VOAL

VOAL

Thaçi: Nuk lejoj Specialen të barazojë aktet e Millosheviçit me ato të individëve të dëshpëruar apo kriminelë

August 31, 2015

Komentet

IDU rekomandime për SHBA-BE: Shqipëria rrezikon të zhytet në një regjim të përhershëm narko-autoritar

Dokumenti zyrtar përmban një sërë rekomandimesh të forta të partnerëve perëndimorë për gjendjen në Shqipëri dhe shpreh mbështetje të pakushtëzuar për Partinë Demokratike dhe opozitën shqiptare.

 

Unioni Ndërkombëtar Demokrat (IDU) miratoi një rezolutë të posaçme në mbledhjen e tij ekzekutive të zhvilluar një ditë më parë në Uashington, ku trajtoi situatën e rëndë politike në Shqipëri. Dokumenti zyrtar përmban një sërë rekomandimesh të forta të partnerëve perëndimorë për gjendjen në Shqipëri dhe shpreh mbështetje të pakushtëzuar për Partinë Demokratike dhe opozitën shqiptare.

Sipas rezolutës, IDU u kërkon Bashkimit Europian, Shteteve të Bashkuara dhe Këshillit të Evropës të aplikojnë një regjim më të rreptë kushtëzimi për ecurinë e Shqipërisë drejt integrimit, duke u bazuar në standarde të qarta dhe meritë.

Organizata thekson nevojën për ngritjen e një mekanizmi ndërkombëtar të pavarur që do të monitorojë proceset zgjedhore, funksionimin e drejtësisë dhe gjendjen e medias në vend, për shkak të shqetësimeve të thella mbi kapjen e institucioneve.

Një tjetër element kyç i rezolutës është kërkesa për vendosjen e sanksioneve të targetuara kundër zyrtarëve dhe strukturave të lidhura me korrupsionin, krimin e organizuar dhe persekutimin politik. IDU nënvizon domosdoshmërinë e reformave për çmontimin e rrjeteve kriminale, rikthimin e pavarësisë së gjyqësorit, forcimin e mbikëqyrjes parlamentare dhe garantimin e lirisë së medias.

“IDU i bën thirrje BE-së, SHBA-së dhe Këshillit të Evropës të zbatojnë kushtëzim strikt mbi bazën e meritës në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së dhe kërkon krijimin e një mekanizmi të pavarur ndërkombëtar për monitorimin e zgjedhjeve, drejtësisë dhe medias;

IDU kërkon sanksione të targetuara ndaj zyrtarëve dhe entiteteve të lidhura me korrupsion, krim të organizuar dhe persekutimin politik dhe mbështet reformat për çmontimin e rrjeteve kriminale, garantimin e pavarësisë së gjyqësorit, rikthimin e mbikëqyrjes parlamentare dhe mbrojtjen e lirisë së medias;

IDU Rikonfirmon se bashkimi i pushtetit politik, drejtësisë dhe krimit të organizuar paraqet një kërcënim serioz për demokracinë dhe sigurinë në Europë;

Paralajmëron se Shqipëria rrezikon të zhytet në një regjim të përhershëm narko-autoritar;

I bën thirrje anëtarëve të IDU-së të mbeten vigjilentë dhe të mbështesin forcat demokratike shqiptare në mbrojtje të lirisë, pluralizmit dhe vlerave evropiane,” thuhet në rezolutë./Syri.net

Zelensky zbardh bisedimet me Witkoff dhe Kushner: Ukraina dëshiron paqe të vërtetë! Marrëveshje po vijon me hapat e mëtejshëm

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, njoftoi se është informuar mbi bisedimet e vazhdueshme mes Ukrainës dhe SHBA-së nga delegacionet në Florida, duke theksuar se vendi i tij “synon paqe të vërtetë”.


Në një postim në X, Zelensky tha se pati një “telefonatë të gjatë dhe të thellë” me të dërguarin e posaçëm amerikan, Steve Witkoff, dhëndrin e presidentit Donald Trump, Jared Kushner, si dhe diplomatët ukrainas që po kryejnë negociatat.

Ai theksoi gjithashtu se do të presë një raport të drejtpërdrejtë nga delegatët ukrainas, sepse “nuk mund të diskutohet gjithçka përmes telefonit”.

Bisedimet mbuluan shumë tema, duke përfshirë “pikat kyçe që mund të sigurojnë përfundimin e gjakderdhjes dhe eliminimin e kërcënimit të një pushtimi të ri rus”.

Ai theksoi gjithashtu rrezikun që Rusia mund të mos përmbushë premtimet e saj, siç ka ndodhur disa herë më parë.

Zelenski përfundoi duke falënderuar Trump “për qasjen intensive ndaj negociatave”. Në postimin e tij ai shkruan:

“Sapo pata një bisedë të gjatë dhe të thellë me Steve Whitkof dhe Jared Kushner, së bashku me Andriy Khnatof dhe Rustem Umerov. Jam mirënjohës për diskutimin shumë të fokusuar dhe konstruktiv. Mbuluam shumë tema dhe shqyrtuam pikat kyçe që mund të sigurojnë fundin e gjakderdhjes dhe të eliminojnë kërcënimin e një pushtimi të ri rus në shkallë të plotë, si dhe rrezikun që Rusia të mos përmbushë premtimet e saj, siç ka ndodhur më parë.

