Ish-kryeredaktorja e të përditshmes Zëri dhe anëtarja e re e Partisë Demokratike të Kosovës, Arbana Xharra, është rrahur me mjete të forta të shtunën në orët e hershme të mëngjesit nga persona tash për tash të panjohur.
Sulmi, njofton Policia e Kosovës, ka ndodhur në afërsi të banesës së saj pas orës 01.00 pas mesnate ndërmjet së premtes dhe të shtunës dhe Xharra nga lëndimet trupore që ka marrë, është dërguar në spitalin e Prishtinës.
“Sipas informacioneve fillestare dyshohet se viktima është sulmuar fizikisht nga persona të panjohur deri më tani. Viktimës i është ofruar tretmani mjekësor në QKUK, të cilët kanë vlerësuar se gjendja e saj është stabile. Policia e Kosovës me zyrtarët e saj kompetent, është duke kryer hetime intensive me qëllim të zbardhjes së rastit dhe sjelljes së personave të dyshuar përpara organeve të drejtësisë”, thuhet në një kumtesë të Policisë së Kosovës.
Gjendja e zonjës Xharra është stabile, kanë njoftuar autoritetet spitalore.
Sulmin ndaj Xharrës e ka dënuar ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie.
Delawie, në një postim në Twitter, ka thënë se është tmerruar nga akti brutal ndaj Xharrës.
Shefja e zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova, ka reaguar ndaj sulmit mbi Arbana Xharrën.
“E tronditur nga sulmi ndaj Arbana Xharrës, një sulm ndaj vlerave njerëzore, për të cilat Bashkimi Evropian qëndron pas tyre. U bëj thirrje institucioneve të ndëshkojnë keqbërësit”, ka shkruar Apostolova.
Sulmin ndaj Arbana Xharrës e ka dënuar presidenti Hashim Thaçi, duke kërkuar zbardhjen e rastit dhe dënimin e sulmuesve.
“Jam thellësisht i tronditur dhe i shqetësuar me sulmin kundër Arbana Xharrës. Është krejtësisht i papranueshëm dhe i dënueshëm përdorimi i dhunës dhe asgjë nuk e arsyeton atë. Me këtë sulm të ulët nuk janë cenuar vetëm Arbana dhe familja e saj, por edhe parimet dhe vlerat demokratike, mbi të cilat po e ndërtojmë shoqërinë tonë”.
Edhe kryeministri në largim, Isa Mustafa, këtë sulm e ka quajtur akt të ulët dhe të turpshëm.
“Sulmi mbi Arbana Xharrën është akt i ulët dhe i turpshëm. Kryerësit duhet të sillen para drejtësisë”, ka thënë Mustafa.
Edhe kryetari në largim i Kuvendit të Kosovës dhe kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka reaguar ndaj sulmit fizik mbi Xharrën, duke e quajtur një akt barbar dhe të patolerueshëm.
“Linçimi i vazhdueshëm i një gruaje dhe nëne, e cila ndër vite është shquar për veprimtarinë e saj të guximshme në të mirë të të gjithë shoqërisë sonë, është një sulm i radhës qyqar ndaj Arbanës, familjes së saj dhe demokracisë në vendin tonë. Të gjithë duhet të jemi një, kundër së keqes, kundër cenimit të fjalës së lirë, të mendimit, shprehjes dhe orientimit politik”, ka shkruar Veseli në Facebook.
Sulmin mbi Xharrën e ka dënuar po ashtu edhe ministri i Jashtëm në largim, Enver Hoxhaj i cili ka thënë se ‘është i tronditur nga ajo që mund t’i ndodhë një gruaje, një nëne dhe mbi të gjitha një aktivisteje të guximshme në tërë këto vite që nuk ka hezituar t’i thotë hapur dhe pa frikë gjërat të cilat i mendon’.
“Kemi dështuar të tërë që nuk kemi mbrojtur një grua e cila i thotë mendimet ndryshe. Jo toleranca jonë ndaj njerëzve që nuk pajtohemi me ta po na shtyn drejt këtyre ngjarjeve të papranueshme. Mjaft më! Të bashkëndjejmë të gjithë. Ta dënojmë të gjithë! Sulmuesit para drejtësisë”, ka shkruar Hoxhaj në rrjetin e tij social Facebook.
Po ashtu ka reaguar edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
“Sulmi ndaj Arbana Xharrēs, është i papranueshëm dhe i dënueshëm. Aktet e tilla janë edhe kundër logjikës dhe traditës shqiptare. U kërkoj organeve të rendit që ta zbardhin këtë rast, dhe t’i nxjerrin para drejtësisë kryesit e këtij akti të lig”, ka thënë Haradinaj.
Ndaj dhunës mbi Xharrën, ka reaguar edhe kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj. Limaj tha se është i shqetësuar nga sulmi fizik që i është bërë Arbana Xharrës.
Arbana Xharra është laureate e Çmimit Ndërkombëtar për Gra të Guximshme, që ndahet nga sekretari Amerikan i Shtetit, dhe një prej zërave kritikë në shoqërinë e Kosovës.
Ajo la gazetarinë dhe iu bashkua jo më shumë se një javë Partisë Demokratike të Kosovës, hap ky që nxiti një debat kryesisht në rrjetet sociale.
Xharra ishte e kërcënuar edhe herave të tjera për shkak të qëndrimit të saj ndaj dukurive në shoqërinë e Kosovës, dhe Policia në disa raste ka hapur hetime për kërcënimet ndaj saj.
Sulmi i të shtunës është dënuar përgjithësisht edhe nga pjesëtarë të shoqërisë civile.
Zonja Arbana Xharra summit ndaj Juve ,u ba shkasë me kërkue siguri TEK Ramush Haradinaj!
Zonja Arbana Xharra,summit ndaj Juve e shtyu Halil Matoshin me kërkue siguri tek Ramush Haradinaj!?
Në Kosovë kan filloue me u Shaquille SHTRIGA E SALEMIT,
NË SHBA,me NJI qytet Kisha me emissary e vet TË gjithë kundërshtarët e vet I eleminojn TË duke I akuzue si shtriga,dikun e vritet dikun e rrethë DHE kishte Edhe TË till që I disfaliktonte me intriga DHE korrupsion..KJO PO NDODHË EDHE NË KOSOVË!