Papa Françesku gjatë një fjalimi në mbylljen e samitit katër ditor të mbajtur në Romë kundër abuzimit seksual të fëmijëve në kisha tha se “Asnjë abuzim seksual nuk duhet mbuluar ose nënvlerësuar”.
Samiti katër ditor kundër abuzimit seksual të fëmijëve në kisha u mbajt në Romë me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të rëndëshishëm botërorë të kishës katolike nën drejtimin e Papa Françeskut.
Samiti në të cilin morën pjesë rreth 190 zyrtarë kishtarë nga të cilët 114 kryepeshkopë nga e gjithë bota ka një rëndësi historike për shkak të rasteve të abuzimit dhe ngacmimit seksual të fëmijëve nga klerikët e Kishës Katolike, e cila është zbuluar shpeshherë në kohët e fundit.
Duke vënë theksin se me këtë samit të mbajtur kanë kuptuar që “fatkeqësisht ngjarjet e abuzimeve seksuale kanë qenë një fenomen në të gjitha kulturat dhe historitë”, Papa Françesku tha se “Por, është edhe më serioze dhe skandaloze kur kjo plagë e tmerrshme bëhet brenda Kishës. Sepse ajo është në kundërshtim me autoritetin moral dhe etik të kishës. Dëshiroj të theksoj qartë se do të ndiqet me një seriozitet të madh nëse do të ketë edhe vetëm një ngjarje në kishë”.
Duke folur në emër të kryepeshkopëve që morën pjesë në samit, kryepeshkopi Mark Benedict Coleridge i Brisbane të Australisë tha se Kisha pas kësaj do të jetë shumë më e ndjeshme dhe do të ndërmarrë hapa të reja kundër pretendimeve për abuzim seksual.
“Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të ndihmuar ata që abuzohen seksualisht, të gjejnë drejtësi dhe shërim. Ne do t’i dëgjojmë ata, do t’u besojmë atyre, do të ecim me ta, do të sigurohemi se ata që janë të ekspozuar ndaj abuzimit nuk do të fajësohen më shumë, do të thërrasim ata që fshehin rastet e abuzimit seksual dhe do të bëjnë më serioze zgjedhjet dhe procedurat e formimit të udhëheqësve të Kishës”, ka deklaruar Coleridge.
Në kuadër të samitit në rend dite kanë qenë edhe 21 pika kundër abuzimit seksual në disa çështje që parashikohet të ndërmarrë kisha dhe të cilat nga Papa janë cilësur si “fillim”.
Sipas kësaj, do të hidhen hapa që të rritet në 16 mosha e martesës për femrat e cila në ligjin e kishës është 14 për femrat dhe 16 për meshkujt, formimin e një qendre për dëgjimin e viktimave të abuzimit seksual, për zbatimin e procedurave të përbashkëta si shqyrtimin e ankesave, mbrojtjen e viktimave dhe të drejtën e mbrojtjes për të akuzuarin.
Gjatë fjalimeve në samit, ka qenë në qendër të vëmendjes edhe deklarata e kryepeshkopit të Mynihut, Reinhard Marx, një nga këshilltarët e drejtpërdrejt të Papës, i cili ka thënë se “janë eliminuar ose nuk janë formuar asnjëherë arkivat e këtyre ngjarjeve të tmerrshme dhe emrat e atyre që janë përgjegjës të tyre”.
Pasi ka kritikuar me një gjuhë të ashpër strukturën jo-transparente të kishës katolike, Marx theksoi se në ngjarjet e abuzimeve seksuale brenda kishës “janë dënuar dhe janë bërë të heshtin viktimat në vend të ndëshkimit të fajtorëve”.
Po ashtu gjatë samitit janë shikuar edhe videot me deklaratat e personave të abuzuar seksualisht nga klerikët fetarë në Kishën Katolike. Një grua afrikane, një nga viktimat ka pretenduar se që nga mosha 15 vjeçe është përdhunuar nga një prift dhe se ka bërë 3 aborte me detyrimin e priftit.
Gjithashtu në qendrën e Romës kanë protestuar edhe një grup njerëzish të cilët kanë thënë se janë abuzuar seksualisht nga klerikët e kishës në moshën kur kanë qenë fëmijë. Viktimat e ardhur nga vende të ndryshme të botës bënë thirrje duke kërkuar “drejtësi dhe zero tolerancë” kundër abuzimit seksual në Kishë.
Në vitin 2014, Kombet e Bashkuara (OKB) publikuan një raport në të cilin thanë se abuzimi seksual i fëmijëve është shumë i përhapur brenda kishës katolike.
Raporti akuzon Vatikanin për fshehjen e rasteve të shumta të abuzimit të fëmijëve nga ana e priftërinjve me çka ka mundësuar abuzimin e dhjetëra mijëra fëmijëve.
Komentet