Mali i Zi, fqinji ynë verior, është mjaft i njohur për ne. Historia shpesh i ka vënë përballë malazezët dhe shqiptarët, dy popujt kanë derdhur shpesh gjak mes tyre. Malazezë e shqiptarë jetojnë ende bashkë në Malin e Zi të sotëm.
Për Malin e Zi na ka shkruar që në vitin 1872 dhe Pashko Vasa, një prej ideologëve dhe veprimtarëve të rilindjes tonë kombëtare. Jo e vëllimshme, vepra e tij u shkrua asokohe në frëngjisht, për ta parë dritën e botimit në shqip në 2019-n.
Një angazhim i plotë i Fondacionit “ALSAR” e bëri të mundur botimin në shqip me t’i rënë në dorë varianti në frëngjisht, tepër i rrallë. Në vlerësim të punës sonë, historiani dhe albanologu gjerman, dr. Michael Schmidt-Neke, i dhuroi fondacionit një kopje të fotokopjuar të botimit në frëngjisht, për çka meriton një falënderim të madh!
Besimin e tij e shpërblyem me një botim të shkëlqyer në shqip, bashkëshoqëruar në gjysmën e dytë të tij dhe me variantin në frëngjisht, tërheqës për këdo që e njeh këtë gjuhë. Me mbi 140 tituj të botuar, Fondacioni “ALSAR” ka krijuar një traditë në mbi 12 vite, tepër i vëmendshëm dhe i prirur për t’i dhënë lexuesit botime të tilla historike të rralla.
“Skicë historike mbi Malin e Zi sipas traditave gojore shqiptare” nuk është një punim i mirëfilltë historik, një paraqitje sistematike e ngjarjeve për principatën e vogël, sipas vetë autorit. Siç e thotë dhe titulli, bëhet fjalë për një skicë të thjeshtë të mbështetur në traditat gojore shqiptare.
“Nuk ka gjë më të vështirë,” shpjegon kështu Pashko Vasa, “se të shkruash historinë e Malit të Zi, prandaj dhe nuk kemi një pretendim të tillë.” “Mungesa e kulturës intelektuale nuk u ka lejuar malazezëve, as fqinjëve të tyre, shqiptarëve,” vazhdon ai, “t’ua përcjellin pasardhësve kujtimet e bëmave të tyre me ndonjë formë tjetër, përveçse nëpërmjet traditave gojore.” Një “por” vjen më pas. “Por në Shqipëri dhe në Mal të Zi,” nënvizon autori, “legjendat e ruajtura përmes këngëve popullore janë vështruar si dokumente historike, Kështu që ideja për t’i përdorur ato në një punim serioz nuk na është dukur aspak e çuditshme.”
Kjo skicë historike për Malin e Zi, për herë të parë në shqip, e këtij atdhetari dhe personaliteti politik, publicisti e shkrimtari, historiani e gjuhëtari, nis në këtë botim me një përshkrim të figurës së tij.
Siç u kuptua dhe më sipër, sa një skicë historike për Malin e Zi, kjo vepër është po aq dhe një rrëfim për shqiptarët, fqinj të malazezëve, ndarës të historisë me ta, më së shumti ata të Shkodrës dhe rrethinave të tij. Skica ndërthur natyrshëm historinë e dy vendeve përgjatë sundimit të Perandorisë Osmane. Vend të konsiderueshëm zënë në të kryengritjet malazeze për pavarësi, por dhe gjaku i derdhur me shqiptarët.

“Këto male pothuajse të pakapërcyeshme, që në sllavisht quhen Cernagora (Mali i Zi), dhe kjo shtrirje e territorit gjysmë fushore e gjysmë malore, që banorët vendas e quajnë Bërda, formon principatën e vogël të Malit të Zi, i cili kufizohet nga veriu me Hercegovinën, nga lindja me Bosnjën, në jug me Shqipërinë dhe në Perëndim me Dalmacinë.”
Kështu e skicon gjeografikisht Pashko Vasa këtë vend, të cilësuar pothuajse të shterpë disa paragrafe më poshtë. “I parë nga lart, ai i ngjan një deti me dallgë, i ngurtësuar në momentin më të tallazuar. Ai në përgjithësi nuk ka asnjë fushë të kultivuar, as vreshta, as pemë frutore; gjithçka është shkëmb i ashpër, i thatë, i shkretë…”
Malazezët e shqiptarët janë luftëtarë e trima, thotë libri, që lavdinë e shihnin në grykat e pushkëve, e që kujdeseshin vetëm për kalitjen e jataganëve të tyre; për ta, çdo gjë tjetër ishte e kotë. Marrëdhëniet mes dy vendeve kanë qenë me ulje e ngritje, por më shumë ka patur përplasje se kompromise. Autori flet për çetat e malazezëve që grabisnin e vrisnin në tokat shqiptare, një shkak i armiqësive dhe gjakderdhjeve të shumta.
Në këtë ndërthurje historish të dy popujve, vend në libër zënë dhe sundimtarët e qytetit tëShkodrës dhe të rrethinave të tij, Bushatllinjtë dhe pashallarët e tjerë, karakteristikat dhe marrëdhëniet e tyre me Portën e Lartë, e po ashtu me malazezët.
Pashko Vasa flet dhe për respektimin fetar të të mundurve nga turqit, për tolerancën dhe moderacionin e turqve ndaj besimeve fetare, për pozicionin e qeverisë osmane ndaj popullsisë katolike, veçanërisht ndaj mirditorëve, që megjithëse iu nënshtruan perandorisë, i ruajtën kanunet, zakonet dhe armët e tyre.
Citimi këtu do ta orientojë lexuesin për atë që do gjejë në libër dhe për pikëpamjen e një personaliteti të tillë si Pashko Vasa: “Duke përshkuar territorin e Malit të Zi dhe duke vërejtur natyrën e egër të maleve, shtyhesh të besosh se grumbullimi i një popullsie në këto vende kaq të thepisura e të përthyera i detyrohet një krimi që kërkon vende tëpaarritshme për t’i shpëtuar ndëshkimit, ose përndjekjeve fetare që të detyrojnë të mbrohesh duke u fshehur dhe duke iu shmangur vështrimit të të tjerëve. Për sa i përket kësaj pike të fundit, askush nuk mund të mohojë që Turqia e ka respektuar gjithnjë besimin fetar të të mundurve…. Një prej provave më bindëse të kësaj që sapo thamëështë pozicioni që qeveria osmane kishte mbajtur ndaj popullsisë katolike të maleve të Shqipërisë, veçanërisht ndaj mirditorëve, të cilët, megjithëse politikisht iu nënshtruan Perandorisë, prapëseprapë mundën të ruanin kanunet e tyre, zakonet e tyre, armët e tyre, dhe mundësinë për t’u administruar sipas mënyrës së tyre. Autoritetet turke nuk ndërhynë seriozisht për të prekur privilegjet e tyre. Kjo gjendje gjysmëpavarësie që kanë gëzuar gjithnjë të krishterët katolikë të Shqipërisë dëshmon për tolerancën dhe moderacionin e turqve ndaj besimeve fetare.”
Skica historike mbi Malin e Zi, nga Pashko Vasa,është mjaft interesante pikërisht për këndvështrimin e tij. Lexuesit i mjafton pak kohë dhe pak vullnet për ta lexuar.
Komentet