VOAL

VOAL

NËPUNËSIT SHTETËRORË Poezi nga KOSTAS KARIOTAKIS* (1896-1928)

June 9, 2017

Komentet

Ngjarje e gëzueshme për letërsinë: Nga poeti i shquar HAMIT ALIAJ libri “DRURËT FLENË JASHTË NË NATËN E BOTËS”

VOAL- Një ngjarje e gëzueshme për letërsinë tonë. Doli nga shtypi libri “Drurët flenë jashtë në natën e botës”, përmbledhje me 268 poezi të pabotuara, të shkruara vitet e fundit, botim cilësor i ALSAR, në prag të 70-vjetorit të poetit.

Poeti i shquar Hamit Aliaj ka lindur në Kasaj të Tropojës, më 4 gusht 1954. Fëmininë e kaloi në vendlindjen e tij, në një vend ku bashkëjetonin doke dhe zakone të shumëllojta, ku letërsia gojore dhe tregimi i legjendave të moçme akoma ishte riti i mbrëmjeve të gjata. Ditëve ai rriste shtatin në kodrat dhe livadhet e fshatit, trupin e kridhte në liqenet alpine dhe mrekullohej nga tingujt e fyejve te barinjëve që çdo verë ja mësynin bjeshkëve të Shkelzenit, ndërsa tufat e deleve, formonin në imagjinatën e tij poema pafund me vargje të bardha, ku natyra dhe njeriu jetonin duke marrë dhe dhënë, përditë nga njeri tjetri.Ky ishte sfondi, ku poeti së pari nisi të shquhet për fjalët e rralla, por të bukura që shqiptonte ndrojtshëm në odat e burrave, në takimet shkollore dhe më vonë në fletoret e thjeshta, që i fshihte diku nga shikimet e të tjerëve…Nëna e tij do të ishte mbështetësja dhe frymëzuesja më e madhe, një grua e fortë, e cila shpesh dinte të ishte edhe burrë, kur e jipte fjalën dhe i qëndronte asaj deri në fund. Ajo i dha jo vetëm dashuri prej nëne Hamit Alisë, por i mëkoi edhe shpirtin artistik, i hapi horizontin dhe i lejoi hapësirën e duhur shpirtërore të birit. Duke kuptuar se ai nuk ishte krejt i njejtë me fëmijët e tjerë, diçka më e rrallë po piqej në gjoksin e djaloshit të ri, që shpesh shihej i menduar, duke soditur larg yjet dhe hënën alpine, tek perëndonte në majat e Bjeshkëve të Nëmuna. Në sytë e tij të shkruar, vazhdimisht dukej se digjej një zjarr i brëndshëm…Vend-ndodhja e fshatit të lindjes përballë Kosovës, e cila ishte disa minuta afër, por mijra vjet larg, kur shikoje gardhin e klonit përshkuar nga korenti vdekjeprurës, për çdonjërin që do të mund të tentonte ta kalonte, ka qënë një dhëmbje e gjatë, një dilemë e madhe, por edhe një burim frymëzimi për shumë poezi të poetit, që natyrisht e vuante si çdo malësor paradoksin historik të ndarjes përgjysmë të trupit të atdheut.

Arsimi
1982-1995: mësues në Gjimnazin e Bajram Currit
1995-2001: drejtor i QKF, Bajram Curr
2001-2003: këshilltar i Jashtëm në Ministrinë e Kulturës, Tiranë
2003-2005: Drejtor i Agjensisë Qëndrore të Librit, Tiranë
2011- 2014: specialist në Komitetin Shtetëror për Kultet, Tiranë

Puna kërkimore, letraro-artistike e shkencore

Libra me poezi:
1974: Bjeshkët janë mbiemri im, Tiranë
1979: Epike ( me bashkëautor), Prishtinë
1986: E ruaj një fjalë për ty, Tiranë
1990: Lotin nuk ta fal, Tiranë
1997: Mungon viti Një, Tiranë
2006: Njëqind vjet e Martë, Tiranë
2012: Ali Iber Nezaj (monografi), Tiranë
2017: E hëna e përtej botës
2021: N’Dardani bjen nje tupan

Studime shkencore-letrare
1979: Epika legjendare shqiptare ( Arkivi i Fakultetit të Filologjise)
2009: Tri shenjtëri të mëdha ( në hyrje të librit “Dervish Luzha nje yll drite” )
Shenim: Redaktor i mbi 30 librave artistikë e studimorë për kulturen e historinë. Titujt e këtyre librave janë të regjistruar në sistemin kompjuterik të Bibliotekes Kombëtare, Tiranë

Skenare filmash dokumentare :
1981: Ylbere mbi Alpe
Moj sharki e lehtë si era ( kushtuar Dervish Shaqes)
1997: Zambakët e munguar ( kushtuar shkrimtarit Sulejman Krasniqi në 60-vjetorin e lindjes )
2000: Ylberi i Lirise ( kushtuar çlirimit të Kosovës )
2000: Nga lufterat vijmë… ( realizuar në Kosove për RTSH )
2002: Pranverat që ndalen rrugës
2008: Agu i Lirise ( realizuar në Kosovë me 17 shkurt 2008 diten e shpalljes së Pavarësisë)

Janë nga i njejti autor edhe shumë dokumentare të tjerë, të cilët gjenden në Arkivin e TVSH-së.
Publicistike: Autor i mbi 200 shkrimeve kryesisht në zhanrin e esesë, portretit letrar dhe reportazheve. Keto shkrime janë te botuara në periodikun e kohës.

Kenge:
Autor i mbi 200 këngëve:
Autor i të gjitha këngëve të Ansamblit Dardania në Festivalin e Gjirokastres 1988 dhe në atë të Beratit 1995.

Çmime në konkurset kombëtare e ndërkombëtare :
1973: Çmimin e parë për poezi në konkursin e letrareve të shkollave të mesme të Republikës 1973: Çmimi i tretë për liber poetik në konkursin e 30- vjetorit të Ushtrisë
1974: Çmim për liber poetik në konkursin e 40- vjetorit të Çlirimit
1977: Çmimi i parë në publicistikë në konkursin vjetor të gazetes ” Drita ”
1977: Çmimi i parë për dokumentarin e 20- vjetorit të Universitetit të Tiranës
1981: Çmimi i parë për dokumentarin ” Ylbere mbi Alpe ” ( me bashkëautor S.Bucpapaj )
1982: Çmim i dytë në Konkursin Kombetar të 70- vjetorit të Pavarësisë, për librin poetik ” E ruaj një fjalë për ty”
1999: Çmim i parë në Festivalin e Gjirokastrës për tekstin e këngës ” Ani Rushe Rexha…”
2000: Çmim i parë në Festivalin e Këngës Qytetare Tiranë, për të njejtin tekst 17 dhjetor
2006: Çmim i parë i shoqeruar me ” Gold Coup ” ( Kupa e Artë ), për cikel me poezi në revisten ” Fatjon Art”, Detroid, SH.B.A
2017 : Libri “ E hëna e përtejbotës” shpallet libri më i mirë poetik i vitit nga Klubi letrar “ Gjon Nikollë Kazazi” Gjakovë

Mirenjohje e tituj:
1983: dekoruar me medaljen ” Naim Frashëri” nga Kuvendi Popullor
1988: ” Urdhëri i punës i klasit të 3-të” nga Kuvendi Popullor
2002: titulli ” Krenaria e Qytetit”, B.Curr
2008: titulli ” Nder i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar”
2012: titulli “Mirënjohje” nga Komuna Margegaj, Tropojë
2014: titulli ”Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë
2019: titulli “ Qytetar Nderi” nga Bashkia Tropojë

Poeti i shquar Hamit Aliaj u nda nga jeta më 7 mars 2023.

 

Nxitoni, nxitoni pra… Nga Bedri Çoku

Tri ditë me radhë, shoku im i fëmijërisë Elmaz.I.,kërkonte me këmbëngulje të takohej me mua, pasi kishte diçka të rëndësishme për të thënë. Uleshim për të pirë kafe, por kjo i ftohej në fyt. E kishte  nga zori që  të hapte gojën. E kuptoja që halli i tij s’ishte familjar, ndryshe, me siguri do ma kishte treguar qysh ditën e parë. Problemet familjare ia tregonim njëri-tjetrit pa ngurrim, ndaj, nuk e ngucja. Prisja, me qëllim të dilte vetë aty, ku e kishte hallin, pa e detyruar. Ama, ditën e tretë, plasa, e humba durimin. Ngula këmbë : sido që të ishte puna, ne, qysh fëmijë, s’kishim lënë gjë pa ia treguar njëri-tjetrit.
– Ke të drejtë, më tha, por kjo, që po më ndodh, jam i sigurt se edhe ti s’do ishe treguar trim. Me siguri as për kafe s’do të guxoje të vije.
– Po, hë, të shkretën, nxirre! Ke tri ditë që më thërret e s’ thua asgjë. Bombë atomike të kishte qenë, me siguri do ta kishe plasur.
– Bombë thua!..Ç’bombë, o derëbardhë! Po them, është e tmerrshme.


E ndërpreu bisedën, duke parë rreth e rrotull, i trembur,  mos e kishte dëgjuar njeri, kur tha, “e tmerrshme” . Kishte të drejtë. Atë kohë njeriu trembej nga vetja pale, nga shoku, miku, a dikush që i afrohej pranë .Trembej edhe nga ajri që thithte, nga toka, nga zogjtë në fluturim. Ishte koha kur në Shqipëri,  në tre vetë, me siguri njëri  ishte spiun. Banonim në lagjen “Liri” të Fierit, tejmase e populluar, me probleme të mprehta sociale, afër  “rotondos”, ku bashkohen tri rrugët, që hyhej e dilej   nga qyteti i bukur. Pikërisht te mëhalla “Vangjel Lule”, siç quhej dikur, ndërsa sot, i thonë, “Sharrë”. Kontrolli i shtetit, si kudo, dhe aty, ishte i rreptë dhe i shpeshtë. Fuksat, një lloj specie e Sigurimit të Shtetit, venin e vinin vërdallë dhe s’linin rrugicë e  lokal, sidomos ku pihej kafe dhe luhej bilardo, pa kontrolluar. Po të pikasnin dikë të shqetësuar apo nervoz, ata, si pa teklif, afroheshin,  për të mësuar arsyen pse ai mund të ishte i shqetësuar: “E kishte me vetveten, apo me regjimin  dhe  qeverinë?!” Prandaj e ndërpreu bisedën shoku im i fëmijërisë. Ata që s’e kanë jetuarr kohën e regjimit komunist, sigurisht e kanë të vështirë të imagjinojnë njeriun fantazmë, të asaj kohe, pse ishte katandisur  i tillë. Qoftë me mikun a shokun e besuar, kudo që të ndodheshe duhej  patjetër  të flisje dhe të shtireshe, me demek i gëzuar,  për fitoren e skuadrës së zemrës, në futboll. Ose, i trishtuar, për një film që kishe parë në kinema. Shoku im filloi të më tregonte arsyen e dëshpërimit, duke u zgërdhirë, me gjasë, i gëzuar, se, prej disa ditësh, në qoshen e rrugës, afër shtëpisë së tij, kishte filluar t’i shfaqej një femër, sa herë ai do të kthehej nga puna. Ajo ishte e dobët, me sy të mavijosur, e lodhur, e trishtuar, që nuki fliste, por vetëm i buzëqeshte…Ky ikte, ikte me nxitim, pa e kthyer kokën prapa. Hynte në shtëpi i nemitur, pa guxuar t’u thoshte gjysmë fjale gruas dhe të birit, njëzetedyvjeçarë, që e prisnin me padurim. U shmangej deri sa hynte shpejt e shpejt në banjë, për të lagur fytyrën e për të marrë veten. Ushqimin e vahktit e hante me pahir, nga brengosja. Mbllaçitej, por mendjen e kishte tek ajo, që, sipas tij, s’i kalonte të njëzetepestat.  Përshtypjen e moshës ia krijonte trupi dhe gjoksi i saj i hepuar, i ngjashëm me atë të një vajze ende në grahmat e fundit të adoleshencës. Ditën e parë s’i pat dhënë rëndësi: “Ishte një femër e zakonshme, që rrinte në punën apo ”zanatin” e vet! Ditën e dytë e kishte marrë si një provokim të rëndomtë femëror. (Edhe atëherë kishte të tilla që përdoreshin nga fukarallëku për një shumë fare të vogël). Ndërsa, ditën e tretë, aha! Kishte filluar të dyshonte. Mos vallë ajo dilte aty dhe e priste qëllimisht, në të njëjtin vend, në të njëjtën kohë, sa herë ky do të kthehej në shtëpi ?! Mirëpo, ajo s’dukej as e çmendur, as e përdalë. Me një fustan të thjeshtë, e palyer, e pakrehur, ose e krehur me ngut, si një femër që sapo kishte dalë shpejt e shpejtë nga shtëpia. Ia ngulte sytë me një domethënie intriguese, por edhe të fshehtë,  këmbëngulëse për t’i tërhequr vëmendjen. Ndërsa ai ikte i hutuar, i tronditur, si një frikacak. Ç’kërkonte prej tij në sytë e të gjithëve? Ishte lypsare ? E çmendur? Apo kishte ardhur koha edhe për të, si shumë të sërës së vet, të cilët “kontrolloheshin” nga Sigurimi i Shtetit, dhe, ajo, një lodër në duart e tij, kundra meje?
– Po të jetë kështu, siç thua, o byrazer, i thashë, ke të drejtë të jesh kaq i tronditur.
Dhe ia shtrëngova dorën për t’i dhënë zemër, ndërkohë që e vështrova drejt e në sy, me një ndjenjë solidare.


– Ç’farë do të bësh, tani ?,-e pyeta-, si mendon që të shmangësh këtë rreng?
Ai ngriti supet krejt i pambrojtur dhe profan në kësi rastesh. Gati duke qarë, tha :
– Po ti, si do të kishe vepruar në vendin tim?
Të them të drejtën u gjenda i papërgatitur nga kundërpyetja e tij. Meqë më takonte të tregohesha më me zemër, i thashë :
– Sot do të shkojmë bashkë në shtëpinë tënde, nëse ndodh gjë, le të na ndodh të dyve.
– Do të shkojmë të dy?
Pyeti i habitur, ngaqë, siç duket, s’u besoi veshëve.
– Po, po. Pse çuditesh ? A s’kemi lerë për të vdekur njëherë?
E mbërtheva nga krahët për ta shkulur nga vendi. Nuk kundërshtoi. Dorëzuam lekët e kafes dhe u nisëm. Rrugës për në shtëpi më tregoi edhe diçka tjetër. Ai kishte filluar të dyshonte sikur, para disa vitesh, e kishte njohur atë femër, e cila shoqërohej me një djalë të ri e të pashëm, bir i një të burgosuri politik, që vuante prej vitesh në burgjet e tmerrshëm të diktaturës. Kjo ngjarje bëri bujë, atëherë. Por, për çudinë e të gjithëve, çifti i bukur, me “biografi të keqe”, u zhduk po si u shfaq, në mënyrë misterioze. Vajza, në atë kohë, mbahej perri në qytetin e Fierit.
– Po a je i bindur vërtet se është pikërisht ajo?,- e pyeta – se njeriu gabon edhe padashur, vetëm nga dëshira për të larguar një të keqe. Gabon edhe pa qëllim, sidomos kur i afrohet një i panjohur, në dukje i frikshëm, me pamje të  keqe.
– Jam i sigurt që ajo është dhe u mbush me frymë. Se, kur ata u zhdukën nga qyteti, u fol, aty-këtu, nëpër dhëmbë, se ata ishin arratisur nga Shqipëria. Pak u fol, kaq pak, saqë historia e tyre brenda dy-tri ditëve u harrua fare. Unë e kam të fiksuar edhe për një arsye tjetër. Gruaja ime gjente shpesh midis librave të djalit, fotografinë e saj. Ngaqë, siç duket, edhe ai, si të gjithë moshatarët e vet, ëndërronte për një vajzë si ajo.

– Po pse s’thua ti që problemi qenka i thjeshtë. Atë e dashuroka djali yt dhe ajo përpiqet të marrë ndihmën tënde.
– Mos u nxito. Nuk është ashtu.  Ku ta gjej të ishte siç thua ti. Por ajo s’ka sy për atë punë. Çne ? Ajo ngjan sikur u ka shpëtuar vorraxhinjëve nga duart. Të shikon ngultas, në mënyrë të habitshme, sikur kërkon të të thotë diçka. Më qetëson fakti se nuk është e egër, as e ligë. Përkundrazi, duket e ëmbël e fisnike. Çuditem, pse më ka gjetur mua, xhanëm? Ç’ kërkon nga unë ? Pak halle  kam në kurriz, më duhet të mbaj edhe të sajat? Ptuu, e martë e mira! Apo s’jetojmë në një kohë të pështirë. Një fjalë goje për qeverinë dhe kalbesh në burg, vithisesh me gjithë familje, me tërë fisin.
Ai mbylli gojën përnjëherë. Sytë ia nguli harkut të rrugës, ku dhjetra hapa më tej gjendej  shtëpia e tij. E pashë, i iku fytyra, goja i mbeti hapur, vetëm për të thithur ajër më shumë.
– Ja ku është ,- më tha me zë të mekur-, E sheh? Po pret, si gjithmonë. Me siguri,më ka parë nga dritarja. S’është as koha kur zakonisht kthehem. E shikon sa këmbëngulëse është? E çmendur! E frikshme!
– Mos u shqetëso. – i thashë qetë-qetë- jemi bashkë. Jemi të dy. Do ta zgjidhim njëherë e mirë këtë punë.
E vura re siluetën e saj, që u shfaq plotësish në krye të harkut të rrugës. U befasova. Ishte siluetë e brishtë, e mbuluar me   një fustan të gjatë, deri te kyçet e këmbëve (veshje e rrallë për kohën dhe vendin ), i ngushtë, në bel, që ia nxirrte dukshëm linjat feminile, tepër elegante, në një trup të tretur. Pata tërheqje të jashtëzakonshme nga ajo siluetë, edhe pse veshja e saj nuk ishte në modën e kohës. Sinqerisht, jo tërheqje mashkullore, më tepër  kureshtje drejt një të panjohure. Jam i sigurt, vetëm dora e Perëndisë e tërheq njeriun ashtu, për t’u sakrifikuar ose për të sakrifikuar. Mund të them se iu afrova me trimërinë e një çunaku, që nuk e çante kokën për shokun e lënë  prapa, edhe pse  ai ishte i  trembur si një çilimi. Së fundi u ndodha përballë saj, si ç’ma kishte përshkruar shoku.Vetëm një gjë s’më kishte thënë. S’kishte dashur a  s’e kishte pikasur : Ajo ishte krenare dhe aspak me vështrim intrigues! Kjo më detyroi, një çast, të ulja kokën me sytë përtokë. Ndryshe fliste paraqitja e saj, ndryshe shprehja e fytyrës. Megjithatë, arrita të mposhtë gjithçka dhe i thashë:
– Më falni! ,- zëri im më gjëmoi në vesh, ngase u përpoqa të përmbaja veten, – ky shoku im thotë se e prisni këtu sa herë kthehet nga puna. Është i shqetësuar. Ju lutem, a mund të na tregoni ç’kërkoni konkretisht prej këtij ? Gjynah! Është familjar. Shikojeni ! Deri më sot nuk ka njeri të thotë gjysmë fjale të keqe për të. Aq më tepër, biografinë e ka shumë të mirë.

– Zotëri, më falni, jeni keqkuptuar. Unë s’kam punë me këtë  njeri.

– Natyrisht, natyrisht, por..

– Atëherë, pse  gjithmonë më pret këtu, sa herë kthehem nga puna ? ,- iu hakërrua i revoltuar shoku im, duke ma ndërprerë bisedën,- pse shikon sikur do ta hash njeriun të gjallë? As të njoh. As më njeh. Pse provokon ?
Ajo buzëqeshi aq ëmbël e miqësisht, në mënyrë tepër të përmbajtur, sa ne u çarmatosëm të dy një çast.

– Unë zotërinj – tha me dashamirësi, duke na parë të dyve me vemendje e përunjësisht ,- nuk ndodhem këtu për të provokuar të tjerët. Jam e sigurtë se zotëria më ka keqkuptuar. Nëse keni dëshirë të më njihni e të mësoni arsyen pse ndodhem këtu, urdhëroni në banesën time. Do të ishte në nderin tuaj dhe për kënaqësinë time, natyrisht, që duke pirë kafe, ne mund ta njohim njeri-tjetrin më mirë. Ma do mendja se, mbasandaj, do të kishim konsideratë  tjetër për njëri-tjetrin/ Urdhëroni !
Mbetëm të shokuar. Fjala “zotërinj” u duk e çuditshme dhe e huaj për veshët tanë, po aq dhe tendencioze. Gati e tmerrshme. Pasi ideologjia e kohës na thoshte se fjala “zotëri” ishte MIKROBORGJEZE. Megjithatë, ajo fjalë na pëlqeu, na përkëdheli në shpirt. M’u duk sikur me atë fjalë ajo na vlerësoi më tepër, nga ç’na takonte. Vërtet, sa mirë u ndjeva kur më quajti, “zotëri”.  M’u duk vetja me origjinë perëndie. Ndryshe nga fjala “shok”, sikur të merrte dikush nga turma dhe s’ishe, as më shumë e as më pak, nga të tjerët. Ajo e kuptoi pavendosmërinë tonë për t’iu përgjigjur ftesës dhe ndërhyri po me aq lezet e edukatë :
– Më vjen keq, zotërinj, kur mendoj se do të tregoheni të pasjellshëm, duke refuzuar ftesën e një zonjusheje, që  siç e shikoni, ka dalë në rrugë e pret me orë e ditë të tëra, për të shkëmbyer dy fjalë, vetëm dy fjalë, me ndonjë shqiptar të vërtetë. Po, po ! Duhet të kuptoni arsyen pse unë kam nevojë të bisedoj me burra të vërtetë, nëse mendohet ka ende të tillë në Shqipërinë tonë të mjerë.
Ndoshta donte të fliste më gjatë, por nuk mundi, ngaqë, me siguri iu firua zëri, nga mushkëritë e mpakura. Aq e lodhur dhe e sfilitur duhet të ishte. Megjithatë, arriti të buzëqeshte me sytë gati në të perënduar, duke tundur kokën si në faj. Kërkoi të falur që ndodhej në atë gjendje të rënduar shpirtërore e fizike. Por, të them të drejtën, unë ende s’kisha vendosur për t’iu përgjigjur ftesës së saj. Së pari, ngaqë u ndjeva i cingërisur në sedrën e burrit, kur tha “burra të vërtetë”, së dyti, kur shtoi “..në Shqipërinë tonë të mjerë”. A s’ishin fjalë këto, që të fyenin e të ngatërronin politikisht? Ç’ishte kjo vajzë kurajoze, që s’ia bënte syri terr, edhe pse ne mund të mos ishim “burra”, siç dëshironte ajo ? Që mund ta denonconim për të larguar nga vetja belanë e, në këtë rast, të merrnim ndonjë përkrahje të mirë nga qeveria? Për mua, fjalët dhe veprimet e saj ishin thikë me dy presje, serioze e të rrezikshme. Shoku im kishte pasur të drejtë në parandjenjën e tij që ajo mund të ishte “bashkëpunëtore e Sigurimit të Shtetit ”. Prandaj  nuk do të merrja guximin për të pirë kafe në shtëpinë e saj, nëse s’do të ndodhte pikërisht ajo, që s’e prisja të ndodhte kurrë nga shoku im. Nga sedra a budallallëku, ai ia këputi preras, kur tha :

– Posi, hajde, motra ! Shumë mirë, le ta njohim njeri-tjetrin. Bile, ku të duash ti e pimë kafen – dhe u kthye nga unë gjithë kapadaillëk-, Ec, more. – më bërtiti – Nga anët tona i thonë llafit: “Burri nuk mbytet në një filxhan kafeje !”
Vetëm tunda kokën dhe shkova pas tyre, rëndë-rëndë.

