VOAL

VOAL

PS: Debati i plotë Ruçi-Kokëdhima për shtyrjen e Kongresit

October 21, 2015

Komentet

Punëtorë indianë drejt Shqipërisë- Ambasadori i Indisë nga Pogradeci: Gati marrëveshja për emigracionin e rregullt, prioritet turizimi

Ambasadori i Indisë në Shqipëri, Ravindra Prasad Jaiswal, ka deklaruar nga Pogradeci se po punohet për një marrëveshje me qeverinë shqiptare që synon rregullimin dhe organizimin e migracionit të punëtorëve indianë drejt Shqipërisë.

Sipas ambasadorit, palët janë në diskutime për disa marrëveshje bashkëpunimi, ndërsa aktualisht janë në fuqi dy deri tre të tilla. Ai shprehu pritshmëri për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në vitet në vijim.

Në fokus mbetet edhe rritja e ndjeshme e turizmit indian drejt Shqipërisë. Që prej heqjes së regjimit të vizave në vitin 2020, numri i vizitorëve indianë ka shënuar rritje të vazhdueshme, duke arritur rreth 30,000–35,000 vizitorë vitin e kaluar. Sipas të dhënave të cituara, në katër muajt e parë të vitit 2025, fluksi është pothuajse dyfishuar krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ambasadori theksoi se India përfaqëson një burim të rëndësishëm të fuqisë punëtore të kualifikuar dhe se aktualisht në Shqipëri janë dhënë rreth 1,200 viza pune për shtetas indianë. Ai shtoi se po diskutohet një marrëveshje partneriteti për të garantuar migracion të rregullt dhe të organizuar të punëtorëve indianë drejt tregut shqiptar të punës.

Sipas tij, punëtorët indianë njihen për disiplinën dhe përshtatshmërinë, ndërsa bizneset shqiptare pritet t’i konsiderojnë si një burim të vlefshëm për sektorë të ndryshëm ekonomikë.

Në fushën e investimeve, ambasadori njoftoi se në Shqipëri janë të regjistruara rreth 18 kompani indiane, kryesisht në sektorin e minierave, por mbetet ende i paqartë aktiviteti real i disa prej tyre. Ai shtoi se po bëhen përpjekje për të rritur praninë e investimeve indiane në vend, duke theksuar se ky proces është ende në zhvillim.

Ambasadori i Indisë në Shqipëri, z.Ravindra Prasad Jaiswal flet nga Pogradeci

Kemi marrëdhënie prej kohësh dhe këtë vit po festojmë 70-vjetorin e vendosjes së tyre. Në këtë kuadër, do të organizojmë disa aktivitete. Po propozojmë një ekspozitë fotografike kushtuar Mother Teresa. Gjithashtu, një zv/ministër nga India do të vijë në Shqipëri për konsultime me qeverinë shqiptare. Po mendojmë edhe për të sjellë një trupë kulturore nga India në Shqipëri dhe ndoshta të organizohet një shfaqje një-natëshe në Pogradec.

Këto janë disa nga aktivitetet që parashikojmë, ndërkohë që jemi në diskutime për disa marrëveshje. Aktualisht kemi dy ose tre marrëveshje në fuqi, por shpresojmë të realizojmë edhe shumë të tjera gjatë këtij viti dhe në vitet në vijim.

Nga raportimet në media duket se, që prej vitit 2020 kur u vendos regjimi pa viza, numri i vizitorëve është rritur ndjeshëm, veçanërisht për shtetasit indianë që jetojnë në vendet e Gjirit, në Mbretërinë e Bashkuar apo në Shtetet e Bashkuara.

Sipas të dhënave të përmendura, vitin e kaluar numri i vizitorëve indianë si nga India ashtu edhe nga diaspora ka qenë rreth 30,000 deri në 35,000 persona. Ndërsa në vitin 2025, vetëm në katër muajt e parë, numri i indianëve që kanë vizituar Shqipërinë pothuajse është dyfishuar krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Kjo tregon një prirje të qartë në rritje dhe një potencial të fortë për tregun indian të turizmit drejt Shqipërisë, me pritshmëri që ky fluks të vijojë të zgjerohet edhe gjatë këtij viti dhe në vitet në vijim.

Siç dihet, India është një fuqi e madhe në burime njerëzore të kualifikuara dhe një numër i madh indianësh punojnë në të gjitha anët e botës, veçanërisht në vendet e Gjirit, në Mbretërinë e Bashkuar, në Gjermani, në Bashkimin Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara. Ndërsa në Shqipëri, këto shifra mbeten ende të ulëta.

Sipas të dhënave, vitin e kaluar janë dhënë rreth 1,200 viza për punëtorë indianë. Megjithatë, kjo tregon se trendi është në rritje dhe se po hidhen hapa në drejtimin e duhur. Pritet që ky numër të vijojë të rritet në të ardhmen.

Nga ana tjetër, po punohet për një marrëveshje partneriteti me qeverinë shqiptare, me qëllim garantimin e një migracioni të rregullt dhe të organizuar të punëtorëve nga India drejt Shqipërisë.

Punëtorët indianë njihen për përkushtimin, disiplinën dhe aftësinë për t’u përshtatur me mjedisin lokal. Në këtë kuadër, pritet që ata të gjejnë kushte të mira pune në Shqipëri, ndërsa punëdhënësit shqiptarë t’i konsiderojnë si një aset të vlefshëm në tregun e punës.

Kemi pasur disa investime dhe disa kompani që operojnë këtu, kryesisht në sektorin e minierave. Sipas informacionit nga Qendra Kombëtare e Biznesit, rezulton se janë të regjistruara rreth 18 kompani indiane në Shqipëri. Megjithatë, deri tani nuk kemi arritur të vendosim kontakte të drejtpërdrejta me to dhe nuk është e qartë se sa prej tyre janë aktualisht aktive në terren.

Nga ana tjetër, po punohet për të promovuar më tej investimet indiane në Shqipëri. Ky është një proces që kërkon kohë, edhe për faktin se prania institucionale është relativisht e re dhe marrëdhëniet ekonomike janë ende në fazë zhvillimi. Pritet që në vitet në vijim këto përpjekje të japin rezultate konkrete, me rritje të investimeve dhe prani më të dukshme të kompanive indiane në tregun shqiptar.

‘Gazetari Aulon Kalaja u godit kafshërisht’/ Berisha nga Trauma: Policia përdori spraj ariu vdekjeprurës!

Pas një vizite në Urgjencën e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vizituar mbrëmjen e sotme edhe Spitalin e Traumës, ku po trajtohen disa nga personat e lënduar gjatë protestës kombëtare të opozitës.

