era
Nëse mua më ngjan shpesh vetja
një varkë me vela
jam i shënuar të jetoj mes detit
në këtë botë me pak shpresa
ngase nuk më pyetën
kur vendosën për mua, si qenie
shpesh isha i mashtruar
nga gjërat shkëlqimtare.
Nëse unë jam si ajo varka,
ti je shkaku
pse fryhen velat
dhe e bëj gjumin me ëndrra,
për ta prekur token, ku ma shkel
syrin… e ardhmja!
sens mase
Mos më harro,
se… fyhem!
Mos më shtrëngo,
se… thyhem!
ditët në mes
Merr frymë, si e sotme
e pakapshme, si e nesërme.
Nëpër vargjet e shkruara,
ndjehem në shenjestër,
Gjithë plagë zgjohemi
pa shenja plumbash.
Mbi qiellin e shpeshtë
shkruajnë paqen pëllumbat!
fjalët
Nuk e di a e ke vu re
kur i shkruaj fjalët here pas here
i zgjedh dhe i nis në vargje,
si drejt qiejve
duke iu kushtuar aq vëmendje
që ti ta dallosh,
brenda tyre zemren.
adresë
Nëse Zoti do të më kish bërë zog
Ti e di,
Ku do ta kisha folenë!
ditët si vezë
Ditë të rrumbullakta krejt, si vezë Pashke
trembem tek e mbaj në dorë,
mos më bie dhe e thyej, pa dashje!
E kriset, e thyhet
e përfshihemi të gjithë në… ngjarje!
shtëpi
Mendimet e mia janë trarët,
çastet e fiksuara janë çatia,
fjalët e shkruara janë muret,
raportet me jetën dhe vdekjen janë themelet,
ndërsa dashuria ime janë dritaret.
Ju gjithnjë mund të shihni
çfarë ndodh në këtë shtëpi
brenda së cilës gjendem i mbyllur,
nga mungesa e dyerve,
shkaktuar prej pavetëdijes!
kob
Në grykë e kam Atdheun tim
një dënesje, një parandjenjë, një si… kob!
Mbeti deteve gjithë jetën
kurrë nuk u bë Kolomb!
instikt
Mos u tremb,
në këtë jetë asgjë nuk humbim!
nëse shpirti ynë,
e tradhëton… trupin!
vetmi
Mos më ler vetëm!
nga zemërimi yt
bien çastet e mia të gëzuara
si një pemë,
prej së cilës bien frutat
prej erës së fortë, prej erës së tërbuar.
Mos më lër vetëm!
Ngjaj brenda zenkave,
si njl fetus
me kokën… në duar!
det i munguar
akuarium me peshq
peshq në akuarium.
pronari i akuariumit
mashtron peshqit
se, gjoja
akuariumi është… deti.
larg prej dhomës gjëmon deti!
po peshqit janë tashmë të shurdhër,
janë të lumtur peshqit.
shi
Bie shi pa pushim
nën çadra ecim nxituar
pët ti ikur zemërimit të qiellit…
duke mbrojtur secili veten nën çadra
harrojmë… njeri tjetrin
shpëtimi i zogjve
Isha i vogël aso kohe…
më bie ndërmend jo mosha, por ajo që mbaj mend
është se ai zog ishte i vogël e dridhej,
krejt pupla thuajse ishte
(sa unë mendoja një kohë të gjatë se si mund të fluturonte
e nuk e merrte era zogjtë kur ngriheshin në qiell!)
e mora në dorë atë zog bashkë me dridhjen
ja ndjeja zemrën në dorë
rrihte më tërbim e bashkë më të rrihte… zemra ime
duhet shpëtuar, thashë
e vura në një pemë e ai cicëroi për çudi i dolën fletët
e ndihmova, u ndjeva i shpëtuar vetë,
duke ia shpëtuar jetën…
Tani i rritur… akoma e kam në mendje atë ditë strukur në kujtesën e kthjellët
kurrë në jetën time nuk kam vrarë zogj
e sa herë i shoh zogjtë në qiell duke fluturuar
gjithnjë më duket që atëherë kur isha i vogël dhe e shpëtova atë zog
gjithë zogjtë e botës unë i kam shpëtuar!
letra e fundit e motrës së Gjergj Elez Alisë
“Në hall të madh jam:
bajlozat gjithë vendin e kanë pushtue
e vëllaj em,
dergjet nën nantë plagë e nuk dëgjon asgja,
ndërsa unë qaj e ligjëroj me za,
ndërsa tregoj, se bajlozët na i morën të gjitha …
“Tash nuk kemi asgja
dhe ata bajmë, sikur nuk i shohim
e vëllaj im ban, sikur nuk dëgjon
ata, (bajlozët), bajnë si të urtë,
urtësia e atyre që i kanë në dorë të gjitha
e të japin vetëm bukën thatë,
duke ta marr shpirtin e gjithçka,
pastaj rrëmbejnë foltoret duke na treguar,
se ne jemi të lumtur sa më nuk ka….”
