Presidenti i ri i Këshillit Zvicran të Religjioneve Gottfried Locher
Intervistoi: Katy Romy, swissinfo.ch:
VOAL – BERNË, 13 GUSHT – Bashkëjetesa mes religjioneve mund të duket e vështirë. Ky është konstatimi i presidentit të ri të Këshillit Zviceran të Religjioneve Gottfried Locher. Marrëdhëniet midis të krishterëve dhe myslimanëve duan vëmendje, pohon 48 vjeçari bernez, i cili thotë se është i shqetësuar edhe për shtimin e rasteve të antisemitizmit.
Presidenti i Federatës së Kishave Ungjillore të Zvicrës, Gottfried Locher u zgjodh në fillim të korrikut në krye të Këshillit Zviceran të Religjioneve. Pason në këtë detyrë presidentin e Federatës së Organiatave Islamike të Zvicrës, Hisham Maizar, i cili u nda nga jeta në maj.
Një dialog në shërbim të paqes
“Më mirë të flasim me njëri tjetrin se disa të flasin për të tjerët.” Objektivi i Këshillit Zviceran të Religjioneve është i publikuar në faqen e tij në Internet. Organizata dëshiron t’i kontribuojë paqes së religjioneve në Zvicër. Ky organ përbëhet nga shtatë personalitete të religjioneve krishtere, myslimane dhe hebreje. U themelua më 15 maj 2006 me iniciativën e pastorit Thomas Wipf, ish president i Këshillit të Federatës së Kishave Ungjilllore të Zvicrës.
swissinfo.ch: Vitin e ardhshëm Këshilli Zviceran i Religjioneve feston dhjetë vjet veprimtari. Institucioni gjithsesi mbetet pak i njohur nga publiku i gjerë. Keni ndërmend të bëheni më pak diskretë?
Gottfried Locher: Po e jo. Nga një anë, duhet të komunikojmë sa më shumë me publikun. Deri tani kemi publikuar jo më shumë se dy qëndrime në vit. Nuk është mjaft. Duhet t’i forcojmë lidhjet tona me popullsinë dhe të japim opinionin tonë mbi temat e aktualitetit të cilat iu interesojnë njerëzve. Duhet edhe të thellojmë një tematikë nëpërmjet një studimi specifik. Këshilli duhet ende të gjejë mënyrën e komunikimit.
Nga ana tjetër, shkëmbimet e brendshme funksionojnë mirë dhe është e nevojshme të krijojmë një klimë mbrojtëse në gjirin e organizatës, me qëllim që përfaqësuesit e religjioneve të ndryshme të mund të flasin lirshëm me tyre. Kemi nevojë për të dyja anët: debatet teologjike të brendshme dhe komunikimet me qytetarët.
swissinfo.ch: Qëndrimi juaj i parë është ai ndaj atentateve që e goditën gazetën satirike franceze Charlie Hebdo, në shkurt 2015 në Paris. Cila është analiza e Këshillit për këtë sulm?
G. L.: Ishim të gjithë dakord për nevojën e dënimit të vendosur ndaj këtij atentati dhune mizore. Dhe kështu bëmë. Gjithsesi, këto ngjarje tragjike i bënë anëtarët e Këshillit të diskutojnë mbi lirinë e shprehjes dhe kufijtë e provokimeve. Dhe në këtë pikë kishte mospajtime.
Personalisht mendoj se duhet shprehur kritikat dhe madje duhet bërë ironi po humor ndaj religjioneve. Demokracia ka nevojë. Përfaqësuesit e religjioneve të tjera nuk ishin të gjithë të një mendje me mua, sidomos myslimanët.
Kërkimi i pajtimit në gjirin e Këshillit është i vështirë, nganjëherë i pamundur. Kur nuk e gjejmë një terren mirëkuptimi shpesh duhet bërë kompromise.