Në një prononcim për mediat pas vizitës, Berisha u ndal veçanërisht te gjendja e aktivistit Aulon Kalaja, të cilën e cilësoi serioze. Sipas tij, Kalaja është goditur nga pas me shkop dhe ndaj tij është përdorur spraj ariu, ndërkohë që ai nuk po kryente asnjë veprim të dhunshëm.

Berisha theksoi se aktivisti është njohur për pjesëmarrje në qindra protesta paqësore dhe e konsideroi ndërhyrjen ndaj tij si të pajustifikuar. Ai ngriti akuza të forta ndaj drejtuesve të policisë, duke i lidhur ato me përgjegjësi për dhunën e ushtruar ndaj protestuesve. Sipas kreut të PD-së, gjatë protestës është përdorur në mënyrë masive spraj ariu, i cili mund të jetë i rrezikshëm për jetën në raste të caktuara, veçanërisht për personat me probleme të frymëmarrjes apo zemrës. Ai e cilësoi përdorimin e tij ndaj qytetarëve si shkelje të rëndë ligjore dhe të ndaluar nga konventat ndërkombëtare.

Berisha deklaroi gjithashtu se ka pasur përdorim të mjeteve të tjera të rrezikshme, përfshirë shishe molotov dhe bomba zhurmuese, të cilat kanë shkaktuar plagosje si te protestuesit ashtu edhe te një efektiv policie. Në vijim, ai akuzoi autoritetet për përpjekje për të fshehur incidente të tjera dhe për të ushtruar dhunë edhe ndaj gazetarëve që mbulonin ngjarjen.

Duke e cilësuar situatën si një “skenar dhune të organizuar”, Berisha paralajmëroi se protesta e radhës do të jetë edhe më e fuqishme dhe se opozita do të ndjekë rrugë ligjore për të denoncuar shkeljet e kryera.

I pyetur nga gazetarët për gjendjen shëndetësore të Kalasë, Berisha tha se ekzaminimet kanë konstatuar kontuzion të indeve të buta në zonën e kokës, duke shtuar se dëmtimet mund të jenë më të thella dhe jo menjëherë të dukshme në fazat e para.

Në fund, ai dënoi ashpër dhunën ndaj protestuesve dhe gazetarëve, duke u bërë thirrje mediave dhe qytetarëve që të dokumentojnë çdo incident për t’i përdorur si prova në denoncimet e ardhshme.

DEKLARATA E BERISHËS:

Gjendja e gazetarit të mirënjohur, Aulon Kalaja, ishte serioze. Përveç se e kanë, i kanë hedhur spraj ariu, kanë e kanë goditur kafshërisht, mbrapa, me shkop, në një kohë që në mënyrë absolute, nuk po kryente asnjë veprim të të dhunshëm.

Domethënë, ju e njihni. Aulon Kalaja, më thotë një mik i tij, një bashkëmoshatar i tij, që ka bërë 350 protesta dhe kurrë në jetën e tij nuk ka bërë njëherë protestë përveç se paqësore. Dhe tani tha, e pashë tha që e morën Klevisin, egërsisht, fallangat e Skënder Ballukut dhe të Sokol Besprerit, i cili në vend se të ishte në burg nja 30 vite, për shokun që e tradhëtoi dhe e lanë në makinë e dogjën kriminelët dhe terroristët në Qafë Muzinë, komandon tani policinë kundër opozitës.

Pra, ky është realiteti. Kanë përdorur, protestuesit më thonë se bombulat e sprajit kishin imazhin e ariut. Çka do të thotë, është spraj ariu. Spraj Ariut, ja u them unë ju këtu, mund të ketë në raste të caktuara, është vdekjeprurës.

Në të cilat raste është? Në rastin e personave që kanë probleme bronshite apo astmë bronkiale. Në rastin e personave që kanë vagotoni të shtuar për shkak të dhimbjeve të tmerrshme që mund të reflektohen në zemër me arrest kardiak.

Pra, përdorimi i tij është një vepër e rëndë penale, është një vepër e cila dënohet në konventa, është absolutisht e ndaluar të përdoret tek njerëzit, dhe këta kanë përdorur masivisht sprajn e ariut, ndaj deputetëve, ndaj protestuesve. Unë isha tek spitali tjetër, tek spitali i urgjencës me doktor Tritanin. Atje janë disa drejtues dhe deputetë të Partisë Demokratike të goditur me spraj ariu, të djegur, kanë shkuar gjer në djegie me, me efektet e tij të egra, sepse ai është një spraj i i përllogaritur në disa fishin e përdorimit të sprajt të njeriut.

Sepse ariu është ari, e keni parasysh, është një kafshë 3-400 kg, është e një fuqie të jashtëzakonshme dhe mbrojtja ndaj tij është pra, ai është një gjë dhe që përhapet dhe në një në një fushë më të gjerë. Pra, nuk del të gjuhën këtu dhe duhet të hecësh të dalësh prej efektit të tij. Janë përdorur, janë hedhur nga, janë hedhur nga taracat, shishe molotov, bomba molotov mbi protestuesit.

Kanë plagosur dhe një polic në kokë, por s’e di se ku është, me shishe molotov të hedhur nga taracat. Duhet ta kenë prurë këtu, e keni parë ju gjë? Jo. E kanë fshehur.

E kanë, demonstruesit e kanë parë me sytë e tyre, që një polic është plagosur me shishe që erdhi nga sipër. Sikundër qytetarët, u janë janë dëmtuar nga shishet e Molotovit. Kanë hedhur bomba zhurmuese. Bomba zhurmuese, por bomba granata zhurmuese kanë plagosur te këmbët një seri protestuesish.

Çfarë të kemi të bëjmë pra? Kemi të bëjmë me një skenar shtazërie të vërtetë të Skënder Ballukut, i cili kërkoi ose mendoi se mori detyrën dhe ja ka marrë përsipër Lubis dhe Ramës se do ja mbyll çështjen me qytetarët. Po kjo çështje në mënyrë absolute nuk mbyllet kurrë. Përkundrazi, protesta tjetër do të jetë e stërfuqishme krahasuar me këtë që patë sot. Edhe njëherë i them Edi Ramës, çështja, dosja Rama Balluku nuk mbyllet më. E mbyllën me prokurorinë, e mbyllën me gjykatën, po me opozitën shqiptare s’e mbyll dot kurrë atë.

Dhe, se edhe gazetarët i kanë sulmuar. Po, po. Edhe gazetarët janë sulmuar sot.

Dhe dënoi me forcën më të madhe. Por, kërkesa ime njerëzishme ndaj jush, të filmoni çdo akt të tyre, veçanërisht mjetet që hedhin, veçanërisht , sprajin e ariut. I ndaluar, bën vepër penale kudo dhe ne do të paraqesim akuza më të forta ndaj tyre për të gjitha këto krime që kanë kryer sot. Të themi, të gjithë deputetët, të gjithë protestuesit e shënjuar në mënyrë të qëllimshme për t’i dekurajuar, i gjeta dhe më të vendosur për protestën që vjen.