* * *

Ajo banonte në katin e dytë, në një pallat dykatësh, ndërtuar në vitet `60, sipas stilit rus, ngrehinë me apartamente të ngushtë, dhoma e banja të vogla. Kuptohet, për të strehuar sa më shumë proletarë. Banesa e saj ishte me mobilie që përdornin zakonisht njerëzit e shtresës në kufirin e varfërisë. Na tërhoqën vëmendjen dy portretet e varur në mur në dhomën e pritjes : Ai i Skënderbeut në njërën anë dhe i Ëillsonit, Presidentit të Sh.B.A.- në vitet `20, në anën tjetër. Na bëri përshtypje, ngaqë ishim mësuar të shikonim në shtëpitë e shqiptarëve vetëm portretet e diktatorit e të udhëheqësve të partisë komuniste. Ndryshe, po të zëvendësoheshin me njerëzit e dashur dhe të vdekur  të familjes, ky veprim konsiderohej me tendenca armiqësore dhe banorët në atë shtëpi  shndërroheshin kontingjent i mundshëm për t’u regjistruar në anën tjetër të barrikadës, si armiq. Kjo ishte me zarar. Por, nejse. Nuk e dhamë veten. Pamë njëri-tjetrin në sy dhe aq. M’u duk sikur bashkëbisedova me shokun kur thashë :
– Vetëm banoni këtu, apo..
– Jo, jo. Nuk banoj vetëm – u përgjigj zëri nga dhoma tjetër, ku ndodhej  ajo- banoj me mamanë. E kam këtu. Por është e sëmurë. Nuk lëviz dot. E ruaj natë e ditë. Dhe doli prej andej.
– Po babai ?
Ajo na ftoi të uleshim duke buzëqeshur, si për t’iu shmangur pyetjes së paduruar të shokut tim. Na shtrëngoi duart përzemërsisht me të vetat, të vogla e të bukura dhe s’e largoi buzëqeshjen nga buzët, deri sa u ulëm nëpër poltronat e vegjël. Kundërshtoi të uleshim në divanin e madh, pasi, siç tha, nuk e përdornin, qyshkur. Poltronat ishin nga ata që prodhonte me shumicë zdrukthtaria e qytetit, për familjet e punëtorëve të thjeshtë. Na pyeti si e pinim kafen, por e refuzuam : “sapo e kishim pirë ”. Ajo iku, u zhduk përsëri në dhomën tjetër dhe u kthye, sa hap e mbyll sytë. Solli dy albume të mëdhenj me fotografi.
– Ju lutem, shikoni këta sa t’iu përgatis diçka për të pirë!
Iku fluturimthi në dhomën, ku mendohej se ishte mamaja e sëmurë. Ne filluam të shfletonim albumet. Kaluam goxha kohë duke i parë. Mbaroi secili të vetin, por ajo s’erdhi. Dyshuam. Pamë njeri-tjetrin. Gjithsesi, ishim të detyruar të prisnim. Shkëmbyem albumet. Në çdo faqe gjenim atë së bashku me një djalë shumë simpatik, herë përdore, herë përqafuar, herë në këmbë, herë shtrirë. Një çift i bukur, i dashuruar marrëzisht. Ajo u shfaq pa pritur me një tabaka para duarve, krejt ndryshe nga ç’ishte e veshur pak më parë. E stolisur si një nuse. Fustani i bardhë, i gjatë, i zvarritej nga prapa, pa vello, me buzë të kuqe dhe qerpikët e nxirë. I shndriste fytyra. Vërtet një mrekulli. U shastisëm. Unë gati klitha nga habia, por s’e lëshova veten, ngaqë më nduku shoku poshtë këmbëve. Pastaj, ajo s’na la kohë të shprehnim çudinë e të pyesnim përse ishte veshur në atë mënyrë. Na afroi përnjëherë gotat në tabaka.
– Urdhëroni! –  tha – Mos u çudisni që më shikoni veshur kështu. Unë sot martohem. Ju të dy, fatmirësisht, do të jeni dëshmitarët e mi të nderuar. Ju zgjodhi Perëndia me dëshirën time. Ju lutem, merrni gotat dhe më uroni ! Mamaja është e pafuqishme, s’mund të vijë për të trokitur gotat me ne. Urdhëroni!
Sapo mora gotën, desha të flisja, të pyesja, por ajo vendosi përnjëherë tabakanë në tavolinë, ngriti gotën e saj drejt nesh dhe vazhdoi:
– Këtë shëndet do ta pimë për të dashurin tim,  që kalbet në një gropë, kushedi ku, në malin e Gramozit.

Uli kokën për të fshehur lotët.
– Këtë tjetrën, për të ardhmen tuaj, që ta gëzoni sa më shpejt !
Tringëllijti gotën me tonat dhe e kaloi me eks lëngun e verdhë në gotën e saj.
– Faleminderit që  ndodheni në këtë çast të paharruar të jetës time ! – tha me sytë që i shkëlqenin nga një gëzim i egër- E gëzofshi  lirinë, që po afrohet !
Asaj i ra gota nga dora.
-Por, ama, ta dini, atë s’do t’jua dhurojë njeri, as do të vijë nga qielli. Duhet  ta fitoni vetë. Nxitoni, nxitoni, pra, ç’prisni ! Unë po largohem. Me falni. Po iki nga kjo jetë. Rroftë Liria! Nuk jam e zonja më të vazhdoj. Ai më pret. E dua shumë. Më lodhi diktatura. Në burg mësova të vërtetën. Hapni sytë! Midis nesh po rritet njeriu i ri, antinjeriu,  s’e ka njohur njerëzimi deri më sot. Hapni sytë, o njerëz, o shqiptarë! La..mtu..mirëëë ëk ëk ëk…ë…
Vaisi kokën djathtas dhe ra në dysheme, si një lule e këputur nga rrënjët. Vdiq e helmuar.
Në dhomën tjetër, unë e shoku im, u tmerruam kur gjetëm edhe nënën e saj të vdekur.

1985

Vdekja e Dallëndyshes së “Burrelit…” Nga Bedri Çoku

 Dita më e gëzuar për të burgosurit politikë të burgut të Burrelit, në diktaturën komuniste, ishte  njëra nga ditët e marsit, kur në qelinë e tyre, papritur, hynin cicërimat e dallëndysheve të para …Bashkë me to edhe  aroma e pranverës, vrulli i jetës së lirë, lutjet i fuqisë hyjnore, pse jo dhe ndijesitë e dashurisë njerëzore. E ndërtonin folenë brenda në qeli dhe çfarë tjetër më e gëzueshme e argëtuese do të ishte  për ata, që vite e vite përjetonin vetëm këto emocione, mes katër mureve të qelisë. Vizita e papritur e dallëndysheve ishte ndryshe, nga qeniet e tjera, që i përçmonin në atë vend të mallkuar. Me ardhjen e tyre, të burgosurit politikë, uronin me gjithë shpirt njeri-tjetrin:“Qoftë viti i lirisë e i çlirimit të Shqipërisë! ”As festat e Bajramit, të Pashkëve apo e Pavarësisë nuk sillnin atë gëzim e shpresë për të burgosurit që treteshin në burg, për liri e demokraci, siç ua sillte pranvera e dallëndysheve. Në qelitë e tyre rifillonte jeta, ëndrra për të ardhmen, ngase, të ngeshëm deri në çmenduri, mbështetur në kurriz, ata vrojtonin me orë të tëra, çiftet, që ndërtonin çerdhen e bukur të familjes së ardhshme ndërrimet e prindërve, kur zëvendësonin njeri – tjetrin, për të ngrohur vezët, pastaj, për t’i ushqyer të vegjëlit, apo kur vigjëlonin për të mbrojtur shtëpizën dhe pasardhësit e tyre. Aty grindeshin, aty pajtoheshin, për të ushqyer fëmijët, që cicërinin për të ngrënë …Kjo ishte gjithçka që u mungonte aq shume të dënuarve, të izoluar, nën tavanin e betonuar ushtarakisht: familja, fëmija, puna dhe sakrifica për të ndërtuar të ardhmen e tyre Dhe ja, fatkeqësisht, një ditë teksa të dënuarit ktheheshin nga orari i ajërimit, në krevatin e njërit prej tyre kishte rënë “i vogëli” i folesë. “Oh, ç’fatkeqësi!”Askush s’kishte mundësi ta rikthente në folenë e vet. Tavani ishte shumë i lartë. Prindërit e tij përplasnin krahët sipër kokave të njerëzve, por pa mundur të realizonin gjë. Mjerisht, “i vogëli ” do të jetonte, tash e tutje, me  të dënuarit nga diktatura komuniste, i burgosur si ata, i mbyllur mes katër mureve, deri sa të rritej, nëse arrinte t’i shpëtonte syrit vigjëlent të policëve të shërbimit të brendshëm, e të fluturonte përmatanë këtij Ferri dantesk. Por, jo! Më i moshuari, njeriu më autoritar i dhomës, Dom Nikoll Mazreku, iu drejtua bashkëvuajtësve: Të nderuar, me bekimin e Shën Marisë, zogthin e vogël do ta quajmë “Princi i Lirisë“, me status:“I PAVDEKSHËM ”, i cili do të jetojë e do të rritet për të fluturuar, si gjithë të  tjerët, i lirë, në qiellin e pamatë, edhe pse një dorë e padukshme e hodhi këtu, midis nesh! Ata e duartroitën Dom Nikollën e famshëm, njeriu me katër diploma, i cili vuante, prej shumë vite në këtë  burg  të zi. Në këtë rast, shtoi ai, do t’u kërkojmë ndihmë edhe të burgosurve nëpër qelitë e tjera, pa dallim feje, krahine dhe ideje, të jenë solidar me qëllimin tonë të shënjtë e fisnik: Për të shpëtuar “Princin e Lirisë”! Duhet të grumbullojnë, sa të munden, edhe ata, çdo minutë, çdo orë, çdo ditë miza, insekte dhe çdo gjë tjetër, që është e dobishme për fatkeqin tonë të vogël!.. Pavarësisht si erdhi në dorën tonë, ogur i mirë, apo  i keq! Ama, këto detyra të jenë të patolerueshme!

“Vdekja e tradhtarëve, liria e shqiptarëve! ”

Thirrën të gjithë një zë. Ai  u mësua shpejt, me të gjithë, ushqehej nga të gjithë, hante me të gjithë, flinte me të gjithë dhe, rritej për ditë midis tyre. Edhe në ajërosje atë e merrnin fsheurazi me vete. E bënin me radhë. Ai ishte jeta dhe dinjiteti i tyre. Kur erdhi dita e fluturimit, për herë të parë, të burgosurit lotuan nga gëzimi, ama, edhe u trishtuan: Princi i Lirisë s’do të ishte më midis tyre, ai s’do të ishte më problemi dhe argëtimi i tyre. “Besa – besë, nuk do ta harronin kurrë”! Sa herë dilnin në ajërim sytë i drejtonin nga qielli, mos vallë e shikonin në fluturim, të lirë, së bashku me lirinë e tyre, të  gëzuar, së bashku me gëzimin e tyre, të trishtuar, së bashku me trishtimin e tyre. Ai do të kalonte male, fusha, dete dhe oqeane. “Do të shkonte, me siguri, në Amerikë, në Shtëpinë e Bardhë ku do të fliste me Presidentin, me njerëzit e lirë të Botës demokratike dhe, do t’u tregonte atyre, për shqiptarët që po vuanin me dekada, për liri e demokraci, nga diktatura e regjimit komunist. Por jo! Për ccudinë e të gjithëve, Princi, u kthye përsëri një ditë  nga “ Qielli i Lirisë”, në tokën e robëruar, duke cicërirë sipër kokës së tyre dhe, duke përplasur krahët në shënjë mirënjohje dashurie për ta… Dhe, papritur  u ul mbi supin e njërit  prej tyre. Ky, sapo dalloi verorëzen në këmbën e djathtë të dallëndyshes, që ata ia kishin vendosur, qyshse e gjetën në krevat, thirri i gwzuar: Oh, qënka Princi ynë… i Lirisë! E prekën të gjithë me dashuri dhe lot, për besnikërinë dhe mirënjohjen dhe … Kur e lëshuan, e brohoritën. Por, ai, nuk iku larg siç dëshironin ata. “Princi i Lirisë” zbriste përditë në duart e miqve të tij, për t’i gëzuar e përshwndetur dhe, ngjitej përsëri në qiellin e paanë. Këtë gjë e mësuan njerëzit e komandës, ndoshta rastësisht, nga habia e ushtarëve të rrethimit, të cilët ccuditeshin që një dallëndyshe, përditë, ulej në duart e ccdonjerit prej të burgosurve. E alarmuar, komanda e burgut nxori urdhër për dallëndyshen, që ulej përditë në duart e të burgosurve, që të gjendej mënyra për ta kapur dhe eliminuar, sepse ajo mund të ishte  stërvitur nga të burgosurit, për të bërë punën e një agjenti . Mendja djallëzore ngriti kurthin, duke mos  i nxjerrw  një ditë të burgosurit në ajërim, dhe mbushi oborrin me ushtarë, të cilët ngrinin duar lart, sicc bënin të dënuarit dhe, e realizuan aksionin. Ndërsa të burgosurit politikë, megjithatë, pritën e pritën me shpresë se një ditë “ Princi i Lirisë”, do të kthehej nga Shtetet e Bashkuara të Amerikë, nga Shtëpia e Bardhë…me simbolin e Lirisë e të Demokracisë, për t’i shpëtuar shqiptarët nga thundra e diktaturës komuniste, por më kot…Një ditë, ata e njohen “PRINCIN e tyre të LIRISE”, me krahët e ngrira nderur mbi telat gjëmbacë të rrethimit, me verorëzen në këmbën e djathtë dhe derdhën lot trishtimi…

Kush ore kush – Poezi nga Neki Lulaj

Kush na vrau në djep fëmijët
do mallkohet jetë e mot
Kush në buzë gazin na ngriu
lumturinë mos e provoftë
Kush na vë lotin tek sytë
iu bëftë trupi si kërcuri
Dhimbja jonë jetën na nxiu
U bënë  foshnjat lule guri
Sheh shqiponja kaltërsinë
Vjen nga lartësija e Korabit
Rron kujtimi i përtërirë
Sjell të fala Dardania
Për fëmijët ngrej bajrak
e baj këngën lule bjeshke
Shpirti ynë është i vrarë
po nuk thyhet në rrebeshe.
Zgjojmë nga shekuj trimërinë
krenarinë që përcjell brezi
SE për tokën dhe lirinë
Në lahutë e latoj telin
Për fëmijët e thur këngën
si bajrak që kuqëlon
Abetarja ma zgjon ëndrrën
për këtë tokë që më krenon….

“Guralecët e FROJDIT” në një libër me poezi- Esé nga Përparim Hysi

“TOMORI-MALI I SHENJTË”,nga BASHKIM SALIASI

Titulli i kësaj eseje është metaforike dhe metafora është imja. Është një metaforë që i rri për shtat librit me poezi”Tomori- Mali i shenjtë” nga Bashkim Saliasi. Anologjia sado që s’është kurrë e njëjtë,është e ngjashme. FROJDI i ka dashur poetët dhe nga ai ka mbetur ajo thënia proverbiale e tij:”Unë kudo që kam shkelur,e di se aty më parë ka qenë një poet”. E sa për”guralecët”,për ta bërë më të qartë për lexuesin,shiko se si thotë:”Jeta është e mbushur me çaste dhe unë,për çdo çast të veçantë,fut nga një guralec në kuti të veçanta”. Dhe unë,pasi lexova librin me poezi të BASHKIM SALIASIT, shtroj pyetjen:”Sa kuti i duheshin poetit për të vendosur” guralecët e FROJDIT”? Sado që pyetja ime është retorike,përgjigjen e ka brenda. LIbri është me poezi ku”guraleci” më i madh është dashuria për vendlindjen
Por larmia e temave që trajton poeti në libër është e tillë që duhen kuti aq,sa të hapet një pavijon i tërë.
Unë lexoj një libër dhe e shoh me sykritkë.Kështu e shoh dhe këtë.
SHËN AGOSTINI e ka thënë me kohë:”Çasti i parë i kohës,përkon me çastin e krijimit.
Tek e shoh në tërësi librin.më vinë ndërmend fjalët e DANTES:

“Nuk fitohet gja.
Tuj ndenj mbështet
AS mbi nëkrejsa
A mbi pupla të lehta
Deri sot askush lavdi s’ka gjetë…!

Aluzioni është i lexueshëm. BASHKIM SALIASI nuk ka ndenjur nën krejsa a”pupla të lehta”,por çdo ditë”nga një vijë,e çdo ditë nga një rresht” shkruan një libër me poezi për vendlindjen,se,siç thoshte DEMOSTENI”Koha është gjëja më e vlefshme që mund të shfrytëzohet nga njeriu”. Dhe ka shfrytëzuar duke na bindur për një fakt shumë domethënës:” Jeta merr fund ditën që heshtim!”,Këto fjalë në thonjëza,janë të Reformatorit të KISHËS GJERMANE,MARTIN LUTER.
Të shkruash poezi,nuk është punë e lehtë. LEO BUSCAGLIA thotë:” Talenti është dhuratë e ZOTIT për ty,se ç’bën me të,është dhurata jote për ZOTIN”. Në gjykimin tim,BASHKIM SALIASI jo vetëm nuk e ka shpërdoruar,”këtë dhuratë të ZOTIT”, por sjell për lexuesit një libër që sjell freski në këto ditë të vapës Sahariane.
Vendlindja është vendi ku robërohe shpirti,thotë VOLTERI,ndaj dhe POETI,sado larg nga SKRAPARI e TOMORI,atje janë në çdo ditë,në çdo stinë dhe,tek i drejtohet vendlindjes,shkruan thjesht,të përtypshëm vargjet për”çdo stomak lexuesish” dhe jo vetëm kaq, DOBRUSHA,fshati ku ka lindur e ka jetuar është e pranishme përmjet vargjesh jo vetëm njëherë. SE,në fund të fundit, e gjen mallin ehhe kur këndon për prindërit,për motrat,për vëllezërit dhe deri tek shokët. Karizma e poetit rritet,përmjet larmis së temave dhe,mbi të gjitha,me mesazhet që përcjell.
* * *
Për të qenë edhe më afër,për çka them,po bie për lexuesin,disa poezi:
Vendlindja
Në vendlindje jam përheë
Aty ku buron ujtë e ftohtë
Në çdo stinë:dimër e verë
Ku bilbili këngës ia thotë.
DOBRUSHA në dimër *
Tomori hedh krahëve gunën e bardhë
Shtëpitë tymosin si pleqtë,krenarë
Të gjitha pemët me vello mbuluar
Dobrusha,bri Tomorit,ndrin si ar!
*fshati i poetit
GJURMË në vite
Gjurmët në jetë
Lihen me punë e vepra
Në letër shkruhet historia
Brezash merr vlerë e vërteta.
* * *
Ngaqë ka qenë mësues,ai e di mirëflli rolin në shoqëri të mësuesit. STERJO SPASSE,ngaqë ka qenë mësues vet,e ka vlerësuar shumë mësuesin dhe ka thënë:”Mësuesi ka në dorë fatet e shtetit dhe është timoni i burrave të ardhshëm të një ATDHEU”. Ja,me pak vargje,si shkruan poeti:
Mësuesi
Nga duarët e mësuesit të mirë
Dalin punëtorë,ministra,deputetë
Tallen me pagën e mësuesëve të shkretë
Nxënësit kur vinë në pushtet.
Ja dhe një poezi tjetër
Populli
Populli është një”dele” e urtë
E mjelin me votë partitë
Sa marrin pushtetin një ditë
E rrahin me taks dhe i shtëngojnë burgjitë
Dhe po e mbyll me poezinë
TOMORI dhe unë
Mbi shpinë të TOMORIT kalova fëmijërinë
Dke rendur pyjeve,majave,lëndinave
U rrita me aromën e luleve në çdo stinë
Herë duke mbledhur çaj,sherebel e trëndelinë.
Po ku mbarohen”Guralecët e FROJDIT”? Vetëm i uroj poetit suksese.
Tiranë,11 qershor 2024

NUK KAM DASHUR KURRË TË SHKRUAJ POEZI – Cikël poetik nga AGIM DESKU

 

NUK KAM DASHUR KURRË TË SHKRUAJ POEZI

Kurrë nuk kam dashur të shkruaj poezi
Një ditë ia shkrova një letër mikes sime
I pëlqeu motivi i letrës që ia dedikova
Në telefon më mori e mê dha komplimente

Nga ajo ditë dua t’i besoj poezisë se vërtetë
Është mbretëreshë e fjalës dhe shpirtit të bukur
Do ta kërkoj miken qē i pëlqeu letra ime e bardhë
Ndosha është imagjinatē mikja ime
Kur më kërkoj të shkruaj vargje të letrës së bardhë

Në thellësitë e Titanikut duhet gjetur fjalën e bukur
Do ta provoj ta gjej letrën e shkruar vite më parë
Në kohën kur kisha dëshirë t’i kapja retë me duar
Të vërtetën që më duket vetëm unë e ruaja në shpirt

Eh,sa dëshiroj t’i rikthem letrës se bardhë për miken
T’i rikujtoj shkronjat e arta që dilnin mga zemra
Me to krijova botën e artit të emrit tim Agim
Rastësisht zbulova se nëse takon mbretëreshën

Je vet mbreti i saj dhe i vargut që zbret nga qielli
Tani në vend të letrës se bardhë për miken
Dua ta gjej ku fshehet vargu i bukur i Lasgushit
Do të hedhem edhe në det për ta shpëtuar Seremben

Ndoshta vargjet e tij dikush i mban në gji të zanave
Kështu vitet ikun së bashku me letrën e bardhë
Veç fjala e bukur mbetët si mbretëreshë e jonë
Fytyra e saj tani ia ka kalue edhe Mona Lizës

Dhe për befasi timen jetoj në kohën e artë të poezisë
Kjo më çliroj nga kthetrat e errësirës se ferrit
Më bëri burrë aq sa i meritova betejat e lirisë
Në sytë e saj tani jam vet fjala e bukur e poezisë.
MAJ ,2O24,AGIM DESKU

FYTYRA E NJERIUT

As si pikturë s’ka mbetur
E kanë vështirë piktorët të pikturojnë
Fytyrat e të paftyrëve

Kanë ndërrue kohërat a njeriu
Fytyrat janë bërë palaqo dinosaurësh
S’ka ma shejtëri fjala e njeriut
Kulmin e rrënjëve të apokalipsit e ka marrë
Mos e vet se të tregon vet

Aleancë me djallin ka lidhë
S’mund të kërkosh besë të i pa besi

Kohë e dashurive hajdutësh na ka rrethue
Fillim e fund vetëm ferrin e ka
Janë barazue me një mijë e një netë demonësh
Djajtë janë shndërru në fuqi perëndish

Asnjë legjendë nuk e kanë lenë për fisin tim
Më duhet t’i kërkoj vitet e fëmijërisë
Kur i besoja veç nënës se padjallëzuar.

MOS MË THUAJ SE S`TË KAM DASHUR
-Personazhi i ditës –Gjergj Prenkoçaj,ideator e financues i bustit të Skënderbeut!

Gjakovë
Mos më thuaj se s`të kam dashur
Sot kur të buzëqesha
Më ngrohtësinë e diellit
E ndava me ju populli im
Ma shumë se dje
Nesër edhe ma shumë
Se Kalabria erdhi këtu
Në mirëseardhje
Të Gjergjit
Nga Amerika e Tuzi erdhen
Zef e Gjon Gjoka
Edhe Tirana e patriotëve
Është këtu me ne Sazan Guri
E Rajmonda Malecka
Presheva e Medvexha e Rexhep Abazit
Prishtina e patriotit Hasan Prishtina
E Sevdije Sadikut dhe Shkupit shqip
Shpresa Sinani nënë dëshmori të lirisë
Eh,Mitrovica e Halit Beranit e Qerkin Ibishit
Gjeneral Nue Sanaj Shkodrani
Sa m`i kapën sytë poetët
Tahir Bezhani e Ismet Delia
Tropoja është çdo ditë këtu edhe sot
Me poetin Kujtim Hadarmataj
Peja e Frashërit dhe Agimit
Sot njëqind kalorës të Haxhi Zekës
Nesër brezave do ju lemë kujtim
Të gjithë si sot ushtarë të Gjergjit
Kështu na duan miqtë të bashkuar
Armiqve pushka ju baftë top.