Ukraina është e vendosur të vazhdojë bashkëpunimin me mirëbesim me palën amerikane për arritjen e një paqeje të vërtetë. Ne ranë dakord për hapat e ardhshëm dhe format e bisedimeve me SHBA-në. Falënderoj Presidentin Trump për qasjen intensive në negociata. Tani pres Rustem Umerov dhe Gjeneralin Khnatof me një raport të detajuar personal.

Nuk mund të diskutohet gjithçka përmes telefonit, prandaj duhet të punojmë ngushtë me ekipet tona për ide dhe propozime. Qasja jonë është që çdo masë kritike për paqen, sigurinë dhe rindërtimin të jetë e zbatueshme. Faleminderit”, tha ai.

Steve Whitkof e përshkroi si “konstruktive” takimin dy-ditor të së enjtes dhe të premtes me Rustem Umerov.

Ai dhe Umerov ranë dakord mbi “kornizën e rregullimeve të sigurisë” që mund të çojnë në një marrëveshje dhe diskutuan “kapacitetet e nevojshme për parandalim për të ruajtur paqe të qëndrueshme”, pa dhënë më shumë detaje.

Sipas deklaratës, perspektiva për përfundimin e luftës varet nga gatishmëria e Rusisë për të marrë “masa për deeskalim dhe ndalimin e vrasjeve”.

Gjatë bisedimeve në Florida, delegacioni ukrainas u informua mbi takimin e fundit midis Whitkof dhe presidentit rus Vladimir Putin, i cili zgjati gati pesë orë në Moskë të martën. Kremlini deklaroi se “nuk u arrit kompromis” mbi planin e propozimit për paqe të SHBA-së. gsh

Kallas: SHBA-të janë aleati më i madh i Evropës

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, tha se Shtetet e Bashkuara janë ende aleati kryesor i Evropës, pas Strategjisë së re të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, e cila kritikon institucionet evropiane.

“Sigurisht, ka shumë kritika, por mendoj se disa prej tyre janë të vërteta”, tha Kallas në Forumin e Dohas, në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me strategjinë e SHBA-së.

Gjithashtu u shpreh se pavarësisht se jo gjithmonë janë dakorduar për shumë çështje, por parimi i përgjithshëm është ende i vërtetë.

Shtetet e Bashkuara janë ende aleati ynë më i madh. Mendoj se nuk kemi rënë gjithmonë dakord për shumë çështje, por mendoj se parimi i përgjithshëm është ende i vërtetë. Ne jemi aleatët më të mëdhenj dhe duhet të qëndrojmë së bashku”, theksoi ajo. bw

Zhdukja misterioze e Daniel Shimës, Lala: AKSHI drejtohet nga banda kriminale

Gazetarja Klodiana Lala ka bërë deklarata të forta lidhur me institucionin e AKSH-it (Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit), duke e cilësuar atë si një strukturë të kontrolluar nga “banda kriminale”.

E ftuar në emisionin “Kjo Javë”, Lala tha se hetimi për zhdukjen për 10 orë të zyrtarit të lartë të AKSH-it, Daniel Shima, në muajin gusht, tregon mënyrën se si operon krimi i organizuar brenda këtij institucioni.

Z.nj Mirlinda Kaçanaj është pyetur në cilësinë e një personi që ka dijeni. Dosja e AKSH=it është një nga më voluminozet që ka Prokuroria e Posaçme. AKSH-i ka një perceptim shumë të lartë për korrupsion dhe ka tendera të paracaktuar të paktën kështu kanë dalë në konkluzion prokurorët e posaçëm, të cilët po hetojnë. Është një institucion i ndarë në banda dhe drejtuar nga banda kriminale.

Dikur ishin disa biznesmenë të preferuar sot janë të tjerë. Por gjithmonë ka qenë një institucion i lakmuar nga njerëz shumë të rëndësishëm, ndoshta nga të krimit të organizuar. Sepse patja në duar e të gjithë serverëve apo të sistemeve të institucioneve të rëndësishme është gjëja që do të lakmonte gjithsecili prej eksponentëve të asaj që quhet bota e nëndheshme. Dhe në këtë aspekt Prokuroria ka çelur një hetim penal.

Një hetim që po kryhet me ndihmën e partnerëve të huaj. Sepse sipas procedurave dhe dokumentave sipërfaqësore, po shikohet shumë më thellë çështja dhe ka pasur gjatë viti të fundit sekuestrime pafund të celularëve. Ka pasur kqyrje të dokumentave, marrje të dëshmive e të tjera me radhë. Them që është një institucion që duhet të ketë një vëmendje të shtuar, sepse ju e dini para disa kohësh një zyrtar i lartë i AKSH-it Daniel Shima u zhduk në mënyrë të mistershme për dhjetë orë me radhë.

Pavarësisht se ajo çështje është një kapitull i mbyllur për drejtësinë, në fakt për mua si gazetare është gjithë femra e Akilit për hetimin e dosjes së AKSH-it. Unë nuk mendoj se Daniel Shima u larguar me dëshirën e tij. Dhe as u zu me partneren e vetë. Unë mendoj se ai është mbajtur nën presion nga eksponentë të caktuar apo personazhe të caktuar të cilët kanë pasur interesa të drejtpërdrejta në AKSH.”, tha ajo.

Shtëpia e Bardhë jep alarmin: Evropa përballet me humbjen e qytetërimit! Rrezikohet shtypja e opozitave politike!

