VOAL

VOAL

SHBA – PUBLIKOHEN DOKUMENTET E GJETURA NË AKSIONIN KUNDËR BIN LADENIT

May 20, 2015

Komentet

“Ulëritëse se si zyrtarë të lartë bashkëpunojnë me krimin”, Dumani: Drejtues komisariatesh e shefa policie të lidhur me bandat

Kreu i SPAK-së, Altin Dumani ka reaguar në lidhje me deklaratën e tij që bëri pak kohë më parë në KLP sa i takon bashkëpunimit me Policinë e Shtetit.

Ai tha se fenomeni i bashkëpunimit të policisë me krimin është real, ndërsa e cilësoi ulëritëse faktin që drejtues të kësaj strukture kanë rezultuar se ishin pjesë e këtyre krimeve.

“Do të doja të kishim 200 prokurorë, e them nga ngarkesa e madhe që kemi. Po punojmë bashkërisht që të arsyetojmë kërkesat tona për rritjen e numrit të hetuesve. Lidhur me bashkëpunimin me policinë e shtetit, shqetësimi që kam adresuar sa i takon kësaj strukture, duhet ta them që në krye të herës. Është e rëndësishme që të bëjmë dallimin mes shumicës absolute mes punonjësve të policisë që janë të angazhuar me mish e shpirt me luftën kundër krimit. Dua të distancoj këtë pjesë, nga një pakicë e inkriminuar. Sicc është paraqitur në raport, bashkëpunime me policinë është në parametra pozitiv. Ky numër u rrit në 63% në 2023. Në shumë nga hetimet tona janë evidentuar lidhje të krimit me funksionarë të policisë. Fenomeni në radhët e agjencive ligjzbatuese është real. Kam pasur në konsideratë në atë deklaratë para KLP, rezultatet nga 2020 deri në 2023 lidhur me subjekte, punonjës të proceduar penalisht. Më rezulton se janë proceduar rreth 70 punonjës nga ne. Na ka rezultuar se drejtues të lartë të policisë së shtetit, të lidhur me krimin e organizuar. Është ulëritëse kur bëhen pjesë dhe bashkëpunojnë në krime që krimi i organizuar kryen. Shembujt janë publik. Ish-drejtori i Operacionales. Disa drejtor komisariatesh apo shefa krimesh.”, tha Dumani.

(BalkanWeb)

Dumani: Bankat përdoren për pastrim parash nga mafia ndërkombëtare. Me pasuritë e krimit blihen apartamente dhe biznese në Tiranë e bregdet

Kreu i SPAK Altin Dumani, në fjalën e tij në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dha një pasqyrë të punës së Strukturës së Posaçme gjatë 2023.

Dumani theksoi se bankat dyshohet se janë të përfshira në skemën e pastrimit të parave, përmes bashkëpunimeve të bizneseve me mafian ndërkombëtare.

“Shpresojmë të gjejmë mbështetje nga Kuvendi për shtim të prokurorëve. Nuk dimë çfarë ndodh me ne, s’kemi status pas përfundimit të mandatit. Grupet kriminale janë përfshirë në trafikim të drogave të forta. Grupet kanë aktivitete poli-kriminal, duke përfshirë dhunën për shkak të kontrollit të territorit, komunikimi i koduar, konvertimi i parave në kriptovaluta. Ka shumë grupe kriminale që operojnë përmes call center. Dëmi ndaj viktimave është në mijëra euro. Qytetet më problematike janë Tirana, Elbasani, Durrës, Vlorë, Kurbin, Shkodër, Laç, Fushë Krujë. Në Fushë Krujë ka veprimtari kriminale si vrasja dhe shpërthimet. Ka prani të pastrimit të parave, që bëhet edhe me ndërtimet. Edhe terrorizmi është ndër aktivitetet kriminale më të rralla. Sa i takon korrupsionit, përdoret procedura që përfitojnë nga fondet publike, që përdorin llogari offshore. Gjithashtu dyshohet se shuma të konsiderueshme parash depozitohen në llogaritë bankare, në emra shoqërish tregtare, ose të të afërmeve të të dyshuarve. Një nga skemat komplekse të pastrimit të parave në Shqipëri, përfshin përdorimin e bankave në Shqipëri nga bizneset shqiptare si ndërmjetës për organizatat kriminale ndërkombëtare, si mafia italiane. Në një rast, një biznes shqiptar bashkëpunoi për t’i dhënë akses mafies ndërkombëtare të integronte të ardhurat në sektorin bankat, për shtresëzimin e transfertave që do të transferoheshin përmes këtij biznesi.”, deklaroi Dumani.bw

“Serbia po vepron si një “Rusi e vogël” në rajon”, Kurti për The Times: Kremlini po përdor Beogradin për të nxitur tensione në Ballkan

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar për rolin e rrezikshëm të Serbisë në rajon, duke vepruar si një “Rusi e vogël” në Ballkan.

