Në Kosovë përfunduan zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të tretat me radhë që kur vendi shpalli pavarësinë në shkurt të viti 2008.
Mbi 1 milion e 872 mijë qytetarë me të drejtë vote ishin regjistruar për të votuar për 5 koalicione, 19 parti politike dhe 2 nisma qytetare, ndërsa 971 kandidatë konkurrojnë për parlamentin 120 vendesh.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pjesëmarrja në zgjedhje ishte rreth 42 për qind.
Në gjithë Kosovën, qenë hapur 889 qendra të votimit, ndërsa procesi u ndoq nga 29 mijë e 264 vëzhgues, nga subjektet politike, Bashkimi Evropian, ambasadat dhe organizatat joqeveritare vendase.
Organizatat jo qeveritare që merren me vëzhgimin e zgjedhjeve thanë ndërkaq se gjatë procesit të votimit janë regjistruar parregullsi të ndryshme, të cilat megjithatë nuk ndikojnë në proces.
Policia zbatoi një plan operativ për të siguruar një mjedis te qetë dhe të sigurt, ndërsa rreth 100 prokurorë ndoqën nga afër procesin për të siguruar veprimet ligjore ndaj çdo përpjekjeje për keqpërdorimin e votës.
Partitë politike premtuan gjatë fushatës rritje ekonomike e rritje pagash si dhe luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Institucionet që do të dalin nga zgjedhjet e sotme do të përballen me probleme të trashëguara siç janë çështja e kufirit me Malin e Zi, që çoi edhe në rrëzimin e qeverisë, bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë që vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës si dhe përballjen me fillimin e funksionimit të Gjykatës së Posaçme që do të trajtojë pretendimet për krime lufte.
Kosova është vendi i vetëm në rajonin e Evropës Juglindore që ka mbetur jashtë regjimit të udhëtimit pa viza në vendet e zonës Shëngen dhe e fundit në proceset integruese.
Një pjesëmarrje më e lartë se kurdoherë është regjistruar në komunat me shumicë serbe në të cilat konkurruan pesë subjekte politike nga radhët e këtij komuniteti.
Rreth 200 vëzhgues të misionit në Kosovë të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, qëndruan në pjesën veriore të Kosovës për të ndihmuar në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, i cili kaloi i qetë me gjithë shqetësimet që pasuan disa incidente gjatë fushatës zgjedhore, përfshirë edhe shoqërimin në stacionin e policisë të Aleksandër Jabllanoviçit, udhëheqës i Partisë së Serbëve të Kosovës. Zoti Jabllanoviç që ishte njëri nga themeluesit e Listës serbe, është ndarë nga ky grup ndërsa ka krijuar partinë e tij. Kjo ndarje ka nxitur reagime të shumta dhe ka përçarë serbët e Kosovës. Një pjesë e mbledhur rreth Listës serbe, mbështetet nga Beogradi zyrtar, ndërsa pjesa tjetër akuzoi Serbinë për manipulim me qytetarët serb që jetojnë në Kosovë.
Përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar në vazhdimësi kanë shprehur shqetësimin rreth incidenteve, kërcënimeve dhe trysnisë që është ushtruar në pjesën veriore të Kosovës, në kohën e fushatës zgjedhore.
Komentet