VOAL

VOAL

NDERIM 10 VJETORIT TË PAVARËSISË SË KOSOVËS – Nga MSc. Albert HABAZAJ

February 17, 2018

Komentet

Nëna vushtrriase- Nga ARIF EJUPI

 

Edhe pse bishat e ushunjëzat
ua vranë të vetmin djalë
dhe ju dëbuan nga shtëpitë,
edhe në llogore e tenda,
me njëra-tjetrën u solidarizuat.

Nëna vushtrriase,
perëndesha të diellit e të qiellit,
të përvuajtura e me shumë halle,
ndonëse të moshuara
e me zemra të lënduara,
me besë e qëndresë,
ata që deshën ta fshehin krimin,
i nxorët lakuriq para botës,
si mizorë e gjakësorë.

Nëna vushtrriase, me stoicizëm
të pashembullt i përballuat stuhitë shovene,
që ndër shekuj u sulën mbi ju.
Sot, të rinjtë rriten nga rrënjët tuaja,
dhe me vrullin për t’u ngjitur
në majat e Korabit.

Nëna vushtrriase,
perëndesha të diellit
dhe të qiellit arbëror!

ARIF EJUPI
Gjenevë, 19 maj 2026

Në zemër të kryeqytetit europian, Brukselit, në Rue Washington 17, në vitet 1900-1908, jetoi Ismail Qemal Vlora Nga Dr. Evarist Beqiri

Në zemër të kryeqytetit europian, Brukselit, në Rue Washington 17, vetëm pak hapa nga Avenue Louise, ndodhet një prej adresave më domethënëse të historisë sonë kombëtare. Pikërisht këtu, në këtë rrugë me emër të madh, në vitet 1900-1908, jetoi Ismail Qemal Vlora, njeriu që do të udhëhiqte më pas shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.

🏰 Në këtë godinë, larg atdheut, ai zhvilloi një aktivitet të jashtëzakonshëm politik e diplomatik për çështjen shqiptare. Brukseli u bë porti i tij i ankorimit, por mendja dhe zemra e tij mbetën gjithmonë te Shqipëria.

Sot, kjo ndërtesë qëndron si një dëshmi krenare e historisë së fshehur. Ajo lidh zemrën e Brukselit drejtpërdrejt me lindjen e shtetit shqiptar.

Poeti dhe publicisti i njohur belg Roland de Marès e përshkruante Ismail Qemalin, në një shkrim për “Le Matin” më 1909, si: “një politikan të klasit të parë”, “një administrator të shquar”, “një njeri me parime”, dhe mbi të gjitha një luftëtar liberal që nuk reshti kurrë së besuari tek triumfi i lirisë.

Roland de Marès shkruante se: “Ai është një tip kurioz, me një inteligjencë jashtëzakonisht të gjallë. Pavarësisht flokëve dhe mjekrës së tij të bardhë, fytyra e tij ka ruajtur një shprehje të bukur rinore. Brukseli ishte, si të thuash, porti i tij i ankorimit, por ai ishte kudo, në Paris, Londër, Berlin. Ndonjëherë zhdukej për një javë, pastaj një mbrëmje shfaqej papritur në shtëpinë time dhe për orë të tëra më tregonte për shpresat e tij për një triumf të afërt. Ai ishte në kontakt me të gjithë ata që kishin një emër në politikën ndërkombëtare. Ai korrespondonte miqësisht me ministra dhe ish-ministra, gjithmonë me një aktivitet disi të ethshëm, duke e mbushur ekspozimin e ideve të tij me anekdota të këndshme rreth burrave të kohës së tij. Ai shpjegonte me një saktësi të habitshme anën e fshehtë, ndonjëherë zbavitëse të ngjarjeve më serioze politike.”

Dhe më tej: “Kauza liberale është në duar të mira nëse i besohet udhëheqjes së Ismail Qemal Beut.”

Nga kjo adresë në Bruksel, që si për ironi të fatit mban emrin e Presidentit të parë të Shteteve të Bashkuara Xhorxh Washington, u hodhën themelet diplomatike dhe politike të shtetit shqiptar. Këto mure kanë dëgjuar biseda për fatin e kombit, strategji politike dhe ëndrrën e madhe të Shqipërisë së lirë.

🇦🇱 Brukseli ruan ende gjurmët e Atit Themelues të Shqipërisë. Ndërkohë, ne nuk duhet që të harrojmë asnjëherë se, historia nuk është thjesht kujtesë. Historia është përgjegjësi. Historia është trashëgimi.

 

JEHONA E NJË KRISME (Baladë epiko-historike kushtuar Ragip Hotit)- Nga ARIF EJUPI

 

Ragip Hoti — shtathedhur, syshkabë,
flokëverdhë e azgan.
Kur pushtuesit në rrugët e Llapit
ngritën postblloqe e murana
dhe nisën në tokën tonë
me na mbërthyer me pranga,
pati thënë:

“Mos më quani burrë, por qyqar e të mjerë,
nëse lejoj zgjebanikët e Serbisë
turpshëm nga shtëpia me më nxjerr.”

Më 18 maj 1991 —
e shtunë, ditë tregu në Podujevë.
Ragipi, me të atin Muharremin
dhe kushërinj,
derisa po hipnin në minibus,
mbërrin një hordhi dushmanësh
të armatosur deri në dhëmbë.

Zbresin pasagjerët prej minibusi —
fyerje, shkelma, grushte mbi ta.
Muharremin e urdhërojnë
të kthehet në shtëpi.

Në Ragipin nisin dorë me çua,
por prerazi u thotë:

“Kujdes me mua!”

Shpejt nxjerr nga brezi
armën Beretta 92 —
pesëmbëdhjetë plumba
nën parzmore ia numëron
një gjakësori recidivist,
që Kosovën në ferr donte me kthye.

Kolegët e tij — shtogje pa zemër —
i kap lemeria
kur shohin logun me gjak.
Me megafona kërkojnë shpëtim.

Në ndihmë u vjen helikopteri
me policë e ushtarë,
që breshëri plumbash shtinë
mbi këtë burrë vigan,
që ra për të mos vdekur kurrë —
në fshatin Peran.

Aferim të qoftë, Ragip trimi,
që kriminelëve serbë u dhe plumb në ballë,
që donin me na caktua orar
kur në shtëpi me qëndrua
e kur në treg me dalë.

ARIF EJUPI
Gjenevë, 20 shkurt 2026

 

REKUIEM (Kushtuar poetit Fatmir Halimi dhe veprimtarit Gazmend Islami)- Nga ARIF EJUPI

 

Kur vdes poeti,
përveç njerëzve loton edhe qielli.
Dielli nga dhimbja nuk shfaqet në horizont,
por toka e pranon krahëhapur në gjirin e saj,
sepse sa ishte gjallë e mbrojti
dhe i këndoi.

Poetin besnik e fisnik
rëndë e lëndoi vdekja e papritur e nipit,
që e deshi aq sa veten.