Në një intervistë për “The Times”, Kurti ka theksuar se ka një valë “të paprecedentë” dezinformimi që po del nga Serbia.

“Rusia po bashkëpunon ngushtë me Serbinë në fushata të dezinformimit dhe në sulme kibernetike kundër atyre vendeve të Ballkanit që po mbështesin Ukrainën,” ka deklaruar Kurti.

Ai gjithashtu ka deklaruar se Kremlini po përdor lidhjet e veta me Beogradin, një aleat i ngushtë, për të nxitur tensionet në Ballkanin Perëndimor.

“Në Ballkan, Serbia po vepron si një ‘Rusi e vogël.’ Mënyra se si mediat serbe kanë pasqyruar konfliktin në Ukrainë, duke pretenduar menjëherë pas pushtimit rus se Ukraina ka sulmuar Rusinë, tregon mbështetjen e tyre për Rusinë.”

Ai shtoi se dezinformimi po vepron si një front i dytë i luftës, me mediat serbe që paraqesin ngjarjet në veri si të provokuara nga Qeveria e Kosovës. Kurti u shpreh se qëllimi i këtyre operacioneve është të provokojnë përplasje të mëtejshme dhe të shpërndajnë lajme të rreme.bw

SPAK nis procedimin penal dhe hetimin për pasurinë e Erion Veliajt dhe familjarëve të tij

SYRI ka siguruar në mënyrë ekskluzive kërkesën që prokurori i SPAK, Ols Dado i ka drejtuar të gjitha bankave të nivelit të dytë në Shqipëri, që të japin informacion për pasurinë e Erion Veliajt, bashkeshortes se tij, Ajola Xoxa, vellait, Arbër Veliajt dhe nenes se tij, Shqiponjë Veliaj.

Në kërkesën e SPAK për bankat, kërkohet që të vendoset në dispozicion çdo informacion që lidhet me veprimet bankare dhe transaksionet financiare të kryera brenda dhe jashtë vendit për personat e cituar më lart.

Gjithashtu SPAK ka kërkuar informacion edhe nëse këta persona kanë marrë kredi.

ImageImage

Anketa e IDM: 80 % e shqiptarëve mendojnë se korrupsioni është i përhapur, besojnë më tepër institucionet ndërkombëtare

 

VOA

Anketa vjetore e opinionit publik “Besimi në Qeverisje 2023”, zhvilluar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim në të 61 bashkitë e Shqipërisë, zbuloi se shumica e pjesëmarrësve (81.5%) e vlerësojnë korrupsionin e madh si “të përhapur” ose “shumë të përhapur”, duke shënuar një rritje me 4.8 pikë në krahasim me vitin 2022. Vetëm 15.6% e qytetarëve e shohin atë “jo të përhapur” ose “aspak të përhapur”. Rritje ka shënuar edhe mosbesimi ndaj prokurorisë. Një pjesë e madhe e të anketuarve (62.8%) nuk besojnë tek aftësia e prokurorisë për të trajtuar rastet e korrupsionit të madh, ose shprehin 5.9 për qind më shumë mosbesim nga një vit më parë, kur ky tregues ishte 56.9%.

Një shumicë po aq e madhe (81.3%) e tyre vlerësojnë korrupsionin e vogël si “të përhapur” ose “shumë të përhapur”. Vetëm 16.2% që e konsiderojnë atë “jo të përhapur” ose “aspak të përhapur”. Ndërsa 56.8% e tyre shprehën mungesë besimi tek prokuroria, se ajo mund të ndjekë në mënyrë të efektshme rastet e korrupsionit të vogël. Gjithsesi besimi është rritur me 9 % nga viti 2022, kur mosbesimi ishte 65.8%.

Nga bashkimi i të dhënave doli që tetë në dhjetë shqiptarë besojnë se korrupsioni i vogël dhe i madh është i përhapur dhe shumë i përhapur në vend. Sipas tyre, institucionet më të korruptuara në vitin 2023 janë drejtësia (17.5%), shëndetësia (14.8%) dhe policia (7.2%). “Edhe në këtë anketim vijon tendenca e gjithë këtyre viteve të fundit me përqindje shumë të larta të perceptimit, që ka publiku shqiptar në lidhje me përhapjen e korrupsionit të nivelit të lartë dhe atij të ulët. Mesatarja ndër vite është mbi 77 për qind e të anketuarve. Për të kuptuar shkaqet thelbësore të këtij perceptimi tepër të lartë mbi korrupsionin, duhen studiuar shumë zhvillime sociale e politike në vend”, thotë për Zërin e Amerikës, Besjana Kuçi një nga autoret e këtij studimi.

Megjithë këtë perceptim të lartë mbi përhapjen e korrupsionit, vetëm 14.7% e anketuarve pohuan se ishin dëshmitarë në rastet e korrupsionit të qeverisjes qendrore dhe 21.6% e tyre thonë se ishin dëshmitarë në korrupsion të qeverisjes vendore.

