Pavarësisht përpjekjeve të opozitës për të bllokuar procesin zgje-dhor, kryeministri Edi Rama është i sigurt se zgjedhjet jo vetëm që do të mbahen, por edhe do të jenë të vlefshme. Teksa konsumoi një kafe me banorë të Njësisë 1 në kryeqytet dhe i shoqëruar edhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Rama u shpreh se me gjithë përpjekjet e opozitës për të penguar mbajtjen e zgjedhjeve, mjaftojnë që në çdo zonë të ketë edhe një kuti të vlefshme votash për të shpallur fituesin e zgjedhjeve në çdo njësi. “Këta janë qesharakë. Pastaj është e kotë e gjitha, sepse zgjedhjet, edhe sikur ta zëmë se do prishësh këtu, do prishësh atje, në këto kushte kur janë pa kundërshtarë një kuti mjafton dhe mbaron, s’ka asgjë. Është një gjë e kotë”, – u shpreh kryeministri Edi Rama gjatë bashkëbisedimit me banorët. Në fjalën e tij Rama ai foli edhe për situatën më të fundit që ka të bëjë me KZAZ-të, ndërsa theksoi se vështirësitë nuk e trembnin, por veçse e stimulonin për të punuar më shumë. Gjithsesi ai u shpreh se këto sjellje se opozita është në një situatë të vështirë për shkak të frikës që ka nga reforma në drejtësi.
“Vështirësitë na stimulojnë. Duhet t’i kuptojmë edhe ata, janë në hall të madh. Kanë hall të madh, s’kemi çfarë iu bëjmë. Është fatkeqësi e madhe ai njeri. Nuk kanë, janë përpjekje të dëshpëruara, janë grahmat e fundit mendoj. Do bëjnë akoma edhe disa sherre të tjera, por nuk kanë asnjë të ardhme. Janë pa të ardhme”, – u shpreh Rama. Duke u ndalur te ngjarjet e dy ditëve më parë në Shkodër Rama tha se ajo ishte një shfaqje e turpshme dhe përpjekje të dëshpëruar e drejtuesve të opozitës për të trembur njerëz që të mos marrin pjesë në zgjedhje. “Ajo e Shkodrës dje ishte e turpshme, është e gjitha një përpjekje e dëshpëruar. Nuk kanë mundësi të bëjnë më shumë se s’kanë popullin me vete. Është e qëllimshme e gjitha, është për televizion, për fotografi, për të çuar jashtë, për të krijuar idenë që ky vend nuk meriton të respektohet dhe s’meriton të hapen negociatat, se kanë tmerrin që po të hapin negociatat fillon kapitulli i drejtësisë”, tha Rama. Ai njoftoi, gjithashtu, edhe nismën e shumicës që ai drejton për të ashpërsuar dënimet për veprat penale që kanë të bëjnë me zgjedhjet, duke i ndaluar personat që do të dënohet për këto vepra që të dalin jashtë vendit deri në 10 vjet. “Do kalojmë Kodin Penal nesër. 5-10 vjet do ndalojmë daljen nga shteti të atyre që dënohen për krime elektorale me Kod Penal nesër.
Plus që jemi në kontakte dhe jam i bindur, që jo vetëm SHBA që e kanë të prerë këtë punë dhe s’ka për të shkelur njeri në SHBA, nga të gjithë këta që bëjnë këto, por edhe në Bashkimin Europian i kemi të gjitha indikacionet e qarta që do i vendosim nëpër listat e zeza. Le të shkojnë! 5-10 vjet do ta vëmë në Kodin Penal pasi dënohesh. Del nga burgu, nuk shkon më jashtë shtetit për 5 deri në 10. Të merret pasaporta edhe rri këtu”, – deklaroi ai. Sa i përket përgjimeve që lidhen me zgjedhjet e Dibrës në vitin 2016 dhe ku ai del duke biseduar me Arben Keshin, kryeministri konfirmoi edhe një herë se do ta bënte sërish atë bisedë. “Merren me pisllëqe, me përgjime. Nuk më shqetëson kjo pjesë, se ato biseda i bëj përsëri. Ato janë biseda për fushatën elektorale, për komisionerët, për objektivat, për pritshmëritë, patjetër, këtë punë bëjmë, prandaj i mundim ata, se jemi të organizuar, se dimë se çfarë bëjmë”, shtoi Rama. Por ai theksoi se pavarësisht këtyre përpjekjeve të opozitës, mazhoranca nuk do tërhiqet nga rruga për të qeverisur vendin, pasi mendon se është në të drejtën e saj. “Bërtet hajduti, “kape hajdutin”! Dihet ajo punë. Ishin mësuar ata që socialistët hapin rrugë, se janë të urtë, janë njerëz me paqe dhe bëjnë të fortin se hapin rrugë. Ka ikur ajo kohë. Ka shumë rëndësi a je me të drejtën, a s’je me të drejtën. Kjo është e gjitha. Nëse je me të drejtën nuk mund të tërhiqesh kurrë, nëse s’je me të drejtën është tjetër gjë pastaj”, – u shpreh kryeministri.
Komentet