Gjakovë. Më.4 Maj 2024 Agim Desku

ME DIELLIN VALLËZON
-Korifeut të valleve shqiptare,Deli Metalia-TROPOJË

Sa e madhe është Shqipëria
Kur me diellin vallëzon Deli Metalia

Sot në këtë ditë të veçantē feste
Ka vite që në mendje e kam vergun
Për artin e vallëzimit të Deli Metalisë
Një burrë burri që i dha art të bukur Shqipërisë

Sa me fat është vargu im për ty artist
Kur nga Ameerika ia bëhu edhe njē poet
Një lis Tropoje Sami Mulaj që e shndrrit poezinë

I thash Deli Metalia sot feston ditëlindjen
Të dytë të uruam vëllazerisht ditë me embëlsi
T’i jetosh gjatë valles Tropojane der mbi olimp
Me iu lenë kujtim Deli Metalinë ta trashëgojnë

Eh,Tropojë të falem për lisat që i rrite për Shqipërinë
E them nga shpirti kanë gabue ata që na ndan
Se Tropoja është Kosovë e Kosova Tropojë

S’ka birë nëne qe e luan këtë fjalë
As nuk guxon ma kush më i vu kufirit gurë
S’ka ma nënë që e lind atë burrë

Janë aty lisat e Tropojës që e hieshojnë tërë Kosovën
Aty kanë folen zanat e Malësisë që i japin gji heronjve të shqiptarisë.

30 Prill 2024 AGIM DESKU

 

BURRNISHT
-Dedikim Ali Lajçit

Burrnisht tê them se herët ike
Të njoha për burr të kombit
Sa herë u takuam burrnisht
M’i shtrengove të dy duart
Një gjest i veçantë që të them
Ishe burrë shkuar burri
Ke pasur kohë të qëndrosh edhe ca me ne
Më i pritë pranverat e bukura rugovase
Apo tê lëshuan një za luftëtarët e Republikës
E di burrninë tënde
Fjalën iu ke dhënë se do të qëndroni bashkë
Si në vitet 81-ta në burgje o në liri
Të kam besue se e mban fjalën
Por sot nuk pajtohem që na le me lot
Jam gati të betohem se kurrë nuk ike
Burrnisht qëndrove dhe jetove
Po,po,borrnisht po shkon të shokët e Republikës
Por, vallë a do të mbetët një Ali tjetër
Me pi një kafe në Prishtë dhe tjetrën
Rrugës se Kombit me e ngrit një gotë raki në Tiranë.
29 Prill 2024 AGIM DESKU Shiko më pak

ME LUFTËN JAM LODHË
-Sa mëkat që lufta na i vjedhë dashuritë!

Me luftën jam lodhë
Edhe me shekujt e ferrit
Jam lodhë
Edhe me burgun mijëravjeqar

Në djall vafsh luftë
Mos të dëgjofsha as si emër

Tani dua të shkruaj
Veç për ty poezi
Për dashurinë e shqipeve
Të pres të ngritim dolli vere
Për pafajsinë time
Që u gjenda në luftë

Sa herë u mallkuam
Të dytë
Unë dhe lufta
Që kurrë s’kisha fuqi më e ndalue
Nëse vdes si hero për lirinë e atdheut
Atëherë do të merr fund lufta kudo nëpër botë

Unë dhe bota do të jetojmë të lire

Luftën s’dua ta kujtoj kurrë ma
Ose dua të fjalosëm me ty zoti im

Luftën dua ta ndërroj me trëndafilat
Me aromën ma të bukur të luleve
Edhe me bishtalecat e mbretëreshës sime
Me sytë e saj që di të vdes për dashuri

Sa mëkat që lufta na i vjedhë dashuritë.

AGIM

Sa me fat jam
Kur nëna më pagëzoj me emrin
Agim

Me Agimin e qytetnisë eca drjet diellit
Dhe u rrita me një mijë mundime të njëjta
me popullin tim

E dini se çfarë nuk përjetuam si popull
Një jetë të tërë dhembjesh e plagë shpirti
Pranova ferrin për pak dritë
Ta ndajmë së bashku me miqtë

I rilexova rrënjët e mia sërish
Që m’i sërvuan në gotën e dehjes
Historinë vetëm sot e mësova drejt

Sa me fat isha pse nuk urrejta kurrë
E di që fatin do duhej kërkuar
A nuk mjaftuan dhembjet e plumbave
Që i mora në jetë e për jetën

Musafirë të paftuar kisha veç demonet
Perandorët ishin fjala e fundit e djajëve

Sa herë çelnin lulet e para në pranverë
Jetës i dëshiroja të shndrrohej në aromë trëndafili
Përmes pëllumbave dëshiroja të fali paqe

Kështu e madhëroja emrin që më pagëzoi nëna
Edhe njëqind vjet t’i kisha jetë
Së bashku me lulet dua të me jetojnë kujtimet

Për dashuri nuk kisha kohë të krijoja asnjë varg
Se çlirimtaret mbetën në pritje të heronjve të tyre
Koha kur më pagëzuan ishte kohë betejash
Për jetë a vdekje

Derisa u bëra piktor për të pikturue të bukurën e tokës
Me të cilën na lidhnin dëshirat për t`i qëndrue besnik fatit të jetës
Ndoshta fjalën e dhënë që e mbajta tërë jetën
Kjo fisnikëri me duket që më bëri pakëz burrëror.
19 prill 2024

TRUSHPËRLARËT

Bota s’mund të ekzistoj pa trushpërlarë
E kanë thënë mendjet e mençura të popullit tim
Në secilin vend e tek secili popull jetojnë të tillët
Ma shumë më duket në këto anë janë trimërue
Kjo erë e re shekujt i ka shndrrue në peng ferri
Në të zitë e ullirit fjalës ia kanë vjedhë lirinë
Nē njëqind copa atomësh na e kanë nda jetën
Askush sot nuk mund ta gjejnë ma të vërtetën.

ESKOBARËT PA ESKORTË

Edhe çfarë duhet të na ndodhë
Eskobarët të ecin pa eskortë
Ta kishin mendue në sy e vesh paqen
Edhe në çka duhet më iu betue
Kur i falem edhe plagët e pashërueme
Toka s’di nëse ka zot tjetër përpos Gjergjit
Edhe kur ishimi peng ferri
Kurrë nuk e falem
As që ia ndërruam zotin e shtrejtë
Eskobarët ka kohë që ecnin dhembjeve të mia
Sa herë u kryeqëzuam në dollinë e çlirimit
Edhe sot pas mijëra fotografive të tmerrit
Askush s’ka guxim të çel Kutinë e Pandorës
E vetmja udhë për t’u bërë banor i shejtë
Se nuk ishim larg nga Molla e Adamit
E dini se çfarë iu bë Homerit
Për besën e Dorontinës shekujt i çmenda
Menduen se ma kanë vra besë e zemër
Nuk vritet koha e Prometheut të tokës
Edhe nga gurët me zanat do të ngrihemi
Këtë herë lotët e ndarjeve i bëra ngjyrë lapsi
Historisë nga fillimi kam më iu kushtue
Aty ku më ka lind nëna në djepin me yll Davidi
Dua të dehem dhe të ngriti gotën e lirisë.

ME U DASHTË
– I besoj çmendurisë së marrë të dashurisë!

Për me u dashtë
Duhet me na prangos dashuria
Me na e ndrydhë zemrën si limoni
Me sytë e syzezës me na rënë thikë
Në mes të shpirtit të Zhulietës

Me vdekë në gotën e helmit
Në vend të Romeut
E me ia puthë buzët Zhulietës

Kam prit kaq vite të shtrenjta
Ta zgjoi nga gjumi vdekjen
T’ia shprishi flokët që ia hieshojnë ballin
Dashuria për Romeun duhet më të ringjallë
Zhulietë
Edhe për ëndrrën time që mbrëmë të përqafova

Ka disa vite që kërkoj një vend të lirë
Një lule për të pagjeturit ta vëj në lapidar
Për rikthimin e heroit të çlirimtares
Çmendurisht besoj në dashurinë e Romeut
Marrëzisht u bëre gotë e helmit Zhulietë
Sa dëshiroja të isha unë në këtë përrallë
Në rrebel legjendash më kanë shndrrue
Të pi përrikthimin e besnikërisë Doruntinë

Ajkunë mu bafshin sytë e mbretëreshës

Dhe sa herë lutem të bie shi
Trëndafilat të falin aromë ëndrrash
Të gjitha lutjet i krahasova me muzën
Asgje të vërtetë s`ka përpos fjalës të dua

Serembe më mësoi t’i rezistoi detit kryeneq
Dhe lule të vëj mbi varrin e të dashurës

Sa kisha dashtë me u dashtë si lulet mes vete
T’i fali këngët e kanarinave që mbajnë në jetë
Adam mos më le asnjëherë pa puthjen e Evës
Atëherë s’do të këtë luftë kurrë ma
Dhe bota do ta fle e lirë në puthjen e Evës .

 

 

 

P O R O S I A
– Porosinë dua më e percjell brez pas brezi atëherë do të preheshin të qetë të rënët për atdhe!

Nga stërgjyshët e kemi këtë fjalë
Me zemër me e valëvit flamurin kombëtar
Gjithnjë në kokë më e mbajtë plisin e bardhë
Kështu do të na di bota për shqiptarë

Porosinë dua më e percjell brez pas brezi
Atëherë do të preheshin të qetë të rënët për atdhe
E meritojnë luftëtarët gotën ta ngritim lart
Jemi me fat t`i përkujtojmë orë e çast

Sikur dje në Kliqinë për heroin Çelë Deskun
I rënë fytas me okupatorin e korbave të zi
Fytyrën dhe nderin ia ndriti kohës së Gjergjit
Të kaluarën tonë duke mbajtur në zemër

Më i kujtue zanat kur ju kanë dhënë gji me pi
Heronjve nëpër legjenda siç ishte Muja Kapedani
Si në kohën e bac Ademit e çlirimtarëve të lirisë
Do t`ia them një këngë të agimeve të bardha

Për plisbardhët e Shqipërisë që hije ju ka liria
Sa të ëmbla i kishin buzëqeshjet heroinat e atdheut
Në Doruntinë secila çlifimtare u shndërrue
Në Promethe atdheu u rikthyen heronjt e gjallë

Sot vetëm porosinë e mikut ma shtro në sofër
Të pi deri sa të dëgjohet kënga e gjelit kryeneq
Më zgjojnë ëndrrat për sytë e artë të syzezës
Për mua porosia e miqve është bota ime e lire

Ju qofsha falë miqve të mi të lirisë
Ishit ju heronjtë e gjallë që më ndihmuat
Në bashkimin cep me cep e Shqipërisë.
27 prill 2024 AGIM DESKU

 

SHQIP
– Kohët kurrë nuk i patëm për vete!

Shqip këtu e aty
Andej e këndej

Në çdo hap
Brez pas brezi
Shqiptarë të ndarë
Kurrë të bashkuar

Thënia e së dielës
Kohët kurrë nuk i patëm për vete
Edhe pse shqip folëm me to!

 

 

RIKTHIMI I PROMETHEUT NË SYTË E MI
– Kurrë nuk jetuam ndryshe vetëm shqip këtu e andej detrave dhe brez pas brezi!

Kohët kurrë nuk i patëm për vete
Edhe pse i kishim ma afër së këmishën e trupit
Me to folëm shqip e kënduam si të krisur

Ndoshta duhet ta kërkojmë diku këtë mistër
Mëkatin e ndarjes që na urrenin palaçot

Të vërtetën e ndarjes e pava vetëm në sytë e mi
Kur biente shi i mbushnim lumënjtë e detin

Kurrë nuk jetuam ndryshe vetëm shqip
Këtu e andej detrave dhe brez pas brezi
Dhe ne prap së prap mbetëm të ndarë
Pa u bashkue kurrë tokën e stërgjyshërve të mi

Për më e ngritë gotën e lavdisë s`ke ma më ke
Përveç syve të mi që i flasin veç zemrës së shkretë
E di që në tokën time në çdo pranverë çelin lulet
Me aromën e tyre lindin dhe rritën çlirimtarët e atdheut

Sa shumë dua të besoj së në një ditë të afërt
Kanë më e festue Rikthimin e Prometheut.

RRËNJËT E MIA
(Ku më kanë mbetur rrënjët e mia sot?)

Mjaft kërkova gjithandej
Kah po shkojnë shqipet e mia

S’lash gurë e dru pa i lëvizur
Deri në Butrint e Baba Tomor
Aty ku jemi shndrrue në legjendë

E si duket as aty s’mund t’i gjej
Po besoj se janë zënë
Me pesë shekujt e ferrit

GJUMI I RËNDË
– I netëve të dimrit i ka marrë

Janë ngrirë
Dhe s’ka fuqi ma që i zgjon

Apo sërish duhet më u zgjue
Nga varri një Promethe

Më u ulë e më ngrit dolli
Rreth sofrës se bashkuar
(Prill, 2024)

SOT

Sot jam me ty dhembja ime
Kurrë nuk do të pushoj
Pa të krijue një varg kujtimi
Me të kujtue si plagë që me dhemb
Orë e çast në jetë

Gjithmonë jam me ty dhembja ime
Kurrë mos u bëfsh plagë që s`ka shërim
Urrejtjen kurrë s`ta fali për asnjë çmim
Edhe nëse duhet të jemi banorët e parë të ferrit

S’KA MA BURRNI
-Edhe nëse veç pak ka mbetë vaftë në ferr!

Nuk e paskëna ditur që s’ka ma burra
Trimat dje e kanë thye kufirin në Koshare
Sot burra tê tillë që e thyen kufirin s’paska fare
Ju lutem mos mē flisni ma për burrni

As për traditën dikur në këto anë të shqipeve
Kur femra ishte dhe për jetë është e shejtë
S’mund të besoj të ngritet dorë në fatin e jetës
S’dua me besue ma që ka mbetur diku burrni

Edhe nëse veç pak ka mbetë vaftë në ferr
U djegtë në furrë të zjarrit si Xhordano Bruna
E urrej njeriun që e vret kohën e vet

Vallë koha e jonë a kaq shpejt e harroi
Të njëjtën kohë vrastare që dje na vranë
Apo edhe pas pesë shekujve të ferrit
Prap na mungojnē shekujt e tmerrit

A dojmë më pa ndonjëherë dritën e diellit
A veç zi e ma zi të mendojmë në këtë gjysmë liri

NANË
-Nanë e di që më dëgjon atje lart ku qëndron edhe atje je mbretëreshë si dikur edhe sot!

Nanë s’më ke mësue me jetue kurrë pa ty
Më ke dhënë gji si zana të pi
Në krahun tënd dielli më ka ngroh

Më ke rritë në djep me yll Davidi
Më ke thënë ngado që shkon
Krijo një shtëpi për miq
Nuk i dihet kohërave se ato ndryshojnë
Ndërrojnë sa herë fryejnë stuhitë

Nanë sa bukur çdo ditë me këtë emër me të thanë
Zemrën ma mbushë me rreze të arta të diellit
Ah, sa i ngjanë aromës së bukur të trëndafilit
Nuk di cilit yll t’i them zbritma veç një fjalë
Ta shoh fytyrën tënde nanë si më ka marrë malli

Nanë e di që më dëgjon atje lart ku qëndron
Edhe atje je mbretëreshë si dikur edhe sot

Nanë sonte në ëndërr lotuam të dytë
Për plumbat vrasës mbi femrën tonë
Dje dihej kush ishte vrasësi ynë
Sot në pik të ditës kriminelët vrasin
Pse kaq shpejt e harruem dorasin

Nanë sa mirë kish qenë të ishe bashkë me ne
Më u lutë për shpirtin hyjnor të motrave të gjalla
Kurr ma të mos kalojnë nëpër vatra tona zezonat
Stop dhunës kur me shekuj na ka përcjellë kjo e ligë

Ah, si nuk e kam një grusht si të Migjenit
Ta godas kriminelin vrasës varësisht cilin emër ka

PSE M’I VRITNI LULET
-Pranverë rri larg vrasësve nëse do që lulet të na falin aromën e lirisë!

Shqip bre kjo pranverë
Ky emër i vrarë sot
Kjo femër e jonë
Grua e nënë
Shqipe motër

E mbijetuara e ferrit
Sot në liri pa lumturi
Çmenduri i thonë
Nuk ma merr mendja
As ta shoh në ëndërr

Pranverë ku ishe sot
Pse m’i vranë lulet
Trëndafilin që i ngjan Tiranës
Ia morën aromën e lirisë

A ka këtu jetë
A veç në mëkate jetohet
Me vrasjen e luleve merremi

A harruam të jetohet si vrasës
S’janë larg vrasësit
Në demonë janë shndrrue
Nuk ikun pa çmendurinë tonë

Ah, sa larg jemi tretur si vrasës serik
Ma mirë ta kishim çmendur botën e marrë
Pranverë rri larg vrasësve
Nëse do që lulet të na falin aromën e lirisë

SHPIRTI I VONUAR
-S’e besoj se do të ngrohemi në të njëjtin diell!

Im zot
Edhe pas pesë shekujve të ferrit
Nuk ma ke besën
As ëndrrën e brezave të mi
Për fjalën e lirë

Se jam i vetmi lis
Me rrënjët ma të thella pellazge

Itaka e Troja ishin mbretëria e Teutës

Im zot s’mund te të fal sot e njëmijë vjet
Deri sa ashti i Bogdanit s’ka prehje
Nën lutjet ogurzeza të zezonava qëndron

Kështu e kanë çendresën heronjtë
Që s’vdesin në asnjërën kohë
Të njëjtë e kemi dhembjen veç plagë shpirti
Do të jemi shpirt i vonuar për të ti
Veç nëse s’ka pranverë tjetër

S’e besoj se do të ngrohemi në të njëjtin diell
Unë e ti im zot pesë shekuj kurrë nuk u pamë
Nuk ngjajmë në lule efhe pse lule na premtove
Larg nga unë njëherë e përgjithmonë

Me le me dhembjet dhe buzëqeshjet e mia
U djega që të besova im zot
Më beso s’kisha zemër tjetër kujt t’i besoja
Shekujt e marrë më bënë edhe mua të marre
Pse tē besova sikur unë të isha Zoti vetë

ÇHERNOBYLI
-Dhe Çhernobylit i raftë pika kurrë mos ketë ditë të bardha!

A është larg Çhernobili
Aty a rritën trëndafilat
A këndojnë ma shumë
zogjtë e ditës
Apo ma shumë këndojnë
korbat e natës

Në cilën gjuhë dëgjohet zëri aty
Si nuk i ka rënë turpshëm covidi
Bota do kursehej nga lajmi i zi
Zemrës ka kohë ia kanë vjedhë dashurinë
Nga donzhuanët që vrasin natën
Ditën ia puthin sytë e Evës

Të gjithë ikin nga Çhernobili
Vetëm zogjtë qëndrojnë
Përkrah luftëtarëve të gjallë
Dashuritë sa ma larg betejave të ikin
S’kanë mëkate as që dinë të urrejnë

Njeriu që ngriti Çhernobilin
Kurrë dashuri mos pastë
Ka kohë që zemra i ka plasë
Ai nuk jeton ma në asnjërën kohë

Çudi më vjen pse nuk mbretëron gjithmonë pranverë
Të gjitha stinëve të ju falim ngrohtësi dielli
Në sy të Evës të lexojmë vargun e poetit
Së bashku me piktorin
Të pikturojmë dashurinë e çlirimtares

Dhe Çhernobylit i raftë pika
Kurrë mos ketë ditë të bardhë
Në gjithë botën mbretëroftë dashuria
Anjë kohë nuk ia lanë mëkatet e tij.

DIELLI KA EMËR
– Dielli ka edhe emrin tim Agim të cilin ia fali secilit varg të jetës!

Dielli ka emrin burrnor të Gjergjit
Fjalën e bukur pellazge të Homerit
Besën e shqipeve e ruan në gji të zanave
Dashurinë për atdheut e lirë
E ka në zemër të çlirimtarëve
Dielli ka edhe emrin tim Agim
Të cilin ia fali secilit varg të jetës
Në prag të festave të ngritim dolli gëzimi
Dritës së diellit i bëj lutje nga zemra
Në sytë e të verbërve të ketë dritë
Dielli ka emrin e secilës bukuri të natyrës
Për të bukurën e tokës
Fal trëndafila të pranverës
Për të bukurën e detit
Falë rrezet e ngrohta të verës
Nuk di ke ta pyes nëse dielli ka emër çam
Do të doja të ketë ngrohtësi edhe në Çamëri.
Dielli ka emër vetëm në paqë
Kurrë dielli nuk urren
As nuk tradhëton me acare janaresh
Vetëm dielli ngroh dashurinë e Adamit dhe Evës
Ajkunës i sjell rreze të zjarrta
Në simfininë e nëntë të Betovenit
Të ngritët mbi dashuritë e marratë poetëve
Për vargun e krisur që muza ju falë.

SONTE E DUA BOTËN PA MËKATE

Në këtë mbrëmje sonte e takoj hënën
Buzëqeshja e saj më bëri me lot
Për ty ngrita dolli sikur edhe për hyjni
Që toka i mban të padukshëm si ufo
Ato vijnë bashkë me dritën e diellit
Janë vet ngrohtësia dhe aroma e luleve
Trëndafilat sa herë kanë etje shiu
Ato shndërrohen në shi zemrash
Vijnë për t`i shërue dhembjet e betejave
Në mbretërinë donzhuane paska ende heronj
Që ia kalojnë Romeot e Zhuljetës
Apo e vërteta e pathënë qënka diku e rujtur
E mbështjellur në lapsin e poetit
Kur muza e tij rri zgjuar si mbretëreshë e dashurisë
Sonte e dëshiroj gotën me e ngrit mbi olimpin e vargut tim
Për jetën e bukur të poezisë që na kanë lenë poetët
Me u çmallë me Lasgushin dhe Seremben
Kujtimet e të dyve s`më lenë kurrë të urrej
Veç më kanë shndrrue në mik të vargjeve të lira të Migjenit
Pra sonte e vërtetova se njeriu kurrë nuk është i vetmuar
Muza i jeton diku apo mbretëresha që e mbron si hyjni
I jep dorën për ta ngrit edhe mbi malet e Baba Tomorit
Kjo është jeta e bukur që diku jeton e bukura e tokës dhe detit
Se sonte vargut tim iu shtue edhe një margaritar i rritës
Në lutjen time të se dielës hyjnitë më paskan bekue
Me emrin e shejtë të agimit të hershëm mëngjesor
Kur krahas dashurisë për Shqipërinë e bashkuar një ditë
Sonte kam rënë në dyluftim me demonët e sheshit De La Pari
Ndoshta njeri nga ne del hero i betejave donzhuane
Dhe bota nuk bie ma në mëkatet e dashurisë venedikiane

HOMAZH LULEVE
– Triumf Feratit

Sa do dëshiroja të di
Nga erdhi kjo pranverë plot dhembje
A thua më ke ngjanë
Nuk dua të ju besoj m
Pranverave të para njëzet e pesë vitesh
Kur lulet s`ngjanin me njëra-tjetrën

Triumf
Sot më bëhet së u shndërrove në pranverë
Në lulen që vështirë ta sheh syri
As mendja nuk i kap këto plagë
Që i solli pranvera e hershme

Unë them se Triumfi është vet
Trëndafili i Çamërisë
Ose dashuria e popullit tim
Të jemi përgjithmonë së bashku
Kur për liri as vdekja s`na tremb

HOMAZHE FJALËS
– E ke vështirë sërish më u zgjue se të kanë fundos nën thellësitë e Titanikut!