Gjatë kësaj ankete pohuan se kanë dhënë ryshfet për të marrë shërbime një e treta e qytetarëve (29.8%) tek zyrtarët e qeverisjes qendrore dhe po aq qytetarë për zyrtarë të qeverisjes vendore. Ndër arsyet për dhënien e ryshfetit më shumë se gjysma e qytetarëve (57.8%) pohuan se ryshfeti u ishte kërkuar, pjesa tjetër (21.7%) thanë se paguan për të marrë shërbime më të mira herën tjetër, ndërsa të tjerë (14.8%) se paguan si mirënjohje për shërbimet e marra. Vetëm një pakicë (10.9%) e atyre që paguan ryshfete, e raportuan atë tek autoritetet. Një pjesë e madhe (39%) e atyre që nuk e raportuan, thanë se e shohin ryshfetin si praktikë të zakonshme, të tjerët (32.2%) e mendonin denoncimin si të padobishëm dhe më pak (8.3%) thanë se kishin frikë nga hakmarrja.

Institucionet më pak të besuara në Shqipëri gjatë vitit 2023 janë partitë politike (25.5%), parlamenti (29.1%), gjykatat (33.4%), madje me një rënie nga 3-5 pikë krahasuar me një vit më parë. Po ashtu, besimi i publikut te presidenti ka rënë me 6 pikë përqindjeje krahasuar me një vit më parë.

Organet e drejtësisë shfaqen në këtë anketë me pamje të kundërta; gjykatat (33.4%) dhe prokuroria (33.7%) renditen si institucionet më pak të besuara për qytetarët. Por nga ana tjetër, Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit – SPAK (60.3%) renditet ndër institucionet më shumë të besuara, madje shënoi një rritje të konsiderueshme prej 10 pikë përqindjeje krahasuar me një vit më parë. Më shumë se gjysma e të anketuarve (50.2%) pohojnë se sistemi i reformuar i drejtësisë po jep ndihmesë pozitive në zhvillimin e vendit, ndërsa në krahun tjetër, një pjesë e konsiderueshme (44.9%) e qytetarëve nuk janë dakord me këtë pohim.

Të anketuarit renditin si institucionet më shumë të besuara organizatat ndërkombëtare si NATO (76.7%), OKB (74.3%) dhe BE (74.7%), dhe më pas vijnë institucionet fetare vendase (67%), si dhe organizatat e shoqërisë civile (55.7%).

Ashtu si renditën ndër organet më pak të besuara, të anketuarit cilësojnë gjykatat (35.5%) dhe prokurorinë (35.3%) si institucionet më të ndikuara politikisht nga gjithë të tjerët ndonëse me një përmirësim në krahasim me vitin 2022 (përkatësisht 41.8% dhe 38.6% e të anketuarve). Perceptimi sa i takon ndikimit prej politikës është përmirësuar gjatë 2023 karahasuar me një vit më parë në të gjitha institucionet, por ndryshimet më të mëdha u shënuan tek mediat (-9 pikë), SPAK-u (-8 pikë) dhe gjykatat (-7 pikë).

Afro 60 për qind e shqiptarëve të anketuar mendojnë se qeveria qendrore dhe ajo vendore kanë transparencë e llogaridhënie. Pjesa më e madhe tyre mendojnë se organizatat ndërkombëtare i kërkojnë llogari qeverisë më shumë se sa institucionet vendase. Kontrolli i Lartë i Shtetit (58.6%) dhe parlamenti (49.5%) cilësohen si institucionet vendase më të efektshme për llogaridhënien e qeverisë, ndonëse me një rënie të konsiderueshme një vit më parë (përkatësisht -5 dhe -9 pikë).

Pasiguria e qytetarëve në jetën e përditshme është rritur po ashtu. 67.6% e qytetarëve të anketuar thonë se nuk ndjehen të sigurtë në jetën e përditshme, me një rritje të ndjeshme prej 8 pikë përqindje nga niveli 59.3% në 2022. Të anketuarit pohuan se tre arsyet kryesore të pasigurisë janë kriminaliteti, shëndetësia pa cilësi e standarte, dhe pasiguria e vendit të punës. Pjesa tjetër, 32.4%, thanë se ndjeheshin të sigurt.

Në vitin 2023, 38.3% e të anketuarve pohuan se dëshirojnë të largohen nga vendi për të emigruar, afërsisht po aq sa edhe në vitin 2022. Shumica e tyre janë të rinj, 18-25 vjeçarë dhe studentë. Ndër arsyet kryesore të dëshirës për të shkuar në një shtet tjetër ata renditin punësimin, paga më të mira, mundësi më të mira arsimimi dhe mjekimi si dhe bashkimin me pjesëtarët e tjerë të familjes. Vetëm 5.5% e të anketuarve deklarojnë se duan të zhvendosen në zona të tjera brenda vendit. Pjesa tjetër (56.2%) e të anketuarve thanë se nuk po planifikojnë të largohen nga vendbanimi i tyre.

