DOM NIKOLL MAZREKU
Ardhja e klerikëve katolikë nga burgu i Shkodrës disi e gjallnoi pjesën katolike të kampit që përbanin gjysmën e tij, veç me mirditorët e malësorët, që ruenin ne vetvete besimin e tyne me devocion. Në këto rrethana, një ma i gjallë dhe nismëtar i tyne ishte Dom Nikoll Mazrreku, që i kishte ra me qenë në kazermën tonë. Dom Nikolli e kishte njohë vellain tim, Valentinin qyshë në burgun e Shkodrës. Kështu u miqësue dhe me mue, aq ma fort kur i kisha tregue disa vjersha e vizatime, ku ai më porositi t’i zhdukja se rrezikohesha po t’i gjenin ne rast te nje kontrolli.
Një ditë vjen e me kërkon t‘i vizatoja një komplet shahu të stilizuem në mënyrë që të mos kishte shumë kthesa të thella. Pse? Po ai kishte marrë vesh se shefi i Degës së Tepelenës, merakçi shahu, kishte kërkue mos ndonjë i internuem aty mund të prodhonte nje komplet shahu. Aty na ishte një burrë nga Skuraj, Preng Gjoka, mjeshtër i gdhendjes në dru. Ai ishte vërtet mjeshtër, sepse unë i kisha pa gurët e shahut që kishte fillue me gdhendë me thikë, të përsosun, si të fabrikuem.
Por që të plotësohej shahu duheshin nja dy tre muej. Dom Nikolli e kishte marrë vesh këtë punë. Në fillim e patën çue mre bajtë trungje e shtylla me Valentinin, ku punonin sëbashku, në transportin e tyne. Ndodhi që Dega kishte kërkue mos kishte në kamp ndonjë marangoz, dhe ja që del Domi, të cilit ia kishin sjellë nipat veglat e punës. Kështu ai u lejue të shkonte të meremetonte tavolinat e karrikat e Degës të prishuna, të grumbulluem në një barake.
Shefi i Degës ishte nje burrë në moshë, ish oficer i mbretnisë dhe i shkolluem. Domi i hap bisedën e shahut dhe i jep fjalën se do ta prodhonte një, por mos ta ngarkonin me punë të tjera. Kështu ai se si e sajoi një torno primitiv, me një rrotë biçiklete që punohej me lëvizje e kambës… Larg nga kazermat në një qoshe pas murit të guzhinës, nën një strehë. Kështu une ia vizatova format e një shahu ku nuk kishte thepa, dhe ai brenda pak ditësh e sajoi një komplet shahu. Pastaj i punoi kutinë, dhe me dha mue që të vizatoj e ngjyros katrorët. Shefi i Degës mbeti tepër entuziast. Një shah origjinal i paparë. Kjo s’mjaftoi me kaq, se ai donte t’ua bante dhuratë miqve të tij. Kështu Dom Nikolli sajoi edhe ndonjë komplet tjetër.
Po afroheshin Pashkët, që binin me 13 Prill. Domi ndërhyni pranë Shefit, nëse i lejonin të ngrinin një meshë aty në kamp, ku kishte shumë katolikë. Feja ishte e zyrtarizueme, dhe shefi e akordoi lejën. Punë e madhe. Duke qenë se mungonin sendet e duhuna, për atë ceremoni, na vjen ne takim Patër Zef Pllumi, akoma i lirë, i cili i bjen Domit, gjithçka duhej. Dom Nikolli se bashku me klerikët e tjerë, si Jak Gardini, Viktor Volaj, Zef Gilaj e Ferdinand Paci, u aktvizuen e ndihmuen domin në këtë nismë. Si u muer vesh se mesha do të mbahej, gjithë katolikët u gëzuen dhe e quejtën një mrekulli të Zotit. Ndërkohë ne të rijtë, unë, Gjosho Vasija, Karlet Luka, Suzana Topalli, e kushrijt tonë, Gjon, Kristian e Celestina Gjomlarkaj, kishim pregatite disa kannge te rastit.