Fjalë
Asnjë mik s’ka lenë gjë
pa thënë të pavërteta

Deshta të nisēm nga ti
Te të bëj homazhe
Për të vërtetën e thēnë
Jo si njeriu që të shkelë

Poezi
Radha është tek ti
Më të ba homazhe
Edhe Lasgushi do të kishte thënë
Portën prej mbretëreshe e hapën
Dreq e i biri i tij

S’lanë gjë pa të thënë
Deri në çmenduri ke rënë
E ke vështirë sërish më u zgjue
Se të kanë fundos nën thellësitnë e Titanikut

Asnjë mik s’ka lenê gjë
Pa thënë të pavërteta
Se vet nuk ndihen si miq
Dhe s’kanë miq, veç armiq

Homazhe do të duhej
T’i bëj edhe vetes
Më e pastrue shpirtin tim
Për ditët e bardha që s’kthejnê ma

Ndoshta nuk jam vonuar
Pa më zënë errësira e ferrit

Një ditë duhet t’i bëj homazhe
Edhe dashurisë me keqardhje
Edhe pse s’ma thotë zemra
Ta përcjelli në botën e vet
Atje lart ku jeton e lire

Në mbretërinë e hyjve dhe hyjneshave
Edhe unë zemrën time atje e kam

HOMAZHE LUFTËS
– Por fjala e hidhur qenka ma e rëndë se tërë bota së bashku

Kam mendue se s`ka gjë ma të madhe se lufta
Por fjala e hidhur qenka ma e rëndë se tërë bota së bashku
Nuk e kisha besue se në kohën e zbritjes në tokën e hënës
Lutjet t`i bëjmë me sy të verbër e herë edhe pa dritën e syve

Çfarë po ndodh me ne dhe jeta na është shndërrue në mëkat
Dhe lind pyetja a të jetojmë si palaqo apo të jetojmë si heronj
Nëse mirremi me njeri-tjetrin si do ta ruajmë fjalën- fjalë
Dikush duhet t`i ruaj këngët e pakëndueme të Migjenit

Lahutën e Malëcisë ta kemi margaritarib e parë në shtëpi
Aty të lexojmë për vujtjet e popullit trim dhe heroizmat e tyre
Pesë shekuj të rrethuar nga çdo anë armiq, hiena e demonë
Secili që kemi lindur në këtë tokë vdekjen e kemi pa me sy tone

Asnjë lutje perëndish nuk ishte në anën e fatit tonë të pafat
Dhe ne s`do duhej bërë lutje në gjuhën që nuk ma ka mësue nëna
Bërtasim deri në qiell nga verbimi si ta gjejmë zotin tim të humbur
Apo ne kemi tretur nëpër betejat e luftërave në dy fronte

Një me armiqtë e zotit tim dhe një me vetëvetën për merita djajësh
Nuk e them se poetet kanë zemër demonësh e lot krokodilash
Dihet se kush janë marr me thashetheme dje e kush sot
Dje lehnin me langojt e sot kanë veshur këmishat e patriotëve

Ah, sikur ne të ishim sy verbër dhe mos t`i njohnim për të bëmat e tyre
Nuk e them kurrë më, fali o zot se s`dijnë çfarë bëjnë këto fytyra të paftyra

MOSBESIMI
-Kohë djalli është, do të kishte thënë poeti!

Më ka ardhë deri në maje të hundës
Koha që na sjell mot të ligë me furtunë
Thua se çdo ditë stuhi sahariane fryejnë
Mendojnë të ma vrasin kohën time gjergjiane

Edhe nëse t’hollohet sa qimja e flokut
E kanë shumë gabim se ajo është e çelnikosur
Ku ma mirë qëndron se në vargun e poetit
Kur çdo fjalë atdheu e nxjerr nga zemra e tij

E rebelueme pse kaq shumë re sahariane vinë
Kur çdo ditë e ma shumë pluhërojnë tokë e qiell
Bashkë me pluhur sjellin edhe korba e zezona
Im zot duhet më u çue nga varri o sot o kurrë

Duhet më e tregue veten sërish se je burrë
Se pak burra të dheut sikur kanë trojet e mia
Gati ma shumë se sa një lum mbrturinash
Kanë mbetur aso fytyra demonësh e çakoj

Që merren me ty dhe me punët tua.
Se për tê vetat as që kanë ide se ku i kanë lenë
Kohë djalli është do të kishte thënë poeti
Ma mirë ta kujtoj ferrin që shekujt ma kanë lenë

Të ngritëmi mbi Evropën me krahët e hënës të udhëtojmë
Apo t’i lutem djallit dhe të vendnumërojmë
Cila është ma e mira kush ka zemër shqipesh
Ma thotë sot se nesër ndoshta do të bëhet vonë
(20 mars 2024)

Kohë djalli është do të kishte thënë poeti.
Të ngritëmi mbi Evropën me krahët e hënës të udhëtojmë,
apo t’i lutem djallit dhe të vendnumërojmë!

EH, GRUA
-Nëpër luftëra krah pēr krah me burrat të thirrnin sokoleshë dhe Doruntinë për besnikërinë!

Emër i bukur
Nëpër legjenda e përmendur
Histori në vete
I ke meritue fjalët ma të bukura
Derisa burri ështe vetëm burrë
Ti ishe ma shumë se burrneshë
Mijëra herë trimëreshë betejash
Nëpër luftëra krah pēr krah me burrat
Po, po të thirrnin sokoleshë
Dhe Doruntinë për besnikërinë
Për zotin edhe Penelopë
Eh, grua emër i bukur më je
(Mars 2024)

MBRËMJE ME LASGUSHIN
– Nesër së bashku me rrezet e diellit do të bëhemi pushtues të dashurisë kudo në botë!

Sonte nuk di nëse bëra gabim
U fjalosa me ëndrrat pse nuk i pava yjet lart
Duke shndërrit qiellit të pafund
Apo mos ishte mbrëmja me stuhi
Jo, nuk dua të besoj ma në ëndrra
Edhe nëse janë ma të bukurat e botës
Dua të rri zgjuar me hënën t`i bëj shoqëri
Deri sa të vie agimi
Atëherë me rrezet e diellit
Do ta pushtoj botën
Do të luftoj me stuhitë që m`i vjedhin ëndrrat
Nuk mundem ta kaloj mbrëmjen pa u pershëndet me yjet
Ndoshta vetëm unë e di se si shkëlqejnë
Ngjyrat ma të bukura ju falin piktorëve
Për më e pikturue të bukurën e vargut të poetit
Në vargjet e Lasgushit të kisha thënë ndalo
Lexo për sytë e vashës që lotojnë
Jeto për një varg të bukur poeti
Dhe vetëm një mbrëmje bëhu Lasgush
Ngrit dolli për ëndrrat që s`kthehen më
Ma mirë fjalosu me veten për fjalën e vrarë
Ruaje fjalën në shpirt nëse e do vargun e poetit
Ai do të jetë luftëtari yt për fjalën e dhënë
Nesër së bashku me rrezet e diellit
Do të bëhemi pushtues të dashurisë kudo në botë

(16 mars 2024)

MBRËMJE ME HËNËN

Mbrëmë të takova hënë
Ashtu siç të kam lexue për bukurinë
Ishe ma e bukur se Mona Liza
Kam mendue se fshehesh diku
Pas bjeshkëve apo pas diellit
Sy me sy mbrëmë u pamë
Të lexova në vargun tim
Ujvarë që rrjedhin fjalët e bukura
Unë fola vetëm me buzëqeshje
Për një çast u bëra piktor
Ma thotë zemra të pikturoj hënë
Sytë t’i bëj të shqiponjës
Faqet t’i ngjyrosi me ngjyrë molle
Le të thërrasin hëna faqe kuqe
Në duar ta vizatoj penën e artë
Ashtu siç i ke vargjet e jetës
Të dashura për miqtë e fjalës se bukur
Hënë shumçka pash të ti mbrëmë
Një lumë e një det bukurish të pranverës
Lulet që s’dinë të vyshken nëse kanë dashuri
Dhe tani e di se ka kush nuk i lenë pa ujë
Sikurse muza kurrë nuk e le pa vargun e bukur
Mbrëmëmë besoni sikur ma vjedhën kohën
Apo nga legjendat më zbriti Mona Liza
Çast i bukur të jetosh një mbrëmje me hënën
Për një jetë të tërë kam marrë frymë të bukur
Të cilën do të shpërndaj nëpër vargjet e poetit

(Pejë, 13 mars 2024)

ERJONA

E bukura Erjonë ka vite që ia ka fal rritën dritës
Se u rrite në dritën e lirisë dhe në frymën
E atyre që ranë për të mos vdekur kurrë
Që sot ne jetojmë dhe gëzojmë të lumtur

Erjona e kohës sonë ruan diçka nga tradita
Mirësjelljen dhe kulturën e zanave tona
Dhe këngën e së Bukurës More
Që sot e pesë shekuj e ruajnë arbëreshët

Na vijnë në mendje kujtimet e gjurmëve tona
Buzëmbrëmjet plot errësirë nëpër rrugët e Filatit
Aty ku është dhembja dhe plaga e jonë çame
Sot Erjona ke bërë emër më i shërue dhembjet

Ndonjëherë më u shndërrue edhe vet në dhembje
Koha nuk na pret se edhe kështu jemi vonue
Në botën e legjendave më duket kemi jetue
Në përrallat e një mijë nëtëve unë e ti Erjonë

Tani duhet të rrimë zgjuar të presim ditën pa kufi
Dhe vargu im t’i bashkohet vargut të Heminguejt
Sa i përketë zotnave fare nuk mërzitëm
Se pesë shekuj nuk më lanë të kam zotin tim

Nëse sot nuk festoj nesër s’ka fuqi që më ndalon
Të ngritim dolli Erjona deri tek ti në të shejtën Çamëri

(8 mars 2024)

 

NË MRRIFSHIM LIRINË
-Ishte fjala e fundit e çlirimtarit në luftën e vitit 1999-

Në mrrifshim lirinë e shumë pritur
Kemi më u takue diku në qiell apo në tokë
Kemi më i pa se si i kemi thye kufijtë e ndarjes
Tani na duhet plagët e dhembjes më i shërue
Ashtu sikur atë atë ditë betejash fyt për fyt
Pa tu trëmbur syriri yt i shqiponjes
Atë ditë kur të takova me fyshekun e fundit
Me fytyrën tënde prej mbretëreshes ilire
Fjalët e bukura m’i more peng zemra e jote
Më dukej se yjet ranë mbi parzmën time
E luta qiellin për pak shi t`i shërojmë plagët e luftës
Dhembjet janë çelnikosur nëpër lotët e nënave
Faculetat për dashuritë e plot zjarr
Kanë mbetur nëpër zemrat e vashave

TRENI I BLLACËS

Treni i Bllacës
Barti refugjatë të dheut
Përtej atdheut

Udhëtuam
Drejt të panjohurës
Pa ditur a kanë fund
Refugjatët

Apo në cilat pyje
Të pashkelura
Do të ndodhën
Një ditë a një shekull
Të qëndrojnë

S`ka gjë
Jemi mësuar

Kemi pesë shekuj
Refugjat në shtëpinë tonë
Pa e kuptuar kurrë të panjohurën
Që djeg ma shumë se Etna
Ngrin ma shumë se cili do acar janarësh

(1 mars 2024)

 

PLISI I BACIT

Më ka marrë malli
Më të pa me plis në ballë
Më tha nipçe
Të dielën e lutjeve
Në ditën nga ato të lumturat
të javës

Kur njeriu pushon trupin dhe shpirtin
Feston duke ngrit dolli

Herë bëhet rebel i dehur
Për fjalën e bukur që ekziston diku
Të ndonjë hyjni

Dhe më pyeti
Për çdo gjë nga pak
A veç Klintonin e kemi në fis
Kur sa bukur duket me plis

Pse ti gjyshi im nuk ke plis
Si të dalloj në turmën e njerëzve
Që ti je xhyshi im
Nëse nuk ke plis
Nuk do të doja të jesh
Pa plis

Vëre gjyshi im plisin
Si gjyshërit e stërgjyshërit tu
Është krenari kombëtare
Te të shoh me plis mbi ballë
Atëherë vërtetë them
Se e kam gjyshin shqiptar

(29 Shkurt 2024)

KËPUCA E BACIT

Cili mjeshtër e mbaroi kēpucën e bacit
Nallban vëllami diku laeg përtej deti

Dhe i tha motrës se Gjegj Elez Alisë
Mbahu ti motër dhe mos keni frikë
Se i keni vëllezërit në Amerikē

Dhe u kthye në heroinë
Në fushëbetejën e bajlozëve
Me këpucën e bacit
Atë natë në natën e zjarreve

Për tu shndrrue në Konstatin e Doruntinë

Më duhet të fjalosem me ty zoti im
Për dashurinë që krijove Adamin e Even

Për atdhedashurinë
Krijove dy Ademat e tokës sime

Për këtë madhështi të falem zoti im
Por nuk të falin pesë shekujt e ferrit
Që i mbeta peng jetës pa asnjë ditë të bardhë

Sikur linda pa asnjë lule të pranverave
E pa ty zotin im

Por thellë i kam rrënjët e mia
Të vjetra sa plagët e atdheut
Nëse e pyetni Homerin
Ai ju tregon se Itaka është e jona

(27 shkurt 2024)

KUJTOJ DITËT E ADAMIT DHE EVËS

E di se në gabimet e planetit të tokës gabimisht kam ardhë
S’kam ke ta pyes tjetër përpos teje poezi
A është mirë që jetoj
Apo jam i tepërt në planetin tënd

Nuk dyshoj në vërtetësinë e poezisë
Se kam ardhë gabimisht edhe në jetë

Të kisha lind para Adamit
Vetēm Evës ia kisha fal puthjen e parë
Nuk e di nëse zemra ime ishte gabim
Kur të zgjodhi ty për mbretëreshë të zemrës

I besoj gjuhës së vërtetë që ka zemra
E vetmja është që kurrë në jetë nuk gabon

Në ditarin e saj ka vite që lexoj me sytë e mbretëreshës
Ëndërroj në përqafimin e saj dhe lutem kur vie ai çast i embël
Lutjen e mbramë do t’ia fali jetës kujtim

Dua të vdes vetëm për mbretëreshën
Që ajo të mos ketë kurrë vdekje

Sot sa e njoh njeriu e sotëm
Ai nuk i beson ma as vetëvetes
Mjafton që zemra ime të beson në vargje tua poezi
Të cilat janë bërë ujvarë lotësh në sytë e mi
Dhe shkruajnë vargje shpirti

Ndoshta edhe këto vargje që m’i krijoj zemra ime janë të tepërta
A thua nuk janë të vërteta
Kur unë s’di gjuhë tjetër përpos të vërtetës

Më thuaj me çka të ju betohem
Se flas vetëm drejt me të njëjtën gjuhë që e flet zemra
Dhe i kujtoj ditët e bukura të Adamit dhe Evës.

S’IKSHA TJETËR ZOT
-Shifra”Lule bozhuret janë tonat”

Më injorove im zot
Kur e krijove Adamin
Fshehtas u bëmë bashkë
me djallin
Për ta urrye njeriu fjalën

Im zot mos më thuaj që unë gabova
Pse të besova
Apo që s’kisha tjetër zot

Im zot nëse gabove kur krijove ferrin
Me Danten si u bëtë miq
Kur gjysh e stërgjysh ta rujtëm namin

Për një copë të tokës sime të lirë
Të mbeta peng në faqen e atdheut
Sa herë i shndrruar në poet rebel

Është histori e vargut tim të krisur
I thënë nga miq e armiq
Por kurrë të gjunjëzuar as në flakën e Etnes

Kam besue në zot ma shumë se në njeriun
Jam tradhëtue pesë shekuj nga të dytë
Pse qyqet këndonin në vend të bilbilave
Kur ferrat çelnin para trëndafilave

Nuk ju besova as syve të mi
Kur dimrat u bënë vrastarë

Zogjtë shtegëtarë ma nuk u rikthyen
Dhe unë mbeta edhe pa ty im zot

KOHË ME DIELL
-Poetëve në amshim

E di se kurrë nuk u bëra poet i krisur
Edhe pse do dëshiroja të bëhem edhe poet rebel

Poetët koha i matë me rrezet e diellit
Me lulet kur çelin të parat në sy pranvere
Me gjithçka nga pak koha i matë poetët

Me dashurinë ndaj atdheut e di që janë heronj
Edhe me besën dhënë çlirimtareve të jetës

E di se kanë uratën e zotnave
Kur kohërat na i kthyen poetët në diell
Ndonjëherë ishin rebel të vargut protestë

Nuk e di që e kanë dêshirue urrejtjen e demonëve
Edhe pse përjetuan ferrin e shekujve në ikje
Gjithmonë ngjyrat e ylberit i dëshironin

Për t’u ngrit mbi olimpin e vargut të bukur
Sakrifikuan shpirtin fisnik për të tjerët
Për vete mbetën në varfërinë e shpirtit

E kujtoj një lugë mjaltë të poetit Ali Musaj
Sa dëshironim t`i bashkonim gurët e Tropojës e Gjakovës
Në Bajram Curr bën shumë shtrejtë të vdiset
Më thoshte nipi i Bajram Currit poeti Ali Musaj

Ndërsa në Kosovë poetët vdesin si hjeronj
Nga ajo kohë i deshta poetët si lulet
Sa kisha dëshirë një ditë të bëhesha poet
Por e di se kurrë nuk u bëra poet i krisur
Edhe pse do dëshiroja të bëhem edhe poet rebel

Të protestoj për ëndrrat e poetëve të fjalës së lirë
Të hiqen gurët e kufijve të ndarjes
Të bashkohemi në vargun dhe shpirtin e poetëve
(Pejë, shkurt 2024)
I TRENTË NË VARG

Kështu më quan poeti Tahir Bezhani
Nuk e di nëse më pahir apo përnjëmend e thotë
Dhe do të doja këtë varg ta kthej në rebelizēm
T’i falem poetit për heroizmin e fjalës se tij
E di se e thotë nga dëshira me pi kafe
Në Shkuzë apo të bliri i poetit Sejdi Berisha
Eh, sa kam mallë për fjalët e bukura të poetëve
Që s’kanë kohë të lendojnë shpirtin e njeriut
I them poetit Bezhani se fjalët kur dalin nga zemra
Kanë etjen dhe jetën e gjatë sa rrënjët tona pellazge
E dinë burrat e dheut se fjalët nuk ndërrohen
Për njeriun e fjalës sot nuk dua të besoj
E mban apo nuk e mban fjalën nëse ka mbet diçka nga fjala
Si dikur burrat e dheut që bëheshin peng të fjalës
Ma mirë e kishin të të shndërroheshin në ferr
Se sa të bëheshin ura të më shkëlnin këmbë armiqësh
Të një fati me mua janë veç trëndafilat e Çamërisë
Vetëm atëherë kur ju mungojnë rrezet e diellit
Çfarë më thua poet t`i besoj fjalëve të zanave të malit
E kam në mendje se kanë ditë të dashurojnë
Ma mirë se na sot dhe se sa donzhuanët e Venedikut
Ky është arti që e mban gjallë botën pa u çmend
Të gjitha luftërat po bëhen në mungesë të dashurisë
Sot si asnjëherë ma parë zemrat janë shndrrue në freska
Ku s`kanë lënë vend për asnjë lutje shpirti
Për tu ngrit në njeriun e hënës apo edhe të diellit
Të paça poet Bezhani që m`i sjell në mendje orët e zanave
Dashurinë ma rikthen në dashuri guri dhe burri
Të heronjve që s`dinë çka është tradhëtia e njeriut
Por dinë t`ia thonë këngës për të bukurën e dietit dhe të tokës
(Shkurt 2024)

KËTU PËRFUNDUAN ËNDRRAT

Ndoshta ma shumë së dymijë vjet
S`kisha guxim të luftoja me tjetër kënd
Sa herë e vëja kokën në jastek
Veç me ëndrra jetoja deri mbrëmjeve të vona
Për gurët e dheut t`i shoh të lirë
Isha gati më e lënë veten peng
Edhe pse linda në portën e purgatorit
E dini se nuk jetova si njeri i lirë
Për besë vetëm si një palaço i ferrit
Toka ime kurrë s`më la të vdes si frikacak
Plagët sa mirë m’i ruajti brez pas brezi
Duke i çelnikosur në dhembje të saj
Për t`i shënuar poetët në vargun e shpirtit
Këtu përfunduan ërndrrat në kullën e Jasharëve
Dhe me vite u fol për fjalën e shenjtë
Me në fund u lidhë besa-besë më 7 Mars
Dhe u ndezën zjarrët e Prekazit
Zemrat e luftëtarëve u bashkuan në një
Tokën e vet e dojnë zanat për më u bashkue
Më e rikthye prap emrin shqip të Dardanisë
Më u bashkue në mbretërinë e Teutës
Si dikur kur isha vet zot e Kastriot
Eh, sa larg i kam plagë çame
Më besoni çdo çast i mbaj si dhimbje shpirti
Dhe i lutem çdo mbrëmje zotit tim
Për një çast të bëhem këngë bilbili
Të këndoj i lirë nëpër fushat e Filatit
Eh, dhe në aromë trëndafili të Çamërisë
Përgjithmonë të shndërrohem unë poeti i saj

(Pejë, 10 Shkurt 2024)

NDËSHKIMI I FJALËS

Ma mirë ta pranoj vet ndëshkimin e fjalës
Së sa të tjerët të më fajësojnë për mëkatin
I vetmi mëkat imi që ndoshta më vçon nga të tjerët
E ruaj fjalën e dhënë sikur të parët e mi

Edhe nëse duhet tërë jetën ta kaloj në ferr
Asgjë nuk më turpëron pse i mbetëm besnik fjalës
Krisma e saj më bën t`i gjej rrënjët e mia
Deri kur shtrihet emri im dhe dhembjet për tokën time

Nëse fytyra ime nuk i ngjan ndonjë fytyre të robëruar
Atëherë ndëshkimi është fjala e parë e hyjnive
Ma s`do të më flasin as zot as djall
Udhën për fjalën e zemrës e kam larg

Më duhet t`i iku ndëshkimit të zotnave
Dua të ia kërkoj uratën Hyjit tim
Nëse kam gabue pse i premtova fjalës se do ta ruaj
Sikur babai, gjysh e stërgjysh nëpë shekujt e ferrit

Merrni me mend peng djalli i mbeta fjalës se bukur
Sa herë më thoshte ti je ëndrra ime e çmendur
Apo edhe kur më fliste në gjuhën e trëndafilit
Atëherë pranverat na vinin edhe para luleve të prillit

Ah, sa dëshiroja t`i ngjaja Roemut apo edhe Konstatinit
Kështu botën e tokës sime e marr me vete ngado që shkoj
Dua dikujt t`ia le kujtim për brezat që do të vijnë pas nesh
Me lutjen që edhe populli im të mos i besoj kurrë kohës se trishtë
Atyre që ditëve të bardha ju thonë erdhën ditë të zeza
Në gjuhën time asnjë çast nuk urrejta tjetrin
Përkundrazi iu gëzova sukseseve të penës se poetve
Ma ka thënë Sokrati se poetët kur shkruajnë flasin me perënditë

Fjalët që më ndëshkojnë kurrë nuk i pranon pena ime
(Pejë, 8 Shkurt 2024)

JETA IME NËPËR SHEKUJ

S`dua ta fajësoj Zeusin
Edhe pse deri në asht kam jetue me frikën
Në tokën time kurrë s’kam qenë i lirë
Nuk e di se me cilin zot jetova pesë shekuj

Prap fajtor i kohës mbeta që s`deshta më i besue
Në mendje gjithnjë e kisha fjalën besa -besë
Kjo mua më jepte motiv dhe fuqi për më jetue
Dhe s`kisha fytyrë më u nda nga populli im i mire

Me të cilin buzëqeshëm e herë ngritëm dolli
Por kurrë nuk e mësova gjuhën e urrejtes
As nuk u bëra në asnjërën kohë lajmëtar i morteve
Ti ishe ëndrra ime që më ngrite mbi Baba Tomor

Jeta time e kalova pranë dritës se Homerit
Nuk ishte me rëndësi nëse kaloja natën a ditën
Në lindjen e diellit më pagëzuan Agim
Ndërsa sot nipçën e thërras dielli im

Kohë e jona duhet të jetë mbretëresha e lirisë
Më e dashtë dhe më u flijue për tokën e Gjergjit
Trashëgim e kemi ta ruajmë si sytë e ballit
Edhe ne brezave që do të vinë do ju lemë njëjtë
(28 janar 2024)

GRABITËSIT E FJALËS

Të heshtur mendojnë ta krijojnë urën e kalimit
Pranë teje me një vrap piratësh
Por edhe qentë lehin nga zhurmat e tyre
Këta varrëmihës të shekullit tim të ri

Në duar bartin lloj- lloj ngyrash
E zeza e preferuara që del nga zemra e tyre
Çdo çast ngjyrosin botën me ngjyrë ferri
Nuk harruan kur zbritën nga Karpatët

Nga ato male që lanë gjurmë hanibalesh
Në tokën tonë u shndërrue në bimë djalli
Tani s’dallojnë nga bota sot e njeriut
Ngado që shkëlin tym e flakë ndezin

Sa çudi bëj për lirinë e fjalës
Kur grabitësit e saj enden të lirë
Në pik të ditës pa mendue se dielli i djeg
Këta janë të përbetuarit e ferrit të Dantes

Ndoshta mund të jem edhe unë pakëz fajtor
Pse krijova ca vargje për t’i demaskuar grabitësit
Të veshur me rroba e fytyrë zeza demonësh
Qoftë largët dhe sa ma larg nga fjala ime qofshin
(26 janar 2024)

BIJTË E DJALLIT

Heshtjet e fjalës vrasin edhe të vërtetën!
Nëse e them të vërtetën,
vargu ma nuk më do!