Pjesëmarrja e qytetarëve në konsultime dhe tubime ka mbetur e ulët apo ka rënë më tej. Të anketuarit theksuan se fushat më të rëndësishme që duhen trajtuar me përparësi nga qeveria ne 5 vitet e ardhshme janë kujdesi shëndetësor (54%) dhe arsimi (38%), pasuar nga turizmi, infrastruktura e transportit dhe bujqësia. Vetëm një pakicë e tyre (10.9%) pohuan se ishin ftuar në proceset e konsultimit të qeverisë qendrore, dhe vetëm një pakicë (18.5%) kishin marrë ftesa për konsultime në nivel vendor, ndërsa pjesëmarrja aktuale ka mbetur vazhdimisht e ulët gjatë viteve, nën 25% e qytetarëve. Pjesëmarrja e tyre në një demonstratë / tubim apo nënshkrim peticioni ra në 25.2% në 2023, kundrejt 32.2% një vit më parë.

Vetëm katër nga dhjetë qytetarë (39.3%) thanë se ishin të kënaqur ose shumë të kënaqur me ofrimin e shërbimeve publike bazë. Pakënaqësitë më të mëdha lidhen me shërbimet gjyqësore, me transportin publik dhe shërbimin policor, ndërsa vlerësime më të larta kanë marrë furnizimi me ujë (47.2%), shërbimi i pastrimit (47.3%), arsimi (46.2%) dhe shërbimet shëndetësore publike (44%). Shumica dërrmuese e të anketuarve (90.7%) mendojnë se mbrojtja e të dhënave personale është e rëndësishme ose shumë e rëndësishme, por vetëm një e treta e tyre (35%) besojnë në aftësinë e aktorëve publikë për të menaxhuar të dhënat personale elektronike dhe më akoma më pak prej tyre (30.8%) pohuan të njëjtën gjë për sektorin privat.

Anketa “Besimi në Qeverisje” vëren se opinioni publik po ndikohet nga përparimi në procesin integrues në BE, ndërsa autorët pohojnë se korrupsioni vazhdon të jetë një sfidë, dhe shumica e përgjigjeve nga qytetarët janë nxitur prej hapave të ndërmarra për ta luftuar atë, krahas hetimeve penale, ku janë përfshirë zyrtarë të të lartë si ish-ministra dhe deputetë.

Këlliçi: Vjedhja që kemi parë në këto 9 vite në Bashkinë e Tiranës, e paprecedentë dhe për vendet e Afrikës

Anëtari i Kryesisë së PD-së, Belind Këlliçi, pjesëmarrës në protestën e sotme u shpreh se vjedhja që është parë në këto 9 vite në Bashkinë e Tiranës është e paprecedentë dhe për vendet e Afrikës dhe për vendet e treta.

Erion Veliaj do mbahet mend si simbol i vjedhjes i hajdutërisë, jo vetëm të parave të qytetarëve të Tiranës, por edhe të votave të qytetarëve të Tiranës.

Para meje folën shumë  qytetarë, të cilët theksin e vunë te intelektualët, qytetarët e ndershëm të këtij vendi, të cilët po largohen masivisht për shkak të bëmave  të Edi Ramës dhe Erion Veliajt.

Unë në emrin tuaj, do doja të mbanim sot një minutë heshtje për një ikonë të këtij qyteti, nipi i Qazim Mulletit, të cilin diktatura e sulmoi aq fort, intelektual  anti-komunist i përndjekur politik, një njeri me vlera, i cili ka qenë dhe mbetet krenaria e këtij qyteti.

Janë këta qytetarë fisnikë, ikona të këtij qyteti, që pas viteve 90, punuan me mish e me shpirt, për një Tiranë, për një Shqipëri që do ishte si Europa dhe që do bënte të mundur ëndrrën që nisën studentët e dhjetorit… për ta çuar bashkë Shqipërinë në Europë, dhe që sot për fatin tonë të keq Erion Veliaj po na e çon më larg se Afrika.

Vjedhja që kemi parë në këto 9 vite në Bashkinë e Tiranës është e paprecedentë dhe për vendet e Afrikës dhe për vendet e treta. sn

Teliti: Protesta nuk do ndalojë! Ne do ia dalim me mjetet tona të mosbindjes

Kreu i këshilltarëve opozitarë, Dorjan Teliti, tha sot në protestën e radhës përpara Bashkisë së Tiranës, se protesta nuk do ndalet kurrë.

“Protesta nuk do të ndalojë kurrë.

Nuk ndalon protesta se ju hiqni dritat.

Nuk ndalon protesta se ju mundoheni të shtypni me këmbë të drejtat e protestuesve.

Nuk ndalon protesta se ju përfaqësoni sot diktaturën e vitit 2024.

Ne do protestojmë dhe do ia dalim me protestën tonë. Një ditë do ia dalim me mjetet demokratike të mosbindjes civile.

