Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se veprimet armiqësore të Serbisë në raport me shtetin e Kosovës, tregojnë se ky shtet nuk është në linjë me kërkesën e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara për të arritur një marrëveshje përfundimtare me Kosovën.
“Veprimet e Serbisë, sidomos fushata për ç‘njohjen e pavarësisë së Kosovës nga disa vende, sikurse edhe fushata kundër Kosovës për anëtarësim në Interpol, flet se ky shtet fqinj nuk është i interesuar të normalizojë marrëdhëniet me vendin tonë e aq më pak ta njohë shtetin e Kosovës”, ka shkruar Mustafa në Facebook.
Sipas tij, Serbia po krenohet me dëmet që po i shkakton Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Politikat e fqinjësisë së mirë, paqes dhe stabilitetit, për të cilat janë zotuar vendet e Ballkanit Perëndimor bien ndesh me një sjellje të tillë. Kjo sjellje nuk ka asgjë të përbashkët edhe me kërkesën e BE-së dhe SHBA-ve për arritjen e marrëveshjes përfundimtare, me njohje reciproke”, ka shtuar ai.
Mustafa ka bërë thirrje që Serbia të largohet nga ajo që ai e ka quajtur mentalitet të trashëguar armiqësor si dhe të punohet për të kultivuar një mjedis për prosperitet të qytetarëve të të dyja vendeve.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka filluar më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel.
Aktualisht ky proces është bllokuar, pasi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka kundërshtuar vazhdimin e dialogut pa heqjen e taksës prej 100 për qind që Qeveria e Kosovës ka vënë në mallrat e Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës.
Bashkimi Evropian ka kundërshtuar vendosjen e kësaj mase në importet e Serbisë dhe Bosnjës, derisa Shtetet e Bashkuara kanë thënë se mospezullimi i tarifës prej 100 për qind përbën qëndrim kundër interesave të SHBA-së.
Komentet