Valentina Madani- Kreu i opozitës, Lulzim Basha, nga qyteti i Lezhës ftoi shqiptarët që t’i bashkohen protestës së 11 majit në Tiranë, në një tjetër përballje kundër kryeministrit Edi Rama. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, në një takim me mbështetës të PD-së në Lezhë deklaroi se “kryengritja popullore” e nisur më 16 shkurt nuk do të ndalet deri në largimin e kryeministrit Edi Rama, krijimin e qeverisë teknike, që do ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme. “11 maji na thërret në një tjetër përballje vendimtare të vlerave tona të lirisë, demokracisë, Europës. T’u presim dorën oligarkëve dhe krimit të organizuar që kanë futur dorën në xhepin e shqiptarëve”, deklaroi kreu i PD-së. Edhe lezhjanëve, Lulzim Basha u premtoi se do t’i shkojë deri në fund betejës se nisur për t’u hapur rrugën zgjedhjeve të lira dhe një qeverie, që ndryshe nga ajo e Edi Ramës, mendon për ta. Ai u tha demokratëve të Lezhës se Rama ka mundur ta marrë e ta mbajë pushtetin vetëm përmes frikësimit të qytetareve, një instrument që sipas tij nuk po funksionon më. Ai shpalosi pjesë nga programi ekonomik i PD-së, kur ajo të vijë në pushtet. Masa e parë e PD-së do të jetë ndryshimi i sistemit të taksave. “Duke sjellë në Shqipëri modelin konkurrues të taksës së sheshtë 9%. Duke konsideruar biznes të vogël çdo aktivitet ekonomik nën 140 mln lekë të vjetra në vit dhe duke i dhënë një dhe vetëm një detyrim 0.5% të xhiros vjetor”, tha z.Basha. Kreu i PD-së premtoi rritje të pensioneve dhe pagave dhe fondet sipas tij do të sigurohen nga konfiskimi i pronave të personave që i kanë përfituar përmes korrupsionit. “Për pensionin minimal 250 lekë në muaj”, u shpreh Lulzim Basha.
Premtimi
Kreu i PD-së garantoi se e ka vullnetin për t’ua hequr nga duart paratë publike oligarkëve dhe për të mundësuar me to vende të reja pune për të rinjtë dhe rritje ekonomike. “Sa është fatura e abuzimit të kësaj qeverie, vitin e kaluar 1.7 mld euro. Të vetmit që duhet të kenë frikë nga ardhja e PD-së dhe opozitës në pushtet janë ata 4-5 oligarkë, të cilëve do t’ua marrim ato para për t’ua dhënë studentëve, të rinjve shqiptarë. Unë e di që kanë frikë dhe iu them bëni mirë të keni frikë, sepse kjo do të bëhet me ndihmën e Zotit, bashkimin e shqiptarëve. Në fund të kësaj beteje e pret një qeveri dhe një kryeministër që do vendosë taksa më të ulëta, në funksion të një prioriteti absolut të PD-së, punësimin. Kjo është masa e parë stabilizuese, por kemi një vizion të plotë për ta kthyer punësimin në një realitet të prekshëm”, u shpreh z.Basha. Në Lezhë kryedemokrati ishte si pjesë e fushatës së nisur nga PD-ja për të rritur anëtarësimet e reja.
Takimi
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, zhvilloi pasditen e djeshme një tryezë me pedagogë e të ftuar për gjenden e arsimit të lartë në Shqipëri. E ftuar ishte edhe Doris Pack, europarlamentare dhe aktiviste e njohur si mbështetëse e demokratëve. Tryeza është zhvilluar me përfaqësues të botës akademike në universitetet publike, për të adresuar krizën e rëndë të arsimit të lartë. Në këtë tryezë Basha tha se universitetet në vend janë në krizën më të thellë në 29 vjet, ndërsa shtoi se buxheti për arsimin e lartë nuk shkon për infrastrukturë universitetesh, por për të rregulluar zyrën e ministrit të Arsimit dhe zyrave qendrore të MAS. “Jemi këtu pas disa muajsh që kanë kulmuar krizën e thellë të institucioneve të arsimit të lartë. E tillë ishte edhe lëvizja studentore e dhjetorit të kaluar. Aspekti i parë i kësaj krize duket qartë te financimi. Buxheti ka arritur në vitin 2019 në 3.29 për qind e PBB-së, në një kohë kur niveli minimal për të garantuar standardet rajonale, duhet të jetë jo më pak se 5 për qind. Këto para shkojnë në pjesën më të madhe për rikonstruksionin e Ministrisë së Arsimit, për një fasadë me të vërtetë llamburitëse. Ndërkohë, rënia në pikiatë e financimit për arsimin e lartë shoqërohet edhe nga braktisja e studimeve. 133 mijë nxënës e studentë kanë braktisur shkollën në këto 4 vite”, theksoi z.Basha. Sipas tij, qasja europiano-bashkëkohore do të jetë pikërisht ajo, që do të bëjë që arsimi shqiptar të udhëhiqet nga një koncept i ri menaxhimi, në financa, teknologji etj..
Deklarata
“Të vetmit që duhen të kenë frikë nga ardhja e Partisë Demokratike dhe opozitës në pushtet janë ata 5-6 oligarkë, të cilëve do t’ua marrim këto para dhe do t’ia japim rinisë shqiptare. Paratë që vjedhin oligarkët do t’ua marrim, kontratat do të anulohen, pasuritë e tyre të vëna në mënyrë të jashtëligjshme do të konfiskohen me ligjin e ri antimafia kundër oligarkëve dhe do t’u kthehen zotëve të vërtetë të këtyre parave”, tha z.Basha.
Tryeza
Kryetari i PD, Lulzim Basha, gjatë një bashkëbisedimi me pedagogë dhe përfaqësues të arsimit të lartë në vend deklaroi se universitetet në vend janë në krizën më të thellë në 29 vjet, ndërsa shtoi se buxheti për arsimin e lartë nuk shkon për infrastrukturë universitetesh, por për të rregulluar zyrën e ministrit të Arsimit dhe zyrave qendrore të MAS.
Komentet