VOAL

VOAL

Dështon misioni për nisjen në Hënë i anijes hapësinore të Indisë

July 15, 2019

Komentet

Si i sulmon Kina gazetarët e larguar nga vendi?

VOA/Liam Scott

Kur gazetarja kineze Su Yutong u largua nga vendi i saj në vitin 2010, ajo mendoi se do të gjente sigurinë. Por korrespondenti i Zërit të Amerikës, Liam Scott, njofton nga Berlini se zonja Yutong po sulmohet nga Kina, ndërsa qëndron si azilante në Gjermani.

Su Yutong është bërë një kuzhiniere e mirë. Përgatitja e gatimeve që i pëlqenin në Pekin, e lidh gazetaren me vendin e saj të origjinës dhe e ndihmon të mbushë ditët e gjata që i kalon e vetme në shtëpi.

Arsyeja për vetëizolimin e saj janë sulmet dhe kërcënimet prej vitesh nga Kina.

“Vazhdoj të them të vërtetën. Kështu që duan të më heshtin, edhe duke më kërcënuar”, thotë zonja Yutong.

Shpërndarja e një libri të ndaluar në Sheshin Tiananmen në vitin 2010 ishte fillimi i problemeve për zonjën Su. Policia kineze i bastisi shtëpinë në Pekin dhe ajo u vendos nën arrest shtëpiak.

Por, me ndihmën e miqve, ajo u arratis drejt Evropës.

Për ca kohë, kryeqyteti i Gjermanisë i dha një ndjesi sigurie. Zonja Su shkruajti artikuj për të drejtat e njeriut për rrjetin Deutsche Welle dhe më pas Radion Azia e Lirë. Por në vazhdim ajo e humbi ndjesinë e sigurisë.

Në vitin 2022, burra të çuditshëm filluan të shfaqeshin tek godina e saj, të sjellë aty nga një faqe e paligjshme për seksin në internet ku ishte publikuar adresa e saj.

“Ndjeva neveri dhe poshtërim. Kisha edhe probleme mendore në atë kohë dhe kisha frikë të ecja në rrugë”, thotë ajo.

Më pas gjërat u përkeqësuan. Në vitin 2023, identiteti i zonjës Su dhe dy aktivistëve të tjerë u përdorën për t’u regjistruar në hotele në Berlin dhe qytete të tjera. Nga ato dhoma u bënë telefonata për të lajmëruar për vendosje bombash.

Ekspertët thonë se rasti i saj është ekstrem edhe për Pekinin, që radhitet megjithatë ndër vendet që bëjnë represionin më të madh ndaj personave në vende të tjera.

“Taktikat bazë të represionit transnacional janë përgjithësisht të krijuara me qëllimin për t’i treguar njerëzve se nuk mund t’i shpëtojnë qeverisë kineze”, thotë Marieke Ohlberg, nga Fondi Marshall Gjerman.

Objektivi kryesor është ndalja e kritikave ndaj Kinës në vende të tjera. Ambasada e Kinës në Berlin dhe ministria e Jashtme kineze nuk iu përgjigjën kërkesave për koment të Zërit të Amerikës.

Të qenit objekt i këtyre sulmeve është një përvojë shumë vetmitare. Për një periudhë dyvjeçare, zonja Su pothuajse nuk dilte fare nga apartamenti i saj. Ajo thotë se edhe diçka e thjeshtë, si një shëtitje në park, mund të shoqërohet me ndjesinë e rrezikut.

“Kur dilja, kontrolloja gjithë kohës se mos kishte njerëz të dyshimtë përreth meje dhe rrallë dilja nga shtëpia”, tregon zonja Yutong. Një reagim i këtillë është i pritshëm, thonë ekspertët.

“Paranoja është një reagim i zakonshëm në komunitete të ndryshme. Njerëzit shpesh frikësohen se faktorë të tjerë, apo individë brenda komunitetit mund t’i spiunojnë. Dhe kjo nuk është frikë e pabazë”, thotë Gozde Bocu, nga organizata për teknologjinë dhe të drejtat e njeriut “Citizen Lab”.

Megjithatë, zonja Su thotë se tani ndjehet më pak e frikësuar.

“Nuk e prisnin që pak nga pak unë do të arrija të dal nga hija ku më futën. Mendoj se janë ata që duhet të më kenë frikë mua dhe jo e anasjellta. Nuk munden të më heshtin. Nuk ia arrijnë dot kësaj”, thotë zonja Yutong.

Jeta e saj është përmbushur sërish, por në apartamentin e saj ka mobilje të pakta. Pas incidenteve të vitit 2023, policia gjermane rekomandoi që ajo të ndërronte vendbanimin. Ajo u zhvendos dhe la pothuajse gjithçka pas.

“Kina bllokon të vërtetën. Duhen gazetarë të shumtë që të thonë historitë e vërteta, të tregojnë ngjarjet reale dhe të vërtetën”, thotë ajo.