Sipas një dokumenti të ri të Shtëpisë së Bardhë që përshkruan strategjinë kombëtare të sigurisë së Shteteve të Bashkuara, në Evropë ekziston rreziku i një “fshirjeje të qytetërimit”, raporton TgCom24.

 

Në dokumentin e Shtëpisë së Bardhë thuhet se nëse “tendencat aktuale vazhdojnë”, kontinenti “do të jetë i panjohur pas 20 vitesh ose edhe më herët”.

Administrata e presidentit Donald Trump, në këtë strategji të shumëpritur, thekson se SHBA-të do të reduktojnë rolin e tyre global për t’u përqendruar më shumë te Amerika Latine dhe lufta kundër emigracionit.

Po çfarë e rrezikon kontinentin evropian?

Dokumenti liston disa faktorë që, sipas Uashingtonit, po vënë në rrezik historinë dhe kulturën e Europës. Midis tyre veprimtaria e Bashkimit Europian dhe organizmave të tjerë transnacionalë që “minojnë lirinë politike dhe sovranitetin”.

Po ashtu rrezikohen politikat migratore që “po transformojnë kontinentin dhe po krijojnë konflikte”; censurimi i lirisë së shprehjes, shtypja e opozitës politike dhe rënia e shkallës së lindshmërisë dhe humbja e identiteteve kombëtare dhe e besimit tek vetja.

Qasja e re ndaj NATO-s dhe Rusisë

Në strategji përmendet edhe NATO. Sipas dokumentit, një nga objektivat kryesore të SHBA-ve në Europë është rikthimi i “kushteve të stabilitetit të brendshëm në kontinent” dhe i “stabilitetit strategjik me Rusinë”.

Po ashtu vihet theksi në nevojën që Europa të jetë “e aftë të qëndrojë në këmbët e saj si një grup kombesh sovrane të përafruara”, duke marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e vet, “pa u dominuar nga asnjë fuqi kundërshtare”.

Fokusi zhvendoset drejt Indo-Paqësorit

Duke dalë përtej Europës, dokumenti thekson se rajoni Indo-Paqësor “është dhe do të mbetet një nga fushat kryesore të betejës ekonomike dhe gjeopolitike të shekullit të ardhshëm”.

Sipas dokumentit, presidenti Trump ka “përmbysur më shumë se tre dekada supozimesh të gabuara të SHBA-ve ndaj Kinës”, duke argumentuar se hapja e tregjeve për Pekinin dhe zhvendosja e prodhimit amerikan atje nuk e kanë sjellë Kinën më pranë rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla, siç ishte parashikuar.

Dokumenti përmbledh “objektivat për Hemisferën Perëndimore”, domethënë, ” rekrutimin dhe zgjerimin “.

“Rekrutimi do të thotë angazhimi i miqve të vendosur në hemisferë për të kontrolluar migracionin, për të ndaluar fluksin e drogës dhe për të forcuar stabilitetin dhe sigurinë, si në tokë ashtu edhe në det”, specifikon dokumenti, ndërsa zgjerimi do të thotë kultivim dhe forcim i partnerëve të rinj, duke rritur njëkohësisht atraktivitetin e Shteteve të Bashkuara si një partner i preferuar ekonomik dhe i sigurisë.” Panorama

UGSHPD: KORRUPSIONI, ANDEJ NGA ANON KANDARI

Ndërkohë që kryeministri Rama është përfshirë me sulme dhe presion ndaj drejtësisë, sidomos ato kundër Gjykatës Kushtetuese për çështjen e fundit dhe të mirënjohur të zv/kryeministres së dytë Belinda Balluku (nën hetime, e pezulluar dhe e pandehur për korrupsion), mendojmë se publikut mund t’i vijmë në ndihmë me kujtesën e një qëndrimi të dhënë dy jave më parë më 19 Nëntor, kur vetë ai u pozicionua në formatin “Euro Conversation” me gazetaren Maria Toledo duke u përgjigjur se Shqipëria në Evrope  është “trashëgimia e jetës sime politike”.
Ky kthim faqeje mes propagandës , mashtrimit dhe realitetit  sjell skicën e NY-LD25 “Korrupsioni, andej nga anon kandari”, Zgjerimi i Evropës, përforcohet me thënien që kryeministri Rama ka përmendur më lart në intervistën e tij:- Albania is not anymore a mysterious shit hole in the middle of Europe where I think that’s how people perceived you”.
Pjesa e fundit e kësaj interviste ndodhet më poshtë nga e cila mund të nxirrni mendimin dhe vlerësimin tuaj mbi individin në pushtet, fatin e një populli në shtetin e tij dhe marrëdhënien me fqinjët, kontinentin dhe botën po të jetë nevoja.
 
 
Euro Conversation
 

Pyetje Maria Tadeo – Kryeministër, dhe vetëm një pyetje e fundit. Ju keni thënë se ka shumë klishe dhe stereotipe për atë çka është Shqipëria.

Përgjigje KM Rama – Unë nuk e kam thënë këtë, por…

 

Pyetje Maria Tadeo – Ju kurrë nuk keni thënë atë?!
Përgjigje KM Rama – Po dikur…por jam dakord me ju.

