VOAL

VOAL

NOTURNO – Poezi nga SAINT-JOHN PERSE, NOBELISTI XVIII 1960 – Përktheu FASLLI HALITI

September 13, 2018

Komentet

BALADË E BURRIT NË GURË- Nga Albert HABAZAJ

 

Mjeshtrit popullor të gurit, Selman Pazo nga Vranishti i Labërisë

Heshtjerëndë, imazh i gurit,
Ëndrrakaltër që i vogël,
Gurit dha besën e burrit
Kur ngjarjet ashtu i rrodhën…

Dhe i dha besën e labit
Selman Pazo nga Vranishti,
Zë qëndis gurët e malit
Shpirt i tij, dora dhe gishti.

Në kurriz hallet i mori
Dhe jetoi burrërisht,
Tym të bardhë oxhaku nxorri
Te Selmani bujarisht.

Dhe Kujtesa e Kulturës
E mban në radhë me fisnikë,
Sepse në sy të furtunës
Djers’ e nderit loton pikë …

Baladë e gurit për tingujt,
Baladë e burrit në gurë,
Bleta që bën mjaltë të hidhur,
Të çmuar për të sëmurë,

Selman Pazo nuk ka dy
Mjeshtër i culës së gurit.
Është njeri a legjendë ky?!
Në folklor – shtiz’ e flamurit.

Vlorë, e hënë, 20 janar 2020

QYTET’I IM- Nga MUSTAFA KRUJA (Pjesa e tretë)

 

Poshtë, shtrîmë në prêhën të tij, qyteti; nji amfithjatër pa masë, me kullat e bardha hallakatun ndër grupe të vogla ase mbë vete, mbë faqe ase mbi kurriz kodrash, disa me shpinë kah mali e sýt drejtuem andej larg deri ke brigjet e detit, do tjera ijën kah mali e faqen kah shoqet e veta, siç e kanë lypun kapricet topografike të vêndit, fytyrat e tyne të fshehuna pjesrisht nëpër degat e ullijvet si faqe të njoma vashash me flokët e mëndafshët të derdhun përpara. Mâ përtej Krasta, pararoja strategjike e qytetit, me shkrepat e këlqertë të saj, minierë e Krujës së vorfën, aty-këtu mbjellë me kumí këlqerje qi buçasin tym e flakë shkurresh. Dikur kjo ka qênë krejt e veshun me shkozë, shqopë e dushk qi ushqejshin tufa dhish dhe mbajshin qytetin me drû; mbandej nevoja e këlqeres për ditë mâ e madhe për vêndin e për qytetet e Durrsit e Tiranës e xhveshi gadi krejt. Kur punim’i linjitit, qi duket se s’mungon në tokën t’onë, ka për t’u zhvillue si duhet kumít e këlqeres do të fillojnë me punue me tê në forma moderne, atëherë Kruja ka me pasun nji fat ekonomik mâ të mirë, Krastën e vet prap të veshun, të gjelbër e të bukur edhe atê. Kur mbaron Krasta fillon fusha e Krujës. Nji katund i ksaj fushe ka monopolizue në gjuhën e vêndit kët’emën, quhet ai Fusha e Krûs. Por në të vërtetë kjo fushë shtrîhet për së gjati qyshë prej Ujit të Matës me Milot, Gurëz e breg deti deri në lum të Tërkuzit ku bashkohet me fushën e Tiranës; e për së gjâni ke merr fund Krasta e deri në lumë t’Ishmit e të Gjoles tue u kapun me fushën e Prezës. Soditsi i kalás së Krujës të tânë këtë panoramë, qyshë prej vetullës së Sarisalltikut, 500 metra mbi tê, e deri në buzë t’Adriatikut me kodrat gjelbrore të gjithë atyne fushave, me arnajë e livadhe, me dushknajë e zabele, me lumna e shena t’argjêntë qi gjarpnojnë nëpër to, me kullat e bardha të mbjella nga pak kudo, me malthin e Ishmit e kalán e Prezës dhe tutje deri në limanin e Durrsit e në qytetin e Tiranës, krejt e ka para sýve të këndellun të tij.

Por Krutani këtë thesar shpirtnuer qi i ka falë natyra në shtëpi të vet nuk e çmon. Atij, si gjâ e përditshme qi âsht, i u ka bâmë kjo nji gja e zakonshme. Âsht i përjashtmi qi i a ndien shijen e qi, t’i a ndiemen nji herë, s’ka për t’a harrue mâ në të tânë jetën e tij. Edhe ky veç, po vojt deri në qytet e i a përtoi me bâmë edhe ato 500 metra tërmale për me dalë deri në Sarisalltik, ka me mbetun si ai peregrini qi ka vizitue Vêndet e Shênjta e âsht kthye pa pamë vorrin e Krishtit në Jeruzalem ase Gurin e zí në Mekë. E dij, kush shkon me vizitue Krujën, për gja të shênjtë kishte me kërkue atje, në mos vorrin, qi mjerisht s’âsht mâ kurrkund, as në Lesh ku ka qênë, nemose nji kujtim ç’faret do të fatosit me të cilin lidhet ngusht emn’ i atij qyteti qe pesë shekuj e këndej. Por kot, kujtime t’atilla s’ka për të gjetun, posë kalás, e cila, as ajo s’paraqet fizionomín e kohës së Kastriotvet e t’Uranit (). As qi po e kam ndërmênd këtu un me i krahasue vizitorit të Krujës Shênjtin Sarisalltik të bektashijvet me Jezu-Krishtin e gjithë botës së krishtenë ase me Profetin Isá dhe Gurin e Zi të qabes së botës mohamedane. Sarisalltiku i gjorë s’ka kso pretendimesh. Por nj’ashtu sikur peregrini qi shkon në Jeruzalem e ai qi ve në Mekë nuk mund t’a quej detyrën e tij fetare të kryeme e as shpirtin e tij të kënaqun deri sa s’ka pamë edhe atë gjâ të shênjtë kryesore, po ashtu as turisti i Krujës, pa dalë edhe në majë t’atij mali, të cilin vêndi e thërret edhe me emnin e shênjtit qi ka lânë atje kujtimet e veta, s’e ka mbarue qëllimin turistik dhe në shpirtin e vet, pa ditun ka lânë nji gjymtí të paplotsueshme. Me nji mundim të vogël, nji hypje asaj faqje mali nji oret, të shumën dý për pa i u marrë fryma asnji herë ai do të kishte para sýve të tij panoramën mâ madhështore qi mund t’i paraqitet nji njeriu në jetën e vet: prej maleve të Leshës e deri ke baba-Tomorri në nji të përfshime sýni me gjithë ç’mban kjo mbrênda tokë e det. Qytet’i Krujës, qi pa dyshim ka për t’u bâmë nji ditë qêndra turistike mâ e rândsishmja në Shqipnín t’onë, qán për nji teleferik me majën e malit të vet. Kjo âsht e nevojshme sidomos për sedentarë shum’a pak si un, qi u pëlqen me këndellë sýt , por pa i mundue shumë kâmbët. Më bie ndër mênd kur qeshë ngjitun nji herë deri në qafë të Jungfrau-t (), me hekurudhën e posaçme t’atij mali për me pamë akullinëne famshme nên tê. Mbandej i shkrova nji letër Dom Lazër Shantojës, () të cilit veç artevet i pëlqente edhe turizma e alpinizma. M’u përgjegj: “Mos të qofsha falë pse ke hypun në 3500 metra…. me tren. A jé i zoti me u ngjitun kâmbë si un?”

Naltsija 1100 metrash dhe afrija me qytetin do t’a kishin bâmë malin e Krujës nji vênd verimi të çmueshëm. Por mjerisht i mungojnë gjâna të tjera shumë mâ të rândsishme për këtë shërbim. Mali ka trajtën e nji piramidi katërfaqsh të premë rregullisht me kryenajë rrafshore. Prandej të gjitha ernat, nga çdo anë qi të fryjnë , atje janë në shtëpi të vet. Mâ e shuma e sipërfaqes së kryenajës âsht fushë pa drûj, veç nji pjese t’anvet të veriut e të verilindjes. Në këto anë ka ah. Ujë n’atë mal ka fare pak, vetëm nji krue “ke Lugjt” pak pa mbërrîmë në buzët. I thonë “ke Lugjt”, se atje gjinden dy lugj të gjatë drûni për të pimë ujë gomarët qi bâjnë drû e patavra sidhe disa qind krenë dele qi dalin verës n’atë bjeshkë.

Heret, due me thânë deri në djalní t’eme, deri qi s’pat fillue vargu i papremë i mjerimeve të vêndit t’onë fatkeq me luftat ballkanike e, në daçim me pavarsín e tij qi do t’i sillte lumtunín, mund të them se s’ka pasun familje krutane – pa përjashtue edhe shumë katundarë – qi dilte n’atë mal për nji piknik në nji ditë vere të çdo vjete. Çilej stina ditën e Shën Gjergjit. Burra, grá, kalamâj shum’a pak të mbërrîshëm, kapshin përpjetën varg e varg, heret për me sosun në majë pa u shtrîmë dielli faqeá së malit. E shumta e burravet ishin t’armatosun, simbas zakonit, dhe argtimi mâ i madhi i tyne ishte me shtimë mbë nishan (qitja në shênj)

U ngrihshin tre a katër shênje në largsí të ndryshme, u dajshin burrat grupe-grupe, fillonte qitja, u gjuejshin shênjet nji herë, u ngrihshin prap e prap për së dyti e për së treti…. deri sa të gjithë vizitorët e Sarisalltikut t’a ndiejshin veten të nginjun me kët argtim. Mbrapa shetina, lojna të ndryshme, kângë burrash e grásh. Mâ në fund burrat i a nisshin pijes, prap me kângë e muhabet, grupe grupe e u përgatitshin për drekë. Mbas dreke pushim, gjumë deri qi t’u kthiellojshin kokat e turbullueme nga rakija, e rrushit ase e detit (mastika); q’atje së voni edhe nji herë qitje në shênj e nja nji orë a dý para se të ngrysej u niste gjindja për kthim, tufë-tufë, ku tue këndue e ku tue shtimë ase të dyja bashkë.

Stina e vizitave në Sarisalltik, e fillueme kështu ditën e Shën Gjergjit si nji peregrinim i përgjithshëm, vazhdonte deri në fund të gushtit. Por andej e mbrapa në nji tjetër formë. Dikuj i âsht shfaqun n’ândërr detyrimi me i kushtue nji kurban atij shênjti, dikush e ka pasë bâmë vetë këtë kusht si nji falënderim për nji të mirë, për nji gzim qi e ka gjetun, tjetri vetëm i âsht tekun me gzue veten, familjen edhe nji palë dashamirë të tij qi i pëlqente me ftue, gadi për ditë bâhej nji gostë, mâ të shumtën për drekë, por shpesh edhe për darkë, me nji, dý a tre desh për kurbana atje nën hijen e Sarisalltikut. Lëkurat e kurbanavet i jitshin falë teqes, dmth. dervishit qi e ruente. Teqja kishte gjelltoren e ênët qi duheshin për të hângër. Por s’ishin vetëm lëkurat e kurbanavet qi fitonte dervishi nga vizitat; shumë vizitorë i falshin edhe të holla. Për vizitorët qi flêjshin atje, Sarisalltiku ka edhe dý konaqe, nji me 4-5 oda edhe nji tjetër, këtë shi në buzë malit, me njo odë të vetme por të madhe. Të gjitha natyrisht përdhesa. Kështu, madje , edhe herë mbas here era s’e lên pa u a zbulue pullazin. Në qoftë se ai pullaz qi çon peshë era ka qênë ndërtue me bamirësí të dikuj, popull’i Krujës e përfol sikur bâmirsi i ka pasun ato pare haram e se prandej Shênjti Sarisalltik, qi s’e duron haramin, ka çue erën me e hjedhun poshtë.

Âsht interesante gojdhâna e këtij shênjti. Pikë së pari âsht rasa me shënue se në qoftë qi ai ka ekzistue njimênd ndonji herë moti nji njeri i përshpirtshëm n’atë majë mali, duhet të ketë qênë nji eremit. Vênd’i tij atje nalt âsht nji shpellë. Sdrypet nja tri metra thellë e aty nji bërryl i ksaj shpelle asht damë me mur, si nji sacrarium i shênjtit. Hýhet mbrênda prej nji dere të vogël. Në fund nji presë me dërrasa, mbrapa së cilës duket se do të jetë nji greminë. Kurrgjâ s’ka në këtë qelzë shkâmbi veç nji kutije drûni, ku të devotshmit qi hýjnë atje për me i u falë shênjtit hjedhin nga nji pare. Këta i a nisin qyshë prej prakut të derës me nderue e lutun shênjtin, qi s’ka lânë kurrfarë shênji aty, me zâ t’ulët vetë me vete e tue puthun muret e shpellës.

Nja dý metra mâ poshtë ka nji shtresë dërrasash në nji anë, mbuluem me nji hasër, ku mund t’ulen nja dhetë vetë rreth e përqark n’atë fresk shpelle. Dritë ka mjaft, se gryka e shpellës âsht e gjânë. Zbresim tekembramja edhe nja dhetë metra ma poshtë, nji palë shkallë gurit, ndërtuem fare rregull me nji prjerrje normale, edhe mbërrîjmë në nji krue me çep të mbyllun e me nji lug guri nên tê. Pijmë ujë. E ç’farë uji! Aq’ i ftohët, sa âsht gadi e pamundun me e mbarue nji gotë të tânë në nji hov. Mbas murit të kroit ka nji “depozitë”, qi nuk dij a âsht e natyrshme apo e ndërtueme. Përmbi tê qëndron nji “gur rrumbullak” si nji bullungë e tavanit të shpellës. Prej këtij guri pikon në depozitët ata ujë. S’i kam pamë me sý as depozitën as gurin rrumbullak, por m’i kanë thânë. Pikat qi gjerbojnë e bien në hurdhët ndihen fare kthiellët. Guri rrumbullak po s’e muerëm shkrolarisht kët’epitet ka gjasë të jetë nji stalaktite.