Në kortezhin kilometrik, përmes lotësh,
poeti tha:

“Gazmend,
që bukën dhe lodrat i ndanim bashkë,
së shpejti do të jem te ti.”

S’jetohet zemërthyer.
As me numërimin e rrugëve
që i kaluam me dhembje
në dimrat e egër e me acar.

As me shikimin ngrirë
në aeroporte e magjistrale.
As me lotët akull
në çdo ndarje.”

Betimin sikur Perëndia e dëgjoi
në lëndinën pranë lisave shekullorë:
pas njëzet e tetë ditësh dajë e nip i bashkoi.

Këta dy burra —
njëri poet, tjetri veprimtar —
që gjithmonë punuan të heshtur dhe pandarë,
Llapi e Kosova do t’i kujtojnë
si dy margaritarë.

ARIF EJUPI

Profesor Bardhyl Çaushi (15.08.1936-10.05.1999), heroi i Kosovës Nga Gjon Krasniqi

Aktet vetëflijuese janë ngjarje madhore në historinë tonë kombëtare, aq më tepër në kohë moderne, kur mendohet se legjendat i përkasin të kaluarës dhe shërbejnë vetëm për arkivin e kujtesës dhe historisë. Një legjendë tipike shqiptare bashkëkohore e qendresës dhe martirizimit mishërohet në figurën e heroit të luftës së fundit të Kosovës, profesor Bardhyl Çaushit, që pa droje mund ta quajmë një profet i lirisë, ardhur nga bota akademike universitare. Ai mbetet ndër shpëtimtarët e shumëpritur për nesh, udhërrëfyesi e frymëzuesi fisnik i drejtësisë, lirisë e pavarësisë sonë të ëndërruar në shekuj.

Profesor Bardhyl Çaushi lindi më 15 gusht 1936, në fshatin Cermjan të Gjakovës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa atë të mesme në Prishtinë. Diplomohet në Fakultetin Juridik të Shkupit, ndërsa studimet pasuniversitare i ndoqi në Zagreb të Kroacisë, ku mbrojti doktoraturën. Në vitin 1969 nisi punën në Gjakovë si këshilltar gjyqësor, ku pas një përvoje juridike dhe në Pejë, rikthehet në Gjakovë si kryetar i Gjykatës Komunale. Në fillim të vitit ’90 profesor Bardhyl Çaushi zgjidhet kryetari i parë i Shoqatës së Juristëve të Kosovës. Ai ishte njëherësh i përfshirë në lëvizjen për faljen e gjaqeve. Etika, morali dhe atdhedashuria e tij u dëshmuan me vepra. Në bashkëpunim me liderin ndërmjetësues të faljes së gjaqeve, prof. Anton Çetën, studentë e miq intelektualë, si Don Lush Gjergji, Mulla Xhevat Kryeziu, prof. Zekeria Cana, shkrimtarin Ramiz Kelmendi e shumë të tjerë, ndihmoi në shërimin e plagës shekullore të gjakmarrjes dhe faljen e gjaqeve midis shqiptarëve në Dukagjin dhe mbarë Kosovën.

Veprimtaria e elitës kombëtare në këtë rrafsh binte ndesh me synimet e politikës serbe, që mundohej me çdo kusht të nxiste urrejtje e përçarje të natyrave të ndryshme, me të gjitha mënyrat e mjetet, vetëm e vetëm për të na sunduar ne si shqiptarë dhe për të na lënë nën sundimin serb. Ata që e kanë njohur profesor Çaushin e kujtojnë si një personalitet me tipare të larta atdhetare, jurist i njohur dhe dijetar i spikatur i fushës së drejtësisë, pedagog i Fakultetit Juridik të Prishtinës etj. Ai rreshtohet me elitën e jurisprudencës së Kosovës, profesorë të shquar si Gazmend Zajmi, Zejnullah Gruda, Rifat Osmani, Esat Stavileci, Ejup Statovci etj. Kishte njohuri të gjithanshme dhe artikulonte në mënyrën më të mirë në auditoret universitare për edukimin e brezave të shumtë studentorë. Pas peripecive të shumta që kishte pasur në proceset e emancipimit nacional, juridik dhe politik të Kosovës, ishte një ndër figurat më karizmatike të saj.

Rrëfimin historik e jetësor të profesor Bardhylit lirshëm mund ta përqasim me personazhet biblike të profetëve, pasi sakrifica e tij i tejkalon tregimet e vjetra mbi urtinë, trimërinë, qëndresën dhe vetëflijimin. Ai, në historinë tonë të re, në ndërgjegjen liridashëse shqiptare, është ngulitur si një kult që simbolizon shqiptarinë dhe ringritjet ciklike shqiptare, pas rënieve të shumta. Përmes sakrificës sublime për t‘i shërbyer vendit dhe popullit të tij, iu përgjigj kushtrimit për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në kundërvënie të ushtrisë famkeqe të kryekriminelit Milosheviç. Profesor Bardhyli vinte në betejën çlirimtare pas një përvoje të gjatë studimore e hulumtuese në fushën e drejtësisë. Në veçanti nxirrte mesazhe nga e drejta romake, titullar i së cilës ishte në Fakultet etj. Si një analist i thellë në lamiet e mendimit juridik, ai u përfaqësua me plot artikuj studimorë, si mbi të drejtën e parablerjes, mbështetur në traditën zakonore shqiptare, kontratën e dorëzanisë, huasë etj. Besën dhe fjalën e dhënë ai i shihte si vazhdimësi të traditave iliro-dardano shqiptare.
Si shumë të tjerë, edhe unë si mik i tij, pata nderin që ta njoh mirë prof. Bardhyl Çaushin në kohët më të vështira të okupimit serb të viteve ’80 e ’90. Ai asnjëherë nuk e ndali hovin dhe përkushtimin e tij për atdheun dhe lirinë e Kosovës, prandaj edhe thoshte: “Të flijohesh për atdheun e vendin tënd është hyjnore e profetike”. Me zërin e tij të matur dhe qortues për padrejtësitë që ndodhnin me shqiptarët, me fjalën përmbajtësore, argumentuese dhe bindëse, në kërkim të rrugës së drejtë të çlirimit të popullit të tij, Bardhyl Çaushi u përfshi edhe në politikën kosovare, në Lidhjen Demokratike të Kosovës, si bashkëpuntor i ngushtë i presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, ku ushtronte detyrën e kryetarit të LDK-së në degën e Gjakovës.

