VOAL

VOAL

AKADEMIK DACI TELLALL I PARTIVE-BANDA – Nga IDRIZ ZEQIRAJ

July 27, 2017

Komentet

DY DARDANE NË TEKSAS TË SHTETEVE TË BASHKUARA – PRESIDENTJA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS VJOSA OSMANI DHE NËNË TERESA Nga Frank Shkreli

Thuhet se çdo gjë është e madhe, e veçant dhe e madhërishme, në Teksas — shtetin e dytë më të madh të Shteteve të Bashkuara, si nga sipërfaqja gjeografike ashtu edhe për nga popullsia. Në përputhje me namin dhe traditat e Teksasit, e madhërishme dhe e veçant ishte edhe vizita plot veprimtari e takime, që iu bë Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmanit në atë shtet, ditët e fundit. Ndër ato veprimtari të një vizite që siç duket mjaft të suksesshme – sa i përket marrëdhënieve midis Republikës së Kosovës dhe Teksasit, u njoftua gjithashtu se emrin e humanistes dhe shenjtores shqiptare, Nënë Tereza, do ta mbajë një nga rrugët në rajonin Collin County të shtetit Teksas.

Nuk është diçka që ndodhë çdo ditë që Collin County vizitohet nga një president i një shteti të pavarur e sovran, thuhet në njoftimin e mirëseardhjes së ngrohtë për Zonjën Osmani, në portalin e Kryetarit të qytetit Wylie, të Teksasit, Mathew Porter. Ndër takimet e shumta gjatë ditëve të kaluara me autoritetet më të larta të Teksas-it duke filluar nga ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Xhorxh W. Bush dhe Governatori i shtetit Teksas, Greg Abbott, ndër të tjerë. Sipas portalit të saj, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës zyrtare në Teksas, ka takuar edhe kryetarin e qytetit Wylie, Mathew Porter. Gjatë atij takimi në Collin County, e para e shtetit të Kosovës, ka mbajtur një fjalim para anëtarëve të Këshillit të qytetit, nxënësve dhe pjesëtarëve të mërgatës shqiptare të asaj zone mbi rëndësinë jetike të lidhjeve të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ishte në kuadër të kësaj vizite dhe në këtë ambient e hapësirë ku u zhvillua ceremonia e përurimit të pllakës me emrin e Nënë Terezës, propozim të cilin e ka bërë këshilltari i qytetit Wylie — me preardhje nga Peja, Gino Mulliqi. Me vendimin se tani e tutje, emrin e humanistes dhe Shenjtores Shqiptare, Nënë Terezës do ta mbajë një nga rrugët në rajonin Collin County të shtetit Teksas.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Zonja Osmani zhvilloi këtë vizitë në Teksas, si e ftuar e veçant në takimin e nivelit të lartë SHBA-Afrikë, mbajtur këto ditë në Dallas të shtetit Teksas, në kuadër të 20-vjetorit të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC-së) – investimet e së cilës Presidentja Osmani i cilësoi si shumë të rëndësishme për të ardhmen e Republikës së Kosovës. Duke falënderuar Shefen e (MCC-së), Zonjën Albright për ndihmën e këtij enti, veçanërisht, në sektorin e energjisë të Kosovës ka thenë se vendi i saj, nga një vend i shkatërruar nga lufta është shndërruar sot në një demokraci funksionale me ekonomi në zhvillim dhe me partnerë të besueshëm ndërkombëtarë.

“Partneriteti ndërmjet Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) dhe Republikës së Kosovës ka qenë një rrugëtim transformues, duke sjellë përfitime të rëndësishme për popullin e Kosovës dhe ekonominë e saj, si dhe duke shënuar një kapitull të veçantë në marrëdhëniet dypalëshe”, ka theksuar Presidentja Osmani. Projektet sikurse ky, për Presidenten Osmani, janë konfirmim i raportit të veçant që Kosova ka me SHBA-të, ka nënvijuar ajo në fjalën e rastit, sipas portalit të Presidencës. “Investimet nga MCC-ja nuk janë vetëm investime në infrastrukturë dhe ekonomi, por investim në të ardhmen e Kosovës, për popullin dhe partneritetin e qëndrueshëm ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve”, ka nënvijuar Presidentja Osmani, gjatë takimit të entit amerikan të investimeve, MMC-së, në Dallas të Teksas-it, ndërsa ka shtuar se roli i SHBA-ve ka qenë përcaktues për fatin e Kosovës, prandaj SHBA-ja është në ADN-në e suksesit të shtetit tonë”, citohet të ketë thenë Vjosa Osmani në takimin e nivelit të lartë në Dallas.

 

 

 

Në takimin “Partneriteti ndërmjet Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) dhe Republikës së Kosovës

Ndër takimet e veçanta që Presidentja Osmani ka zhvilluar me
personalitete të ndryshme amerikane e ndërkombëtare në Dallas të Teksas-it, natyrisht, veçohet takimi i saj me ish-Presidentin e Shteteve të Bshkuara, Xhorxh W. Bush, mikun e Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve. “Kënaqësi që takova lajmëtarin e pavarësisë së Kosovës, Presidentin Bush, i cili ishte një avokues i vendosur për pavarësinë e Kosovës dhe vazhdon të mbetet një mik dhe mbështetës i popullit të Kosovës”, shkruan ajo në faqen e portalit të saj duke përsëritur deklaratën historike të presidnetit Xhorxh Bush nga Tirana, në vitin 2007: “Mjaft është mjaft. Kosova është e pavarur”, është fraza paralajmëruese për pavarësinë e Kosovës e Presidentit George W. Bush në Tiranë e cila do të mbetet e gdhendur në analet e historisë si një afirmim i vendosur i të drejtës së Kosovës për të qenë e pavarur dhe sovrane.”

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani me ish-Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Xhorxh W Bush në Dallas të shtetit Teksas

Ndërkaq, në takimin e saj me të parin e shtetit Teksas, Governatorin Greg Abbott Presidentja e Republikës së Kosovës shkruan në faqen e saj të internetit se dy zyrtarët e lartë biseduan për thellimin e bashkëpunimit midis shtetit Teksas dhe Republikës së Kosovës në fushën e tregtisë, investimeve të jashtme, bujqësisë, teknologjisë informative, arsimit dhe fushave të tjera me interes të përbashkët.

Dihet se për komunitetin shqiptaro-amerikan, shteti Teksas është bërë shtëpi e dytë për shumë bashkëatdhetarë tanë nga Kosova dhe jo vetëm, duke u ofruar atyre perspective dhe kushte për një jetë më të mirë dhe tregti të sukseshme. Presidentja Osmani, veçanërisht, falënderoi Governatorin Abbott për vendimin duke i dorëzuar asaj proklamatën e nënshkruar prej tij, si më poshtë, “Me të cilën shënohet dhe nderohet 17 Shkurti – Dita e Pavarësisë sonë, në Teksas”, shprehet Vjosa Osmani.

“Të frymëzuar nga një angazhim i palëkundur ndaj parimeve demokratike, Republika e Kosovës shpalli pavarësinë e saj nga Serbia me 17 shkurt, 2008. Kosova si një shtet i pavarur që vlerëson sovranitetin dhe vet-qeverisjen për 17 vjet tani, ka zenë vendin e saj që takon në skenën botërore”, thuhet në deklaratën e Governatorit të shtetit Teksas, Greg Abbott.

Qendra Kulturore Shqiptaro-Amerikane në Teksas e cila luajti rol kryesor në përgatitjet për vizitën zyrtare të Presidentes Osmani në kryeqytetin Austin dhe qytete të tjera të Teksas-it i shprehë falënderimet e saj Governatorit Abbott:

 

”Jemi thellësisht mirënjohës ndaj Guvernatorit Greg Abbott për mbështetjen e tij të palëkundur ndaj Kosovës dhe për njohjen e Ditës sonë të Pavarësisë. Solidariteti juaj është një dritë shprese dhe miqësie ndërmjet vendeve tona. Po ashtu, shprehim falënderime të sinqerta për Komunitetin Shqiptaro-Amerikan të Teksas-it për kontributet dhe mbështetjen tuaj të vazhdueshme ndaj shtetit të madh të Teksasit. Përpjekjet tuaja vërtetë pasurojnë komunitetin tonë të përbashkët. Faleminderit!”

Në takim me komunitetin shqiptaro-amerikan në Teksas –“Shqiptarët e Amerikës janë ura më e fuqishme e aleancës së Kosovës me SHBA-të. Kënaqësi t’i takoja në Teksas dhe t’i përgëzoj për të arriturat e tyre të jashtëzakonshme. Përgjatë kohërave sfiduese, ata ishin dhe janë ambasadorë të Kosovës, avokatë të kauzave tona dhe përkrahës të vendosur të aspiratave tona kombëtare”, ka thënë Presidentja
Osmani në takimin me përfaqsues të shqiptarëve në Teksas.

Duke e ndjekur nga Nju Jorku vizitën zyrtare të Presidentes Osmani në Teksas, takimet e saja me udhëheqsit më të lartë të atij shteti dhe të qyteteve të ndryshme, si dhe takimet me komunitetin shqiptar atje, njeriu vjen në përfundimin se vërtetë ishte një vizitë e suksesshme për Zonjën Osmani si Presidente e shtetit më të ri të pavarur në Evropë. Shqiptarët tashti janë një komunitet i njohur mirë në Shtetet e Bashkuara, për punën, veprimtaritë, parimet dhe vlerat e tyre kombëtare e historike të tyre. Si përfundim i veprimtarisë së tyre patriotike prej pothuaj gjysëm shekulli në këtë vend, nuk pyet kush më në Amerikë, se ku bie Kosova dhe kush janë shqiptarët dhe as nuk vihet në dyshim më preardhja dhe origjina e Nënë Terezës, megjithë gënjeshtrat e sllavo-komunistëve. Amerikanët e thjeshtë dhe zyrtarët më të lartë, anë e mban këtij vendi-planet, janë të mirë-informuar tani se si Kosova ashtu edhe Nënë Tereza janë SHQIPTARE!

Në përmbyllje, mu duk se çdo takim, çdo fjalë e Presidentes Osmani dhe e përfaqsuesve më të lartë të shtetit Teksas, gjatë vizitës së saj atje, pasqyronte më së miri vlerat e përbashkëta midis dy popujve tanë dhe “miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, në kuptimin më të mirë fjalës, siç ka thenë dikur i ndjeri President Ibrahim Rugova, arkitekti historik i këtyre marrëdhënieve. Kjo ndjenë miqësie dhe vlerash të përbashkëta u pasqyrua edhe në rezolutën e Senatit të shtetit Teksas që iu dorëzuar Presidentes Osmani gjatë një darke për nder të saj nga Senatori Tan Parker, në të cilën theksohet, “Vizioni i përbashkët për liri, demokraci dhe begati ekonomike…duke shpresuar se partneriteti midis Teksasit dhe Kosovës do të vazhdojë të rritet në vitet e ardhëshme.”