Kjo, shpella e Sarisalltikut. Tash legjenda na e tregon këtë shênjt për Shën Spiridionin, qi e ka kufomën “të pacenueme” në Qerfos (Korfuz). Qi nji shênjt bektashian t’identifikohet prej bektashive vetë me nji shênjt të krishtenë s’âsht aspak çudí për kê ka pasun rasë me ndëgjue, si un, disa ndërpretime interesante prej gojës së fetarve bektashijanë në këtë kuptim. Bie fjala H.T. Ahmet Sirri Dedeja, kryegjysh i bektashijvet të botës e i teqes bektashijane të Kajros, më ka lanë nji ditë me gojë hapët ndaj spiegimet e tija kso dore, si p.sh. mbi identifikimin e Aliut, të katërtit Khalife t’Islamit, me Shën Llín (Sh. Ilia) e mbi sa tjerë kështu. S’kanë asnji rândsí, simbas ndërpretimit të H.T., datat historike të jetës së njânit e të tjetrit shênjt t’identifikuem me shoshoqin. Âsht shpirti i atij ma të lashtit qi ka lemë përsri me trupin e mâ të vonshmit.

Por si fluturoi e duel ky shênjt prej majës së malit të Krujës deri në Qerfos?() Legjenda e përshkruen sikur ai ka qênë i mbësýmë prej kulshedrës e mbas nji luftimi të rreptë me tê s’i ka pamë shteg tjetër vetes veçse me ikun e me kërkue nji strehë mâ të sigurtë. Edhe këtê e ka gjetun në Qerfos. Tue fillue prej të Letit, në buzë të Krastës, gjatë xhades Krujë-Durrës e Tiranë ku sod gjinden vorrezët e Merlikajve, deri afër krojit të Fokës, ke bie në fushë, heret ka qênë nji kalldrám qi i thojshin Kalldrám i Qerres. Në gjysmë të këtij kalldrámi ka qênë (ka mot qi s’kam kalue mâ andej) nji kolibë e shtrueme me harasan qi në mest kishte nji gropë në formë të nji gjurme njeriu e pranë saj nji birë të vogël: gjurma e kâmbës së Shênjtit Sarisalltik dhe për brinjë ajo e shkopit të tij qi ka lânë tue ikun prej kulshedrës. Që prej malit të Krujës e deri atje në gjysmën e Krastës pak me thânë nja dý mijë metra në vijë ajrore, Shênjti Sarisalltikka kërcy me nji hapë të vetme. E tash shpejt po shohim mrekulli edhe mâ të madhe kso dore. Pak përmbi atë gjurmë anës së kalldrámit gjinden dý gurë të ngulun në tokë e krejt në trajtë konike, njani pak mâ i madh se tjetri. Populli, tue folë për atê vênd, thotë “ke Pilafët”. Ky emën asht fare normal, pse njimênd ajo âsht forma e atyne dý gurve. Por bukuria e legjendës âsht kjo, qi ma të madhin e atyne dy gurve, i cili âsht pakëz i cenuem nga fundi, na e tregon për pilaf gruni e mâ të voglin orizi, e Sarisalltiku, i ûntuem mbas gjith’asaj lufte me kulshedrën, ka dashun të hajë, ka fillue me nji lugë grunë – lugën sigurisht shênjti e kish marrë me vete në xhep – e mbasi i a ka mbërrîmë kulshedra me i u turrë mbrapa, i u ka dashun të kaptojë e pilafët atëherë janë bâmë gurë. Për çudi, veç, gjurma e shênjtit âsht disa qind metra larg pilafëve e âsht gjurma e parë dhe e vetmja qi ai ka lânë në tokë tue ikun, sepse prej andej me hapën e dytë ka fluturue e ramë fill e në Qerfos!

Edhe nji shênj tjetër na ka lânë Shênjti Sarisalltik në mal të Krujës. E ky âsht mjaft i dashun, i kandshëm: nji lulez e bardhë qi i gjân shumë asaj së deles, margaritës, por mâ e vocërr se ajo e me erë të mirë. Popull’i Krujës e quen shallnesh (Shën Llesh) edhe beson qi ka bimë prej pikave të djersës së Sarisalltikut kur ky po luftonte me kulshedrën e po ikte prej saj. Logjikisht ajo lule duhej të merrte emnin e Shën Spiridionit, mbasi Sarisalltiku âsht ky vetë, e jo atê të nji shênjti tjetër. Por mâ edhe logjika e emnit të lules s’ka si me qênë tjetër veçse nji pjesë e gjithë logjikës së ksaj legjende. Kjo lule n’asnji vênd tjetër nuk gjindet posë malit. Âsht vallë nji lule e rrallë, vetëm e malit të Krujës? Nuk dij s’kam fé pjese në botanikë.

SHËNIMI I VOAL

 

“Qytet’i im”, një esé e mrekullueshme e Mustafa Krujës, për qytetin të lindjes, që ai e ka për mbiemër, Krujën, veç të tjerash, ka rëndësi historike, sepse është shkrimi i fundit i Mustafa Krujës.

Nipi i tij, Eugjen Merlika, e ka nxjerrë nga revista Shejzat e Ernest Koliqit dhe e ka përgatitur dhe e dërgon për botim për herë të parë tek VOAL. Esenë VOAL po e boton  me disa vijime.

I jemi shumë mirënjohës për këtë nder të veçantë mikut dhe kolegut tonë të çmuar Eugjen Merlika.

Mustafa Asim Merlika i njohur më shumë si Mustafa Kruja, apo Mustafa Merlika Kruja (Kruja, 15 mars 1887 – Ujëvarat e Niagarës, 27 dhjetor 1958) ka qenë mësues, firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë të Shqipërisë, nëpunës, politikan dhe kryeministër, senator i legjislaturës së XXX të Mbretërisë Italiane gjatë regjimit fashist, anëtar i komisionit të punëve të jashtme, tregtisë dhe legjislacionit doganor gjatë mandatit të tij si kryeministër.

Si studiues i shqipes, historian e publicist njihet dhe me emrin e pendës Shpend Bardhi. Ndonëse produkti i tij intelektual nuk u pranua përgjatë regjimit komunist, sepse u cilësua kuisling edhe tradhtar, në studimet e veta mbi etimologjinë e shqipes, Eqrem Çabej e citon në mënyrë të përsëritur.

TRILUSSA FLET SHQIP- Shqipërime nga Ndrekë Zalli

 

Karlo Alberto Salustri, (Romë 1871 -1950), i njohur për publikun me emrin e artit ose pseudonimin anagramatik TRILUSSA, ishte një gaztar, shkrimtar e poet italian, kryesisht i njohur për sonetet e tij të shumta e të larmishme të shkruara në dialektin romak.
Ndër librat e tij mund të përmendim: “Dyzet sonete romake” (1895), “Njerëzit dhe bishat” (1914), “Ujqër dhe qengja” (1919).
Sot, për kënaqësinë e lexuesve, po sjellim një tufë sonetesh të këtij autori.

BARAZIA

Gjeli, që idenë e barazisë kishte fiksim,
Shqiponjës i shkroi: -Moj fisnike,
meqë ju rrini mbi ato male kreshnike,
ne duhet ta shmangim kyt distancim.

Sepse, mendoj, s’asht e drejtë aspak
që unë të rri ktu poshtë në batak,
por do t’ishte ma e fisme e me drejtësi
t’jetonim te dy në t’njajtin nivel e naltsi.

Ia ktheu Shqiponja: -Miku im,
me knaqësi e pranoj kyt propozim.
Don t’bahemi miq? Gati më ke,
por mos prit që unë të zbres atje.

Nëse t’gjesh forcën që duhet ia del
hap krahët që ktu sipër të vish,
por nëse s’ke shpirt që kyt ta arrish
unë po vazhdoj t’jem Shqipe e ti Gjel.

NUMRAT

-E di se vlej pak -i tha Zeros nji Njish.
-por ti nuk vlen asgjâ. Je thjesht nji hiç
si në vlerë po ashtu edhe në mendim
ti mbetesh nji gjâ bosh e pa përfundim.

-Ndërsa mue nëse zerot m’vihen varg,
nandë copë rrumbullake kshtu si ti,
e di sa bahem? Plot nji miliard!

-Punë numrash! Kshtu pak a shumë
ndodh edhe me nji diktator merhum
që rritet e forcohet në vlerë e fuqi
prej zerove t’shumta që shkojnë mbas tij.

MASKA

Para njizet vitesh edhe unë u maskova
e ende sot e ruej atë surrat kartoni
me t’cilin surratin tem mbulova.

Prej njizet vjetësh mbi nji dollap rri
ajo Maskë qesharake, që ka mbetun
gjithmonë po me t’njajtën shprehi,
përherë po me t’njajtën të qeshun.

-E si ia del?! –e pyeta nji ditë
-të mbash të njajtin gazmend
edhe n’çastet që zemra dhemb,
edhe kur n’telashe jam zhytë?!
E lumja ti, që kurrë s’ndryshon!
E lumja ti, që pa zemër jeton!

Maska m’u përgjigj: -E ti që loton
m’thuej çka fiton? Nji hiç! I vetmi qar
se njerëzit do t’thonë: “I shkreti qyqar,
sa gjynah … m’vjen keq sa s’beson!”…

Por realisht, m’beso, aspak s’u plas!
Ndaj ban si unë, që gjithmonë qesh:
e nëse ndodh që të kap trishtim
fytyrën mbuloje me surratin tim
e kshtu njerëzia s’do t’marrin vesh… –

Aty e mandej dhimbjet do të rrinë
mbas nji alegrie prej kartoni
e si nji egoist me famë do t’jetoni
që aspak nuk i plas për njerëzinë!

SHTERNGIMI I DORËS

Ai i dhanies së dorës gjithsecilit
vërtet që s’asht nji zakon i përkorë,
mund t’ndodhë t’ja japësh atë dorë
nji hajdutit, nji horit o nji katilit.

Mandej ajo dorë, e thatë o e djersitun,
me njerëz të ktij lloji kur asht tokë,
n’mikrobe e viruse mund t’jetë ngopë
e prej aty n’gojë e n’stomak me mbrritun.

Ndërsa me dorë n’zemër nëse përshëndet,
pa pikë dyshimi jo pak n’higjienë fiton
pa humbun asgjâ n’nderim e në respekt.
Pra kjo përshndetje, thanun me elegancë,
-T’kam e t’paça, mik… besoj se m’kupton,
sot ka ardhun koha me mbajtë pak distancë.

ZGJEDHJA E PRESIDENTIT

Nji ditë të gjitha kafshët janë mbledhë
(ato që puna shtypëse i dërmonte),
vendosën që nji President me zgjedhë
që interesat e tyne të mbronte.

Të gjitha morën pjesë në atë takim:
Shoqatat e Derrave e t’Demave, t’pranishme si gjithmonë,
Grupimi Shala e Samari s’bani përjashtim,
as Liga e Pamvarun e Gomarëve banues në Romë;
Vllaznitë e Maceve Shpijake, të Qenve e të Kuajve,
Lidhjet e Deleve, të Lopëve e të Buajve …

Nji Gomar, me ambicien për t’u zgjedhë,
lëkurën e nji Luani mbi trup kishte hjedhë.

-Kafshë votuese -u tha -i prekun jam:
qytetaria, liria, përparimi… ky program
i vetmi e mâ i miri që unë kam
e mâ i përshtatshmi për kyt vend,
sepse asht i njajtë me tuejin! Prandaj
ju ftoj të votoni t’gjithë për emnin tem.

E n’fakt pikërisht ai u zgjodh!
I lumtun Gomari nji fjalim mban,
e veç atëherë populli shtazor pa
se ç’gabim të madh kishte bâ
me atë Gomar që u ishte shitun si Luan!

-Shpifës! -Mashtrues! -Rrenacak!
-Tashti që e mora kyt detyrë
– u tha Gomari -s’më plas aspak:
e do ta mbaj me çdo formë e mënyrë;
Edhe n’vrafshi vedin o n’vdekshi n’aksident;
Ishit ju vetë që më zgjodhët, pra durim!
Heshtni! E m’respektoni si President!

GOMARI E LUANI

Gomari tha: -N’kohë t’lashta, kaherë,
kur demokracia s’kishte lindë ende,
shtresa jonë nuk kishte asnji vlerë.
Gjyshi jem, për pak nderim nji marifet bani,
u mbulue me lëkurën e nji luani
e u trajtue me respekt e me nder.

Kanë ndrrue kohnat, s’asht si mâ parë
-i tha Luani -Tashti lëkura jeme
nuk vlen mâ nji lek, mor kumbar…

Sot, për fat t’keq, kam humbë autoritet
e shpesh jam unë që me marifet
më duhet t’maskohem si gomar!

DIPLOMACIA

Natyrisht që me termin diplomaci
kuptojmë diçka që shteteve u shërben
për të ruejtun marrëdhanie të mira,
me pak mashtrime e me pak djallëzi.

Shkaku që dikush quhet diplomat
asht se mashtron disi me edukatë
tu’ mshehun mendim e mëkat
mbrapa nji perdeje fasadë.