Erdhi e diela e Pashkëve, dhe mesha do të ngrihej në qoshën e kazermës së prishun, veç me dy pjese muri në kambë, ku zakonisht te internuemit ndiznin zjarre per per gatim kush kishte mundësi e larje teshash të fëmijëve… Gjithë kampi u mblodh aty, katolikë, myslimanë e orthodoksë. Si ditë e dielë, puntoret nuk i çonin në punë. Por Kryesisht famijet e njohuna katolike, Gjomarkaj, Pervizi, Merlika, Mirakaj Sokoli, Mëlyshi, Miri, Topalli, Luka, etjera familje katolike. Dallohej nanë Mrika e kapidan Gjonit, me dy vajzat, Marta e Bardha. midis mirditoreve te tyne Aty kishin sjellë edhe Martën e paralizueme në karrikën e saj dy burra mirditorë. Si u mblodhën të gjithë e kur u duk Dom Nikolli me veshjen e rastit, ra heshtje. Dom Nikolli mbajti një fjalë të nivelit të naltë. Mjafton të përmendët fillimi :
-Jemi mbledhe këtu, në këtë qoshe nën këto mure të rrënueme e të nximë por që asht ma madhështore se kishat, katedralet e bazilikat kudo që janë në botë.
Fjala e tij ngjalli emocion të madh, në ato njerëz të shkretë, që të mbyllun aty si berre, kishin humbë edhe nocionin e besimit e të Zotit. Me Dom Nikollin rrinin dhe fetaret e tjere, si Pater Viktor Volaj, Patër Jak Gardini, Pater Ferdinand Paci, Dom Zef Gikaj. Mesha u përcoll nga kangët e neve të rijve që i kishim pregatitë siç treguem ma sipër.
Mesha u ndoq me një heshtje e qetësi të madhe, aq ishte ndikuese ajo ceremoni fetare që bahej në kushte të tilla paimagjinueshme. Kishte gra që qanin nga emocioni, të cilave u kishin vdekë fëmijët. Aty binin në sy ishin disa gra te hueja, si Elena Merlika me vjerren dhe djalin e vogël Eugjenin, zonja franceze Elena Kosmaçi, tri vajzat gjermane që kishin sjellë nga burgu i Burrelit. Aty ishin dhe grupi i italianëve, Mario Verde, Nino Tagliani, Bruno Prezoto, Xhorxho Zanuti, e dy të tjerë. Binte në sy pjesmaarrja e grave mirditore me kostumet e tyne.
Një meshë e përveçme, që mjerisht humbet në harresën e pakujdësinë e njerëzve për të ruejt ato çaste të papërsëritshme ma kurrë. Një meshë i përmasave historike, për vendin e kushtet ku ishte zhvillue. Si mbaroi ceremonia dhe njerzit u përfalën me njenitjetrin tue urue festën e Pashkëve, Dom Nikolli, që kishte sajue një shportë me një sasi vezësh, ua ndau fëmijëve që ishin mbledhë aty. Fëmijë që s’kishin pa vezë me sy, donin t’i kafshonin, ashtu pa qerue guackën. Sa na vinte për të qeshë, dhe u tregonim se si hiqej guacka e pasztajte hahej. Ja pra ku kishte arritë puna, që fëmijët të rittëshin pa njohun frutat, dhe deri dhe vezët, të izoluem krejtësisht nga bota e jeta. E s’na qenka ky një kamp i tmerrshëm?
E dhamë këtë përshkrim, se ajo meshë ishte një ngjarje nga ato që quhën të jashtëzakonshme, dhe merrte përmasat historike siç treguem ma nalt.
Kjo ndodhi të dielën e Pashkëve më 13 prilli 1952. Vërtet se ne s’ishim në tunele të nëndheshme, por fare mirë në tunelet e një ideologjie perverse, katakomba të vërteta, ku njerëzit përpëlitëshin për të mbijetue me çdo kusht e sakrificë e me ruejtë vlerat e tyne shpirtnore, ku feja, ishte kusht i parë, i rranjosun prej dymijë vjetësh në mendjën, zemrën e shpirtin e shqiptarve.
Pas kësaj ngjarje, sikur ajo i parapriu ndryshimëve që do të ndodhnin. Nuk vonoi e u ndërpre puna e detyrueme. Andej nga qershori gjithë forcat punëtore u hoqën dhe transferuen ne kampe te tjerë për vepra ndertimi. Kështu qe kampi mbeti ne pleq gra e femije, dhe të sëmunë, deri kur më nentor 1953, kampi u mbyll, e të internuemit u vendosën në disa qenra të Rrethit të Lushnjës me qendër e komandë ne kampin e Savrës.
Komentet