PRISHTINË – Presidenti i Republikës së Kosovë, Hashim Thaçi, në një ceremoni solemne ka dekretuar sot emërimin e 53 gjyqtarëve të rinj të Kosovës.
Presidenti Thaçi gjatë fjalës së tij theksoi se Republika e Kosovës viteve të fundit në vazhdimësi ka bërë dhe është duke bërë reforma në fushën e gjyqësorit me të vetmin qëllim që sistemi gjyqësor të funksionojë sa më mirë.
“Në bazë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore si dhe duke marrë parasysh propozimin e këshillit gjyqësor të Kosovës kam vendosur që radhazi gjyqtarëve të Kosovës t’i shtohen edhe 53 gjyqtarë të rinj të cilët do të jenë gardianë të së drejtës për qytetarët e Republikës së Kosovës”, u shpreh Presidenti Thaçi.
Ai po ashtu shtoi se gjyqësori në Kosovë ka një rol të madh në jetën e qytetarëve, në garantimin e të drejtave të tyre pa marrë parasysh dallimet e tyre gjinore, racore, fetare apo kombësie ndaj theksoi se gjyqtarët kanë një përgjegjësi të madhe në supet e tyre.
“Të gjithë duhet të jemi të angazhuar për respektimin e rendit juridik dhe kushtetues e ligjor të Republikës së Kosovës, më qëllim të ecjes përpara dhe që të jemi krah përkrah me vendet e zhvilluara e demokratike”, tha Presidenti Thaçi.
Ndërsa, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, tha se vlerëson punën e Gjyqësorit të Kosovës. Duke uruar gjyqtarët e rinj i ftoi ata të jenë shembull i demokracisë së mirëfilltë dhe mbrojtjes së ligjit.
Në fund të ceremonisë 53 gjyqtarët e rinj u betuan para Presidentit Thaçi duke u zotuar se do t’i qëndrojnë besnikë Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Komentet