Më në fund, besoj se Presidentja e Republikës së Kosovës, Zonja Vjosa Osmani po largohet nga vizita e saj zyrtare në Teksas e kënaqur me arritjet por edhe me një bindje të përforcuar për lidhjet e ngushta të shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara dhe për mbështetjen amerikane për avancimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare – një angazhim i shprehur edhe nga Linda Thomas Greenfield, Ambasadorja e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, njëkohësisht anëtare e kabinetit të Presidentit Biden, në takimin e saj me Presidenten Osmani, gjatë punimeve të “Partneritetit ndërmjet Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit” (MCC) dhe Republikës së Kosovës.

 

 

 

Në kuadër të takimeve të vizitës zyrtare në Teksas, Presidentja Osmani ka zhvilluar bisedime me autoritetet e shtetit Teksas dhe zyrtarë të lartë federalë edhe për sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

 

Roli i komunitetit shqiptaro-amerikan në marrëdhëniet midis vendeve tona – i pazevendësueshëm, në kohë lufte dhe në kohë paqeje!

Gjatë vizitës në Teksas, pata kënaqësinë të takoj edhe Kongresmenin republikan Keith Self, një zë i fuqishëm i mbrojtjes së aleancës mes Kosovës e SHBA-ve, si dhe mbështetës i vazhdueshëm i komunitetit shqiptaro-amerikan, shkruan Presidentja Osmani në portalin e saj zyrtar.

Frank Shkreli

Sa frymë le në skenë, Alfred Trebicka!!!- Nga PËRPARIM KABO

Artistin e skenës Alfred Trebicka, e kam parë si Arturo Ui të Bertold Brechtit dhe jam tronditur thellë. E kam ndjekur në skenë si Jason te tragjedia Medea e Euripidit dhe tragjizmi i tij i ftohtë ka një ngjyrim të frikshëm emocional. Para ndoca ditësh, unë e përjetova nga fare afër në rolin e Matthais Clausen-it, në dramën tronditëse antropo-psikologjike me titull; “Përpara perëndimit të diellit”, të nobelistit gjerman Gerhart Hauptmann. Eh, i mbushur nga emocioni dhe përgjegjësia, në kushtet e një shoqërie të trazuar e cila, më shumë se kujdeset për teatrin, është duke luajtur dramën e vet tragjike , i nisa këta rreshta falenderimi dhe mirënjohjeje!
I dashur Fredi,
Arti yt ka vetëm një atribut, krejt të mjaftueshëm. Është i vërtetë si i ndjerë dhe i ndjerë si realitet antropoteatror…
Në lojën tënde skenike nuk takon një artist që sjell një personazh të qepur me parime estetike. Jo, jo, loja jote skenike paraqet tipologjinë njerëzore me qënien e personalizuar nga autori dhe mishërimin në skenë nga ana juaj, si të ishit njeriu – personazh. Kështu, shpirti yt dhe i personazhit janë një. Ç’do të kuptonim me njehsim shpirtëror të artistit të skenës me personazhin?
Fillimisht ka të bëjë me tejkalimin e konceptit, t’i futesh nën lëkurë personazhit që, në gjykimin tim , është një veshje forme, pra rindërtim me elemente të kodit F.
Njëshpirtësia është kodi E…, esenca, thelbësorja…, që ka disa elemente.
Ngjarja dramatike e personazhit bëhet jotja jo vetëm si tekst, por si ndjeshmëri, si qenie. Pra , ç’do të thotë tekst- shpirtërimi ose shpirtërim-teksti?
Këtu nis gjithçka. Ka nga ata që mësojnë tekstin, këta janë shumica. Teksti duhet parë e përthithur, siç bëni ju: Tekst, kontekst logjik dhe antropohistorik, dhe nënteksti i rrugëtimit dramatik, që duhet të karakterizohet nga relievi emocional në rrjedhën e ngjarjes. Ju jeni i mëvetshëm në këtë tipar të fundit. Emocioni ka historinë e ngjarjes dhe të dramacitetit të saj, asnjë kapërcim në kohë, që e parathotë fundin pa ardhur ai, nuk mund të lejohet. Të prishësh historinë emocionale, meqë Ti si artist ti e di ngjarjen, do të thotë ta vrasësh personazhin pa e ndërtuar ende atë. Ju keni aftësinë e rrallë të diagramës njerëzore shprehur me art skenik, ku ngjyrimi i zërit, ajri i ndjenjës, përjetimi i gjendjes , përqafohen organikisht dhe bëhen një shpirt që frymon gëzimin dhe dhimbjen, përhumbjen dhe revoltën, meditimin dhe polemikën, vetminë dhe çhipokrizinë e njerëzores së kalbur.
Mik i dashur,
Në artin tënd vlerësoj arkitekturën mendim- fjalë- ndjenjë- emocion- instikt, që botëkuptimojnë qenien skenike. Qenia njerëzore e artistit është shumë ndryshe. Ajo jeton histori pa fund, siç janë personazhet, jeton në kohë, epoka dhe civilizime të ndryshme, siç është konturi historik i jetës së personazheve që ndërtoni në skenë, jeton në ambiente antropologjike larushe, siç janë ato të personazheve të ndryshme.
Tek ti nuk merr përparësi artistikja formaliste, por dominon njerëzorja me plazmën e artit. Në këtë kuptim, personazhet që ti u jep frymë dhe jetë, janë ata që autori i dramës apo tragjedisë ka pasur në shpirtin krijues dhe jo në majën e lapsit.
Sa frymë le në skenë, Alfred Trebicka!!!
Ti mendon…, ajri skenik mendon…
Ti hesht…, ne dëgjojmë heshtjen e ajrit.
Ti flet, shpërthen, mediton, shpaguan, triumfon…!
Kështu bën dhe ajri skenik: flet, shpërthen, mediton, shpaguan dhe ai, duke hyrë brenda nesh…
Sa bukur e shkrin arsyen në veprim…, si të kishe qenë studenti i Immanuel Kantit…!
Të faleminderit, MIK!
Je Princ i skenës…!
P.Kabo. 9 maj, 2024

7501 ËSHTË PADREJTËSI, PADREJTËSIA ËSHTË INFORMALITET, INFORMALITETI ËSHTË MAFIE- Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

E Shtunë, 05.03.2014, 08:54am (GMT+1)

Shoqata Kombëtare e Pronarëve Legjitimë ua ka shpërndarë mediave një letër drejtuar kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama. Në thelbin e saj racional, letra mëton se kjo shoqatë, përkatësisht kategoria e përfaqësuar prej saj, nuk po përfillet si grup interesi as nga ky kryeministër, ashtu si nuk ishte përfillur deri tash nga kryeministrat Fatos Nano dhe Sali Berisha. Pa u përfillur ky grup interesi, pa u përfshirë në zgjidhjen e çështjes së pronës në Shqipëri, ngulmohet në letër, nuk do të ketë drejtësi ndaj pronës, pra nuk do të ketë zgjdhje të vërtetë, por ndërlikim të mëtejshëm të çështjes së pronës. Çështja e pronës, dihet, është përcaktuese për natyrën e vërtetë të çdo sistemit, historikisht – a është ai skllavopronar, feudal apo borgjez, aktualisht – a është ai kapitalist, socialist apo mafioz.

Nisur nga alergjia që Edi Rama manifeston në retorikën e tij ndaj dyshes Nano-Berisha, mishërues të tranzicionit dykokësh shqiptar, unë jam nga ata që ka pritur dhe ende vazhdon të presë që kryeministri i ri të krijojë shkëputje nga dy paraardhësit kryesorë. Pa u bërë shkëputja nga trashëgimia e kësaj dysheje, nuk mund të bëhet shkëputja nga politika e vjetër, nuk mund të ketë, pra, as Rilindje të vërtetë në realitetin shqiptar.

Edi Rama iu ka premtuar shqiptarëve, ndër të tjera se do t’ia kthejë Shqipërisë fshatin, një përmasë të humbur të realitetit të saj, kështu do t’ia kthejë ekonomisë një këmbë të humbur të saj, bujqësinë. Nëse kryeministri kërkon të dijë se kush dhe çka shkaktoi braktisjen e fshatit dhe ruralizimin e qytetit, atëherë përgjigja është ligji 7501. Është e vërtetë se ky ligj shënon edhe kompromisin më të madh midis PS-së dhe PD-së në historinë e këti tranzicioni. Por është e vërtetë gjithashtu se ky është kompromisi më famëkeq i arritur midis këtyre dy grupimeve, si dhe midis krerëve të tyre.

Nuk është zbatimi i keq i këtij ligji shkak kryesor i dështimit të politikës ekonomike të Shqipërisë, i informalizimit të kësaj ekonomie dhe të jetës shqiptare në përgjithësi, por është vetë ligji, është pazabtueshmëria e këtij ligji, burim i të gjitha të këqijave. E thonë filozofë të shquar, e thonë edhe vetë librat e shenjtë se vendimet e shumicës, vendimet në emër të shumicës shpesh përbëjnë padrejtësi të mëdha. I tillë është edhe ligji 7501, një ligj përjashtues ndaj një kategorie që përbën pakicë tek kutia e votimit. Fakti që kjo kategori përbën pakicë, në të vërtetë, e lehtësonte zgjidhjen e padrejtësisë historike, tashmë treçerekshekullore ndaj çështjes së pronës.

Ligji 7501 legjitimonte Reformën Agrare të vitit 1947, të cilin Historia e PPSH dhe e gjithë historiografia komuniste e përcakton si reformë demokratike. Duke e kopjuar symbyllur Enver Hoxhën, dyshja Nano-Berisha nuk e morën parasysh ndryshimin e realitetit shqiptar nga viti 1947 deri në vitin 1991. Kështu që, mbi një padrejtësi të madhe historike ndërtuan një padrejtësi tjetër tejet tragjike. Kjo padrejtësi e re u bë shkak kryesor i krimit ndaj jetës në Shqipëri, duke shkaktuar më shumë viktima se të gjitha pushtimet marrë së bashku, për më tepër ky krim përçau familjet, farefiset, e tronditi dhe e çekuilibroi fatalisht bashkëjetesën në këtë vend. Përjashtimi i një kategorie pakicë, pra, çoi në rrënimin e vetë shumicës në emër të së cilës u miratua ligji 7501.

Kryeministri Edi Rama po i përmbahet premtimit të tij për të përfunduar procesin e legalizimit të ndërtimeve të paligjshme. Mbyllja e tij sa më e shpejtë do të ndihmonte në fillimin e procesit të urbanizimit të vendit, pra të qytetit dhe të fshatit shqiptar, të bregdetit, të fushës dhe të malësisë. Ky legalizim, ndërkohë, shënon grabitjen e trojeve, pra, pronës së pronarëve legjitimë, duke e përshkallëzuar më tej padrejtësinë treçerekshekullore. Kjo situatë pjell informalitet dhe informaliteti pjell vetëm mafie. Është, kështu, më urgjente se kurrë përfshirja e kategorisë së pronarëve legjitimë në bashkëbisedimin për gjetjen e zgjidhjeve sa më të pranueshme për t’i dhënë fund padrejtësisë, për t’i dëmshpërblyer të dëmtuarit dhe për t’i kënaqur kërkesat e tyre.

