Pavarësisht bllokimit të punës së Kuvendit gjatë seancave të fundit, ambasadorja gjermane thotë se kjo nuk i ngjan krizës institucionale, pasi që, sipas saj, partnerët e koalicionit kanë një shumicë stabile në Parlament.
“Unë nuk shoh një krizë, sepse ju keni një Qeveri të zgjedhur, të cilët kanë 82 ulëse në Parlament. Pra ata kanë një shumicë stabile e cila nuk mund të rrezikohet nga opozita, prandaj nuk ka krizë institucionale dhe ajo që ata po mundohen të bëjnë, është plotësisht e papranueshme”.
Gjatë kësaj interviste për gazetën “Zëri”, ambasadorja Viets ka folur për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe, korrupsionin, largimin e investitorëve, liberalizimin e vizave, emigrimin masiv të kosovarëve, bashkëngjitjen e luftëtarëve kosovarë në organizatat terroriste në Siri dhe Irak, etj…
Sa i përket liberalizimit të vizave, ambasadorja gjermane Viets, nuk ka pranuar të komentojë deklaratat e ministrit të Integrimeve Bekim Çollaku, i cili ka thënë se vizat do të liberalizohen vitin tjetër. “Unë sinqerisht nuk dua të komentoj deklaratat e ministrit, për arsye të thjeshta, jo pse nuk dua t’ju tregoj, por atmosfera politike në Evropë është vërtet shpërthyese sepse momentalisht po përballemi me miliona refugjatë, siç keni parë në TV se strehimoret janë të stërmbushura, dimri po vjen dhe situata në shumë komunitete është mjaft dëshpëruese”.
“Kjo gjendje nuk është shumë e dobishme për debatin që ka të bëjë me liberalizimin e vizave. Por, në anën tjetër, mendoj se ka mirëkuptim politik se në shumë mënyra do të dëshironim të forcojmë Kosovën dhe t’u japim njerëzve shenja pozitive, por është mjaft e vështirë të përcaktohen afatet kohore se kur do të ndodh liberalizimi, pasi procedura definitive është se ndoshta Kosova deri në fund të vitit do të përmbushë këto 8 kushte teknike për liberalizim të vizave, pastaj kjo kalon te komisioni dhe pastaj ata japin rekomandimin. Nuk kemi njohuri se si do të jetë rekomandimi, pastaj pas rekomandimit, shtetet anëtare do të vendosin për zbatimin e rekomandimit”, ka thënë ndër të tjera ambasadorja gjermane në Kosovë. /Zëri
Komentet