Pyetje Maria Tadeo – Jo, por ju jo se nuk e keni thënë kurrë sepse unë e kam lexuar këtë në një fjali ku ju keni thënë se ka ide.
Përgjigje KM Rama –    Po. Ka ide që janë paraqitur për Shqipërinë që më duket se janë një klishe ose stereotipe se çfarë janë shqiptarët.Pyetje Maria Tadeo – Në të njëjtën kohë, disa nga kritikët tuaj do të argumentonin se ajo që aludon kjo imagjinatë kolektive është kjo ide. Mbase e mafias, e krimit, e bandave. A është diçka që ju e merrni seriozisht dhe thoni, mirë, nuk është një stereotip?Përgjigje KM Rama – Është diçka që duhet të luftojmë.Pyetje Maria Tadeo – Dhe si po shkoni në këtë rrugë të dyfishtë në të cilën ju duhet të ndryshoni narrativën, por edhe të trajtoni çështje të tilla?

Përgjigje KM Rama – Jo, por narrativa tashmë ka ndryshuar dhe po ndryshon çdo ditë sepse tani Shqipëria nuk është më një gropë m**i  misterioze në mes të Evropës ku mendoj se (kështu ju  perceptonin njerëzit), të gjithë po imagjinonin mafien dhe kriminelët dhe drogën dhe prostitutat dhe të gjitha gjërat e këqija. Tani, Shqipëria është një shembull i shkëlqyeshëm ku miliona e miliona evropianë vijnë për vizitë dhe ku shohin se është një pjesë e Evropës që ka një pjesë të mozaikut, ndërsa në të njëjtën kohë kemi ende probleme me krimin e organizuar?
Po, ne po e bëjmë.

Kush nuk e shikon këtë qytet?
Ky qytet është ju e dini një shembull dhe ka gjëra të mëdha që ndodhin këtu.
A kemi probleme me drogën? 
Atëherë sigurisht që ne duhet të luftojmë dhe lufta nuk do të përfundojë kurrë siç tregon shembulli i Evropës. Evropa ka luftuar drogën gjatë gjithë rrugës, por droga është ende në Evropë dhe lufta vazhdon dhe komisioni gjithashtu e bëri këtë pikë kështu.
 
Pyetje Maria Tadeo– Ju jeni dakord për këtë në mënyrë specifike dhe rekomandimet?

Përgjigje KM Rama -: Jam dakord me të gjitha rekomandimet. Nuk kam parë kurrë diçka më objektive, ishte një raport brutalisht i mirë, brutalisht i vërtetë dhe i mahnitshëm  e më frymëzues se raporti i Komisionit Evropian. Ne po njihemi me këtë libër. Epo, ne do t’i themi komisioneres. Ajo do të jetë e lumtur të shohë dikë ta lexojë nga fillimi në fund. Ata e dinë. Dhe ne kemi disa njerëz që e lexojnë nga fillimi në fund. Nuk e di se si ata i mbijetuan, por po e bëjnë dhe unë thjesht i adhuroj ata dhe jetoj për këtë libër. Unë shikoj se ky libër bëhet gjithnjë e më i mirë dhe është trashëgimia e jetës sime politike. Epo, në këtë shënim,
Kryeministër, faleminderit shumë që jeni bashkuar me ne për lajmet tuaja.
Faleminderit.
 
 
 
 
 

3 Dhjetor, 2025

 

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)

Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)

Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)

L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)

Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

Shqipëria parashikon ngritja e 20 qendrave të reja pritëse për emigrantë nga Afganistani, Pakistan, Irani, Siria, Libani dhe Gaza!

Për dy vitet e ardhshme, Shqipëria parashikon ngritjen e 20 qendrave pritëse për emigrantët nga Afganistani, Pakistan, Irani, Siria, Libani dhe Gaza, të cilët përdorin Shqipërinë dhe Serbinë si rrugë kalimi drejt Greqisë.

 

Qendrat do të vendosen në qarkun e Korçës, Gjirokastrës dhe Vlorës, me kapacitete që variojnë nga 100 deri në 410 shtretër. Plani bazohet në projektvendimin “Për miratimin e Planit Kombëtar të Kontigjencës për flukset e përziera migratore 2026–2028”.

Projektvendimi është miratuar në mbledhjen e fundit të këshillit konsultativ të Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore (AMVV) që funksionon si institucion në varësi të Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor.

Aktualisht, kapacitetet pritëse janë kryesisht të përqendruara në Tiranë dhe disa pika të tjera, si Gërhot, Kakavijë dhe Kapshticë. Plani i ri synon shpërndarje më të balancuar në territor, duke shfrytëzuar hapësira publike ekzistuese, truall të lirë dhe objekte të braktisura, për të garantuar reagim të shpejtë në rast fluksesh emergjente.

“Plani i parashikuar për ngritjen e kapaciteteve pritëse emergjente për menaxhimin e flukseve migratore mbështetet mbi një shpërndarje të balancuar të qendrave në qarqet Korçë, Gjirokastër dhe Vlorë. Këto qendra synojnë të shfrytëzojnë infrastrukturën ekzistuese publike, hapësirat e braktisura apo truallin e lirë, duke garantuar reagim të shpejtë dhe funksional në rast të flukseve të papritura migratore”, thuhet në relacion.

Qarqet dhe qytetet ku parashikohen të ngrihen qendrat e reja

Sipas relacionit të projektvendimit, parashikohet që shpërndarja e qendrave të bëhet në 3 qarqe: Korçë, Gjirokastër dhe Vlorë. Për ngritjen e tyre, synohet të shfrytëzohen infrastrukturën ekzistuese publike, hapësirat e braktisura apo truallin e lirë, duke garantuar reagim të shpejtë dhe funksional në rast të flukseve të papritura migratore.