Ishte janari i vitit 1999, muaj i ftoftë që nuk mbahej mend, por ishte shpresa e lirisë, vullneti dhe vendosmëria për ta mbërrituir atë një orë e më parë, që na bënte të mos e përfillnim as motin. Ky fat i mirë më ka ndjekur edhe mua, falë dhe njohjes me Afrim Batallin, i cili kishte një rreth shumë të gjerë miqsh nga të gjitha fushat: shkencore, kulturore dhe të botës politike e ekonomike. Të premten e 22 janarit 1999 shkuam në zyrat e firmës “Çabrati” në Gjakovë‚ ku Faton Palloshka ishte drejtor i kompanisë. Në ato rrethana, krejtësisht të pafavorshme për sigurinë tonë fizike, kishim lënë takim një grup veprimraësh: afaristi Afrim Batalli, prof. Bardhyl Çaushi, juristi Qazim Axhemi, ish- zyrtar i Kuvendit të Gjakovës dhe unë, autori i këtyre radhëve, që vija nga një zonë mjaft e rrezikshme e Luftës, siç ishte Nepolja e Lugut të Baranit, duke marrë parasyshë se bijtë e saj ishin të angazhuar në UÇK, ku dhuna serbe po shtohej gjithnjë e më shumë në atë zonë të Dukagjinit. Ishin kohëra tejet të vështira për tu takuar, sepse si sot e mbaj mend imazhin e qytetit të Gjakoves, i cili i ngjante një qyteti fantazmë pa asnjë lëvizje nëpër rrugë. Një qytet i vdekur, me njerëz të gjallë brenda.Të krijohej imazhi se në qytet kishte rënë mortaja dhe se njerëzit ishin bërë të huaj për qytetin e tyre. Kudo kishte lëvizje të makinërisë ushtarake serbe dhe qytetarët ndjeheshin në ankth në çdo moment. Rrallë shihje ndonjë automjet transportues publik dhe numri i dyqaneve të hapura numërohej me gishta. Çarshia e Madhe kishte ndaluar ritmin e jetës dhe muret e tyre sikur vajtonin për jetën e gjallërinë e dikurshme.

Ne ishim mbledhur të diskutonim mes nesh me dëshirën për të kontribuar dhe ndryshuar atë realitet lufte e për ta kthyer në favorin tonë. Biseda sillej dhje rreth mundësisë së intervenimit aleancës euro-atlantike në Kosovë, pasi rrethanat gjeopolitike ishin në favor të shqiptarëve. Afrim Batalli shprehu besimin që NATO do të ndërhynte për me e çlirua Kosovën, përndryshe askush nuk mund ta ndalë barbarinë serbe. Fjala shkonte sa te njëri te tjetri. E sigurtë është që liria do të vijë kësaj here, tha profesor Bardhyl Çaushi, duke argumentuar se Reçaku do bëhet kauzë e lirisë sonë dhe e zhveshjes së maskës serbe në botë. Fshehja e krimeve nga ana e tyre, që e bëjnë këtë gjë tash një shekull, nuk do iu pi ujë më në opinionin botëror, sepse bota demokratike me SHBA në krye e ka kuptuar se ka ardhur koha që të marrin fund padrejtësitë ndaj shqiptarëve. Ne si shqiptarë kemi përparuar në mendësi e diplomaci, por më së shumti do të na mbrojë e drejta jonë dhe gjaku i derdhur në shekuj. Shqiptari nuk është më skllav i të huajit, por farkëtar i fatit të tij, sepse tani libri e pushka janë bërë një. Edhe Evropa diplomatike e dikur e mureve të ftohta ka filluar ta kuptojë realitetin tonë historik dhe po i qendron në krah krijuesit e ruajtësit të paqes në botë SHBA – së. Mendoj se koha e shqiptarëve ka ardhur dhe se mbi atë pirg të vuajtjeve shekullore milleniumi i ri do na gjejë prapë në tryezën e kombeve të lira…

Ky ishte diskursi ligjërimor atdhetar i profesorit të mirënjohur, i cili na la edhe një fjalë testament brezash, sepse edhe ai kishte dilemat e tij: “Më mirë është me vdekë duke shpresuar tanë jetën në liri, sesa të zhgënjehesh nga liria e vetja e jote”. Ishte një dialog mes miqsh, që nga dhimbja për vendin e kombin debatonim për këso lloj temash ekzistenciale, sikur ta kishim ne fatin e lirisë në duart tona. Në fakt flisnin zemrat dhe zëri i gjyshërve tanë të vuajtur. Profesor Bardhyli vijoi me ligjërimin e tij të thekshëm: Amerika është panteoni i lirisë në botë dhe goditja e saj është e rrufeshme, por ajo e ka mat shtatë herë e pre njëherë. Ajo e ka njeriun e vet këtu ambasadorin Wiliam Wokër dhe fjalët e tij plot pikëllim mos mendo se nuk kanë shkuar në veshët e atyre që e kanë dërguar. Kosova do të vuajë, por do të bëhet shkak i lirisë së Ballkanit.

Atë pranverë lufta ishte në kulmin e saj. Militarët dhe paramilitarët serbë u futën në lagjen Çabrat të Gjakovës, ku ishte dhe shtëpia e profesor Bardhyl Çaushit, i vunë flakën lagjes dhe ai mbeti i vrarë më 10 maj 1999. Profesori ra heroikisht nga dora gjakatare serbo çetnike, pati përpjekje që ngjarja e rëndë të fshihej e humbej pa gjurmë, por falë trysnisë së faktorit ndërkombëtar Serbia u detyrua që të zbardhë rastin dhe të identifikojë kufomën e profesor Bardhylit, ku pas gjashtë vitesh, në 2005-ën, u soll dhe u varros me nderim për t‘u prehur në varrezat e dëshmorëve të atdheut në qytetin e Gjakovës.

Heronjtë e Kosovës martire do të kujtohen nga të gjitha breznitë, duke u përulur me respekt të madh para veprës së tyre. Profesor Bardhyl Çaushi është dekoruar me “Medaljen e Artë të Pavarësisë”, me “Medaljen e Artë Mësues i merituar” dhe me “Medaljen e Artë Presidenciale të Meritave”, ku edhe njëra nga rrugët kryesore të qytetit të Gjakovës është pagëzuar me emrin e tij, me të cilin ne do ta kujtojmë për jetë e mot, me mendje e zemër, si një personalitet i kauzës kombëtare të lirisë dhe pavarësisë.

Vepra heroike e misionare e martirëve të Kosovës duhet të na shërbejë për të punuar më shumë e më mirë për integrimin europian, ndërtimin dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës, duke pasur në krye figura atdhetare dhe njerëz idealistë, për të cilët janë të papranueshëm krimi, korrupsioni, hajnia e nepotizmi.

 

EJUP SHALA, I PAVDEKSHMI I KËSAJ TOKE- Nga ARIF EJUPI

 

Rrënjë e trung nga Shala e Bajgorës,
nga gjak i Ukshin Kovaçicës,
lindur në Vendenis,
gëzim për familje
dhe farefis.

I pashëm e syçelë,
si kopshtet mbjellë me lule
në pranverë.

Edhe pse në vuajtje e varfëri,
në shkollë shkoje
me gëzim e dashuri.

Ishe i qetë e bujar;
çdo punë e nisje
dhe e përfundoje mbarë.