Dënoj me forcën më të madhe aktet shtazore të narkopolicisë ndaj protestës, po.

Pyetja e gazetarëve: Zoti Berisha, ndaj gazetarit Kalaja është bërë edhe një skaner. Ju që ishit brenda, u vu në dijeni se si ka dalë skaneri i zotit Kalaja? 

Berisha: Kontuzion. Kontuzion i indeve të buta. Po prit. Kontuzioni i indeve të buta në zonën e trurit ajo mund të jetë, indeve të jashtme të kokës. Po ajo absolutisht mund të jetë e shoqëruar dhe nga kontuzion i trurit, i cili, të cilin skaneri në stadet e tij fillimit nuk e, nuk e e zbulon dot. Kështu që goditja ka qenë e qëllimshme. I kanë shkuar mbrapa, e kanë goditur nga mbrapa. Dhe nuk po bënte asgjë tjetër, vetëm po mirrte Klevis Balliun që s’po bënte asgjë. E kuptoni ju pra, një strategji që ngjitet në nivelet e akteve terroriste nga narkopolicia.

Një protestuesi ja kanë vënë policët te koka. Po ti çfarë do këtu? E kemi të arrestuar këtë. Pasi e kanë shkelmuar, pasi e kanë shkelmuar, i kanë këputur kërbishtin, shkelma, tani e mbajnë të arrestuar, kanë hall t’ja ndryshojnë dëshminë, po ai është i vendosur, ai do dëshmojë për të gjithë qëndrimin e tyre shtazor ndaj tij.

Pyetja e gazetarëve: Zoti Berisha, protestuesit i kanë sjellë nga komisariati pasi e kanë dhunuar këtu apo?

Berisha: Jo protestuesin e kanë sjellë nga protesta.

Sepse kemi një informacion që ka disa protestues që janë dhunuar nëpër komisariate dhe i kanë sjellë këtu.

Pyetja e gazetarëve: E besoj unë plotësisht, veçanërisht sepse ky është një drejtor Allushi apo, ky është për Tiranën apo ka një funksion, është një ortak i bandave. Është një bandit ortak. Nuk ka asnjë rregull. Por ne absolutisht çdo gjë do të përgjigjen. Kjo katërshe e sotme me në krye Skënder Ballukun, këta janë listë të zezë sa është Edi Rama me Lubi Ballukun. 

Po më këshillojnë të hesht: Problemi është një model që është instaluar gradualisht dhe që sot funksionon pothuajse pa pengesa Nga Elisa Spiropali

Po më këshillojnë të hesht. Me të njëjtën mënyrë që përdoret në këto raste: rri rehat, mos bëj zë, do të të vërsulen, nuk ia del dot.

E kuptoj këtë “këshillë”. Është praktike. Madje edhe e mençur në një kuptim të ngushtë, mediokër, meskin. Por është pikërisht kjo lloj “mençurie” që ka ndërtuar klimën ku ndodhemi sot.

Problemi nuk është një individ, një konflikt, një mosvotim në Kuvend, apo një keqkuptim brenda pushtetit.

Problemi është një model që është instaluar gradualisht dhe që sot funksionon pothuajse pa pengesa. Një model ku institucionet nuk janë më hapësira vendimmarrjeje, por instrumente presioni. Ku vendimet nuk merren bashkarisht, por veç. Ku ligji interpretohet sipas nevojës së momentit, dhe jo sipas parimit vizionar.

E kam parë nga afër këtë transformim. Nuk është diçka që ndodh me një vendim të vetëm. Ndodh me tolerime të vogla, me heshtje të arsyetuara, me ndërhyrje që fillimisht duken të padëmshme dhe më pas kthehen në të rëndësishme, deri vendimtare.

Vjen koha kur në një moment, institucionet fillojnë të funksionojnë si zgjatime të vullnetit të pak njerëzve. Disa ministri dhe agjensi shtetërore nuk reagojnë më ndaj ligjit dhe detyrës, por ndaj urdhrit. Nuk i përgjigjen procedurës, por klanit. Dhe në këtë pikë, çdo biznes, çdo media, çdo individ e kupton se nuk është më përballë një shteti, por përballë një makinerie të pashpirt që mund të përdoret kundër tij.

Nëse këto mekanizma përdoren edhe ndaj atyre që kanë mbrojtje publike, me detyra të larta shtetërore, çfarë ndodh me ata që nuk kanë asnjë zë?

Kur struktura shtetërore të emëruara, të promovuara dhe të kontrolluara nga e njëjta dorë, tashmë jo formale, të paraprira nga portale të paguara me para të errëta, fillojnë të sulmojnë në mënyrë brutale deri edhe familjarë, në punë të tyre, atëherë kuptohet qartë se kufijtë janë tejkaluar, dhe se nuk bëhet më fjalë për politikë.

Nuk kam asgjë për të fshehur. Pikërisht për këtë arsye, këto sulme nuk më trembin. Përkundrazi, më bëjnë edhe më të qartë për atë që duhet thënë e duhet bërë.

Këtë model kam refuzuar dhe refuzoj. Ky është modeli që nuk duhet të jetë pjesë e Partisë Socialiste: Refuzimi i realitetit ku institucione publike me fytyrë personale përdoren si hanxharë për të frikësuar, dhe ku mbajtja e ndikimit nuk kërkon performancë, por kontroll. Ku pjesa e ndershme e administratës detyrohet të zbatojë deri urdhëra të paligjshëm për interesa dhe presione eprorësh të dhunshëm dhe fuqiplotë.

Dhe paralelisht me këtë, është ndërtuar një tjetër deformim i brendshëm. Një parti e gjallë, po zëvendësohet nga një strukturë fosile ku gjithçka filtrohet përmes emërimeve okulte. “Drejtorokracia” është kthyer në mënyrë funksionimi. Ka zëvendësuar politikën me administrim besnikërie.

Kjo nuk është ajo për të cilën është ndërtuar Partia Socialiste. Nuk është as modeli që i ka dhënë legjitimitet pushtetit të saj ndër vite.

Për këtë arsye, kjo nuk mund të trajtohet si një çështje personale. Nuk është një përplasje me dikë. Është një mospajtim me një mënyrë funksionimi që po bëhet normë.

Nuk kam frikë nga sulmet. Kam jetuar e jetoj ndër rreshtat e pavdekshëm lasgushianë;

“Shpirtkatran që më qërtojnë, janë qën’ që s’më kafshojnë.”

Jo se jam e paprekshme, por sepse nëse do të kisha frikë, do ta kisha zgjedhur heshtjen shumë më herët. Heshtja është gjithmonë opsioni më i lehtë në këto situata.