Ta xamë, nëse i them njanës nji fakt:
që burrin e saj e pashë me nji garipe,
i sinqertë mund t’jem, porse i patakt.

Përndryshe, nëse them: -Kujdes me ke rrin, moj mike…
Ajo mbetet me bryna, si ma parë,
por unë e paralajmrova n’formë diplomatike.

SHOKU

Nji Maçok i njoftun për bindjet socialiste
me t’vetmin synim ndonji post me gjetun,
nji ditë po i përvishej nji pule t’pjekun
n’kuzhinën e nji mikeje kapitaliste.

Kur nga nji dritare nalt në pullaz
-Shoku jem -i tha nji Maçok kojshi
-mendo se jam edhe unë ktu përbri
që klasës proletare i përkas!

-Unë që bindjet tueja mjaft mirë i di,
jam i sigurt se atë pulë që po hani,
sapo të zbres, në dysh do ta ndani.
sepse jemi shokë në ideal e në parti!

-Jo, jo! – ia ktheu Maçoku zemërzi
-Unë nuk ndaj asgjâ me asnjeri,
Jam socialist kur jam në agjërim,
ama kur ha s’njoh bindje e as parim!

 

POLITIKA

Nji larmi mendimesh n’shpi tonë ekziston;
baba jem asht nji demokristian,
e meqë asht i punësuem n’Vatikan,
çdo mbramje ai rruzaren reciton.

Ndër vllazën ma i madhi quhet Adrian
e asht i përmendun si socialist;
unë, ndryshe nga ai, jam monarkist,
ndërsa Ludoviku, njihet si republikan.

Çdo natë para darke sherri asht prezent,
zihemi shpesh
për kto t’bekueme parime,
njani thumbit, tjetri patkonit …Duket parlament!

Bajmë katrahurë! Por sapo ndigjojmë mamin
që na thotë se darka asht gati
t’gjithë jemi dakord me programin.

QENI E HANA

Njiherë nji Qen, në mes të nji rrugice,
Hanës po i lehte n’praninë e nji Mice…
-Lene n’punë t’saj! -tha ajo -Me tè çka ke?
-Pse po t’shikjon? Sa qesharak që je!
Hana i sheh t’gjitha, por s’jua var aspak
atyne që rrugëve vrasin e bajnë gjak.

-Për kyt -i tha Qeni -nuk e duroj!
-N’mes t’kaq shumë turpi, telashesh e derti
Ajo përherë e njajta! Kurrë nuk ndryshon.
Indiferente e pandryshueshme mbeti …
Do t’doja që hundën ta shtrembnonte
e sytë t’zgurdullonte… Por ndërmend s’i shkon!

-Sepse kto gjana ktu poshtë i ka pa shpesh,
-ia ktheu Mica -bota asht gjithmonë po ajo.
qysh kur Kaini vllaun e tij e bani pshesh.
Hana njilloj qeshi siç edhe tashti po qesh.
Ka qeshun gjithmonë e do t’qeshë përherë
edhe nëse nji ditë Abeli Kainin do të therë…

DASHI

Nji Dash madhosh e pak torollak,
tu’ kalue mbi urë pa pasë mendjen aspak,
ra në lumë e mbasi bâni: pllaq – pllaq,
u zhduk e mbi ujë mâ s’u shfaq!

Natyrisht që delet sapo lajmin mësuen
në vendin e ngjarjes të gjitha vrapuen
e nisën tu’ kja:
-Dashi i shkretë!
Që ishte aq i urtë!
Që ishte aq i qetë!…

Edhe Bariu shkoi me vrap, por nga nguti
që t’tregonte pikëllim të thellë ai desh’,
por n’vend që t’thoshte: – I shkreti Dash!
Thirri me t’madhe: -I shkreti lesh!

BARIU E QINGJAT

Sapo ilaçin magjik ai u ka dhanë
Që t’u vinte instinkti i etjes për gjak,
Bariu tha: -Asht e nevojshme sak
që Qingjat të bahen Luanë,
të shpallin luftë e t’jenë të fortë
kundër t’gjithë Ujqënve mbi tokë.

Deshmi që ky ke nji motiv i drejtë
ishte se Qingjat iu gjegjën ftesës pa hezitue,
çdo blegërimë n’nji ulërimë u shndërrue:
Vdekje Ujqve! Shporruni me të shpejtë!
Në po atë natë, me pak fjalë,
ujqërit ikën me bisht ndër shalë.

Sapo lufta u fitue, zotnija Bari,
mbasi festoi me fyell e me zumare,
-Tashti -thirri ai me të madhe
-çdo Luan të bahet Qingj përsëri
e n’interes të fermës e t’biznesit
të kthehet urtë e butë në shpi.

Por ata ia kthyen: – O torollak!
Tashti, lum miku, që e pamë kjartë
se jemi të guximshëm e të fortë
e jo kafshë për t’u mbajtë në vathë e lak!
Pra, ki kujdes, sepse tash e tutje
do t’jemi ne zotët e ksaj fushe!

MBRETI E GAFORRJA

-Nji Mbret që po shetiste n’breg të detit
Thirri: -Xuna nji gaforre t’madhe ktu n’cektinë!”
I tha Oborrtari: “Kush mos t’Ju ndijnë!
Peshkimi i gaforreve s’asht punë Mbretit!”
-Atëherë -tha Gaforrja me vedi t’vet –
do t’thojnë se jam unë që xuna nji Mbret!

 

ERA E KALLAMI

-Kurseje mundimin, kot e ke që shfryn
-i tha Kallami Erës -mirë e di që s’më thyen…
-Vërtet -i tha Era -me pemët shekullore luftoj,
por me ty knaqem e qeshem sa lotoj,
se ti përkulesh deri në tokë kur kaloj!

 

ZEMËRIMI

Eme shoqe, që asht nevrike shumë,
kur ne shamatohemi për hiçgjâ
me m’gjuejt grushta kresë ves e ka,
sepse e din që aty s’duroj as unë.

Unë i përgjërohem: -Shpirt, mjaft mâ!
Përndryshe do t’lëndohesh keq… –
por ajo, megjithatë, dorë nuk heq
deri që t’i jap edhe unë disa…

 

LUMTUNIA

Asht nji bletë që ndalon
mbi gonxhen e nji drandofili;
i thith nektarin e shkon…
Realisht e në tanësi,
ajo që quhet lumtuni
asht diçka që s’peshon.

 

KARAKTERI

Nji ditë Kameleonit nga balta i flet Zhapiku:
-Ti ngjyrat i ke gjithmonë gati, lum miku.
Të bardhë e të zezë… t’gjitha i ke provue!…
Të kuqe e të verdhë, të gjelbër e blu…

M’thuej çka dreqin ndër mend të shkon?
Dukesh si ylber! S’ka ditë
që mendimet s’të ndryshojnë
e n’bazë të tyne ngjyrën e kostumin ndërron
në varësi t’ambientit e t’gjânave që t’rrethojnë.

Ndërsa unë, siç më sheh, rri gri përherë,
sepse jetoj n’mes të baltës dimën-verë,
por ama prestigjin tem kurrë nuk e shes.
Ndoshta gaboj, por ky jam e i tillë do të mbes!

-Gjithësecili në arsyet e tija beson
-ia ktheu Kameleoni –Çka t’i bash?
Unë përherë ndërroj e ti kurrë nuk ndryshon:
Mbase që të dy mendojmë dallash!

XIXËLLONJA
Hana e plotë Xixëllonjën ngacmon:
-Ndoshta, zonjushë, e ban për kursime.
por krejt e dobët asht drita që lëshon…
-Po, -ia ktheu ajo -por asht drita ime!

KAMELEONI E FLUTURA

Nji ditë Flutura e lodhun tu’ fluturue,
mbi nji lule molle u ul për t’pushue,
fshehun ndër degë Kameleoni e përgjonte,
ajo e vuni ré e nga lart e përçmonte.

-Çka t’kam bâ?- e qortoi me dhimbje në ftyrë,
-Je vërtet i mjerë, s’ke shpirt as ngjyrë!
-Dakord, -ia ktheu ai, -por kam edhe trù e uri.
E ajo: -Je vetëm e i shëmtuem, kjo ka randsi.

Kafsha e ngathët ngadalë drejt saj rrëshqiti
e diçka çuditshëm tu’ e pâ çuçuriti
-…Mos e harro nji gjâ, moj Flutur,
që je edhe e shijshme përveçse e bukur.

Nji kafshatë e kandshme qe ajo vërtet,
e ai me gjuhën e gjatë i dha nji puthje t’nxehtë…
Në jetë s’mjafton veç i mirë e i bukur t’jesh,
Se veç zemrës duhet dhe pak tru të kesh.

Ndahet nga jeta shkrimtarja nobeliste kanadeze Alice Munro

Shkrimtarja kanadeze, fituese e çmimit Nobel për letërsinë në vitin 2013, ishte 92 vjeçe

 

VOAL- Shkrimtarja kanadeze Alice Munro, fituese e çmimit Nobel për Letërsi në vitin 2013, ka vdekur në moshën 92-vjeçare. Ajo vuajti nga demenca: ajo vdiq në një shtëpi të moshuarish në provincën e Ontarios. Kështu shkruan gazeta The Globe and Mail.

Shkrimtarja vendosi t’i thotë lamtumirë shkrimit në vitin 2013, vit kur fitoi çmimin Nobel. Ajo botoi tregimin e saj të parë, Dimensionet e një hije, në vitin 1950 ndërsa ishte studente në Universitetin e Ontarios Perëndimore. Përmbledhja e saj e parë prej 15 tregimesh, “Vallëzimi i hijeve të lumtura” u publikua në Kanada në vitin 1968, duke arritur sukses të shkëlqyer me publikun dhe kritikën dhe duke i dhënë autores të parin nga tre “Çmimet Letrare të Guvernatorit të Përgjithshëm”.

Një autore prodhuese dhe fituese e çmimeve të 14 përmbledhjeve me tregime të shkurtra, Alice Munro fitoi gjithashtu çmimin ndërkombëtar Man Booker 2009 për letërsinë e saj.

QYTET’ I IM – Nga MUSTAFA KRUJA (Pjesa e dytë)

Nji tjetër kujtim kam prej Kumllukut. I bukur, i gzueshëm, intim ky. Ishim në vjetën 1920, 27 qershuer. E turbull aso kohe gjêndja e mbrêndshme e vêndit t’onë të ngratë qi s’pa ndonji herë dit me të vërtetë të qeta e të lume. Rrethânat më kishin bâmë me u tërhjekun në shtëpín e vjetër atnore. Atë ditë ishem thërritun për darkë ke nji mik e ishem ngjitun përpjetë kah qêndra qyshë herët me disa shokë. Shtëpija ku ishem i ftuem ishte në Varosh. Bashkë me shokët qi më shoqnojshin ishim ulë në buzë të Kumllukut tue pritun kohën për me shkue ke miku e me soditun nji falje dielli të mrekullueshme, si ato qi veç nji vênd si Kruja mund t’i ketë. Po ligjirojshim në qetsí me sý atje larg kah fusha e deti. Sinija e rrëgjyeshme e diellit po i u avitte dalkadalë e madhnisht rrethit t’ujit të ngjelbët t’Adriatikut tue na përshëndetun me rrezet e arta të saja edhe për nji natë të jetës s’onë. Kur qe! Pa prit’e pa kujtue disa pushkë njâna mbas tjetrës po e shklyejnë at’atmosferë pushimi shpirtnuer në prêhnin përkëdhelës të nânës natyrë. Ku ranë ato pushkë? Disi larg ishin prej nesh. Zân’i kishte të tânë gjasën e nji drejtimi të frikshëm, andej kah lagjia e ime. Po ç’mund të ishte? Nji pritë? Më vrau kush babën? Më vrau kush vëllán? Jo, ata personalisht s’kishin anmiq. “Mos t’ishe ti vetë këtu me ne”, po më thonte njâni prej shokvet, “na s’do të kishim humbun kohë deri tashti me këto hamêndje qi po bâjmë, por do të kishim vrullue pa tjetër andej kah shtëpija e jote; por për njerzit e tuj s’na merr mêndja ndonji rrezik”. Kështu filluem me u qetsue, por me gjithë këtê un s’ndejta pa e nisun nji vrap teposhtë për me marrë vesht. Pa shkue nji gjysmë ore i a mbërrîni lajmsi; e pamë nja pesdhetë metra larg ke po u ngjitte tërmal kah na me hapa të shpejta tue i u marrë fryma, por gjâ të keqe s’i thonte fytyra. “Sihariq! Sihariq”! bërtiti, “i ka lemë djalë Mustafës”! Kishte lemë Fatosi i im. Shokët deshën me shtimë, edhe ata, për gzim; por i ndala me të shpejtë. S’ishte rasa me trêmbun botën edhe na siç u trembëm vetë.

Zakon shqiptar! Gzimet e mëdhá, e të lemët e nji djali i tillë quhet ndër ne, do të festohen me pushkë. E mbasandej kush e paska fillue pushkën për Fatosin? Nji grue e fisit t’onë s’më bie ndër mênd tash se për cilën më kanë pasë thânë. Edhe grát dijnë t’a përdorin pushkën në Shqipní, dhe ka rasa në të cilat kanë dijtun t’a përdorin me shumë mjeshtrí e trimní. Flas për Shqiptaret e hershme këtu, se me luftare moderne âsht mbushun bota plot tashmâ!