-Në qarkun e Korçës parashikohet ngritja e disa strukturave të akomodimit emergjent.

Në Bashkinë Korçë është identifikuar fshati Floq në Njësinë Administrative Mollaj, në ambientet e ish-TAP. Në Bashkinë Pogradec, krijohen mundësi për ngritjen e qendrave me kapacitet të konsiderueshëm. Në Bashkinë Devoll, hapësirat e qytetit Bilisht dhe të fshatit Bitinckë ofrojnë gjithsej mbi 11.500 m², duke e bërë këtë bashki një nyje të rëndësishme pritjeje. Bashkia Kolonjë ofron gjithashtu hapësira strategjike.

-Në Bashkinë Maliq parashikohet shfrytëzimi i ish-depove të Rezervave Shtetërore në Lozhan, ndërsa në Bashkinë Pustec janë evidentuar tre hapësira: Njësia Zaroshkë, fusha sportive e Pustecit dhe fusha sportive e Goricës së Vogël. Në total, qarku Korçë përfshin të paktën 10 pika akomodimi emergjent.

-Në qarkun e Gjirokastrës, fokusi është vendosur mbi rikonfigurimin e strukturave ekzistuese, kryesisht ish-Rezervat Shtetërore, të cilat kanë treguar funksionalitet gjatë krizës së vitit 1999.

Në Bashkinë Memaliaj, pranë Stadiumit “Karafil Çaushi” është parashikuar vendosja e strukturave të përkohshme, ndërsa në Bashkinë Përmet janë evidentuar spitali i qytetit dhe konviktet, që mund të akomodojnë deri në 102 shtretër. Në këtë qark parashikohen të paktën tre pika të rëndësishme pritjeje, të cilat mund të shtohen në varësi të vlerësimeve të infrastrukturës.

-Në qarkun e Vlorës është parashikuar një shpërndarje më e gjerë e kapaciteteve. Në Bashkinë Vlorë janë identifikuar disa hapësira kryesore: konviktet e “Qytezës së Studentit” dhe të Shkollës Industriale, si dhe objekte që mund të përshtaten për akomodim si Pallati i Sportit “Flamurtari”, Shkolla e Marinës dhe zyrat e Njësisë Administrative Novoselë. Secila prej këtyre hapësirave ka kapacitet deri në 300 persona, duke e kthyer qytetin e Vlorës në një qendër kryesore pritjeje. Në Bashkinë Selenicë, fshati Peshkopi ofron një terren me kapacitet deri në 250 persona. Në Bashkinë Delvinë është identifikuar stadiumi i qytetit. Në Himarë janë parashikuar stadiumi dhe ambientet e shkollave publike, ndërkohë që vijon procesi i vlerësimit për hapësira të tjera. Në Bashkinë Konispol, tre shkolla dhe Qendra Komunitare në Mursi ofrojnë një kapacitet total prej rreth 410 personash.

Kostoja

Plani Kombëtar i Kontigjencës parashikon shpenzime për paga, shpenzime korrente dhe investime për periudhën 2026–2028, sipas katër skenarëve të migracionit dhe emergjencave kostoja parashikohet të variojë nga 195,6 mln lekë që është skenari normal deri në 708.7 mln lekë që parashikohet kostoja për ngritjen e qendrave në rast krize. / Monitor

Shqipëria dhe Bosnja, me nivelin më të ulët të shpenzimeve për kërkim-zhvillim në Europë

Shqipëria mbetet ndër vendet me shpenzimet më të ulëta për kërkim-zhvillim (R&D) në rajon, duke alokuar vetëm 0.20% të PBB-së për inovacion, nivel pothuajse identik me Bosnjën (0.19%), sipas të dhënave që janë bërë publike nga Eurostat, për vitin 2024, ose viti më i afërt kur janë informacionet.

Në kontrast, Serbia investon 0.93% të PBB-së dhe Maqedonia e Veriut 0.36%, duke treguar një angazhim më të lartë ndaj zhvillimit teknologjik dhe modernizimit ekonomik.

Niveli i ulët i financimit në Shqipëri kufizon rritjen e produktivitetit, inovacionin dhe transformimin e modelit ekonomik, duke e bërë më të vështirë për vendin të konkurrojë me ekonomitë e tjera në zhvillim.

Ndërkohë, panorama europiane paraqet një kontrast të fortë. Sipas Eurostat, mesatarja e Bashkimit Europian në këtë tregues është 2.24% e PBB-së, pjesa më e madhe e të cilit, rreth 67% vjen nga shpenzimet për kërkim dhe zhvillim të bizneseve (1.49% e PBB-së).

Në Shqipëri, bizneset investojnë vetëm 0.07% të PBB-së për kërkim e zhvillim. Investimet e bizneseve përbëjnë vetëm 35% të totalit të shpenzimeve për kërkim zhvillim në vend, shumë më poshtë se mesatarja europiane.

Europa

Vendet e Bashkimit Europian vazhdojnë të investojnë shumëfish më tepër në kërkim dhe inovacion, duke i konsideruar shpenzimet për R&D një shtyllë themelore të rritjes afatgjatë.

Në BE, shumë shtete anëtare shpenzojnë mbi 2% të PBB-së për kërkim-zhvillim, duke krijuar një diferencë të dukshme midis ekonomive të zhvilluara dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Vendet nordike, si Suedia, Danimarka dhe Finlanda, mbeten në krye të renditjeve, duke kombinuar investimet publike dhe private me traditën e forte universitare dhe industriale.