Në një njëfarë mënyre, zonja Su thotë se të jep një ndjesi të mirë kur mëson se edhe Pekini frikësohet. Nëse nuk do t’ja kishin frikë, mendon zonja Su, nuk do të ishin përpjekur kaq shumë që ta heshtin.

Përplasje mes Buenos Airesit dhe Madridit pas deklaratave të ministrit spanjoll se Presidenti argjentinas merr drogë

Është përshkallëzuar debati dhe përplasja mes Buenos Aires dhe Madridit, pas komentit të një ministri spanjoll, se presidenti i Argjentinës Javier Millay po merrte drogë.

Buenos Aires nga ana tjetër akuzoi kryeministrin Pedro Sanchez se rrezikonte gratë dhe e çoi Spanjën në varfëri, një deklaratë e karakterizuar si “e pabazë” nga Madridi.

Gjithçka nisi nga komenti, mbrëmjen e së premtes, e ministrit të Transportit të Spanjës, Oscar Puente.

“E pashë Miley-n në TV” kur ishte në fushatë. Nuk e di nëse ka qenë para apo pasi ka marrë substanca. Mendova, nuk është e mundur të fitosh zgjedhjet. Ka shumë njerëz të këqij, të cilët, duke qenë ata që janë, arritën në krye ”, tha ministri duke përmendur si shembuj Miley-n dhe ish-presidentin e SHBA-së, Donald Trump.

Millay ishte i shpejtë për t’iu përgjigjur deklaratave të Puente me një postim shumë të mprehtë në Platformën X, ku ai akuzon Sánchezin se e çoi popullin spanjoll drejt varfërisë dhe vdekjes, raporton Politco.

“Sanchez rrezikon klasën e mesme me politikat e tij socialiste që sjellin vetëm varfëri dhe vdekje dhe minoi unitetin e mbretërisë duke bërë një marrëveshje me separatistët, duke lejuar në të njëjtën kohë emigracionin e paligjshëm e duke vënë gratë spanjolle në rrezik”, është shprehur ai.

Millay tha gjithashtu se Sanchez “ka çështje më të rëndësishme për t’u marrë, siç janë akuzat për korrupsion kundër gruas së tij”, të cilat prokurorët kanë sugjeruar që të hiqen.

Madridi nga ana e tjetër iu përgjigj Millay, me një deklaratë nga Ministria e Punëve të Jashtme, në të cilën thuhet se “refuzon kategorikisht deklaratat të pabaza të presidentit argjentinas, që nuk korrespondojnë me marrëdhëniet midis dy vendeve dhe popujve të tyre vëllezër”.

Ndërkohë, sipas mediave të huaja, Millay do të vizitojë Spanjën pas dy javësh për të marrë pjesë në një ngjarje të organizuar nga partia e ekstremit të djathtë, anti-imigracioni Vox. Por ai nuk do të takohet as me kryeministrin dhe as me mbretin e vendit.

Në zgjedhjet presidenciale të Argjentinës, Pedro Sanchez mbështeti hapur kundërshtarin e Miley-t, Sergio Massa dhe nuk e thirri presidentin e ri për ta uruar pas fitores.

Ministria e Jashtme e Spanjës e kufizoi veten duke i uruar “fat të mirë Argjentinës në këtë hap të ri”, pa përmendur emrin e Javier Millay. Në vend të kësaj, udhëheqësi i Vox Santiago Abascal shkoi në Buenos Aires dhe mori pjesë në ceremoninë e Millay. sn

Përgatitjet për mbërritjen e sondës “Starliner” në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës

VOA

Astronautët në bordin e Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor po përgatiten për mbërritjen e ardhshme sondës së parë hapësinore me njerëz në bord të kompanisë Boeing. Anëtarët e ekuipazhit të fundit mbërritën me sondën e kompanisë SpaceX në laboratorin orbital më 5 mars. Astronautja e NASA-s, Jeanette Epps, thotë se ajo është mahnitur nga fluturimi dhe pamjet që “të lënë pa frymë” të Tokës nga hapësira.

Astronautët e NASA-s Jeanette Epps dhe Michael Barratt mbërritën në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës më 5 mars, ku do të mbikëqyrin ardhjen e një sonde të re gjatë periudhës së tyre gjysmë-vjeçare.

Ata zëvendësuan një ekuipazh nga Shtetet e Bashkuara, Danimarka, Japonia dhe Rusia, të cilët ishin atje që nga gushti.

Qëndrimi gjashtëmujor i ekuipazhit përfshin përgatitjet për mbërritjen e një sonde të re të NASA-s.

Sonda e re “Starliner” e kompanisë Boeing me pilotë testues pritet të mbërrijë në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor javën e ardhshme.

“Do të analizojmë çdo detaj të fluturimit, ankorimin dhe çdo gjë tjetër të vogël gjatë këtij operacioni. Kjo është emocionuese sepse kemi të bëjmë me në automjet të ri”, tha astronauti i NASA-s Michael Barratt lidhur me mbërritjen e kapsulës “Starliner”.