Askush nuk ia kupton heshtjen
botës se lirë të vargut tim.

Si t’i besoj fjalës,
kur e them?!

E vërteta dhemb!
Liria e shpirtit më është varfërue,
kur në pik të ditës
vrasjet shpeshtohen,
ndërsa fjala ende s’ka fuqi
të dalë nga ferri i Dantes.

Thonë se, kur s’ka zemër,
ka shpirt djalli…

Ne, bijtë e tij, jemi bërë shumicë.

Përpos tokës,
edhe planetin e ufove e kemi ndy.

Bota s’ka lenë vend ma për ne.
As ne nuk merremi
ma me botën shurdhmemece.

Heshtjet e fjalës vrasin edhe të vërtetën,
edhe pse bisedoj me fjalën me katër sy,

Kohët e vështira gjithmonë veshin ashtin tim…
Qenia ime askënd nuk di të urrejë.

Nuk arrita ta them të vërtetën…
Më rreshtuan ushtar i bijve të djallit.

Askush nuk skuqet
për paburrninë e njeriut të sotëm.

Lojëra fëmijësh luhen
me vite, në dramat e Shekspirit.
Tragjeditë i luajnë aktorët
për tokën time të falur,
ndërsa komediografët
shkruajnë tekste humori për ne.

Ndoshta një ditë do të qeshi me ata
që qeshnin me mua, Bijtë e djallit.

Toka ime nuk i ka pranue si njerëz.

Sonte dua të ngre dolli
për tokën,
që një ditë të më rikthehet.

Në ëndrra jam Promete
i të vërtetës së lirë
(22 janar 2024)

PEJA DHE PENA IME

Gjithçka ishte si në ëndërr
Peja dhe pena ime u bënë të pandara
Një miqësi që do mbahet mend ndër vite

Këtu lumi ma shuan etjen sa herë kam etje
Dhe sa herë më tretëဩt muza diku në harresë
E gjej tek miqtë e mi poetë e në veçanti
Tek përlat e vargut Berishian

Dhe sa herë pimë kafen e mëngjesit
Unë, Sejdiu e poeti Neki Lulaj urojmë
Dhe ngritim dolli edhe për poetët në largësi
Edhe pse Tropoja është ma afër seç e menduam

Dikur vetëm përmes lotve takoheshim
Tani udhën na e bënë ma të shkurtër poetët
Tahir Bezhani, Lulzim Logu dhe nipçe Gjon Neçaj
Me poetin Sami Mulaj ngritëm dolli për ‘’Dy anadrinët’’

Mjerisht dikur të ndarë e sot të bashkuar në një lis
Peja dhe pena ime udhëton e s’ndalon asnjë çast
Për t’i bashkue rrënjët e lisit dhe fisit Berishë
I falëm penës sime që e gjeti Gurin e Deskut në Pukë

Sa i lashtë është populli im i mirë
Besoj se këtu jemi bashkë me Adamin e Evën
Të parët e njerëzimit që e krijuem botën
16 shekuj para lindjes se Krishtit

E kemi hyjrinë Tanagra që foli shqip

Ecën pena ime vazhdo e bashko secilin gur atdheu
Një ditë në Filat e Sul a do të shoh dritën e diellit
“Rrëfej diellit” vargjet e librit tim që lindin vetëm njëherë
Ata nuk e dinë sa herë na e kanë burgosur fjalën

Me burgosjet jam mësue unë dhe populli im i mirë
Por, me lirinë ende nuk jemi mësuar të ngritim dolli
(21 janar 2024)

T`KAM DASHTË SHYPNI SI SYTË E MI

T`kam dashtë Shypni ma shumë për Fishtën
se për sytë e mi

N`lot jam shkri
siç ashtë shkri qiriu i Naimit
Për ktë ditë të lirë
pesë shekuj s`kam kënë mirë

Kam jetue si nuk jeton njeriu
e si gjarpni nën gur
Kam ba lutje e jam shndërrue
në lahutën e dasmorit

Me i prit miqtë me ftyrë dhe nder të shyptarit
M’asht dasht me u ba shumë herë
tupanxhiu i mahallës

Që në pasaportë të mos ma njohin emnin tëm
Se rranjët e mia pellazge i kanë ditë
edhe fmitë nëpër djepa

E fajsova veten pse nuk linda në kohën
kur atdheut i duhesha
Ma shumë se buka dhe ujit
që mua më duheshin me çdo kusht

Eu, Shypni sa lot derdha për ty
Kur udha për Tivar me qiti kah ti
Pa u ngi me bukë e ujë pa pi
Rashë më pushue e ma kurrë s`u qova

Eh, Shypni dashninë e vetme ta fala ty
Kam mendue që të kam nanë e babë
Ti e di se ku i ke lanë bijtë e bijat ma të mirë
Që kryet e kanë lanë në Vlorë

Ku sot në çdo nëntor e qojmë flamurin
Kuq e zi në çdo emën e në çdo zemër në Kosovë
(18 janar 2024)

TE BLINI NË PEJË DHE IKONA E QYTETIT…- Nga LULZIM LOGU

 

Në Pejë ndihem gjithmonë si në shtëpinë time…
Sfondi madhështor i maleve, ajri i mrekullueshëm ngjyer në tisin e ëndërrt të mëngjeseve dhe kuqëlimin e bukur të muzgjeve , aroma e lumit që mbështillet në përhurën transparente të mjegullës më sjellin ndërmënd vendlindjen dhe natyrshëm, teksa eci në kalldrëmet e këtij qyteti të njohur shqiptar, krahas njerëzve të bukur dhe shtatlartë jam aq krenar dhe i lumtur.
Si përherë ndalesa ime e parë tek Dukagjini , poshtë blinit të poetëve, ngjitur me Lumbardhin zë vend dhe porosis kafenë e mirëseardhjes me mikun tim të shtrenjtë , poetin, shkrimtarin dhe studjuesin e njohur Sejdi Berisha. Ai është padyshim kronikani më realist i historisë dhe zhvillimit të këtij qyteti, poeti aq i ndjeshëm, shkrimtari i dimensioneve të veçanta dhe mbi të gjitha një mik i mirë i krijuesve nga të gjitha trevat shqiptare. Me një portret fisnik, me buzëqeshjen e ngrohtë dhe zërin e butë ai të krijon menjëherë atmosferën e duhur të bashkëbisedimit rreth kulturës në përgjithësi dhe letërsisë në veçanti, por sidomos integrimit të përbashkët të krijuesve shqiptarë në të mirë të zhvillimeve bashkëkohore për mbarë shqiptarët në rajon.

Kontributi i tij në këtë drejtim është i pazëvëndësueshëm sikurse roli dhe ndikimi i korpusit të veprave të tij të botuara në Pejë, Kosovë, Shqipëri dhe më tej.
Përtej numrit të mbi 30 veprave të tij të botuara, do të mjaftonin dy tituj të monografive të tij të botuar: “ Zejtarët e Pejës” dhe “ Teatri i Pejës” si dhe libri i tij më i ri “ Njeriu pa vendlindje” një traktat i mrekullueshëm i dashurisë njerëzore për ta merituar një vend në panteonin e shkrimtarëve bashkëkohorë.
Por vazhdimisht më ka shqetësuar fakti i vlerësimit të krijuesve dhe intelektualëve pikërisht nga vendi i tij, përkatësisht për Sejdi Berishën nga qyteti ku ai u lind dhe po jeton tash 77 vite (sot ai ka ditëlindjen) si motivim shpirtëror për përpjekjet e tij të vazhdueshme për disa dekada, përtej të qënit të krijuesit modest dhe larg shkëlqimit të dritave të skenave ku jepen çmime dhe certifikata vlerësimesh apo trendit për të rendur pas titujve të lartë me shumë përfitime…
Një qytet duhet të dijë dhe duhet të ketë një mekanizëm që çmon objektivisht rolin dhe kontributin në kohë të ndryshme të krijuesve të njohur, që në memorien dhe gjykimin e opinionit, ngadalë por besueshëm kthehen në simbole apo ikona kulturore dhe jo vetëm të atij qyteti.
Të themelojë një këshill të urtësh që ja propozojnë pushtetit vendor dhënien e një medalje e cila ka vlerë të spikatur kundrejt raporteve të krijuesit me qytetin dhe qytetarët e tij, e cila qëndron gjithmonë mbi çdo fushatë çmimesh mediokre, të cilat shpërndahen në mënyrë vulgare nga organizime të vjetra, të dala boje dhe që identifikojnë krijues të rëndomtë dhe jo të vertetë.
Çdo qytet, në historinë e tij ka individë të sikatur nga të gjitha fushat, ka qytetarë nderi, por në fakt duhet të ketë figura të cilët për shkak të ndikimit të tyre në jetën dhe zhvillimin e tij duhet të shndrrohen në nderin e qytetit, një vlerësim që ndoshta duhet shoqëruar me sadisfaksione jo vetëm morale.
Sejdi Berisha padyshim se meriton së paku të jetë Nderi i Pejës, ky vlerësim do të ishte respekt i merituar ndaj jetës dhe veprës së tij ndër vite dhe do ta nderonte Pejën e historisë dhe të kulturës, duke i shtuar emrave të njohur një emër që do të nderonte çdo qytet shqiptar.
Poeti, shkrimtari, dramaturgu, gazetari dhe studiuesi Sejdi Berisha, krijuesi që jetën e tij e shndërroi në një kërkim të gjatë në kohën dhe historinë e vendit të tij, në traditat dhe gjurmët e pavdekshme të atdhetarizmit, kulturës dhe sfidave të mbijetesës së tij në shekuj, njeriu që shkroi dhe materializoi aq bukur me artin e tij të fjalës së shkruar historinë e lavdishme të Pejës, si një nga qendrat më të mëdha dhe të shquara të lavdisë dhe krenarisë shqiptare, meriton një vlerësim të denjë për qasjen e tij ndaj historisë dhe zhvillimeve të kulturës dhe letërsisë moderne të kohës.
Njeriu që jetën e tij ja përkushtoi Pejës, Kosovës dhe Shqipërisë përmes veprave të tij të shumta, të cilat të marra në tërësi përbëjnë padyshim korpus të gjerë dhe dinjitoz, një obelisk arritjesh drejt ndriçimit të fatit historik të kohës dhe të fatit të njeriut meriton padyshim krahas mirënjohjes së vazhdueshme të lexuesve të tij të shumtë ngado edhe mirënjohjen tuaj institucionale, të qytetarëve të Pejës, përfaqësuar në fjalën dhe votat e tyre tek Këshilli Komunal i qytetit.
Sejdi Berisha nuk i përket vetëm Pejës, me librat, por edhe me qëndrimet e tij intelektuale dhe përballjet e tij publike ka simbolizuar në mënyrë sinjifikative njeriun bashkëkohor që ndjek me përgjegjësi fatin e kombit të tij në momentet më serioze gjeostrategjike, pikërisht kjo e lidhur me integrimin e përbashkët të shqiptarëve në Evropë.
Fakti se ai tash njëzet vjet punon pa pushim për integrimin kulturor, duke dëshmuar personalitet dhe karakter të fuqishëm me humanizmin e tij të sinqertë të qëllimit patriotik, së bashku me emrat më të njohur të kulturës që nga Tropoja deri në Sarandë është i spikatur , i dëshmuar dhe vlerësuar në shkrime dhe dedikime publike në media dhe takime periodike anekënd hapësirave shqiptare.
Në Pejë gjithmonë ndihem si në shtëpinë time, aq më tepër kur kam të njohur dhe miq të mrekullueshëm si Sejdi Berisha.
Sot në ditën e tij të lindjes nuk jam dot ta uroj nga afër, ti dhuroj lule dhe të marr n’grykë me mall. Por po guxoj të shkruaj një mendim timin të kahershëm, në formën e një lutje fisnike për një njeri dhe krijues si ai dhe pa lejen e tij( shpresoj të mirëkuptojë për këtë gjest timin sepse e di që ai nuk është njeri i bujës dhe ithtar i gjërave të tilla!) dhe të shpalos para opinionit një qasje jo vetëm timen, por të dhjetra krijuesve dhe intelektualëve nga Tropoja (Malësia e Gjakovës), Gjakova, Klina, Malisheva, Peja, Prishtina, Prizreni, Plava…
Duke bashkëngjitur shkrimit një përmbledhje dinjitoze të biografisë së tij letrare dhe intelektuale si kujtesë plotësuese edhe për skeptikët dhe të painformuarit, të cilët pa dshje të keqe mund ta keqkuptojnë këtë qasje drejt vlerësimit të tij.
Që në fakt duhet të jetë qasje edhe për çdo krijues meritor anëmbanë botës shqiptare…

Sejdi B. BERISHA

U lind me 10 qershor 1947. Që në shkollën fillore, fillon të shkruajë poezi, të cilat, së pari i botohen te gazeta “Flaka e Vëllazërimit” të Shkupit e pastaj, te “Pionieri” dhe te “Rilindja për fëmijë”. Nga këtu zë fill edhe zhvillimi i talentit të tij edhe si shkrimtar edhe si gazetar.
Si nxënës i gjimnazit të Pejës bashkëpunon me gazetën studentore “Bota e Re”, kurse që nga viti 1970 bëhet bashkëpunëtor mjaft produktiv i gazetës “Flaka e Vëllazërimit”.
Në vitin 1972, punësohet në Radiotelevizionin e Prishtinës, përkatësisht në Radio-Prishtina si korrespondent nga Peja, prej nga raporton dhe informon opinionin e gjerë për ngjarjet dhe aktivitetet e gjithëmbarshme nga ky rajon: Peja, Deçani, Klina dhe nga Istogu.
Në këtë detyrë ai ishte gjithnjë deri në korrik të vitit 1990, kur policia serbe me dhunë i dëbon nga vendet e tyre të punës të gjithë punëtorët shqiptarë të RTP-së (Radiotelevizionit të Prishtinës).
Sejdi BERISHA, gjatë punës në Radio-Prishtina ka arritur titullin e Redaktorit të Kategorisë së Parë dhe, përpos që ka përcjellë zhvillimet dhe ngjarjet në territorin e Pejës dhe në tri komunat tjera të cekura më lart, kohë pas kohe ka raportuar edhe nga ngjarjet dhe tubimet më të rëndësishme anë e kënd ish Jugosllavisë.
Ka qenë edhe reporter në manifestimet kulturore, siç ishte Festivali i Teatrove të Jugosllavisë, Festivali Republikan i Teatrove të Kosovës, Serbisë dhe të Vojvodinës dhe Festivali i Teatrove Amatore të Kosovës, të cilat për çdo vit mbaheshin në Trebinje të Bosnjës dhe Hercegovinës, në Kulla të Vojvodinës dhe në Ferizaj të Kosovës. Për punë cilësore dhe profesionale, disa herë është shpërblyer dhe ka marrë mirënjohje.
Në ndërkohë, pesë vite ka qenë edhe gazetar-korrespondent i Televizionit të Prishtinës, kurse pas vitit 1980, edhe gazetar i “Rilindjes”.
Ky krijues, publicist dhe kronist, në nëntor të vitit 1982 nxori numrin e parë të gazetës “Peja” dhe ishte themelues i Radio-Pejës (1981). Në vitin 1982 ishte drejtor i këtij institucioni me rëndësi të veçantë informative dhe shoqërore, por duke mos u pajtuar me koncepcionet e udhëheqjes së atëhershme të Kuvendit Komunal të Pejës, nën patronazhin e të cilit ishte edhe Radio-Peja, e që një koncepcion i tillë nuk lejonte hapësirë për punë kreative, cilësore dhe profesionale, tërhiqet nga kjo detyrë dhe sërish kalon me punë në Radio-Prishtina.
Sejdi BERISHA është njëri prej punëtorëve më të mirëfilltë të kulturës në Pejë dhe më gjerë. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe i Lidhjes së Gazetarëve të Kosovës.
Deri me tash ka botuar këto vepra:

1.- Kombinati i lëkurë-këpucëve në
Pejë(monografi, 1984)
2.- Tronditje (poezi, 1991)
3.- Çmendia në rreth (prozë, 1993)
4.- Feniksi (poezi, 1993)
5.- Simfoni pritjeje (poezi, 1995)
6.- Zejtarët e Pejës (monografi, 1995)
7.- Gabim stinësh (poezi, 1996)
8.- Në cep koha (poezi, 1997)
9.- Vrasësi i gjumit (roman, 1999)
10.- Heraldika (poezi, 2000)
11.- Lumturia e dhembjes (eseistikë,
2002)
12.- Freskia e pluhurit (poezi, 2002)
13.- Piramida e ironisë (eseistikë, 2004)
14.- Plagë në pikturë (poezi, 2005)
15.- Fjala e gjakut (tri poema kushtuar Prekazit, Gllogjanit dhe
Koshares – (2006)
16.- Shpërputhje kohe (ese, shkrime kritiko-letrare,vështrime jete,
(2006)
17.- Kaq shumë vetmi (poezi të zgjedhura-2007)
18.- Dashuro një minutë (poezi dashurie-2007)
19.- Homazhe tek mendja (eseje-2008)
20.- E bukura e rrugëtimit (këndvështrime letrare-2008)
21.- Fjalë e pathënë (poezi – 2009)
22.- Zejtarët e Pejës (monografi-Botimi i Dytë – 2010)
23.- Kërkoj dhembjen time (poezi – 2011)
24.- Mallkimi i heshtjes (Shkrime refleksive- 2011)
25.- Teatri i Pejës (monografi-2012)
26.- Vargje të këputura (poezi-2012)
27.- Përtej shkrimit (Shkrime të plasura, baladë shkrimesh, kujtime,
mendime, vlerësime dhe biseda për njeriun, dhe të tjerët për
mua) (2013)
28.- Gjethet e hirta të zemërimit (poezi 2014)
29.- Në lumë bie shi (poezi-2015)
30.- Konflikti me vetveten (Ese & shkrime të tjera-2016)
31.- Gërshetimi krijues dhe urat letrare – (Analiza dhe këndvështrime
letrare-2016)
32.- Kthim në shtëpinë që nuk ekziston (Poezi të përkthyera në
gjuhën greke-2016 – Επιστροφη στο σπιτι που δεν υπαρχει
(Ποιήματα)
33.- Varrtarët kush do t’i varrosë (poezi-
2017)
34.- “Zejtarët e Pejës”, roli dhe kontributi i tyre në zhvillimin ekonomik
dhe kulturor(Monografi)-Botimi i Tretë(2017)
35.- Peizazh i jetës sime (poezi – 2018)
36.- Njeriu “pa” vendlindje (Thjeshtë, dhembja dhe lumturia e jetës
bashkë), libër autobiografik(2019)
37.- Ofelia nuk kthehet më… -Poemë, baladë apo gjerdan ironie- (Poezi
– 2019)

38.- Lotët e Poseidonit-Ose, një copë hartë për tokën time-
(poezi,2021)
39.- Peja, dhembja dhe krenaria ime… – poemë të cilën kurrë nuk
e përfundova-(poezi-2023)

40.- Lumturia që (s)ekziston-reportazhe dhe shkrime që përplasin
mendjen-(2023)

Në valët e Radio-Prishtinës i janë emetuar radio-dramat:
41.- Valsi i kuq (1976) (Kjo dramë është
përgatitur dhe shfaqur edhe në
Teatrin Popullor të Pejës-premiera
është shfaqur me 20.03.1976)
42.- Vdekja e bardhë (1985)
43.- Misteria (1987)
44.- Obelisku pa adresë (2005)
Kjo monodramë është përgatitur dhe shfaqur nga Trupa teatrore e Teatrit të Klinës më 27 prill 2007 në kuadër të Ditës së të pagjeturve dhe të 40-vjetorit të punës së aktorit, Ismet Krasniqi.
Ndërsa, në prill të vitit 2013, është përgatitur dhe shfaqur në Teatrin “Istref Begolli” të qytetit të Pejës, kurse është shfaqur edhe në shumë qytete të tjera të Kosovës dhe më gjerë.
Më 17 janar 2014, Teatri i qytetit të Pejës, dramën “Obelisku pa adresë” e ka shfaqur edhe në Teatrin Kombëtar në Prishtinë.
Sejdi BERISHA jeton dhe vepron në Pejë. Që nga viti 2002, disa herë ka qenë anëtar i Bordit të Teatrit Profesionist “Istref Begolli” të Pejës, po ashtu, ka qenë anëtar i Këshillit Artistik të Galerisë së Arteve të Qytetit në Pejë dhe për një kohë të shkurtër edhe Kryetar i Bordit të Qendrës për Mirëqenien e Gruas (QMG-së) në Pejë.
Në Manifestimin kulturor “Kultura pejane ndër vite”, që u organizua më 24 nëntor 2011-30 nëntor 2011, u nderua me Çmimin “Krijues i dalluar i vitit”. Ndërsa, në Poetekën Mbarëkombëtare “Ndue Bytyçi” që u mbajt në Tiranë me 26 gusht 2012, u nderua me Çmimin e Dytë për poezinë më të mirë.
Në Takimet e Para Letrare Tradicionale Kombëtare “Ora e Tahir Deskut” në Klinë, më 08 shtator 2009, u nderua me Çmimin e Parë për poezinë më të mirë të lexuar në këtë manifestim letrar kombëtar.
Është fitues i Çmimit “Din Mehmeti”, në Mitingun e 50-të të Poezisë në Gjakovë, për librin me poezi, “Gjethet e hirta të zemërimit”, si libri më i mirë i botuar ndërmjet dy mitingjeve(09 maj 2014).
Është i prezantuar në Antologjinë e autorëve të cilët u kanë kushtuar vargje nënave dhe femrave të botuar në Londër, pastaj në Antologjinë Ars Poetika, Botues MEDAUR.
Shkrimtari dhe publicisti Sejdi BERISHA, është përfshirë edhe në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës, të cilin e botoi Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës në vitin 2018.
Po ashtu është përshirë edhe në Leksikonin Enciklopedik të Akademisë Shqiptare Amerikane të Shkencave dhe Arteve New York, Tiranë, Prishtinë, Shkup-viti 2020. Është i prezantuar në Antologjinë e Bibliotekës së Prizrenit, “Nga gjerdani kombëtar”, e cila është botuar me rastin e 70-vjetorit të kësaj biblioteke, e cila është më e vjetra në Kosovë, e në të cilën antologji janë prezantuar shtatëdhjetë krijues të përzgjedhur nga të gjitha trojet shqiptare dhe diaspora.
Në 70-vjetorin e Bibliotekës së Prizrenit, poezia e tij e botuar në Antologjinë e këtij asociacioni, është shpallur poezia më e mirë e botuar në këtë vepër.
Ky krijues me krijimet e veta është i përfshirë edhe në antologjinë “Antologji e Poezisë Moderne Shqipe”-2014 dhe në librin “Krijuesit e zgjedhur kombëtarë” etj.
Është fitues i Çmimit “Vendi i Parë” për poezinë më të mirë të lexuar në Takimet e VI-ta Letrare Tradicionale Kombëtare “Ora e Tahir Deskut” në Klinë (09 shtator 2014).
Në Takimet Letrare Kombëtare “Ora e Tahir Deskut”, që u mbajt në shtator të viti 2016, libri i tij me poezi “Në lumë bie shi” u shpall libri më i mirë i botuar ndërmjet dy takimeve. Ndërsa, Lidhja Ndërkombëtare e Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “PEGASI”-ALBANIA, shkrimtarin dhe publicistin Sejdi BERISHA, e shpalli “Poet i vitit 2016” (Për Kosovë).
Ndërsa, Gazeta e Alpeve “Tropoja” e ka nderuar me “Çmimi i Karrierës”, për kontributet e tij plot arritje e vlera me botimet publicistike e letrare në Gazetën e Alpeve “Tropoja” dhe në masmedie të Kosovës, Diasporës e Kombit Shqiptar (Vendimi nr. 121, 26 prill 2019).
Është një prej hartuesve të Antologjisë të Poetëve të Malësisë së Gjakovës (2014).
Ndërsa, në Takimet ndërkombëtare “Trirema e Poezisë Joniane” në Sarandë, nga Kryetari i Bashkisë së këtij qyteti me vlera të larta shpirtërore, kulturore, historike dhe turistike, u nderua me bustin e DEA-Hyjnesha në Fron e Butrintit (Sarandë, 27 shtator 2014). Kurse, në Festivalin Ndërkombëtar të Monologut “Art pa kufij” që u mbajt në Sarandë (08-10 maj 2015), monologu nga monodrama “Obelisku pa adresë”, të cilin e interpretoi aktori, Ismet Krasniqi Lala, u nderua me Çmimin e Parë të festivalit.
Ndërsa, me 13 janar 2020, u pranua anëtar i Shoqatës Letrare-Artistike “PRINC MUZAKA”–Fier-Tiranë, Shqipëri-Kosovë.
Është fitues edhe i shumë çmimeve të tjera letrare dhe publicistike e kulturore në Kosovë dhe Shqipëri.
Vlerësime nga krijuesit e tjerë:
Agim DESKU-poet:

“…I tërë mozaiku për Sejdi Berishën do të përmblidhej në tri fjalë:
Njeri i madh, kulturë e pashuar dhe shpirt engjëllor”!
(02 shkurt 2013)

Qëndresa SADRIJA, poete:

“…E prekem këtë letër, e prekem dhe u gjendem para një lumi të bukur fjalësh, para asaj qerres së jetës që ti e bën varg të praruar, dhe kënga jote, Sejdi,  nuk është vetëm një zë i brendshëm, por që dëgjohet deri tek ne, të gjithë ne…”!