Kjo do t’i jepte fund, nga një anë, krijimit të oazeve të reja të parajsës, ku jetojnë oligarkët, rrethuar prej ferrit ku jeton pjesa tjetër e popullsisë. Nga ana tjetër, do t’ia kthente jetën fshatit, do t’ia kthente bujqësinë ekonomisë, do t’ia kthente tregut shqiptar prodhimet bujqësore dhe blegtorale, do ta shndërronte atë në burim të degëve të reja të ekonomisë, në burim masiv të vendeve të reja të punës, në burim të shtrirjes së zhvillimit dhe zgjerimit të mirëqenies.

Shqipëria mëton të ndërtojë infrastrukturë për zhvillimin e turizmit. Por kjo nuk mund të ndërtohet pa infrastukturë të jetës së vendit. Pa kthimin e jetës në fshat anembanë vendit nuk mund të ketë ringjallje të infrastrukturës së tij. Asnjë turist serioz nuk do t’ia mësynte një vendi me rrënoja. Shqipëria do të shndërrohej kështu thjesht në një burim të turizmit aventuror.

Zgjidhja e çështjes së pronës në Shqipëri nuk mund të bëhet duke i përjashtuar pronarët ligjitimë nga pjesëmarrja në zgjidhjen e kësaj çështjeje, nuk mund të zgjidhet duke mos ua dhënë atyre paratë e fituara nëpërmjet Gjykatës së Strasburgut. Kjo kategori meriton të zgjedhë midis shanseve më të mira të mundshme, të cilat janë reale dhe të mundshme në Shqipëri. Kjo kategori meriton dëmshpërblimin për treçerekë shekulli të grabitjes së padrejtë dhe shpërdorimit mizor të pronës së tyre të ligjshme.

Kryeministri Rama, shumica e re qeverisëse, klasa politike në Shqipëri, sa më shpejt të vetëdijësohet, aq më mirë: Ligji 7501 është bërë në dëm të një pakice të ligjshme. Zbatimi i tij nuk ka qenë dhe nuk do të jetë në të mirë të shumicës së popullsisë. Ai ka krijuar në këtë tranzicion një pakicë të re të paligjshme pronarësh dhe të pasurish, e cila përditë e më shumë shndërrohet në një problem që nuk e ndihmon, por e pengon zgjidhjen e problemeve të shumta me të cilat është i mbingarkuar stërmundimshëm realiteti shqiptar.

DITA E EVROPËS, 2024 DHE SHQIPTARËT– GËZUAR DITËN E BASHKIMIT EVROPË, QOFTË EDHE PA SHQIPËRI E PA SHQIPTARË! Nga Frank Shkreli

9 Maji, 2024, shënon Ditën e Evropës, përvjetorin e Deklartës Schuman (9 Maj, 1950), 74-vjet më parë, në bazë të cilës është themeluar Bashkimi Evropian (BE) – enti politik dhe ekonomik evropian që njohim sot. Deklarata mban emrin e Robert Schuman, ish Ministrit të Jashtëm të Francës dhe ish-Presidentit të Parlamentit Evropian, në bazë të cilës, fillimisht, çoi në themelimin e një tregu të përbashkët për qymyrin dhe çelikun evropian me qëllim për të “bërë të pamundur luftën nga pikëpamja materiale”, por që më vonë e, gradualisht, kjo deklaratë çoi në një bashkim politik dhe ekonomik më të gjërë. Vendet themeluese të këtij enti të ri politik dhe ekonomik në kontinetin evropian ishin Belgjika, Franca, Italia, Luksemburgu dhe Holanda që vendosën themelet e para të një organizate evropiane për një paqë të qendrueshme dhe për një Evropë të bashkuar. Sot
BE është një ent politiko-ekonomik prej 27 vendesh anëtare me privilegje dhe përgjegjësi, sipas traktave në fuqi për antarësim.

Gëzuar Ditën tënde të Bashkimit dhe Paqës, Evropë – qoftë edhe pa Shqipëri e pa shqiptarë, në radhët tua. 74-vjetori i Deklaratës së Schumanit, 9 Maj, 2024, për fat të keq, dhe për më shumë se një shekull tanimë, gjenë Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët, ndonëse me dy shtete në Ballkan, gjithnjë të izoluar dhe të përjashtuar nga Evropa e Bashkuar. Pothuaj, aq të izoluar e të përjashtuar nga Evropa ashtu si edhe 105-vjet më parë kur At Gjergj Fishta i Kombit shqiptar në Konferencën e Paqës në Paris (1919) iu ishte drejtuar para-ardhësve përfaqsues të shteteve evropiane — “Evropës së qytetnueme” — siç u është drejtuar ai atyre me pak ironi në fjalimin e tij klasik mbi të drejtat e mohuara të Kombit shqiptar.

Në Ditën e Evropës, 2024, po i kujtojmë “Evropës së Qytetënueme”, se 6 Maji shënoi ditëlindjen e Heroit Kombëtar të Shqiptarëve Gjergj Kastriotit -Skenderbe – “Mbrojtësi i Qytetërimit Evropian” – i këtij qytetërimi që shumica e shteteve evropiane gëzon sot, të bashkuar, të pavarur e të lirë, por pa bashkatdhetarët modernë të Gjergj Kastriotit -Skenderbe në mesin tuaj, si pjesëtarë të këtij bashkimi kombesh. “Mbrojtësit të Evropës”– bashkatdhetarët e të cilit i mbani, sot e kësaj dite, jashtë dhe të përjashtuar nga radhët e bashkimit tuaj.

Megjithëse kanë kaluar disa shekuj, ia vlen ndoshta që tu kujtojmë evropianëve modernë të qytetëruar – në këtë ditë kushtuar Ditës së Evropës — se ata e gëzojnë atë qytetërim sot, fal fitoreve të Kryetrimit të shqiptarëve, Gjergj Kastriotit-Skenderbe kundër perandorisë osmane që synonte pushtimin e Evropës së asaj kohe – fitore të cilat kishin marrë namin anë e mbanë Evropës, duke e cilësuar Skenderbeun si “Mbrojtësi i Evropës”, por që sot janë pothuaj janë harruar nga evropianët modernë.

Mbrojtësi i Evropës — Me këtë emër, Evropa e njofti dhe e trajtoi gjatë historisë deri në ditë e sotëme nepërmjet qindra sh në gjuhët kryesore evropiane, poema, filma e monumente anë e mbanë kontinetit të vjetër. Vetëm ditën e 6 majit, 2024, të pakën 5-6 monumente u ngritën anë e mbanë Evropës, nga Italia, në Gjakovë e deri në Hungari, në nder e kujtim të Gjergj Kastriotit, Mbrojtësit të Evropës dhe Prijsit të Shqiptarëve. “Fat i vetëm për çdo burr të madh lufte dhe i rrallë për burrat më të mëdhej të çdo kohe”, do të shprehej dikur, albanologu në zë, At Zef Valentini në një shkrim për famën e Gjergj Kastriotit në Evropë.

Urime pra, Evropë ditën tënde 2024, ditën e bashkimit e të paqës, qoftë edhe pa Shqipëri e pa Shqiptarë në radhët tua, por me shpresën që në një të afërme jo të largët, të hapësh portat tua për shqiptarët– porta të cilat Gjergj Kastrioti -Skenderbeu i mbrojti nga hordhitë otomane në kohën e tij. Hapi portat sot Evropë edhe për Shqipërinë, Kosovën e për Shqiptarët, “si një mundësi e meritim që shqiptarët të jenë element kuptimi dhe paqeje ndërmjet fisesh e gjuhësh të ndryshme”, të Evropës. (Papa Pali i VI –1968).

Shqiptarët kanë dashur, historikisht dhe duan të jenë, aktualisht, pjesë e Evropës së bashkuar e të lirë, jo vetëm gjeografikisht, anëtarë të Bashkimit Evropian – pro-perëndimor me vlera, sjellje e kulturë, në shtëpinë e përbashkët të quajtur Evropë.

Evropa e bashkuar dhe e lirë, në këtë ditë, duhet të shfaq mirënjohjen e saj për fitoret e Gjergj Kastriotit – Skenderbe, për sakrificat e rënda të shqiptarëve gjatë historisë, në mbrojtje të dyerve të Evropës dhe qytetërimit evropian nga sulmet e herë-pas-hershme nga perandoria osmane. Ndërsa, Gjergj Kastrioti-Skenderbe u tregon shqiptarëve udhën që ata duhet të ndjekin drejtë integrimit të tyre në Evropën e bashkuar e të lirë.

Dallaveraxhinjtë e regjur të BE-së – Nga AUREL DASARETI

 

Dallaveraxhinjtë e regjur të BE-së “demokratike” që e puthin “popullin qiellor” serb edhe rreth organit gjenital, nuk i ndalin kërkesat ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Lexova se, citat: “Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ngulur këmbë të mërkurën se Qeveria e tij nuk do ta pranojë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe si kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE). Duke folur në mbledhjen e Qeverisë në Prishtinë, Kurti tha se Kosova është duke u përballur javët e fundit me “një kusht të ri, i cili nuk ka aspak të bëjë me anëtarësimin” në Këshillin e Evropës”- citat fund.

Është natyra jonë të përsërisim veten, po të përsërisim veten.

Kam thënë qindra herë:

Nëse duhet t’i përmbahemi terminologjisë (taktikës) ushtarake, kundërshtari që beson se ka pushtuar një pozicion të rëndësishëm në luftën kundër palës rivale, nuk është i interesuar të bëjë kompromis por e përdor këtë pozicion si pikënisje për të pushtuar një pozicion të ri.

Të gjitha llojet e asociacioneve (serbe) janë vdekjeprurëse për Kosovën. Duhet refuzuar. Asociacioni pa kompetenca ekzekutive apo me kompetenca ekzekutive, faktikisht është i njëjtë. Është vetëm çështje kohore, kur gradualisht (në një proces gradual), ai pa kompetenca do bëhet me kompetenca. Dhe, Kosova na la

Aurel Dasareti, USA

Mezi e pret Lugina e Preshevës Borrelin të ndikojë në qeverin e Serbisë të ndalë diskriminimin- Nga REFIK HASANI

,,Mezi pres të punoj me ju, me ministrin e Jashtëm Marko Gjuric dhe Qeverinë serbe, për ta çuar Serbinë përpara në rrugën e saj drejt BE-së, shkroi Borrel në rrjetin X.’’ Politikani spanjoll që është kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell.
I ngarkuari i BE-së Borrel, nuk i ka kërkuar me ngulm dhe nuk i kan bërë presion Serbisë pas përfundimit të luftës së UÇPMB-ës dhe Marrëveshjes së Konçulit, që Serbia të kthej Lapidarin e UÇPMB-ës në Preshevë.
I ngarkuarit i BE-së Borrel, nuk i ka kërkuar  Serbisë, pasi që Shqiptarët në Republikën e Serbisë, jan të diskriminuar, pasi po na pasivizohen adresat dhe po ndodh një pastrim etnik-një dëbimi dhe diskriminim, pasi kjo Krahinë është Rajoni më i pazhvilluar në gjithë Evropën.
I ngarkuari i BE-së Borrel, nuk i ka kërkuar Serbisë, pasi që Shqiptarët në Republikën e Serbisë, mungon Universiteti në gjuhën Shqipe, rregullimi me Ligjë përdorimin i Simbolit tonë Kombëtarë shqiptarë Flamurit dhe përfaqësimi në instanca dhe mekanizma të nivelit lokal dhe Qendror.
Do të duhej të mos mbështesin me dy standarde në këtë rast mbështesin pakicën Serbe në Kosovë.
Po harrojn Shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoci që në vitin 1992, është mbajtur dhe organizuar Referendumi.
Kjo qeveri e kësaj legjislature të Serbisë, së shpejti do të japin  betimin solemn, dhe mbesim me shpresë se do të reflekton, jo vetëm me fqinjët por edhe  me shqiptarët në Krahinën e Sanxhakut dhe  Medvegjën ,Bujanocin, dhe Preshevë dhe kudo që jetojn shqiptarët në Serbi.
Mezi e pret Medvegja,Bujanoci, dhe Presheva të ngarkuarin e BE-së, Josep Borrell, të ndikoj në qeverin e re Serbe, të ndal diskriminimin!?.
© Refik HASANI      04.05.2024

Qeveria e re serbe me dy zëvendëskryeministra rusë- Nga SHABAN MURATI

Shënime nga blloku diplomatik

Nuk ka informacion nëse është ngutur ndonjë qeveri ballkanike t’i dërgojnë urime kryeministrit të ri serb Vuçeviç, qeveria e të cilit u miratua në 2 maj 2024 nga parlamenti i ri serb. Në fakt një gjest i tillë i nxituar diplomatik do të vlerësohej dhe përshëndetej shumë në Kremlin, sepse qeveria re serbe e Vuçeviçit ka dy zëvendëskryeministra rusë, Aleksandër Vulin dhe Ivica Daçiç. Ka një konsensus diplomatik ndërkombëtar se të dy zëvendëskryeministrat e mësipërm janë mercenarë nga më të besuarit rusë të Kremlinit në Serbi.