Të gjithë të qëndrojmë të fortë, të qëndrojmë të bashkuar. Forcën e protestës demokratike nuk ka as polici, as ushtri që ta ndalojë.

Përkundrazi do jetë policia dhe ushtria që do bëhet me protestuesit dhe qytetarët se ne jemi me të drejtën dhe të vërtetën,” tha Teliti.

Urbanisti: Rama e Veliaj shkatërruan qytetin duke pastruar paratë e krimit

Para Bashkisë së Tiranës është duke u zhvilluar protesta e tetë e thirrur nga Aleanca Kombëtare e Mbrotjes së Teatrit dhe Partia Demokratike, ku kërkohet dorëheqja e kryebashkiakut Erion Veliaj, pas publikimit të skandaleve financiare dhe korruptive me kompaninë 5D të drejtorëve të bashkisë dhe inceneratorit fantazëm.

Urbanisti Gent Kaprata ka akuzuar ish-kryetarin e Bashkisë Tiranë, Edi Ramën dhe kryebashkiakun aktual Erion Veliaj se në vite që kanë shkatërruar dimensionin urban të qytetit, duke ndërtuan një industri ndërtimi që ishte atëherë mbetet edhe sot vendi ku pastrohen paratë e krimit.

Kaprata: Profesioni im si urbanist më ka bërë mua që ta dinim shumë vite më parë që një ditë si kjo e sotmja do të vinte. Për një urbanist është shumë e thjeshtë për të kuptuar se çfarë profili politik do të ketë kryetari i radhës i bashkisë thjesht duke parë se si ai trajton qytetin dhe qytetarët.

Kjo është arsyeja pse e dija se sot do ishim në këtë situatë dhe në këtë gjendje.

Për mua dhe kolegët e mi nuk ishte e vështirë për të kuptuar produktin e mënyrës se si ish-kryetari i bashkisë, Edi Rama trajtoi Tiranën urbane, ishte shumë e thjeshtë pasi mbi 1 mijë lejet e ndërtimit jo vetëm shkatërruan dimensionin urban të qytetit, por ndërtuan një industri ndërtimi që ishte atëherë, mbetet edhe sot vendi ku pastrohen paratë e krimit.

Qeverisja lokale e zotit Veliaj, një shfaqje sa sureale aq edhe e paravendosur si një miksim i një fotografije e shoqërisë ouerlliane, një profeci vetëpërmbushëse.

Përballë kemi Policinë e Shtetit, me aq shumë armë saqë nuk dihet a është polici apo ushtri përballë popullit që duhet ta mbrojë.

‘Po vidhemi’/ Dogjani me tone të ashpra: O prindër, ku i keni fëmijët sot?

Opozita ka thirrur sërish një protestë gjatë ditës së sotme përpara Bashkisë së Tiranës, në vijim të thirrjeve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit për protesta.

Deputeti Asllan Dogjani ka mbajtur fjalën e tij në këtë reagim qytetar.

Asllan Dogjani: Dua t’ju falënderoj juve që dilni këtu për të protestuar. Dua të falënderoj edhe të gjithë ata qytetarë të Tiranës, që për shkak të frikës të kësaj diktature që po instalohet nuk kanë mundësi për të ardhur sepse kërcënohen nga shteti dhe pushteti.

Këta janë hajdutë që e shikoni që me hajdutërinë e tyre kanë bërë që qytetarët e Tiranës të largohen, por jo vetëm, të largohen edhe gjithë shqiptarët.

A e shikoni se çfarë moshe jemi ne këtu, shikoni moshën mesatare. Ku janë djemtë tanë? Ku është rinia, ku janë vajzat dhe djemtë tuaj? Janë larguar për shkak të pamundësisë për të siguruar jetesën në vendin e vet. Prandaj ne jemi këtu, për të protestuar kundër këtyre hajdutëve.

A e dini se sa vuan një qytetar i Tiranës? A e dini se prona vidhet? A e dini se qytetarët e Tiranës kur dalin në mëngjes janë nën kërcënimin e kësaj diktature? Ne në Tiranë jemi në pamundësi për të marrë shërbimet e përditshme, prona vidhet, qytetarët nuk kanë mundësi që të marrin shërbimin shëndetësor. Qytetarët nuk kanë mundësi të marrin arsimin. Nuk ka mbetur një copë tokë pa u vjedhur, pa u bërë ndërtim …

Veliaj shkëput energjinë elektrike, protestuesit përgjigjen me flakadanë

Kryebashkiaku Erion Veliaj ka vendosur të ndërpresë energjinë përpara Bashkisë së Tiranës për të sabotuar tubimin.

Kjo ka bërë që të mos punojnë mikrofonët, duke u ndërprerë fjalimet.

Si reagim, qytetarët kanë hedhur flakadanë drejt godinës.

Kjo ka sjellë momente tensioni.

Protesta nis menjëherë me tym dhe flakë/ Tensione te Bashkia e Tiranës

Protesta e qytetarëve përpara Bashkisë së Tiranës ka nisur menjëherë me tensione.