Pak nên Tallajbéj vjen Pazar’i Krujës. Ky përbâhej aso kohe, siç besoj se do të jetë edhe sod, prej dy rreshtash të gjatë dyqanesh, nja 200 gjithsej, qi fillojshin me hanin e Picorit. Populli, për me diftue fillimin e pazarit thonte “ke hani”. Ndërmjet dy rreshtavet ishte rruga qi i dante, e shtrueme me gurë, kalldrâm me nji ulluk në medist për me mbledhun e marrë ujët e shiut qi rridhte prej pullazesh. Aq’e ngushtë ishte kjo rrugë, qi verës dyqanxhijt e mbulojshin me qingla strehë mbë strehë të dý anvet të dyqanevet për me ndalue diellin e kështu me bâmë mërriz në freskt të hijes. Se me të vërtetë mërriz bâjshin tregtarët e shkretë të Krujës, si bagtija, e jo veç në vapët, por gati gjithë ditën e javën, përveç së hânës qi ishte ditë pazari e gulojshin katundarët për me shitun e blemë.

Për të hânë po, kishte lëvizje; katundsija qitte me shitun drithnat e miellin, bagtín e prodhimet e saja: bulmetin, leshin, lëkurën; mbandej lândën e pishën e kështêjët. Burrat qi s’mund të dilshin vetë për shkak gjaqesh e ngalsash tjera a pse nuk i lëshonte puna, nxirshin grát, të tana zbuluet, myslimane e katolike, lidhun kryet me nji faculetë të bardhë të vêndit, të vêjtun në vegël, ase nji rubë të zezë a bojnash, simbas moshës, secila veshun me kostumin e krahinës së vet, fusha me mângore pëlhure të vêndit, përmbi të gupen ase mitanin, me çitjane e këpucë qyteti; malsija me linjë të gjatë, xhubletë e “apênga”. Të rejat e malsís të tâna me flokë të zez si pênda e korbit e kush s’i kishte kështu vetiu do t’i lyente me mazi, siç bâjshin edhe gratë e qytetit. Të mrekullueshme balluket e nuseve malsore lëshuem mbi nji ballë të bardhë si bora.

Këta, burra e grá, mblidheshin në gurishtën e ullishtës “përmbi dyqanet”. Kështu e cilsonte populli atë vênd. Atje e shtrojshin mallin qi kishin për të shitun. Vêndit i thojshin edhe “Pazar i grávet”, sepse ndërsa katundaret, nji për nji si burrat, shkojshin edhe nëpër dyqanet, Krutanet e qytetit s’e kishin këtë guxim, por u ndalshin përmbi dyqanet, ku edhe dyqanxhijt ngrihshin nga nji tândë dhe qitshin nji pjesë të mallit atje për ditë pazari. Drithna e kështênjë kishte herë herë edhe në bark të javës e atbotë u shitshin në Lamë. Ky ishte nji shesh i vogël në mest të pazarit, atje ku dy rreshtat e dyqanevet bâjshin nji kthim të vogël në të djathtë për me mbërrîmë kështu deri në Derexhik. Asnji Krutan nuk e dinte se ky emni Derexhik ishte nji fjalë turqishte qi don me thânë përrueth. Me të vërtetë atje e çán pazarin kryq nji rrëké shinash dimnorë me shtrat kalldrâmi qi kalonte nên sallën shkollore të Hasan Çitozit, nji shkollë fillore private ku edhe un kam pasë këndue për nji kohë të shkurtën para se me u ulë mbë gjunj përpara Molla Hysen Topçiut.

Pazar’i Krujës edhe atje merr nji kthim të lehtë kah e djathta për me mbarue nja 100 metra mâ përtej. Krutanët thonë: “Rrêjti ke hani, e besoi edhe vetë në Derexhik”.()

Rruga e pazarit vijon mbandej drejt portës kryesore të kalás. Në të djathtë dahet nji rrêmb e varet teposhtë kah lagja e Kavaçajve e pak mâ poshtë kah ajo e Dedelijve; atje përpiqet me rrugën e vjetër të qiraxhijvet Krujë-Durrës e pa mbërrîmë në Ballefenaj (Ball efendi) lëshon nji rrêmb tjetër në të mângjët për ke Zhillajt, Qoshelijt e Kuqnakët; mû nên Ballefendi shkon e mbaron ke përroi i Hoxhajve, ku piqet edhe me shtegun e përshkurtët të kâmbsorvet qi zbresin prej pazari kah han’i Picorit, për rrânxë të Namazgjahut, të teqes së Shemsi-Babait e të Ballefendiut. Në të mângjët të këtij përroi piqet me rrugën e subashit qi, tue lânë prap në të mângjët nji krue me të njâjtin emën e tue kapërcye përruen, kalon kah Selim-agajt; pret mâ poshtë edhe përruen e Deredés e piqet me sheshijollin nën Dërshaban (Dervish Shaban) e lagjen e Dallakvet; po aty lên në të mângjët Sulhoxhajt. Në të djathtën e përroit të Hoxhajve, rruga qi zbret nga Kavaçajt piqet me atê të Deredés qi lên në të djathtën e vet Pengilajt e shkon me u bashkue me sheshijollin ke t’Aliut të Dylës, ku dahet trish, në të mângjët për Dallakë, Dërshaban, Pengilajt e vjetër e teposhtë përmbi Allamanen t’onë e deri në Krastë; në të djathtë mban për Sutaj e në mest varet teposhtë me nji kalldrâm të vjetër kah Lisat e Çakallit, tue lânë menjiherë prap në të djathtën Ristant; mbërrîn ke Bregu, lên në të mângjët rrugën e lagjes s’onë, Merlikajt, kalon nëpër Dy Çinarët – dy rrapa vigâna, Zoti e di sa shekujsh, në bestytnín popullore çerdhe xhindësh – e mbaron në Krastë me lagjen e kodrën e Barunvet në të djathtë.

Mbas Subashit, ke Selimagajt, dahet rruga e Sarxhës, në të mângjët, qi tue u përshkue fushës së Llabufes (vakuf, vakf) mbërrîn te kroi homonim e shkon ke Bardhajt aty afër në të mângjët dhe kah Emirajt drejt tatpjetë.

******

Ballefendiu âsht nji shênjt i fortë, jo veç për bektashijt e Krujës, por për të tânë Krutanët, posë atyne të pakve qi urrejnë bektashizmën e tjerve qi s’besojnë në shêjtnín e vorrevet. Janë dy vorre (merkate, në gjuhë të besimtarvet; merkad, arab. vênd ku flêhet) Ballefendiu me të birin. Ky i biri, mbas legjendës, paska qênë bâmë viktimë e drejtsís ekstreme të t’et. I tmerrshëm Ballefendiu për drejtsí.I a paska pasë marrë shpirtin të birit – legjenda s’e shquen se në ç’mënyrë – për nji vesh rrush qi ky paska pasë këputun e ngrânë pa leje prej nji hardhije të huej. Nji nga mrekullít e tija qi rrëfehen âsht edhe ajo qi i ka dhânë emnin. S’më ka ramë me ndie se si e quejshin deri në këtë mrekullí qi kallzojnë për tê. Nji ditë Shênjti paska pamë rrugës dikê me nji kafshë përpara të ngarkueme me dy bolira dhe e pyetka të zotin se ç’kishte në to. Bolirat ishin plot me venë. Por i zoti ka pasun marre me e kallzue, mbasi vena për myslimanin âsht gjâ e ndalueme (haram), e prandej i përgjigjet Shênjtit se ishte mjaltë (turq. ball). Edhe Shênjti, qi, si shênjt qi ishte, e ka dijtun të vërtetën, i a kthyeka: “mjaltë (ball) pra t’u bâftë”! Për njimênd kur çilka i zoti bolirat në shtëpí për me nxjerrë venën, në vênt të ksaj paska gjetun mjaltë.

Askush s’din me na dëftye gjâ mbi origjinën e këtij shênjti. Shênjt bektashj, por kundra venës; mallkimin i a lëshon venës me nji frazë turqishte: Ball ollsun! Dhe prandej i jet emni Ball-Efendi. I vetmi mandej ndër shênjtnit bektashianë qi kam ndie me këtë titullin efendi.

E vërteta veç âsht qi ky shênjt nderohet e drohet fort në Krujë. N’emën e mbi vorr të tij bâhen bét mâ të rândat. Atij i kushtohen mbrênda në qytet mâ e shumta e kurbanvet për kushte të ndryshme, në teqe të tij shtrohen mâ e shumta e drekavet prej qytetarvet në rasa të këtilla.

******

Tash dalim e vazhdojmë rugën e pazarit deri në kalá. Në të djathtë duhet të përshëndes nji herë ryzhdijen t’eme ngjitun me zyrën e postelegrafës s’asaj kohe. Përmbi këtê gjindet sod nji shkollë e re shqipe, mjaft e mirë, ndërtuem prej Shtetit shqiptar. Mandej mbërrîjmë përpara portës së kalás. Atje përpiqen edhe dý rrugë të tjera. Në të djathtën varet ajo e Mezinajvet qi shkon rrânxës së murit perëndimor të kalás e deri në Meçaj; prej së mângjëtës vjen rrafsh përmbi Pazar ajo e Kakulit, qi mû n’atë vênd ku merr kët’emën bashkon atë të Kasmajve (dmth. të lagjes ekstreme rrânxës së malit në vazhdim të Varoshit kah juglindja) me atë të Berberajvet qi ngjitet përpjetë me nji prjerrje mjaft të fortë.

Kalaja e Krujës âsht nji shkâmb i damë mbë vete në pjesën lindore të qytetit. Mbërrîn gadi në nji naltsí me Varoshin. Rrafshina e saj ndjek topografín e përgjithshme të qytetit, dmth. shkon tue u përvjerrë prej anës së malit kah ajo e fushës. Rreth’i mureve mund t’arrijë në nja 1000 metra. Mbrênda në skânjin verijak të saj âsht kulla e sahatit të qytetit. Ky sahat dikur kishte pasun nji kumbonë të mrekullueshme. Por kumbim’i saj tepër i fortë, ndihej në Prez, thojshin pleqt, e për këtë e paskan pasë hjekun e zevëndsue me nji mâ të vogël qi i a kam mbërrîmë un. Edhe kjo ndihej mjaft mirë në qytet , së paku deri në Merlikaj po. Ajo e vjetra pushonte për tokë mbrênda në kullë. Dikur i paska ramë në sý nji eksperti të huej, nji Austrijaku, s’kam mundun t’a marr vesht a ndonji konsulli apo ndonji turisti. Sigurisht vlerë artistike ka pasun, por ndoshta edhe historike. E kush din me t’a kallzue? Fakti âsht ky, qi nji ditë prej ditsh ajo kumbonë zhduket e askush nuk din t’a qarojë me detaje të sigurta atë mister. Mâ vonë, shumë mâ vonë, kur ishem burrnue e kishem fillue t’interesohem për gjâna historike të vêndit, më pat ramë me e marrë vesht se si ishte zhdukun kumbona e vjetër e sahatit t’onë. Nji patriot shqiptar banues në Durrës e nji krutan, të ngarkuem pa dyshim prej konsullit austriak t’asaj kohe në Durrës (kah fund’i shekullit të kaluem a kah fillim’i këtij), kanë gjetun mënyrën me e bartun e ngarkuem më ndonji vapor t’Austrís. M’a ka pasë diftue nji bashkqytetar i im tue më sigurue se e kishte ndie prej vetë gojës së protagonistit krutan, Ibrahim Kaloshit, të ksaj ndërmarrjeje. Këtë e paska pasë sigurue miku i Durrsit qi kur të dalë Shqipnija mbë vete ajo kumbonë do t’i kthehej Shtetit shqiptar. Deri sa ajo ishte gjâ Turku e Austria nji Fuqí e madhe qi përkrahte idén e pavarsís s’onë, ata e quejshin veprën e tyne nji akt miqsije për atë Pushtet e pa kurrnji dâm kundra atdheut të vet. E me të vërtetë i kam njohun fare mirë të dy si ndër patriotët mâ të vjetër e mâ të kulluet qi ka pasëun Shqipnia.

Mbrênda në kalá s’ka kurrgjâ të vjetër me nji vlerë historike: muret, bedenat, gërmadhat e nji hamami (bânjë turqishte), nji xhamí, sod e papërdorun e me minare të shêmbun, nji tyrbe e Dollmajvet, vorret e Toptanvet. Do të kishte pasun nji vlerë saraji, sidomos arkitektore, shtëpija e Toptanvet, qi mâ vonë, mbas shpërnguljes edhe të degës së fundit të tyne me Ismail beun prej Kruje në Tiranë, kishte përmbledhun gjithë zyrat qeveritare të nënprefekturës. Por edhe ai u la në rrenim, s’i ra kush mbrapa. Âmza (zyra e shtetit civil) e Krujës e dán qytetin në dý pjesë kryesore: Kalá e Varosh, tue përfshimë nên secilin nga këta dy emna shumë lagje të ndryshme. Zakon i vjetër, mesjetuer, kur gjithë banorët e qytetit banojshin mbrênda murevetë kalás e mâ vonë kur popullsia u shtue u krijuen banesa edhe përjashta e kjo pjesë e qytetit muer në Shqipní emnin slav varosh. Kalaja e Krujës vetë përmban në të vërtetë nji lagje të vogël banorësh, si gadi të gjitha lagjet e qytetitt’onë. Por ata janë për njimênd banorët mâ të privilegjuem të këtij qyteti. Rrethpámjen ma të gjanën, panoramën mâ të mrekullueshmen përpara sýve të tyne, pa pasun nevojë të lodhen, shpesh herë drejtpërdrejt prej dritores së shtëpís mbrênda në nji qytet, veç ata e kanë, e në të tânë botën ndoshta. Âsht kjo rrethpamje, kjo panoramë e pashoqe për nji qytet qi e bân Krujën nji ndër vêndet mâ të bukura të botës, siç e ka pohue, ndër shumë vizitorë të huej qi e kanë pamë, gazetar’i madh zviceran Wiliam Martin-i. Prej asnji pike shikimi tjetër të qytetit s’e ka njeriu para sýsh nji pámje aqë jashtzakonisht të bukur. Aty nji ashik i natyrës nuk mundet mos me e humbun veten. Në nji krah, mali; shkâmb kolos, masiv, madhështuer, kërcnues, aty për brinjë; me t’u bâmë sikur të tânë vigájt e mitologjís janë shkrîmë bashkë n’atë gur të gjallë për me përgjue mbi fatin e Shqipnís.