Ekonomitë e mëdha, si Gjermania, kontribuojnë në vlerë absolute me buxhete të konsiderueshme për teknologji, inovacion dhe shkencë, ndërsa vendet e Europës Lindore kanë rritur gradualisht investimet për të afruar standardet e BE-së dhe për të modernizuar sektorët e tyre prodhues.

Sipas Eurostat, në vitin 2024, 6 vende të BE-së regjistruan një intensitet të shpenzimeve për R&D të barabartë ose më të lartë se 3%, objektivi i BE-së i vendosur nga Këshilli Europian. Intensiteti më i lartë i R&D-së u regjistrua në Suedi (3.6%), Belgjikë (3.4%), Austri (3.3%) dhe Finlandë (3.2%), të ndjekura nga Gjermania (3.1%) dhe Danimarka (3.0%).

Në të kundërt, 7 vende të BE-së raportuan një intensitet të shpenzimeve për R&D më të ulët ose të barabartë me 1%: Rumania dhe Malta (nga 0.5% secila), Qipro (0.7%), Bullgaria (0.8%), Letonia (0.9%), si dhe Sllovakia dhe Luksemburgu (1.0%).

67% e shpenzimeve për R&D vijnë nga sektori i biznesit

Sektori i ndërmarrjeve private vazhdoi të përbëjë pjesën më të madhe të shpenzimeve për kërkim dhe zhvillim në vitin 2024. Ai zuri 66.5% të totalit të shpenzimeve të BE-së për R&D, duke arritur në 268.1 miliardë euro. Pas tij renditet sektori i arsimit të lartë (86.1 miliardë euro; 21.4%), sektori qeveritar (43.5 miliardë euro; 10.8%) dhe sektori jofitimprurës privat (5.4 miliardë euro; 1.3%).

Komisioni Europian ka nënvizuar vazhdimisht lidhjen e drejtpërdrejtë mes investimeve në R&D dhe fuqisë konkurruese të ekonomive të BE-së.

Sipas të dhënave të Eurostat, vendet që shpenzojnë më shumë për kërkim kanë produktivitet më të lartë, sektorë teknologjikë më të zhvilluar dhe një aftësi më të madhe për të tërhequr investime të huaja. Kjo politikë ka bërë që BE-ja të synojë rritje të vazhdueshme të shpenzimeve për R&D dhe të shtyjë sektorin privat të marrë një rol më aktiv në financimin e inovacionit.

Të dhënat tregojnë se Shqipëria është dukshëm prapa, duke rrezikuar të mbetet e shkëputur nga trendet teknologjike që po transformojnë ekonominë europiane. Hendeku mes vendeve të BE-së dhe rajonit sa vjen e zgjerohet, ndërsa vendet me investime më të larta në R&D po rrisin pozicionin e tyre konkurrues./monitor/

Abuzimet e Ballukut dhe pezullimi nga GJKKO, reagon Ambasada Amerikane: Pavarësia e drejtësisë, thelbësore për bashkëpunimin mes dy vendeve

Ambasada amerikane në Tiranë ka reaguar lidhur me abuzimet me tendera të zv.kryeministres Belinda Balluku dhe vendimin që GJKKO vendosi ndaj saj; pezullim nga detyra dhe bllokim të pasaportës.

Ambasada amerikane deklaroi se nuk komenton çështje në hetim, ndërsa theksoi se pavarësia e drejtësisë është thelbësore për bashkëpunimin mes dy vendeve.

“Pavarësia e institucioneve të drejtësisë në Shqipëri mbetet thelbësore për bashkëpunimin e vazhdueshëm SHBA-Shqipëri në luftën kundër krimit transkufitar. Ne nuk kemi komente mbi çështjet ligjore në vazhdim”, thuhet në reagimin e Ambasadës amerikane për Report TV.

Pezullimi

Gjykata e Posaçme vendosi që ta pezullonte Ballukun nga detyra dhe të ndalonte udhëtimin jashtë vendit, duke i bllokuar pasaportën.

Ajo u mor e pandehur disa javë më parë për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera pasi akuzohet se ka manipuluar dy tendera me vlerë 210 milionë euro, së bashku me vartësit e saj më të ngushtë, Evis Berberi, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, duke favorizuar kompanitë fituese.

Kryeministri pretendon se me vemdimin e pezullimit të Ballukut, gjykata ka shkelur kompetencat e tij si kryeministër dhe prej dy ditësh ka rritur presionin publik ndaj Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar një vendimmarrje në favor të tij.

“Nëse pezullimi i një ministri nga një prokuror dhe gjykatës sot do të legjitimohej si një e drejtë e ligjshme e drejtësisë, atëherë shtrirja e krahut të gjyqësorit përtej kufirit ndarës me ekzekutivin dhe me vetë jetën politike do krijonte precedent unikal, të rrezikshëm dhe kërcënues, sepse duke i hapur rrugë presioneve politike ndaj qeverisë, destabilizimit institucional dhe manipulimit të ekzekutivit nëpërmjet procesve penale, do ndodhte diçka që është e panjohur në Europë,” tha Rama të hënën gjatë një video-mesazhi.

Rama e ka justifikuar ankimin në Kushtetuese si një betejë për pavarësinë e pushtetit ekzekutiv dhe mbrojtjen e kompetencave kryeministrore.

Hetimet per Ballukun

Prokuroria sqaron se nga hetimet janë evidentuar shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe ankande publike, në kuadër të dy procedurave të rëndësishme prokurimi.