Halli është se ky model nuk prodhon vetëm padrejtësi. Ai prodhon largim. Largon njerëzit nga politika, nga besimi, nga vetja, nga vendi. E bën jetën të vështirë, jo për shkak të mungesës së mundësive, por për shkak të kontrollit mbi to.

Dhe nëse kjo vazhdon, nuk do të kemi më një debat politik për mënyrën si qeveriset vendi, por një mungesë të vrazhdë, të shëmtuar dhe deformuese të llogaridhënies institucionale.

Për mua kjo nuk është një çështje thjesht personale. Është një detyrim për të thënë se shumçka duhet ta bëjmë më mirë. Jo unë, por Koha e kërkon.

Ndarja e rëndësishme që duhet bërë qartë nuk është mes njerëzve. Është mes sektorëve funksionues shtetërorë, dhe strukturave abuzive personale.

Partia Socialiste e ka pasur dhe e ka energjinë e nevojshme për përmirësime dhe transformim në dobi të Shqipërisë dhe të shqiptarëve.🇦🇱

Korrupsion, shpërdorim detyre dhe shkelje e barazisë në tendera, SPAK kërkon 10 vite burg për ish-kreun e ARRSH, Ervis Berberi: T’i konfiskohen edhe pasuritë

SPAK ka kërkuar dënimin me 10 vite burg për Vis Berberin, i akuzuar për disa vepra penale të rënda, përfshirë shpërdorim detyre, korrupsion pasiv, shkelje të barazisë në tendera dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Gazetarja Klodiana Lala raporton se sipas kërkesës së organit të akuzës, për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar pritet të ulet me një të tretën. Përveç dënimit me burg, është kërkuar edhe ndalimi për 5 vite nga ushtrimi i funksioneve publike.

Gjithashtu, Prokuroria ka kërkuar konfiskimin e pasurive të gjetura në zotërim të tij, përfshirë 15 mijë euro, 35 mijë paund, si dhe 1 milion lekë të rinj, së bashku me pasuri të tjera. bw

“Rama ndryshoi destinacionin”- Thirrja e kryeministrit nga SPAK për “Partizanin”, Lubonja: Duhet të ishte i pandehur së bashku me Berishën

Analisti Fatos Lubonja foli mbrëmjen e sotme në “Kjo Javë” lidhur me thirrjen nga ana e SPAK të kryeministrit Rama si dëshmitar në procesin “Partizani”. ku po gjykohet Sali Berisha dhe dhëndrri i tij Jamarbër Malltezi.

 

Lubonja thotë se Rama ishte i pari që si kryebashkiak i Tiranës, ndryshoi terrenin sportiv të ish-klubit Partizani në shesh ndërtimi.

Për të, Rama së bashku me Berishën duhej të ishin marrë të pandehur lidhur me “Parizanin”.

Lubonja: Rama ka ndryshuar destinacionin, nuk është i pari se këtë ka bërë që në fillimet e veta si kryebashkiak. Këto janë politikat. Nga pikëpamja e akuzës ndaj Berishës, nëse i referohemi akuza e Ballës duhen akuzuar të dy palët për këto politikat që marrin pronën publike dhe ja japin. SPAK duhet të merrte si të pandehur edhe Ramën edhe Berishën si dy pjesë të një zinxhiri që bëhen këto grabitje të pronës publike. Pronarët duhet të ishin kompensuar.

Hapen disa tema, politikat që kanë ndjekur këto parti të sistemit oligarkik. Hapet tema e SPAK nëse ka vepruar në mënyrë selektive. Nëse ka krim të interesit publik hyn me Ramën dhe vazhdon. Këto krime janë politika kriminale, në kuptimin  metaforik, jo kuptimin ligjor. E vërteta nëse do kishim një SPAK, duhen marrë të dy të pandehur, thirrja e Ramës nga presioni i publikut dhe mbrojtjes. Për mua është një fasadë, ne nuk dimë a do shkojë ky. Shikoj mungesë drejtësie. Panorama

Brukseli bllokon Edi Ramën për RTSH, gati largimi i Eni Vasilit

 

Pas pyetjeve të negociatorëve europianë për videon ku Rama foli për shkrirjen e televizionit publik, Brukseli ka kërkuar modelin e BBC-së, me konsensus dhe të drejtë vetoje për opozitën…

Bashkimi Europian i ka bllokuar përfundimisht planet e Edi Ramës për shkrirjen e Radio Televizionit Publik Shqiptar, të cilat hapnin rrugë ndërtimit të kullave në territorin e RTSH-së. Gjatë diskutimeve për raportin EBAR në Bruksel, negociatorët shqiptarë janë pyetur për videon e kryeministrit ku ai fliste për shkrirjen e medias publike. BE dhe EBU kanë kërkuar që RTSH-ja të kthehet në një shërbim publik sipas modelit të BBC-së, me një bord drejtues të zgjedhur me konsensus dhe opozitën me të drejtë vetoje. Si shenjë e parë e zbatimit të këtij plani, pritet dorëheqja e drejtores së përgjithshme Eni Vasili, e vendosur në krye të RTSH-së me pëlqimin e Ramës. Ndërkohë, projekti për kullat është anuluar pas alarmit të Brukselit nga mediat shqiptare, veçanërisht “Pamfleti”.

Bashkimi Europian ka bllokuar përfundimisht planin e Edi Ramës për të shkrirë televizionin publik dhe krijuar kështu mundësinë e marrjes së terrenit të tij për ndërtimin e kullave.

 

Siç mësohet, në diskutimet që janë zhvilluar në Bruksel në lidhje me miratimin e raportit EBAR, janë pyetur negociatorët shqiptarë në lidhje me videon e Edi Ramës ku ka folur për shkrirjen e Radio Televizionit Publik.

Pas pyetjes ka ardhur një koment ku është thënë që qenia e një shërbimi publik të informimit është një standard europian që duhet zbatuar. Ndërkaq, përveç këtij rasti, EBU, autoriteti i transmetimeve televizive, ka qenë më i detajuar në këtë çështje, duke shprehur në një dokument shqetësimin në lidhje me kërcënimin e Edi Ramës.

Bashkimi Europian i ka kërkuar Shqipërisë që RTSH-ja duhet kthyer në një media publike sipas modelit të BBC-së, duke propozuar që plani të nisë menjëherë.

Madje ka edhe një draft për këtë, ku parashikohet që Parlamenti, sipas modelit të komisioneve të reformës zgjedhore dhe asaj territoriale, të krijojë një grup pune mes të gjitha partive, ku opozita të ketë të drejtën e vetos në lidhje me ribërjen e Radio Televizionit Shqiptar.

Plani parashikon ngritjen e një bordi që të mos zgjidhet me vota të mazhorancës në Kuvend, por me konsensus nga të gjitha palët. Ky plan parashikon largimin e Këshillit Drejtues aktual e natyrisht edhe të Eni Vasilit, që ka ardhur në krye të RTSH-së me pëlqimin e Edi Ramës dhe familjes së tij.

