Z. Abaz! Sot është ditëlindja e Elena Qiricit, cfarë ju kujton kjo nga shkrimet e shumta që keni shkruar për të?
Unë kam botuar një numur të madh shkrimesh nga viti 1986 për Elena Qiricin dhe kam një kapitull të vecantë “Elena Qirici, Shqiptarja e parë në Hollivud”, në librin tim “Shqiptarët në Kinematografinë Botërore”.
“The little Helena”, kështu u quajt në qarqet artistike botërore dhjetëvjeçarja Elena Qirici, e cila shkëlqeu në Shqipëri e kudo në botë që në moshën 7-8 vjeçare si këngëtare,kërcimtare,akrobate dhe aktore e madhe e ekranit që bëri jehonë që në hapat e para të karierës së saj artistike në gjysmën e parë të viteve 30’të.
Elena Qirici lindi në një familje artistësh. Familja Qirici me origjinë nga Orgocka e Kolonjës ishte vendosur në Korçë më 1900. Si shumë shqiptarë të tjerë edhe Nikolla Qirici me dy djemtë e tij, Vasilin dhe Dhimitrin, emigruan në Sh.B.A. Vasili, lindur në Korçë më 1901 në atë kohë ishte rreth 14 vjeç. Aty me mundime arrijtën të çelnin një dyqan ku u punësua e gjithë familja. Djali i tij, Vasili kishte prirje artistike e veçanërisht për muzikë prandaj në kërkim të mundësive të reja riemigroi në Havanë të Kubës, ku qëndroi rreth 20 vjet. Atje u lidh me një grup instrumentistësh dhe mësoi përdorimin e kitarës havajane.
Pasioni i tij i veçantë tërhoqi vemëndjen e instrumentistëve të njohur dhe ata e ndihmuan që ai regjistrohej në një shkollë muzike. Mbasi mbaroi shkollën u nis nga Kuba, për në kontinentin e largët, në Melburn, Australi, ku çeli vetë një kurs muzike për kitarë, mandolinë, violinë dhe krijoi një formacion të rregullt orkestral. Mes këtyre instrumentistëve njohu edhe bashkëshorten e tij të ardhëshme, Rubin.
Në vitin 1925(1928!) në Melburn lind vajza e tyre, Elena. Që kur ishte dy vjeçe atë e prunë në Korçë dhe jetoi deri në vitin 1936 pranë ungjit të saj. Aty i ati e futi para kohe në shkollë për të mësuar shkrim e këndim në gjuhën shqipe.
Trioja, Vasil, bashkëshortja e tij, Rubin me origjinë australiane si dhe i vëllai Taqo (Dhimitër) Qirici, mbasi kishin bërë një turne nëpër botë me këngë dhe kitara havajane, u kthyen në Korçë në vitin 1935. Vajza e Vasil Qiricit, Elena, atë vit porsa kishte mbaruar dy klasë të shkollës fillore. Ajo vërtet kish treguar talent që në fëmijëri, por prindërit as që mund ta mendonin se do të bëhesh një artiste e njohur.
Megjithatë ata iu vunë punës për stërvitjen e saj dhe pas disa javëve u çuditën edhe vetë nga përparimet e Elenës. Prindërit tashmë organizuan një koncert në skenën e kinemasë së Korçës, por këtë herë në programin e tyre bënte pjesë edhe Elena e vogël. Interpretimi i saj pati sukses përpara një publiku vërtet artdashës e me tradita por edhe kritik i rreptë. Kjo bëri që ata të bënin një turne nëpër gjithë Shqipërinë që në vitin 1935. Këto koncerte u mirëpritën, u duartrokitën, publiku dhe kritika dalluan tek Elena e vogël një të ardhme të madhe.
Elena Qirici, ne qender.
Nga skenat e thjeshta të kinemave shqiptare të asaj kohe filloi kariera artistike e saj që jepte shënja të qarta të një artisteje të lindur. Ky sukses bëri që prindërit ta merrnin me vehte dhe e shpunë në Vienë ku u regjistrua në një shkollë dansi. Nuk kaluan as tre muaj kur ajo kish grumbulluar një mjeshtëri, aftësi dhe besim aqë të madh sa që menjëherë shkëlqeu në skenat e Vienës. Suksesi i saj u bë objekt i menjëherëshëm i qarqeve artistike,i kritikës dhe i shtypit vienez. Drejt Elenës u vërsulën përfaqësuesit e shoqërive teatrore të varietesë. Tek Elena e vogël ata panë një burim të madh fitimesh.
Një natë,kur po jepte shfaqje,në dhomën e saj të makiazhit,u paraqit përfaqësuesi i një shoqërie italiane shumë të njohur për kohën,”Fratelli Schwarz” të cilët përfunduan një marrëveshje gjashtëmujore me teatrin revistë “Bartoldissimo”. Në këtë ansambël varieteje bënin pjesë mbi 80 artiste të tjera, por Elena e vogël u bë menjëherë protagoniste dhe ajo që i siguroi suksesin shoqërisë “Bertoldissimo”.
Turneu që bëri kjo trupë nëpër të gjithë Italinë korri sukses të plotë. Shtypi i rezervoi asaj shumë shkrime të gjata, duke e mbiquajtur “La piccola grande diva”(vogëlushja hyjneshë e madhe). Revistat italiane botonin me shumicë fotografitë e mëdha të Elenës së vogël në të gjitha faqet e para..
Ajo dha shfaqje gati në të gjithë Italinë si në Milano, Bolonjë, Firence etj. Aqë lart ishte ngritur fama e saj sa që në shfaqjen e dhënë në Romë në teatrin “Quirino” mori pjesë edhe familja mbretërore.Ky sukses i kaloi kufijtë e Italisë prandaj u vërsulën drejt saj konkurentë të shoqërive të tjera evropiane. Atë e angazhoi shoqëria “ABC” e Parisit, ku interpretoi përkrah artistes së njohur Maria Dubas përnjë kohë të gjatë.
Suksesi i padiskutushëm i saj edhe në Teatrin “ABC” të Parisit tërhoqi vëmëndjen edhe të “peshkaqenve”, drejtuesve të shoqërive kinematografike që bridhnin nëpër botë për të tërhequr “Yje” për Hollivudin.
Kështu ajo u angazhua menjëherë nga shoqëria më e madhe kinematografike amerikane “Metro-Goldwin-Mayer”(MGM). Gazetat evropiane të Romës, Parisit, Londrës, Vienës dhe kudo që ajo dha shfaqje u vlerësuan në apogje.Në Hollivud Elena u xhirua brënda vitit në dyfilma ku interpretonte në rolet kryesore. Atje vazhdoi paralelisht edhe një shkollë të edukatës fizike dhe të kërcimit që ishte brënda stabilimenteve kinematografike të shoqërisë M.G.M. Kjo përgatitje e mëtejshme e bëri atë më të aftë, talentit të saj të lindur iu shtua edhe mjeshtëria e lartë artistike prandaj shtypi amerikan e barazoi me të famshmen balerinë amerikane të kohës Eleanor Powell që ka interpretuar me shumë sukses në shumë filma, një pjesë e të cilëvet janë shfaqur edhe në Shqipëri si p.sh.”Follie di Broduej”(1936). Shtypi e vlerësoi lart Elenën e vogël jo vetëm si balerinë e këngëtare por edhe si akrobate dhe me cilësi të larta aktoreske, si një aktore e lindur.
Elena Qirici, ne vendlindje.
Por Elena dhe prindërit e saj, megjithë suksesin që korrën kudo nëpër botë dhe duke qënë e angazhuar në shoqërinë kinematografike M.G.M.,në kohën e pushimeve, nuk e harroi vendin e lindjes dhe u rikthye në Atdhe në fillim të vitit 1938 për t’i shërbyer edhe popullit të saj me artin e saj të madh. Shfaqjen e parë e dha në vëndin e lindjes, në Korçë, nga ku kishte filluar karierën e saj artistike. Kur shëtiste nëpër Korçë e shihnin ish shoqet e saj që e kishin patur në klasë në fëmijëri, por që tashmë ishte kthyer midis tyre si një artiste e madhe e skenës dhe e kinematografisë, si një perëndeshë e vogël e Hollivudit. Veç një gjë nuk kish ndryshuar, ajo ishte e thjeshtë, e përzëmërt dhe krenare për vendlindjen e saj.
Korça që i dha duartrokitjet e para të nxehta në hapat e para të karierës së saj artistike e pa tashmë të rritur, 13 (10!) vjeçare,si një artiste të madhe. Në mbrëmjen e 25 majit 1938 salla e kinemasë “Majestik” ishte e mbushur plot e përplot dhe priste me padurim fillimin e shfaqjes. Mbas pjesës së parë, ku interpretuan prindërit dhe xhaxhai i saj këngë dhe muzikë të ndryshme, doli në skenë e pritur me padurim Elena.