Kuptoje lojën e shakanë,
urreje smirën
dhe xhelozinë;
e kishe halë në sy
tradhtinë.

Me elan rinor
fillove gjimnazin;
ishe ndër nxënësit më të mirë.

Sukseset e tua
gëzonin shokë e miq,
por papritmas të shënjestroi
serbi me bindje çetnike,
Mile Paunoviq.

Duke parë se haptas urreje
pushtuesit serbo-sllavë,
të humbi vitin
në lëndën e muzikës.

Mendoi
se për jetë e mot
do të mbeteshe bari
e pa ardhmëri.

Por ti kishe në deje
gjak dardan,
me vullnet të çeliktë
për dije e dritë.

Nuk u dekurajove — prapë u ngjite
mbi Olimp.

Sukseset e tua
këtij shpirtprishuri
iu kthyen në thikë.

Ligjëroje gjuhën e ëmbël
të Naimit e Fishtës
në Vendenis e në Besianë.

Me dashuri e zemër
shpjegoje historinë e gjuhës;
analizoje me përkushtim e pasion
morfologjinë e sintaksën,
me literaturën që siguroje
në Tiranë, të cilën e quaje nënë.

Ishe besnik, i hareshëm
e orator;
orët e mësimit
i shndërroje
në ushqim shpirtëror
dhe goditje ndaj armikut.

Poezinë kishe prirje;
me afsh e zjarr
i thurje vargje me fije floriri
Atdheut,
mësuesit,
punëtorit,
bujkut
dhe minatorit.

Dy engjëllushet e tua
i pagëzove me emra të bukur
pellazgo-ilirë:
Albadete
dhe
Shqiprojë,
nga dashuria për gjuhën
e ëmbël shqipe
dhe për tokën e shenjtë.

Më 5 maj 1999,
duke mbrojtur pragun e shtëpisë,
të masakruan
bandat kriminale të Serbisë.

Nga gjaku yt,
përsëri në këmbët e veta
u ngrit Kosova.

Ejup Shala — thesar i Arkës së Kombit,
i pavdekshmi i kësaj toke.

 

Arif Ejupi
Gjenevë, 6 mars 2026

A G I M I (1963-1999)- Nga Meti REXHEPI

 

                                            

Lirinë edhe kur nuk e shihte i vizatonte shtrirjet konturve

i qasej si një të dashure të mbërthyer

në mes ferrash të gjalla prangash zinxhirësh ecejakesh e sy gacash

asaj ia hapte një shteg në fletën më të bardhën të zemrës

doemos nëse fleta e bardhë nuk joshte ndjesi

hapi arterien e kuqe të ngjyente penën dhe brushën

 

atëbotë të trishtë të censurës veshi veshit syri syrit

ia thurnin mitin përbindëshit

Agimi si agim desh i sheshonte ëndrrat e ngjyrosura kuqezi

fusha kishte sy mali veshë

lëvronte të mbillte mëtime me shkrola ngastrës së Tij hullive

shpalimi i fletës tek akëcili zgjonte kob dhe stuhi

 

Ai donte t`i hidhte hapat ngastrave të gjyshërve

andej këndej tela gjemborë akull kallnori përcëllimë gushti trupit

këmbët i shtrinte tej Shtratit të Prokrustit

liria nuk kishte vetëm ngjyrë të bardhë

ashtu si shtjellohej në tabelën e zezë

nën portretin “paqësor” të Perandorit

s`kishte si të shkruhej ndryshe mbi të zezën

pos me shkumësin e bardhë

 

ishte soj lirie që ndërsente hienat e tërbimit që lehnin agimit

e bardha dritë nxirosej sterrë prej kafshimit

idileve të përrallës mbrehej tehu i sëpatës në pragun e nënkresën e fqinjit

për prerje qafësh bukurisë i vihej në cung hijeshia

lë të mbahet e lidhur nën një shije e ngjyrë

në klasë krejt ngatërrueshëm trajtësohej nyja dhe evoluimi

si mund të fluturonte në kaltërsi një shqiponjë

dhe veçse e bardhë dhe vetëm ajo me emblemë ortodoksizmi

 

në një simbol valonin drapër e çekan

bashkë me kallinj korrte dhe jetët drapri

e i thyente me çekan kafkat Sllavku

buzëqeshjes gjysmë hapur e gjysmë fshehur të Diktatorit

tej për tej dritëhijeve i përshkuan shigjetat atë cinizëm të kulluar

dhe Agimit pa rastësinë si mbret i botës nga fjalori djaloshar

i zhubrosur

në Mal Koshare i shpalohej Sinonimi

shkrolat e fshehura në fleta po i merrnin trajta plumbash e predhash

 

çfarë alkimie përtej një Akademie

ëndrrat e shprushura po ktheheshin në zjarr tytash

përderisa buzë-brymtat ia puthnin dremitjen në prita

e nuk i trembej predhave të verbërimit

 

tashmë agimi po e hedh prarimin e prillit

mbi legjendën e bronztë të Sinonimit

 

 

 

Gjilan, prill 2025

 

 

NDAHET NGA JETA SHKRIMTARI I HUMORIT HYSKË BOROBOJKA- Nga Kozma Gjini

 

I mbylli sytë një herë e përgjithmonë për të shkuar në atë botë tek të shumtët, miku, gazetari e shkrimtari që i përket ajkës së humoristëve të Shqipërisë, Hyskë Borobojka ( Gaqo Veshi ne moshen 90 vjecare). I prekur thellë për lamtumirën e tij, në nxitim e sipër për të lënë të shkruar dicka për Gaqon e paharruar, po nis për lexuesit e “Nacional” bisedën e fundit që zhvillova me Gaqon, mes tyre, me disa të pathëna e të pabotuara.

I njohur më së shumti me pseudonimin “Hyskë Borobojka”, Gaqoja ka lënë një arsenal të pasur shkrimesh dhe librash, të cilat i kemi bërë publike edhe në rastet e përvjetorëve të tij.Pas studimeve në gjimnazin “Asim Zeneli”, në Gjirokasër, shok i ngushtë me Dritero Agollin e mjaft të tjerë, ai do të bëhej i njohur e i famshëm, sidomos me korrespondencat në formën e letërkëmbimeve, me të madhin e letrave shqipe, z. Dritero Agolli=(Bamkë Comanga). Heshta e humorit të tij gjuante fodullët, të paaftët, falsifikatorët, matrapazët, tarafxhinjtë, hajdutët, shpërdoruesit e pronës, pijanecët e detyrës, qylaxhinjtë, marifetxhinjtë e hakmarrësit, “profesorët” e “shkencëtarët” e diplomave false e deri te kuadrot e dikastereve qendrore.