Zëvendëskryeministri Vulin është dekoruar tri herë nga Kremlini me dekoratat më të larta shtetërore për shërbime të posaçme ndaj mëmës Rusi. Atë e kanë dekoruar personalisht me dekorata të veçanta presidenti i Rusisë Putin, drejtori i Shërbimit Sekret Rus, FSB, dhe ministri rus i mbrojtjes. Nuk ka një shtetas rus, që t’i ketë marrë këto tre dekorata të larta në karrierën e tij zyrtare. Zëvendëskryeministri Daçiç është dekoruar me urdhërin më të lartë rus personalisht nga presidenti i Rusisë Putin për shërbime të posaçme ndaj Rusisë. Dekoratën më të lartë shtetërore ruse ka marrë nga preidenti rus Putin edhe ministri i qeverisë së re serbe Nenad Popoviç.

Kemi pra një qeveri të re serbo-ruse në Beograd, që sipas rrenave diplomatike të presidentit Vuçiç, e ka prioriritet integrimin europian të Serbisë në BE, megjithëse realisht e ka integuar Serbinë me Rusinë dhe me Kinën dhe madje po kërkon publikisht të fusë Serbinë në BRIKS, aleanca e krijuar sëbashku  nga Rusia dhe Kina. Nuk është rastësi që kryemercenari rus në Serbi, presidenti Vuçiç, e caktoi qeverinë e re me dy zëvendëskryeministra rusë. Presidenti serb Vuçiç është dekoruar në vitin  2019 nga presidenti rus Vladimir Putin me urdhërin e lartë “Aleksandër Nevski”, të cilin e kanë marrë vetëm pesë presidentë të pesë shteteve satelite të Moskës, që kanë dalë nga ish-Bashkimi Sovjetik. Për shërbimet e posaçme ndaj Rusisë Kremlini e ka vlerësuar lart pesidentin Vuçiç, njësoj sikur Serbia të jetë si pesë shtetet e tjera anëtare e organizatës ruse të “Unionit të Shteteve të Pavarura” të krijuar nga Kremlini me shtetet ish-republika sovjetike.

Presidenti Vuçiç po ia kalon çdo ditë miun serb nën mustaqet e diplomacisë perëndimore dhe e pa se ajo nuk po don të zgjohet nga gjumi i iluzioneve ndaj udhëheqjes aktuale të Serbisë. Ndaj Vuçiç jo vetëm vuri tre rusë të rëndësishëm për Kremlinin në qeverinë e re serbe, por ia përplasi në fytyrë sfidën Perëndimit, duke caktuar qëllimisht si anëtarë kabineti Aleksandër Vulin dhe Nenad Popoviç, të cilët janë sanksionuar non grata nga SHBA pikërisht për shkak të shërbimeve të tyre për Rusinë në Ballkan. Ironia është se presidenti  Vuçiç në muajin nëntor të vitit të kaluar e hoqi Vulinin nga posti i shefit të shërbimit sekret serb dhe në gjitha korridoret diplomatike perëndimore e trumbetoi dhe e shiti sikur po plotësonte një dëshirë të amerikanëve, të cilët nuk e donin Vulinin, që i shërbente interesave ruse në Serbi dhe në Ballkan. Pa mbushur gjashtë muaj nga e ashtuquajtura heqje e tij Vuçiç e emëron Vulinin tani në postin e lartë të zëvendëskryeministrit të qeverisë së re serbe.

Në vazhdën e talljes së tij shumëvjeçare diplomatike me Perëndimin Vuçiç i thotë SHBA dhe BE se ai po i vë mercenarët ruse në qeveri “për ta larguar Serbinë nga Rusia”. Një përrallë kjo, që kanë qejf ta dëgjojnë diplomatët e sklerozuar perëndimorë në Beograd.

Vuçiç luan melodinë naive europiane se Serbia ka prioritet integrimin europian. Presidenti serb, që caktoi dhe drejton qeverinë e re serbe me tre ministra të rëndësishëm rusë, ka të drejtën e plotë të tallet me BE dhe me diplomacinë perëndimore, që rrejnë vetveten dhe publikun e tyre me çfaqjen prestigjiative që “Serbia po ikën nga Rusia”. Natyrisht diplomacia perëndimore, njësoj si në përrallën e mbretit lakuriq të Andersenit, ka të drejtën të besojë se qeveria e re serbë me dy zëvendëskryeministra dhe një ministër rusë dhe me në president ultra filorus, do largohet më shpejt nga Rusia, sepse kështu duan të gënjejnë veten disa diplomatë europianë të BE ose të departamentit amerikan të shtetit. Sepse nuk mund të besojnë veshët idiotizma diplomatike të tilla kur një diplomat i lartë perëndimor deklaron edhe pas atentatit terrorist shtetëror të Serbisë në Banjskë të Kosovës se Serbia e don Amerikën më shumë se sa e don Kosova.

A është kjo miopi i diplomacisë perëndimore? Jo, është alibia e ndërgjegjëshme, që i jepet Rusisë për ta pasur nën influencën e saj Serbinë, “botën serbe” dhe “Ballkanin e hapur”. Mos harroni! Disa pazare të mëdha të diplomacisë së fshehtë të fuqive të mëdha bëhen edhe pa spektakle të vjetër gjeopolitikë si ai i Jaltës.

Kosova po merr gjithnjë e më shumë kërkesa të çuditshme- Nga Aurel Dasareti, USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike

Përsëritja e pandërprerë e “ndërmjetësve të paqes” nga e gjithë bota për krijimin e një asociacioni në Dardaninë ilire-shqiptare për serbët e vetëshpallur si “popull qiellor”, është shumë e çuditshme por nuk duhet të jetë e mërzitshme. Vetëm shikoni “lindjen” e diellit në Serbinë kriminale.
***
Ata që thonë se paraja nuk mund të blejë lumturinë nuk e kanë shijuar kurrë çokollatën e BE-së, vodkën ruse dhe rakinë serbe.
Kërkesat e çuditshme dhe të pandalshme për formimin e një “shoqate” serbe në territorin e Kosovës, në asnjë rast nuk duhet pranuar, pa marrë parasysh se “ndërmjetësit” e njëanshëm “garantojnë” se nuk do të jetë e dëmshme për shqiptarët dhe shtetin e Kosovës. Sido që ta maskojnë dhe fshehin, është vdekjeprurëse. Kurth për të ripushtuar Kosovën.
Ndërmjetësit e njëanshëm u thonë shqiptarëve të Kosovës: – Nëse doni të bëni paqe me armikun tuaj të përjetshëm, duhet të bashkëpunoni me armikun për të prerë pjesë të tjera të vendit tuaj dhe t’ua jepni atyre. Atëherë ai do të bëhet partneri juaj i besuar dhe bashkëpronar i pjesës tjetër të tokës që ju ka mbetur. Dhe, ju do të pranoheni në BE dhe kudo.
Ligji moral është universal dhe thelbi i etikës është se njeriu duhet të veprojë në përputhje me ligjin moral.
Pyetja është: A mendoni se kanë moral “ndërmjetësit” në fjalë, të cilët kanë mbushur thasët me euro, rubla dhe dinarë?
Për Serbinë sllave-ortodokse që nuk beson aspak në Zot por në Djall dhe fenë e ka vetëm si reklamim për të përfituar simpatinë e Evropës së “krishterë”, është jashtëzakonisht e rëndësishme (jetike) të pushtojë dhe përvetësojë sërish pasuritë marramendëse të Dardanisë ilire-shqiptare: Miniera e Trepçës, Liqeni i Ujmanit…
Nëse duhet t’i përmbahemi terminologjisë (taktikës) ushtarake, kundërshtari që beson se ka pushtuar një pozicion të rëndësishëm në luftën kundër palës rivale, nuk është i interesuar të bëjë kompromis por e përdor këtë pozicion si pikënisje për të pushtuar një pozicion të ri.
Kosova bën lëshime, vetëm jep dhe jep, prandaj Serbia, e cila ka bërë shumë gjenocid ndaj shqiptarëve vetëm kërkon dhe kërkon.
Pse të ndaloni kur e dini se gjithmonë fitoni?
Të gjitha llojet e asociacioneve (serbe) janë vdekjeprurëse për Kosovën. Duhet refuzuar. Asociacioni pa kompetenca ekzekutive apo me kompetenca ekzekutive, faktikisht është i njëjtë. Është vetëm çështje kohore, kur gradualisht (në një proces gradual), ai pa kompetenca do bëhet me kompetenca. Dhe, Kosova na la…
Të jemi të qartë, ndërmjetësve dhe të gjithë të huajve të tjerë, nuk u vjen keq aspak që shqiptarët po humbasin; si gjithë krijesat e tjera, edhe ata janë të përkohshëm në këtë botë, përndryshe të vdekshmit e zakonshëm.
Përçarja mes shqiptarëve kur atdheut (mëmëdheut) i kërcënohet rreziku nga fqinjë gjakpirës është armiku ynë më vdekjeprurës. Ne duhet t`i premtojmë njëri-tjetrit vëllazëri. Një unitet gjithëkombëtar të pathyeshëm, të mbështetur në qëllimet e interesat e përbashkëta. Bashkim të fortë dhe të pandashëm, kudo që gjendemi, pavarësisht nga ndryshimet e parëndësishme që janë plotësisht normale në të gjitha vendet.
O shqiptar! Mos shkel mbi gjakun e dëshmorëve.