Shtypi i kohës shkruante:
“ …Kur doli Elena, një buzëqeshje ëngjëllushje e lehtë, tërheqëse, gjeste harmonike. Ajo këndoi me bukuri të rrallë, salla buçet dhe duartroket me thirrjet “bravo”. Ishte një spetakël që s’e kishte parë ndonjëherë Korça plakë…ajo provoi se Shqipëria mund të mburret me këtë vajzë në botën artistike…
Publiku artdashës dhe shtypi shprehte bindjen se Elena kish për të arritur në sferat më të larta artistike, ajo u la atyre të kuptojnë se do të bëhesh një nga artistet më të mëdha të botës kinematografike për të nderuar prindërit dhe Atdheun e saj…”
Disa ditë më parë se Elena të jepte shfaqje në kryeqytet, shtypi e reklamoi me shkrime të mëdha e të dukëshme, me fotografi të mëdha si dhe me vlerësime të larta. Një nga gazetat në reklamën e saj të madhe
më 15 qershor 1938 shkruante:
…“Të mërkurën ora 9 në kinema “Nacional” debuton “Ylli kinematografik shqiptar”,Elena Qirici, valltare, akrobate, këngëtare… Tërë shtypi evropian dhe amerikan i kanë ngritur lart cilësitë e të voglës Elena Qirici.
Ka entusiazmuar publikun e Londrës, Parizit, Vienës, Romës, është artistja kryesore e dy filmave të “M.G.M”. Evenimenti më i madh artistik që është shfaqur deri më sot në Shqipëri është spektakli i 11 vjeçares Elena Qirici…”.
Gazetat njoftonin në krye të faqes së parë, për shfaqjen që do të jepej. Mbas shfaqjes, në një shkrim me titull “Sukses i jashtëzakonëshëm i vogëlushes Elena” thuhej ndër të tjera:
“…Nga shfaqjet artistike që ka parë deri më sot publiku i Tiranës, ajo që ka tërhequr më shumë interesimin e publikut dhe që quhet me të drejtë një eveniment i madh artistik për gjithë Shqipërinë ishte shfaqësina e artistes me famë botërore Elena Qirici. Elena e jeton muzikën që kërcen më një harmoni të mbaruar lëvizjesh dhe buzëqeshjesh. Në Amerikë është konsideruar më tepër se një yll. Eshtë një artiste që posedon me të vërtetë diçka që nuk mësohet por vetëm lindet dhe që me të vërtetë nderon gjithë kombin shqiptar në botën e huaj…”.
Para shfaqjes që do të jepte në Vlorë, në kinemanë e qytetit, një gazetar shkruante:
“… E vizitova rastësisht Elenën e vogël. Në tryezën e gjerë të kafenesë, ku qëndronte duke kënduar, më priti me një buzëqeshje karakteristike artisteje…, mbas shumë manifestimesh artistike nëpër Evropë ajo kthehet prap në Shqipëri për të kaluar disa kohë pranë Atdheut të saj të dashur….Kështu është jeta e artit, në heshtjen eterne të vetmisë, artisti kujton racën, vendin e tij…,më tha ajo me tonin e saj të ngadaltë në mes të zhurmës së kafenes ku ndodhej me nënën dhe babain e asj….Kur ika, në sytë e saj pashë të reflektohej drita e vagëlluar E. Qirici Koncert i një artisteje të madhe…”Tiranë 1938
Edhe shfaqja në Vlorë korri një sukses të jashtzakonëshëm. Në një shkrim thuhesh se:
“… duke parë njerëz, talenti i të cilëve nuk ta mbush syrin, duke parë Elenën të qarkullojë nëpër rrugë si një fëmijë tepër i zakonëshëm mendon se reklama që i bëhet është vetëm një teprim. Por ajo ishte një fëmijë i jashtzakonëshëm dhe i zhgënjeu këto paragjykime. Ajo u rrit si një “yll” i cili premtonte shumë dhe e mbuluar me një mister të pabesushëm. Skeptiçizmi dhe thashethemet u përgënjeshtruan paratalentit të saj…”.
“Kur ajo filloi të kërcente, – shkruhej- … ajo e tregoi se e meriton emrin që e gëzon, ishte një spektakël i bukur, që e bënte njeriun të humbiste përmes iluzionesh, të kërkonte diku në kujtimet e tij ndonjë shëmbëll të metë…. Në çast na u kujtua se ndodheshim para një fenomeni të vërtetë që bënte me trupin e saj çdo gjë…”. Nën këto përshtypje shumë të bukur dhe të ëmbël kaluan minutat e para për shikuesit e shumtë… . Të gjithë po habiteshin, seicili filloi të rrëfente heshtëshëm impresionet e tij….njeriu ishte i rrëmbyer prej një pasioni për të shikuar dhe për të ndier. Pjesa e dytë që përbënte një akt të veçantë dhe të kombinuar lëvizjesh, pati një sukses akomë më të madh. Ishin ushtrimet e zorshme të kërcimit në majë të gishtave (baletklasik-A.H.). Eshtë një nga më të zorshmit dhe qëndron si enigmë para balerinavet të botës, një nga ëndërrat e yjeve të famshëm të Hollivudit dhe një mister edhe i grave Moore të Spanjës… . Ishte një sukses me tërë kuptimin e fjalës,një fenomen i rrallë…”
Elena u vlerësua jo vetëm si balerinë e madhe, por edhe për vetitë e saj aktoreske me shpresa të mëdha për të ardhëshmen. ”Nuk ishte një tip i ngrirë, personash i pafat i shekullit të 17-të, por një mrekulli lëvizëse, një trup plot jetë dhe gjallëri…”
Më 14 qershor 1938 në një shkrim me titullin “Ylli kinematografik shqiptar Elena Qirici” që shoqërohej edhe me një fotografi, thuhej se:
“… disa kohë më parë revista amerikane “The Voice of Lion”, organ i shoqërisë kinematografike Metro Golduin Majer, botonte në faqen e parë një fotografi të madhe që shoqërohej me njoftimin: “Arriti në Hollivud e vogla Elena Qirici, rivalja kryesore e të famshmes balerinë Eleanor Pauell, e angazhuar nga Metro Golduin Majer:”
Elena Qirici dhe prindërit e saj nuk e harruan kurrë Shqipërinë, ishin krenarë për vendin e tyre dhe donin gjithmonë të ktheheshin e riktheheshin në vëndin e tyre. Këtë dashuri për Atdheun e tyre e vlerësonte publiku dhe shtypi që ishin krenarë gjithashtu për bashkatdhetarët e tyre që po e nderonin Shqipërinë kudo në botë. Elena, megjithëse që në vogëli jetoi një kohë të gjatë jashtë Atdheut, e fliste shumë mirë gjuhën e babës. Shtypi vlerësonte edhe të atin duke shkruar se “…ne përgëzojmë edhe zotin Vasil Qirici i cili ka ditur të nderojë kombësinë e tij shqiptare. Edhe zonja Qirici, që është prej origjine australiane, e fliste lirisht gjuhën shqipe, që ishte bërë gjuha e saj…”.
Elena Qiricin më vonë, kur u rrit dhe kuptonte më shumë, e shqetësonte edhe fati i Atdheut, ajo ishte e dëshëruar për të parë në Shqipëri një shkollë artistike. Në vitin 1943 kur po bënte një turne nëpër Itali e vizitoi një gazetar shqiptar i cili shkruan:
“…Kështu përballë po flitshim për punët e vëndit tonë dhe ajo ankohej përse nuk ishte trajtuar një shkollë arti… dhe na nuk mund të bëjshim tjetër veçse të aprovojshim ato që thoshte ajo, por e thirrën E. Qirici Korçë 1938 për të lojtur në skenë, të loste një valle dhe të këndonte një këngë për publikun milanez që e priste me padurim. Këndoi një këngë të lehtë, të përmallshme. Ndoshta mendonte për vëndin e saj të largët, ndoshta për artin e varfër të Shqipërisë…. Ne përfituam ta kapim ashtu, para pasqyrës, me buzëqeshjen dhe përzëmërsinë e saj shqiptare…”
Mbas qëndrimit në Amerikë e angazhuar nga shoqëria Metro-Golduin-Majer, Elena dhe prindërit e saj kthehen në Evropë dhe vendosen në Itali ku vajza vazhdoi veprimtarinë e saj artistike.
Gjatë kësaj kohe luan në disa filma si “Gruaja e ditës”/Woman of the Year; R:George Stevens,1942/përkrah aktores së madhe hollivudiane Katharine Hepburn, etj. Në Itali qëndrojnë deri në vitin 1954, pastaj
shpërngulen e vendosen përsëri në Melburn, të Australisë. Në këtë kohë vajza ishte tërhequr nga veprimtaritë artistike e skenës dhe ekranitdhe në Itali e Australi punoi në atelienë e saj kozmetike. Në vitin 1965
martohet në familjen Ford në Amerikë.
Ajo gjatë gjithë karierës së saj artistike, mburrej me origjinën e saj shqiptare, madje në gjithë afishet e theksonte këtë gjë. Ajo gëzohej shumë kur takonte shqiptarë dhe fliste me ta rrjedhshëm gjuhën shqipe.