Jona MERJO- krijuese, Shqipëri:

Shkrimtari që sakrifikon çdo sekondë në dobi të kulturës…

Fatmir TERZIU-shkrimtar dhe publicist, Londër:

“…Sejdi Berisha, poeti, hulumtuesi dhe studiuesi dhe i vlerave shqiptare në Pejën historike dhe më gjerë, mbetet një nga figurat qendrore të krijimtarisë sot.
Ai i kthen dhimbjet në frymëzim e plagët në mençuri kohe…
Vepra e tij s’do koment.
Urime me gjithë zemër…”.

Prend BUZHALA, kritik letrar:

Opusi solid krijues letrar i Sejdi Berishës, i përbërë nga dhjetëra tituj veprash të botuara e të ribotuara, shtrohet në tituj poezie, proze, letërsie dokumentare, kritikash letrare, eseistikë e në lëmin e monografive. I përfshirë në disa antologji, i përkthyer edhe në gjuhë tjera, i laureuar me disa çmime letrare prestigjioze, Sejdi Berisha, tashmë i ka dhënë një kontribut të çmuar letërsisë së sotme shqipe.

Tahir BEZHANI, poet:

Shkrimtari dhe publicisti, Sejdi Berisha, gjatë punës krijuese letrare por edhe asaj në gazetari, ka dhënë dhe jep kontribut të çmueshëm e të veçantë dhe të paharrueshëm që meritojnë jo vetëm theksimin e tyre, por edhe vlerësimin, studimin dhe të punës nëpër kohëra por edhe në ato vitet më të vështira vështira…

QERSHOR 2024

I çmenduri Nga Bedri Çoku

 

…Njerëzit e shikonin që ai dilte shpesh nga lagjja e qytetit, i vetëm, duke parë prapa, para dhe anash dhe ecte tinëz…deri sa shkelte në farishten e njomë të fshatit, aty, ku aroma e barit të prerë, e misrave të kalbur nëpër ugare, e tërhiqnin si me magji për t’iu afruar gëmushave …

Aty e përpinte dheu.

Frymën e ndalte te një gazhdare ku lëvrinin me shumicë minjtë që brenin kokrra misri dhe çapëloheshin me njëri-tjetrin. Shtrihej mbi lëpushkat e thata dhe kënaqej me aromën e mykut n’atë vend të braktisur. Rrinte dhe priste me orë të tëra. Priste me padurim që rrugëve të pluhurosura të dëgjohej kuisja e qenve të lëshuar nga zinxhirët…Prej atyre kuisjeve ai do të lëshohej vrik nga vendi dhe do të vraponte duke u tundur e shkundur dhe i gëzuar kapërcente mbi hendeqe, ferra dhe driza, pa i hyrë gjemb në këmbë, pa iu përdredhur asnjë damar e, pa u rrezuar asnjëherë në tokë…

Ndalonte para qenve të fshatit, që kacafyteshin me njëri- tjetrin, për një kockë a për një buçe dhe, i kërcënonte ata të zbatonin menjëherë rregullat e vendosura nga ai vetë.

Rregulli i parë: Ata, me të parë që ai ishte aty, do të ulnin kokën e tundnin bishtin, duke i ardhur rreth e rrotull.

Rregulli i dytë…Do të fillonin t’i lëpinin këmbët e duart e tij, nëse ato ishin të shpuara apo të rrjepura nga të bredhurit.

Rregulli i tretë:.. Ai do të shtrihej midis tyre dhe ata ishin të detyruar që të dëgjonin disa minuta leksionin e radhës.

Rregulli i katërt :.. Ai do të flinte, ndërsa ata do të bridhnin nëpër fshat për të grumbulluar ushqimin për të.

Rregulli i pestë:… Do të prisnin mëngjezin, pranë tij, për të mbikëqyrur ushqimet, deri sa ai të zgjohej, pa lejuar njeri apo kafshë të afrohej.

Kjo shoqëri e çuditshme me qentë e fshatit Daullas, në rrethin e Fierit, kishte kohë që i habiste fshatarët. E shihnin njeriun e panjohur, që flinte, për shtatë palë qejfe, ndanë rrugëve, ugareve, ose ndanë gëmushave, mes trupave të ngridhur të qenëve të fshatit, por, ngaqë ai nuk fliste, nuk ngacmonte kënd, ikte nga fshati ditën dhe kthehej natën, ekzistenca e tij për banorët, që merreshin me punët e hallet e tyre të përditshme, ishte kthyer në një mospërfillje të zakonishme, siç ndodh ngahera pas një çudie, e cila nuk zgjatë më shumë se tri ditë…

Kur punëtori operativ i policisë pyeti fshatarët , mësoi se: “Njeriu që rrinte me qentë e fshatit ishte një i çmendur nga qyteti, njeri pa njeri, pa shtëpi, pa katandi !”

Ishin të habitur vetëm se si kafshët e tyre i shërbenin një të huaji, një rreckamani, që kundërmonte nga era e thartirës dhe, që kërcënonin cilitdo që do të guxonte t’i afrohej asaj fantazme…

Ndaj një ditë, teksa fëmijët shkonin në shkollë, duke kaluar pranë të çmendurit, që rrinte i tulatur mes qenve të fshatit, ata u trembën nga kërcënimi i tyre dhe u kthyen nga frika në shtëpi,. Ky qe shkaku që fshatarët për herë të pare, reaguan.

Ngjarja ndodhi fshatçe, teksa qentë po rrinin nën rrezet e diellit, përreth rreckamanit të qelbur, disa djem e burra të zgjedhur të fshatit, iu afruan kopesë me hunj e zinxhirë nëpër duar, ndërkohë i çmenduri i përkëdhelte ata me gishtat e fëlliqur, pa çarë kokën për grumbullimin e njerëzve të ndërkryer që i afroheshin për herë e më shumë. Disa thirrën qentë e tyre në emër, i ndollën sipas zakonit, por asnjëri nuk iu bind të zotit. Madje, afër fare, u habitën që pranë të çmendurit kishte shumë copa buke, mish, djathë, lëkura qengji, lëkura dhie, mace të shqyera, minj të ngordhur, si dhe rroba të vjetra të marra nëpër shtëpitë e fshatit, por që i çmenduri nuk i prekte me dorë.

Për shkak se qentë nuk iu bindën thirrjeve të zotërve, dikush hodhi një gur midis tyre. Ata prapë nuk lëvizën nga vendi, madje as kokën s’e kthyen nga erdhi guri. “I dyti” i shqetësoi paksa, por jo njeriun midis tyre… Vetëm sa skërmitën dhëmbët në drejtim të njerëzve. U egërsuan shumë pasi fshatarët, filluan t’í bombardojnë me breshëri gurësh …Por ishte e pamundur. pasi kafshët u bënë gardh përballë Fytyrë Mishnjeriut, mbuluar këmbë e kokë, me rrecka dhe vetëm vdekja mund t’i ndante prej tij. Nga ky çast fshatarët nisën luftën e vërtetë me gurë, hobe, sfurqe dhe hunj të trashë, nga të katër anët…Rrallë i takon njeriut të shohë skenë të tillë si në fshatin Daullas të Fierit, në mëngjesin e asaj dite, kur qentë e armiqësuar me të zotët e shtëpisë, bëheshin copë e çikë, për të ndaluar furinë e gurëve e të hunjve , që vërviteshin për të eliminuar njeriun e mbrojtur nga trupat e qenve të tyre. Ata kërcenin përpjetë dhe prisnin gurët dhe gjithçka, me gjoks e shputa, duke ulëritur nga dhimbjet, ndërkohë që njeriu mes tyre lëshonte lutje dhe klithma drejt qiellit .. Ai mallkonte me gjithë shpirt njerëzit që e sulmonin…

Dikur, një popël e madhe ra mbi shpatullën e tij dhe ai, si një hero, nisi të recitonte me zë të lartë :

“Po në ato llogore,

ku sulmon brigada

me pushkë, libra, kazma dhe lopata.

Atje:

me vrull e zjarr,

me ligjërime

shko dhe lufto si dje,

o kënga ime…”

Këtë potere kaq të madhe e mori vesh i tërë fshati. Ama, jo të gjithë u bashkuan atje për të luftuar me qentë e tyre. Ishin disa ata që gjuanin me gur, shanin e mallkonin, të tjerët shikonin të habitur betejën përherë më të ashpër e më të egër…

“Vjershë, o vjershë, shko si bombë.

Me tërbim,

shko përpara si flamur,

si kushtrim…!”

Thërriste “komandanti” për t’í dhënë zemër çetës së tij, që mbrohej me vetëmohim…

Zgjati kjo luftë e pashembullt, e pabarabartë… Por kulmi arriti kur një gur tinëzar, fluturoi mbi kokat e qenve dhe ra mbi shpatullën e majtë e të pambrojtur të rreckamanit, që vazhdonte recitimet dhe bisedat e tij me qiellin. Në fillim u dëgjua një klithmë e hollë, si tingull klarinete, pastaj mori trajtën e një bulurime kau, e llahtarshme, aq sa mbuloi krejt ulërimat dhe të lehurat përreth. ..

Ushtoi vetëm thirrja e fuqishme nga gurmazi i “komandantit” :

– Përpara, përpara…partizanë! T’i zhdukim njerëzit e këqij…njerëzit e pafe…Kom…

Aq tha ai dhe u shemb në tokë, duke rënkuar, si kalama…Heshtje…

Qentë e shpërndarë të trembur, një çast, por u grumbulluan përsëri rreth njeriut, i cili dergjej me rënkime që ta këpusnin shpirtin…

Një pjesë e fshatarëve u larguan të kënaqur me atë që panë e dëgjuan, ndërsa të tjerët ulën kokën të penduar pse u ndodhën në atë ngjarje të shëmtuar e të trishtuar….

(Të paktën, kështu rrëfejnë ata që jetojnë ende )

Populli thotë një shprehje: “Një budalla hedh një gur në pus, dyzet të mençur s’e nxjerrin dot !”

Me urdhër të organizatës së partisë, filluan menjëherë diskutimet në çdo brigadë të kooperativës, për ngjarjen e njeriut të çmendur në marrëdhënie me qentë dhe njerëzit e fshatit. Anëtarët e partisë, me këtë rast, u bënë promotorë të diskutimeve të zjarrta për të vjelë mendimin e popullit. Për të mësuar nëse dikush nga fshatarët dinte diçka për jetën e njeriut të çmendur ose për identitetin e tij të vërtetë, pa lënë pasdore thirrjet e tij “për të sulmuar të pafetë”, apo kuptimin e fjalëve të shqiptuara përgjysmë, që mund të shpjegoheshin me disa nënkuptime politike…

Porosia ishte : nëse ndonjë nga fshatarët dinte diçka për të çmendurin, le të pranonte, pa dorashka, edhe nëse ai kishte qenë njeri i rëndësishëm i partisë e i Luftës Nacionalçlirimtare, por i katandisur në atë derexhe, pasi partia e kishte përjashtuar nga gjiri i saj, dhe le të trajtohej ende si armik potencial i partisë e i pushtetit popullor…

Diskutimet në fillim qenë të atilla që, nuk i dhanë rëndësinë e duhur ngjarjes dhe personit në fjalë. U bënë përpjekje për ta banalizuar ngjarjen dhe personin e çmendur. Mirëpo, nuk ndodhi ashtu, sepse njerëz nga populli, që donin të nxirrnin “kunj ” me anëtarët e partisë, qëllimisht e frynë ngjarjen me komente të ndryshme, sidomos me fjalët e të çmendurit për “të pafetë”, me gjasë se kishte dashur të godiste ideologjinë e partisë dhe ateizmin e komunistëve. Ndërsa me fjalën…”kom…”, që s’arriti ta përfundonte dot, mund të jepeshin disa kuptime :“komiteti…”…”komisari..”“komploti”….“komunistët.”…“kominterni”… “kombishti” ..”kombinati” …etj. Kuptime që u hodhën poshtë nga shumica e anëtarëve të partisë, si të pavërteta e të pabazuara…Vetëm njëri nga ata, mesuesi i fshatit, tha se, nga poezitë që i çmenduri recitoi, sipas tij, ai duhet të kishte qenë një nga njerëzit e rëndësishmëm të partisë dhe luftës legjendare të partizanëve për çlirimin e vendit nga nazifashizmi…

– Jo më kot ai thirri, si në luftën partizane: “ Para partizanë…!”, e mbylli diskutimin mësuesi i kënduar.

Gjithsesi, nga mbledhja e stisur, anëtarët e partisë dolën të kënaqur. E para ngaqë, sipas tyre “uniteti i popullit rreth partisë”, nuk u dëmtua. E dyta, mbi të gjitha, nuk doli në dritë emri i vërtetë i njeriut që jetonte në shoqëri me qentë e fshatit, …Ai mbeti ashtu siç e dëshironte partia, i panjohur, i çmendur, i pavlerë, i parrezikshëm, siç e meritonin të gjithë të paaftët dhe kundërshtarët në shoqërinë komuniste, si të tillë, ata nuk ishin në gjendje të punonin e të luftonin për ndërtimin dhe mbrojtjen e socializmit ngadhnjimtarë…

* * *

… Shtrirë përtokë, i ngrahti, përpiqej të ngrihej, por s’e mbanin këmbët. I dukej sikur fryma i dilte nga kurrizi aq shumë dhimbje i shkaktonte plaga. U rrëzua përsëri në tokë. Pranë i rrinte një qen leshrazi, më i bukuri ndër të gjithë qentë e fshatit, edhe pse i lodhur, ai mezi merrte frymë nga vapa e madhe; gjuha e hollë, e kuqe i dridhej midis dhëmbëve të vegjël si sharrë, ndërsa sytë e zinj, midis ballit të hirtë, gati i perëndonin nën vetullat e trasha… I çmenduri u gëzua që pranë kishte pikërisht atë. Zgjati dorën dhe e përkëdheli. Leshraziu futi gjuhën brenda dhe përdrodhi trupin, si të ishte vajzë lozonjare.

– Flladina ! – tha ai i mallëngjyer. (U kishte vënë emra njerëzish, shokësh, miqsh qenve, ) – E pe moj, ç’na punuan besnikët e partisë? Na mbytën me gurë e fjalime të egra… Vetëm nga inati pse ne mbetëm besnikë të idealeve tona të pastra, besnikë të idealeve komuniste… Na dënuan pasi nuk pranuam rrugën e tyre të tradhtisë, siç dëshironte Mugosha e Meladini, me vdekje-pushkatim, ose për të qenë përjetësisht “të çmendur”… Unë ju mbështeta fuqimisht, atëherë, në Berat, kur godita drejtimin e partisë…E dija ku po shkonim me vijën terroriste e antikombëtare, se si do të katandiseshim po të vazhdonim strategjinë e përpiluar nga udhëheqja serbe. Ja, kështu, në gjendjen siç jemi sot… të cilën ata e arritën …Eh, sa e zgjuar, dhe trime ke qenë ti, moj Flladina!…Ua thashë sy për sy, atëherë, në Berat delegatëve : “Partinë dhe Ushtrinë Nacionalçlirimtare e kemi shndërruar në bandë hajdutësh dhe kriminelësh…”. A të kujtohet ?…Apo nuk e thashë kështu ? … Por ti, ama, bëre krim të pafalshëm që vrave prapa shpine Mustafa Gjinishin, burrin e mençur e të kulturuar që kishte udhëheqja dhe Shqipëria … Oh, sa më dhëmbë plaga!…Më ndihmo, të lutem të ngrihem!…Hajde, shtrëngomë!… Gjinishin tonë, moj, patriotin dhe largpamësin, që organizoi nga ana jonë, mbledhjen historike të Mukjes… Trimin, moj, që në Labinot ia plasi në fytyrë Enver Hoxhës, kur i tha se : “Kush ta ka dhënë ty të drejtën, mor maskara, të caktosh kufijtë e Shqipërisë, për të cilët ne kemi pesë vjet që po luftojmë për t’i rimarrë … Shtabi ynë i Luftës Nacionalçlirimtare nuk është më për kufijtë e vitit 1939, siç dëshiron ti dhe këshilltarët e t’u serb, por për Shqipërinë Etnike ”… Apo nuk ia tha kështu ? …

“Flladina” afroi kokën pranë fytyrës së tij dhe e lëpiu në faqe.

– Siç vranë Gjinishin pabesisht, agjentët e Titos, vranë edhe Nako Spiron, me gjasë sikur ai kishte vrarë veten …Unë bëra një poezi, atëherë, për Nakon, një elegji të bukur…E kam dashur shumë atë djalë….Ishte për t’u dashur…E donte Shqipërinë…pa diktatin e serbëve. I vetmi që m’i vlerësonte poezitë e mia.“ Janë me taban kombëtarë”, më thoshte… Ka mundësi të mos i kesh lexuar poezitë e mia. I botova me emër tjetër, Lame Kodra…Kështu njihem edhe në librat e shkollës. Tani s’janë më nëpër librat shkollor … se gjërat po shkojnë sipas interesit të atyre që bëjnë historinë… Ty, si të varrosën, me fëmijën e vogël në bark, apo e linde njëherë, pastaj të pushkatuan?…Kishte të drejtë Shote Galica kur thoshte se “plumbi me plumb, del”…Ju thashë, atëherë, në Berat, por s’më dëgjuat … Duhet të ishim bashkuar të gjithë një zëri për të dënuar praktikat kriminale që u përdorën gjatë luftës, kundra nacionalistëve, dhe partizanëve tanë që u pushkatuan me pa të drejtë, vetëm pse mendonin për një Shqipëri Etnike… Vërtet ishim komunistë, por jo antishqiptarë…Vërtet ishim miq me jugosllavët, por kurrë për të realizuar qëllimet e tyre shoviniste dhe antishqiptare…Lëre, lëre Flladina, e djallosëm qyshse “prishëm Mukjen”, u bëmë shërbëtorë të këqij të kombit tonë… Na i hodhën serbët…E ndërtuan partinë dhe luftën nacionalçlirimtare, siç deshën ata…Vranë me të pabesë njerëzit tanë më të mirë… komunistët që e donin Shqipërinë të lirë e demokratike, vranë me dorën tonë intelektualët e shquar kosovarë për të pasur dorë të lirë për Kosovën…Jo se ne jemi të pafajshëm, por të paktën e kundërshtuam politikën e mbrapsht të vartësisë, servilizmit dhe interesave antikombëtare… Për ty dhe burrin tënd, ç’është e vërteta, s’é kuptoj, pse u erdhi radha për t’u dënuar me pushkatim? S’më kujtohet nëse keni qenë ndonjëherë kundra politikës jugosllave !… Apo nuk ju donte udhëheqja e Tiranës ?

Ai fliste me ndërprerje nga dhimbjet e plagës në shpinë, ndërkohë që qeni leshrazi, me një tufë leckash të kapura me dhëmbë, e tërhiqte me forcë trupin e tij. Ai bërtiste:

-Jo, jo ! Më lëndove…katile ! Lëshomë !..Oh, sa më dhëmbë plaga !…E di, të njoh… je e pamëshirshme !…Oh, sa ma ngule thikën !

E goditi me pëllëmbë në fytyrë.

Por qeni i nevrikosur, nguli thonjtë në tokë dhe e tërhoqi zvarrë….

– Ik, të them moj…Lëshomë ! E shitur…ik ! Lemë të vdes rehat…

Ata u kacafytën një copë herë me duar e thonj, deri sa kafsha e çoi të plagosurin nën hijen e një fiku të stërmadh. E la aty dhe iku. Ai dridhej dhe rënkonte nga dhimbjet. Pas pak mbylli sytë dhe u përhumb në një gjumë letargjik…

Kur erdhi ne vete, e kuptoi se gjendej i zhytur në rrecka të fëlliqura, gjithë baltë e lëtyrë gjellësh të jargavitura, u tmerrua…Por u çudit që pranë po i rrinte tani qeni kokëmadh, me sytë që i llamburitnin nga egërsia. E njohu.