Në drejtim të godinës janë hedhur tymuese dhe flakadanë.

Ndërkohë në tribunë po flasin disa prej përfaqësuesve të protestuesve.

Kujtojmë se prej javësh, qytetarët dhe opozita kërkojnë dorëheqjen e Erion Veliajt.

Protestuesit shpërndajnë ujë për policët para Bashkisë së Tiranës

Protestuesit kanë shpërndarë ujë për policët e vendosur përpara Bashkisë së Tiranës.

Temperaturat në kryeqytet janë shumë të larta.

Ndërkohë policët që paguhen shumë keq, janë të detyruar të mbrojnë një bandë të akuzuar për vjedhje monstruoze.

Opozita dhe qytetarët u kanë bërë thirrje policëve disa herë që të bashkohen me protestën.

Malkaj: Policët mbrojnë ato lesbiket, mbushni xhepat me gurë e protestoni

Opozita ka thirrur sërish një protestë gjatë ditës së sotme përpara Bashkisë së Tiranës, kjo në vijim të thirrjeve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit për protesta.

Aktori Mehdi Malkaj, prezent ne çdo protestë, ka mbajtur fjalën e tij në këtë reagim qyteter.

Mehdi Malkaj: Zonja dhe zotërinj, tani e kuptova përse kanë ardhur të gjithë këtë policë. Këta janë ne mbrojtjë të çiftit të lesbikeve.

Unë do diskutoj një gjë. Thuhet për në shqiptarët që ne jemi trima. Trima të mëdhenj thuhet. Atëherë unë them jo, ne nuk jemi trima sepse u ka vajtur mendja ndonjëherë se kufijtë shtetërore i kemi me veten tonë. Ne kufizohemi vetëm më shqiptarë. Po pse? Se na kanë marrë tokë. Dhe jemi bërë të vockël fare. Ku është trimëria këtu? 

Se po të ishte trimëri, ky që quhet kryeministër nuk do të ishte në pushtet tani. Më thoni sa shqiptarë u çuan për atë turpin e madh që u bë këtu në këtë bashki, martesa e një çifti lesbikeje. Dhe turpi i madh njëra kishte një fëmijë në dorë. Një skandal. Ku janë? Kush u çua në protestë që të thotë more çfarë bëni, nuk jemi ne shqiptarët.

Ne e pranojmë të keqen me shumë dashuri ne jemi një popull i shtrirë barkas që kalon kryeministri me gjithë qeverinë e tij të qelbur edhe na shkel me këmbë, edhe nuk ndihemi. Jo, ka ardhur koha miq të dashur kudo që jeni të mbushim xhepat me gurë kur te vijmë këtu. Nuk mban mq! Jemi bërë qesharakë, nuk protestojmë. Njeriu grindet edhe me veten ndonjëherë por pse nuk grindet me këta që të shpërfytyrojnë….

Protestuesi: Sot përkujtojmë revoltën e Spaçit, të frymëzohemi nga ai model

 

Një nga protestuesit e pranishëm përpara Bashkisë së Tiranës mori fjalën që në fillim për të kujtuar një datë të rëndësishme.

Ai tha se sot është dita kur përkujtohet revolta e Spaçit.

Protestuesi tha se ata duhet të frymëzohen nga ai model.

Kujtojmë se opozita kërkon dorëheqjen e Erion Veliajt për javë të tëra.

Xhaferri: Erion Veliaj prej 8 vitesh e ka shkatërruar familjen shqiptare…

Kreu i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Besart Xhaferi, pjesëmarrës në protestën e sotme para Bashkisë së Tiranës, teksa rikujtoi martesën mes dy vajzave të ndodhur dy ditë më parë në tarracën e bashkisë, u shpreh se Erion Veliaj, tashmë prej 8 vitesh e ka shkatërruar familjen shqiptare.

Tirana sot ndahet në 3 kategori qytetarësh.

Janë qytetarët e lirë, që jeni pikërisht ju këtu sot, janë ata që flenë gjumë dhe është kategoria e tretë e qytetarëve, që janë drejtorët e bashkisë që janë nëpër burgje.

Ndërsa shpresojmë që këtë kategori të tretë, ta rrisim, sepse kolegët e Erion Veliajt, mësynë në Bashkinë e Tiranës dhe ujësjellësit.

Ata kolegët e nderuar të Erion Veliajt inkurojojnë të bëjnë punë dhe të tregojnë se vërtet janë zgjedhur aty me taksat tona , dhe duhet një orë më parë të procedojnë penalisht Erion Veliaj.

Të gjithë u revoltuam këtë fundjavë sepse u martua një çift vajzash dhe u pa sikur po vjen fundi i familjes shqiptare, por unë mendoj se Erion Veliaj ka 8 vjet që e shkatërron familjen shqiptare.