Në tenderin me objekt ndërtimin e Tunelit të Llogarasë, pjesë e seksionit rrugor Orikum-Himarë, me fond limit më shumë se 18.9 miliardë lekë pa TVSH, të zhvilluar nga ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, janë evidentuar veprime të kundraligjshme të pandehurës Belinda Balluku, e cila në cilësinë e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë ka ndjekur dhe orientuar në vijimësi procedurën e këtij prokurimi publik, prej fazës përgatitore, e deri në momentin e lidhjes së kontratës me operatorin ekonomik fitues.

“E pandehura Belinda Balluku, në bashkëpunim me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, të pandehurit; Evis Berberi, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, kanë paracaktuar fituesin e kësaj procedure prokurimi, kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e operatorëve ekonomikë fitues ‘I….dhe A…..’”, citohet në njoftim.

Po ashtu, shpjegohet se në kohën e kryerjes së veprimeve, i pandehuri Evis Berberi ka mbajtur funksionin si drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar; Erald Elezi ka qenë drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në Autoritetin Rrugor Shqiptar; Gentian Gjyli si drejtor i Drejtorisë së Ndërtimit dhe i Mirëmbajtjes në Autoritetin Rrugor Shqiptar, ndërsa të pandehurat Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica kanë qenë specialist të nivelit të Lartë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Tenderi i dytë në të cilin Balluku është gjetur përgjegjëse është ai i Lotit 4 të Unazës së Jashtme Tiranë në vitin 2021, me fond limit 2 miliardë lekë pa TVSH, të zhvilluar nga ARRSH. Sipas SPAK, ka rezultuar se dhe në këtë rast, Balluku ka ndjekur dhe orientuar në vijimësi procedurën e këtij prokurimi publik të zhvilluar nga ARRSH, institucion në varësi të ministrisë që ajo drejton.

Edhe në këtë rast, Balluku akuzohet se në bashkëpunim me Berberin, tre anëtarët e njësisë së prokurimit, shtetasit J.Ç, A.K. e D.Xh, si dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Erald Elezi, K.K. e M.Sh., kanë paracaktuar fituesin e tenderit duke krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e operatorëve ekonomikë të shpallur fitues.

AKU kthen 51 tonë misër të ardhur nga Serbia, pas analizave të kryera rezultuan me aflatoksinë

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka konstatuar prani të aflatoksinës në një sasi prej 51 ton misër me origjinë nga Serbia.

Sipas një njoftimi zyrtar, AKU thotë se nga analizat e kryera në mostrat e marra në dy ngarkesat me misër, ushqim për kafshë të ardhura nga Serbia, janë konfirmuar me prani të Aflatoksinës B1.

Për këtë arsye, njëra nga ngarkesat, është kthyer në vendin e origjinës, ndërsa ngarkesa tjetër është bllokuar me destinacion asgjesimin.

“AKU garanton opinionin publik se çdo produkt ushqimor i importuar, i nënshtrohet kontrolleve rigoroze për të garantuar produkte të sigurta ushqimore në mbrojtje të shëndetit të konsumatorëve”, thuhet në njoftimin e AKU-së për mediat.bw

AKSHI, “kuçedra” që po ha dhe SPAK-un

Nga Boldnews.al

Me një kostum ngjyrë mavi, drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, kapërceu pragun e derës së Prokurorisë Speciale SPAK, ndërsa pranë rojes së institucionit mbylli në dollapin e sendeve orën e saj, që të kalonte pa “zhurmë” pajisjen e kontrollit të “mjeteve të palejuara”. Në dukje e qetë, drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, me varësi direkte nga kryeministri, pritet të pyetet për të paktën 12 tendera qindra milionë euro të cilat janë dhënë prej saj apo “grupit të vlerësimit të ofertave”, po të kontrolluara prej saj.

Abuzimi i dukshëm dhe arroganca e frikshme e Karçanit dhe kreut të qeverisë, duke i trajtuar milionë euro për AKSHI-n si gjethe vjeshte të lisave të egër tashmë së fundi ran ë sytë e SPAK. Ndonëse denocimet e shumta janë prej vitesh, Prokuroria Speciale priti që mullari të bëhej aq i madh sa kudërmimi të merrte dhenë. Sfida ndaj Spak-ut është e madhe sa tenderat e dyshimtë kanë vijuar edhe pasi një grup i agjentëve të BKH-së sekustruan dokumentacion dhe materiale të tjera elektronike në zyrat e kompanisë së drejtuar nga Beqiri.

Mes të pyeturve është edhe Ermal Beqiri pronar i kompanisë “Soft & Solution”, i cili njihet si “oligarku” i parave publike përmes tenderave të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), duke qenë thithësi i çdo tenderi me flamur të kuq. Një personazh kontrovers i cili duke u shitur si mjeshtër në fushën e IT-së, gjithnjë gjendej i pranishëm pas çdo sakndali të mundshëm, herë si ekspert, herë si zyrtarë dhe shumë herë si biznesmen që fiton tenderat e shumtë të AKSHI-t.

Ish-zëvendëkryeministri në arrati, Arben Ahmetaj disa herë ka përmendur AKSHI-n si institucionin i cili po gllabëron miliona euro pas të cilit sipas tij fshihen njerëz të afërt të kryeministrit Rama. Shumë tendera janë zhvilluar në mënyrë të fshehtë , nëdras të tjerë dukshëm me fitues të paracktuar duke bërë letra fictive me kompani sa për të plotësuar numrin tre ose më shumë “subjekte të interesuar”. Çuditërisht në çdo tender të madh Beqiri del fitues, ndërsa sa për sigurinë që ofron AKSH-i, faktet vrasin shumë.