Ajo porosiste prodhuesit e filmave që ajo luante, që patjetër ata ti dërgonin këto filma në atdheun e saj, në Shqipëri. Elena u bë artistja e parë shqiptare e kinemasë, femra e pare dhe ne pergjithesi artistja e parë me origjinë shqiptare në Hollivud. Por martesa e saj bëri që ajo të shkëputej nga bota e artit dhe u tërhoq në jetën mondane të familjes të pasur amerikane të Fordëve.
Pas martesës së Elenës dhe largimit të saj nga jeta artistike, i ati Vasili dhe nëna Rubi shkuan në Australi, ku jetuan vitet e fundit të jetës së tyre. Pavarësisht largësisë, çifti Qirici nuk i shkëputi lidhjet me Korçën, ku jetonin të afërmit.
Botuar për herë të parë:
A.Hoxha:“Shkëlqim jetëshkurtër i një artisteje të re” (Helena Qirici)
Skena dhe ekrani, 1987, nr.3 dhe Shqiptarja e re, nr.4, 1987
A.Hoxha: “Mbi debutimin e disa aktorëve shqiptarë në kinematografinë
botërore”.-Bashkimi, 1989
A.Hoxha:.- “Elena Qirici-aktorja e parë shqiptare e kinemasë”- Mirësia,
1996, nr.1, f.6, 24 mars
A.Hoxha:“ Elena Qirici-balerinë dhe aktorja e parë shqiptare e
kinemasë”-Arbëria, nr.1, 1999
A.Hoxha.- “Kështu zbulova famën e Elena Qiricit në botë”-Gazeta
Shqiptare ,26 prill, 2000
A.-Hoxha-Enciklopedi e Kinematografisë Shqiptare botim i I,1999-f-
228-230 dhe botim i dytë 2002,f.329,330
A.-Hoxha-100 vjet kinema në trevat shqiptare,botim 2002,f.126
A.Hoxha: “Historia e Kinemasë në Shqipëri”-vëllim i I-1897-1944-
botim 2007,f.293-295
* * * “Shqiptarët në kinematografinë botërore” me titull: Elena Qirici, shqiptarja e parë në Hollivud.
————————–
Gjatë karrierës së saj ajo ka provuar të jetë aktore, kërcimtare dhe akrobate. Fillimisht ajo punoi në teatrin italian “Bertoldissimo” dhe bëri një turne të sukseshëm nëpër Itali. Ajo ishte protagonistja kryesore, të cilën shtypi i kohës e cilësoi “La piccola grande Dea”, (E madhja hyjneshë e vogël). U shqua për suksesin që pati gjatë xhirimeve të shoqërisë amerikane “Metro Goldwin Mayer”, të Hollivudit. Ajo qëndroi në Hollivud për shumë kohë ku interpretoi në shumë filma.
Eleni Qirici është shqiptare, e lindur në Australi. Artiste e famshme, me baba korçar dhe nënë australiane. Jetën e kaloi mes këngës, aktrimit dhe kërcimit.
Në rini ka qenë e bukur dhe gjithmonë e lakmueshme nga meshkujt. Korçën, vendin e të atit, e preku vetëm kur ishte nëntë muajshe. Kush i ka jetuar ato vite, apo e njeh mirë historinë, padyshim i kujtohet këngëtarja Eleni Qirici. Dha pak koncerte në Shqipëri, duke nisur me Korçën, qytetin e serenatave, me Tiranën, Shkodrën, Durrësin, Elbasanin, etj. Por pjesën më të madhe të suksesit të saj, Qirici e fitoi në Evropë dhe në Amerikë. Rrjedh nga familje artistësh, historia e të cilëve është e lashtë dhe e pasur. Kjo familje, që emigroi në vitin 1890 në Amerikë për arsye ekonomike, më pas do të bëhej një nga pjesëtaret më të rregullta të festave mondane.
Eleni Qirici, artisja e famshme shqiptare, të cilën shtypi botërore e ka vlerësuar maksimalisht, e nisi karrierën e saj artistike që në moshën pesëvjeçare, ku filloi të këndonte, kërcente dhe të merrej me akrobaci, këtë të fundit të mësuar nga xhaxhai i saj. Për herë të parë, ashtu e ndrojtur dhe me çiltërsinë e një fëmijë, Qirici interpretoi në skenën e kinema “majestik”, së bashku me grupin e xhaxhait, i cili falë saj rroku një sukses të madh, që bëri të kapërcente kufijtë e Korçës.
Kur ishte vetëm 13 vjeç, Eleni pushtoi e vetme skenat e vendit. Koncertin e parë së bashku me prindërit e saj, instrumentistë, Eleni e dha në kinema “majestik” në Korçë. Ishte një koordinim i interpretimit të dy prindërve instrumentistë dhe vajzës së tyre që herë këndonte, herë kërcente dhe herë interpretonte si akrobate. Koncerti u prit me entuziazëm të madh, gjë që e inkurajoi vogëlushen, e cila shumë shpejt u bë e njohur për talentin e saj edhe në skenat e qyteteve të Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Elbasanit, Vlorës etj. Ajo befasonte publikun, ndërsa shtypi i kohës e pasqyronte turneun artistik të Elenës duke evidentuar talentin e saj artistik, veçanërisht për këngët.
Shkollimi në Vjenë dhe suksesi në Evropë
Prindërit, duke qenë vetë artistë kuptuan se vajza kishte aftësi të rralla artistike, ndaj vendosën ta çonin për studime në Vjenë, në një shkollë kërcimi. Nuk kishin kaluar as tre muaj që Eleni mësonte në këtë shkollë, kur u ngjit në skenën e teatrit variete të Vjenës. Interpretimi i saj plot jetë, shkathtësi dhe besim në vetvete ra menjëherë në sy të kritikëve të artit, të cilët filluan ta mbështesnin këtë talent të ri. Shtypi filloi të shkruajë për të dhe padyshim kjo tërhoqi vëmendjen e menaxherëve italianë, të cilët kërkonin talentet e reja dhe u ofronin rrugë drejt suksesit. Kështu ndodhi edhe me Elenin.
Në një koncert të saj në Vjenë u paraqit përfaqësuesi i shoqërisë italiane “Frateli Schwarz”, tepër e njohur në atë kohë, që i ofroi një marrëveshje 6-mujore. Në këtë shoqëri bënin pjesë 80 artistë, por Eleni e vogël u bë shumë shpejt protagonistja kryesore, duke siguruar suksesin e shoqërisë “Bertoldissimo”. Shfaqjet artistike të organizuara nga kjo shoqëri në shumë qytete të Italisë ishin një sukses i madh dhe sigurisht e ndihmuan Elenën të bëhej e njohur shumë shpejt në jetën artistike italiane. Shtypi italian i rezervoi Eleni Qiricit një vend të veçantë dhe për të u shkruan mjaft artikuj, ku ajo emërtohej si “La picola grande diva” (vogëlushja hyjneshë e madhe).
Me këtë koncert ajo interpretoi gati në të gjitha skenat e qyteteve të mëdha italiane si në Romë, Milano, Bolonjë, Firence etj. Por kjo jetë artistike i shërbeu për të dalë tej kufijve të Italisë. Tek Eleni mbërritën menaxherë të shoqërive evropiane, mes të cilëve artistja e re korçare zgjodhi shoqërinë franceze “A.B.C” të Parisit.
Rrugëtimi drejt Hollivudit
Tek Eleni ishin ndërthurur gjithë cilësitë e mira: talenti si këngëtare, kërcimtare dhe akrobate. Bashkëngjitur talentit, bukuria e stili i veçantë që e karakterizonte në jetë, këto veçori bënë që Qirici të tërhiqte vëmendjen e shoqërive kinematografike amerikane. Një përfaqësues i kinematografisë amerikane të Hollivudit, “Metro – Golduin – Mayer”, i ofroi të bëhej pjesë e projektit të tij. Pranoi.
Që në vitin e parë të mbërritjes në Amerikë, Qirici interpretoi disa role kryesore, në të cilat këndonte, kërcente dhe interpretonte në mënyrë të shkëlqyer. Talenti i saj shumë shpejt të ishte e mirëpritur nga artdashësit amerikanë. Pa vonuar, vepra e vajzës shqiptare u pasqyrua edhe në mjaft media amerikane, të cilat nisën ta krahasojnë me balerinën e famshme amerikane të kohës Eleonor Pauell.