Instanca e BE-së ka qenë ultimative, pasi është mësuar se RTSH-ja ka një plan për shndërrimin e territorit ku ndodhet godina në kulla ndërtimi. Duke cituar shqetësimet që ka ngritur media shqiptare e posaçërisht “Pamfleti”, pyetjet në Bruksel kanë pasur si temë edhe mundësinë e ngritjes së një kulle, çka ka alarmuar negociatorët e qeverisë.

Pikërisht ngritja e këtij alarmi duket se ka bërë që plani i ndërtimit të kullave të anulohet, pasi mund të sjellë një acarim të mëtejshëm të situatës.

Përfaqësuesit e qeverisë kanë shprehur një dakordësi për një plan konsensual për ta kthyer RTSH-në në një media konsensuale, ku të gjitha partitë të kenë të drejtë përfaqësimi.

Pikërisht për të dhënë një sinjal në lidhje me këtë çështje, në ditët në vazhdim pritet që Eni Vasili të japë dorëheqjen nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së. Akt që më pas do të rihapë të gjithë procedurën e rinisjes së zgjedhjes së organeve drejtuese. Pas largimit të Vasilit, pritet që në Kuvend të flitet që të rizgjidhet Këshilli Drejtues me një formulë të ndryshme, pra me konsensus, jo vetëm me votat e mazhorancës. Nga drafti paraprak pritet që Këshilli të mos ketë 7 anëtarë, por ka edhe zëra që të ketë pesë, ku të jenë emra të njohur të kulturës dhe gazetarisë shqiptare, e jo njerëz që punojnë në zyrat partiake./Pamfleti

GJKKO thirri kryeministrin të dëshmojë për dosjen “Partizani”, Berisha: Rama të bëhet burrë! Shqiptarët mezi presin konfrontimin tonë në gjykatë!

Kryetari i Partia Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar lidhur me thirrjen e kryeministrit Edi Rama në GJKKO, në kuadër të hetimeve për dosjen “Partizani”.

 

Berisha deklaroi se thirrja e Ramës ishte kërkuar prej kohësh nga ana e tij, duke pretenduar se kryeministri ka firmosur mbi 10 deri në 12 dokumente në këtë çështje, të cilat sipas tij përbëjnë shkelje ligjore.

Ai shtoi se vendimi për thirrjen e Ramës tregon se gjykata ka marrë në konsideratë faktin që firmat në dokumente i përkasin kreut të qeverisë.

“Është kërkuar me kohë thirrje e Ramës, pasi në atë dosje Edi Rama ka mbi 10-12 firma. Prej tyre në shkelje flagrante të ligjeve dhe i ndëshkuar nga gjykata dhe prokuroria, mercenaret e Ramës nuk e thirrën njëherë kur ne e kërkuam, përkundrazi akuzuan Sali Berishës për gjera që nuk kishte lidhje. Gjykata zbatoi ligjin, në kuptimin që firmat janë të Ramës. Unë kam një firmë pas asaj të Ramës, që në aktivitetin tim nuk kam firmosur kundër projekteve që ata kanë sjellë. Rama me 12 firma. Rama i cili ka ndërruar destinacionin, pa u kthyer prona të pronari, pa kërkesën e pronarëve, ka ndërruar destionacionin për ta shndërruar në zonë urbanistike, pasi ja kishte vënë syrin si toka e askujt, që bashkë më Olsin donin të ndërtonin parajsën e tyre”, deklaroi kryeopozitari.

Teksa tha se “Rama duhet të merret për ndjekje penale”, Berisha kërkoi një përballje të drejtpërdrejtë në gjykatë me kryeministrin, duke theksuar se qytetarët duhet të shohin, sipas tij, të vërtetën mbi këtë çështje.

“Çdo gjykatës serioz vendos marrjen në ndjekje penale të Ramës, por edhe thirrja, do të jemi ballë për ballë, të behet burrë dhe shqiptarët të shohin kush është Rama në atë aferë, çfarë korrupsioni, çfarë aktesh korruptive të mëdha ka kryer ai duke ndërruar destinacion pa asnjë kërkesë nga pronarët. Shqiptaret presin një konfrontimin në gjykatë mes meje dhe kryehajdutit. Unë përballjen e kam kërkuar dhe e kërkoj me Edi Ramën, ai është njeriu që ka një aferë korruptive, që ka ndryshuar destinacionin pa asnjë kërkesë të pronarëve”,tha Berisha. Panorama

“Një drejtor policie paguhej 5 mijë euro!”- Denoncimi i një nga të punësuarve në Call Center: Ne mbroheshim nga policia! Kemi arritur 520 mijë euro me një telefonatë

Një rrëfim i fortë është publikuar këtë të mërkurë në emisionin “Oponencë”, ku një ish-punonjës i një call center-i të dyshuar për mashtrime me investime online ka zbuluar detaje mbi mënyrën e funksionimit të këtyre skemave dhe lidhjet me struktura shtetërore.

 

I riu deklaroi se aktiviteti në të cilin ishte angazhuar, sipas tij, mbrohej dhe nuk prekej nga policia, madje mbroheshin prej tyre.

Po ashtu, ai ish-punonjësi ngriti edhe akuza të rënda mbi korrupsion brenda radhëve të policisë, duke pretenduar se përflitej se pagesa mujore ndaj një drejtori policie arrinte në vlerën e 5 mijë eurove.

“Nuk kishim frikë nga policia se kishim mbrojtje. Ne kemi bërë trajnime në fillim, si do të kapnim “peshqit”.

Shuma më e madhe që kemi kapur, ka qenë 520 mijë euro, me një telefonatë. Përflitej që një drejtor policie paguhej 5 mijë euro në muaj.

Një ndër trajnuesit kishte një shprehje të tij që kishte një listë me klientët potencialë dhe i drejtohej monitorit e thonte: Ja ku janë paratë, merrini, kush është i aftë t’i marrë”, tha ai.

Shqipëria dhe Kroacia pajtohen për forcimin e mëtejshëm të mbrojtjes, i mohojnë përsëri pretendimet e Serbisë

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi (majtas), takohet me homologun e vet kroat, Ivan Anushiq, në Zagreb, 15 prill 2026.

 

Radio Evropa e Lirë

Shqipëria dhe Kroacia janë pajtuar për tha thelluar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, përfshirë në kuadër të një deklarate trepalëshe mes tyre dhe Kosovës, në një kohë kur Serbia po i akuzon ato se gjoja po zhvillojnë aleancë të përbashkët ushtarake kundër saj.