A PO FSHIHET KUJTESA KOLEKTIVE E KRIMEVE TË KOMUNIZMIT NË SHQIPËRI? Nga Frank Shkreli

Lexova në gazetën Telegraf të Tiranës një reportazh nga korrespondenti Gëzim Kabashi i entit mediatik ballkanik, BIRN se ndërtesa e ish-burgut të vjetër të qytetit bregdetar të Durrësit, “po rrënohet dhe me të rrezikon të zhduket një pikë reference e kujtesës kolektive për viktimat e regjimit komunist.”

Në raportin e BIRN thuhet se “Godina e burgut të vjetër në Durrës po rrënohet dita-ditës, ndërsa banorët po e harrojnë funksionin e saj të dikurshëm.  Menjëherë pas përfundimit të luftës, qindra qytetarë u mbajtën të izoluar brenda mureve të këtij burgu, si të hetuar apo të burgosur politikë. Mjaft prej tyre patën një fund të dhimbshëm, por e kaluara dramatike e kësaj ndërtese gjatë viteve të komunizmit duket se po fshihet nga kujtesa”, konstaton ndër të tjera, artikulli i BIRN.

Nëqoftse ky lajm vërtetohet për faktet që paraqet, atëherë ky akt është në vazhdimësinë e rasteve të tjera të turpshme e të shëmtuara të politikës së qëllimshme të tre dekadave të kaluara, në përpjekje për zhdukjen e gjurmëve të krimeve të komunizmit të regjimit të Enver Hoxhës në Shqipërinë e ashtuquajtur post-komuniste, në Shqipërinë — anëtare e NATO-s. Çfarë hipokrizie! Turp të ketë Tirana zyrtare – pozitë dhe opozitë — që me masa të tilla siç është ky lajm për shembjen e godinës së ish-burgut të Durrësit, po vazhdojnë — për më shumë se tre dekada të ashtuquajur tranzicion, që disa e quajnë demokraci – me qëllim të fshijnë nga kujtesa krimet e komunizmit dhe të pëjetësojnë si diçka pozitive — trashëgiminë e regjimit më diktatorial sllavo-komunist në Evropë, e ndoshta në botë.

Në atë godinë të burgut të dikurshëm të Durrësit, me qindra shqiptarë kundërshtarë të regjimit kanë vuajtur dënimet dhe kanë ndërruar jetë nën torturat më çnjerëzore, disa prej më të shquarve të Shqipërisë së asaj kohe, si Myftiu i Durrësit, Mustafa Varoshi, i cili sipas shkrimit të BIRN ishte 50 vjeç, kur vdiq nga torturat dhe sëmundja në Burgun e Durrësit, ku për vite me radhë predikoi paqen dhe mirësinë. Imzot Vinçenc Prenushi – “Bariu i katolikëve dhe engjëlli i myslimanëve” dhe poeti e shkrimtari Arshi Pipa i cili mundi t’i shpëtonte ferrit komunist të Enver Hoxhës duke u arratisur në Shtetet e Bashkuara, prej ku pastaj me shkrime dhe vepra dëshmoi vuajtjet dhe vdekjet nga torturat komuniste në atë burg dhe shumë individë të tjerë të ajkës së Kombit shqiptar.

Në një ese të gjatë, “Kujtime Mbi Vinçenc Prendushin”, botuar në “Flije të Atdheut”, botim i aktivistit shqiptaro-amerikan, të ndjerit Gjon Sinishta, poeti e shkrimtari Arshi Pipa, i cili pas arratisjes nga Shqipëria komuniste kaloi pjesën tjetër të jetës duke dhënë mësim në universitete amerikane dhe duke shkruar për përvojën e tij në burgun e Durrësit, që sipas lajmeve do të rrënohet — dhe në burgje të tjera të regjimit komunist — në shumë kujtime dhe dëshmi ka shkruar, ndër të tjerë, edhe për vuajtjet, torturat dhe vdekjen e klerikut të Kishës Katolike Shqiptare, tashti i shpallur i lumë si martir i Kishës Katolike Universale, Imzot Vinçenc Prendushit. Arshi Pipa shkruante, si pasqyrim, ndër të tjera, dëshminë e tij mbi kujtimet e vuajtjeve në burgun e Durrësit ku ka qëndruar për një kohë së bashku me Imzot Prendushin:

“Nanduer, 1947. Hove, hove, të burgosunit janë nxjerrë përpara gjyqit ushtarak. Ashtë vala e terrorit ma të egër, Intelektualë, teknikë, klerikë por edhe zejtarë, fshatarë, të gjithë ata që mendohej se janë kundërshtarë, veprues ose jo, të partisë, janë fshi dhe rrasë nepër burgje. Gjykimi ashtë sa për sy e faqe: proceset kurdisen ma parë nga Ministria e Mbrendshme, gjyqi vetëm i ve në skenë…Njeriu pandeh se gjëndet në nji seancë hetuesie por mbasi e bien në burg merr vesh se ashtë para gjyqit ushtarak…Në sallën e vogël qendrojnë mbi banka rreth gjashtdhjetë të burgosun. E shumta nuk njohin njani tjetrin. Fytyra të nxime, të hjekuna, që kqyren me njëri tjetrin frikshëm, pabesueshëm…Përpara meje ashtë nji burr me flokë të bardhë, i mbledhun kuspull, i veshun me nji mantel të zi, të dalun boje. Nuk ka lëviz gjithë kohën. Lëviz tash në thirrje të nji emni: “Vinçenc Prendushi”. “Ngrihet ngadalë, mundshëm dhe ulet mandej pa thanë asnji fjalë. Prokurori lexon pretencën e të pandehurit. Akuzat janë krejt gjenerike, pa asnji fakt konkret, “anmik i popullit”, “bashkpuntor i okupatorit”, “fashist”. Theksohet fakti se ka qenë peshkop i Kishës Katolike dhe me këtë rast, shtohen frazat: “klerik reaksionar”, “agjent i Vatikanit”. Në fund kërkimi i dënimit: 20 vjet”, dëshmon Arshi Pipa në shkrimin e tij, “Kujtime mbi Vinçenc Prendushin”. Por Imzot Vinçenc Prendushi nuk e kryen dënimin sepse nga vuajtjet e torturat në burgun e Durrësit, ai aty ndërron jetë pas torturash të tmershme.

Kështu i kujton minutat e fundit të jetës në këtë botë të Imzot Prendushit pas toruturave, bashkvuajtësi i tij Arshi Pipa në esenë e sipër-përmendur: “Imzot Prendushi u nda kso jete nji natë të Frorit, 1948. Atë natë kishte zjarm në votër. Kur ja mbylla sytë, sytë e lodhun e të shterrun, që aq shumë kishin rektue për dritë, mu duk se pashë në fytyrën e tij, të hajthët, të shkrime, të paqtë mbas nji mundimi, nji ndriçim jo të zakonshëm. Ndofta mue më bajshin sytë e përlotun, ndofta nuk ishte veçse nji refleks i flakrimeve të kuqremta të zjarmit të votrës, ngujue ndër rrudhat e thella të ballit të gjanë, ndër zgavrrat e faqeve dhe ndër gropëzat e syve. Por, ndofta ishte diçka tjetër. Shpirti që në rrethanat e dhimbjes fizike topitet, tkurret, terratiset, ai kullohet prej saj, kur dhimbja të prajë, si ujt prej lymit që e pat trazue. Njeriu mund të mos besojë në pavdeksinë e shpirtit. Por ashtë vështirë me pranue se gjithçka mbaron me trupin kur vërejmë qysh njerzit vdesin për ideale”, e përmbyll esenë e tij Profesori Arshi Pipa mbi vuajtjet, mundimet dhe më në fund vdekjen në duart e tij të Imzot Vinçenc Prendushit në burgun e Durrësit, pikërisht në atë godinën, ku sot po njoftohet se do të rrënohet duke zhdukur përgjithmonë gjurmët e krimeve të kryera në atë godinë nga regjimi sllavo-komunist. Por e vërteta, heret ose vonë, del në shesh, mbetet e gjallë nga dëshmitë sado që diktatorët dhe autokratët apologjetë të komunizmit sot duan të justifikojnë, të harrojnë dhe të zbukurojnë trashëgiminë kriminale të regjimit komunist. Një ndër këto dëshmi të gjalla “të kohës së robnisë” e të krimeve të regjimit të Enver Hoxhës në burgun e Durrësit, shënon 65-vjetorin e botimit (1959) – Libri i Burgut – i Profesor Arshi Pipës, njërit prej të dënuarve të regjimit në atë godinë burgu në rrënim e sipër sot. Sipas vet fjalëve të autorit në paraqitje: “Kështu qysh heret shestova me mbledhë në këtë libër përvojën time, por jo vetëm timen, të kohës së robnisë, që të ishte ky libër dëshmi e jetës së burgut e të kampit — e nji ane të jetës nën diktaturën komuniste e cila karakterizon mirë gjithë kompleksin”, ka shkruar ish-i burgosuri në burgun e Durrësit, Profesor Arshi Pipa.

Autoritetet shqiptare mund të rrafshojnë, paturpësisht, sot godinën e burgut të Sigurimit në Durrës, në përpjekjet e tyre për të fshirë gjurmët e krimit të regjimit sllavo-komunist aty dhe anë e mbanë Shqipërisë. Por, ama, ata nuk do mund të shlyejnë dëshmitë e gjalla të ish-të burgosurve dhe “monumentet” e dëshmitarëve siç është Libri i Burgut i Profesor Arshi Pipës, në 65-vjetorin e botimit, kushtuar “Deshmorëve të Kombit që ranë kundër komunizmit me nderim, Auktori kushton”.

Frank Shkreli

Sivjet është 65-vjetori i botimit të librit të Profesor Arshi Pipës (1959), një përmbledhje e vargjeve të shkruara në birucat e burgjeve të Enver Hoxhës, përfshir burgun e Durrësit – “Nji libër që u nis bash me qëllim që të dilte ai nga burgjet, nga të cilat unë ndofta nuk do delsha”, ka shkruar Arshi Pipa.

“Godina e burgut të vjetër në Durrës po rrënohet dita-ditës, ndërsa banorët po e harrojnë funksionin e saj të dikurshëm”. (Gëzim Kabashi, BIRN) –Burgu ku Kleriku i madh Imzot Vinçenc Prendushi dha jetë nën torturat e xhelatëve komunistë në duartë e shkrimtarit e poetit Profesor Arshi Pipa me të cilin ndau qelinë –dëshmitar, siç ka shkruar edhe ai vet, “për të vërejtur se qysh njerzit vdesin për ideale.”