Në verën e vitit 1938, Eleni bashkë me prindërit u kthye në Korçë, ku veç kujtimeve, kishte aty edhe plot të afërm. Për t’i respektuar ajo vendosi të japë një koncert tek kinema “majestik”, prej nga mori rrugë veprimtaria e saj artistike. Bashkë me të interpretonin edhe prindërit. Disa ditë më vonë ky koncert u dha në kryeqytet. Shtypi i kohës bënte reklamën një ditë më parë: “Të mërkurën, ora 9 në kinema “Nacional” interpreton ylli kinematografik shqiptar Eleni Qirici, këngëtare, valltare dhe akrobate…
Tërë shtypi evropian dhe amerikan i kanë ngritur lart cilësitë e të voglës Eleni Qirici. Ajo ka entuziazmuar publikun e Londrës, Parisit, Vjenës, Romës, është artistja kryesore e dy filmave në Hollivud. …Eshtë një artiste që posedon me të vërtetë diçka që nuk mësohet, por vetëm lindet, që me të vërtetë nderon gjithë kombin shqiptar në botën e huaj”. Një ditë pas shfaqjes në shkrimin me titull “Sukses i jashtëzakonshëm i vogëlushes Eleni” shkruhej: “… ishte një eveniment i madh artistik për gjithë Shqipërinë, ishte shfaqësina e artistes me famë botërore Eleni Qirici. Eleni e jeton muzikën që kërcen me një harmoni të mbaruar lëvizjesh dhe buzëqeshjesh. Në Amerikë është konsideruar më tepër se një yll”.
Martesa në Amerikë dhe mbyllja e karrierës
Shkëlqimi i artistes së re shqiptare nuk kishte si të mos tërhiqte vëmendjen e elitës amerikane. Koncertet e saj dhe më pas edhe filmat ku ajo interpretonte ndiqeshin dhe vlerësoheshin prej shtresave të pasura të Amerikës. Babai i saj, Vasili, përpiqej ta mbante larg mjediseve të elitës amerikane dhe e këshillonte që shokun e jetës ta zgjidhte mes emigrantëve shqiptarë që jetonin dhe punonin në atë kohë në Amerikë.
Ai parandiente se martesa me një amerikan apo ndonjë të huaj tjetër do ta largonte nga prindërit, të afërmit, vendi i tij. Ishte kjo arsyeja që ai refuzonte edhe kërkesat që i vinin për martesë nga djem të kombësive të tjera. Pavarësisht kësaj, Qirici u martua me djalin e një prej familjeve më të pasura në Amerikë, Fordi. Por kjo martesë i kushtoi artistes shqiptare të hiqte dorë nga bota e artit, duke iu përshtatur kështu jetës mondane.
Historikisht populli amerikan nuk lejon që një parti ta ketë gjithë pushtetin
Dje, amerikanët bënë atë që e kanë bërë shumë herë gjatë historisë. Dy vite pasi zgjodhën bindshëm Presidentin republikan Donald Trump, dolën në votime dhe ia dhanë kontrollin e Kongresit Partisë Demokrate.
Ky është një nga shembujt më të mirë se si funksionon demokracia amerikane.
Amerikanët nuk duan që një parti të kontrollojë gjithçka: Shtëpinë e Bardhë, Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin. Ata duan që pushteti të ndahet dhe të dyja partitë të marrin pjesë në vendimet që merren për vendin e tyre.
Gjatë mbi 40 viteve të fundit, pothuajse çdo president amerikan, republikan apo demokrat, ka përjetuar humbje të partisë së tij në Kongres gjatë zgjedhjeve të mesmandatit. Ja disa shembuj:
– Në vitin 1986, gjatë mandatit të dytë të Presidentit republikan Ronald Reagan, demokratët ruajtën kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe morën kontrollin e Senatit.
– Në vitin 1994, dy vite pasi Bill Clinton u bë president, demokratët humbën kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit.
– Në vitin 2014, gjatë presidencës së Barack Obamës, demokratët humbën kontrollin e Senatit, pasi kishin humbur Dhomën e Përfaqësuesve në vitin 2010.
– Në vitin 2018, gjatë mandatit të parë të Donald Trump, republikanët humbën kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve.
– Në vitin 2022, gjatë presidencës së Joe Biden, demokratët humbën kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve.
– Këtë vit, në 2026, gjatë mandatit të dytë të Donald Trump, republikanët humbën kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit.
Presidentët dhe partitë ndryshojnë. Por mesazhi i popullit amerikan mbetet i njëjtë: Asnjëra parti nuk duhet ta ketë gjithë pushtetin në dorë.
Zgjedhjet për Kongres janë edhe një mundësi që amerikanët t’i kërkojnë llogari presidentit dhe partisë së tij. Në fushata zgjedhore zakonisht premtohet ekonomi më e fortë, çmime më të ulëta, paga më të larta dhe jetë më e mirë për familjet amerikane.
Por pas dy vitesh, nëse qytetarët mendojnë se jeta nuk u është përmirësuar, ata kanë mundësinë të reagojnë me votën e tyre. Për 250 vite, populli amerikan ka luftuar dhe punuar për të mbrojtur këto liri dhe demokracinë e tij.
Komuniteti ynë shqiptaro-amerikan kurrë nuk është shqetësuar nga ndryshimet në Kongres. Kjo sepse ne gjithmonë kemi punuar me të dyja palët, demokratë e republikanë, dhe do të vazhdojmë të punojmë me të dyja partitë.
I përgëzoj të gjithë miqtë tanë, demokratë dhe republikanë, që u rizgjodhën ose siguruan për herë të parë një vend në Kongresin amerikan. Ne do të vazhdojmë të punojmë për të ardhmen e Amerikës dhe për forcimin edhe më tej të miqësisë mes Shteteve të Bashkuara dhe popullit shqiptar në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës.
Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të gjithë amerikanët, kudo që janë!
Një mbrëmje e veçantë kushtuar trashëgimisë dhe kulturës shqiptare do të organizohet më 7 dhjetor në arenën e famshme Madison Square Garden në New York, gjatë ndeshjes së hokejit mes New York Rangers dhe New Jersey Devils.
Lajmi është bërë i ditur nga Marko Kepi, president i organizatës Albanian Roots, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale ka njoftuar organizimin e aktivitetit “Albanian American Heritage Night” (Nata e Trashëgimisë Shqiptaro-Amerikane).
Sipas njoftimit, Madison Square Garden dhe Albanian Roots do të bashkëpunojnë për organizimin e kësaj mbrëmjeje, e cila synon të promovojë trashëgiminë shqiptare dhe të bashkojë komunitetin shqiptaro-amerikan përmes sportit.
Aktiviteti do të zhvillohet të hënën, më 7 dhjetor, në orën 19:00 me orën lokale të New York-ut, gjatë përballjes së New York Rangers me New Jersey Devils.
Një element i veçantë i kësaj mbrëmjeje do të jetë edhe kapelja ekskluzive e New York Rangers me flamurin shqiptar, e cila do të përfshihet në çdo paketë bilete të aktivitetit.
Gjithashtu, një pjesë e të ardhurave nga çdo biletë e blerë do të shkojë për mbështetjen e nismave të organizatës Albanian Roots, e njohur për aktivitetet e saj në promovimin e identitetit dhe trashëgimisë shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Panorama
Albanian Student Association at Fordham University Hosts Book Event Honoring the Late Mustafa Elezi and the Jahelez Family
The Albanian Student Association at Fordham University invites you to join us for an afternoon book discussion honoring the late Mustafa Elezi and the Jahelez family. Together, we will reflect on The Jahelez of Dragobia: One Family’s Resistance Against Communism, an inspiring true account of courage, faith, and survival under communist dictatorship.
Event Highlights:
Tribute: Opening ceremony featuring the American and Albanian national anthems, followed by a moment of silence in memory of Mustafa Elezi and all victims of communism.
Book Discussion: An in-depth discussion exploring the central themes and historical significance of Mustafa Elezi’s life story.
Student Readings: Key excerpts from the memoir.
Books & Refreshments: Copies available for purchase, followed by free food and refreshments.
Where: McShane Center (Rose Hill Commons), Fordham University, Bronx, NY
Hosted By: Albanian Student Association at Fordham University
Admission: Free & open to the public (Registration link to follow)
About the Book
Authored by Ndue Ukcama and translated into English by Lekë Gjon Buçaj, The Jahelez of Dragobia: One Family’s Resistance Against Communism is based on the personal memoir of Mustafa Elezi. It records the true story of a noble family from northern Albania stripped of their property, sent to internment camps, and executed for refusing to yield to tyranny.
Shoqata e Studentëve Shqiptarë në Universitetin Fordham organizon nji përurim libri në nderim të të ndjerit Mustafa Elezi dhe të familjes Jahelez
Shoqata e Studentëve Shqiptarë në Universitetin Fordham ju fton me u bashkue me ne në nji mbasdite bisede mbi librin, në nderim të të ndjerit Mustafa Elezi dhe të familjes Jahelez. Së bashku do të reflektojmë mbi librin “The Jahelez of Dragobia: One Family’s Resistance Against Communism”, nji rrëfim i vërtetë dhe frymëzues guximi, besimi e mbijetese nën diktaturën komuniste.
Pikat kryesore të ngjarjes:
• Nderim: Hapja ceremoniale me himnin kombëtar amerikan dhe atë shqiptar, e ndjekun nga nji minutë heshtje në kujtim të Mustafa Elezit dhe të të gjitha viktimave të komunizmit.