SHËNIMI I VOAL

 

“Qytet’i im”, një esé e mrekullueshme e Mustafa Krujës, për qytetin të lindjes, që ai e ka për mbiemër, Krujën, veç të tjerash, ka rëndësi historike, sepse është shkrimi i fundit i Mustafa Krujës.

Nipi i tij, Eugjen Merlika, e ka nxjerrë nga revista Shejzat e Ernes Koliqit dhe e ka përgatitur dhe e dërgon për botim për herë të parë tek VOAL. Esenë VOAL po e boton  me disa vijime.

I jemi shumë mirënjohës për këtë nder të veçantë mikut dhe kolegut tonë të çmuar Eugjen Merlika.

Mustafa Asim Merlika i njohur më shumë si Mustafa Kruja, apo Mustafa Merlika Kruja (Kruja, 15 mars 1887 – Ujëvarat e Niagarës, 27 dhjetor 1958) ka qenë mësues, firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë të Shqipërisë, nëpunës, politikan dhe kryeministër, senator i legjislaturës së XXX të Mbretërisë Italiane gjatë regjimit fashist, anëtar i komisionit të punëve të jashtme, tregtisë dhe legjislacionit doganor gjatë mandatit të tij si kryeministër.

Si studiues i shqipes, historian e publicist njihet dhe me emrin e pendës Shpend Bardhi. Ndonëse produkti i tij intelektual nuk u pranua përgjatë regjimit komunist, sepse u cilësua kuisling edhe tradhtar, në studimet e veta mbi etimologjinë e shqipes, Eqrem Çabej e citon në mënyrë të përsëritur.

Maji brenda meje- Poezi nga Përparim Hysi

 

Në fusha fëshfërit bari,
Flladi ia tund “jeletë”
Dalëngadalë një peizazh ari
Të kënaqet syri për rreth.

Një re bletësh gumzhin rrotull
Shkojnë e mblidhen në pemë
Tutje-thu,në rrugë,”popull”
Ca shpezë po lahen në liqen.

Dikush sikur po më ndjek prapa
Dhe ndalem pak që ta shoh
Për pak me dorë e kapa
Është një”mik” që kam kohë që e”njoh”.

Është një ketër që nga unë s’ndahet
E kam mësuar prej kohësh si”ogiç”
Ia di”huqin” se çfarë i hahet
Dhe është besnik ndaj miqësisë.

S’ka më besnik se një kafshë,
Kafsha nuk ha bukën e të përmbysi kupën
Ndaj,sa më sheh, më ndjek pas
Hallall,o ketër, ma paç bukën!

Zë hedh sytë mbi liqen
Është i mbushur me shpezë plym
Ky peizazh aq më pëlqen
Sa nga gëzimi jam bërë tym.

Se më vijnë peizazhe nga fshati
(unë, den baba den,jam fshatar)
Si balonë më mbushen mushkëritë nga gazi
Dhe në maji nuk jam fare moshatar.

Më vjen keq që nuk jam piktor,
Më vjen keq që nuk jam fotograf,
Të kundronit këtë peizazh kaq gazmor,
Kam frikë se vargjet nuk do jenë të mjaftë!

Sidoqoftë, një gjë duhet të dini
Maji brenda meje më kthen në”djalosh”
Pasi të lexoni vargjet,hajde dhe më shihni:
-Nuk jam më”thinjosh”…
Tiranë, 13 maji 2024

QYTET’I IM- Nga MUSTAFA KRUJA (Pjesa e parë)

Ernest Koliqi dhe Mustafa Kruja

SHËNIM I BOTUESIT

Kemi zgjedhë, ndër shkrime të Mustafës, tri copë qi na duken të shënueshme pse në to shfaqen në mënyrë të gjallë lidhjet e jetëshkrimit të tij me ngjarjet e vendit t’onë, sidomos me ato të Shqipnís së Mesme prej kah âi e kishte zânafillen.

Spikasin në styl, si në nji pasqyrë të qartë, cilsít qi e pajisshin : mprehtësí gjikimi, ndiesí e thellë nderi vetiak e kombtar, prirje me tregue troç mendimin e vet në çdo rasë e pa tutë të kurrkúj. Le të vërehet në shkrim përpiknija dhe përshtatmenija në shprehje dhe, hove hove, nji shkelqim buzëqeshjeje qi i ep shije tregimit. Në përshkrim të ndodhíve të jetës së tij bje në sý njerzija e natyrëshme burrnore qi urren e i ikë edhe mâ së mbuluemes ndienje mburrjeje por njiherit edhe prûjtunís (modestie) kallpe.

Copa e tretë Qytet’i im botohet këtu për të parën herë. Falënderojmë Dr. Bashkim Merlikën, të birin e Mustafës, qi na e dha për të begatë me tê shtyllat e së përkohëshmes s’onë. Copa u shkrue në Niagara Falls të Shteteve të Bashkueme t’Amerikës, me 1957 ase 1958, pak kohë para se Ai t’u ndante këso bote. Âsht shkrimi i fundit i Tij, fragment i nji vepre má të shtrîme qi vdekja e këputi në gjymsë.

Larg atdheut, si të donte me shfrye nji mall qi i a shporonte zêmrën, Mustafa përkujton Krujën e vet; i a kujton mâ parë vetes e mandej né. I stërprovuem nga goditjet e nji fati mizuer të pamerituem, i përulun e i shtruem vullëndesës së Zotit, me mênde të kthiellueme e të paqueme nga përvoja e gjatë e nji jete plot përpushje e travajë e nëpër të cilat njofti besnikín ngushulluese të miqve dhe sulmimet idhnake të kundërshtarvet, në vend mikpritës ku e hodhen tallazet e politikës shqiptare dhe botnore, Mustafa Kruja nxjerr nga mbamendja motet e shkrimuna të djalnís së vet. Endë në shkrim ngjarje e përshtypje dhe i shoshitë qetisht, pa turbullim gjakimesh (pasjonesh). Tashmâ gjaku ka humbë vrullet e e dikûrëshme. Ai e ka krye, si pjesëmarrës aktiv, detyrën e vet ndaj kombin. Shkruen për me u lânë të rijvet trashëgimin e përvojës së tij dhe të breznís së tij. E në shkrim, depërtue fund e maje nga nji déll përmallimi ku shkrepëtin – pa u kujtue Ai aspak – nji shkëndí poezije plot humanitet, qet krye shpresa se idealet, ushqye prej Tij e prej Shqiptarvet të 1912-ës pa mujtë me i realizue, do t’arrîhen nga masa e ré. Ndiesít e denduna njerzore, zhdërvjelltija e përshkrimit të vendeve dokeve veshjeve, skalitja mjeshtrore e typave të ndryshëm, kët shkrim të Mustafës e radhojnë ndër copa proze mâ të kullueta, të lidhuna e të ngjyrta të letrësís shqipe.
ERNEST KOLIQI

 

 

QYTET’I IM
Nga MUSTAFA KRUJA

(Pjesa e parë)

Kush i afrohet Durrsit me vapor nji mëngjesi të kthiellët e hýn n’atë liman, po të hjedhë sýt atje larg kah veriu e veri-lindja, do të shohë nji varg malesh qi, në majën mâ të naltën, s’i kapërcejnë 1200 metra. Ndër këto dallohet mâ së bukuri Mal’i Krujës, qi ka mu në rrafsh me faqen e tij, nji ndërtesë banimi për vizitorët e Shêjtit Sarisalltik, a Sallsataik, si thonë Krutanët. Duket madhështuer e i egër, krejt shkâmb i thatë e thikë përpjetë. Tue I ulë sýt pak mâ poshtë kah rrânxa e këtij mali, shtegtari shquen qartas ndërtesa të bardha si bora. Janë kullat e qytetit të Krujës nja 600 metra nalt prej rrafshit të detit.

Atje pa mbërrîmë ende deri në fund, veç sa mbaron shkâmbi dhe ka mundsí kazma me gërmue pak dhé, rânë e zhur bashkë me bâmë themela, fillon Kruja e Kastrijotit, Akça Hisar’i (Qyteza e Bardhë) e Osmanllijvet. Deri sod s’janë bâmë gërmime arkeologjike (), prandej nuk dihet se kur e prej kuj ka qênë themelue. Atje afër tij kah ana e Tiranës gjinden gërmadhat e nji qyteti të vjetër, qi Gjon Gjergj von Hahn-i ka mendue se do të jenë ato të Albanopolis-it të përmêndun prej Ptolemeut në të dytin shekull mbas Krishtit. Ka vallë ndonji lidhje Kruja e gjallë me këtë qytet të vdekun veç afërsís?

Topografisht Kruja ndehet ndërmjet malit të vet e Krastës qi mund të quhet nji vazhdim i tij deri në fushë. Âsht nji qytet pesmijë frymësh, () kodrash e luginash, qi për me i dalë prej nji skânji në tjetër kâmbsorit i duhet me ecun, me hapa të zakonshme, nji gjysmë ore e deri në nji orë. Banesat fillojnë me u shtrîmë prej lagjes së Varoshit, në rrânxën mâ t’eprën të malit, kah dy krahët, n’atê të veri-perëndimit deri afër Dro-s, përroit qi shënon kufînin e malit e të qytetit me lagjen e Abázaje, dhe në juglindje deri në Xaharí afër Zgurdheshit, të parit katund të Rrânsís, qi të çon ke përroi e gryka e Cudhînit në krah tjetër të malit. Prej Varoshit vêndi shkon tue u përvjerrë pak në të djathtë e të mângjët e lagjet tue u voglue. Teposhtë shtrihet po n’atë mënyrë deri ke rrânxat e Krastës. Qêndra nën Varosht disi sheshohet me dý fushat e Tallajbés (të Allaj-beut: allaj, turq. Regjiment; Allaj-Bej “= komandant regjimenti) e Kumllukut (rânishtës) dhe deri në Pazar, ke dyqanet, qi vijnë pak mâ poshtë.

Tallajbeja âsht nji emën vêndi i vjetër, turqisht, sikurse u shënue e si shumë tjerë të qytetit t’onë. Nuk âsht nji fushë e madhe, bashkë me Kumllukun, aty ngjitun me tê e pak mâ i ulët, dý fushore qi nuk dij a përbâjnë aqë metra katrorë sa nji nga sheshet e mëdhaja të qytetit të Romës. Por mbrênda qytetit hiq Namazgjahun ku falet bajrami, s’gjên tjetër rrafshore veçse larg në periferí. Kur kishte nevojë Shteti turk me mbajtun ushtarë atje, ushtrimet ushtarake n’atë shesh u bâjshin e n’atê u ngrihshin çadrat. Kjo ka edhe nji historí të vogël qi i a kam mbërrîmë un. Në 1906 atje qe derdhun gjak njeriu kotnasikot. Gjatë luftës së dytë botnore italjanët e kanë mbushun me ndërtesa ushtarake.

Kazaja (nënprefektura) e Krujës dikur shkonte jo me sanxhakun (prefekturën) e Durrsit, por drejtpërdrejt me atê të Shkodrës e ishte e përjashtueme, si ajo me malet e veta, prej çdo detyrimi kundrejt Shtetit. Por mandej, mbas tanzimatit, (reforma çentralistike) të Sulltan Mexhidit (1839-1861) desh () Stambolli me i shtrîmë ligjët moderne pak nga pak kudo qi s’i haste sharra në gozhdë me popullsít e vêndit, të cilat bidatin, dmth. nji rregull jete të re e shihshin si nji herezí e prandej e urrejshin. Asokohe Pushteti qêndruer e kishte damë Krujën nga Shkodra e lidhun me Durrsin.