Po të mos e kisha gruan doktoreshë… – Nga Andon Dede, Nju York

 

Po kryeja stazhin e Partisë, në NKEM. Një ditë nuk po ndjehesha mirë dhe mezi i shtyva orët. Sa shkoj në shtëpi i them gruas, që është dhe mjeke, se ç’farë të pija ndonjë ilaç. “Po të jem kështu dhe nesër, nuk do të shkoj në punë, – shtova unë, – duhet marrë ndonjë raport”. Sa herë që vinte fjala për sëmundje e raporte, ajo kishte alergji dhe reagonte shumë ashpër, ndofta është alergjia që kanë zakonisht të gjithë njerëzit për punën e përditëshme të tyre. Por Kostandina e kishte të tepëruar këtë edhe për një arsye tjetër: duke pasur të bëjë me të sëmurë rëndë, shpesh dhe të pashërueshëm, i nënvleftësonte këto sëmundjet e tjera, paçka se ti mund të vuaje. “Ohu, nga këto le të na zënë gjithmonë”, përsëriste kur i ankoheshe. Kështu dhe kësaj radhe: sa i thashë se jam sëmurë e mund të mos shkoj në punë, kërceu përpjetë. Po dhe mua nuk m’u durua: “Mos u mërzit, se nuk të kërkoj asnjë ndihmë! Unë e ndjej se jam aq sëmurë sa çdo mjek ka për të më dhënë një tre ditësh”. Dhe, pa e zgjatur, po me ato rroba që isha veshur, dola jashtë. Vendosa ta provoj njëherë vërtet se mund të bëja dhe pa ndihmën e saj në zgjidhjen e një problemi kaq të thjeshtë shëndetësor. Nuk dua të flas për veten, por pothuajse asnjëherë nuk e shfytëzoja mundësinë që më jepej duke pasur gruan mjeke e, për më tepër, në një pozicion aq nevralgjik, për të marrë raporte të pamerituara. Por kjo është një temë tjetër. Këtu e përmenda se dhe kësaj radhe ia hapa këtë muhabet se isha vërtet sëmurë.
Aty e tek stacioni i urbanit. Pritja po m’i gicilonte edhe më tej nervat. Më në fund autobuzi erdhi. Ndalova tek rruga e Elbasanit ku ishte ambulanca e lagjes sonë. Nuk kishte dhe aq shumë njerëz duke pritur në korridor por dhe ata katër-pesë veta më dukeshin shumë nga që ndjeja se gjendja po më rëndohej: rrufa, koka e trullosur dhe debolesa e përgjithëshme e trupit dukej se po shtoheshin nga çasti në çast. Mendova t’iu lutesha atyre që po përisnin të më lejonin të hyja por, kisha ndrojtjen se mos ma merrnin për keq dhe nuk iu thashë. Aty nuk të beson gruaja jote, thashë me vete, e jo më këta që nuk më njohin fare.
Kur hyra brenda shoh dy gra të ulura në anët e kundërta të tavolinës dhe të them të drejtën po të mos kisha parë stetoskopin në qafën e njerës që ishte shtatzënë, as që do e kisha marrë vesh se kush qe mjekja. U bërë gati t’ia spjegoja se si qe situata, por ajo nuk më la të filloja dhe ma bëri me dorë të ulem, pa më parë fare. Me sa kuptova biseda që kishin nisur prej kohësh qe tepër interesante se nuk ia shkëpusnin as edhe për një moment sytë njera tjetrës. Veprimet me të sëmurin, pra edhe me mua, i bënin mekanikisht e me bezdi se mos humbisnin fillin e muhabetit. Infermierja më zgjati termometrin e po me shënja, më la të nënkuptoja se duhet ta rrasja nën sqetull. Vetëm kur do të shënonte emrin e mbiemrin pata rastin ta shoh e të më shohë në fytyrë. “Për profesionin s’po të pyes, tha, se dukesh që je punëtor” – tha ajo. Mua m’u bë qejfi që ia kisha lënë atë përshtypje, sidomos kur kisha parasysh se përse kisha ardhur. “Ngri rrobat e merr frymë thellë, – më tha doktoresha, pa kthyer as kokën nga unë. Nisi të më dëgjojë, por pa e ndërprerë muhabetin me infermieren. “Kthehu nga ana tjetër”, – më tha si me komandë dhe më trokiti edhe nja dy herë në kurriz. “Mirë, vishu”, – më tha mua dhe se ç’i pëshpëriti infermieres diçka që nuk ma kapi veshi. Infermierja nxiu me të shpejtë disa rreshta, ia dha doktoreshës për firmë e më pas ma zgjati mua. E lexoj dhe shoh se më kishte vënë ca aspirina e një shurup për kollë… “Doktoreshë, po pushim nuk më dhatë se e ndjej veten shumë keq”, i them unë, duke e mbajtur me zor inatin që më kërceu përbrenda. “Jo, nuk ke nevojë” – tha ajo pa e kthyer fare kokën nga mua, siç kishte bërë gjatë gjithë vizitës. Vë bast se ajo ndofta nuk kishte marrë vesh as se çfarë isha unë, burrë apo grua, aq pak vëmëndje më kushtoi. Me qëndrimin e saj mospërfillës ajo prej kohësh qe zhvleftësuar në sytë e mi, por me këtë që bëri tani në fund, që, pa më parë fare më dha vetëm ca aspirina, më tërboi fare. Nuk e mbajta më veten dhe shpërtheva: “Unë po ju them shumë njerëzisht se jam shumë keq, por ju as e morët mundimin të më dëgjoni, se kujtoni se jam nga ata që marr raporte kot. Sa për dijeni po të them se unë nuk jam punëtor, siç iu duka kësaj shoqes këtu, por gazetar; sa për raport, që ti thua se nuk më takon, po deshe, po të bije ty për sa ditë të duash. Unë jam i shoqi i shefes së Kimioterapisë, në Onkologjik, besoj se e njihni se kush është. As e kam fare problem atë punë, por unë erdha këtu për të vërtetuar pikërisht këtë që bëtë ju: tani e kam të qartë gjithçka dhe ju falenderoj që mbarova punë kaq shpejt. Po të isha në vendin tuaj, do të më vinte turp të mbaja bluzën e bardhë” Dhe dola. Ato u prenë në fytyrë. Infermierja më ndoqi nga pas e seç po thoshte duke m’u lutur, por unë as që e kisha mendjen fare. U ktheva në shtëpi si pulë e lagur dhe, kundër dëshirës time, i thashë Kostandinës: “Ke të drejtë! Pa ty unë nuk markam dot raport, sado i sëmurë që të jem!”.

Kumbulla e fëmijërisë Poemë nga Elida Buçpapaj

Kumbulla
e oborrit të fëmijërisë
arqipelag i përhumbur
mjegullnajash malli
në lisharësin prej resh
më përkund
gunga malesh
karvani devesh
më mban të lidhur fort
me venat e gjakut
litar shtrënguar rrotull pas trungut
hijet e Carl Jungut

***
treshja perfekte
Mix, Max, Mex 1)
një çift i ri me një fëmijë
trinom trinie
një zgjua që vlonte
ëndërrash të zjarrta rinie
në apartamentin 84
shkalla 12
Pallatet e Aviacionit
Tirana e re
kati i tretë
parashutë qielli
aty ku ndërtonin
foletë dallandyshet
e ktheheshin çdo pranverë
përballë Dajtit
kuvlisë djep
ku lind dhe sot dielli

***

një mbrëmje
im atë nuk u kthye në shtëpi
ime më u përpoq
të më shpjegonte
me gënjeshtra të bardha më kot
veshët i mbaja përpjetë
të dëgjoja trokitjen e nxituar
ta shihja tim atë të hynte
të më ngrinte në duar
pastaj të më vinte në gjumë
me përrallën e shpikur
enkas për mua
atë natë
mosha e përrallave
kish perënduar
bota e madhe ish futur e gjitha
në syrin e një dritareje
e zvogëluar

***

sa ngrinte qerpikët dita
lavjerrësi i frikës
binte me ding dong
kērceja si sustë
shtrati ishte me ethe
nga mardhësia
në dritare
pa abrakadabra
ja behte gjithësia –

***

bota që shfaqej
oborri i lojrave
shoqja ime besnike
kumbulla
dhe pallati përballë
ndërtuar gjatë
pushtimit italian
banohej nga ish gjeneralë
dikur djem të trimëruar
të luftës antifashiste
trimëri e thërmuar
pa nam e pa nishan

***

për kumbullën
çdo ditë dilja
nga koraca e kërmillit
ku fshihesha kruspull
m’i vrente lastarët
me antenat e bisqeve
kumbulla e bukur manekine
bënte pasarela mode
e ngulur në oborrin tonë
të lojrave
në varësi si i lakoheshin
rrezet e diellit,
shirat, stinët
ndërronte veshjet,
me kostume marsi,
prilli, maji, qershori…
në dimër dremiste përzishëm
më ngjasonte me gjyshen
ia dëgjoja këshillat
m’a largonte frikën

***

kur i fryheshin
e i plasnin sythet
gjelbërore
deri sa shpërthenin petalkat
nga fryma pranverore
për ne vajzat e vogla
të dy pallateve përballë
fillonin shtegtimet
mbi kuaj flatrorë
ditë vellobardha nusërore
me lulekumbullat
kurora aureole

***

sa hapja sytë
t’i ikja lakut gotik
me padurimin vrik
që se fshihja
zija vend në dritare
kiçin e anijes së shpëtimit
pikën e vrojtimit
gjithë rruzullin
një grusht fëmije
si në pëllëmbën e dorës
ta shihja

***

e para ishte sythesumbulla
gjumin aty e bënte
edhe zgjimin
ku kishte ngulur
këmbët e drunjta
e ngritur me degëza
shtëpizën e saj kumbullore
pa kumt tingëlluar
kumbuese kumbanore
hija e lulzimi i saj
na shoqëroi si shenjtore
në rritjen zemërmardhur
në ditë të paluajtura
lojrash fëmijënore
faltore e pafajësisë
në kohë fatkeqësish
prej marramendjes
me habinë që na mbështolli
qoftë e bekuar
ajo dorë e panjohur që e mbolli

***

e pavarur nga mjergullat
sorrat e zeza të reve,
e pa ndikuar
nga fatthënat e rreshjeve
kumbulla botën
360 gradë
rreth e rrotull e kundronte
larg nënqeshjeve
oborri i lojrave
një pus i mbyllur,
me kova imagjinare
të zbrazura e mbushura
me ujë të bekuar
një furrë tavëpjekëse
me prush të valë
në jetën reale
ishin kontinente më vete
dy pallatet kundruall
dy shtete
banuar me fëmijë, të rinj
prindër e gjyshër
që donin të jetonin plot poterë
nën syrin e vigjilencës
njëri pallat i zbukuruar
me mermere e porta druri
rimeso të stilizuar
ndërtuar nga arkitektë italianë
gjatë pushtimit fashist
tjetri kur kisha lindur unë
i thjeshtë, skematik,
si letërsia socrealiste
ndērtuar sipas thatësirës moniste
pa shfaqje të huaja
perëndimore
me ornamente të fshehura
veshësh përgjimi
që gjithësesi
gumëzhinte nga zërat fëmijnore

***

kumbulla shoqja ime unike
alter egoja binjake
e pandashmja
si kukulla fëmijës
nga duart nuk më shqitej
shoqja ime fisnike
me lapsat magjikë të bojrave
ia ndryshonte ngjyrat kohës
e vishte me imagjinatë futuriste
oborrin e lojrave

***

një botë më vete
ishte furxhiu tiranas
që piqte me gruan e tij
tavat e gjithë lagjes
radion e hapte në kupë të qiellit
për këngët e Hafsa Zymerit