• Bisedë mbi librin: Nji bisedë e thellë mbi temat kryesore dhe randësinë historike të jetës së Mustafa Elezit.
• Lexime nga studentët: Pjesë të zgjedhuna nga kujtimet.
• Libra & Pije freskuese: Kopje të librit do të jenë në shitje, e ma pas ushqim e pije falas.
Hollësitë e ngjarjes:
• Çka: Përurim libri & Bisedë
• Kur: E shtunë, 7 nandor 2026 | ora 1:00 – 3:00 mbasdite
• Ku: McShane Center (Rose Hill Commons), Universiteti Fordham, Bronx, NY
• Organizon: Shoqata e Studentëve Shqiptarë në Universitetin Fordham
• Hyrja: Falas & e hapun për publikun (lidhja për regjistrim do të shpallet së shpejti)
Rreth librit
Shkrue nga Ndue Ukcama dhe përkthye në anglisht nga Lekë Gjon Buçaj, The Jahelez of Dragobia: One Family’s Resistance Against Communism mbështetet në kujtimet personale të Mustafa Elezit. Libri shënon historinë e vërtetë të nji familjeje fisnike nga Shqipnia e Veriut, së cilës iu muer prona, që u internue në kampe dhe u ekzekutue pse nuk iu nënshtrue tiranisë.
Ish-kryetari i Këshillit Koodinues te Diasporës shqiptare, Mark Gjonaj, u drejtohet shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me një thirrje për pjesëmarrje masive në zgjedhjet e 3 nëntorit, duke i ftuar ata të shfrytëzojnë të drejtën e votës dhe të bëjnë zërin e tyre të dëgjohet.
Në mesazhin e tij, Gjonaj thekson rëndësinë e pjesëmarrjes në procesin demokratik, duke rikujtuar se çdo votë ka rëndësi dhe se qytetarët kanë mundësinë të ndikojnë drejtpërdrejt në vendimet që përcaktojnë të ardhmen e vendit ku jetojnë.
“Miq,
MOS U ANKONI, FILLONI TË VOTONI!
Nesër, e martë, 3 nëntor, është dita e zgjedhjeve.
Sigurohuni që zëri juaj të dëgjohet!
Qendrat e votimit do të jenë të hapura nga ora 06:00 e mëngjesit deri në orën 21:00.
Gjeni qendrën tuaj të votimit në këtë adresë: https://findmypollsite.vote.nyc
ÇDO VOTË KA RËNDËSI,
ÇDO VOTË NUMËROHET!
Në shenjë solidariteti,
Mark Gjonaj”,- thuhet në apelin e bërë.
Zgjedhjet e së martës, më 3 nëntor 2026, janë zgjedhje të ndërmjetme (Midterm Elections), të cilat zhvillohen në gjysmën e mandatit presidencial. Këto zgjedhje konsiderohen një moment i rëndësishëm për politikën amerikane, pasi përcaktojnë përbërjen e Kongresit dhe ndikojnë në raportin e forcave politike në Uashington. Panorama
Në një hap historik për komunitetin shqiptaro-amerikan, Diamant Hysenaj, shqiptari i parë që kandidon për Kongresin e SHBA-së në qarkun e 14-të (New York, Bronx dhe Queens), ka bashkuar forcat me Bruce Blakeman, kandidatin për guvernator të New York-ut.
Ky partneritet vjen si një thirrje e fuqishme për ndryshim, lehtësim ekonomik dhe mbështetje të pakushtëzuar për familjet dhe bizneset.
Gjatë takimit të tyre, Bruce Blakeman vuri në dukje se taksat e larta, faturat e papërballueshme të energjisë dhe çështjet e sigurisë publike kërkojnë veprim të menjëhershëm, duke u zotuar se së bashku do të punojnë për të ulur taksat, përgjysmuar faturat e dritave e ujit dhe për të rritur sigurinë në komunitete.
Nga ana e tij, Diamant Hysenaj theksoi rëndësinë e kësaj mbështetjeje për diasporën dhe nevojën jetike për një udhëheqje që kupton vërtet sfidat e qytetarëve, duke i dhënë një zë të fuqishëm përfaqësimit shqiptar në nivelet më të larta të qeverisjes në Shtetet e Bashkuara.
Diamant Hysenaj: Përshëndetje! Unë jam Diamant Hysenaj, jam kandidat për Kongres të Amerikës në qarkun e 14-të, Bronx dhe Queens. Jam me Bruce Blakeman, kandidatin për guvernator të ardhshëm për New York-un, Bruce Blakeman. Faleminderit!
Bruce Blakeman: Faleminderit shumë. Të gjithë miqtë e mi shqiptaro-amerikanë po ankohen për taksat e larta, kostot qesharake të shërbimeve dhe mungesën e sigurisë në komunitetet tona. Kështu që së bashku, ne do të punojmë për të ulur taksat, për të përgjysmuar faturat e shërbimeve dhe për të krijuar komunitete më të sigurta, apo jo?
Diamant Hysenaj: Po, po zotëri, Bruce. Zoti të bekoftë. Taksat tona, të shqiptarëve, janë shumë të larta, energjia është shumë e shtrenjtë, kemi nevojë për një lider, një guvernator në New York që na ndihmon familjet tona, të gjithë shqiptarët. Bruce, këtë njeri e kemi në anën tonë!
Kandidati republikan për guvernator të New York-ut, Bruce Blakeman, ka komentuar në një intervistë për News24 protestat në Shqipëri, duke u shprehur se të drejtat e njeriut dhe protestat e lira duhet të mbështeten, ndërsa dhuna dhe shkatërrimi i pronës nuk duhet të jenë pjesë e proceseve politike.
Blakeman nënvizoi se parimet e respektimit të të drejtave dhe të protestës paqësore duhet të zbatohen në çdo vend të botës.
“Unë nuk i di të gjitha çështjet që janë të brendshme në Shqipëri. Besoj se duhet të mbështesim gjithmonë të drejtat e njeriut në çdo vend të botës, të mbështesim protestat e lira, por jo shkatërrimin e pronave dhe aktet e dhunës. Këto nuk duhet të jenë pjesë e proceseve politike. Janë parime që duhet të zbatohen në çdo vend”, u shpreh ai.
Kandidati republikan argumentoi se ndërhyrja e forcave të rendit është e domosdoshme në rastet kur protestat shoqërohen me akte dhune dhe shkatërrime.
“Nuk mund të kesh kaos, shkatërrim, vandalizëm. Këto nuk duhet të jenë pjesë e një diskursi politik”, deklaroi Blakeman për News24.
Bruce Blakeman në News 24: Unë nuk i di të gjitha çështjet që janë të brendshme në Shqipëri. Besoj se duhet të mbështesim gjithmonë të drejtat e njeriut në çdo vend të botës, të mbështesim protestat e lira, por jo shkatërrimin e pronave, aktet e dhunës, nuk duhet të jenë pjesë të proceseve politike. Janë parime që duhet të zbatohen në çdo vend.
Sërish, nëse ata njerëz protestojnë paqësisht, nuk duhet të përdoret dhunë. Por nëse protestuesit krijojnë akte dhune dhe shkatërrime, atëherë patjetër forca është e domosdoshme sepse nuk mund të kesh kaos, shkatërrim, vandalizëm, nuk duhet të jetë pjesë e një diskursi politik.
Bruce Blakeman, kandidat për Guvernator të New York-ut dhe bashkëpunëtor i afërt i Donald Trump, ka vlerësuar kontributin e komunitetit shqiptaro-amerikan, duke u shprehur se do të mbështesë shqiptarët dhe familjet e tyre.
Blakman tha se ka shumë miq shqiptarë dhe se ata janë një komunitet punëtor, që synon një jetë më të mirë, vende pune cilësore, taksa më të ulëta, më shumë siguri dhe arsim më të mirë për fëmijët.
Kandidati për guvernator theksoi se shqiptarët kanë dhënë kontribut në fusha të ndryshme të jetës amerikane, përfshirë shkencën, arsimin, teknologjinë dhe drejtësinë. Ai shtoi se do të mbështesë komunitetin shqiptaro-amerikan, duke vlerësuar përkushtimin e tij ndaj familjes dhe punës.
Sa i përket politikave të emigracionit, ai u shpreh se mbështet largimin e emigrantëve me të dhëna kriminale, ndërsa për ata që ndodhen në SHBA pa dokumentacion të rregullt, por që nuk janë përfshirë në krime, tha se duhet të ketë mundësi për të jetuar dhe punuar në vend. Panorama
Nuk do të thotë se je shqiptar vetem të flasësh shqip apo ta kesh një emër shqiptar, por atë ta dëshmosh së vepruari për kombin tënd.