Astronautja e NASA-s Jeanette Epps nga qyteti Sirakus i shtetit të Nju Jorkut, është gruaja e dytë me ngjyrë e caktuar në një mision të gjatë në Stacionin Ndëkombëtar Hapësinor.

Ajo tha para fluturimit se është veçanërisht krenare që do të jetë një shembull për afrikano-amerikanet, duke demonstruar se fluturimi në hapësirë “është një opsion për ato, se kjo gjë nuk është vetëm për njerëzit e racave të tjera”.

Si inxhiniere, ajo punoi për kompaninë Ford dhe CIA-n përpara se të bëhej astronaute në vitin 2009.

Ajo thotë se mbërritja në hapësirë ishte shumë emocionuese pas shumë vitesh pritjeje.

“U mahnita nga shumë gjëra që pashë në hapësirë, përfshirë Tokën dhe planetet e tjera”, thotë ajo.

Michael Barratt, një mjek në misionin e tij të tretë, është astronauti më i moshuar që ka fluturuar në hapësirë. Ai mbushi 65 vjeç më 16 prill.

“Çfarëdo faktori që mund të ketë luajtur mosha, e kam tejkaluar me sukses, sepse u përshtata më shpejt. Ky ishte fluturimi im i tretë në hapësirë”, tha ai.

Sigurisht, së shpejti NASA do të dërgojë sërish astronautë në Hënë.

Ndonëse zbarkimi i parë i njeriut në Hënë në më shumë se 50 vjet u shty për një vit, ai pritet të realizohet në vitin 2026.

Astronautët Epps dhe Barratt do të qëndrojnë në hapësirë për gjashtë muaj. Ata do të kthehen në Tokë në muajin shtator.

Moska vendos në shënjestër Zelenskyn, Presidenti i Ukrainës shpallet në kërkim nga Rusia

Presidenti ukrainas Volodymyyr Zelensky u shfaq në listën e të kërkuarve të Ministrisë së Brendshme ruse ditën e sotme. Vepra e saktë për të cilën ai akuzohet mbetet e paqartë sipas mediave në Rusi.

Faqja e internetit e ministrisë thotë se presidenti ukrainas kërkohet sipas një neni të Kodit Penal të Rusisë dhe përmban emrin dhe fotografinë e tij të plotë, si dhe datën dhe vendin e lindjes. Nuk ka të dhëna për procedimin penal ndaj tij.

Ky zhvillim vjen një ditë pasi kreu i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, Aleksandr Litvinenko, u vu gjithashtu në listën e të kërkuarve të Rusisë. Ai e mori postin nga paraardhësi i tij Aleksey Danilov në mars. Edhe në këtë rast, nuk janë specifikuar detaje të akuzave.

Në prill, Litvinenko pretendoi se ishte e nevojshme të niseshin sulme me dron thellë brenda territorit rus, për të ushtruar “presion” mbi Moskën. Ai e përshkroi këtë taktikë si një element kyç të strategjisë së Kievit.

Moska e ka akuzuar vazhdimisht Kievin për përdorimin e metodave terroriste gjatë gjithë konfliktit të vazhdueshëm midis dy fqinjëve. Muajin e kaluar, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se kërcënimet e Zelensky për të shkatërruar infrastrukturën civile ruse ishin provë e synimeve terroriste të qeverisë së tij.bw

Kremlini i quan “përshkallëzuese” komentet e Cameronit për armët britanike në Ukrainë

Kremlini i ka quajtur përshkallëzim i rrezikshëm dhe i drejtpërdrejtë komentet e sekretarit të Jashtëm britanik, David Cameron, se Ukraina mund t’i përdorë armët britanike kundër caqeve brenda Rusisë, nëse dëshiron.

Të enjten, Cameron i premtoi Ukrainës 3.74 miliardë dollarë ndihmë vjetore ushtarake “sa të jetë e nevojshme”.

Gjatë një vizite në Kiev të enjten, ai theksoi po ashtu se Britania nuk është kundër që Ukraina t’i përdorë armët që ia dërgon Britania për sulme brenda Rusisë.

“Ukraina e gëzon atë të drejtë. Sikurse Rusia që po sulmon brenda Ukrainës, mund ta kuptoni lehtë pse Ukraina e ndien nevojën për t’u siguruar se po e mbron veten”, tha Cameron.

Në javët e fundit, Rusia e ka bombarduar pareshtur me dronë dhe raketa infrastrukturën energjetike të Ukrainës.

Komentet e Cameronit e bëjnë Britaninë të mbajë qëndrim më luftarak karshi Rusisë – së paku publikisht – sesa SHBA-ja, e cila thekson se armët me të cilat e furnizon Ukrainën duhet të përdoren vetëm brenda kufijve të Ukrainës të njohur ndërkombëtarisht, dhe jo kundër caqeve brenda territorit të Rusisë.