“Në hall të madh kam ra e çdo natë qaj me za
e vëllaj em me nëntë plagë në shtat,
ban sikur nuk ndigjon e jermas ngrihet e thotë: “Ç’ka a?”
“Unë hesht …Tash nuk i them asgja ma
tash nuk ka ku shkon, në asnjë betejë të mundshme
tash nuk ka çfarë shpëton… gjithçka u zhba!”
vizatime… pa dashje
as unë vetë nuk e di si ndodh kështu, e pashpjegueshme
është akti se si mbi një letër shpejt e shpejt,
si e nxjerr prej vezës së ngrohur nuk e di prej sa kohësh
majë lapsit më karbon të butë
merr formë një zog i trishtë, i hajthshëm, i vogël…
pastaj tek e sodis natyrën shterpë trishtohem,
ka aq pak pemë gjithandej,
të “fshihet” në një çerdhe është thuajse e pamundur
foletë e mundshme janë trembur e nga zhurmat e mëdha janë shkundur
(ku do të jetojë ky zog i shkretë?)
është puplor e krahët nuk i shkund dot për zhvendosje,
ndërsa përkundrejt tij sa shumë qenie
presin të jetë preja e tyre e ardhshme,
duke ju gëzuar asaj që unë padashje e vizatova,
thuajse krejt pa dashje!
trishtimi më mbulon e më pas i pendohem
asaj lirisë së krijimit absurd
të këtij zogu që ngjan me ëndrrën time
shpik brenda vetes intime,
për të prekur aq gjëra, që së fundmi u gëzoj vetëm dëshirën
befas pendohem,
mendoj se ndoshta do të më duhet ta fshij
për ta shpëtuar nga një e ardhme
me rrisqe të mëdha e nga kjo botë gojë -hata…
por sa e kthej kokën sërish në fletë
krijesa ime… ka dalë nga letra e bardhë
për shkak se,… sapo i dolën fletët
dhe unë tashmë e kam mendjen tek vendet ku fluturon
rreziqet e mëdha të kësaj bote të madhe
që i ha gjërat, pasi i lind krejt rastësisht
e thuajse,… krejt pa dashje!…
jashtë nesh
Jashtë nesh gjendet ,… pa zë, e ma së shumti, pa bujë
djersit, na bie pareshtur me tehun tepër të mprehur,
duke e ndjerë plagën qartë nuk i ankohemi askujt
Çfarë po na gjen kështu?!… Çfarë ka për të na gjetur?!
Të dobët jemi, të pafuqishëm, minorë e të plogët
gjersa goditjen nuk e ndalim, ballë saj gjendemi. Pra dalim
të pafuqishëm e nuk e dijmë çfarë është perëndi a monstër
ajo që na bën ta mendojmë të nesërmen, kur papritur mbajmë hapin!…
Qenie inferiore ndjehemi,… por kush gjithë kohën na merr përdore,
duke na drejtuar shpesh …pastaj papritur na e sos udhëtimin?
Të fuqishëm ndjehemi, veç kur si përënditë, prore
i sfidojmë qiejtë, duke u kapur fort tek… mendimi!
kur të lexoj ty…
Ju lexoj ju dhe ndjehem ndryshe
Në vargje e shkruara që krejt më shkundin
Ti thua gjëra me fjalë aq të fisme
E sytë më hapen e më del… gjumi!
Nuk di në fakt për ty asgjë
Po ç’vlerë ka, çfarë është kuptimi?
Nuk mundet gjithë bota të hyjë tek ne
Por ndjehemi pranë shpesh dhe… ky është çmimi!
Ngadal lexova keto poezi, ndjeva nje çlodhje te moshes sime te tret
Ju uroj suksese.
Falemineres Pjeter Jakut qe i ka botua ketu vargje te vyera ne fcb.