Ndonse edhe vetë Durrsi varej prej vilajetit (guvernoratit) të Shkodrës, nënprefekturat e tij: Kavajë, Shijak, Tiranë, i kishte të shtrueme. Kështu dojshin me e bâmë Turqit edhe Krujën. Nji herë i ndërrojnë qarkun, mandej shkallë-shkallë kërkojnë me ahtrîmë reformat e vêndeve edhe atje. Në 1906 qe rend’i xhelepit të gjâs së trashë. Qytet e katunde kundërshtojnë, s’duen kurrsesi qi t’u numrohen gjedhet e të paguejnë xhelep për to. Në Kurbî populli çon krye me armë në dorë. Vriten gjind, digjen shtëpija. Nji ditë prej ditsh edhe katundatët e tjerë rrâjnë në qytet për të protestue ke Mirallaji (Allaj-beu i mâhershëm qi gjêjmë ke emn’i sheshit të Varoshit), komandant’i fuqis së mbledhun në Krujë për t’i bâmë ballë nji kryengritjeje mâ të gjânë se ajo e Kurbînit. Të tânë janë t’armatosun. Se kurrë, deri ke Durgut Pasha në 1910, s’kishte mendue e provue ndonji herë qeverija turke me u a hjekun armët Shqiptarvet. Koloneli turk merr pozicion për projë. Në Tallajbé ishte fuqija e tij ndër çadra e ai e qet jashtë me armë në dorë e të rradhueme në beft. T’anët ishin grumbullue në Kumlluk e aspak s’e kishin mendue me bâmë shamatë me ushtrín. Ata kishin shkue atje vetëm për me protestue, me qamë hall, me u lutun. Parija e tyne kthehet prej Kolonelit ke turma e i rrëfen se s’kishte pasun vullëndim prej tij. Koloneli i kishte thânë parís se urdhni i Mbretit duhej të vente në vênt. Ç’me bâmë atbotë? Parija kshillon me u shpërdamë nji herë e mâ vonë me u mbledhun në kuvênd me qetsí. Por âsht e dijtun se ndër turmat e nxeme kush i bie thumbit e kush patkoit dhe në rasa t’atilla shpirtnat janë gati me shpërthye ndër akte të papeshueme. Ushtri e popull i armatosun gjinden kundruell. Nji djalosh qi nxirrte shkëndija sýsh s’i a bân nji e dý, mbërthen hutën e i ep zjarm kundra ushtarvet. Kaqë u desh. Ushtarët të komanduem e të rradhosun rregullisht, fillojnë zjarmin batare kundra turmës qi s’kishte marrë asnji masë. Atëherë po, shpërdahet gjindja, por me tëmerë e panik, mbasi lên të vramë në fushë të Kumllukut 22 burra. Ky gjak, veç nuk shkoi krejt kot për qëllimin qi kishte ai popull atëherë. Qeverija turke s’nguli kâmbë mâ për xhelepin e gjedheve të Krujës.

SHËNIMI I VOAL

 

“Qytet’i im”, një esé e mrekullueshme e Mustafa Krujës, për qytetin të lindjes, që ai e ka për mbiemër, Krujën, veç të tjerash, ka rëndësi historike, sepse është shkrimi i fundit i Mustafa Krujës.

Nipi i tij, Eugjen Merlika, e ka nxjerrë nga revista Shejzat e Ernes Koliqit dhe e ka përgatitur dhe e dërgon për botim për herë të parë tek VOAL. Esenë VOAL po e boton  me disa vijime, duke nisur nga sot.

I jemi shumë mirënjohës për këtë nder të veçantë mikut dhe kolegut tonë të çmuar Eugjen Merlika.

Mustafa Asim Merlika i njohur më shumë si Mustafa Kruja, apo Mustafa Merlika Kruja (Kruja, 15 mars 1887 – Ujëvarat e Niagarës, 27 dhjetor 1958) ka qenë mësues, firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë të Shqipërisë, nëpunës, politikan dhe kryeministër, senator i legjislaturës së XXX të Mbretërisë Italiane gjatë regjimit fashist, anëtar i komisionit të punëve të jashtme, tregtisë dhe legjislacionit doganor gjatë mandatit të tij si kryeministër.

Si studiues i shqipes, historian e publicist njihet dhe me emrin e pendës Shpend Bardhi. Ndonëse produkti i tij intelektual nuk u pranua përgjatë regjimit komunist, sepse u cilësua kuisling edhe tradhtar, në studimet e veta mbi etimologjinë e shqipes, Eqrem Çabej e citon në mënyrë të përsëritur.

FLIJIMET E NANËS SHQIPTARE- Poezi nga TAHIR KOLGJINI

Nxjerre nga “Shejzat”, 4-5, Romë, 1970/

Isha rritun bukur shum sa nji far’ voci, si me thanun,
Për të shkue në shkollë fillore, lakmi rrethit për me i lanun.
Nji ditë vere, dit’ë gjatë, qi prej vape me u tërmekë,
E shoh nanën tue lavrue, fort ngërmue permbi jekë,
Tue iu dhanun urdhën qeve: -Hajt bir, hajt, hallall ju qoftë,
Ç’ju kam dhanun tagji elbi, bar’ e kashtë e qullë të ngrofte!-
Komandonte qe e almise, si ma i miri burrë në dhe,
Për të kryem punë bujksije, si ma i miri bujk ndër ne,
Për ta bamë arën ugarë, qi ish djerrë qe tri vjet,
Për ta mbjellun n’muejt e vjeshtës me parmendë o me çdo mjet.

N’djers’ e n’pluhun ishte mbytun, i kullonte llom nga ftyra,
ishte lodhun, ish postatun, paraqitej ngjyra ngjyra.

-“Ah moj loke i thash’ dhimbshëm, po m’vjen keq se qenke lodhun.
A s’m’i l’shon almiset mue pak në ndihmë për t’u ndodhun?
Mbasi penda n’vendet tona asht për gra nji punë e randë.
Kosë e lavër janë për burra, gurë e baltë, me nxjerrun landë!”
M’u pergjegjë me fjalë bujare:
-“Hajt more bir, m’u bafsh katund,
Nuk don nana me t’helmue; c’asht nder ne, nuk asht gjithkund:
Kur Ti ishe n’djep, i vogël, msyni anmiku vend për vend.
Krejt polemi rroki armet, kush ish burrë, mbarë e me rend,
Edhe gra, nji palë, u lëshuen, si ulkojat e kësaj ane,
Për me bajtujn bukë e nozull, mjete tjera dhe xhebhane,
Për t’i dalun ballë për ballë e grykë me grykë, si ç’ish zakoni,
Për shqiptarët burra trima n’kohe te vjetra e te s’voni,
Që nuk dinë se kah del plumbi, se ç’asht vrasa, se ç’asht mbeta,
Kur luftojnë për nder e sedër, për Atdhe e troje t’veta.
Dhe Yt atë ishte bashkue me kët rragjë luftëtare,
Për të shkue n’ballë të luftës, ku kish krisë lufta batare,
Dhe përpara se të nisej, me nji za me plot urti,
M’u drejtue me kambëngulje, tue m’bamë kët porosi:

-Për kët jetë une ta kam lanun, për at jetë un’ ta kërkofsha,
Rritma djalin si ka hije, -mos ma rrit si pulë ndër kosha!-
Qi t’m’i dale zot Flamurti, si simbol qi na e kanë lanun,
Gjyshat tone, burrat e vjetër, edhe jetën për me e dhanun,
Tue luftue kundër anmikut, kur n’Atdhe ai ta kët prekun,
N’asht se shkrue asht për mue në kët luftë dëshmor me dekun!
Edhe mbet trimnisht si kushi; për mbi Të vegoftë drita,
U kujtoftë me të mira sa t’vazhdojë nata e dita!

* * *

“Pra, lum nana…, m’paç uratën, kambë ku ve, ku ban fërkem,
Un’ si grue e nanë shqiptare -si besnike e burrit tem-,
Qi perpiqet për familje e për rreth e ç’ka përanë,
Qi përpiqet dhe per Fis e për të fismin Komb të tanë,
Tue ngarendun ku t’jetë puna ma e veshtira me mundime,
Tue e bamë egis vetvetën ndër rreziqe të jetesës,
Tue u kredhun pa kursime nëpër pellgje të trishtesës,
Here me magje e pune shpijake, herë me gja e herë me blegë,
Herë me kmesë, herë me latoshe, lis me lis e degë më degë,
Herë me krrabza o me gjylpana, herë me bosht e herë me furkë,
Herë me lamsh e herë me pasma shpat me shpat e sukë me sukë,

Herë me vekë o me pune dorë, tue hakatun pa ia damë,
Herë me pleh e herë me ara, simbas shortit, qi ka ramë,
Diku ngime e diku unët, me bark thate si t’ketë qillue,
Pa u ungjun, pa pushue, qysh se drita t’ketë fillue,

Fushë e megje, bjeshkë e male pa i marrun parasyshë,
Kur nuk kane, me shoke e vllazen tue e dame kacoren dyshe,
Si c’na e la zakon i pari, gjysh mbas gjyshi e brez mbas brezi,
Me i ndihmue njuani tjetrit, qofte Ilia, qofte Elezi,
Sepse ndera e faqja e bardhe per shqiptaret qi kane mend,
Ose dhuna e fatkeqesia, iu vjen bashke vend per vend.”

** ** **

“Pra, lum nana…, Ti me qene se je xcope e trupit tem,
Gjithashtu -dhe dije mire se – i t’em burrit je nji rrem,
Qi ka mbetun si deshmore ne fushe te nderit per Atdhe,
Mall tue lanun, jete tue dhanun, tue bame fli gjithshka per ne,
E qi mue m’porositi per me t’rritun si ka hije,
Për me shkue n’gjurma t’babës, pa u shmangun asnji fije,
Kam m et’mbajtun, kam me t’rritun, tue punue ding e dang,
Kam me t’mbajtun ndezë oxhakun, kam me t’mbajtun shpi e plang,
Për me ruejtun amanetin, qi s’e kalbë as tokë as det,
Qi Yt atë ma kish dorëzue, sa t’kem frymën në kët jetë,
Kur u damë për herë të fundit, tue qamë me lot për faqe,
Kur ishëm tue e përcjellun rreth katundit me bajraqe…”

** ** **

Anishka, moj zemra e nanës, un’ jam nanë e ate për Ty,
Do t’punoj e do te lvirëm, në këtë s’ka tetë e dy,
Ja me pendë e me almise, o me mjete tjera lloje,
Por me thonj do t’i përvishem e me dhambë, simbas nevoje,
Der’ sa Ti, në moshë madhore me shëndet e mirë të rritësh,
Për të zanë vendin e babës n’moshë burrnije kur të ngjitësh,
Për t’kujtue nanë e babë, për t’mendue vlla e motër,
Për të dashtun far’ e fisin për të cmue vend e votër…
Mandej vijnë detyra tjera me flijime si përherë,
Qi të parët i kanë përballun: Komb, Flamur, Liri me nderë!…”

