Shërbimi sekret amerikan ka nxjerrë të tjera detaje nga operacionet që u zhvilluan gjatë periudhës komuniste për rrëzimin e Enver Hoxhës nga pushteti. Në një prej tyre tregohet një letër, ku tregohen planet e amerikanëve, teksa komentohen dhe marrëdhëniet Shqipëri-Bashkimi Sovjetik në vitin 1953. Sipas dokumentit, edhe pse Moska e shihte Shqipërinë si vend të rëndësishëm, nuk i kushtonte vëmendjen e duhur dhe kjo nga frika se shumë shpejt do të shpërbëhej.
30 qershor 1953
Memorandum për krerët e divizioneve
Propaganda
Unë kam të njëjtin opinion të stafit tim të radios dhe propagandës se fushata jonë kundër Shqipërisë tashmë po zhvillohet në pikën ku zyrtarët e lartë të SHBA të shtyjnë për çlirimin e Shqipërisë. Në këto rrethana të reja ne duhet të tregojmë jo vetëm se SHBA po mendon për Shqipërinë po aq sa Tito, por edhe mund të ofrojnë më shumë se ai. Duke transmetuar deklarata të tilla me anë të Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë, ne mund të rrisim profilin e shqiptarëve me të cilët jemi në kontakt dhe që refuzojnë totalisht idenë e një Shqipërie të çliruar dhe përsëri komuniste, e cila ndërron besnikërinë nga Moska te Beogradi. Jam i sigurt se Shqipëria ka një vend të veçantë në sistemin e satelitëve të Moskës, edhe pse Moska ka evituar deri tani një përkushtim ushtarak atje. Në situatën e saj gjeografike Shqipëria është ndoshta për Kremlinin ajo çka është Berlini Perëndimor për Aleatët, por në dukje duke i paraprirë një humbje të mundshme, Moska nuk është përkushtuar plotësisht në Shqipëri duke mos dhënë garanci si ato që NATO ka dhënë por Berlinin Perëndimor. Po i përmend këto pika për të treguar sesa i vogël është rreziku i Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë përgjigje pyetjeve që po bëjmë, kurse avantazhet që mund të kemi nëse publikojmë këto pyetje, mund të jenë shumë të mëdha. Për të bërë të besueshëm mitin e një ndryshimi në politikat sovjetike, Zakaria, posterat e të cilit shfaqeshin në Sofje edhe në festimet e fundit të 1 Majit, u desh të largohej. Edhe Li Li San, i cili kishte mbështetjen e Stalin sa kohë që diktatori ishte gjallë, avancoi derisa irritoi ish-vartësin e tij Mao Ce Dun, i cili e largoi nga qeveria pasi tani mund të negociojë vetë me Moskën. Raportimet e Ankarasë në lidhje me deklaratën e Mosa Pijade, zëvendës-president i Jugosllavisë, aktualisht në Turqi: “Ne nuk duam për përzihemi në çështjet shqiptare, por nuk duam që as të tjerët të përzihen në to. Një garanci për pavarësinë dhe integritetin territorial të Shqipërisë do të ketë rezultate të dobishme dhe i përshtatet parimit tonë kryesor për popujt e Ballkanit.
Detaje të programit të qeverisë greke të Papagos
(Pjesë nga teksti)
Me të njëjtën frymë, administrata jonë shikon me besim drejt kultivimit të marrëdhënieve të afërta me Jugosllavinë dhe do të bëjë çdo përpjekje për arritjen e bashkëpunimit, pasi ajo së bashku me Greqinë dhe Turqinë janë disa nga shembujt më të avancuar të botës së lirë. Për hir të paqes dhe zhvillimit të popujve të Ballkanit, administrata ime dëshiron të shikojë fiqnjët veriorë në marrëdhënie të lira e miqësore me Greqinë. Veçanërisht në lidhje me Shqipërinë, kjo administratë dëshiron të theksojë se sipas linjës së parashtruar në kongresin e paqes në vitin 1946, ne refuzojmë çdo forcë dhe kërkojmë vetëm përdorimin e mjeteve ndërkombëtare për zgjidhjen e çështjes së Epirit të Veriut. Ne duam të theksojmë se duam të shikojmë një Shqipëri të lirë e demokratike që është miqësore me fqinjët e saj. (duartrokitje). Në lidhje me një transmetim të veçantë që do mbahet në përvjetorin e dytë të hapjes së radios shqiptare Evropa e Lirë, Komiteti Kombëtar i Shqipërisë së Lirë dëshiron të marrë përgjigje zyrtare për pyetjet e mëposhtme: A janë dakord Shtetet e Bashkuara me konceptin e Shqipërisë së çliruar me vendin e saj në diplomacinë ballkanike? A janë dakord shtetet e Bashkuara me deklaratat e shteteve të Ballkanit për ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Shqipërisë së çliruar? (pyetja nxitet nga deklaratat e fundit të zëvendës-presidentit serb Mozhe Pijade në Stamboll)
Shqipëria e çliruar a do të mund të merrte të gjithë ndihmën dhe asistencën e Shteteve të Bashkuara që gëzojnë shtetet e Paktit të Ballkanit? Sipas opinionit të NCFA, sa më poshtë do të ishin përgjigjet e pritura nga publiku dëgjues i Shqipërisë: Po. SHBA e konsideron këtë një çështje kryesisht për anëtarët e Paktit të Ballkanit, pro sigurisht do ta konsideronte të favorshëm një zhvillim të tillë. Sigurisht. Në zhvillimin e programeve amerikane të ndihmave, ka qenë gjithmonë një synim i SHBA, se vende të reja që e çlirojnë veten nga thundra sovjetike bëhen automatikisht marrëse të ndihmës dhe asistencës amerikane, siç parashikohet në ligjin amerikan të Sigurisë Reciproke (1953). Në këtë mënyrë Shqipëria do të merrte menjëherë ndihmën për ekonominë dhe jetën kombëtare, e cila ka vuajtur kaq shumë nga shfrytëzimi sovietik.