Ukraina thotë se i përdor dronët e vet dhe armë të tjera për të kryer sulme kundër caqeve brenda Rusisë, si për shembull, kundër rafinerive të naftës apo infrastrukturës hekurudhore.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i përshkroi komentet e Cameronit si të rrezikshme.

“Ky është përshkallëzim i drejtpërdrejtë i tensioneve në lidhje me konfliktin ukrainas, i cili ka mundësi të përbëjë rrezik për sigurinë evropiane, për tërë sigurinë evropiane”, tha Peskov.

“Këtu e shohim ne një trend të rrezikshëm të përshkallëzimit të tensioneve në deklarata publike”, shtoi ai.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, tha se kjo është “hera e parë që një politikan perëndimor ka pranuar kaq haptazi një fshehtësi të njohur për kohë të gjatë për shumicën e vendeve të botës: Se Perëndimi po kryen luftë të fshehtë kundër Rusisë përmes ukrainasve”.

Rusia do të përgjigjet nëse Ukraina kryen sulme kundër territorit rus me armë britanike, shtoi ajo. REL

Kina lëshon sondë për të mbledhur mostra nga Hëna

Skema e thjeshtëzuar dhe orbita e misionit Chang’e 6 (Wikipedia)

Kina ka lansuar një sondë për të mbledhur mostra nga pjesa e largët e Hënës. Kjo është sonda e parë që dërgohet për një mision të tillë në botë, përderisa Pekini po shtyn përpara programin ambicioz që synon të dërgojë një mision me ekuipazh në Hënë deri më 2030.

Një raketë që bartte sondën hënore Chang’e-6 u lëshua nga Qendra e Hapësirës, Wenchang në provincën Hainan më 3 maj.

Uashingtoni ka paralajmëruar se programi i Kinës po përdoret si mbulesë për synime ushtarake dhe është një përpjekje e Pekinit për të pasur një dominim në hapësirë.

Sonda Chang’e-6 synon të mbledhë rreth 2 kilogramë mostra hënore nga pjesa e largët e Hënës dhe t’i sjellë në Tokë për analizim.

Media shtetërore, Xinhua, tha se ky është “misioni i parë i këtij lloji në historinë e eksplorimit të Hënës nga njeriu”.

Ky mision, që teknikisht është i ndërlikuar, do të zgjasë për 53 ditë. Sonda do të tentojë të bëjë një nisje të paprecedent nga pjesa e Hënës që gjithmonë është kahen e kundërt me Tokën.

“I gjithë misioni është i mbushur me sfida të shumta”, tha për Xinhua zëvendësshefi i projektimit të këtij misioni, Wang Qiong.

Sonda pritet të zbarojë në Pellgun Aitken në polin jugor, që është një prej kratereve më të mëdha të ndikimit në sistemin diellor. Kur të arrijë atje, sonda do të mbledhë dhe hënor dhe shkëmbinj dhe do të kryejë eksperimente të tjera në zonën e zbarkimit.

Më pas sonda, me gjithë mostrat e marra do të niset nga Hëna për në Tokë. REL

BIRN: Markat perëndimore po financojnë dezinformimin rus në Ballkan

Në një intervistë për BIRN, Antoinette Nikolova, drejtoreshë ekzekutive e Iniciativës Ballkanike për Media të Lira, BFMI, paralajmëron se mediat dhe faqet e internetit që përhapin narrativa pro-Kremlinit dhe krijojnë mosmarrëveshje etnike në Ballkan po financohen përmes reklamave algoritmike nga marka të famshme perëndimore.

Nga Besar Likmeta, BIRN

Kur në gusht të vitit 2022, një mosmarrëveshje për targat e automjeteve u përshkallëzua midis Prishtinës dhe Beogradit, mediat në rajon që shpërndanin narrativa pro-Kremlinit e ekzagjeruan, duke pretenduar se në Kosovë kishin shpërthyer luftimet dhe se forcat serbe kishin hyrë në territorin e saj.

Krahas titujve që ekspertët i lidhën me një fushatë dezinformimi rus, Antoinette Nikolova – korrespondente me bazë në Bruksel dhe drejtoreshë ekzekutive e Iniciativës Ballkanike për Media të Lira (BFMI) vuri re se ishin postuar reklama nga marka të njohura perëndimore.

“Reklamuesit po blejnë hapësirë reklamimi nga bursat, hapësirë reklamimi nga agjenci ndërmjetësuese; ata nuk e dinë se ku po shkojnë reklamat e tyre”, tha Nikolova në një intervistë në ZOOM nga Brukseli, ndërsa shtoi se reklama nga reklamues të famshëm si Lidl ose Volvo tani po shfaqen në lajme që pretendojnë se lideri i opozitës ruse Alexei Navalny u vra nga CIA.

BMFI pohon se kjo është për shkak të mungesës së transparencës dhe llogaridhënies në zinxhirin e furnizimit të shërbimeve të reklamave digjitale, gjë që i bën ata jo vetëm të sigurojnë fonde për mediat që përhapin dezinformim, por edhe të legjitimojnë përmbajtjet e tyre të rreme.