Ishte kjo e fundit, kritika që ishte gati ta kryqëzonte gazetarin që bënte detyrën shtetërore, pa kurrfarë kompromisi me parimet, sic shkruan Engjell Musai e të tjerë… Kujtojmë këtu rastin që ish-kryeministri, Mehmet Shehu e mori direct të telefon për një kritikë që Hyskë Borobojka bënte për disa abuzime në administratën e një rrethi…

Ai i ngjiti me guxim të rrallë, por me sukses shkallët e bukura e të vështira të humorit e të satirës. Mjafton t’i hedhim një vështrim, sado të përciptë, në krijimtarinë e tij, do të  vëmë re tre periudha. E para, është ajo e fshatit të lindjes, Lavdarit e krahinës së Oparit dhe e shkollës së mesme të Gjirokastrës. Periudha e dytë i përket ushtrimit të profesionit të mësuesit dhe e treta, tashmë një firmë e njohur në fushën e humorit e të satirës, si redaktor në revistën prestigjioze “HOSTENI”, ku edhe vet kam qënë një nga korrespondentët pranë saj. Hyskë Borobojka shquhej për humorin e hollë, plot mjeshtëri artistike, me alegori, ironi, metaforë, me gjuhën e Ezopit, bënte humor e “ther” me sarkazmën e tij dukuritë negative të shtetit dhe shoqërisë së dy kohëve.Kam qënë me fat që të përmbyllja me Hyskë Borobojkën edhe letërkëmbimet e mia në gjininë e humorit, dhe ku ai më drejtohej mua në gjashtë nga tregimet fundit të jetëshkrimit të cilat i ka botuar në shtypin e sotëm. Duke e kujtuar, me rastin e largimit nga kjo jetë, para disa ditësh,  në moshën 96 vjecare, po paraqesim në vijim, intervistën e fundit që kam zhvilluar me mikun e paharruar, Hyskë Borobojka. Lypset të shënoj këtu se Gaqoja e ka patur plagë në zemër ikjen e Dritero Agollit, prandaj dëshironte që të dilte në pah shoqëria dhe vlerat e Agollit, duke iu shmangur vetes:

-Si e kujtoni mikun dhe shokun e shkollës dhe të jetës shkrimarin Dritero Agolli?A të mungon Driteroi? Si e përjetove largimin e tij?

-Hyskë Borobojka: Është një plagë që mbetet e hapur e nuk shërohet kollaj. Ne kemi pasur një miqësi që vazhdoi për 68 vjet, derisa Driteroi mbylli sytë përgjithmonë…Driteroi ma bëri me “të pabesë”, ( i merret zëri e pas një pause, nxjerr shaminë të fshij lotin), sepse ai shkoi para meje, ndërkohë që radhën e kisha unë, pasi jam një vit më i madh se ai. Me Driteronë unë jam njohur fare rastësisht.Ishim në agjensinë e automjeteve të Korcës. Ka qënë viti i parë i gjimnazit. Prisnim të shkonim në konvikt, në shkollën “ Asim Zeneli”, Gjirokastër. Në muhabet e sipër ai më pyeti: “A shkruan ti?” Dhe më tregoi një vjershë të tijën. Vjersha ishte kështu:

Ky gjoksi sulmueses,

sa bukur qendisur,

Me tre-katër “S” ra,

bukur ish stolisur.

Këtë e kishte botuar në gazetën “Zëi i Rinisë”. Të nesërmen më solli një tjetër vjershë.

Prej Tirane gjer në det

Puna kazma po bucet

….Jetë e re e lumturisë

Në aksionin e rinisë

….

Pastaj më pyeti mua:

-Po ti a shkruan?

Ju përgjigja me gjasme;

-Po i thashë.- Unë shkruaj romane, (me shaka, por serioz, unë). Ndërkohë kisha lexuar romanin “Bija e mallkuar” të cilin e mbaja mend përmendësh se e kisha lexuar disa herë. Dhe c’bëja? Emrat francezë, i bëja emra shqiptarë dhe i tregoja episode nga romani. Atij i pëlqeu dhe më tha:

-Po ti shkruaka mirë…

Një miku i tij nga fshati, student si edhe ne, një djal i gjatë…hipi në ballkonin e agjensisë, se ishte me dy kate agjensia  dhe recitoi një vjershë humoristike:

….rrugët tundet qyteti

Varavinga gjithë mileti

C’është kjo batërdi,

Këtu poshtë në agjensi…

…vazhdonte vjersha dhe mbyllej se drejtori duhej të përgjigjej, t’u jepte xhevap pasagjerëve për korrupsionin që bëhej me shitjen e biletave sipas njohjes së njerëzve.…

Doli drejtori i agjensisë dhe tha që vjershën e ka bërë ai tjetri dhe drejtoi gishtin te Driteroi. Ái e ka bërë vjershën, tha drejtori. Vjersha vazhdonte dhe kritikonte drejtorin që të dilte drejtori dhe të jepte xhevap. Por ajo vjershë neve na bëri goxha punë, sepse drejtori u vu në sedër dhe dha urdhër : Jepu bileta atyre studentëve. Kështu filloi njohja jonë dhe vazhdoi gjatë gjithë shkollës. Pastaj ndenjëm 4 vjet në konvikt bashkë me Driteroin. Shoqërinë e mbajtëm gjatë shkollës dhe gjithë jetën. Ai pas mbarimit të shkollës së mesme shkoi për studime në ….ish-Bashkimin Sovjetik. Më vonë ai erdhi redaktor në gazetën “Zëri i popullit”, kurse unë vazhdonja mësues në Skrapar pastaj në Korcë. Me të kishim relata shumë të mira. Shkëmbenim letra kur ai ishte në B. Sovjetik.

Në vitin 1969 Driteroi botoi një shkrim në gazetën “DRITA”. Ajo letër  qe letërkëmbim, që më drejtohej mua.Unë pastaj ju përgjigja. Shkëmbyem dhe shumë letërkëmbime të jera nëpër gazetat e kohës, kryesisht te “HOSTENI” dhe pastaj botuam librin. E ka botuar bukur vajza e Dritero Agollit, Elona. Ja vuri titullin librit me korrespondencat tona : “Tre qeshin, një inatoset”. Janë letra të shkruara nga Driteroi dhe përgjigjet nga unë, ose anasjelltas. Megjithatë, në romanin humoristik të Driteroit, “Arka  Djallit”,  një nga personazhet kryesorë jam unë, Hyskë Borobojka.Më drejtohet drejtpërdrejt. Aty tregonte dhe historinë e “Revolucionit të preshit”.Pra ai i ka përjetësuar bëmat tona të rinisë.Edhe kur ai qe i sëmurë, kur shikonte që unë botoja të “Nacionali” apo te “Telegrafi” a gazetë tjetër, Driteroi do më merrte në telefon dhe do më uronte e ke bërë mirë atë shkrimin …apo duhet dhe kjo apo ajo etj.Sidomos për një vjershë dashurie timen të botuar atij i kishte pëlqyer shumë dhe nuk e fshehu simpatinë.Dhe ma recitoi vjershën sic e kisha shkruar:

Sa me qejf e me dëshirë,

Pata një vajzë ngjalë,

Mbi bar e mbajta shtrirë,

E zhvishja me ngadalë.