E shkatërron sepse e ka lënë pa çerdhe dhe pa shkolla, e shkatërron sepse e ka lënë pa asnjë hapësirë të gjelbërt publike ku familja mund të shkojë, e shkatërron sepse ka larguar gjithë të rinjtë … sepse nuk blejnë dot më një apartament në këtë qytet dhe ky është shkatërrimi i familjes shqiptare.

Kjo është nisja dhe përfundimi i shkatërrimit të familjes.

Boshatisja e këtij qyteti nga ata që duhet të ishin këtu për ta lulëzuar këtë qytet! sn

Në ora 11.00 – ‘Vjedhjet’ me ‘5D’, opozita vijon protestë sot te bashkia e Tiranës

Opozita ka thirrur sërish një protestë gjatë ditës së sotme përpara bashkisë së Tiranës, kjo, në vijim të thirrjeve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit për protesta.

Skandalet e mëdha që çuan në arrestimin e një numri të madh drejtorësh të Bashkisë së Tiranë kanë sjellë edhe reagimin e banorëve të kryeqytetit, por jo vetëm.

Ndërkohë që çdo ditë opozitë dhe media denoncojnë skandale të tjera të vjedhjeve të pandalura nga drejtorët e bashkisë Tiranë të parave publike. sn

25 vjet nga masakra e Stagovës së Kaçanikut

Më 21 maj bëhen 25 vite nga masakrimi i 13 qytetarëve të pafajshëm në fshatin Stagovë të Kaçanikut.

Atë ditë me 21 maj u vranë mizorisht 13 qytetarë të Kosovës nga forcat terroriste të regjimit të Millosheviqit duke mos e kursyer as fëmijën 7 vjeçar Fitim Gudaqi. Po ashtu në këtë ditë ranë martirët: Hanife Jaha, Selvije Krivanjeva, Baki Bela, Hanife Gudaqi, Ramush Jaha, Ibush Rrushi, Ramadan Dashi, Fahri Mani, Bahrije Elezi, Sevdije Guri, Hamdi Dashi, Brahim Dashi. Në këtë ditë në mbrojtje të civilëve ra dëshmori Ekrem Gudaqi.

Masakra e Stagovës është në mesin e masakrave më të tmerrshme që ndodhura në Kosovë dhe që për të ish-liderët e regjimit kriminal të Serbisë në krye me kriminelin Sllobodan Millosheviq u akuzuan nga Gjykata për Krime lufte në Ish-Jugosllavi për krime lufte me seli në Hagë, por që askush nuk u dënua për këto krime makabër!.

21 maji 1999 pos që solli dhimbje të pashërueshme për banorët e këtushëm, kjo datë do të mbahet në mend edhe për shkatërrimet, djegiet dhe vrasjen e bagëtive.

Nga 180 shtëpi sa kishte ky fshat më 20 maj, të nesërmen paramilitarët serbë dogjën dhe shkatërruan mbi 50 për qind të tyre, apo përkthyer në numra mbi 90 shtëpi. Pra këto fakte flasin qartësisht për qëllimet e regjimit serbë të Millosheviçit, që ishte jo vetëm zhdukja fizike, por edhe ajo materiale e qenies shqiptare, që përkufizohet si qëllim gjenocidal ndaj një kombi në këtë rast shqiptarëve të Kosovës.

Me rastin e 25 vjetorit të rënies së dëshmorëve dhe martirëve të rënë më 21 maj të vitit 1999, nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Kaçanikut Besim Ilazi në bashkëpunim me OVL-në e UÇK-së në Stagovë mbahet manifestim përkujtimor.

Manifestimi mbahet me fillim nga 13:30. Pas përmbylljes së manifestimit do të bëhen homazhe në Kompleksin Memorial te Varrezat e Dëshmorëve në Kaçanik.bw

Pentagoni zotohet të vazhdojë transferimin e armëve në Ukrainë

VOA/Marrë nga Associated Press

Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin u zotua të hënën për të vazhduar transferimin e armëve amerikane në Ukrainë, ndërsa Kievi përballet me një nga momentet e tij më të vështira të mbrojtjes nga sulmet e reja të Rusia.

Sekretari Austin dhe rreth 50 shefa të mbrojtjes nga Evropa dhe e gjithë bota zhvilluan një takim virtual të hënën për të koordinuar më shumë ndihma ushtarake për Ukrainën ndërsa ajo përpiqet të zmbraps një ofensivë ruse në verilindje. Ukraina gjithashtu ka filluar një sulm të madh në Gadishullin e Krimesë, të pushtuar nga Rusia.

“Ne po takohemi në një moment sfide”, tha zoti Austin, duke vënë në dukje se sulmi i ri i Rusisë në Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, tregoi se sa jetik është angazhimi i aleatëve për të ndihmuar Kievin. Sekretari Austin u zotua të vazhdojë transferimin e armëve amerikane në Ukrainë “javë pas jave”.

Sekretari Austin u tha gazetarëve se në takim u bisedua mbi nevojën kritike të Ukrainës për sistemet e mbrojtjes ajrore, të cilat ai tha se po ndihmojnë Kievin të neutralizojë sulmet e ushtrisë ruse.