“Nuk është mirë që reputacioni i kompanive të mëdha të lidhet me informacione të tilla”, tha Nikolova.

Një analizë e përbashkët nga NewsGuard dhe Comscore e botuar në vitin 2021, zbuloi se miliarda euro të ardhura nga reklamat dërgohen çdo vit drejt botuesve të keqinformimeve dhe dezinformimeve, përfshirë qindra miliona të ardhura që mbështesin pretendime të rreme shëndetësore, mite kundër vaksinave, dezinformime zgjedhore, propagandë dhe forma të tjera lajmesh të rreme.

Në një raport të botuar në dhjetor 2023, BFMI dhe organizata e pavarur e shoqërisë civile me qendër në Beograd, CRTA, zbuluan se markat globale që reklamonin në Ballkan po financonin faqe në Bullgari dhe Serbi që përhapnin dezinformim rus.

Në vitin 2024, më shumë se 60 vende do të mbajnë zgjedhje, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, superfuqinë më të madhe në botë, dhe dy konflikte të mëdha ushtarake në Evropë dhe Lindjen e Mesme kërcënojnë stabilitetin dhe sigurinë. Raporti i Rreziqeve Globale 2024 i prezantuar në konferencën e përvitshme të Davosit, njohu keqinformimin dhe dezinformimin si rrezikun më të madh afatshkurtër.

Më 26 prill, një grup ndërpartiak anëtarësh të Parlamentit Evropian u bëri thirrje markave globale që të ndalojnë reklamat në mediat që propagandojnë aktivisht dezinformimin pro-Kremlinit në Evropë përpara zgjedhjeve të ardhshme të BE-së, duke cituar raportin e BFMI-së.

Antoinette Nikolova, drejtoreshë ekzekutive e Iniciativës Ballkanke për Media të Lira, BFMI.

Nikolova vuri në dukje Rusinë dhe Kinën midis fuqive të huaja që përhapin dezinformim në Ballkanin Perëndimor. Ajo vuri në dukje se disa vende në Ballkanin Perëndimor, si Bullgaria dhe Serbia, janë tradicionalisht afër Rusisë dhe mbajnë një marrëdhënie të ngushtë.

“Ata ndajnë një përkatësi gjuhësore dhe kristiano-ortodokse dhe kjo është shumë më e lehtë për Rusinë që t’i vendosë ata nën ndikimin e saj”, vuri në dukje ajo.

Megjithëse përpjekjet e Kinës për të ndikuar në rajon janë të krahasueshme me ato të Rusisë, Nikolova tha se Pekini është më pak agresiv se Kremlini.

“Për mendimin tim ata janë të fokusuar më shumë në përfitimet ekonomike”, tha ajo.

Nikolova vëren se narrativat anti-perëndimore në vende si Serbia, Bullgaria dhe Hungaria po përhapen shpesh nga agjencitë e lajmeve që kanë mungesë parash, të cilat, të përballura me mungesa buxhetore, nuk e përballojnë dot abonimin në burime perëndimore si Associated Press ose Reuters.

“Nëse dëshironi të citoni Associated Press ose Reuters për shembull, normalisht ju duhet një abonim, i cili është mjaft i shtrenjtë për shumicën e këtyre vendeve”, tha ajo. “Rusia po e ofron atë shërbim falas, madje Kina po paguan agjencitë shtetërore që të preventivat e tyre, për të përdorur informacionin e tyre”, nënvizoi Nikolva, ndërsa shtoi se kjo përkthehet në fuqi të butë.

Ajo vuri në dukje se deri dy vjet më parë një agjenci lajmesh në një vend ballkanas publikonte 40 lajme në ditë nga agjencia shtetërore kineze Xinhua.

“Ishte qesharake sepse mund të lexoje një raport në lidhje me Gjermaninë ose Brukselin, për shembull, jo nga dikush në Berlin apo Bruksel, por duke cituar një agjenci kineze”, shtoi ajo.

Korrespondentja veterane e huaj vëren se sot më shumë se 70 për qind e informacionit që njerëzit marrin vjen nga rrjetet sociale. Nikolova thekson se në Bullgari burimi kryesor i informacionit është Facebook dhe në vende të tjera ish-platforma Tëitter “X”. Ajo tha se ka pasur probleme me personat që moderojnë përmbajtjen e platformave të rrjeteve sociale, veçanërisht në Bullgari.

Për fat të mirë, vëren Nikolava, Direktiva e sapo miratuar e Aktit të Shërbimeve Digjitale e BE-së ka prezantuar kërkesa  mbi platformat për sa i përket transparencës, llogaridhënies, zbatimit dhe aksesit të të dhënave për kërkuesit.