***

në furrë sillnin
tava me perime, speca të mbushura e patëllxhanë imam bajëlldi
byrekë gjithëfarësh
të holluar nga duar të rrudhura gjyshesh
gjirokastrite, labesh, e korçaresh,
shkodranesh, sarandiotesh e lushnjaresh
për Vitin e Ri dyndeshin
e viheshin në rradhë tepsitë
me gjela deti e bakllava
të prera në forma trekëndëshash
e me rombe,
revani e kadaif
gjyshet kremtonin në fshehtësi
Krishtlindje, Bajram e Pashkë
e në Netët e Mira
gatuanin hallvë
për shpirtrat e burrave të tyre
por ne fëmijëve nuk na tregonin
qysh e përse
era e gjalpit përhapej
e ngjitej në çdo kat
deri kur doli shpikja e tollonit
hyri në çdo shtëpi
si shpikja sot e ajfonit
dhe era e gjalpit mori fund
e zëvendësoi 100% policia popullore
spiunimi u bë meny kursimi
shkallë më shkallë
e pallat më pallat
atëherë furra u mbyll me qepena
kumbulla dhe unë qamë me lot
u përmbyt një kontinet
nga gjithësia
askush nuk mërmëriti
një të vetme Ave Maria

***

im atë ishte shtatë Dajte larg
pranë gjirit të klasës punëtore
saldonte nëpër skela
dimrat e ftohtë
mendimet që kishte në kokë
e urdhëronin t’i digjte
me saldatriçe

***

tek tavëpjekësi
në pushimet verore
unë fëmija çova tavën time të parë
patate me kripë e vaj ulliri,
kur erdhi ime më nga puna
drekuam nënë e bijë
patate të pjekura në furrë
me thëngjij të kuq si kratere
vullkani të shuar
dreka e përgatitur
me duart e mija të vogla
ishte sikur dhashë koncert
një kapriçio Paganini me violinë
në guzhinën tonë të thjeshtë buiti
në tavolinën ku ishim ulur ajo dhe unë
ime më e mahnitur më duartrokiti

***

kumbulla me durim priste
t’i shpërthenin
nga lulkat bardhoshe
frutet e vogla gjelbëroshe
e ne fëmijët
e dy pallateve përballë
të linim oborrin e lodrave
t’i kacavareshim si majmunë
nëpër degë deri në lartësirë
duke shtrëmbëruar
fytyrkat e bukura
prej thartësirës

***

poshtë pemës na luteshin
më të vegjlit fare
ej na jepni edhe ne ca
kumbulla
ështē e të gjithë fëmijëve
nuk është vetëm juaja
asnjëherë frutet nuk
i lamë të rritën,
nuk u bënë rrumbullake
topka të blerta
ping-pongu,
po kumbullës nuk i bëhej vonë
në këtë periudhë të vitit
kur rreth saj roisnim
si bletët në hoje
kumbulla harenë
e vinte në pah
e gatëshme të fluturonte
në qiellin e shtatë
me krahë

***

oborri i lodrave
fushëz e baltosur kur binte shi
lëndinëz e gjelbëruar
ditëve me diell
shesh i vogël pikpjekje, piktakimi
nga dritaret përballë
njëri tjetrin thërrisnim
me emra, me tinguj, me jehona,
me personazhet e librave e filmave
hej Spartak, Guliver, Paris,
Helenë e Trojës
me shenja, me mimikë,
me gishtrinj, alfabete fëmijësh
ej do vish të luajmë,
erdha më prit,
s’kam bërë ende
detyrat e matematikës
sot nuk mundem
kam gabuar
po vij sa të hapesh
e të mbyllësh sytë
po hidhem direkt
nga dritarja sa mirë
që jemi kati i parë
dhe oborri gumëzhinte
vinin fëmijë nga pallatet fqinjë
futboll, me cingla, hapa dollapa
kukafshehtas, ne vajzat
kërcenim në litar
e kujdeseshim
mos të na dukeshin breçkat
në atë oborr lodrash
deshëm të mbeteshim
Piter Panë në përjetësi
nën të njējtin qiell, diell e hënë
nën sytë e spektatores
kumbullës Shën Mëri
por nuk ishte e thënë

***

fëmijë moshatarë
orë pas ore zgjateshim
çdo ditë na ngushtoheshin
rrobat e trupit
na rritej këmba e numri i këpucës
Zoti na përgatiste
të nisnim fluturimin
në sheshin e lojrave të shpikur
mes dy pallateve tona
një fushë e baltosur kur binte shi
aty ku lodrat vriteshin
e ne kishim frikë të rriteshim

***

një mëngjes herët
pa u zbardhur
i dridhur, i mardhur
erdhi kamioni i internimit
nga pallati i ish gjeneralëve
mori shokët tonë të lodrave
bashkë me prindërit,
vëllezër e motra
kamionët e internimit atë ditë
kishin ngarkuar familje në masë
me plot fëmijë të lagjes sonë
kryeqyteti ish boshatisur
nga armiqtë e klasës

***

kur u ktheva atë ditë
nga shkolla
dhe vrapova në pikën e vrojtimit
sytë më mbetën tek dritaret bosh
ku shoket e shoqet e mia
nxirrnin kokat
bota ishte shuar
të dyja me kumbullën
qamë prapë me lot
kur u takuam

***

në oborrin e lojrave
atë ditë nuk dolëm të luanim
por të nesërmen
asnjëri nga ne
nuk pyeti për shokët
që na mungonin aq shumë
ishin pyetje të ndaluara
që na shkaktonin të dredhur
pyetje që ia bënin vetëm vetes
si këngët e Bitëllsave
që i dëgjonim fshehur

***

një ditë shtatori
një kamionçinë e mori
edhe familjen tonë
asnjë nga fëmijët
e dy pallateve nuk na përcolli
me ne nuk u përshëndet
kokat e tyre fshiheshin
në dritare pas perdeve
vetëm kumbulla
më qendroi besnike
fëmijëri e çrrënjosur
hedhur si një rreckë
gjithë pluhur
në një kamion rrangallë
me një adresë
në një fshat të humbur
me kujtesën e helmuar
vëth në vesh
thoni shyqyr që mbetët gjallë

***

kumbulla mbeti aty
nuk mundi t’i ndalte ikjet
e fëmijve të oborrit të lodrave
midis dy pallateve kundruall
fëmijëri e prerë në mes dhunshëm
kumbulla mbeti aty
gjethetharë
deshmitare e fëmijërisë sonë
të vrarë

***

kur u ndamë
i premtova se do të kthehesha
sido të më hidhte fati
sa për t’ia prekur
me gishta trungun e ledhatuar
e për t’i thënë se kurrë
nuk e kam harruar
në labirintet tunel
nga ku ma hodhën
si breshëri automatiku terrin
mbulesë qielli e tokë përfund
arkitektët e zinj të ferrit
që na dizajnonin jetët
ku drita nuk dukej askund

***

mallin për kumbullën
e mora me vete
në çdo kontinent e vend të botës
që i rashë rrotull e mbijetuar të gjeja strehë paqeje
ku humba si një grimcë atomike
në qiellin pa kufij e praqe
në çdo metropol të rruzullit,
bulevarde, lulishte e parqe
pashë si lulëzonin lumturisht kumbullat
prej mrekullisë e kujdesit
të gjithë Perëndimit demiurg
nga Central Park, Kopshtet e Vatikanit…
në Jardin du Luxemburg
asnjëra nuk e pati atë hijeshinë
e kumbullës sime
mrekulli mes ditësh e fëmijërish
të djegura nga inkuizicioni
sidomos kur lart në degët e saj
një zog i friksuar fshihesh
përballë dritares së pallatit
në katin e tretë
parashutë qielli ngrihesh
ku shfaqej ime më
një e bukur grua a perëndi
në kohë të shterpëra apokaliptike
krijuar prej shkumës së detit dhe erës
që më thërriste
“Zbrit nga kumbulla Lidka se do të biesh”
me kumtin e Herës.

***

1) Tre personazhë të një romani të Luis Sepúlveda-s
Janar-Prill 2024
(Nga libri në përgatitje Skaterr)

FLORIDA PËRFORCON ME LIGJ STANDARDET SHTETËRORE TË EDUKIMIT MBI RREZIQET, KRIMET DHE TË KËQIAT E KOMUNIZMIT Nga Frank Shkreli

Javën që kaloi, Guvernatori i shtetit Florida në Shtetet e Bashkuara, Z. Ron DeSantis nënshkroi legjislacionin që përforcon standardet e arsimit në atë shtet – standarde të cilat detyrojnë mësimin në shkollat e Floridës mbi krimet, të këqiat dhe rrreziqet historike të komunizmit ndërkombëtar. Sipas një njoftimi për median, të shpërndar me këtë rast nga zyra e Guvernatorit DeSantis, i pari i shtetit jugor të Amerikës u shpreh në lidhje me këtë vendim se, “Ne nuk do lejojmë që studentët tanë të jetojnë në injorancë, as që të indoktrinohen nga apologjetët e komunizmit në shkollat e shtetit Florida. Përkundrazi, ne do sigurohemi, ka shtuar ai, që studentëve në Florida t’u mësohet e vërteta mbi të këqiat, krimet dhe rreziqet e komunizmit”, ka thenë Guvernatori republikan, DeSantis me rastin e nënshkrimit të ligjit. Ligji shtetëror (SB1264) që nënshkroi Guvernatori DeSantis, javën e kaluar, përforcon mëtej standardet ekzistuese për mësimin e historisë së komunizmit në Shtetet e Bashkuara si dhe taktikat vepruese të lëvizjeve komuniste, anë e mbanë botës.

Gjatë viteve, Fondacioni i Viktimave të Komunizmit me qëndër në Washington ka bashkpunuar me shtetin Florida dhe me shtete të tjera anë e mbanë Shteteve të Bashkuara në kujtim të viktimave të komunizmit në botë – përfshirë promovimin e mësimit në shkollat amerikane mbi krimet dhe rreziqet që vijnë nga komunizmi. Florida – një shtet me popullsi dërmuese me origjinë kubane, të arratisur nga regjimi komunist diktatorial i Fidel Castros gjatë dekadave – por dhe një numër shtetesh tjera amerikane — kujtojnë viktimat e komunizmit, ndërsa kanë caktuar 7 Nëntorin si Ditën Përkujtimore të Viktimave të Komunizmit, që është caktuar si e tillë, origjinalisht, me vendim të Bashkimit Evropian (BE-së), në përputhje me vendimet e Bashkimit Evropian, në kujtesë, pra dhe nderim të gjithë atyre që janë vrarë, kanë vdekur dhe që kanë vuajtur burgjet dhe kampet e përqendrimit, nën regjimet barbare komuniste në Evropë dhe në mbarë botën.

Ligji i sapo nënshkruar nga guvernatori i Floridës përforcon standardet ekzistuese të arsimit në shtetin Florida e të cilat mandatojnë mësimdhënien mbi rreziqet dhe krimet e komunizmit, sipas njoftimit të dale nga të zyra e Guvernatorit të Floridës. “Është tepër me rëndësi jetike që çdo student të mësoj mbi rreziqet e komunizmit”, u shpreh ndërkaq, Komisioneri Arsimit të shtetit Florida, Manny Diaz. “Nga përvoja ime personale, unë i njoh mirë të këqiat që vijnë nga komunizmi dhe jam krenar që isha pranë guvernatorit DeSantis, ndërsa ai nënshkroi legjislacionin mbi forcimin e standardeve mësimore, ligj ky që siguron se Florida do mbetet një kështjellë e lirisë”, nënvijoi me atë rast Komisioneri i Arsimit të shtetit Florida, Manny Diaz, (me origjinë nga Kuba). Në të vërtetë, ky ligj është pak si i jashtzakonshëm pasi në Amerikë nuk ka pasur ndonjëherë komunizëm zyrtar dhe si rrjedhim nuk ka pasur as viktima dhe as krime të komunizmit. Por janë shtetasit amerikanë me prejardhje nga vendet ish-komuniste – sin ë këtë rast, kubano-amerikanët në shtetin Florida, ata që këmbëngulin që fëmijt e tyre të mësojnë të vërtetat e historisë së komunizmit ndërkombëtar, përfshir krimet gjysëm shekullore të komunizmit anë e mbanë botës.