– Eh, mo, Koçi Xoxe…puna jote aferim ! – i tha – Na ndrite dhe ti si proletar i vërtetë !… Ta them unë pse të pushkatuan…Mos qesh, o derdimen ? Nuk e ke kuptuar ende pse e hëngre plumbin ? Nëse jo, mësoje, o lumëzi! Ndodhi, ngaqë serbët të donin të parë ty, për të drejtuar Shqipërinë, si ortodoks i pastër e i thjeshtë që ishe. Kurse grekët futën në thes Enverin… Lufta midis Asfalisë dhe UDB-së, për ju të dy, qe e tmerrshme. Fitoi Asfalia. Po të fitonte UDB-ja, do ta hante Enveri…Epo, kështu ndodh kur shikon vetëm bythën tënde dhe punon për hesap të të tjerëve, kundra interesit të popullit tënd… Po “shkodrani”, mo, ai, katoliku, ku është. pse nuk ndodhet me ju?..E ke takuar Tukun, mo?…Atë komunistin e ndershëm që e urrente luftën e klasave… Thoshte me bindje se komunistët shqiptar luftuam për të dëbuar fashistët dhe nazistët, por jo për të vrarë e burgosur shqiptarët … Në luftë, kur përplasen dy vezë, normale, njëra thyhet, apo jo? S’ka më arsye të vriten njerëz pse nuk pëlqejnë regjimin politikë pas luftës… E kam dashur shumë shkodranin se ishte njeri i drejtë. E shtruan qëllimisht në spital, për ta mbytur më kollaj … Po “Bedriu, mo,… “… i vogël si flori”, thoshte kënga partizane për të?…. Është çmendur edhe ai si unë …Eh, sa pishman u bë ai njeri… Në fund të fundit mirë t’i bënetë… Bëri budallallëk… Ç’ishte Enveri mo, para tij? Një birbo, ja ç’ishte !….Ai s’duhet ta linte birbon e mëhallës të bënej aq i madh….E njihte me rrënjë e dhëmballë …

Mirëpo, nuk vazhdoi dot se u mek. Siç duket, ngaqë foli shumë e fuqitë iu shterën. Shkuma e bardhë i doli, ufa – ufa, nga goja. U mavijos në fytyrë… “Koçi Xoxe ” filloi ta lëpinte në faqe, në ballë e në gushë… që ta sillte në vete. Por ai u vithis përsëri në humbëtirën e lëngatës dhe të urisë, që po ia gërryente zorrët e boshatisura…

***

Pas atyre debateve që partia bëri me anëtarët e saj nëpër brigadat e kooperativës, u shtuan kureshtarët për të parë “armikun e partisë”, që, me siguri ishte duke dhënë shpirt. Disa të rinj e të reja u lemerisën kur e panë në atë gjendje, kurse disa të moshuar, sipas traditës, u përkulën me keqardhje mbi të, për t’ia shtrirë këmbët e krahët…Ia pastruan buzët, fytyrën, ndërsa nën kokë i vendosën diçka të butë që të mos vuante….Erdhën edhe disa plaka, gra, nuse të reja…Mirëpo të rejave nuk u mbajti zemra. Filluan me të qara… Gjynah!.. Po vdiste një njeri….

Por… dikush që erdhi papritur, thirri:

– Largohuni!.. Ikni që aty ! Nuk u takon juve të kujdeseni për atë njeri që nuk e meriton…Ndryshe, do të ishte midis nesh dhe do të punonte e jetonte me ne, si revolucionarë… Hajt, shporruni!

U larguan të gjithë dhe e lanë përsëri vetëm njeriun, që vazhdonte të lëngonte dhimbshëm nga plagët e trupit e të shpirtit…

Nga vinte dhe kush ishte ky njeri, para se të çmendej, askush nuk e mori vesh…

Ai, apo hija e tij, vazhdon ende të rikthehet në qytet, në shtëpinë e tij, ku një grua me të zeza, pastron dhe kujdeset për të, Ajo largohet pa hyrë ai në banjë… Pasi lahet, ndërrohet dhe mjekon plagët e qelbëzuara, ai ulet në tavolinën e pastër, mbushur me gjellë të ngrohta e fruta të freskëta…Pastaj shtrihet në krevatin me çarçafë të bardhë e të hekurosur dhe fle deri sa trupi i tij ndjehet përsëri në gjendje për të përballuar peripecitë e një dite tjetër në shoqëri me ish – bashkëluftëtarët e tij të një fati…

FUND 1982.

Xhungël Poezi nga Elida Buçpapaj

pylli është
shpopulluar
nga banorët e tij
legjitimë
luanët,
tigrat e ketrat
janë larguar
në emigrim

elefantët, xhirafat
varur degësh
noçke e qafe
prangosur
prej rrjetash – çarqe
që kamuflohen
herë si brirë drerësh
herë si lastarë pemësh

lepujt dhe urithët
si gjithnjë
gati për t’ja mbathur
me veshët përpjetë
bëjnë jetë të lirë
nga bira në birë

arinjtë gjithë vitin
flenë gjumin
letargjik
kur zgjohen në
intervale të shkurtra
epike
dhelprat u rrinë
gati pranë
ne vend të presë e mjaltit
i mēkojnë
si erbivorë
me gjethe hashashi
e marihuanë

pylli është kthyer
në xhungël
ujqit e dhelprat
bëjnë ligjin
dhelprat vetëm
tundin e dredhin
bishtin
duke e gjunjëzuar
gjithë lukuninë e ujqërve
me talentin e tyre
herë si shkrimtare,
herë si ministre
herë si pornostare

kafshët e pyllit
nga strofullat
kanë marrë ikën
prej frikës
janë strehuar
bërë sa një grusht
në foletë e zogjve
sepse aty lart
dhelpra nuk i arrin
dot rrushtë

si zogj zvogëluar
kafshët e pyllit
rrinë duke u lutur
që në pyll bashkë
me luanēt
të kthehet
rregulli e harmonia
që sorkadhet
të luajnë në piano
e bilbilat të këndojnë
a capella me rend
ndërsa ujqit e dhelprat
në burgun e bordellove
të bëjnë aheng

(Marrë nga vëllimi poetik i autores Ujshëm, Onufri 2019)

Burri që qan Nga Bedri Çoku

                                                                                                                              

Përballë tij qëndronte një grua e mbajtur mirë dhe një  fëmijë i vogël, i cili vinte përqark saj me doçkat topolake mbërthyer pas fustanit. Gëlgëtinte me gjuhën mes dhëmbëve dhe, hera-herës, këndonte pa e zënë meraku për morinë e njerëzve, burra, gra, të rinj e të reja, që shkonin e vinin, aty, pranë, seriozë apo të qeshur, nga diskutimet që kishin ngjallur pikturat e ekspozuara në Sallën e Galerisë së Arteve…. Burri, i cili qëndronte pak më tej, s’i largonte sytë asnjë çast nga gruaja; fëmijën e shikonte më të rrallë. Vriste mendjen dhe thithte e thithte cigaren me gjongël :” Të jetë, vallë, kjo gruaja ime?” Trupi i dridhej, ndërsa djersët ia mbulonin ballin; ndjente të  ftohtë, sikur të kishte nën të një copë akulli. Papritur ndjeu nevojën për t’u mbështetur në kolonën e ndërtesës… ” Edhe ajo kështu e kishte ballin, të rrumbullakët…flokët e zinj…fytyrën të bardhë e të pastër…sytë si bajame…trupin të drejtë. Ai, piktori i ri, i talentuar, pikërisht për sytë e bukur m’u lut, atëherë, me përgjërim që ta pikturonte…A thua të ketë ndryshuar kaq shumë? Të jetë shëndoshur kaq…” Iu duk sikur gruaja donte të largohej,  por ajo vetëm sa shkoi pak më tutje, për të marrë të birin, që rendëte prapa fustanit të një vajze, me lule e flutura shumëngjyrëshe. “Pse jo ?…Kanë kaluar 15 vjet… Atëherë ishte e re, tetëmbëdhjetë vjeçe…” U gëzua kur ajo u kthye përsëri atje ku ishte pak më parë, përkulur mbi të birin për t’ia mbërthyer tirandat e ç’kopsitura. Ai vuri re në qafën e saj lezin sa një kokërr mani dhe gati sa s’thirri: “Po, po ! Ajo qenka !…Ajo…E dashura ime…Gruaja ime…!” U tërhoq prapa dhe u mbështet përsëri te kolona ngaqë një si ngërç gati ia bllokoi muskujt e qafës. Duhanin e thithte pa pushim. Gruaja drejtoi trupin përballë tij, por ajo nuk mundi  të dallonte tjetër veç fytyrën e një burri të mbuluar nga tymi i duhanit…Klithi, kur  ndjeu dy duar të fuqishme që e pushtuan në krahët lakuriq. – Oh, Nestor….sa u tremba ! – Më fal, shpirt… U vonova pak…Ashtu ishte puna…Atje, në Ndërmarrje …donin të më nxirrnin dëshmitar për të demaskuar drejtorin dhe një inxhinier për allishverishe. – E pastaj ? – Unë s’pranova

– Mirë bëre!  – Domosdo, mirë…Po Pandi ku është? – Ja, këtu…Ua !…Pandi !…more Pandi!… Djali, pak më tutje, bisedonte me burrin që pinte e pinte duhan pa pushim. Zëri i së ëmës e trembi dhe ai vrapoi  tek ajo. I ati e priti mes krahëve, e ngriti hopa, lart dhe e mbuloi me të puthura. Pastaj, të tre, u drejtuan për në Sallën e Galerisë së Arteve. Burri i ndoqi nga prapa. Mirëpo, sapo vuri këmbën në hollin, dyshemeja e të cilit shndriste nga  pastërtia, ai u tut ngaqë këpucët i kishte të palustruara. Rrobat e dokut, kostum i burgut ngjyrë tulle, e kishte të pastër, por të pa hekurosur, zverdhur e i zhubrosur.”Po sikur të më flasin që po hyj kështu?.”Për dreq, sytë i vajtën te një kapter policie, i cili, si të gjithë vizitorët e tjerë, vërtitej rreth e rrotull në qejf të vet. Me vështirësi bëri mënjanë për t’ua liruar rrugën vizitorëve që ktheheshin nga ekspozita e hapur dy ditë me parë. Ishte ekspozitë e një piktori të dëgjuar, shqiptar. Ama, sytë nuk ia ndante kapterit të policisë…

“ Ai s’ka si të ketë punë më me mua. Unë jam i lirë.” I dha zemër vetes. Ndërkohë gruaja i humbi nga sytë. Ai iu qep disa vizitorëve të tjerë, derisa arriti në Sallë. E ndjeu veten ngushtë, aq ngushtë, por po të mos kishte qenë ajo, “gruaja e tij” që po sodiste pikturat e ekspozuara, pa dyshim do t’ia kishte mbathur. Iu duk vetja i huaj, krejt i huaj në atë vend. Çudi, si u rrokullis deri aty ? Pak halle e probleme kishte që e mundonin, por duhet të merrej edhe me pikturat dhe njerëzit, që e kishin braktisur. Iu kujtua cigarja e ndezur në dorë, por, nga eksperienca e burgut, hodhi fshehurazi në pëllëmbën e dorës një pesëlekëshe pështymë dhe, aty, e fiku kokën e ndezur të cigares, kurse pjesën tjetër e ngjeshi në xhep të shprishur midis gishtave. Dikush e pa me mospërfillje, por dy -tre  studentë vunë buzën në gaz teksa pikasën marifetin e përdorur. Megjithatë, burri s’e bëri veten. Në fund të fundit, s’ishte profan për të mos soditur edhe ai pikturat e varura në mur. Paksa i shtirur iu afrua qetësisht portretit, që e kishte aty  pranë. Domosdo, edhe u krekos njëfarësoj. (S’kishte qëndruar ashtu qysh para 15 vjetësh.). Atëherë ishte i ri, i pashëm, plot energji dhe vishej kreko. Punëtor, por e mbante veten. Edhe atëherë kishte vizituar ekspozita të tilla, madje kishte lënë mendime në fletoren e përshtypjeve. Por, kur u martua me atë që dashuronte, s’linte film pa parë, drama, opera, ekspozita pikturash; ngaqë asaj i pëlqenin shumë aktivitetet artistike. Edhe pse pikturat atij nuk i jepnin ndonjë kënaqësi apo t’ i linin ndonjë mbresë në shpirt, ai  shkonte më tepër për të dashurën që vdiste pas pikturave. Çfarë s’bënte ai për atë që e dashuronte marrëzisht!… Edhe kur u martuan, nuk donte assesi ta  quante “grua”  I thoshte vendosmërisht se: “… Dua të të kem përherë të dashur, vetëm të dashur!”

Pastaj i fliste për jetën e vështirë në Shqipëri, për dëshirën e madhe për ta bërë të lumtur; për jetën ndryshe që bënin njerëzit e lirë në vendet ku sundonte demokracia; për shpresën e ndryshimeve që e dëshironin shumë shqiptarë në vendin e tyre. Ajo i dëgjonte e mahnitur fjalët që dilnin nga goja e tij; mbyllte sytë dhe ëndërronte të ardhmen, siç ia  përshkruante ai… Por, papritur, pa u mbushur ende viti në shtratin e lumturisë bashkëshortore, fati i zi, ky plak i nëmur, shpirtkazmë, ngriti midis tyre murin e trashë e të akullt të qelisë. Vallë u ndanë përgjithmonë, për të mos e parë më njëri-tjetrin kurrë, apo …? Ç’të keqe pati bërë ky njeri që e burgosën? Përse e ndanë nga gruaja e dashur dhe nëna e shtrenjtë? I ndanë përgjithmonë, për të mos u parë më kurrë me njëri-tjetrin, apo …? …Ç’të keqe pati bërë ky njeri, që e burgosën, e poshtëruan para shoqërisë? Përse e ndanë nga gruaja e dashur dhe nëna e shtrenjtë …? U lodh, u sfilit, duke menduar e menduar aq shumë për këto gjëra ! Vuante shpirtërisht, sidomos kur nëna plakë i shkonte te dera e burgut me ato pak ushqime dhe qyqes i dridhej buza teksa i tregonte për të shoqen, se si ajo e kishte braktisur shtëpinë e burrit dhe atë vetë, pleqëri, për të mos u kthyer më kurrë… I lutej të birit që të mos mendonte më për gruan, faqenxirën e tij! Përpara nënës ai nuk bëzante, nuk mërzitej, as psherëtinte e të nxirrte fjalë se ajo nuk ishte e keqe pse qe larguar nga shtëpia. E re, e bukur, s’ishte e drejtë të humbiste jetën e vet për hatrin e tij. Po ku bindesh e ëma, ku i pranonte ajo arsyetimet e të birit ! – Ah, jo, mor bir, jo !…Faqezeza është gruaja jote; vetëm e jotja! Sepse me ty e lidhi jetën. Në ditë të mira e të këqija ! Me ty është e ndershme, vetëm me ty !…Edhe gratë e tjera i kanë burrat të burgosur, por s’kanë ikur nga shtëpia dhe t’i lënë njerëzit e burrit rrugëve. Ai ia mbulonte duart e fishkura me të  puthura, ndërkohë që me zor e mposhtte një brengë të madhe në shpirt. Në qeli, pastaj, kujtimet ia shtrëngonin zemrën, ia turbullonin mendjen, ndërsa fjalët e nënës ia brenin shpirtin pak e nga pak. “ Me ty është e ndershme, vetëm me ty !” Megjithatë, midis tronditjeve shpirtërore e dashura i përkundej si një sirenë e magjishme. S’mund ta imagjinonte ikjen  e saj nga shtëpia dhe nënën e tij të vetmuar! Si mund t’i besonte ai këto gjëra për atë që e dashuronte përjetësisht ? Jo, nuk mund të pranonte ndarjen me atë, që, në vitet e para të rinisë ia kishte mbushur shpirtin dhe  trupin me tinguj të gëzuar. Nga sytë  e saj si bajame e flokët e zinj, nga  trupi i drejtë e i hollë, buzëqeshja fëmijërore e së cilës, nuk ndryshoi as atëherë, kur ata  përjetuan për herë të parë dridhjen e trupave të zhvirgjëruar: Prekën me dorë vazhdimësinë e  jetës së tyre e të dashurisë!

…Nëna e qortonte pse ai nuk e harronte një herë e përgjithmonë gruan e tij të pabesë. Por ai s’mund të shuante flakën e dashurisë me vrerin e urrejtjes e të harronte përgjithmonë dashurinë e jetës së tij ? Eh, sa u përpoq burri pa liri të “burgoste” lirinë e shpirtit, dashurinë e vërtetë, që e kishte lumturuar aq shumë! Por më kot! Nëna plakë nuk i vajti më në burg. Ajo vdiq duke i lënë në zemër një  dhimbje të thellë. Fjalët e nënës i kujtonte vazhdimisht. Përditë ia bluanin mendjen dhe shpirtin: “Ah, jo, mor bir, jo !…Faqezeza është gruaja jote: vetëm e jotja! Sepse me ty e lidhi jetën. Në ditë të mira e të këqija! Me ty është e ndershme, vetëm me ty !…Edhe gratë e tjera i kanë burrat të burgosur, por s’ ikin  nga shtëpia, s’i kanë lënë njerëzit e tyre rrugëve”. Sa donte që këto fjalë t’i kishte dëgjuar edhe “ajo” njëherë! Të tronditej edhe ajo si ky e, ndoshta, të pendohej! Kaluan 15 vjet dhe ai u lirua. Shtëpinë e gjeti të mbyllur. Asgjë s’kishte më të tijën në këtë botë, veç kujtimet e së kaluarës. Mirëpo ja, që fati, ky hundëçip i hidhur, gjashtë ditë pasi ai ishte liruar nga burgu, e nxori përpara të dashurës. ( Apo ishte grua tjetër që gëzonte tiparet  dhe lezin në qafë, njëlloj si të Asaj?) Askush nuk po çuditej me rrobat dhe këpucët e tij. Ndoshta edhe mundet, por ai nuk donte t’ia dinte gjallë për njeri. E kishte mendjen vetëm tek “Ajo”, ndërsa për njerëzit e piktorët i interesonte po aq sa ç’ishin interesuar ata për të në burg. Edhe dy tablo të tjera dhe do të ishte afër saj. Do ta vështronte me kujdes: Ishte apo s’ishte ajo? Po i kalonte tablotë me një të vështruar, shpejt e shpejtë… Oh, sa po i rrihte zemra! Mendimi se, pas një kohe kaq të gjatë, më në fund do të ishte përsëri ngjitur me të, e tronditi aq shumë sa edhe dhëmbët filluan t’ i kërcisnin si në ethe. Ja, i kaloi edhe dy tablotë që e ndanin nga gruaja, burri dhe fëmija… Po sodiste të njëjtën tablo me ta… Vetëm gruan vështronte, vetëm atë. Tamam si një fëmijë kureshtar dhe i trembur për vdekje.-” Flokët qenkan po ato… edhe balli…edhe sytë..edhe…” Por, fëmija i  tundi dorën të ëmës, kur  vuri re burrin që e vështronte me ngulm të ëmën e tij. Ajo ktheu kokën prapa. Por burri ishte larguar përnjëherë për te tabloja tjetër. Qëndroi pak atje, sa për të humbur dyshimin te piktura e një malësoreje me bucelë nën sqetull. Nga hutimi, pa dashur shkeli këpucën e një vizitori, i kërkoi të falur, por ai e pa me përçmim e i inatosur. Nga kjo që ndodhi u shpërqendrua vetëm pasi u gjend, pa pritur, para portretit të një vajze, të cilën, për habinë e tij, ishte portreti i të dashurës së vet. U përqendrua në fytyrën e saj dhe mendja i fluturoi 15 vjet më parë. Njohu sytë, faqet, hundën, buzët dhe flokët e zinj. Njohu buzëqeshjen e bukur e të dëlirë. Ktheu kokën nga gruaja dhe u tmerrua kur pa që dashuria e dikurshme ishte deformuar, vyshkur, dhjamosur,ishte …Sytë iu mbushën me lot dhe në shpirt ndjeu një vithisje të madhe!-Ah, Briketa! – i doli zëri me tërë fuqinë e shpirtit. Klithma e tij e ngjirur u dëgjua në tërë sallën. Ishte Briketa në portret. Gruaja e tij, të cilën piktori i ri, Aleksi Berti, ishte lutur, dikur, që ta pikturonte për sytë dhe buzëqeshjen e saj aq të bukur.  Por njerëzit vështronin vetëm burrin të mbështetur pas murit, nën portretin vashëror të vajzës së bukur, me rrobat e burgut, që nuk lëvizte, nuk bëzante. Edhe pse ata e kuptuan që ai ishte një i burgosur i liruar, nuk guxoi  njeri t’i fliste, apo ta ngushëllonte, madje as kur ai futi kokën mes krahëve dhe filloi të dëneste… Dukej që ishte fatkeq, njeri i zhgënjyer me atë vashën në portret, me të cilën mund të kishte qenë i dashuruar. Ndërsa gruaja e quajtur Briketa, me të birin e të shoqin, sapo dëgjoi emrin e vet nga goja e burrit, me rrobat e një të burgosuri, nën  portretin e saj, u largua tinëzisht e pa u ndjerë, nga salla …

Pse Kundera nuk u kthye kurrë në atdhe- Nga Petr Drulák- Përktheu: Granit Zela

Vizitat e mia te Milan Kundera dhe gruaja e tij, Vera, u bënë të rregullta në vitin 2019, kur isha në vitin e tretë të misionit tim si ambasador çek në Francë. Ajo që filloi si telefonata të sjellshme dhe admiruese nga një diplomat për autorin më të madh të vendit të tij u zhvillua në miqësi. Por kjo mbrëmje e fund nëntori ishte e veçantë dhe unë isha po aq nervoz sa kisha qenë gjatë telefonatës time të parë para dy vitesh. U ulëm në apartamentin e tyre parizian duke biseduar, si zakonisht, për gjëra të ndryshme. Kur mendova se kishte ardhur çasti i duhur, u ngrita në këmbë dhe thashë: “Milan, e di që nuk të pëlqejnë ceremonitë, por më lër të them disa fjalë”.

Pas një fjalimi të shkurtër, i dorëzova një dokument ku thuhej se Milan Kundera kishte marrë nënshtetësinë çeke. Me një buzëqeshje të butë, pak të druajtur, Kundera pohoi me kokë, duke marrë dokumentin dhe duke nënshkruar një kopje për autoritetet çeke. Në mënyrë simbolike, Kundera u kthye në atdhe atë mbrëmje, 40 vjet pasi iu hoq shtetësia dhe 30 vjet pasi Revolucioni i Kadifenjtë solli në pushtet kolegët e tij intelektualë disidentë, veçanërisht ish-mikun e tij Václav Havel, i cili shërbeu si president nga vitin 1989 deri në vitin 2003.

Pse u desh kaq shumë? A nuk kishte dashur Kundera të kthehej në atdhe? Apo çekët e kishin parapëlqyer në ekzil? Pas vitit 1989, Kunderat menduan të ndanin kohën e tyre mes Parisit, Pragës dhe Brno-s, ku kishte lindur Milani. Por kjo nuk ndodhi kurrë. Disa udhëtime incognito në Çeki, vizita të herëpashershme të miqve çekë në Paris ose në rezidencën e tij verore në Touquet, telefonata të shpeshta – por kaq ishte e gjitha. Nuk pati kthim. Pse?

Romanet e Kunderës mund të na japin disa arsye të tërthorta. Kritikët e tij mëtuan të kenë zbuluar në to ndjenja anti-çeke. Para së gjithash, në romanet e veta ai jo vetëm që përqeshte zyrtarët komunistë, por mbante një distancë kritike nga disidentët. Për shembull, kur Tomáš-i, mjeku protagonist i “Lehtësia e papërballueshme e qenies”, refuzon të nënshkruajë një peticion në mbështetje të të burgosurve politikë, lexuesi nuk mund të mos mbajë anën e tij. Për më tepër, Kundera thuhej se ngurronte të autorizonte përkthimet çeke të librave që kishte shkruar në frëngjisht. Por kurrë nuk foli publikisht për marrëdhëniet me vendin e vet. Në fakt, nuk ka folur fare në publik.

Ishte Vera ajo që pak javë para kthimit të shtetësisë e theu këtë heshtje të gjatë me një intervistë të sinqertë. Ajo shprehu malli për atdheun e humbur, por edhe pse nuk mund të ktheheshin. Shumë lexues çekë u habitën kur mësuan se për dekada, Kundera ishte përballur me armiqësië e disidentëve në Pragë dhe nga të mërguarit e tjerë antikomunistë. Miqtë e Havelit ishin veçanërisht aktivë në këto sulme kundër Kunderës; vetë përfshirja e Havelit ishte e paqartë.