“Evropa është një lloj pioniereje në këtë”, tha ajo. “Megjithatë, nuk është e lehtë, sepse teknologjia po ecën më shpejt se njerëzit, organizata, rregulloret”, shtoi Nikolova.

Akti i Shërbimeve Digjitale është një direktivë e BE-së e miratuar në tetor 2022, që rregullon platformat dhe tregjet online, duke përfshirë rrjetet sociale, platformat e ndarjes së përmbajtjes, app store-t dhe platformat online të udhëtimit dhe akomodimit.

Sipas Komisionit Evropian, qëllimi kryesor i DSA-së është të parandalojë aktivitetet e paligjshme dhe të dëmshme në internet dhe përhapjen e dezinformatave, duke garantuar sigurinë e përdoruesve, mbrojtjen e të drejtave themelore dhe krijimin e një mjedisi të drejtë dhe të hapur të platformës online.

Nikolova vëren se si pjesë e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të respektojnë parimet e sundimit të ligjit dhe standardet për lirinë e medias, duke përfshirë DSA-në.

“Akti i Shërbimeve Digjitale është një hap i madh, sepse do t’u kërkojë platformave të moderojnë përmbajtjen, të marrin vendime për reklamat, që është një problem i madh, dhe gjithashtu të trajtojnë algoritmet e tyre, si dhe të përmirësojnë mediat që ndjekin standardet profesionale”, parashikoi Nikolova.

BMFI pohon se luftimi i dezinformimit nuk është një detyrë e lehtë dhe kërkon adresimin e çështjeve strukturore që ndikojnë në lirinë e medias, duke përfshirë pronësinë, financimin dhe rregullimin e medias. Organizata argumenton se një mjedis informativ i shëndetshëm është i rëndësishëm për lirinë e medias.

Franca vlerëson se 150.000 ushtarë rusë janë vrarë në Ukrainë

Franca vlerëson se 150.000 ushtarë rusë janë vrarë gjatë pushtimit të Ukrainës, të nisur nga Moska, tha ministri i Jashtëm, Stephane Sejourne.

Në një intervistë për gazetën e pavarur, Novaya Gazeta Europe, Sejourne tha se sipas vlerësimit të Parisit numri i përgjithshëm i viktimave ruse gjatë luftës, përfshirë të plagosurit, është 500.000.

Pushtimi rus i Ukrainës tashmë ka hyrë në vitin e tretë.

“Evropa dhe partnerët e saj do të vazhdojnë të jenë të bashkuar dhe të vendosur për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Veçse është i dukshëm dështimi i ushtrisë ruse. Ne vlerësojmë se ushtria ruse ka humbje prej 500.000, përfshirë 150.000 të vdekur”, tha ai.

“E gjithë kjo për çfarë?”, pyeti Sejourne. “E gjithë kjo mund të përmblidhet shkurt: për asgjë”, tha ai.

Rusia nuk i ka bërë publike humbjet e pësuara gjatë luftës kundër Ukrainës.

Në muajin shkurt, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se 180.000 trupa ruse janë vrarë gjatë luftës.

Britania ka vlerësuar se afër 450.000 rusë janë vrarë ose plagosur në Ukrainë.

Në prill, transmetuesi publik britanik, BBC, ka raportuar se më shumë se 50.000 pjesëtarë të ushtrisë ruse kanë vdekur. Këtë shifër, kjo media e ka bazuar në gazetarët e saj, vullnetarët dhe në grupin e pavarur medial, Mediazona.

Presidenti rus, Vladimir Putin, njoftoi për nisjen e “operacionin e posaçëm ushtarak” më 24 shkurt 2022, dhe që atëherë, lufta është shndërruar në një mizori të përgjakshme që e ka izoluar Rusinë nga Perëndimi.

Disa analistë ushtarakë besojnë se Rusia mund të jetë në prag të nisjes së një ofensive të re të madhe në Ukrainë.

Novaya Gazeta Europe u themelua nga gazetarët e gazetës kryesore të pavarur të Rusisë, Novaya Gazeta, pak pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës. REL

Trupat ruse hyjnë në bazën ajrore në Nigeri, ku janë të stacionuar ushtarët amerikanë

Personeli ushtarak rus ka hyrë në një bazë ajrore në Nigeri ku janë të stacionuar trupat amerikane, pas vendimit të juntës së Nigerisë për të dëbuar forcat amerikane nga vendi.

Oficerët ushtarakë në Afrikën Perëndimore kanë kërkuar nga SHBA-ja që të tërheqë rreth 1,000 trupa ushtarak, edhe pse deri në një grusht shteti vitin e kaluar nigerianët ishin partner kyç në luftën e Uashingtonit kundër kryengritësve xhihadistë që kanë vrarë mijëra njerëz.

Në kushte anonimiteti, një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane njoftoi se forcat ruse nuk po përzihen me ato amerikane, por po përdorin një hangar të veçantë në bazën ajrore 101, ngjitur me aeroportin ndërkombëtar Diori Hamani në Niamey.

