Qindra personalitete ishin përzgjedhur nga Presidenti Hashim Thaçi për t’u dekoruar me rastin e 10-vjetorit të pavarësisë. Ishte pikërisht Thaçi dhe raportet e tyre me të, arsyeja pse ata refuzuan këto dekorime. Jakup Krasniqi, Veton Surroi me Kohën Ditore, Radio Kosova e Lirë, Rexhep Selimi, Hydajet Hyseni, e bashkëshortja e Agim Zatriqit, ishin disa prej atyre që i kthyen mbrapsht dekoratat, pasi nuk e konsideruan Thaçin të denjë as edhe për t’i nderuar.
Personalitete që nuk e nderojnë Hashim Thaçin si President të Kosovës, nuk pranojnë madje as të nderohen nga ai.
Për nder të 10 vjetorit të shtetësisë, Presidenti Thaçi kishte zgjedhur qindra personalitete që i konsideron si kontribuues në lirinë e vendit përmes veprimtarive të tyre në periudha të caktuara, të rëndësishme për Kosovën ndër vite. Por, jo të gjithë mirëpritën dekorimin nga Presidenti.
I pari që refuzoi një dekoratë të tillë ishte ish-zëdhënësi i UÇK’së, Jakup Krasniqi, bashkëpunëtor i ngushtë i Thaçit gjatë luftës dhe pas saj.
“Hashimi nuk e ka asnjë kriter të vetëm në dhënien e Mirënjohjeve dhe të Dekoratave. Thjesht, ai po bënë pazare politike me mirënjohje e dekorata”, ka shkruar Krasniqi në Facebook, ku tregoi arsyet pse e refuzon dekoratën.
Ai po ashtu tha se nuk mund të pranonte të nderohej nga dikush që e kishte fyer, ndërsa potencon që i vjen keq që po e refuzon një institucion shtetëror.
“Refuzoj te dekorohem nga Hashimi, i cili personalisht me ka fyer, dhe jo vetëm në aferën Pronto”, shkroi Krasniqi.
Publicisti Veton Surroi po ashtu ka refuzuar të dekorohet nga Hashim Thaçi, i cili, sipas tij, është një person i pandershëm që i ka bërë dëm vendit.
“I pandershmi nuk mund të me nderojë. As mua, e aq me pak këtë vend”, tha Surroi në arsyetimin e tij për refuzimin e dekoratës.
“Konsideroj se Hashim Thaçi është përgjegjësi kryesor për kapjen e shtetit, izolimin e tij, vjedhjen e tij, varfërimin e tij material, mendor e shpirtëror, zbrazjen e tij prej një të dhjetës së popullatës për dhjetë vjet pavarësie, humbjen e konsensusit politik e perspektivës së të rinjve brenda tij… Me përjashtim të okupatorëve, nuk ka pasur njeri që i ka bërë kaq dëm vendi”, ishte përgjigjja e publicistit ndaj dy dekoratave që Thaçi kishte përgatitur për të.
Bashkë me Surroin, s’kishte se si të mos e refuzonte dekoratën edhe gazeta “Koha Ditore”, që hynte në listën e mediave që Thaçi kishte zgjedhur për të dekoruar.
Për pjesëmarrje në Konferencën e Rambujesë, ishte përzgjedhur për t’i dhënë Dekoratë presidenciale edhe Rexhep Qosja, i cili dikur ka pasur raporte të shkëlqyera me Thaçin, qeveria e të cilët në vitin 2010 kishte ndarë 200 mijë euro për botimin e veprës së akademikut.
Qosja kishte radhitur disa prej arsyeve pse refuzon të marrë ‘dekoratën e parë dhe të fundit që i jepet prej këtij regjimi’.
“E refuzoj sepse është çmimi i dhënë prej një regjimi, i cili me politikën e brendshme dhe me politikën e jashtme i ka sjellë dhe po i sjell shumë dëme dhe komprometime shtetit të Kosovës sot”, ka shkruar Qosja në Facebook.
Njëri nga pjesëtarët e Shtabit të Përgjithshëm, deputeti i Vetëvendosjes Rexhep Selimi, po ashtu ka kthyer mbrapsht dekoratën për të cilën është njoftuar prej mediave. Thotë se Hashim Thaçi është aryseja e refuzimit.
“Unë REFUZOJ të pranojë dekoratë nga një person si Thaçi. Dekorata e dhënë prej tij nuk më bën nder as mua e as ndonjë luftëtari të UÇK-së. Refuzoj të pranojë dekoratë nga ai i cili shet tokë të Kosovës sot ashtu sic deri më tani i shiti idealet e luftës se UÇK-së”, ka shkruar Selimi në FB.
Dekoratën e ka refuzuar edhe Hydajet Hyseni, që dikur ishte bashkëpunëtor i Presidentit Thaçi, ndërsa tani është pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje.
Burbuqe Namani–Zatriqi, gruaja e ish-drejtorit të RTK-së, Agim Zatriqi, ka thënë se është njoftuar në media se bashkëshorti i saj i ndjerë është në listën e të përzgjedhurve nga presidenti për ta dekoruar me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë.
“Nga mediet kam mësuar se me rastin e dhjetëvjetorit të pavarësisë së Kosovës, Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës ka ndarë një dekoratë për bashkëshortin tim të ndjerë”, ka shkruar në Facebook zonja Namani-Zatriqi, duket theksuar se, për arsye parimore, megjithatë, nuk do ta pranojë këtë dekoratë.
Pos Kohës Ditore, edhe Radio Kosova e Lirë bën pjesë në grupin e medieve që refuzuan të dekoroheshin nga Presidenti Thaçi për veprimtarinë e tyre. /Express/
Komentet