Protesta e 19-të e studentëve në Tiranë u shndërrua të shtunën në një përballje të fortë me policinë, me kosha mbeturinash në flakë, gurë e bomba molotov, gaz lotsjellës dhe ujë me presion.
Qëndresa nisi në mesditë përpara Ministrisë së Arsimit, vijoi me marshimin drejt Kryeministrisë dhe përfundoi me shpërndarjen e protestuesve në rrugët e kryeqytetit, ku pati përplasje të tjera me forcat e rendit.
Të rinjtë u mblodhën për të 19-ën ditë radhazi, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe duke përsëritur thirrjet kundër qeverisë. Mes sloganeve që u dëgjuan në bulevard ishin “Rama, dorëhiqu!” dhe “Pa rini nuk ka Shqipëri!”. Tubimi nisi në mënyrë paqësore, por situata u tensionua pas djegies së disa koshave të mbeturinave dhe hedhjes së gurëve në drejtim të efektivëve të policisë.
Refuzimi i PD-së dhe thirrjet kundër të dyja palëve politike
Një tjetër zhvillim i protestës ishte qëndrimi i studentëve ndaj përpjekjes së Partisë Demokratike për t’iu bashkuar tubimit. Demokratët nisën marshimin nga Kryeministria drejt Ministrisë së Arsimit, por deputetët e PD-së nuk u mirëpritën nga protestuesit, të cilët kërkuan që lëvizja të ruante karakterin e saj të pavarur.
Të rinjtë artikuluan thirrjen “Opozita jemi ne!”, ndërsa në bulevard u dëgjuan edhe slogane kundër të dyja forcave kryesore politike: “Rama në burg, Berisha në burg!”. Studentët u shprehën se nuk duan që protesta të përvetësohet nga partitë dhe se kërkesa e tyre për ndryshim nuk drejtohet vetëm kundër qeverisë, por edhe kundër klasës politike.
Gurë, molotovë dhe autobotët e ujit në veprim
Përplasjet e para u shënuan pranë Ministrisë së Arsimit. Disa protestues hodhën gurë, sende të forta dhe bomba molotov në drejtim të policisë dhe autobotit të ujit. Disa prej molotovëve përfunduan pranë mjetit të ujëhedhjes, duke shkaktuar shpërthime dhe flakë.
Policia reagoi me ujë me presion dhe gaz lotsjellës, ndërsa në terren ishin dislokuar forca të shumta të FNSH-së, Shqiponjave dhe efektivë të tjerë. Për mbarëvajtjen e protestës ishin angazhuar mbi 2 mijë punonjës policie, ndërsa në gatishmëri ishin vendosur edhe autobotë të shumtë.
Pavarësisht ndërhyrjes së policisë dhe reshjeve të dendura të shiut, protestuesit nuk u tërhoqën. Ata marshuan përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke kaluar edhe pranë selisë së Partisë Socialiste, ku policia kishte vendosur efektivë për të garantuar sigurinë e godinës, dhe vijuan drejt Kryeministrisë.
Droni lëshon gaz nga ajri, policia ndërhyn me forca të shumta
Tensionet u përshkallëzuan edhe më tej përpara godinës së Kryeministrisë. Policia përdori autobotë me ujë me presion dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit. Një nga zhvillimet më të pazakonta ishte përdorimi i një droni të Policisë së Shtetit, i cili dyshohet se lëshonte gaz lotsjellës nga ajri. Gjatë ndërhyrjes, droni u rrëzua mbi protestuesit, ndërsa efektivët u afruan menjëherë në zonë.
Në bulevard u panë autoblinda dhe mjete të shumta policie, përfshirë autobotë të rinj ujëhedhës. Forcat e rendit ndërhynë për të shpërndarë turmën, ndërsa protestuesit u larguan nga zona e Kryeministrisë drejt rrugëve dhe rrugicave përreth. Edhe në këto zona u raportuan përplasje të tjera, ndërsa policia vijoi ndjekjen e grupeve të protestuesve.
