Ç’âsht kjo fjalë e madhnueshme qi bân m’u dridhun shpirti i njeriut kur i tingllon aqë âmbël por edhe aqë rreptë? Ç’âsht kjo fjalë e mrekullueshme qi e bân njeriun me harrue gjithë ça ka të çmueshme e të dashun? Fjalë magjike qi âsht e zonja me elektrizue për nji ças nervat e njeriut e me e bâmë qi të japë shpirtin pa u mendue se për se âsht tue vdekun e pa kujtue aspak lotët e dhimshëm të nânës, motrës a grues qi lên për mbrapa, pa i a vûe veshin fare kalamâjvet qi ndoshta kanë me i mbetun në rrugë të madhe. Kjo fjalë qi ka këtê fuqí kaqë të madhe e të rreptë, këtê fuqí të sipërnatyrshme, nuk âsht plangu e shtëpia, nuk âsht gjâja e fëmija, nuk âsht as toka e kufîni. Atdheu âsht krejt nji varg kujtimesh të nalta e të shêjta, të trashigueme brez mbas brezi, kujtime qi janë pasunía e paprekëshme e jetës së njeriut, kujtime qi pastrojnë, kullojnë e naltsojnë ndîsíet t’ona e na bâjnë me jetue nën nji qiell të madhnueshëm thjesht moral.
Kujtimet e të parvet t’onë, të gjyshvet e të stërgjyshvet, jeta e zâni i tyne, eshtnat e gjaku i tyne, eshtnat e Skênderbegut në Lesh, t’Oso Kukës në Vraninë, të grave e fëmijëve t’onë ndër greminat e Sulit, gjaku i Shqiptarit qi âsht derdhun rrëkè nëpër fushat e Kosovës e të Thesalís, krejt qe-këto kujtime të shênjta janë qi përmblidhen në fjalën atdhé. Kudo qi na shkel kamba mbi tokën arbnore e dijmë se aty s’âsht gjâ tjetër veçse pluhni i eshtnave t’atyne kreshnikve qi na kanë lânë trashigim emnin e bukur shqiptar. Ç’do gur qi na sheh syni në këtê tokë na duket i kuq, lamun me gjak të tyne. Ç’do lis plak qi naltohet madhështuer nëpër malet e pyjet e Shqipnís na vjen sikur âsht tue na dëftye jetën e tyne. Ç’do lumë qi rrjedh në këtê dhé na duket sikur s’bân tjetër me valët e veta, por na përmênd se ça ka ndodhë n’ato bregje në shekujt e kalume. Edhe zogjt qi flutrojnë në qiell t’onë na rrin sikur këndojnë epopetë e fisit shqiptar.
Ky pra âsht atdheu. Për këtê, për amshimin e këtyne kujtimeve duhet të jetojmë na. Trupin e shpirtin, mênden e zêmrën, gjithë energjín t’onë morale e lândore atyne lypset t’u a kushtojmë. Ç’do vogëlsí qi quhet egoizëm, fanatizëm, smirë, ambicie, krahinarizëm; ç’do interesë e veçantë, morale e materiale qoftë duhet të zhduket përpara madhnís së fjalës atdhé. Në mundshim me shpëtue e me naltsue atdheun do t’i kemi bâmë mâ të madhin shërbim edhe vetes s’onë, do të kemi shpëtue e sigurue edhe nderën e ç’do interesë t’onën. Sepse aty mbrêndë, n’atdhé jemi edhe na vetë. Kush mêndon veten para se me kujtue atdheun ai moralisht rron jashtë atdheut. E për në daçim me jetue Shqiptarë, me kujtimet e shqiptarís e n’atdhé të shqiptarís âsht nevoja e detyra jonë e domosdoshme qi të tretemi, të shkrihemi, të zhdukemi të tânë në nji trup moral të vetëm.
Këtë pra ka për qëllim ajo shoqní e madhe, ay organ i madhnueshëm qi leu prej zêmrës së pastër të nj’atij burri të fortë, të forcuem prej nji ideali të naltë kombtar të papërkulun, due me thânë prej zêmrës s’Avni Rustemit e qi më 28 prill në nji kongres të përbâmë prej njerzish të shpirtnuem vetëm me nji ideal të shênjtë si ay i Avni Rustemit muer emnin Atdheu, për me djegun në flakët të tij të rreptë ç’do mêndim tjetër qi s’i përshtatet qëllimit të vet. Asnji shoqní tjetër sod e mbrapa s’ka me gjetun arsye për nji veprim të damë nga Atdheu, mbasi ky në të gjitha kuptimet e në të gjitha mënyrët i ka mbyllun rrugët e dasíes me shpirtin e programit të vet, sikurse ka me mbyllun edhe me veprimet e veta. Deri sod kemi pasun aty këtu në Shqipní e jashta shumë shoqnina qi, me pak ndryshim programesh kanë ndjekun krejt nji qëllim por aspak në harmoní njena me tjetrën. Ndër këto, mbas shoqnís “Bashkimi”, qi ndezi zjarmin e kombtarís në zêmrat e Shqiptarvet kur u shpall konstitucioni i Turqís, duhet me përmêndun me nderim të posatshëm federatën pan shqiptare “Vatra”, e cila, lindun e organizuem prej nji tubë patriotve të vërtetë, të shtrënguem me dalë e me jetue përjashta atdheut, por me shpirt e zêmër gjithmonë afër tij e për tê, të përkrahun e ushqyem prej djersës së puntorís shqiptare n’Amerikë të lirë ka shumë vjet qi po i shërben me të tâna mënyrët e mjetet atdheut të dashun e, me gjithë qi ndoshta valët e Atlantikut s’kanë për t’a lânë motrën e Amerikës me u bâmë nji trup me vëllaun e Shqipnís, sa për me i a shtrí dorën ajo këtij e ky asaj përmbi ato valë të kaltra ka me qênë gjithmonë punë e mundëshme.
“ Mbrojtja Kombëtare” 1 maj 1921
Marrë nga vëllimi “Gjysmë shekulli me pendë në dorëî
Komentet