Nga ana tjetër, do të ishte befasuese të arrihej lehtë një kompromis. Secili religjion ka mënyën e tij për ta shpjeguar jetën. Për këtë arsye, përparësia ime është që të promovoj paqen mes religjioneve. Nuk është e njëjta gjë me kërkimin e një pajtimi. Paqja nganjëherë është delikate, siç tregon situata në Lindjen e Mesme, dhe Këshilli mund të luajë rolin e përkujdesjes ndaj saj. Detyra e tij është të krijojë një klimë diskutimesh me përfaqësuesve të religjioneve dhe për të mundësuar shkëmbimin e ndershëm dhe të Sinqertë të mendimeve lidhur me çështjet në diskutim.
swissinfo.ch: Cilat janë temat me të cilat duhet të përballet Këshilli?
G. L.: Duhet para së gjithash të diskutojmë për bashkëjetesën mes islamit dhe krishterimit. Marrëdhëniet mes këtyre dy religjioneve janë themelore. Kanë një histori të përbashkët të vështirë dhe është më mirë të mos ripërjetohen konfliktet e së shkuarës. Myslimanët në Zvicër përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të popullsisë sonë. Në asnjë rast nuk duhet të “çmësojmë” të jetuarit së bashku.
Ndërkaq, konstatojmë se hebrejtë nuk ndihen aq mirë tashmë në vendin tonë. Ndihen të kërcënuar. Këshilli duhet ta rishqyrtojë këtë problem. Nuk di si ta shpjegoj shfaqjen e këtyre tensioneve, por e kam përshtypjen se duhen ndryshime të situatës. Dikur, shumica e popullsisë ishte krishtere, me një pakicë të vogël hebreje. Aktualisht në Zvicër është edhe një pakicë e rëndësishme myslimane. Kjo shtrirje e islamit nxit droja dhe tensione. Klima e përgjithshme ka ndryshuar.
Zvicra dhe religjionet
Sipas shifrave të regjistrimit të popullsisë më 2013, publikuar nga Zyra Federale e Statistikave, 71% e banorëve të Zvicrës të moshës mbi 15 vjeç është krishtere, 21% pa religjion, 5% myslimane, 0,3% hebreje dhe pjesa tjetër, 2,7%, iu përket religjioneve të tjera.
swissinfo.ch: Drojat lidhen edhe me problemin e ekstremizmit dhe sidomos në aktet e dhunës të kryera në emër të një religjioni. Si të reagohet ndaj këtyre shmangieve?
G. L.: Këshilli është i bashkuar ndaj çështjes së ekstremizmit: do luftuar ly fenomen, por do gjetur mënyra e frytshme. Lidhur me të rinjtë që shkojnë për të luftuar përkrah Shtetit Islamik, atyre iu duhet thënë se nuk pjesëmarrin thjesht në një luftë, por edhe do të arrijnë në një ferr nga nuk do të dalin shëndosh. Por bëhet fjalë vetëm për njërën anë të ekstremizmit. Është zor të dihet si të luftohet kundër fondamentalizmave. Mendoj se para së githash duhet folur hapur, pa u druajtur se po diskutojmë çështje delikate.
swissinfo.ch: Sipas kësaj logjike, Këshilli nuk duhet të ndërhyjë shumë në polemikat që i takojnë Kishës, si ajo që nxiti ipeshkvi i Kurit, Vitus Huonder, i cili ka cituar publikisht një paragraf të Biblës ku dënohen homoseksualët?
G. L.: Rëndom mbi këtë tip çështjesh nuk mbajmë qëndrime. Duhen më parë të shqyrtohen nga kisha Katolike. Problemi është i brendshëm. Pra, është Konferenca e Ipeshkvijve Ziceranë që mban qëndrim. Por, nëse polemika merr përmasa më të mëdha, Këshilli mund të diskutojë. Secili religjion, në një periudhë të fillimit, duhet t’i përballë vetë problemet, para se ne të ndërhyjmë./Përktheu: Skënder Buçpapaj
Komentet