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, e zhvilloi një takim me homologun e vet kroat, Ivan Anushiq, të mërkurën në Zagreb, gjatë të cilit ata konfirmuan gatishmërinë e shteteve të tyre për zhvillimin e përbashkët të kapaciteteve dhe të industrisë ushtarake, njoftoi Ministria shqiptare.

Takimi i tyre vjen në të njëjtën ditë kur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, paralajmëroi se Beogradi do të blejë armatim të ri pasi gjoja po përballet me trysni nga shtetet fqinje.

“Gjendja e sigurisë është disi më ndërlikuar sesa në janar, kur e trajtuam atë, kryesisht për shkak të veprimeve dhe aktiviteteve të mëtejshme të aleancës ushtarake të Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit”, tha Vuçiq të mërkurën herët.

Kjo nuk është hera e parë që Vuçiq e ka bërë këtë pretendim, por ai asnjëherë nuk ka dhënë dëshmi për ta mbështetur atë.

Vitin e kaluar, Kosova dhe Shqipëria e Kroacia – dy shtete të rajonit të Ballkanit Perëndimor që janë pjesë e NATO-s – nënshkruan marrëveshje për thellim të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë përmes një deklarate të përbashkët.

Që të tri vendet kanë thënë vazhdimisht se deklarata trepalëshe mes tyre nuk është e drejtuar kundër askujt.

Pretendimet e liderit serb u hodhën poshtë përsëri të mërkurën nga të dy ministrat, Nufi dhe Anushiq, të cilët e ritheksuan se synimi i vetëm i deklaratës trepalëshe është forcimi i stabilitetit në Evropën Juglindore dhe thellimi i marrëdhënieve miqësore mes tri vendeve.

Nufi tha pas takimit në kryeqytetin kroat se deklarata trepalëshe ka si qëllim nxitjen e bashkëpunimit ekonomik dhe zhvillimin e industrisë së mbrojtjes.

“Në këtë frymë, paqja mbetet themeli i çdo angazhimi tonë”, shkroi Nufi në Facebook.

Anushiq, në anën tjetër, shkroi në Facebook se Kroacia dhe Shqipëria “ndajnë interes të përbashkët” për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Evropën Juglindore.

“Diskutuam gjithashtu për bashkëpunimin në kuadër të deklaratës trepalëshe për mbrojtje dhe siguri, e cila nuk përfaqëson ndonjë aleancë ushtarake, por synon forcimin e stabilitetit në Evropën Juglindore dhe thellimin e marrëdhënieve tona miqësore”, shkroi ai.

Duke iu referuar drejtpërdrejt pretendimeve të Vuçiqit, Anushiq theksoi se ai e ka përgjigjen e “njëjtë gjithmonë” kur pyetet për reagimet nga Serbia: “Ka kaluar kamotshëm koha kur dikush i tregonte Kroacisë, tashmë shtet sovran dhe anëtar i NATO-s dhe BE-së, çfarë të bëjë dhe si ta drejtojë politikën e vet”.

“Ajo kohë nuk do të kthehet më kurrë!” shtoi ai.

Ndërkohë, eksperti i menaxhimit të konflikteve, Edward P. Joseph, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 14 prill se “alarmet e vazhdueshme dhe të ekzagjeruara” në Beograd për deklaratën e përbashkët mes Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës, janë shqetësuese.

Sipas tij, Beogradi duket se po e përdor këtë si “pretekst për t’u armatosur dhe për të krijuar artificialisht një ndjenjë rreziku brenda vendit”.

“Rritja e vazhdueshme e armatimit në Serbi – përfshirë blerjen e raketave supersonike kineze – është një shqetësim serioz. Çfarë kërcënimi synojnë të luftojnë këto raketa?”, tha Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në SHBA.

Sipas tij, Vuçiq është në një pozicion gjithnjë e më të dobësuar, për shkak të protestave antiqeveritare, humbjes së aleatit të tij hungarez, Viktor Orban, në zgjedhje dhe kritikave të Bashkimit Evropian për minim të sundimit të ligjit.

Bashkimi Evropian, ku Serbia mëton të anëtarësohet, i ka bërë vazhdimisht thirrje asaj që ta harmonizojë politikën e jashtme me atë të bllokut.

Dështimi për të vepruar ka bërë që Serbia të mos hapë asnjë kapitull negociatash që nga viti 2021.

“Goditja e korrupsionit të qeverisë Rama nga Porti i Durrësit” Aulon Kalaja: Deputetë të PS-së i kanë dërguar Gjermanisë dosjen Balluku

Gazetari Aulon Kalaja deklaroi në “News24” foli për zhvillimet politike, korrupsionin në  vend si edhe drejtësinë.

I ndalur te skandali i korrupsionit të Belinda Ballukut, ai tha se kanë qenë deputetë të PS që i kanë dërguar Gjermanisë dosjen Balluku.

“Shoh një përafrim të shtetit gjerman me SPAK sa i përket çështjes Balluku. Gjermanët janë furnizuar me çështjen Balluku nga vetë PS. Pra kanë qenë deputetë të PS i kanë çuar gjermanë çështjen e Ballukut. Unë mendoj që përafrimi i gjermanëve dhe goditja e korrupsionit të qeverisë Rama ka qenë pikërisht për Portin e Durrësit. Pra gjërat kanë shkuar zinxhir, fakti që porti i Durrësit ka dalë nga duart e BE dhe ka dalë jashtë kontrollit, gjermanët po bëjnë një politikë proaktive dhe se janë në vijë të parë”, tha mes të tjerash ai.

Si u “varrosën” akuzat për plagjiaturë në nivelet e larta të qeverisë së PS deri tek Monika Kryemadhi! Nga Vincent Yūsui van Gerven Oei

Skandali i diplomave të dyshimta: Si u “varrosën” akuzat për plagjiaturë në nivelet e larta*

Në tetor 2018, Taulant Muka, një epidemiolog i ri i arsimuar në Holandë, u vu në qendër të vëmendjes publike pasi denoncoi disa anëtarë të lartë të qeverisë së Partisë Socialiste (PS) për plagjiaturë. Mes tyre ishin ish-zëvendësministri i Arsimit Ervin Demo, deputetja e PS Blerina Gjylameti, ish-ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu (e përfolur përkohësisht si kandidate për kryetare të Bashkisë së Tiranës), ish-ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, deputeti dhe figura e rëndësishme e PS Taulant Balla, si dhe ish-drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) Miranda Karçanaj (e arrestuar për korrupsion), si edhe ish-kryetarja e LSI Monika Kryemadhi (e akuzuar për korrupsion).