Kur njerëzit e mëdhej nga vlera dhe cilësia, por dhe nga veprat, e që i bëjnë jo veç për të mirën përsonale por për atë kombëtare në përgjithësi, na janë ajka vlerëmadhe e kombit. Pa të tillët do na mungonte krenaria që e kemi si etni e veçantë para çdo kombi tjetër. Me të tillët njerëz u bëmë faktor dhe prezantues e promovues vlerash edhe gjithandej diasporës shqiptare nëpër botë; me ta u bë disi edhe riidentifikimi i neve si komb; për të cilën vlerë që kishim, forcat e ndryshme sunduese por dhe ato përkrahëse të tyre u përpoqën të na zhbëjnë kombëtarisht. Kësaj nuk iu arrit, falë burrave me më vlerë të kombit, siç na është i yni Shaban Salih Gashi. Ku për këtë të mirë fati na e solli birin e kombit, që kurrë s‘u ndal në shtimvlerën, dhe deri në çlirimin përfundimtar nuk pushoi së vepruari.
Vepra e Shabanit na e dëshmoi se, pavarësisht rrethanave me plot vështirësi e rreziqe me plot sakrifica, të sakrifikosh për atdheun është obligim moral e patriotik për çdo shqiptar.
Me krenarinë më të madhe i vëra këto shkronja në ndërtim fjalësh për njeriun dhe pjesëtarin e familjes tonë Shaban Gashin, i cili që nga rinia e hershme me sjelljet, të bëmat dhe veprimtarinë e vetë të gjithanshme sot na bën krenarë; e çmojmë fatin që e patëm dhe e kemi njeriun më vlerëmadh që mund ta ketë dikush.
Si në fëmijëri, rini dhe në pjekurinë e vet, ishte dhe na është shëmbull i veprimtarisë rezistuese dhe sakrificës për gjithë jetën në të mirën e kombit dhe atdheut.
Edhe pse largë në distancë jetonim, Shabani në Pejë e ne në Grabanicë, vizitat na ishin shumë të shpeshta; kushtet e udhëtimit na ishin shumë të vështira, se për të shkuar në Pejë, njëherë duhej shku këmbë në Klinë (mbi 5km) e mëpastaj me tren…; por këtë e bënim me dëshirën më të madhe. Në atë kohë nuk na ishte magjistralja Prishtinë – Pejë. Në pushimet e gjata shkollore me javë të tëra i kalonim si me Shabanin ashtu edhe me Haxhiun, Aliun, Sadikut e Ganiun (djem të dajës së Shabanit e kushëri të mi); pa i lënë anash hallën time Zelfijen (nanë e Shabanit), bacin Bajram (dajë i Shabanit), dadë Fatimën (motër e Shabanit), pastaj dadën Xufë e kështu me radhë.
Në këto dy familje të Shaban Gashit e Bajram Haxhë Berishës kalova muaj të tërë përgjatë katër viteve përsa isha në shkollë të mesme po në Pejë.
Edhe këta kur na vinin në Grabanicë rrinin me javë tek ne.
Bash asnjë aheng gëzimi nuk e kishte bukurinë e as madhështinë pa pjesëmarrjen e këtyre dy familjeve vlerëmëdha; e sidomos i veçanti ynë Shabani; biles ftoheshin edhe në gazmende të tjera nga shumë familje të Grabanicës; ku me kujtohet në do dasma Shabani, për nderim, ishte edhe flamurtar (bajraktar), siç ishte rasti në dasmën e Anton Arifit, dikund në vitet e 70-ta.
Shabani, me pedantërinë që kishte, ishte një shembull i mirësjelljes dhe adukatës sidomos për neve që rrinim më së shpeshti me të. Edhe sjellja e tij shëmbullore ndaj prindërve të tij, por dhe në përgjithësi, neve na mësonte, se të tillë duhet të jemi edhe ne.
Si jetimë që ishimin (vitetet e 70-ta) përgëdhelja e dadës Zelfije, dadës Fatime e, e Shabanit në veçanti, neve ndjeheshim se nuk qenkemi të vetëm, edhepse tanimë kishim mbetur pa babanë.
Kur na vinin këta në vizitë, e ndjenim veten disi më të fortë dhe më të mëdhej; kjo ishte si punë jetimësh e shumë edhe të varur nga të tjerët.
Nganjëherë Bajram Haxha (Berisha) dajë i Shabanit, vinin në grup familjar tek ne, me vete merrte edhe sharkinë, dhe ia thojke këngës deri në orët e vona e në dritë të llambës apo fitilaçi me vajgur; por nuk mungonte as i veçanti ynë Shabani.
Pas burrërimit Shabanit i erdhi edhe koha për martesë, e këtë e bëri me një rugovase Xhevahiren (Xhevën), vajzë e një babai burrë shumë të çmuar fisnik rugovas, të quajtur Misin. Me të cilin kishim fatin të rrinim shpeshherë, dhe të dëgjonim fjalë tamam burrash.
Edhe pas martesës Shabani me familjen e ngushtë tani të krijuar, Grabanicën e vizitonte shpesh, por tani me rrethana krejtësisht tjera… Ishte një burrë model i burrërisë për të tjerët. Kishte kriju një familje shembullore, dhe vet i punësuar me kualifikime të larta dhe me të ardhura t‘mira. Ishte një familje për lakminë e të tjerëve. Në çdo tubim dhe vizitë ishin të veçuar me pedantërinë dhe kulturën që kishin; pra, ishin një familje tipike intelektuale dhe të respektuar nga të gjithë që e njihnin.
Në vitet e 80-ta sikur u përmbys çdo gjë e tyre; Shabani me veprimtarinë e vet atdhetare ishte bërë halë në syrin e atij pushteti okupues policor; kishin filluar përcjelljet dhe përndjekjet; ftohej pandalshëm në stacionin policor në Pejë; iu bastis disaherë edhe banesa në Pejë; jeta badhkë me gjithë familjen iu bë e pamundëshme të vazhdohej në ato rrethana. Kështu, filloi të rrënohej e tëra e arritu dhe e krijuar si më së miri por me plot mund. Shabani me zemërthyerje detyrohet t‘a lë vendlindjen dhe të emigronte në vende të largëta; së pari në Zvicër pastaj në Gjermani dhe më në fund në Sh.B.A..
Edhe këtu Shabani, pas shumë mundimeve dhe peripetive, shëndriti si Ylli polar; mblodhi familjen rreth vetës dhe u integrua çdokund ku e kërkonte puna me karakter kombëtar; u bë faktor unifikues i mërgatës shqiptare, e sidomos në vitet e 90-ta ku jeta intitucionale kishte ra përtokë nga aparthejdi policor serbosllav. U angazhua që mërgata të jetë sa më kontributdhënëse në të mirën e kombit dhe në çlirimin e Dardanisë. Senzibilizoi çështjen shqiptare (të Kosovës) në qarqet më të larta të mundëshme në ShBA. Që më kohë Shabani kishte kriju kontakte shumë të ndërsjellta dhe të besueshme me kongresmenë dhe emra me peshë të madhe politike në botë. Me të tillë faktorë, e në të mirë të qështjes tonë, Shabani kishte udhëtuar disa herë në Dardani e Shqipëri.
Besimi i shfaqur ndaj Shabanit dëshmojnë shumë emisione televizive e dokumentarë të ndryshëm ku vlerëmadhi na është i dukshëm në shoqërim me njerëz që vendosnin për fatin tonë si komb.
Edhë pas përfundimit të luftës, Shabani nuk ndejti duarkryq; u aktivizua në rimëkëmbjen e Dardanisë së shkatërrur nga lufta barbare; senzibilizoi shqiptarët për ndihmë dhe rindërtim; sidomos të shkollave e spitaleve; dhe me qellim që jeta institucionale të fillojë së vepruari.
Shabani ynë, si pjesë të veçantë të bëmirësisë së tij, mori hapin për ndërtimin e një objekti ndërlidhës ShBA -Kosovë (Dardani), me qëllim aktiviteti të ndërsjellë të vlerave historike, kombëtare e kulturore e pse jo edhe arkivore të këtyre dy vendeve historikisht mike, dhe ky objekt ngreh shtat në Pejën e Haxhi Zekës, me emërtimin ’Shtëpia e Bardhë‘.
Shabanit tonë i falenderohem prej toke e në qiell për të bëmat, për të cilat kurrë nuk kurseu mund e as sakrificë deri në çlirimin definitiv, e që na bëri të gjithëve krenarë që e patëm dhe e kemi.
Shoqëria jonë, por dhe faktori zyrtar i shtetit tonë, i kanë borxh të tillëve, t‘i kenë në konsideratë dhe t‘i çmojnë dhe vlerësojnë si gurthemel të shtetësisë së Kosovës, dhe sikurqë na është vlerëmadhi Shaban, të vlerësohet me Mirënjohje Presidenciale.
U jam përjetësisht mirënjohës nipi ynë vlerëmadh, dhe ju uroj shëndet e mbarësi në vazhdim!
Ps. Arsyeja që nuk më la të shkruaj edhe më gjerësisht, më është dalja e librit të vetë Shabanit këto ditë nga shtypi (botimi), ku janë të përfshira thuajse shumica e të bëmave dhe fakteve, por jo edhe të gjitha ato që e kompletojnë emrin dhe veprën me shumë vlera të këtij njeriu që la gjurmë të pashlyera, të cilat do na janë pjesë e pasurisë së historiografisë tonë kombëtare.
