Nje shenim imi me rastin e 20 Shkurtit. Ndoshta jam treguar pak nostalgjik.
Rrëzimi i bustit të diktatorit Enver Hoxha më 20 shkurt 1991 mendoj se përbën momentin kur ndryshimet demokratike në Shqipëri dhe pluralizmi politik u bënë të pakthyeshme. Nuk kishte kuptim as pluralizmi e as opozita madje duke mbajtur njëkohësisht kultin e diktatorit Hoxha.
Protestat e studentëve filluan që më 6 shkurt dhe zgjatën plot dy javë. Studentët bojkotuan mësimin dhe mblidheshin në tubime çdo ditë në Qytetin Studenti. Objektivi ishte i qartë, heqja e emrit Enver Hoxha Universitetit publik të Tiranës se universitet privat akoma nuk kishte. Përdoreshin forma të ndryshme nga organizatorët për të mbajtur gjallë interesin e studentëve që nga oratorët e ndryshëm që flisnin, tema të jetës studentore përzier nganjëherë edhe me humor, histori të improvizuara të Bllokut dhe bllokmenëve. Kjo grevë u përqafua nga të gjitha fakultetet e universitetit dhe dita e shkollës për studentët ato ditë fillonte e mbaronte në Qytetin Studenti. Megjithatë edhe pushteti komunist i asaj kohe rezistonte me demagogjinë e udhëheqësit komunist Ramiz Alia që në dhjetor 1990 kishte krijuar një opinion sikur ishte pro ndryshimeve por në thelb ishte vetëm per reformimin e sistemit komunist apo një pluralizëm fiktiv pa ndryshime esenciale.
Shkallëzimi i protestës së studentëve çoi në grevën e urisë së tre ditëve të fundit në mjediset e Pallatit të Kulturës së Qytetit Studenti ku hynë plot 723 studentë. Ajo ishte grevë urie e njëmendtë sepse kam parë që kur dolën me vështirësi po e përballonin pas 2 ditë e gjysëm ose 3 ditë jo të plota pa ushqim. Rrëzimi i bustit të diktatorit Hoxha dhe hedhja poshtë e kultit të tij ishte vepër e studentëve me mbështetjen e fuqishme të punëtorëve të Tiranës. Madje në tre ditët e fundit kishte një bashkërendim të studentëve me kolektivat apo sindikatat e punetorëve të çdo ndermarrje. Nuk ishin konsoliduar ende sindikatat në rang kombëtar që tani janë shkërmoqur nga korrupsioni. Mendoj se në atë kohë, punëtorët sidomos të Tiranës kishin arritur një shkallë ndërgjegjësimi që ndoshta ua forconte më shumë kolektivi i punës për shumë vite bashkë. Mes tyre, punëtorëve, po i quaj me të njëjtin term të gjithë megjithëse kjo shtresë ishte diverse, kishte në fakt nivele të ndryshme arsimore, si nga mekaniku psh deri te kryeinxhinieri dhe një pjesë mund të quheshin shtresë e mesme për atë kohë. Dihet se sipas piramidës Lederach të shpjegimit të konflikteve, duke qenë në mes, këta e kanë më të lehtë për të kuptuar si popullin apo shtresën e varfër ashtu edhe elitën dhe për t’i lidhur dhe përfaqësuar këto dy shtresa.
Qyteti Studenti u kthye ato ditë në Mekën e shqiptarëve ashtu siç ishte në ditët e protestave të dhjetorit 90. Pamja e lulishtes së qytetit Studentit para Pallatit të Kulturës ku mbahej greva e urisë e mbushur plot me studentë dhe qytetarë të Tiranës ishte mahnitëse. Vinin me radhë kolektiva të punëtorëve dhe solidarizoheshin me protestën me banderola të ndryshme. Thuhej që lideri i studentëve të dhjetorit Azem Hajdari mbante kontakte me studentët sidomos gjatë ditëve të grevës së urisë ndërsa nuk janë parë liderë të tjerë të politikës aty. Ndërkohë kanë dhënë kontribut edhe disa aktorë të njohur ku printe Rajmonda Bulku që iu dha zemër protestuesve tek Liceu Artistik të mos tërhiqeshin por të vazhdonin drejt qendrës së Tiranës ku ishin nisur. Rrëzimi i bustit solli një gëzim dhe entuziazëm të papërshkuar tek të gjithë njerëzit. Përdoret fjala “bust” dhe kështu është popullarizuar ndoshta edhe për ta minimizuar por në të vërtetë ishte një tip përmendore apo monumenti me figurë të plotë sipas konceptit realist. Antimitingjet e shoqatës apo shoqatave të Enverit nëpër rrethe treguan vetëm dobësinë e tyre sepse historia nuk mund të kthehet mbrapsht.
Komentet