Në të gjitha rastet, Muka paraqiti prova konkrete të plagjiaturës, përfshirë krahasime të drejtpërdrejta mes punimeve dhe tezave të doktoraturës së zyrtarëve dhe materialeve të kopjuara. Për shembull, Balla kishte marrë doktoraturën në vitin 2015 me vlerësimin maksimal “summa cum laude” në Universitetin e Iașit në Rumani, pasi kishte kopjuar pjesë të gjera nga studimi “Policy-Making in the EU: Achievements, Challenges, and Proposals for Reform” i Andrea Renda-s për Qendrën për Studime të Politikave Europiane në Bruksel, në tezën e tij “The Reform of Decision-Making System in the European Union”.

Rasti u hetua nga universiteti dhe iu përcoll Ministrisë së Arsimit, por më pas “u zhduk”. Nga gjithë këto raste, vetëm Demo – sot Ministër Shteti për Pushtetin Vendor – përfundoi duke u larguar nga posti, duke u transferuar si kryetar bashkie në Berat.

Në përgjigje, kryeministri Edi Rama i ofroi Mukës postin e zëvendësministrit të Arsimit, duke zëvendësuar Demon. Emërimi i tij u pa si një taktikë e zakonshme, ende e përdorur, për të përfshirë kritikët e qeverisë në poste formale për t’i qetësuar dhe për të zbutur kritikën. Por vetëm dy javë më vonë, Muka dha dorëheqjen, duke përmendur “arsye etike, morale dhe profesionale, si dhe papajtueshmëri me modelin e punës në Ministrinë e Arsimit”.

Pavarësisht karrierës së tij të suksesshme, që e ka çuar nga Erasmus Medical Center në Roterdam te gjiganti farmaceutik Novo Nordisk, Instituti i Mjekësisë Parandaluese në Bernë dhe Qendra për Kërkime Parandaluese në Stanford, Muka vazhdon të jetë kritik i rëndësishëm i sistemit arsimor shqiptar dhe standardeve akademike. Ai pranoi të fliste për angazhimin e tij me Shqipërinë dhe për mënyrën se si e sheh të ardhmen e shkencës dhe akademisë.

Si nisi shqetësimi për cilësinë e arsimit dhe më pas për kredencialet akademike të politikanëve?

Unë kam qenë student mjekësie në Shqipëri dhe që atëherë kam protestuar për cilësinë e arsimit. Në atë kohë nuk kisha përvojë jashtë vendit dhe interneti nuk ishte si sot. Kur shkova në Holandë për master, doktoraturë dhe postdoktoraturë, kuptova gjithnjë e më shumë problemin. Atje kuptova se për t’u bërë profesor duhen publikime, kërkim shkencor, grante dhe inovacion. Këto gjëra mungonin dhe ende mungojnë në Shqipëri.

Gjithçka filloi nga një emision televiziv ku shpjegova se si bëhesh profesor. Në shaka thashë: “Po sikur ta bëj gjyshen time profesore?” Dhe testova disa revista ku edhe një person pa arsim të lartë mund të publikonte artikuj. Disa prej tyre pranuan.

Kjo tregoi se edhe persona pa arsim bazë mund të plotësonin “kritere” për profesor në Shqipëri. Më pas fillova të hetoj rastet e zyrtarëve dhe gjeta plagjiatura të shumta. Kjo tregoi se problemi ishte shumë më i madh.

Muka shpjegon se u ftua në qeveri si zëvendësministër për të “ndalur kritikën nga jashtë”, por pas dy javësh u largua, pasi nuk pa asnjë strukturë funksionale dhe asnjë vullnet për reforma reale. Ai përshkruan një administratë ku mungonin procedurat, transparenca dhe ku fokusi ishte te rrjetet sociale dhe imazhi publik, jo te reformat.

Ai kritikon gjithashtu sistemin akademik, ndërhyrjet politike në universitete, korrupsionin në arsimin e lartë dhe mungesën e meritokracisë. Sipas tij, Shqipëria ka një sistem që prodhon diploma pa cilësi reale dhe nxit largimin e të rinjve nga vendi.

Muka paralajmëron se inteligjenca artificiale do ta përkeqësojë situatën, pasi do të rrisë numrin e diplomave, por jo cilësinë e kërkimit shkencor.

Ai thotë se sistemi aktual është i orientuar më shumë për punësim politik sesa për zhvillim shkencor, dhe se fondet kërkimore shpesh administrohen nga persona pa kualifikime shkencore.

Sipas tij, emigrimi masiv, mungesa e standardeve dhe propaganda politike po e dëmtojnë rëndë sistemin arsimor dhe zhvillimin e vendit./ The Albanian Mechanism

* Titulli origjinal

Kokainë nga Amerika Latine në Europë, paratë pastroheshin në ndërtim e troje në Shqipëri, sekuestrohet pasuri 12 mln euro

SPAK ka dhënë detaje lidhur me operacionin antidrogë të shtrirë në Tiranë dhe në disa qytete të vendit që u ndërmor gjatë ditës së sotme, 15 prill 2026.

Mësohet se me vendim të GJKKO-së, janë lëshuar 11 masa sigurie, mes tyre edhe për një emër të njohur si Jetmir Pepa allias Marashi, i cili është pronar i kompanisë Pepa Group ndërsa janë ekzekutuar vetëm 3 masa sigurie.

Sot hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit kanë bërë të mundur zbatimin e masave të sigurisë ndaj shtetasve:

Lulzim Pepaj

Florian Marku

Anton Kola

Gjatë viteve 2019-2021, ky grup ka operuar në Amerikën Latine në Belgjikë dhe Holandë, ku janë dokumentuar 8 episode të trafikimit të kokainës në sasi të mëdha.

SPAK ka provuar 8 episode të trafikut të drogës. Gjithashtu janë sekuestruar pasuri me vlerë 12 mln euro, mes tyre janë pasuritë e Shoqërisë “Pepa GROUP”, sh.p.k, me seli në Tiranë.

Njoftimi i SPAK

SPAK godet një grup të strukturuar kriminal ndërkombëtar; ekzekutohen masat e sigurimit dhe sekuestrohen pasuri me vlerë 12 milionë euro

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në kuadër të procedimit penal nr. 153 të vitit 2023, ka finalizuar një operacion kompleks kundër një grupi të strukturuar kriminal të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pastrimin e produkteve të veprës penale. Gjatë viteve 2019-2021, ky grup ka operuar në Amerikën Latine në Belgjikë dhe Holandë, ku janë dokumentuar 8 episode të trafikimit të kokainës në sasi të mëdha.

Në bashkëpunim të ngushtë me Eurojust, Europol dhe agjencitë ligjzbatuese në Francë, Holandë dhe Mbretërinë e Bashkuar, hetuesit e BKH-së kanë vijuar hetimet intensive në drejtimin e prokurorëve të posaçëm.

Pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme me vendimin nr.20, datë 14.4.2026, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka caktuar masën e e sigurimit “arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Proçedurës Penale ndaj 11 shtetasve shqiptarë.