Kështu, dita e 19-të e revoltës studentore u mbyll me një tjetër përshkallëzim të situatës në kryeqytet. Pas gati tri javësh protestash, studentët vijojnë të kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama, ndërsa qëndrimi i tyre kundër përfshirjes së partive politike mbeti një nga mesazhet kryesore të tubimit. bw
Panoramë kaotike
Kah je? Ksajde. A dalim ecim pak? Dalim. A po del menjëherë? Po. Behëmi bashkë. Duke u parë në sy dhe duke zgjatur duart me nga një “si je e ç’bëre e si ia kalove”. Hë, kah po shkojmë? A po e vazhdojmë ecjen e zakonshme a ndërrojmë pak rrugëtimin edhe pse s’flitet për ndonjëfarë ndryshimi lëvizjesh kushedi se çfarë. Merremi vesh. Kuptohemi. Pajtohemi që rrugëve t’u japim këmbëve edhe pse keq s’do të ishte të udhëtonim me pajton a mjete tjera lëvizjeje më bashkëkohore. E vazhdojmë ecejaket në ambientin tollovitës e trullosës me kujdes të shtuar duke tejkaluar vetura të parkuara trotuareve të ngushta, por kjo s’do të thotë të mos gostitemi me ndonjë sirenë që po të jetë e ndonjë mjeti të rëndë transportues ka për t’i dhuruar do të rrëqethura të forta trupi. Dhe nëpër mend vërtiten pamje të shumta aksidentesh, vetaksidentesh e incidentesh që kemi parë jo vetëm kronikave mediale. Dhe ne të humburit e të zhgënjyerit e mëdhenj humbasim nëpër fjalë. Humbim nëpër shpërthime e plasje fjalësh sikur mjete lëndësh plasëse për aktu(ban)alitetin shoqëroro-politik e mjerano-idiotik. Që vazhdon. Pamjet e përditshme me prindër me fëmijët e tyre përdore duke i dërguar e marrë prej shkolle, e shkolla të duket si kamp refugjatësh dhe mendja të vete se mos po na vije puna se është duke na ardhur puna të mësojmë përsëri të mësojmë nëpër shkolla shtëpi si atëherë në robëri në sistemin paralel. Ku nuk na shkon mendja neve robërve të lirë e modern. Lëmë mendjen të lirë dhe shfrytëzojmë rastin për t’iu drejtuar një të njohuri për të ndërruar kokën e një poçi të djegur elektrik dhe për një gyp uji që rrjedh. Kryen punë dhe i lehtësuar që ndonjë usta për kaq punë nuk ta rrëmben një 10-she a 20-she mbase dhe më shumë. Dikur një copë dite mund ta kalosh në ndonjë qendër të madhe tregtare, fëmijët t’i lëshojmë brenda kënde lojrash e vetë të ndodhemi përballë një espresoje në kafenenë që mban emrin e një kryeqendre të njohur jo vetëm europiane. E sytë mbi ajfon, samsung e bredh diku e bredh dikund. Si e thotë njëra prej këngëve: “Fati ynë shpresë dhe marrëzi”. Mund edhe ta lexosh libër-thin që e bleve në njërin nga kioskat e librave në sheshin e kryeqendrës me titullin: “Fati i njeriut”. A të shfletosh të hënën një gazetë të dieleje që e blen të shtunën. Gjumin mund ta bëjmë jo të lehtë e me ëndrra plumb të rënda. Zgjimi sjell fjalë të papunësh e punëtorësh që të lodhur me kokat tym e të pëhumbur e të mrrolur, themi çka është kah bëhet e deri në vit të ri a po ka liberalizim. Një roje rri para një shumëkatëshje së cilës po i bëhet izolimi, e dikush aty ushqen dy mace. Është natë dhe fryen erë. Kanë nisur të përhapen fjalë se Kosova së shpejti mund të mbesë me 300 mijë ose 400 mijë banorë… Përditshmëria përsëritet. Pret ftesën me fjalët: Kah je, a po dalim?…