Kohë më parë shfaqa gatishmërinë që të isha pjesë kontributdhënëse e pasurimit të këtij libri, por rrethanat e krijuara një gjë të tillë nuk ma bënë të mundur.
Biznesmeni i mirënjohur shqiptaro-amerikan Harry Bajraktari i ka bërë thirrje ambasadorit amerikan në Tiranë, Eric Wendt, dhe përfaqësuesve evropianë që të angazhohen me protestuesit, qeverinë dhe opozitën shqiptare për krijimin e kushteve për formimin e një qeverie teknike.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Bajraktari kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke argumentuar se ai nuk mund ta mbajë vendin peng.
Gjithashtu, ai i bën thirrje qeverisë që të ndalë dhunën ndaj protestuesve paqësorë dhe të hapë rrugën për një tranzicion paqësor të pushtetit.
Bajraktari thekson se aleatët perëndimorë duhet të monitorojnë të gjithë procesin, me qëllim garantimin e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe demokratike në Shqipëri.
“Ambasadori amerikan Eric Wendt dhe përfaqësuesit evropianë duhet të angazhohen me protestuesit, qeverinë dhe opozitën në Shqipëri për të krijuar kushtet për formimin e një qeverie teknike.
Edi Rama nuk mund ta mbajë vendin peng. Ai duhet të ndalë dhunën ndaj protestuesve paqësorë, të japë dorëheqjen dhe t’i hapë rrugën tranzicionit paqësor të pushtetit.
Aleatët perëndimorë të Shqipërisë duhet ta monitorojnë gjithë procesin. Kjo është rruga e vetme që Shqipëria të ketë zgjedhje të lira, të ndershme e demokratike”, shkruan Bajraktari në reagimin e tij.
Në fund të mesazhit, biznesmeni shqiptaro-amerikan shpreh mbështetjen për Shtetet e Bashkuara, aleatët evropianë të Shqipërisë dhe popullin shqiptar.
Reagimi:
“Ambasadori amerikan Eric Wendt dhe përfaqësuesit evropianë🇪🇺, duhet të angazhohen me protestuesit, qeverinë dhe opozitën në Shqipëri për të krijuar kushtet për formimin e një qeverie teknike.
Edi Rama nuk mund ta mbajë vendin peng. Ai duhet të ndalë dhunën ndaj protestuesve paqësorë, të japë dorëheqjen dhe t’i hapë rrugën tranzicionit paqësor të pushtetit.
Aleatët perëndimorë të Shqipërisë duhet ta monitorojnë gjithë procesin. Kjo është rruga e vetme që Shqipëria të ketë zgjedhje të lira, të ndershme e demokratike.
Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara, aleatët evropianë të Shqipërisë dhe mbarë popullin shqiptar”.
Avokati i njohur shqiptaro-amerikan Joseph Dedvukaj, i cili në shtator 2026, hapi dyert e shtëpisë së tij në Detroit, për të pritur kryeministrin Edi Rama dhe delegacionin e tij gjatë vizitës në Michigan, ka refuzuar publikisht propozimin për t’u emëruar konsull i Shqipërisë në këtë shtet.
Ai ka shkuar më tej duke kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit, në një deklaratë që ka tërhequr vëmendjen e komunitetit shqiptar në SHBA dhe të medias në Shqipëri.
Dedvukaj, avokat me më shumë se 30 vite karrierë në fushën e aksidenteve rrugore dhe me një bilanc mbi 350 milionë dollarë kompensime të fituara për klientët e tij, ishte një nga figurat kryesore të pritjes së ngrohtë që iu bë Ramës në shtëpinë e familjes Dedvukaj.
Në atë kohë, ai e cilësoi darkën si “një nder dhe kujtesë të rrënjëve shqiptare”.
Vetë Rama, gjatë takimit me diasporën, kishte njoftuar hapjen e shpejtë të një konsullate shqiptare në Detroit, si përgjigje ndaj kërkesave të komunitetit të madh shqiptaro-amerikan në Michigan.
Sipas burimeve të afërta me avokatin, propozimi për postin e konsullit erdhi si vazhdim i asaj vizite dhe i premtimit për përfaqësim diplomatik më të afërt.
Por Dedvukaj e ka refuzuar kategorikisht.
Në një mesazh të dërguar mediave dhe të shpërndarë në rrjetet e diasporës, ai shpjegon se nuk mund të pranojë një detyrë, që do ta lidhte me një qeveri të cilën e sheh si të dështuar në përmbushjen e pretendiimeve të shqiptarëve, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
“Nuk mund të shërbej si përfaqësues i një qeverie që nuk dëgjon zërin e qytetarëve të saj. Protestat e fundit në Shqipëri, kërkesat e studentëve dhe të opozitës për dorëheqje nuk janë thjesht zhurmë politike; ato janë shprehje e një lodhjeje të thellë. Unë e hapa shtëpinë time me respekt për institucionin e kryeministrit dhe për diasporën, por respekti nuk do të thotë heshtje kur situata përkeqësohet,” thuhet në deklaratën e tij.
Avokati thekson se postet diplomatike, duhet të shërbejnë interesave të komunitetit dhe jo interesave partiake.
Ai kritikon vonesat në shërbimet konsullore, mungesën e transparencës dhe atë që e quan “përdorim të diasporës për qëllime politike”.
Në këtë kontekst, Dedvukaj i bën thirrje Ramës të japë dorëheqjen, duke argumentuar se vetëm një ndryshim në krye të qeverisë mund të rivendosë besimin e shqiptarëve brenda dhe jashtë kufijve.
Reagimet në komunitetin shqiptar të Michiganit janë të ndara.
Disa e vlerësojnë qëndrimin e Dedvukajt si shenjë të pavarësisë së diasporës, ndërsa të tjerë e shohin si një hap të ashpër ndaj një lideri që ka mbështetur hapjen e konsullatës.
Ndërkohë, nga Tirana nuk ka pasur ende një reagim zyrtar mbi refuzimin e propozimit.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur protestat në Shqipëri, vazhdojnë të kërkojnë ndryshime thelbësore. Dedvukaj, i cili ka ndërtuar karrierën e tij mbi mbrojtjen e të drejtave të individëve, duket se po e zgjeron këtë mision edhe në planin publik, duke e vendosur dinjitetin e diasporës mbi çdo ofertë institucionale.
Avokati shqiptaro-amerikan Joseph Dedvukaj i ka drejtuar një letër të hapur kryeministrit Edi Rama, duke i kërkuar dorëheqjen dhe nisjen e një procesi për kalimin paqësor dhe kushtetues të pushtetit. Në letrën e tij, ai shpreh shqetësimin për situatën politike në Shqipëri, protestat e studentëve, pretendimet për dhunë policore dhe akuzat për korrupsion ndaj zyrtarëve të lartë.
Avokati thekson se dorëheqja e Ramës duhet të konsiderohet një akt përgjegjësie ndaj vendit dhe jo një lëshim përballë dhunës. Ai kërkon gjithashtu një marrëveshje mes mazhorancës dhe opozitës, me përfshirjen e studentëve dhe shoqërisë civile, për të garantuar një tranzicion institucional.
Avokati thekson se rezultati i zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025 duhet të respektohet dhe se 856.177 qytetarët që votuan Partinë Socialiste nuk mund të shpërfillen. Megjithatë, sipas tij, mandati zgjedhor nuk e përjashton kryeministrin nga përgjegjësia për menaxhimin e krizës aktuale.
“Dhuna nuk mund të zëvendësojë qeverisjen kushtetuese”, shkruan ai, duke dënuar si aktet e dhunshme ndaj institucioneve dhe policisë, ashtu edhe përdorimin e paligjshëm të forcës ndaj protestuesve.
Ai kërkon hetime të pavarura për pretendimet e dhunës policore dhe për aktet kriminale gjatë demonstratave, ndërsa thekson se shqetësimet e studentëve për kostot dhe kushtet e arsimit të lartë meritojnë përgjigje konkrete.
Në letër kujtohen edhe protestat studentore të dhjetorit 2018 dhe Pakti për Universitetin, për të cilin avokati kërkon një vlerësim transparent të angazhimeve të realizuara dhe atyre të mbetura të papërfunduara.
Avokati propozon që largimi i Ramës të shoqërohet me një marrëveshje publike politike, e cila të garantojë një qeveri pasardhëse, reforma institucionale dhe zgjedhore, transparencë për investimet e mëdha dhe masa konkrete për arsimin.
Ai u referohet neneve 96, 97, 105 dhe 106 të Kushtetutës, duke argumentuar se kalimi i pushtetit mund të realizohet përmes mekanizmave kushtetues, pa cenuar përfaqësimin parlamentar. Mes propozimeve të tij është edhe nisja e një procesi për ndryshimin e Kushtetutës, me qëllim kufizimin e numrit të mandateve të kryeministrit.