Kur e heq fustan e hollë,

Trupi saj një mrekulli,

Belkëputur si mënjollë,

E lindur për dashuri

Yjtë e natës pranverore,

Kopshti bukur mijëra ngjyra

Hënë e plotë madhështore,

Kaq stoli i kish fytyra.

Buzët e saj lëng qershije

Sa shumë më gëzojnë,

Më pushton me afsh rinie,

Sipër yjtë na vështrojnë

Fshehur hëna prapa pyllit,

Obobo se c’na zbuloi

Por ma bën me bisht të syrit:

-Të betohem që s’tregoj!

Dmth, deri kohët e fundit ne komunikonim bashkë. Bile, kaq miqësi kishim, saqë kur vdiq e ëma e tij, Xhexheja, unë shkova dhe kur po hyja te dhoma e pritjes qe plotë me njerëz hyr e dil…Ai me të më parë mua te dera, ngriti dorën , më bëi me shënjë, “Eja këtu” . Në njerën anë ishin Piro Kondi e shokë të tjerë të partisë, kurse në anën tjetër ishin miq të njohur e të panjohur për mua.U ula afër Agollit dhe atyre që ishin në odë u bëri përshtypje “Paska mik të rralë, qënkan shokë të rraallë…” Paskan miqësi të madhe këta dy”, thoshin.  Pra Agolli nuk e fshihte para të tjrëve miqësinë që kishim bashkë. Unë dhe ai ishim në ballë të qoshes.”Ne kemi miqësi të vjetër” u thashë të pranishmëve.

Bile një herë tjetër Agolli i ka thënë Fatmir Gjatës dhe Vangjush Gambetës: “Juve u kam mik për raki, kurse mik të vërtet, këtë kam, Gaqon”. Kështuqë është një nga mungesat më të mëdha të mijat këto vite e fundit të jetës sime. Jeta sigurisht që bën të sajën. Ai iku para meje, unë do iki pas tij, por të paktën të lëmë gjurmë të mira , të lëmë një emër të mirë e të mos na shajnë …kanë qënë matrapazë, maskarenjë…Ti e ke parasysh se ta kam dhënë librin “Udhëtimet e një humoristi”. Unë kam bërë 30 e ca “beteja” ballafaqime duke filluar që te komiteti i partisë i Tiranës, Elbasaan, Korcë, Vlorë, Shkodër, Kukës,…me aparate ekzekutive e partie dhe drejtori ndërmarjesh e institucione madje edhe ministri e krerët e lartë të pushtetit deri edhe Mehmet Shehu më ka kërcënua në telefon…(shih iterv.me rastin e 90-vjt e lindjes).Pra jam ndeshur me kretët më të lartë të rretheve po e po, por edhe me të ministrive dhe të Kom. Qendror.

Gjatë këtyre “përleshjeve” për punën e allishverisheve që bënin njerëzit e bazës apo në qendër, më ka qënë pranë e më ka përkrahur sidomos Dritero Agolli. “Nuk i ka hyrë gjë në xhep gazetarit, thoshte Agolli, Ai shkruan për cfarë i sheh syri e për cka  bën dora…shkruan për shkelësit e ligjit”

Unë, kur erdha në “Hosteni”,  kisha shkruar tregime e skica në shtypin e kohës, por jo fejtone me emër konkretë për ata që shkelnin etikën apo ligjet e asaj kohe. Ishte e vështirë kjo gjë, sepse të kundërviheshin njerëzit, ta bënin të zezën të bardhë dhe anasjelltas, turbullonin ujin që të dilnin vet të larë…

Shkova një herë në Kolonjë dhe kisha bërë një reportaazh. Në reportazh unë kritikoja kryetarin që gjuante vicat me kobure.”Po ky është shkrimi, u entuziazmua Driteroi dhe me cuan prap atje…. U detyrova të shkoja përsëri në Qafë Zezë, mora me vete dhe piktorin e meritur e karikaturistin Zef Bumci…vajtëm në Mëzezë, e takova kryetarin dhe e pyeta: Ku e qëllove, ku ishte vici?…si i re, a qëllon mirë ti? Sa herë e qëllove vicin etj. “Koburen s’e kisha me vete, më tha kryetari.” “Po me ca e vrave, me cfarë e shtrive vicin poshtë?’ “Mora koburen e nënkryetarit, tha ai dhe ia krisa në lule të ballit… ”.Ai e dinte se mos kisha vajtur unë që ta lavdëroja, prandaj më tregonte se ishte nishanlli i thekur …

Por do të them se shkrimet kritike të Driteroit janë të famshme, si:

”Sile Mukën e kam pranë dhe kulturën për karshi’…që flet se Sile Muka kishte më shumë  aktivitet në pijetoren e tij, sesa vatra e kulturës e koperativës… në Gjirokastër.

Ose fejtoni “Depo grumbullimi apo galeri artesh” “Pse s’na bëjnë estradat të qeshim’|”Foqkë-foqkë” në Korcë …”Lake-pupulake”, që tallej me ata që e quanin veten poetë, por bënin bejtexhiun…e të tjera shkrime …

Pra dua të them se prej tij mësoje shumë gjëra; mësoje si të shkruaje, cfarë të shkruje, dhe masën e humorit, apo dhe rezervat e gazetarit…

Po ta shikosh romanin “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” ai ka nuance fantastike humoristike ku vë në lojë pushtetarët dhe paaftësinë e tyre…

-Keni pasur një varg korrespondencash , letërkëmbimesh “Hyskë Borobojka dhe Bamkë Comanga”?

– Në libër janë vendosur disa shkrime që i përzgjodha me Driteroin, por në fakt janë shumë shkrime e disa kanë mbetut për më vonë. Agollit i mbeti merak se donte ta shihte të botuar mirë librin me korrespondencat tona, se nuk i pëlqeu botimi i parë.Pastaj ia botoi e bija, Elona, por pas vdekjes së tij. Elona e botoi bukur shumë. I tha Sadies, Elona : Ti e pe atë librin sa i bukur ka dalë, por ai, babi, nuk e pa”. Erdhi në shtëpinë time Elona dhe më solli tre kopje të librit në fjalë me korrespondencat Agolli-Borobojka, me titull “Tre qeshin, një inatoset”. E ka dhuruar librin, kryesisht për bibliotekën e ndonjë shok i ngushtë.

-A po shkruan ndonjë gjë për Driteroin?

-Me këtë rast po mundohem të bëj një shkrim të tillë “Sa më mungon, i madhi Dritero”.

-E shikoj që dhe sytë e tu janë mbushur me lot.

-Gaqo: Unë kam pasur shumë shkrime.Kemi qënë në një shoqëri e miqësi të pandarë së bashku.Pavarësisht se ai kishte të tjera poste, angazhime, detyra dhe përgjegjësira para pushtetit të kohës, dhe unë të tjera, por shoqërinë e kemi mbajtur të pastër.