Megjtihse qëllimi fillestar ishte marrja e këtyre përgjigjeve deri të hënën më 2 qershor, në rast vonesash do të vlerësonim nëse vinin sa më parë të jetë mundësia.
7 shkurt 1952
Raport i përmuajshëm aktiviteti
Aktivitetet e degës tonë për infiltrimin e agjentëve dhe furnizimet këtë muaj janë penguar nga dimri ballkanas, i cili i ka bërë të papraktikueshme operacionet në Shqipëri. Janë bërë disa tentativa për infiltrim të grupeve me katër agjentë në zonat juglindore të vendit, për të përcaktuar reagimin ndaj lëshimeve të furnizimeve dhe propagandës, të hedhura në dhjetor, por u vendos të shtyhej operacioni deri në thyerjen e motit të ftohtë. Depërtimet ajrore në vend kanë qenë të suksesshme, duke u hedhur nga ajri furnizime dhe 200 000 pamfleta propagande në Tiranë dhe në veri të Shqipërisë më 21 janar. Në frontin politik, Radio Shqipëria e Lirë vazhdon transmetimet e përditshme dhe gazeta Shqipëria vazhdon të botohet, por tashmë nga Roma dhe jo nga Nju Jorku. Ndryshimi i vendndodhjes besojmë se ka sjellë cilësi më të mirë dhe një pamje më të freskët nga pikëpamja gazetareske. Brenda në Komitetin Kombëtar, presioni ynë për zgjerimin e bazës politike ka vazhduar.
Informacionet e agjentëve
Kohët e fundit morëm një letër të shkruar me bojë nga grupi ynë i katër agjentëve që operon në Kukës në veri të Shqipërisë. Në letër këshillohet që katër anëtarët e grupit të kalojnë dimrin në Prizren të Jugosllavisë, dhe të kthehen në Shqipëri në pranverë. Ata kërkuan, dhe po u dërgohet ushqim dhe para për të kaluar dimrin në Jugosllavi. Një grup prej tre agjentësh të lëshuar në Shqipërinë qendrore në tetor, nuk kemi asnjë informacion. Në sektorin e luftës psikologjike, kemi vazhduar transmetimet sipas programit të radios klandestine Zëri i Shqipërisë së Lirë, nga stacioni pranë Athinës. Në edicionin e tretë të publikimit të organit të NCFA, shkruhet për zotimin e Jugosllavisë e Greqisë për ruajtjen e integritetit territorial të Shqipërisë, dhe për pranimin në parim të Italisë. Ky lajm mori vëmendje të konsiderueshme në shtypin perëndimor. Letra e NCFA botohet në mënyrë të parregullt në gjuhët angleze, franceze dhe italiane.
Në 21 janar kemi lëshuar një ngarkesë me furnizime dhe propagandë në veri të Shqipërisë, në qytetet e Shkodrës, Kukësit, Burrelit dhe Tiranës. Furnizimet përmbanin 900 kanaçe me ushqime të thjeshta dhe 250 qese me nga 300 gramë miell secila.
Lëshimi i broshurave
Një mision për lëshime fletushkash këtë muaj u kombinua me lëshimin e furnizimeve të propagandës për arsye të kushteve të këqija të motit. 200 000 broshura të palosura dhe 5000 koje të Shqipëria u lëshuan, teksa me përmirësimin e motit do të nisin lëshimet edhe në zonën jugore të vendit. Në zhvillimet politike përmendim, Ishan Toptanin i Komitetit të Shqipërisë së Lirë, i cili mori pjesë në takimin e lëvizjes evropiane të mbledhur me 20 janar në Londër.
Lidhja shqiptare e azilantëve politike në Jugosllavi e formuar më 10 maj 1951, raportohet të ketë nisur shpërndarjen e publikimit të ri “Flamuri i Lirisë” e cila në dukje mbështet përpjekjen e shqiptarëve kundër tiranisë së qeverisë Hoxha. Kemi pasur disa raportime për diferenca mes veprimit të oficerëve tanë dhe atyre britanikë, duke sinjalizuar se britanikët mund të jenë duke ndjekur një politikë unilaterale veprimi në lidhje me Komitetin Kombëtar të Shqipërisë së Lirë.
Komentet