Kur të mbathurat, (qofshin edhe ngjyrë mavi) AKSHI-t i ranë nën gju pas ndërhyrjes së hakerave, që publikuan çdo të dhënë të ndjeshme të qytetarëve shqiptarë, nisi një batërdi edhe më e madhe me fondet publike si “masë për sulmet kibernetike”. Pas tyre dyshohet se fshihen njerëz të afërt të kryeministrit dhe të vetë Karçanit, një nga drejtoret më jetëgjatë në këtë post. Mes shumë arsyesh ka një arsye madhore se përse një institucion që është “bankë e të dhënave digjitale”, kthehet në kolibe që futet edhe një adoleshent duke thyer “kodet e sigurisë” së këtij institucioni, i cili tashmë me arrogancë po ha edhe SPAK-un.

Batërdi financiare në Kuvend – Miliona lekë dieta

Për dy javë mandat, deputetët e rinj kanë marrë nga 744 mijë deri në 1.5 milionë lekë, ndërsa pagat, qiratë dhe shpërblimet rriten pa kontroll…

55 deputetë të rinj të PS, PD dhe Partisë së Lirisë kanë marrë nga 744 mijë deri në 1.5 milionë lekë dieta vetëm në dy javët e para të mandatit, përveç pagës dhe shpërblimeve mujore. Edhe veteranët vazhdojnë të përfitojnë miliona, si rasti i Niko Peleshit që mori 1.9 milionë lekë dieta, përveç pagës dhe rimbursimit të qirasë, ndonëse zotëron disa apartamente në Tiranë. Batërdia financiare e Kuvendit vazhdon me ritme të pandalshme, ndërsa taksat e shqiptarëve rrjedhin për djersën e deputetëve të sapozgjedhur.

Edhe deputetët e rinj po flasin në emër të popullit. Por, ashtu si deputetët veteranë, ata e nisën mandatin duke përlarë taksat e qytetarëve përmes dietave, përveç pagës mujore 3.1 milionë lekë dhe 770 mijë lekë për karburant, telefon dhe mbledhje komisionesh parlamentare.

Në faqen zyrtare të Kuvendit është publikuar pasqyra e përfitimeve financiare të deputetëve për muajin shtator 2025. Në kolonën “Dieta për udhëtimet brenda vendit”, konstatohet batërdia e dietave që kanë marrë 55 deputetë të rinj të PS, PD dhe Partisë së Lirisë.

Ata e filluan mandatin më 12 shtator 2025 dhe u betuan se do të punojnë për hallet e popullit. Por për dy javët e para të mandatit, kanë marrë nga 744 mijë deri në afro 1.5 milionë lekë dieta. Kanë deklaruar se kanë qenë në zonat e tyre elektorale për takime me qytetarët dhe kanë dorëzuar në zyrën e financës së Kuvendit vërtetime për fjetje në hotele, ndërsa kuota ushqimore është e përcaktuar 140 mijë lekë në ditë.

Sipas listës që publikon “Pamfleti”, dieta kanë marrë deputetë të qarqeve Durrës, Lezhë, Shkodër, Kukës, Dibër, Gjirokastër, Vlorë, Berat, Elbasan, Korçë, të cilët i kanë shtëpitë atje.

Lista/ Batërdi financiare në Kuvend: 55 deputetë të rinj, dy

Ndër deputetët e rinj të PS dhe PD që kanë përfituar nga 1 milion e 489 mijë lekë për dy javët pas nisjes së mandatit janë Gjin Gjoni, Kliti Hoti, Jozefina Topalli, Bora Muzhaqi, Zegjine Çaushi, Tërmet Peçi, Skënder Pashaj, Igli Cara, Xhenis Çela, Klodiana Çapja, Ilva Gjuzi, Kiduina Zaka, Loer Kume, Luçiano Boçi, Manjola Luku, Marjana Koçeku, Aulona Bylykbashi, Piro Dhima, Bledi Çomo, Blendi Himçi dhe të tjerë.

Ndërsa deputetët e rinj që kanë marrë nga 744 mijë deri në 1 milion lekë janë Bardh Spahia, Sara Mila, Tedi Blushi, Agron Gaxho, Ana Dajko, Ani Dyrmishi, Ardit Bido, Iris Luarasi, Belind Kelliçi, Besart Xhaferi, Brunilda Haxhiu, Enno Bozdo, Agron Malaj, Gent Strazimiri, Erald Kapri dhe të tjerë.

Edhe deputetët veteranë vazhdojnë të marrin miliona lekë shtesë mbi pagat përmes dietave dhe shpërblimeve mujore për karburant, telefon dhe pjesëmarrje në komisione parlamentare.

Rasti tipik është Niko Peleshi. Përveç pagës mujore 3.9 milionë lekë si kryetar Kuvendi, në shtator 2025 mori 1.9 milionë lekë dieta si deputet. Ai merr edhe 290 mijë lekë në muaj për rimbursim qiraje si i pastrehë në Tiranë, megjithëse në Tiranë zotëron tre apartamente.

E pse mos t’i marrin? Taksat e shqiptarëve janë./Pamfleti


Send this to a friend