-Sa vite punove në Hosteni?

-Gaqo: Punova gati 20 vjet në “Hosteni” dhe Driteroin e kemi patur prezent me shkrimet e tij. Ai ka qënë anëtar kolegjiumi me peshë në redaksi.Hosteni kishte shkrimtarë të mëdhenj në kolegjium dhe vendimet e rëndësishme, me zarar, i merrte kolegjiumi.Jepte mendime të qarta për të mos dalë me përgjegjësi gazetari që shkruan nëse shkruan me duar të pastra.Por kritika nuk pranohet kollaj, nuk përtypet lehtë…S’ bëhet fjalë për shpifje e trillime…

Agolli, kur kishe dicka,  që kishe shkelur në gabim, ta thoshte drejt, ke gabuar, ai nuk të bënte elozhe të pavërteta. Ishte parimor dhe i sinqerrt në atë që thoshte dhe shkruante.

Driteroi kur kishte ndonjë shkrim, e merrte Nikoja , kryeredaktori, për ta shikuar, por Nikoja i thoshte: “Jepja Gaqos. M’i besonte mua shkrimet”.

Në vitin 1950 shpalli KQ i Rinisë një konkurs për krijimtarinë letrare. Driteroi u paraqit në konkurs me poemën “Gjaku i kulluar” . Ishte nxënës atëhere ai. Agolli fitoi cmimin e tretë , kurse cmimin e pare e fitoi Drago Siliqi. Drago atehere ishte anëtar i KQ të Rinisë.

Atë vjershë të Agollit unë e mbaj mend edhe sot e kësaj dite:Reciton:

Rreth kasolles së vetmuar

Po fryn era me tërbim,

ngre dëborën e pashkelur

Përmbi mure e përplas

Dhe catia vrima-vrima

Sec gjëmon e uturin

Një mal dimë se ka pllakosur

Gjithë dëborë e më pas

Edhe brenda në kasolle

Mbi një thes e lecka qepur

Është shtrirë i përgjakur

trupi njomë i një djali

Shtrat e ka thesin me xhungë

dhe jastëkun ku mbështetur

gjuri nënës është bërë

fryn pranvera që ka marrë…

-Një jetë të tërë kemi punuar me atë. Driteroi thoshte në një libër që “le të jetë ky libër në bibliotekën tënde dhe të na kujtoj ato vjershat plot qyfyre që shkruanim nën catinë e konviktit tonë të mbuluar me plloca, kur ishim në gjimnazin Asim Zneli të Gjirokastrës.

-E ke dashu Driteronë?

-Dhe ai më ka dashur mua.

Ne edhe pasi mbaruam shkollën e mesme në Gjirokastër, e mbajtëm shoqërinë. Ai shkoi për studime, megjithëse donte për veteriner, se e kishte qejf blegtorinë, por nguli këmbë ish-ministri i arsimit të saj kohe Kahreman Ylli dhe e coi në Leningrad për studime. Megjithëse larg, ne nuk e harruam njëri-tjetrin por shkruanim letra.Një herë ai më kishte futur nja dy brisqe rroje brenda në zarf dhe mi dërgonte mua duke më porositur: “Shiko, bëj kujdes se presin shumë këta e mos pritesh dhe po u gjakose s’kam c’i them e s’i dal dot para syve xha Janit, (babait tim).

Një herë tjetër brenda në letër kishte futur dhe një fotografi ku kishte dalë  ky në mes dhe anës një gjermane dhe një ruse dhe më shkruante mua: “Ja, more, Gaqo,   pa shiko: unë jam me dy dama këtu” .Do i përgjigjesha po me gjuhën e humorit.Ne në klase kishim 12 cupa dhe tre djem.Ua tregova foton cupave të grupit tim. Ato më futën mua në mes dhe bëmë një fotografi. Ia nisa Agollit që ishte në Leningrad foton  dhe i shkrova:  “Shikomë mua ti, paaa. Ti me dy, unë me 12 vajza”. Bënte shumë shaka dhe pranonte shaka, Driteroi….

-Faleminderit, Gaqo!

Në emër të miqve shkrimtarë dhe jo vetëm, i shprehim ngushëllime familjes për largimin nga jeta të gazetarit e shkrimtarit humorist, Hyskë Borobojka!

XHEMIL DUKA DHE MANDOLINA E LIRISË- Nga Albert HABAZAJ

 

Rrëzë maleve të larta të Lumit të Vlorës

Pushka dhe pena binjake kanë qenë,

Dhe bijtë e Vranishtit si zogjtë e shqiponjës

Emër me firmë në histori kanë lënë.

 

Nga Gurra e Vranishtit e kthjellët, e kulluar

Janë lartuar bredha të blertë, të bukur,

Një nga ata edhe Mësuesi i Merituar

Me “syrin në belxhik” që s’ luftoi për t’u dukur.

 

Nga rrënja – fisnik në udhëtimin për dritë

Shndriti për brezat Xhemil Veli Adem Duka,

Ajo derë e bardhë Plakun e Flamurit ka pritur

Në atë derë bujare kombëtare qe buka.

 

Dy abetaret e shenjta të Ismail Qemalit

Miku i Halim Xhelos dhe Jani Mingës

Ua mësoi Pishtari fëmijëve të fshatit

Me zë e shpirt dhe tingujt e mandolinës.

 

Ato abetare të Naum Veqilharxhit

Sa zjarre ndezën në Labëri e Vlorë,

Mësuesi në çetën e Sali Kapedanit

Luftoi si trimat me armë në dorë.

 

Ai që prind i dytë u bë për vogëlushët,

Ai që si vëlla i mësonte banorët e Lumit,

Ai që si kreshnik në zemra ndezi prushe,

Që me dritën e tij ia preu fuqinë plumbit.

 

Para tij Merçan Qejvani e Daut Seferi,

Dy llambadarë heroikë të arsimit,

Xhemil Duka me shtatë ngjyrat e ylberit

U shfaq në qiellin me vetëtima të Vranishtit.

 

Dhe stafeta e tij kalon nga bredhi në bredh

Dhe Vranishti me supe në mal të krenarisë,

“Do filloj duke menduar” vargje derdh

Me tingujt ëmbël të mandolinës së lirisë.

 

Tiranë, 04.04.2026

Figura e një edukatori dhe intelektuali të përndjekur- Shkrim përkujtimor nga Eduard M. Dilo

QIRJAKO ILIA DILO (1902–1976)

Historia kulturore dhe arsimore shqiptare njeh figura që, edhe pse të luftuara rëndë në kohën e diktaturës, mbeten thelbësore për të kuptuar përmasat e sakrificës intelektuale dhe qytetare. 

 Një prej tyre është Qirjako Ilia Dilo, personalitet i formuar në traditën e dijes, i përkushtuar ndaj arsimit, gjuhës shqipe dhe interesit kombëtar.