Ai ishte zheni…- Tregim nga Fatbardh Amursi

Si të gjithë femrave, edhe Melit, i pëlqen të jetë në qendër të vëmendjes. Që të bjesh në sy, s`është e thënë të vërdallosesh nëpër qytet, hidh një foto në instagram, zërë se ke hedhur thërrmija biskote në ujë apo ca kokërra gruri në dorë: që të turren peshqit apo të ndillen pëllumbat. Nëse ke dhe vilë suksesi është i garantuar. Meli jeton në pallat pa ashensor. Mirë do ishte të kishte dhe një bibliotekë, por, ato pak libra që ka, shumica të dhuruar, nëse i ekspozonte, do i binte klasi. Kur postoi në facebook poezinë “Jam zot i trupit tim” ndjekësit u shtuan ndjeshëm, sidomos profilet fallco. I shoqi i Melit, një burrë i shtruar, i kishte zëtë rrjetet sociale. As telenovelat nuk i pëlqente. Edhe në fotografi dilte rrallë. I quante humbje kohe. Pikërisht tek koha dallohej ai me të shoqen. Ajo donte ta vriste kohën, ndërsa ai të mos e shkonte dëm. (Si inxhinier kimist, iu shmang ftesës për t`u specializuar për armët kimike, kështu që preferoi pozicionin e një teknologu në prodhimin e pijeve.) Nuk e fuste alkolin në gojë, sikurse shmangte pijet me gaz. Për t`i dalluar edhe më: Meli anonte nga kimia inorganike, ndërsa i shoqi nga ajo organike, ndonëse krijonin një përshtypje të kundërt, meqë ajo vinte si e hedhur dhe ai i matur deri në mërzi. Inxhinierit puna i kish duk dhe mirëqenia e familjes po rritej dita-ditës. Ishte Meli, që po e manifestonte bumin ekonomik të familjes. Për arsye, që ai s`i kuptonte, ajo kish filluar të bëhej grindavece, sa një ditë do i thoshte: “Ti s`më meriton mua”, kur realisht, ajo s`ishte e denjë për të. Ishte e kot t`i mbushte mendjen se i gjithë shkëlqimi i saj, ngrihej mbi zotësinë e tij, por ai s`e kishte për zakon të imponohej.
Poezia “Jam zot i trupit tim” u kuptua si një thirrje, ankesë, që, me gjasa, ta kish burim tek shtrati bashkëshortor, ku dikujt i kthehet në shtrat të nxehtë, një tjetri në shtrat topi dhe për rrjedhojë pritet, që lumi të dalë nga shtrati. Në garën e pashpallur se kush të bëjë përshtypje më shumë, Meli, po dallohej dhe në gjuhën e trupit. Arriti të bëhej e lakmuar, sidomos për ata që jetonin në vende të huaja. Dhe ai që po e tërhiqte më shumë: ishte Vili, tip shoumeni. E gjithë kultura e tij ishte me të dëgjuar, sidomos shprehjet dhe thëniet e njerëzve të mëdhenj, që i postonte si të ishin të tijat. (Pellgu për t`u dukur i thellë, turbullohet.) Për t`i mbushur mendjen Melit, se ai s`ishte një dosido, postonte foto në biblioteka, librari, gjuante ndonjë aktivitet ku promovoheshin libra dhe bënte selfie me ndonjë autorë të njohur. Arriti t`i krijojë vetes imazhin e një intelektuali, që i ecte fjala. Sapo ajo postonte ndonjë poezi, Vili s`do ia kursente superlativat, me provokime të brendëshme, ku metaforat kërcisnin si kokoshka dhe mesazhet shprehnin një kod biblik. Shprehje që ai i merrte andej e këndej dhe i shiste si të vetat. “Jepi gaz!”-i thoshte vetes, sa herë që lëshonte zjarrllëqe të tilla, përngjashëm me flakën e kashtës. Meli ndizej edhe me një bisht cigareje. “S`po mbahesh ti?!”-do i thoshte një ditë i shoqi, si për t`i kujtuar se syrit të tij s`i shpëtonte asgjë. “Avash ti!”-iu kthye ajo shpërfillëse.
Meli po e krahasonte veten me një sirenë, e cila shkon tek direku i anijes për ta zgjidhur Odisenë me duart e veta. Tashmë Odiseja e kishte emrin Vili, gili-vili domethënë. Një ditë ai e lajmëron, sipas fjalës së dhënë, se kishte mbërritur në qytetin e saj dhe ajo nuk vonoi ta ftonte në shtëpi, meqë i shoqi ishte nisur në fshatin pranë ku do ndihmonte dikë në prodhimin e verës. Sapo ajo i hapi derën, iu shfaq Vili, i gjithi lesh, duke i lënë përshtypjen e njeriut të palarë. Zhgënjimi ia mpiu trupin. Ngurosjen e saj ai e mori si impresionim dhe s`priti gjatë: u sul për ta fituar sa më shpejtë atë “plaçkën”. Të gjitha luftrat në botë dhe revolucionet a s`bëhen për plaçkë, mendoi Vili, duke sjellë në mend Helenën. Ta perceptoje Melin si plaçkë tregu, ishte njësoj si të përdorje lingotën e arit për skrap. Ajo harroi se po jetonte në kohën e plaçkitjeve. S`i mbeti gjë tjetër veç lutjes: “mos, mos, mos” dhe shtyrje me duar, deri sa ai dëgjoi më pas: “Oh” e “uh”, që ajo përdorte në poezinë “Jam zot i trupit tim”. Si të gjitha aventurat erotike të Vilit dhe kjo përfundoi me kapje në flagërancë. Edhe në shkollë, kur kopjonte, ishte i pari që kapej. Policia italiane, nga që e kishte në listën e të dushuarëve e arrestonte sa herë që i duhej të merrte ndonjë të dhënë. Për një si Vili, të kapeshe mat, ishte shenjë pandjallëzie dhe turpin ta mbanin ata, që e fusnin na kurth. Jam i hapur, mburrej ai. Emigranti është si puna e breshkës, që e ka shtëpinë me vete, bujt ku e zë nata, ama po zuri një hotel me 5 yje, mos ia bë harram dhe qeshte me të madhe. Në këtë rast me 5 yje ishte Meli. Ndaj për Vilin, rëndësi kishte se me kë e kishin kapur dhe jo turpi i flagërancës. Meli do i kthehej atij në mburrje, ku s`do mungonin dhe të tillë, t`i thoshin: bravo të qoftë, duke iu lutur t`ia tregonte historinë erotike. Me t`u rrëfyer aventurën me Melin, kofshët, gjoksi, vithet, sperdredhjet dhe seksi i saj, do bënin “xhiron e botës”. Kësisoj zot i trupit të Melit u bë Vili, që, mes shokësh, njihej si “zhulsi”.
***
Historia e Melit bëri bujë dhe ajo për të humbur gjurmët shkoi në Tiranë, pa u penduar për gjëmën, që i kishte krijuar vetes. E mbante në këmbë inati dhe jo sedra. E fshiu Vilin nga facebook-u, por jo nevojën për të patur një si ai, që t`i bënte qejfin. U lidh me ca poetë, shkrimtarë e kritikë, që, i takonte çdo fund javë tek Taivani, të cilët po e quanin atë “një element të pazbuluar”, e cila një ditë do të vihej në kuadratet bosh të Mendelejevit, duke u grindur dhe në prani të saj se kush e kishte zbuluar i pari. Në fakt ajo ishte “vetëdorëzuar”.(Pas disa ditësh ajo do shkruante tregimin: “Dikush u varros në kuadratin bosh të Mendelejevit”.) Gjithkush prej tyre bënte diçka, që ajo të bëhej e famëshme. Për shkak të moshës, në këmbim ata s`kërkonin asgjë. Por, kishin një huq të keq, sapo do largohej ndonjë prej tyre, do ia numëronin gjithë të ligat. Në fund asaj do i rezultonte se të gjithë vuanin nga e njëjta sëmundje, por që nuk e dallonin dot tek vetja. Në ditën që do të largohej përfundimisht prej tyre, mbeti me “babanë e teqesë” dhe “njeriun e heshtur”. I pari linte përshtypjen e babaxhanit, dhe tjetri, sa herë që matej të fliste, s`i linin radhë shokët. Ata e nënvleftësonin, ngaqë ai kish punuar në të shkuarën shef kuadri dhe merrej me hartimin e dosjeve. Dosjet në të gjitha kohërat kanë një nam të keq.
-S`desha të flisja në prani të atyre që ikën, ëbëbë, ziliqarë të mëdhenj! Ti s`ishi këtu, por plasën nga inati, kur u thashë se një miku im nga Italia, më kish recituar poezitë tek arbëreshët dhe ata vuu lotët nga malli për atdhe! Më thuaj, nuk i ka hallall lekët ky, që të bën gjithë këtë rekllamë në botën e huaj?! Vetëm ty do ta rrëfej emrin e tij dhe do t`ia lë porosi, që t`i recitojë ata poezi, që po pataksin dynjanë! Vili quhet, ja shihja foton!-Meli u bë mel në fytyrë. Ishte po ai profil fallco, që kishte mashtruar dhe atë.-Flori djalë! S`kam parë njeri më zemërbardhë nga ai! Pres të vijë këto ditë dhe do të prezantoj me të!-ndërkohë i bie celulari.-Ika, se kaloi ora dhe kush e dëgjon atë luvgjinë, që kam në shtëpi! S`po mblidhesh në shtëpi, më thotë! Po t`i hanë lekët dashnoret! Nuk di se kush i ka folur për ty?! Ndoshta ka kuptuar gjëkafshë nga ato poezitë e dashurisë, që postoj në faceboook! Ah, ato komentet e tua po ma shtojnë jetën! Jepi motra!-nxitoi të ikte, duke mbledhur buzët, si t`i thoshte: kështu është kur të zë belaja: do ikësh kur të rrihet. Ky lloji ia mbante gjallë emrin nëpër gazeta, të cilët e quanin sukses kur një “zhuls”, si Vili, i mashtronte. U mat të ikte, por ai që s`e kishte hapur kurrë gojën, u kujtua të fliste:
-Jam matur dhe herë të tjera, ta them! Pse e bën harram jetën tënde me ca të rrjedhur?! I ke dëgjuar ndonjëherë këta të flasin për libra? As ty të lexojnë, as njeri-tjetrin, veçse veten! Sa herë që ti largohesh nga tavolinë, e di si thonë për ty: “Kjo vetëm për atë punë është!” dhe kur shkojnë në shtëpi të kushtojnë poezira erotike! Andej nga anët tuaja kam patur një shok student! Ishte zheni! Student me valixhe prej druri dhe me lata mbahesha, ndërsa ai lekët që i dërgonte familja me mua i prishte, dhe ushqimet që i sillnin bashkë i hanim! Jeta bëri të vetën dhe u harruam! Nuk ia falë vetes, që i humba lidhjet me të! Lexoj tek këto veglat e shejtanit, kështu i thoshte ai celularit, se e paskan gjetur të mbytur në një kanal vaditës. Rrinte gjithë kohës i dehur, thonë. Kur i përmendi emrin dhe i nguli vështrimin, asaj iu duk sikur i drejtoi akuzën: ti duhet ta kesh vrarë. Në fakt atë e vrau koha, që banalitetin e veshi me ar, ndërsa ajo vetëm sa i dha shtymën, duke u fundosur dhe vetë.

Poezi nga Yves Bonnefoy (Iv Bonfuà). I përktheu: Anton PAPLEKA

Yves Bonnefoy (Iv Bonfuà) lindi në Tours më 24 qershor 1923 dhe vdiq në Paris më 1 korrik 2O16. Studioi për matematikë e filozofi në Tours, në Poitiers dhe në Paris. Qysh nga viti 1944 jetoi në Paris. Ka bërë udhëtime në vendet e Mesdheut e në Amerikë. Ka dhënë ligjërata në univeristete të ndryshme dhe ka qenë profesor në Kolegjin e Francës. Ka botuar poezi, esé dhe është marrë me përkthime.
Veprat e tij kryesore janë :
Në poezi: Për lëvizjen dhe palëvizshmërinë e Duvës, 1953; Dje kur mbretëronte shkretëtira, 1958; Guri i shkruar, 1965; Tek iluzioni pragut, 1975 etj.
Ese: Piktura murale në Francën gotike, 1954; Arthur Rimbaud, 1961; Romë 1630 : Horizonti i barokut të parë, 1970 ; Bashkëbisedime për poezinë, 1981 ; Prania e imazhit, 1983 etj.
Përkthime nga Skakespeare : Makbeth, Hamlet, Mbreti Lir, Romeo e Zhuljeta, Jul Qesari, Henriku IV, Venusi dhe Adonisi etj.

IV BONFUA PËR POEZINË

Unë do të doja t’i bashkoja, pothuaj t’i identifikoja poezinë dhe shpresën.
+
Kur vendi i poetit nuk është i lirë, kur dikush tjetër ulet në vendin e tij, kjo gjë është e rrezikshme, është një rrezik për poezinë.
+
Poezia ka një rol që nuk mund ta zëvendësojë asgjë. Në qoftë se ajo do të zhdukej krejtësisht, bashkë me të do të rroposej shoqëria njerëzore.
+
Sigurisht kjo vizë e majës së lapsit që vizaton të gjitha krahinat e tokës, është një “shteg i ngushtë”, por ajo na bën të kuptojmë shpejt se të gjitha vendet kanë vlerë të barabartë, se njeriu ndodhet gjithmonë në qendër të tokës.
+
Nganjëherë më pyesin se çfarë është ajo që unë e quaj prani. Ja cila është përgjigjja ime : prani është ajo që ndiejmë në një çast që ka thellësi, kur na duket sikur nga gjithçka që takojmë, asgjë të mos kishte mbetur jashtë vëmendjes së shqisave tona.

TË TJERËT PËR IV BONFUANË

Në veprën e tij kanë ndikuar poezia e Malarmesë dhe e Valerisë, e Rilkes dhe e Miloshit. Në sipërfaqen e kësaj vepre, në të cilën Alen Boskeja sheh me të drejtë një orvatje për okultizimin e ligjërimit, nxjerrin krye plot nostalgji romantike.

Jean Rousselot

Vepra madhore e Bonfuasë është kërkimi i një gjetiu, i një „prapatoke“, një shkrimtarí e rreptë që i jep dialektikës së jetës dhe të vdekjes një prani që nuk të shqitet nga mendja.
Jacques Imbert

Bonfuaja nuk i zë besë konceptit që e fsheh njeriun, duke e mbyllur në një „vazhdimësi të rreme“. Brenda ligjërimit, ai përpiqet të gjejë plasaritjen, të çarën nga ku rrjedh bukuria e ndjeshme.

Jean Breton

Mrekullia e harmonishme e hijes së ndriçuar nga drita që eklipsohet, të cilat herë bashkohen tok dhe herë divorcohen; poezia e kosideruar si lumturia e të pakapshmes. Një poezi shumë e pastër, e cila, përtej asaj që thuhet
shkoqur, kujdeset t’i hapë dyert para butësisë së misterit.

Alain Bosquet

Poemat e Iv Bonfuasë, tregimet e tij, esetë e tij për artin dhe për letërsinë, përkthimet e tij, koherenca artistike dhe intelektuale që i karakterizojnë, e kanë bërë atë një nga figurat qendrore të epokës sonë. Përhapja e librave të tij, prania e tyre e vazhdueshme për një kohë të gjatë në debatin bashkëkohor rreth letërsisë dhe estetikës së formave kanë kontribuuar për ta bërë të pashmangshëm mendimin e tij për çdo qenie që dëshiron sot „të banojë poetiksht në tokë“ (Holderlin).

Fabio Scotto

Në qoftë se ende është tepër herët për të caktuar në mënyrë përfundimtare vendin e Bonfuasë në historinë e poezisë franceze, nuk ka dyshim se vepra e tij përfshihet në një traditë, fytyra e së cilës është ravijëzuar nga Nervali dhe
Bodleri, pastaj nga Remboja dhe Malarmeja dhe më vonë nga Bretoni. Poet i pranisë, Iv Bonfuaja njëkohësisht nuk ka reshtur së dëshmuari deri në ç’pikë ajo ngrihej vetëm në sfondin e një mungese, e cila, te shumë autorë, së pari është një mungesë më vete. Megjithatë për nga këmbëngulja, me të cilën është përpjekur ta shpuzitë zjarrin e kësaj pranie, qoftë edhe atje ku dukej se mungonte çdo dru, ai është bërë një nga bashkëkohësit që janë të domosdoshëm për epokën tonë.

John E. Jackson

Diptiku emblematik i forcave negative (Elioti) dhe i forcave të transgresionit pozitiv (Bonfuaja) që ballafaqohen, mund të komentohet kështu: në vitet që vijnë, poezia a do të jetë një poezi, e cila, nën shenjën e Eliotit do të marrë përsipër estetikën e negaivitetit dhe të mungesës, poetikën e krizës së kuptimit dhe të epilogut (në kuptimin që Steiner-i i jep këtij termi: epoka e
„pas-logosit“)? Apo nën shenjën e Bonfuasë, ajo do të formulojë shpresën për një ngjitje në drejtim të kundërt të rrjedhës së modernitetit poetik dhe të tundimit të dëshpërimit që sundon në të, në emër të një hipoteze të kuptimit, që gjithmonë është e rrezikuar, e paqetë, që ka vlerë edhe për nga brishtësia e saj?