Siç raportohet, lëvizja e rusëve i rrit tensionet mes të dy ushtrive në një kohë kur rivaliteti ushtarak dhe diplomatik është gjithnjë e më i ashpër për shkak të luftës në Ukrainë.

Bëhet e ditur se ambasadat e Nigerisë dhe ato ruse në Uashington nuk kanë pranuar të komentojnë në lidhje me zhvillimin, shkruan the Guardian, përcjell Telegrafi.

Ndryshe, SHBA-ja dhe aleatët e saj janë detyruar të zhvendosin trupat nga disa vende afrikane pas grusht shtetit që sollën në pushtet grupe të etura për t’u distancuar nga qeveritë perëndimore.

Përveç Nigerisë, trupat amerikane janë larguar edhe nga Çadi, ndërsa forcat franceze janë larguar nga Mali dhe Burkina Faso.

Kjo gjendje po shfrytëzohet nga Rusia e cila po kërkon të forcojë marrëdhëniet me vendet afrikane. Për shembull, Mali është bërë një nga aleatët afrikanë më të afërt të Rusisë. Madje, Wagner është vendosur atje për të luftuar xhihadistët.

SHBA-ja ka ndërtuar bazën ajrore 201 në Nigeri me një kosto prej më shumë se 100 milionë dollarësh. Që nga viti 2018, ajo është përdorur për të shënjestruar luftëtarët e ISIS-it dhe al-Kaedas.

Por, kërkesa e nigerianëve për largimin e trupave amerikane, ngre shqetësime në Uashington për përhapjen e forcave ruse.

Deri më tash nuk është marrë asnjë vendim për të ardhmen e trupave amerikane në Nigeri. sn

Cameron në Kiev: Britania do ta ndihmojë Ukrainën sa të jetë e nevojshme

Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Cameron, ia ka premtuar të enjten Ukrainës 3.74 miliardë dollarë ndihmë vjetore ushtarake “sa të jetë e nevojshme”.

Gjatë një vizite në Kiev të enjten, ai theksoi po ashtu se Britania nuk është kundër që Ukraina t’i përdorë armët që ia dërgon Britania për sulme brenda Rusisë.

“Ne do t’i japim tre miliardë funte çdo vit sa të jetë e nevojshme. Ne sapo kemi dhënë gjithçka që kemi sa i përket pajisjeve”, tha Cameron në një intervistë për Reuters gjatë vizitës në Kiev.

Pakoja prej tre miliardë funte ndihmë ushtarake për Ukrainën është më e madhja nga Britania deri tani, sipas tij.

“Disa prej tyre [pajisjeve] janë duke mbërritur në Ukrainë sot, derisa unë po qëndroj këtu”, shtoi ai.

Cameron tha gjithashtu se Ukraina ka të drejtë t’i përdorë armët që ia jep Londra për t’i goditur caqet brenda Rusisë, dhe se i takon Kievin të vendosë nëse dëshiron ta bëjë një gjë të tillë.

“Ukraina e gëzon atë të drejtë. Sikurse Rusia që po sulmon brenda Ukrainës, mund ta kuptoni lehtë pse Ukraina e ndien nevojën për t’u siguruar se po e mbron veten”, tha Cameron.

Cameron, i cili e udhëhoqi Britaninë e Madhe nga viti 2010 deri në vitin 2016 si kryeministër dhe u rikthye në frontin e politikës pak muaj më parë, u takua me ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Dmytro Kuleba, dhe me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, gjatë vizitës së tij të dytë në Kiev i sekretar i Jashtëm.

Ai e përshëndeti miratimin e paketës së shumëpritur të ndihmës ushtarake amerikane për Ukrainën në vlerë 60 miliardë dollarë.

“Kjo është tejet e rëndësishme, jo vetëm për shkak të armëve që do t’i sjellë, por edhe për shkak se do ta rrisë moralin e popullit këtu në Ukrainë”, nënvizoi ai. REL

Seancë e re e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Bosnjën më 15 maj

Një seancë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Nju Jork për Bosnjë e Hercegovinën më 30 prill 2024.

 

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e ka caktuar një debat për Bosnjë e Hercegovinën për 15 maj.

Nuk është bërë e ditur se cila do të jetë tema konkrete e debatit e as kush do të flasë në seancë.

Këshilli i Sigurimit të OKB-së, me kërkesë të Rusisë, e mbajti të martën një seancë të jashtëzakonshme për Bosnjë e Hercegovinën. Moska e përmendi si arsye të diskutimit “prishjen e situatës së sigurisë dhe rreziqet e cenimit të Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe”.

Debatet në Këshillin e Sigurimit po zhvillohen në kohën kur Serbia dhe politikanët e entitetit serb të Bosnjës, Republika Sërpska, së bashku me aleatin e tyre Rusinë, po lobojnë kundër miratimit të një rezolute të OKB-së për gjenocidin në Srebrenicë, e cila pritet të jetë në rend dite gjatë këtij muaji.