Letra:
Ju shkruaj si shqiptaro-amerikan që ia ka kushtuar jetën shërbimit ndaj komunitetit shqiptar në Miçigan dhe mbështetjes së trevës së Malësisë. Ju shkruaj si dikush që dëshiron ta shohë Shqipërinë të ketë sukses.
Më 20 Shtator 2026, në shtëpinë time në Miçigan, më kërkuat të shqyrtoja mundësinë për t’i shërbyer Shqipërisë në një funksion konsullor në Miçigan. Ju thashë se do ta merrja në konsideratë. Ju jam mirënjohës për besimin dhe ndihem i nderuar nga kërkesa, por me respekt e refuzoj. Ju shkruaj si qytetar privat, pa kërkuar emërim apo përfitim personal, i shqetësuar për të ardhmen e Shqipërisë.
Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, 856.177 shqiptarë votuan për Partinë Socialiste nën drejtimin Tuaj, duke i dhënë asaj 83 nga 140 vendet në Kuvend. Këta votues meritojnë respekt dhe zëri i tyre nuk mund të shpërfillet sepse të tjerë kanë dalë në rrugë. Shumë shqiptarë nuk po u bashkohen këtyre protestave. Edhe ata kanë të drejta, shqetësime dhe një interes të ligjshëm për të ardhmen e vendit të tyre.
Duhet gjithashtu të kundërshtojmë një precedent të rrezikshëm: drejtuesit e zgjedhur nuk duhet të detyrohen të largohen nga detyra sa herë që demonstratat bëhen të dhunshme. Vënia e zjarrit ndërtesave publike, sulmet ndaj policisë dhe shkatërrimi i pronës private nuk japin mandat demokratik. Personat përgjegjës duhet të japin llogari përmes procedurave ligjore dhe me respektim të plotë të së drejtës për një proces të rregullt ligjor. Njëkohësisht, shteti duhet të mbrojë tubimet paqësore dhe të sigurojë hetim të shpejtë, efektiv dhe të pavarur të pretendimeve të besueshme për përdorim të paligjshëm të forcës nga policia. Dhuna nuk mund të zëvendësojë qeverisjen kushtetuese.
Megjithatë, një mandat zgjedhor mbart përgjegjësi të jashtëzakonshme në një krizë të jashtëzakonshme. Pretendimet për korrupsion që përfshijnë zyrtarë të lartë dhe raportimet për keqtrajtim të demonstruesve nga policia kërkojnë shqyrtim të besueshëm dhe të pavarur.
Shqetësimet e studentëve për kostot dhe kushtet e arsimit të lartë meritojnë një përgjigje konkrete dhe përmbajtësore. Sipas gjykimit tim, rikthimi i besimit të publikut kërkon llogaridhënie dhe angazhim të mirëfilltë me ata që shprehin kritika në mënyrë paqësore.
Edhe në Dhjetor 2018, studentët protestuan për çështje të arsimit të lartë dhe qeveria Juaj shpalli Paktin për Universitetin. Rishfaqja e shqetësimeve për përballueshmërinë e kostove dhe kushtet në universitete e bën të domosdoshëm një vlerësim transparent të atyre angazhimeve: çfarë u realizua, çfarë mbetet e papërfunduar dhe çfarë veprimesh të mëtejshme nevojiten. Çdo marrëveshje e re duhet të parashikojë angazhime të matshme dhe raportim publik të pavarur. Fitorja në zgjedhje nuk i zgjidh të gjitha çështjet e udhëheqjes që lindin më pas.
Sipas gjykimit tim, ky moment kërkon dorëheqjen tuaj. E kërkoj këtë jo si lëshim ndaj dhunës, por si një akt të vetëdijshëm përgjegjësie ndaj të gjithë vendit, përfshirë ata që votuan për Ju. Besoj se një marrëveshje e besueshme tani ka më shumë mundësi të ketë sukses nën drejtimin e një pasardhësi sesa nën vazhdimin e udhëheqjes suaj.
Vetëm dorëheqja Juaj nuk do të mjaftonte. Ju bëj thirrje të ndihmoni në negocimin e një marrëveshjeje publike ndërmjet shumicës parlamentare dhe opozitës, me kontribut të mirëfilltë nga përfaqësuesit e studentëve që protestojnë paqësisht dhe nga shoqëria civile.
Sipas neneve 96 dhe 97 të Kushtetutës, kur posti i Kryeministrit mbetet vakant, Presidenti emëron Kryeministrin me propozimin e partisë ose koalicionit që zotëron shumicën e vendeve në Kuvend, më pas vijon procesi i kërkuar i miratimit parlamentar. Neni 106 kërkon që Kryeministri dhe ministrat në largim të qëndrojnë në detyrë deri në emërimin e Këshillit të ri të Ministrave. Neni 105 parashikon gjithashtu një mocion konstruktiv mosbesimi: të paktën një e pesta e deputetëve mund të propozojë një mocion që përcakton një pasardhës; miratimi kërkon që më shumë se gjysma e të gjithë deputetëve të zgjedhin atë pasardhës; dhe Presidenti dekreton shkarkimin dhe emërimin brenda dhjetë ditëve. Ju kërkoj të merrni nismën për të siguruar një kalim të rregullt të pushtetit përmes këtyre institucioneve kushtetuese.
Marrëveshja duhet të përfshijë:
-Një pasardhës dhe një kabinet të aftë për të fituar besim të gjerë, duke përfshirë profesionistë të respektuar e jopartiakë, me një program të bërë publik dhe të paraqitur në Kuvend.
-Një përgjigje të menjëhershme dhe konkrete ndaj shqetësimeve të studentëve për kostot dhe kushtet e arsimit të lartë, me angazhime të matshme, afate dhe raportim të rregullt publik.
-Hetime të pavarura për abuzimet e pretenduara të policisë dhe aktet kriminale të dhunës gjatë protestave, pa ndërhyrje politike ose trajtim preferencial, duke kërkuar llogaridhënie përmes procedurave kushtetuese dhe ligjore të zbatueshme.
-Reformë institucionale dhe zgjedhore sipas një kalendari të bërë publik, me respektim të plotë të pavarësisë së gjyqësorit, duke përfshirë nisjen e procesit të ndryshimit të
Kushtetutës për të kufizuar numrin e mandateve të Kryeministrit. Çdo ndryshim duhet të përmbushë kërkesat e nenit 177, përfshirë shumicën e cilësuar dhe procedurat e zbatueshme të referendumit.
-Transparencë në investimet e mëdha të huaja dhe zhvillimin bregdetar, duke filluar me një shqyrtim të pavarur të projekteve të mëdha të zhvillimit që prekin territorin e mbrojtur dhe bregdetin jugor, si dhe me bërjen publike të kushteve të tyre.
-Politika të migracionit dhe të qëndrimit të bazuara në standarde të qarta ligjore, mbikëqyrje transparente parlamentare dhe vendime të ekzekutivit që i nënshtrohen ligjit dhe kontrollit gjyqësor, me vëmendje ndaj komuniteteve shqiptare, gjuhës dhe trashëgimisë kulturore, si dhe me respektim të plotë të të drejtave të njeriut dhe detyrimeve ndërkombëtare të Shqipërisë.
Nëse zgjedhjet e parakohshme bëhen pjesë e zgjidhjes, ato duhet të zhvillohen sipas rrugës kushtetuese. Kjo rrugë respekton besimin e votuesve Tuaj përmes Kuvendit të zgjedhur prej tyre dhe u jep atyre që shprehin kritika paqësisht një mundësi të mirëfilltë për t’u dëgjuar.
Besoj se një kalim paqësor dhe kushtetues i pushtetit, i ndërmarrë me nismën Tuaj, mund ta forcojë të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Ai do të tregonte se Shqipëria mund të përballojë një krizë politike përmes institucioneve të saj, të mbrojë shprehjen paqësore të mospajtimit dhe të punojë për një qeverisje që jep llogari. Këto janë angazhime të denja për aspiratat evropiane të Shqipërisë.
Shqipëria është një komb i vogël me një trashëgimi të lashtë. Ne dëshirojmë të ruajmë identitetin, kulturën dhe ndjenjën e bashkësisë së saj, duke u dhënë fëmijëve të saj çdo mundësi për të përparuar. Arsimi duhet të jetë në qendër të misionit të shtetit, duke përgatitur brezin e ardhshëm për punë me kuptim dhe për një jetë me dinjitet e mirëqenie të përbashkët. Të rinjtë e Shqipërisë meritojnë mundësinë ta ndërtojnë këtë të ardhme në vendin e tyre.
Ju mund të ndihmoni që kjo të bëhet e mundur duke e angazhuar shumicën Tuaj në një marrëveshje serioze që mbron përfaqësimin e votuesve të saj dhe u ofron atyre që shprehin kritika paqësisht një rrugë të mirëfilltë drejt reformave. Ju kërkoj të ndihmoni në arritjen e kësaj marrëveshjeje dhe të jepni dorëheqjen si pjesë e zbatimit të saj. Besoj se ky hap do të ishte një akt përgjegjësie ndaj të gjithë vendit.
Komentet