Përveç rritjes së standardeve arsimore mbi historinë e komunizmit dhe krimet e tij, ligji autorizon gjithashtu edhe degën legjislative të shtetit Florida që në atë shtet të hap një muze të historisë së komunizmit. Ligji, njëkohësisht, ndihmon dhe përgatit studentët që të mund të ballafaqohen dhe të kundërshtojnë indoktrinimet komuniste në kolegjet dhe universitetet e atij shteti. Autoritetet e shtetit Florida miratuan ligjin për përforcimin e standardeve arsimore për mësimin e historisë së komunizmit, në përvjetorin e invadimit të Gjirit të Derrave në Kubë (Prill, 1961) — një përpjekje kjo që dështoi, e financuar dhe e organizuar nga ana e Shteteve të Bashkuara, me qëllim për të rrëxuar regjimin komunist të diktatorit Fidel Castro. Ky muaj i Prillit shënon gjithashtu disa data të rëndësishme në ldihje me kujtesën e viktimave të komunizmit në botë, siç është edhe 15-vjetori i miratimit të rezolutës nga parlamenti Evropian (2 Prill, 2009) mbi caktimin e Ditës zyrtare për Kujtimin e Viktimave të gjithë Regjimeve Totalitare dhe Autoritare që shënohet me 23 Gusht të çdo viti në Evropë dhe më gjërë. Texts adopted – European conscience and totalitarianism – Thursday, 2 April 2009 (europa.eu) Duke filluar nga viti 2009, anë e mbanë Evropës shënohet Dita e Kujtesës për vikitmat e regjimeve totalitare dhe autoritare, në përpjekjet për të mbajtur gjallë në radhët e brezave të ardhëshëm, kujtimin e viktimave të komunizmit, anë e mbanë Evropës, me qëllim që ajo e kaluar mizore e komunizmit barbar ndërkombëtar të mos përsëritet më.

Shqipëria bën përjashtimin — Për fat të keq, Shqipëria sikur nuk është pjesë e Evropës, sepse ajo deri më sot nuk ka caktuar me ligj një ditë zyrtare mbarëkombëtare – në përputhje me Evropën dhe Shtetet e Bashkuara — për të kujtuar viktimat, krimet dhe të këqiat e komunizmit të regjimit totalitar të Enver Hoxhës. Koha e diktaturës së regjimit komunist në Shqipëri tregoi fytyrën më të vrazhdët të njeriut kundër njeriut – shqiptarit kundër shqiptarit — dhe të një shoqërie pa Zot. Megjithkëtë, krimet e komunizmit dhe vikitmat e tij të pafajshme të diktaturës enveriste në Shqipëri nuk kanë kaluar pa u njohur nga ente dhe personalitete ndërkombëtare gjatë tre dekadave të fundit. Po i kujtojmë ata me këtë rast duke rikujtuar vizitën e Papa Gjon Palit II në Shqipëri me 25 prill, kur udhëheqsi I Kishës Katolike, kujtoi viktimat e komunizmit shqiptar, sidomos klerikët e Kishës Katolike shqiptare duke iu drejtuar shqiptarëve me këto fjalë: “Ty o popull fisnik shqiptar, ta drejtoj përshëndetjen time të ngrohtë dhe të dashur! … Gjatë një dimri kaq të ashpër dhe të lodhshëm vuajtjesh dhe provash, Kisha heroike në Shqipëri, e tronditur nga persekutimi i rëndë dhe i gjatë, por e pasuruar nga dëshmia e martirëve të saj, ka ndarë deri në pikën e fundit dhimbjet dhe shpresat e Kombit, duke mbajtur të gjallë dhe me sakrificën personale të shumë anëtarëve të saj, traditën e lashtë të krishterë, me bindjen se ajo përfaqëson një vlerë të përhershme të identitetit autentik shqiptar”.

Pastaj Pap Gjon Pali II – 31-vjet më parë, gjatë asaj vizite, inkurajoi shqiptarët me një mesazh për të sotmen duke iu drejtuar Shqipërisë dhe shqiptarëve me këto fjalë atërore: “Shqipëri qëndro në lartësinë e detyrave që të presin”, ndërsa bëri thirrje për kujtesën e përhershme të viktimave të pafajshme të komunizmit, ashtuqë të “Të mos harrohet e kaluara, por të shikohet e të ndërtohet me guxim e ardhmja”… Kjo liri e besimit fetar, të cilën ju më në fund po e shijoni, nuk është vetëm një dhuratë e çmuar e Zotit për ata që kanë hirin e fesë, por është një dhuratë për të gjithë, sepse liria e besimit në Hyjin është themeli i garancisë për çdo shprehje të lirisë. Ajo prek njeriun në intimitetin e vet, në atë pik të shenjtë dhe të padhunueshme që është ndërgjegjja, ku qenia njerëzore takohet me Krijuesin, dhe fiton ndërgjegjësinë e plotë të dinjitetit të vet. Nga një liri e tillë, e trajtuar ashtu siç duhet, nuk ka përse t’i trembemi asnjë çrregullimi shoqëror…Siç na mëson edhe feja: nëse kemi një Krijues të përbashkët, që të gjithë jemi vëllezër”, ka deklaruar Papa Gjon Pali II në vizitën e tij në Shqipëri (31-vit si sot) duke u gjunjëzuar për të puthur tokën e lashtë të Arbërisë.

Për fat të keq, e kam thenë shpesh se këto 30-vjet tranzicion, klasa politike shqiptare e të gjitha ngjyrave – sa i përket kujtesës së viktimave të komunizmit, nuk i ka kryer detyrat e saj në lartësinë që pritej e që duhej e për të cilën bëri thirrje Papa Gjon Pali i II në vizitën e tij në Shqipëri (Prill 1993). Kjo klasë politike vazhdon me arrogancën e saj të pa ndërgjegjshme dhe të pa dinjitet ndaj kujtimit të viktimave të komunizmit barbar në Shqipëri dhe ndaj krimeve të regjimit të Enver Hoxhës. Në mungesë të një kujtese zyrtare dhe përballjes serioze eme të kaluarën komuniste, siç ndodhë anë e mbanë Evropës për vikitmat e pafajshme të regjimeve totalitare, Shqipëria ka zgjedhur që me heshtjen e saj ndaj krimeve të komunizmit, të përjetësojë ashtu në heshtje regjimin kriminal të Enver Hoxhës – një sjellje dhe politikë anti-kombëtare e pa denjë dhe e papërgjegjshme, që së bashku me faktorë të tjerë shoqërorë e ekonomikë –po shkakton zbrazjen e Shqipërisë nga më të mirët bijë e bija të saj.

Por në mungesë të kujtesës së tyre nga Tirana zyrtare, ne si individë kudo që jemi të lirë neper botë, nuk na ndalon kush t’i kujtojmë ato viktima të pafajshme dhe krimet e komunizmit në Shqipëri, sepse besojmë që “liria e besimit në Hyjin është themeli i garancisë për çdo shprehje të lirisë.” Si e tillë kjo liri duhet mbrojtur gjithmonë duke kujtuar viktimat që u vranë nga ai regjimi dhe me ta komunizmi vrau edhe lirinë e çdo shqiptari për pothuaj një gjysëm shekulli. Këtë liri që gëzon sot Shqipëria ua ka borxh shumë viktimave të pafajshme të regjimit komunist, por me këtë rast po përmendim viktimat e një ndër gjyqeve më famëkeq të regjimit komunist, ai i zhvilluar në Kishën e Motrave Stigmatine, në rrugën Gjuhadol të Shkodrës, në Prillin e vitit 1968, që sot kujtohet në faqen e Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës – Site of Witness and Memory | Shkodra | Facebook

Ai gjyq, sipas faqës së internetit të Muzeut, është zhvilluar pas 8 muajsh hetuesie, shoqëruar kjo me cinizëm, fyerje, përbuzje, rrahje e tortura. Më 1 prill 1968 dosja hetimore në ngarkim të Dom Frano Illisë, Dom Zef Bicit, Dom Mark Hasit, Dom Mark Dushit, At Gegë Lumës, Alfons Radovanit dhe Kol Marlacajt, nga prokurori i rrethit Shkodër Faik Minarolli, i përcillet për gjykim Gjykatës së Qarkut Shkodër. Gjykata e Qarkut të Shkodrës me kryetar Nuri Resmja, i shpalli të gjithë të akuzuarit fajtorë, nën aprovimin e duartrokitjeve të publikut në sallë dhe pjesës tjetër jashtë saj, që e ndiqte me altoparlantë. Dom Zef Bici dhe Dom Mark Dushi u dënuan me pushkatim, ndërsa Dom Frano Illia dhe Dom Mark Hasi u dënuan me 25 vjet, ky i fundit vdiq në burg, sipas kujtimit të tyre në faqen e Muzeut të Dëshmisë dhe Kujtesës në Shkodër.

Nëqoftse vizitoni Shkodrën, mos anashkaloni të vizitoni Muzeun e Dëshmisë dhe Kujtesës, Vendin e Dëshmisë e të Kujtesës — në atë qytet të vuajtur dhe të nepërkëmbur ndër dekada. Nëse vetëm kaq mund të bëni si individë e si shqiptarë të lirë në kujtesë të viktimave të komunizmit, jo vetëm në Shkodër, por edhe anë e mbanë Shqipërisë, bëjeni këtë si kujtim në nder të tyre por edhe si edukim për ju. Kjo HESHTJE zyrtare ndaj krimeve të komunizmit dhe refuzimi zyrtar për tu ballafaquar me atë histori të tmershme nuk i bën nder Kombit shqiptar as nuk e radhitin atë me kombet e tjera në Evropë dhe Amerikë të cilët me ligje dhe përballje, zyrtarisht, me të kaluarën kanë përjetësuar tashmë kujtesën e viktimave të komunizmit, me ligje dhe monumente, dhe kanë dënuar krimet në vendet e tyre dhe anë e mbanë botës – me shpresën që ato krime të mos përsëritën më. Është një trashëgimi kriminale që nuk mund të mbrohet më as nga pozita, as nga opozita politike shqiptare!

I përjetshëm qoftë kujtimi i viktimave të komunizmit!

Frank Shkreli

 

 

 

Guvernatori i shtetit Florida, Ron DeSantis

 

Fotot nga faqja e Muzeut të Dëshmisë dhe Kujtesës në Shkodër.

Nga vizita e Papa Gjon Palit të II në Shqipëri, 25 prill i vitit 1993


Send this to a friend