Të enjten, propozimi final për rezolutën për Srebrenicën iu dërgua presidentit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombe të Bashkuara, Dennis Francis, dhe të gjitha misioneve të përhershme në OKB.

Në propozimin final për rezolutën, e cila iu dërgua Radios Evropa e Lirë nga Qendra Memoriale Potoçari, vendimi i OKB-së “për shpalljen e 11 korrikun si Ditë Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë më 1995, do të shënohet çdo vit”.

OKB-ja, siç thuhet në tekst, “dënon pa rezervë çdo mohim të gjenocidit në Srebrenicë si fakt historik dhe u bën thirrje shteteve anëtare t’i ruajnë faktet”.

Më 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e cilësoi si gjenocid krimin e kryer në Srebrenicë, ku më shumë se 8.000 burra dhe djem u vranë nga Ushtria e Republikës Sërpska.

Deri tani, më shumë se 50 njerëz janë dënuar me mbi 700 vjet burgim për gjenocid dhe krime të tjera në Srebrenicë.

Radovan Karaxhiq, presidenti i parë i Republikës Sërpska [1992/1995], entitetit kryesisht serb i cili bashkë me federatën boshnjake dhe atë kroate e përbëjnë Bosnjën, u dënua me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime të tjera, përfshirë në Srebrenicë.

Komandanti i ushtrisë së Republikës Sërpska në atë kohë, Ratlko Mlladiq, po e vuan një dënim me burgim të përjetshëm për gjenocid po ashtu.

Pavarësisht vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, Beogradi zyrtar dhe autoritetet e Republika Sërpskas e mohojnë se është kryer gjenocid në Srebrenicë në korrik 1995, duke e cilësuar vetëm si “krim” atë që kishte ndodhur.REL

Dërgohet në OKB propozimi final për rezolutën për Srebrenicën

Selia e OKB-së në Nju Jork. Fotografi nga arkivi.

 

Propozimi final për rezolutën për Srebrenicën i është dërguar presidentit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombe të Bashkuara, Dennis Francis, dhe të gjitha misioneve të përhershme në OKB.

Njoftimi u bë nga ambasadori i Bosnje e Hercegovinës në OKB, Zllatko Lagumxhija.

“Pas disa rundesh të konsultimeve gjithëpërfshirëse, propozimi final për rezolutën për ‘Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë më 1995’, i hartuar nga një grup shtetesh, i është dërguar presidentit të Asamblesë së Përgjithshme dhe të gjitha misioneve të përhershme në OKB”, shkroi ai në X, që më herët njihej si Twitter.

Ditëve të fundit, konsultime joformale janë mbajtur në selinë e OKB-së në Nju Jork për draft-rezolutën që synon të shpallë 11 korrikun si Ditë Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.

Siç ishte njoftuar paraprakisht në ueb-faqen e OKB-së, në konsultimet për draft-rezolutën morën pjesë misionet e përhershme të Gjermanisë dhe Ruandës, së bashku me misionet e Shqipërisë, Bosnje e Hercegovinës, Kilit, Finlandës, Francës, Irlandës, Italisë, Jordanisë, Holandës, Lihtenshtajnit, Malajzisë, Zelandës së Re, Sllovenisë, Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Ndërkaq, më 30 prill, Këshilli i Sigurimit i OKB-së mbajti një seancë për Bosnje e Hercegovinën me kërkesë të Rusisë. Seanca u mbajt me arsyetimin për të diskutuar situatën e sigurisë dhe rreziqet e cenimit të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit. Rusia kërkoi mbajtjen e seancës pas letrës së Zhellka Cijanoviqit, anëtares serbe të Presidencës së Bosnjës që i dërgoi Këshillit të Sigurimit.

Seanca u mbajt në kohën kur Serbia dhe politikanët nga entiteti i Republikës Sërpska në Bosnje, dhe aleatja e tyre, Rusia, po lobojnë kundër miratimit të rezolutës për gjencodin në Srebrenicë në OKB. Votimi i kësaj rezolute në Asamblenë e Përgjithshme gjatë majit.

Kur Këshilli i Sigurimit i OKB-së vendosi të miratonte një rezolutë për gjenocidin në Srebrenicë nëntë vjet më parë, Rusia vendosi veto dhe miratimi dështoi. Kësaj radhe, rezoluta do të hidhet në votim në Asamblenë e Përgjithshme, ku nuk ka të drejtë të vetos.

Pavarësisht vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, Beogradi dhe autoritetet në Republikën Sërpska mohojnë se në korrik të vitit 1995 në Srebrenicë është kryer gjenocid.

Më 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e cilësoi si gjenocid krimin e kryer në Srebrenicë, ku më shumë se 8.000 burra dhe djem u vranë nga Ushtria e Republikës Sërpska.

Deri më tani, më shumë se 50 persona janë dënuar me mbi 700 vjet burgim për gjencodin dhe krime të tjera të kryera në Srebrenicë. REL


Send this to a friend