Kundera dhe Haveli u takuan për herë të parë në fund të viteve 1950. Kundera, një shkrimtar i ri premtues, jepte mësim në Akademinë prestigjioze të Filmit në Pragë. Haveli, shtatë vjet më i ri, i kërkoi ta këshillonte, pasi donte të hynte në akademi. Kundera u përpoq të ndihmonte Havelin, duke vepruar, sipas fjalëve të Havelit, si “agjenti” i tij. Pavarësisht këtyre përpjekjeve, akademia e refuzoi Havelin, si ndëshkim për “origjinën borgjeze” – një emërtim i përdorur kundër kujtdo, prindërit e të cilit nuk ishin punëtorë apo fshatarë. Në të vërtetë, përpara komunizmit, Havelët kishin qenë ndër familjet më të pasura dhe më me ndikim në Pragë.

Takimi i parë i Kunderës dhe Havelit vendosi modelin e marrëdhënies së tyre me ulje dhe ngritje përgjatë viteve 1960. Kundera ishte pjesë e establishmentit kulturor, merrte çmime dhe admirimin e lexuesve dhe ngjallte interesin e botuesve të huaj. Nga pikëpamja politike, ai ishte një rebel që kritikohej rregullisht nga zyrtarët dogmatik dhe librat e tij duhej të prisnin vite për autorizimin zyrtar. Ndërsa braktisi idealizmin marksist të poezisë së tij të hershme, Kundera ende besonte në disa versione të socializmit. Haveli, në të kundërt, ishte një i huaj ambicioz. Ai përfitoi nga kapitali kulturor i familjes së tij, i cili i dha emër dhe i siguroi kontakte me poetë dhe intelektualë të rëndësishëm. Por Havelët trajtoheshin si armiq të klasës nga regjimi dhe rruga e tij profesionale nuk ishte e lehtë. Haveli fillimisht iu bashkua botës së teatrit si punëtor teknik i skenës. Vetëm pas liberalizimit politik të vendit u bë i njohur si dramaturg. Politika e tij ishte e përmbajtur: nuk ishte antikomunist i vendosur dhe as socialist (përveç një revolte të shkurtër kundër nënës së tij).

Disa intelektualë me bona fides të mirëfilltë, përfshirë Kunderën, u përpoqën të ndihmonin Havelin në rrugën e tij të vështirë. Por duke pasur parasysh ambiciet e mëdha dhe etjen për njohje, Haveli duhet të ketë ndjerë një farë zilie ndaj tyre. Ata kishin mundësi më të mëdha në media, në pozicione me ndikim në aparatin shtetëror kulturor dhe te botuesit. Megjithatë, Haveli arriti njëfarë suksesi pavarësisht pengesave me të cilat u përball. Drama e tij e vitit 1963, “Festë në kopsht”, u vu në skenë jo vetëm në Pragë, por edhe në Gjermani – një arritje e konsiderueshme për një autor të ri çek në atë kohë. Por vështirë se mund të krahasohej me suksesin e Kunderës, veprat e të cilit u lexuan dhe përkthyen shumë. “Shakaja” (1967) u kthye shpejt në një tekst kult; dhe deri në vitin 1969, ishin realizuar tre filma të mbështetur në librat e tij. Kur Carlos Fuentes, Gabriel García Marquez dhe Julio Cortázar vizituan Pragën në vjeshtën e vitit 1968, ishte Kundera ai që kërkuan të takonin.

Ndoshta kjo pakënaqësi shpjegon agresivitetin me të cilën Haveli reagoi ndaj esesë së Kunderës “Fati çek”, botuar në dhjetor 1968, muaj pasi pushtimi sovjetik mbylli përpjekjet për reformat demokratike të atij viti. Pa dyshim, Kundera ishte jashtëzakonisht lirik, kur fliste  për “një mision të madh të kombeve të vogla” duke pretenduar se viti 1968 “i zhvendosi çekët dhe sllovakët në qendër të historisë botërore” në një mënyrë të tillë që kombi “kishte parë madhështinë e tij”. Ai e kremtoi Pranverën e Pragës duke e quajtur një kontribut unik në politikën botërore, duke mëtuar se kërkimi çek për një sistem politik që respektonte lirinë dhe drejtësinë sociale ishte me rëndësi universale dhe mund të jepte mësime të dobishme për Perëndimin. Ai kishte shpresë për jetësimin e reformave demokratike, madje edhe nën pushtimin sovjetik.

Haveli, i cili nuk u besoi kurrë reformatorëve komunistë, reagoi me një shkrim demaskues sarkastik, duke përbuzur “iluzionet patriotike vetë-admiruese, nostalgjike” të Kunderës dhe duke e akuzuar atë për “mesianizëm qesharak provincial”. Ai argumentoi se reformatorët e Pragës thjesht ishin përpjekur të korrigjonin krimet e tyre të mëparshme dhe se modeli perëndimor i demokracisë liberale ishte në gjendje të pajtonte lirinë dhe drejtësinë sociale më vete, pa pasur nevojë për mësime nga komunistët. Për më tepër, Haveli hodhi poshtë çdo shpresë për vazhdimin e reformave demokratike, duke bërë thirrje për rezistencë paqësore kundër pushtimit. Kundera u përgjigj në të njëjtën mënyrë personale. Ai akuzoi Havelin për ekzibicionizëm moral, duke argumentuar se radikaliteti i propozimeve të tij mund të kënaqte nevojën e tij të kotë për udhëheqje morale, por pasojat e tyre praktike do të ishin inekzistente ose të dëmshme.

Polemika e tyre pasqyroi vijën e fajit midis intelektualëve demokrato-socialistë dhe liberal: Kundera argumentoi për një model të ri të shoqërisë që do të ishte i lirë dhe i drejtë, duke shmangur veset e kapitalizmit perëndimor dhe autoritarizmit të Europës Lindore; Haveli mbrojti kapitalizmin perëndimor si modelin e vetëm të dëshirueshëm, që kishte nevojë për rregullim, por jo rishikim të madh. Këto dallime nuk kishin rëndësi për udhëheqësit neo-stalinistë që rifituan kontrollin pas revoltës së 1968-ës; regjimi i dënoi të dy autorët si antisocialistë dhe ua ndaloi veprën.

Por psikologjia e marrëdhënies së dy shkrimtarëve u formësua nga rivaliteti i tyre profesional. Ndonëse të dy ishin të etur për njohje letrare ndërkombëtare, vetëm Kundera ngadhënjeu. Haveli u njoh si luftëtar i lirisë dhe udhëheqës politik, por nuk ka hyrë kurrë në kanonin e letërsisë botërore. Megjithatë, ai ruajti ambiciet letrare dhe identitetin e tij si shkrimtar. Pasi u largua nga zyra e presidentit, Haveli shkroi një dramë të titulluar “Largimi” (që ishte mediokër) dhe drejtoi një film të mbështetur në këtë dramë (i cili ishte një dështim).

E gjithë kjo mund të shpjegojë qasjen e dyfishtë të Havelit ndaj të Kunderës. Pas polemikës së vitit 1969, ai nuk u angazhua në asnjë sulm personal ndaj Kunderës, por nuk bëri asgjë për të shkurajuar sulme të tilla nga miqtë dhe admiruesit e tij. I fundit dhe më i egri prej tyre erdhi në vitin 2008, kur e përjavshmja çeke Respekt botoi një artikull ku Kundera akuzohej se kur ai ishte student në vitet 1950, kishte informuar policinë për një agjent perëndimor. Artikulli nuk nxori asnjë provë përveç thashethemeve dhe një protokolli policie ku përmendej se Kundera ishte burimi i informacionit.

Edhe pse kishte arsye për dyshime, çështja kundër Kunderës ishte mjaft e dobët. As nënshkrimi dhe as numri i identifikimit të Kunderës nuk figuronin në protokollin e policisë, gjë që asokohe ishte një procedurë standarde. Përveç kësaj, agjenti u arrestua në dhomën e ish-të dashurës së tij studente. Ishte ajo që kishte treguar për ardhjen e tij në Pragë me të dashurin e saj të atëhershëm dhe më vonë bashkëshortin, i cili dyshohet se ia kaloi këtë informacion Kunderës. Megjithatë, as vajza dhe as i dashuri i saj nuk u ndëshkuan për kontakt me agjentin, gjë që nuk pritej në atë periudhë terrori. Kundera mohoi çdo përfshirje dhe nuk doli asnjë provë e mëtejshme, por kjo histori ia njollosi emrin, ia dëmtoi shëndetin e tij dhe të bashkëshortes dhe përjashtoi përfundimisht vizitat e tyre në Çeki.

Respekt botohej asokohe, sikurse edhe sot, nga manjati mediatik miliarder Zdeněk Bakala, i cili është miku i Havelit dhe sponsori kryesor i Bibliotekës Václav Havel. Si kryetar i bordit të Respekt, Havel u lajmërua për artikullin përpara botimit dhe ai shprehu dakordësinë e tij. Një javë më vonë, pasi dëmi ishte bërë, ai bëri një deklaratë ku mbështeste me gjysmë zemre Kunderën: “Mos u dëshpëro, Milan, ka gjëra më të këqija në jetë se shtypi i keq”. Ai filozofoi për grackat e gjykimit të ngjarjeve të largëta historike, ndërsa i kërkoi Kunderës të mos mërzitej nga furia mediatike që do të pasonte, e cila në mënyrë të pashmangshme do të dëmtonte reputacionin e tij.

Në Europën Qendrore, intelektualëve tradicionalisht u është caktuar një mision i veçantë. Ndryshe nga homologët e tyre perëndimorë, ata luajtën rol vendimtar në ndërtimin e kombit në shekullin e 19-të dhe pritej të kontribuonin në betejat politike të kombeve të tyre në kohët e vështira të shekullit të 20-të. Historia çeke është e pasur me shembuj të tillë: historiani František Palacký ishte një udhëheqës politik kyç në shekullin e 19-të, sociologu Tomáš G. Masaryk u bë presidenti themelues i Çekosllovakisë, shkrimtari Karel Čapek mbrojti demokracinë çekosllovake përpara Luftës së Dytë Botërore dhe filozofi Jan Jan Patočka shmangu politikën gjatë gjithë jetës së e tij, vetëm për t’u bërë teoricien, zëdhënës dhe martir i Kartës 77.

Por ka edhe shumë shembuj të intelektualëve që u akuzuan për neglizhencë të misionit të tyre duke i dhënë përparësi artit mbi politikën ose duke dështuar të pasqyrojnë kombin në veprat e tyre: këtu përfshihet poeti më i madh çek i shekullit të 19-të, Karel Hynek Mácha, poezitë e të cilit kishin të bënin me dashurinë dhe vdekjen, dhe jo me virtytet çeke dhe Antonín Dvořák, muzika e të cilit u konsiderua shumë kozmopolite.

Havel, dramaturgu i kthyer në president, i përmbushi qartë pritshmëritë kombëtare, duke iu bashkuar traditës së Masaryk-ut dhe Patočka-s, por të shumtë ishin ata që e qortuan Kunderën që nuk i përmbushi këto pritshmëri. Ai jo vetëm që u largua nga vendi në vitin 1975, gjë që disa e panë si dezertim nga lufta kundër tiranisë, por edhe shprehu vazhdimisht skepticizëm për aktivitetet disidente të ish miqve të tij dhe u tha se ishte tërhequr nga çdo aktivitet politik për t’ia kushtuar jetën plotësisht letërsisë. Kundera e bëri të qartë se nuk do të shkruante letërsi të angazhuar politikisht, për të cilën kishte një opinion shumë të ulët dhe kritikët e tij nuk besonin se librat e Kunderës, plot ironi, intriga qesharake dhe marrëdhënie dashurie, përbënin ndonjë sfidë të vërtetë për regjimin.

Kjo mund të shpjegojë pse botimi i “Lehtësia e papërballueshme e qenies” pati një pritje entuziaste pothuajse kudo, por jo në qarqet opozitare çeke. Ashtu si Dvořák, Kundera shihej si kozmopolit (ky kishte qenë tashmë një nga qortimet e Havelit në vitin 1969); si ato të Mácha-s, temat e Kundera-s nuk ishin sa duhe hapur politike.

Këto qortime ishin të padrejta. Në vend që të braktiste politikën dhe të harronte atdheun dhe miqtë e tij, siç mëtonin detraktorët e tij, Kundera punoi me një koncept tjetër për politikën. Sigurisht, nuk pranoi të firmoste asnjë nga peticionet dhe deklaratat e shumta të Havelit, ndoshta ende duke dyshuar për ekzibicionimin e tij moral. Por ai ndërmori edhe veprime praktike që i shihte si të dobishme: botoi një artikull në mbrojtje të një zëdhënësi të burgosur të Kartës 77 në Libération; ofroi i ndihmë financiare të pabujë për miqtë në nevojë në atdhe; dhe mbrojti nocionin e Europës Qendrore në një ese të lexuar gjerësisht të vitit 1984.

Autoritetet çeke i hoqën Kunderës nënshtetësinë pas botimit në vitin 1978 të “Libri i të qeshurës dhe harresës”, i cili tallte udhëheqësin e lartë të partisë. Pavarësisht censurës zyrtare, disidentët kryesorë të vendit nuk e shihnin librin si të denjë për shumë vëmendje. Ata prisnin një vepër që shprehej më hapur dhe më të angazhuar politikisht, sesa ajo që ata e shihnin si një seri aventurash erotike. Në këtë aspekt, opozita antikomuniste çeke ishte në të njëjtën linjë me neokonservatorët amerikan: Redaktori i komenteve Norman Podhoretz shprehu zhgënjimin e tij të përmbajtur për librin në një letër të hapur drejtuar Kunderës.

Gjatë Luftës së Ftohtë, disidentët çekë dhe ata në ekzil nuk mund t’i shpëtonin lojës gjeopolitike të dy superfuqive dhe disa arritën të luanin një rol të rëndësishëm. Pavel Tigrid ishte shembulli i duhur. Ai u largua nga Çekosllovakia pas grushtit të shtetit komunist në vitin 1948. Duke filluar nga fundi i viteve 1950, jetoi në Paris si qytetar amerikan. Me financim nga qeveria amerikane, më konkretisht nga Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA), financoi dhe redaktoi të përmuajshmen Svědectví (Dëshmia), revista më e rëndësishme antikomuniste çeke në qarkullim. Nga Parisi, ai organizoi një rrjet të frikshëm të mbledhjes së informacionit  dhe rekrutimit.

Qysh në mesin e viteve 1960, Tigridi u interesua për Havelin, familja, pikëpamjet antikomuniste dhe talenti letrar i të cilit duhet t’i jenë dukur premtuese. Përfundimisht, ata u takuan në Paris në vitin 1968. Ishte fillimi i një bashkëpunimi dhe miqësie të përjetshme. Tigridi u bë promovues i qëndrueshëm i Havelit si në Çekosllovaki ashtu edhe në Perëndim. Sipas Jaroslav Vrzala-s, bashkëpunëtor i vjetër i Tigridit dhe botuesi i Svědectví, karriera politike e Havelit ishte produkt i përpjekjeve të mentorit të tij, të sponsorizuara nga SHBA. Këto përpjekje dhanë rezultat në vitin 1989. Përpara Revolucionit të Kadifenjtë, Tigridi filloi të pretendonte që Haveli të bëhej presidenti çekosllovak dhe porositi postera Havel për president. Më pas ai u transferua në Pragë për të shërbyer si këshilltar kryesor i presidentit të ri, dhe më vonë si ministër i tij i kulturës.

Si e shikonte Tigridi Kunderën? Luftëtari i ftohtë i linjës së ashpër ka të ngjarë ta konsideronte intelektualin me mendje të pavarur, i cili nuk kishte nevojë për rrjetin e tij ose nuk pajtohej me ndarjen ideologjike të Luftës së Ftohtë, deri diku si të dyshimtë. Tigridi me gjasë nuk donte që Kundera të shihej si një zëdhënës i opozitës çeke, duke lënë në hije Havelin më të besueshëm politikisht. Ai u takua me Kunderën menjëherë pasi mbërriti në Paris në vitin 1975 dhe i ofroi këshillë miqësore për t’u larguar nga politika. Kundera e zbatoi me kënaqësi, duke mos pasur asnjë ambicie politike.

Tigridi, një operativ me përvojë i shërbimeve inteligjente dhe grumbullues i informacionit që qarkullonte midis opozitës antikomuniste çeke brenda dhe jashtë vendit, u kujdes shumë që imazhet e Havelit dhe Kunderës të qëndronin në përputhje me planet e tij politike. Prandaj, mund të imagjinohet se sa i shqetësuar ishte ai në vitin 1984, kur Kundera u katapultua në superyllin letrar global me suksesin e “Lehtësia e papërballueshme e qenies”, që e bëri atë një kandidat për çmimin Nobel në Letërsi. Tigridi nuk ishte i vetmi që shqetësohej. Shumë disidentë të Pragës nuk e pëlqyen idenë. Sipas mendimit të tyre, një Nobel për Kunderën do të ishte një mospërfillje për Havelin dhe kështu një pengesë për kauzën e tyre.

Pikërisht në këtë sfond disidentët çekë i dërguan një peticion komisionit të Nobelit në mbështetje të Jaroslav Seifert-it, poetit të madh lirik, atëherë në të 80-at, i cili ishte praktikisht i panjohur jashtë Çekosllovakisë, por që ishte ndër nënshkruesit e parë të Kartës 77. Disa nga ata që vendosën emrat e tyre në peticion më vonë u penduan, pasi nuk ishin në dijeni kur firmosën se arsyeja kryesore e tij ishte të devijonte çmimin nga Kundera. Peticioni ia arriti qëllimit. Dhënia befasuese e çmimit Nobel në vitin 1984 për Jaroslav Seifert-in ishte një fyerje për komunistët çekë, por edhe një triumf për projektin politik të Václav Havel-it.

Me përfundimin e Luftës së Ftohtë, Haveli dhe aleatët e tij u ndjenë të shfajësuar nga ngjarjet: ndryshe nga shpresat e mëparshme të Kunderës, perëndimi fitimtar nuk ishte i interesuar të diskutonte rrugët e treta midis socializmit dhe kapitalizmit, në vend të kësaj vendosi të impononte kapitalizmin liberal në të gjithë Europën Qendrore. Gjatë gjithë viteve 1990, dukej sikur Haveli e kishte kuptuar mirë në polemikën e tij kundër Kunderës më shumë se 20 vjet më parë. Një Uashington i guximshëm e vlerësoi shumë këndvështrimin pro-perëndimor të Havelit, pasi i përshtatej lehtësisht ndërhyrjeve të administratave të Klintonit dhe Bushit, nga zgjerimi i NATO-s deri te Lufta e Irakut. Nga ana tjetër, ish-disidentët e udhëhequr nga Haveli u nxorën dalëngadalë në prapaskenë nga pragmatistët ekonomik që ndërtuan kapitalizmin çek, të udhëhequr nga Václav Klaus.

Në këtë panoramë të re, Kundera ende nuk përshtatej: as moralistët e Havelit dhe as pragmatistët e Klausit nuk donin ta ftonin përsëri. Megjithatë, miqtë e përbashkët u përpoqën të pajtonin Kunderën dhe Havelin në fillim të viteve 1990. Ata patën një darkë kortezie, por të vakët në Paris. Kunderës iu dha “Nderi Shtetëror” nga Haveli, por Kundera dërgoi Verën për ta marrë ndërsa ai qëndronte në një hotel aty pranë. Artikulli në Respekt ishte goditja përfundimtare ndaj përpjekjeve për pajtim.

Më shumë se një dekadë më vonë, gjendja shpirtërore është e ndryshme në Çeki. Ka ende njerëz që besojnë se trashëgimia e Václav Havel-it duhet të mbrohet me çdo kusht, jo kundër Klaus-it, por kundër populizmit të lidhur me ish-presidentin Miloš Zeman, dhe me liderin e opozitës dhe ish-kryeministrin Andrej Babiš. Nga ana tjetër, pas pasojave katastrofike të ndërhyrjeve të SHBA-së jashtë vendit dhe korrupsionit dhe dështimeve të kapitalizmit çek, besimi se Haveli e kishte kuptuar mirë është më pak i përhapur se sa ishte në vitet 1990. Për më tepër, lexuesit çek tani e gjykojnë Kunderën për meritat letrare dhe jo nisur nga kërkesat e politikës disidente, dhe atyre u pëlqen ajo që lexojnë. Librat e tij mbeten më të shiturit.

Dallimi kryesor midis Kunderës dhe Havelit është qasja ndaj humorit, një vlerë e rëndësishme çeke. Dramat e Havelit janë shpesh argëtuese pasi ekspozojnë absurditetin e botës burokratike, teknokratike dhe totalitare. Por esetë e tij janë fatalisht serioze, sepse Haveli besonte se ka një rrugëdalje nga i gjithë ky absurd: gjurmimi i së vërtetës dhe demokracia perëndimore. Ishte ky qëndrim që e bëri atë një aleat natyral të neokonservatorëve amerikanë.

E qeshura e Kunderës, krejt ndryshe, përshkoi të gjitha romanet dhe esetë e tij, duke u shfaqur gjithmonë në prani të tragjikes. E qeshura dhe tragjedia, për të, çuan përsëri në paqartësinë e pashmangshme të një bote që nuk mund të shëlbohet nga asnjë e vërtetë apo regjim politik. Por Kundera nuk iu nënshtrua nihilizmit, duke gjetur shpresë në traditat kulturore të Europës Perëndimore dhe Qendrore në veçanti, në muzikë, në artin e romanit, te hapja dhe te kthesat e papritura të historisë. E gjithë kjo e la atë të hapur ndaj ideve kundërthënëse për sa kohë që ato nuk ngurtësoheshin në dogma me të cilat nuk mund të qeshje.

Mund të përfitohet shumë nga rileximi i veprës së Kunderës, pra, më shumë sesa vetëm kënaqësinë e të lexuarit të një proze të shkëlqyer. Siguritë e bipolaritetit të vjetër SHBA-Bashkim Sovjetik janë tani larg në të kaluarën, epoka e unipolaritetit amerikan po zbehet dhe Europa Lindore është përsëri një fushë beteje gjeopolitike. Në këto kushte, ne duhet të gjejmë mënyra për të menduar përsëri për botën, duke shmangur gjatë gjithë kohës kurthin e absolutëve politikë – qoftë socializmi apo kapitalizmi, pragmatizmi ekonomik apo populizmi kombëtar – dhe duke përdorur fuqinë e ironisë kundër atyre që mëtojnë se kanë gjetur të vërtetën përfundimtare. Me pak fjalë, ne kemi nevojë ta rilexojmë Milan Kunderën.

Petr Drulák, ish-zëvendës ministër i Jashtëm i Republikës Çeke dhe ambasador në Francë, është profesor i politikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Bohemisë Perëndimore.

(Marrë nga ExLibris)

PRINCI I VOGËL NUK ËSHTË NË MESIN TONË!… U nda nga jeta piktori dhe akademiku i mirënjohur Rexhep Ferri

*
Arti im është më i fuqishëm se unë.
Të gjitha ngjyrat i pagova shtrenjtë. Vetëm e kuqja u derdh. Këtë lojë, tash e tutje, nuk do ta luaj më.
Imitimi i rilindasve mori fund…
Dielli vizatohet vetë.
E dua shumë.
Sot çdo gjë është e mundur.
Poshtë e lart do të ketë shumë piktorë, shumë poetë. Ata që me kohë i lajnë sytë kanë lidhje të fortë me muzeun e njeriut.
Më vonë, kur do të vijë një kohë pa mua, nuk duhet qysh, por dikush do ta nxjerrë një letër nga xhepi dhe do të lexojë:
– Sa keq më vjen! Princi i vogël nuk është në mesin tonë!…
Marrë nga libri:
*Rexhep Ferri, “Njeriu po kush tjetër”, Onufri

Send this to a friend