“Ne do të vazhdojmë përpjekjet për t’u siguruar që Ukraina të kontrollojë hapësirën e saj ajrore dhe të mund të mbrojë qytetarët e saj dhe infrastrukturën e saj civile”, tha ai pas përfundimit të takimit.

Gjenerali CQ Brown

Gjenerali CQ Brown

Duke folur së bashku me Sekretarin Austin, shefi i shtatmadhorisë amerikane, gjenerali CQ Brown tha se ndërsa nuk ka plane për një kthim të shpejtë në Ukrainë të ekipeve amerikane për të trajnuar ushtrinë ukrainase, Shtetet e Bashkuara mund ta bëjnë këtë pas luftës.

“Sapo ky konflikt të përfundojë dhe sapo të jemi në një situatë më të mirë, atëherë mendoj se ne do të dërgojmë sërish atje ekipet tona të trajnimit ushtarak”, tha ai.

Shtetet e Bashkuara nuk njoftuan për ndihmë të re ushtarake të hënën, edhe pse forcat ukrainase vazhdojnë të ankohen se transferimi i armëve po bëhet me një ritëm të ngadaltë. Zyrtarët e Pentagonit kanë thënë se armët, tashmë të pozicionuara në Evropë filluan të lëviznin në drejtim të Ukrainës menjëherë pas miratimit nga Kongresi të ndihmës amerikane prej 61 miliardë dollarësh për Kievin në fund të prillit.

Nuk është ende e qartë sasia e armëve të reja që tashmë kanë mbërritur në vijat e frontit, ku trupat ruse kanë intensifikuar sulmet ndaj pozicioneve ukrainase.

Presidenti rus Vladimir Putin tha të premten gjatë një vizite në Kinë se ofensiva e Moskës në rajonin verilindor të Kharkivit synon të krijojë një zonë sigurie dhe se nuk ka plane për pushtimin e qytetit.

Trupat ukrainase janë angazhuar në luftimet për të ndalur përparimin e forcave ruse në rajonin e Kharkivit, duke rritur gjithashtu sulmet e tyre ofensive në Krime, përfshirë infrastrukturën ushtarake në brigjet e Detit të Zi dhe në qytetin e Sevastopolit, të pushtuar nga Rusia.

Ukraina është ndeshur me vështirësi në përpjekjet për të dërguar trupa të mjaftueshme në vijat e frontit, ndërsa lufta tashmë ka hyrë në vitin e saj të tretë. Në një përpjekje për të rritur numrin e trupave, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy nënshkroi dy ligje, të cilat do t’i hapin rrugën rekrutimit të të burgosurve në ushtri dhe pesëfishimit të gjobat ndaj atyre që shmangin mobilizimin ushtarak. Ligji i debatueshëm i mobilizimit ushtarak hyn në fuqi të shtunën.

Dosja e SPAK, Eugen Beçi: Zbulohen lidhjet e politikës me krimin, porositen vrasjet sikur po porosit pilaf

Eugen Beçi, ish-kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, nga studio e emisionit “Open” tha se SPAK e ka lejuar vetë publikimin e dosjes mbi operacionin e fundit, duke reklamuar në këtë mënyrë punën dhe veprimtarinë e saj.

Beçi theksoi se procedurialisht kanë ardhur dy CD nga Franca, që janë transkriptuar, këto materiale të reja, i janë bashkangjitur dosjesh së vjetër dhe më pas janë nxjerrë masat e sigurisë.

“I gjithë ky proces duhej të bëhej në sekret të plotë. Çfarë ndodhi? Sot janë larguar të gjithë, pasi ka kaq kohë që flitet për SKY dhe Encrochat dhe kjo na solli këtë rezultat të sotëm.

Në rast se procedimet do të hetoheshin të ndara, pra pa i bashkuar 4 akuza në një dosje, do të kishim një hetim më të shpejtë.

 

Dosjen e inceneratorëve SPAK e ndau, ndërsa në rastin e fundit i bashkuan dosjet”, tha Beçi.

Ai u shpreh se duhet të ketë një hetim të plotë, por shtoi se duke bashkuar dosjet na rezulton se është bashkuar në një vend edhe autori edhe viktima.

“Kemi në dosje ku një person na del viktimë e skenarëve për vrasje dhe pastaj na del si organizator për të kryer vrasje.

Jo vetëm nuk ka surpriza në emrat që dosjen e fundit, por 99% e tyre janë gjykuar dhe dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda, dhe më pas janë liruar nga burgu, përmes procedurave.

Sot që politikës nuk i duhen më këta emra, dhe na erdhën transkriptet, kemi aksionin për kapjen e tyre”, tha Beçi.

Ai theksoi se është një dosje ulëritëse për lidhjet e politikës me krimin.

“Kemi persona që porosisin vrasje, sikur po porosisin pilaf, janë pjesë e politikës”, tha Beçi.


Send this to a friend