Sot, më 15.4.2026, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit kanë bërë të mundur zbatimin e masave të sigurisë ndaj shtetasve:

F.M, i datëlindjes 20.2.1992;
L.P, i datëlindjes 06.7.1974.
A.K, i datëlindjes 19.6.1993.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në Bashkëpunim me hetuesit e BKH vazhdojnë me veprimet proceduriale dhe operative për lokalizimin e shtetasve të tjerë, ndaj të cilëve është caktuar masa e sigurisë personale “arrest në burg”. Disa prej këtyre personave nuk ndodhen në territorin e Republikës së Shqipërisë.

8 EPISODET E TRAFIKUT TË LËNDËS NARKOTIKE

Episodi 1 – Janar- Mars 2020 – Trafikimi i një sasie të konsiderueshme lënde narkotike kokainë gjatë periudhës Janar-mars 2020. Nga kjo sasi, më 21.03.2020 u sekuestrua një sasi prej 8.5 kg në qytetin e Amsterdamit të Mbretërisë së Holandës.

Episodi 2 –   7-8 Prill 2020 –  Trafikimi i një sasie prej 1,018 kg lëndë narkotike të llojit kokainë, nga Peruja drejt Portit të Roterdamit të Hollandës. Ngarkesa kishte mbërritur në portin e Roterdamit me një anije kolumbiane ndërsa lënda narkotike ishte fshehur në një enë frigoriferike që përmbante lëng frutash të ngrira. Vlera e shitjes ishte mbi 1.3 milionë euro.

Episodi 3 – 6 Qershor 2020 – Trafikimi i një sasie prej 2020 kg lëndë narkotike të llojit kokainë, nga Ekuadori drejt Portit të Roterdamit të Hollandës. Kjo ngarkesë kishte mbërritur në portin e Roterdamit me një anije detare nga Porti i Guayaquil, Ekuador dhe ishte e destinuar për një kompani në Hungari. Një pjesë e kësaj ngarkese i përkiste këtij grupi kriminal.

Episodi 4 – 26 Qershor 2020 –  Tentativa e trafikimit të një sasie prej 516 kg lënde narkotike kokainë, e sekuestruar në Terminalin Portual Muelle Sur, DP World Callao, Peru, si dhe e destinuar për në Mbretërinë e Hollandës.

Episodi 5  – 30 Qershor 2020 –  Trafikimi i një sasie prej 500 kg lënde narkotike kokainë më, e sekuestruar në Portin e Roterdamit, që kishte ardhur në një kontejner nga Kolumbia që përmbante konserva me peshk ton dhe ishte i destinuar për një kompani në Gjermani.

Episodi 6  –  7 Gusht 2020 – Trafikimi i një sasie të konsiderueshme lënde narkotike e llojit kokainë, e llogaritur në rreth 1600 kg, prej së cilës është sekuestruar një sasi prej 104 kg po në të njëjtën datë në autostradën nr A2 pranë qytetit Abcoude të Mbretërisë së Holandës.

Episodi 7 –  16 Gusht 2020 –  Trafikimi i një sasie rreth 1100 pako me peshë bruto 1238,39 kg lënde narkotike kokainë, e cila ishte ishte fshehur në një ngarkesë me banane në një kontenier që vinte nga Ekuadori drejt Portit të Roterdamit në Hollandë dhe kishte mbërritur në portin e Roterdamit me një anije detare e ardhur nga Porti i Antwerp, e destinuar për një kompani në Hagë.

Episodi 8 – 1 –  2 Tetor 2020 –  Trafikimi i një sasie prej  531 kg lënde narkotike kokainë në Portin e Roterdamit, Hollandë, sasi e cila është kapur nga autoritetet holandeze, e fshehur në një kontenier të ngarkuar me rrush të thatë, i destinuar për në Suedi.

Me vendimin nr.273, datë 14.4.2026, bazuar në nenin 274 të Kodit të Proçedurës Penale GjKKO ka vendosur caktimin e masës së sekuestros preventive në lidhje me 232 pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme në pronësi të drejtëpërdrejtë, apo të tërthortë të personave nën hetim, konkretisht ndaj pasurive:

SEKUESTRIMET (në vlerën 12 milionë euro)

Pasuritë e Shoqërisë “P… GROUP”, sh.p.k, me seli në Tiranë, duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete, të drejta ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë.

Kuotat e Shoqërisë “HEC A…I”, sh.p.k, me seli qendrore në Fierzë, Bashkia Fushë Arrëz në masën 33.30 % , të cilat i përkasin ortakut “P… GROUP” sh.p.k.

Kuotat e Shoqërisë “B….V”, sh.p.k, me seli qendrore në Lezhë, fshati Fang, Rubik, në masën 50.00 %, të cilat i përkasin ortakut “P… GROUP” sh.p.k.

Kuotat e Shoqërisë “Sh……i 2013”, sh.p.k, me seli qendrore në Shëngjin, Lezhë, në masën 50.00 %, të cilat i përkasin ortakut L.P.

Pasuritë e Shoqërisë “O….. Hotel”, sh.p.k, me seli në Tiranë, duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete, të drejta ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë.

Pasuritë e Shoqërisë “M….. N… A………”, sh.p.k, me seli në Tiranë, duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete, të drejta ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë.

Pasuritë e Shoqërisë “E…… AL”, sh.p.k, me seli qendrore në Ishull-Shëngjin Lezhë, duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete, të drejta ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë.

60 pasuri të paluajtshme të llojeve tokë arë, tokë truall, hotel, poste parkimi dhe apartamente, me vendndodhje në Tiranë, Kamëz, Lezhë, Shëngjin, Sarandë dhe Himarë.

89 automjete të markave dhe llojeve të ndryshme (automjete teknologjike për ndërtim, transport mallrash apo autovetura).

72 llogari bankare që u përkasin personave të ndryshëm juridikë apo fizikë, si dhe shtetasve nën hetim, apo personave të lidhur me ta.

Më 15 prill 2026, Policia e Shtetit dhe Agjencia e Administrimit të Pasurive kanë nisur procedurat për bllokimin e këtyre aseteve në zyrat e regjistrimit dhe në bankat e nivelit të dytë.

SPAK falenderon Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit si dhe Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara për bashkëpunimin e ngushtë në ekzekutimin e masave të sigurisë.

Falenderim të veçantë për Eurojust, Europol, autoritetet gjyqësore franceze, holandeze dhe britanike për bashkëpunimin intensiv dhe ndihmën në kuadër të hetimeve të këtij proçedimi penal.

Veprat penale:

“Trafikimit të lëndëve narkotikëve” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të struktura kriminal,

“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të struktuar kriminal,

“Grupi i strukturuar Kriminal”,

“Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal“të parashikuar nga nenet, 283/a e 28/4, 287 e 28/4, 333/a dhe 334,  të K.Penal.


Send this to a friend