Ish-ministri i jashtëm, Paskal Milo është i bindur se Presidenti Ilir Meta do të autorizojë nisjen zyrtarisht të negociatave mes Shqipërisë dhe Greqisë.
I ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, Milo theksoi se pas përgjigjes së Ministrisë së Jashtme për të bërë publike grupin e negociatorëve, përgjigja pozitive e Metës pritet të vijë brenda 3 ditëve.
“Meta nuk ka arsye pse mos japë autorizimin për plotfuqishmërinë në lidhje me negociatat me Greqinë. Ministria e Jashtme patjetër që duhet t’i ketë plotësuar kërkesat dhe mendoj se Meta brenda 2-3 ditësh do japë autorizimin për të nisur negociatat me palën greke. Dy ministrat e jashtëm kanë rënë dakord për të zgjidhur problemet që mund të kenë mbetur pezull dhe mendoj se ky sheshim i këtyre problemeve do bëhet kur të takohen dy kryeministrat në Korçë. Marrëveshjet mes Shqipërisë dhe Greqisë janë arritur në parim dhe ekspertët do përcaktojnë koordinatat. Ekspertët e dinë se çfarë duan dhe mbetet vetëm të firmoset marrëveshja për detin” tha Milo.
Sa i përket akuzave të ish-Kryeministrit Sali Berisha për një nga negociatorët, Milo i cilësoi këto si deklarata për qëllime politike.
“Unë nuk i marr me shumë seriozitet deklaratat që bëhen në oborrin e Kuvendit. Ato që janë thënë sot për grupin e negociatorëve kanë synime politike. Unë nuk e di informacionin që lëshoi Berisha për një nga negociatorët dhe ato janë me burime nga PD. Unë Mecollarin e njoh si një studiues në kanalin e Korfuzit. Ai është ushtarak i njohur dhe ka pasur role të larta komanduese dhe është një njohës i mirë i të drejtës ndërkombëtare detare. Mendoj se është pozitiv fakti që Mecollari është pjesë e negociatorëve” tha Milo.
Komentet