Michèle Finck

Në qoftë se Iv Bonfuaja shkruan dhe boton shumë, në qoftë se vepra e tij prej përkthyesi ka një koherencë mbresëlënëse, në qoftë se ai merr pjesë në debatin publik, këtë nuk e bën me qëllim që të krijojë për vete një sumum, qoftë ai me poezi ose me idé. Të gjitha këto faqe që njeriu mund t’i lexojë sot, flasin njëkohësisht për një rrugë dhe për një ecje: kjo gjë përbën vlerën dhe bukurinë, gjithashtu dhe lirinë në këto kohëra grindjesh e shkollëzash.

Patrick Kéchichian

IV BONFUA

DEVOCION

I
Për hithrat dhe për gurët.

Për “matematikën e rreptë”. Për trenat që çdo mbrëmje ndriçohen nga një dritë e zbehtë. Për rrugët me borë në yllin pa cak.
Unë ecja, humbisja tutje. Dhe fjalët e gjenin vështirë udhën e tyre në heshtjen e tmerrshme.
Për fjalët durimshumë dhe shpëtimtare.

II
Për „Madonën e mbrëmjes“. Për tryezën e madhe prej guri mbi brigjet fatlume. Për hapat që u bashkuan, pastaj u ndanë.
Për dimrin oltr’Arno. Për borën dhe për aq e aq hapa.
Për kishëzën Brancacci kur bëhet natë.

III
Për kishëzat e ishujve.

Për Galla Placidia-n. Për muret e ngushta që kanë përmasat e hijeve tona. Për ca statuja në bar; dhe që ndoshta, ashtu si mua, u mungon fytyra.

Për një derë të murosur me tulla ngjyrë gjaku në fasadën tënde të hirtë, katedrale e Valladolidi-it. Për ca rrathë të mëdhenj guri. Për një paso të mbuluar me dhé të vdekur, të zi.

Për shën Martën e Agliesë, në Kanaveze. Për tullën e kuqe që është plakur duke shprehur gëzimin barok. Për një pallat të shkretë e të ngujuar midis pemëve.
(Për çdo pallat të kësaj bote, për pritjen që ata i bëjnë natës.)
Për banesën time në Urbin midis numrit dhe natës.

Për shën Ivin e Urtësisë.

Për Delfin ku njeriu mund të vdesë.

Për qytetin e balonave tabake dhe të shtëpive të mëdha prej xhami ku reflektohet qielli.

Për piktorët e shkollës së Riminit. Desha të isha historian për shkak të ankthit të lavdisë suaj. Do të doja ta zhdukja historinë për shkak të shqetësimit për absoluten tuaj.

IV
Dhe ngaherë për ca mole nate, për ca pabe, për një zë që thotë Unë jam llamba, unë jam vaji.
Për atë zë të mekur nga ethe të qenësishme. Për trungun e hirtë të panjës. Për një valle. Për ato dy salla të çfarëdoshme, për qëndrimin e zotave midis nesh.

HOPKINS FOREST

Pata dalë
Për të marrë ujë te pusi ndanë drurëve
Dhe u gjenda në prani të një qielli tjetër.
Qenë zhdukur yjësitë që ndrinin më parë,
Tri të katërtat e kupës qiellore qenë ta zbrazëta,
Aty mbretëronte fillikat errësira më e thellë,
Por në të majtë, përsipër horizontit,
Përzier me majat e lisave,
Kishte një tog yjesh që kuqëlonin si prush,
Nga ku madje ngrihej një tymnajë.

Hyra brenda
Dhe e hapa sërish librin mbi tryezë.
Fletë pas flete,
Aty kishte shenja të pazbërthyeshme,
Grumbuj trajtash pa kurrfarë kuptimi,
Ndonëse deri diku përsëriteshin
Dhe poshtë kishte një bardhësi humnere,
Sikur ajo që quhet shpirt të binte aty, pa zhurmë,
Si bora.
Megjithatë unë i ktheva faqet.

Shumë vite më parë,
Në një tren, në çastin kur del drita,
Midis Princeton Junction-it e Newark-ut,
Për mua ato qenë dy vende të rastësishme,
Dy shigjeta që bien në tokë nga askundi,
Udhëtarët lexonin të heshtur,
Nën borën që fshinte xhamat e hirtë
Dhe papritmas
Në një gazetë të shpalosur dy hapa larg meje,
Një fotografi e madhe e Bodlerit
Zinte një faqe të tërë,
Siç trazohet qielli në fund të botës
Për t’u përputhur me rrëmujën e fjalëve.
Këtë ëndërr dhe këtë kujtim, unë i përqasa
Kur eca, së pari një vjeshtë të tërë
Në pyje ku shumë shpejt ia behu bora
Që ngadhënjeu mbi shumë nga këto shenja
Që njeriu i merr në mënyrë kontradiktore,
Nga bota, të cilën e shkatërroi ligjërimi.
Mori fund konflikti midis dy parimeve,
Mua më dukej sikur përziheshin dy drita,
Sikur mbylleshin buzët e plagës.
Masa e bardhë e të ftohtit e qëllonte si bataré ngjyrën,
Por një çati atje tej, një dërrasë e pikturuar,
E mbështetur në këmbë pas grilës,
Ajo ende ishte ngjyrë dhe dukej e mistershme
Si dikush që do të dilte nga varri dhe, duke qeshur,
Do t’i thoshte botës:”Jo, mos më prek”.

I detyrohem shumë Hopkins Forest-it,
E ruaj në horizontin tim, në atë pjesë të tij
Që e lë të dukshmen për të padukshmen
Përmes fërgëllimës së kaltërisë së largësive.
E dëgjoj përmes zhurmave dhe nganjëherë,
Në verë, duke shtyrë me këmbë gjethet e rëna
Të viteve të shkuara që duken qartë në mugëtirë,
Ca lisa tepër të dendur midis gurëve,
Unë ndalem, besoj se ky truall shtrihet
Në pafundësi, se këto gjethe bien pa ngut
Apo ngihen lart, meqë e sipërmja dhe e poshtmja
Nuk ekzistonin më, as zhurma, veç shushurima
E lehtë e flokëve të borës që pa vonuar
Shumëfishohen, puqen, mpleksen
Dhe atëherë shoh tërë qiellin tjetër,
Për një çast, unë hyj te bora e madhe.

BORA E MADHE

Këtë mëngjes, bora e parë ra herët. Okra, e gjelbra
U strehuan poshtë drurëve.

Bora e dytë ra aty nga mesdita. Nuk ka mbetur
Ngjyrë tjetër
Veç halave të pishave
Që nganjëherë është më e dendur sesa bora.

Pastaj, aty nga mbrëmja,
Kopani i dritës u shtang.
Hijet dhe ëndrrat kanë të njëjtën peshë.

Pakëz erë shkruan me majën e këmbës
Një fjalë jashtë botës.

NOLI ME TANGERE

Ngurron floku i borës në qiellin e kaltër
Përsëri, floku i fundit i borës së madhe.
Dhe ndodh sikur të hynte në kopsht
Ajo që do të kishte ëndërruar atë që mund të ndodhte,
Atë vështrim, atë zot të thjeshtë, pa kujtim të varrit,
Pa ndonjë mendim përveç lumturisë
Pa ardhmëri
Përveç davaritjes së saj në kaltërinë e botës.

“Jo, mos më prek”, do t’i thoshte ajo,
Por edhe të thënët jo do të ishte dritë.

MBRESA, DIELLI QË PERËNDON

Këtë mbrëmje ka punuar mirë piktori që quhet rrebesh.
Ca figura me një bukuri të madhe janë mbledhur
Nën portikun në të majtë të qiellit, aty ku humbasin
Ato shkallina fosforeshente në det.
Dhe është shumë e trazuar kjo turmë,
Sikur të kishte zbritur në tokë ndonjë zot
Me fytyrë të praruar midis shumë fytyrash të tjera të zymta.

Por këto klithma befasimi, pothuaj këto këngë,
Kjo muzikë zamaresh dhe këto të qeshura
Nuk vijnë nga këto qenie, por nga forma e tyre.
Krahët që hapen, përkulen, shumëfishohen,
Gjestet bymehen, hollohen,
Pareshtur ngjyra bëhet një ngjyrë tjetër
Dhe diçka tjetër, përveç ngjyrës, kështu ndodh me ca ishuj,
Me ca tinguj organosh të mëdha te retë.
Në qoftë se aty ndodh ringjallja e të vdekurve,
Kjo e fundit i ngjan kreshtës së dallgëve kur ato thyhen,
Dhe tashti qielli është pothuaj i zbrazët,
Përveç një mase të kuqe që zhvendoset
Drejt një thurime prej zogjsh të zinj që natën pingërojnë në veri.

Aty-këtu
Duket edhe ndonjë hurdhë ku zhytet
Një pishtar i bukurisë që u kthye në hi.

(Marrë nga Nacional)

TOKË, A SHPIRT …- Poezi nga Hasan Muzli Selimi


Eci, eci s`ndaloj krejt lodhshëm në hapësira të zhveshura.
Kaloj prej bregu në breg si në kofshë gruaje, harbuar.
Të buta e të nxehta, jam ashtu zhveshur edhe unë.
Blerimi kapërcen këtë ëndërr të zgjuar.
Edhe psenë nuk di ta them, në gjokse a kofshë kodrash udhëtoj.

Mes livadheve të majës së lartë, një tufë kuajsh..
Vrapojnë, tregojnë aftësinë fizike, shprehin dashurinë, gulçojnë
Kohës i japin frymë, vend të jeshilta, pikë ndezur oksigjeni,
as zogu i bjeshkës s`fshihet për pak pushim.
Ngadalësoj, numëroj gjurmët e kuajve si në kohët më dragoj.
Psherëtin gjurma prej patkojsh të thella n`tulin e tokës,
si bulza gishtash burri n`kofsh gruaje.

Pushoj rreth e rrotull asnjë zë, për pak bjeshka më kapërdin.
Lidhem me gjelbërimin mendësin te një gruaje të zhveshur dhe gjumë.
Ora lëviz, unë në majën e malit mes rudinës natën pa dritë, ftohtë.
Ngrihem, vrapoj si kuajt në diell,
qielli vrojton errësirën, dallon pushtimin tim.
Pastaj unë numëroj yjet, uroj që të mos ketë njeri,
lutem t`mos kem dëgjuar veten.

Qesh me zbardhjen, dielli filloi të pushtoj edhe rudinën time.
Prapë qesh, mos ka ndonjë diçka që t`mos kem diktuar në këtë vetmi.
Një shqiponjë freskon trupin tim të akullt,
ngrihet lart deri n`qoshe të diellit.
Ngadalëson fluturimin,
shigjeton drejt prej ku unë ngulit qënien-kohën.

Harxhoj energji në lutje, mos të kem dyluftim.
Ndoshta stërvitet për nxemjen e mëngjesit.
Një burrë thërret nga një kofshë gruaje, ashtu dukej lëndina.
Afrohu për një duhan, ndoshta tregon rrugën e kthimit.

Drejt ti …
Tani mbaj në mendje fotografinë e kohës së shkuar.
Ndoshta kthehet në iluzion, ndoshta vegim, ëndërr ishte.

Hasan Muzli Selimi
Tiranë me 10.05.202

HIMN PËR NËNAT SHQIPTARE- Nga Albert HABAZAJ

Në nderim të 9 majit, Ditës ndërkombëtare të nënës!

Lum kush e ka nënën! Në krahë të dritës ato që kanë ikur tek yjet…

HIMN PËR NËNAT SHQIPTARE

– një tufëz me lule vjershërore për 9 Majin, Ditën ndërkombëtare të nënës –

 

Dashurinë më të ngrohtë
Që për fëmjët ka nëna
Asnjë këngë dot s’e thotë
E di zemra e saj përbrenda.

Na dha jetë, qumësht e këngë,
Nën’ e xhanit, durim madhe,
Me rrufetë dhëmb për dhëmbë
Qan e hesht, hambar me halle.

Ju, o nënat shqiptare
Veten harruat për ne,
Testament i Mirësisë
Ikët me yjet mbi rè.

Vendin e nënës askush
Askush s’e mban dot një ditë,
Sytë me ç’dashuri i mbush
O sytë e pastër plot dritë!

Vajza, gra, nëna e gjyshe,
Jeni Shqiponja Tërbaçi,
S’ka se si të jeni ndryshe
O mëllëri nga kulaçi!

Kulaç malli, dashurie
Për shtëpi e për Atdhe,
Mbushur me mjaltë mirësie
Shenjtore me frymë për ne.

Gremisni paragjykime
Luftoni për botë të re,
Ju s’njihni ditë për pushime
Amazona si rrufe.

Sot ne u themi gëzuar,
Pse mos t’u themi përditë?!
Ju mbani botën në duar,
Ju botës i jepni dritë.

Ju jeni urata vetë,
Luftëtare shumë trime,
Pastroni qiellin nga retë
Shqiponja në fluturime.

Kolona virtyti, nderi
Kurora të dinjitetit,
Pasqyra, ku thyhet terri,
Sheh veten sinqeriteti.

Bija, motra, nuse, dada
Nga ju ka frikë ligësia,
Se ju çani barrikada
A u faltë Perëndia!

Vlorë, e enjte, 9 Maj 2024


Send this to a friend