Dhe je ankuar për Edi Ramën
TIRANE – Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli kërkoi dje në Kuvend që kryeministri Edi Rama të ishte i pranishëm në seancë, ndërsa diskutohej akti normativ për buxhetin e 2015-ës. Por, kjo degjeneroi më pas në një përplasje mes saj dhe nënkryetares socialiste të Kuvendit, Valentina Leskaj. Sipas Topallit, Rama duhej të kishte hapur i pari diskutimet për aktin normativ. Ajo tha se mosprezenca e kreut të qeverisë në diskutim është e paprecedentë.
“Nuk ka ndodhur kurrë që në rastet e paraqitjes së buxhetit të mos jetë kryeministri, dhe të fillojnë diskutimet kur nuk është paraqitur projekti i aktit normativ. Ju lutem, vini në shinat e ligjshmërisë seancën plenare. As herën tjetër nuk ishte; fshihet, ka frikë?” – u shpreh Topalli gjatë fjalës së saj, ndërsa seancën e drejtonte Leskaj. Por deputeti socialist Taulant Balla e sqaroi se Ramës i duhej të nisej në një vizitë urgjente zyrtare në Gjermani. Pjesë e debatit mes tyre është bërë edhe nënkryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj, e cila korrigjoi Topallin duke i thënë se bëhej fjalë thjesht për aktin normativ dhe jo buxhetin e shtetit, por kaq ka mjaftuar që ish-kryeparlamentarja të shpërthejë në akuza. Topalli foli për një takim që ka pasur në zyrën e saj me Leskajn dhe ku kjo e fundit, sipas Topallit, ka shprehur lëvdata për Sali Berishën dhe është ankuar për Ramën, si kreu i PS-së.
“Më keni thënë ju zonjë në zyrën time që ‘ne s’na hap telefonin kryetari Edi Rama, ndërsa kryeministri juaj përgjigjet për të gjitha’”, – iu drejtua Topalli Leskajt. Ndërsa nënkryetarja e Kuvendit, iu përgjigj: “Këtu u bë një shpifje që më ka çuditur se sa poshtë mund të bjerë piaza në parlament, megjithatë, nuk dua të bëj koment për këtë piaza kaq të ulët. E para, s’kemi pasur asnjë bisedë bashkë, dhe më vjen mirë që kolegu im Braçe i ka të gjitha dokumentet që flasin për të kundërtën e asaj që thatë ju. Nuk më vjen mirë që një zonjë gënjen dhe mashtron”.
Disa herë gjatë seancës së djeshme deputetët e opozitës kërkuan praninë e kryeministrit dhe të ministrave. Më tej, seanca ka vijuar mes debatesh dhe herë-herë deputetët e opozitës i janë kthyer debatit se përse salla e Kuvendit ishte bosh. Në fakt, në orët e vona të pasdites, në sallë kishin mbetur vetëm dy ministre dhe shumë më pak deputetë, ndërsa diskutohej për aktin normativ.
Komentet