Qirjako Dilo lindi në Sheper të Zagorisë më 5 Prill 1902. Qysh në moshë të hershme u dallua për prirje të veçanta intelektuale dhe përkushtim ndaj dijes. Ishte studiues i gjithanshëm, njohës i thellë i kulturës klasike, zotërues i disa gjuhëve të huaja dhe, në mënyrë të veçantë, i greqishtes së vjetër — një veçori e rrallë për kohën dhe mjedisin shqiptar.

Kontributi i tij në arsim është i hershëm dhe domethënës. Në vitin 1917, vetëm pesëmbëdhjetë vjeç, hapi shkollën e parë shqipe në Nivan(Zagori), në një periudhë kur mësimi i gjuhës shqipe shoqërohej me rrezik real për jetën. Më pas drejtor në shkollën e Poliçanit (Pogon), duke ushtruar mësimdhënie në kushte të vështira, por me përkushtim të palëkundur.

Studime të mëtejshme vijoi në Bari (Itali), në fushën e hipotekave. Gjatë kësaj periudhe punoi edhe si gazetar, në bashkëpunim me figura të njohura të shtypit shqiptar, si Leonidha Naçi, dhe më pas shërbeu si drejtor drejtorie në Ministrinë e Financave. Sistemimi i Ipotekave shqipëtare dhe ratifikimi I ligjit të pronësisë mbajnë ermin e tij në arkivat shqipëtare. 

Megjithatë, refuzoi funksione të larta shtetërore, përfshirë poste ministrore gjatë 

periudhës së fashizmit, kur ato binin ndesh me interesat kombëtare dhe parimet e tij morale.

U martua me Ifi Hariton, vajza e Petro Mihal Haritos një nga personalitetet e shquara të kombit shqiptar.

Pas vendosjes së regjimit komunist, Qirjako Dilo u konsiderua element i padëshiruar. 

I njohur për mendim të pavarur, gjykim kritik dhe integritet personal, ai u pa si pengesë ideologjike. Në vitin 1953 u arrestua me akuza të fabrikuara, u torturua dhe u lirua.  Refuzoi të bashkëpunonte me organet e Sigurimit të Shtetit. 

Në vijim, familja e tij u përball me forma të vazhdueshme persekutimi.

Pavarësisht presionit, Ai ruajti dinjitetin dhe heshtjen morale. I formuar në frymën e mendimit klasik grek, ai besonte se përkohshmëria e jetës nuk mund të errësojë përjetësinë e së vërtetës. I angazhuar vazhdimisht me risitë e pedagogjisë italiane dhe gjermane, ai mbeti një edukator i rrallë, pa një të dytë si Ai.

La pas dorëshkrime, kujtime dhe materiale pedagogjike, përfshirë metoda për mësimin e gjuhës italiane, që dëshmojnë për seriozitetin dhe thellësinë e punës së tij intelektuale.

Figura e Qirjako Ilia Dilos nuk mund të kuptohet e shkëputur nga tradita familjare e Dilo-ve të Sheperit, e lidhur ngushtë me emra si Ilia Dilo Sheperi dhe Aristidh Ruci, si dhe nga qëndrimi i përbashkët i vëllezërve dhe motrës Viktori, të cilët ndanë të njëjtin fat përndjekjeje dhe persekutimi. Të gjithë mbetën, në mënyrë paradoksale, të huaj në vendin e tyre, për shkak të një atdhedashurie të pakompromis.

Qirjako Ilia Dilo u nda nga jeta në tetor të vitit 1976, në Nivan(Zagori).

U përcoll për në banesën e fundit në Sheper nga një rreth i ngushtë familjar, si pasojë e ndalimeve dhe paragjykimeve politike të kohës. Ky fakt përbën një simbol domethënës të trajtimit që iu rezervua gjatë gjithë jetës.

Rikthimi i figurave si Qirjako Ilia Dilo në vëmendjen publike nuk është vetëm akt kujtese, por edhe detyrim kulturor. 

Ato ndihmojnë në rivlerësimin e historisë sonë intelektuale dhe në ndërtimin e një bindjeje më të drejtë për rolin e dijes, karakterit dhe rezistencës morale në shoqërinë shqiptare.

Koha lind rrallë njerëz që i përkasin më shumë dritës sesa vetes. I sjell pa bujë dhe i largon po aq qetë, por ajo që lënë pas mbetet e pamatshme për breza të tërë. Fjala e tyre nuk shuhet; ajo qëndron si një meteor që kalon shpejt, por ndriçon thellë. 

I tillë ishte Qirjako Ilia Dilo — i lindur për të ndriçuar kohën që jetoi.

TRISHTOHEN LULET NGA MARSI I HIDHUR- Nga Albert HABAZAJ

 

 

Në kujtim të tragjedisë së 28 Marsit 1997 në kanalin e Otrantos me përmbytjen e Katërit të Radës

 

 

 

Trishtohen lulet nga marsi i hidhur

Dhe bregu bregut i mban mëri,

Për jetët pa faj që thellë kanë ikur

Vyshken lulet nga ai mars i zi.

 

Përvitshëm, kur vjen njëzet e tetë marsi

Rituali i pikëllimit nxin nga ritet mortore,

Sa thonë që Otrantos buza e shpirti i plasi

Sa thonë që dhe dallgët ndihen fajtore.

 

Të pafajshmit ata që i hipën ëndrrës

Dhe u bënë qivure në fund të detit,

Nga drithërima ime dhemb refren i këngës

Nga harrimi, nga heshtja rrëqethëse e shtetit.

 

Përditë në monument të memories ata

I kemi me frymën tonë fatkeqët në gjëmë,

As nënat shamizeza, as Shqipëria s’u dha

Nuk thahen lulet, se në kopsht kanë rrënjë.

 

Vlorë, e premte, 28 Mars 2026

Desantët e djegur Nga arkivi i Ministrisë së Brendëshme

Më 15.10.1951 u hodhën me parashutë në zonën e Lushnjes desantët Nuredin Lusha (nga Lushnja), Dilaver Kuçuqi (nga Libohova), Kalem Xhepexhiu (nga Lushnja). Duke mos gjetur terren të përshtatshëm, iu drejtuan kufirit nga lindja. Më 7.12.1951 ata shkuan në shtëpinë e Hamdi Bogdanit në Rrajcë të Librazhdit. Ky pasi i strehon, me dinakëri izolon dyert, del jashtë dhe i vë flakën shtëpisë. Për këtë veprim të pabesë e të padëgjuar, Bogdani u dekorua nga Presidiumi i Kuvendit Popullor dhe u shpërblye me 70 mijë lekë.

Si kundërveprim të këtij akti, më 26.6.1952, desantë të tjerë hodhën 4 bomba në shtëpinë ku ishin vendosur Hamdi dhe vëllai i tij.

Në foto është njëri nga tre të djegurit.

 


Send this to a friend