kuvendi u shpall i konstituuar dhe më pas u zgjodh Qeveria e re e udhëhequr nga Albin Kurti.

Megjithatë, themelimi i këtyre dy institucioneve është kontestuar nga partitë opozitare, dhe Partia Demokratike e Kosovës dorëzoi më 14 gusht kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për masë të përkohshme ndaj Kuvendit, deri në qartësimin e kushtetushmërisë së procesit.

Sipas PDK-së, Lëvizja Vetëvendosje në pushtet e shkeli afatin kushtetues prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit dhe procedurën për thirrjen e seancës çdo 48 orë deri në konstituimin e tij.

Sipas një aktgjykimi të vitit të kaluar të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve. Ky afat përfundoi më 7 gusht 2026.

Kuvendi i Kosovës u konstituua të dielën pa zgjedhjen e nënkryetarit të dytë, i cili i takon PDK-së, pasi kjo e fundit nuk mori pjesë në seancë duke e akuzuar pushtetin për shkelje të procesit.

Ndërkaq, disa orë më vonë u zgjodh edhe Qeveria. Në seancë nuk morën pjesë, PDK-ja, LDK-ja dhe Aleanca.

Kosova po përballet me jostabilitet politik, pasi vendi ka mbajtur tri palë zgjedhje parlamentare që nga shkurti i vitit 2025. Nëse deputetët nuk arrijnë të zgjedhin kreun e ri të shtetit, qytetarët do t’i drejtoheshin kutive të votimit për të dytën herë për shkak të moskonsensusit për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.


Send this to a friend