VOAL

VOAL

Apple me një kapitalizim tregu mbi 800 miliardë dollarë

May 9, 2017

Komentet

Telashe të tjera për Ron Yeffet, kërkohet hapja e llogarive të tij bankare në SHBA

Pas kontrolleve nga SPAK, biznesmeni izraelit, Ron Yeffet, po përballet me telashe edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përplasja e ashpër ligjore mes Yeffet dhe paditësit të tij, Mark Faist, në Gjykatën e Floridës ka marrë një kthesë të fortë, ku në lojë është hapja e detyruar e llogarive bankare të Yeffet.

Paditësi Mark Faist, i cili akuzon ortakun e qeverisë shqiptare dhe mikun e ngushtë të Edi Ramës për mashtrim 8.6 milionë dollarë, ka depozituar një kërkesë për detyrim (Motion to Compel), përmes së cilës kërkon që gjykata të urdhërojë Yeffet-in të dorëzojë historikun e plotë të transaksioneve bankare për llogari specifike në Regions Bank, Provident Bank dhe Spencer Savings Bank.

Faist pretendon se paratë e tij të investuara për projekte ndërtimi në Nju Jork nuk u përdorën kurrë për qëllimin e kontraktuar, por Yeffet i shpenzoi për qëllime të tjera duke mashtruar.

Boomerangu ligjor dhe pretendimi 30-milionësh për Shqipërinë
Deri tani, ky gjyq mund të mbetej një mosmarrëveshje e thjeshtë tregtare për moskthim borxhi pas një marrëveshjeje ripagimi. Megjithatë, ishte vetë Ron Yeffet ai që e zgjeroi çështjen duke ngritur një kundërpadi për shpifje ndaj Faist-it.

Yeffet pretendon shprehimisht në dokumentet gjyqësore se akuzat për mashtrim që Faist ka përhapur ndaj tij te biznesmenët e tjerë i kanë shkatërruar reputacionin dhe i kanë kushtuar humbjen e një projekti të madh ndërtimi në Shqipëri, me vlerë mbi 30 milionë dollarë.

Kjo lëvizje e Yeffet-it është kthyer në një boomerang ligjor. Avokatët e Faist argumentojnë shprehimisht se meqenëse Yeffet kërkon 30 milionë dollarë për Shqipërinë duke pretenduar se akuzat ndaj tij janë të rreme, ai nuk mund të fshehë më deklaratat bankare në Amerikë.

Sipas ligjit të Floridës, vërtetësia është mbrojtje absolute (Truth Defense) ndaj shpifjes; nëse llogaritë bankare vërtetojnë se miliona dollarët u keqpërdorën, akuza për shpifje bie dhe pretendimi 30-milionësh i Yeffet për Shqipërinë digjet automatikisht.

Image

Yeffet pranon mashtrimin për të shmangur hapjen e llogarive
Përballë këtij rreziku, avokatët e Yeffet kanë depozituar një mocion kundërshtues, duke përdorur një taktikë mbrojtëse: atë të stipulimit, që ndryshe njihet si marrëveshje faktuale.

Avokatët e Yeffet ofrojnë të pranojnë zyrtarisht përpara gjykatësit se fondet e investimit nuk u përdorën për shpenzimet e zhvillimit të pronave të përmendura në Nju Jork.

Përmes këtij pranimi, ata duan të bindin gjykatën se kërkesa e Faist për të kontrolluar bankat është “e tepërt, abuzive dhe joproporcionale”, pasi fakti kryesor u pranua vetë nga pala e tyre.

Megjithatë, Faist e ka refuzuar zyrtarisht këtë ofertë, pasi prania e thjeshtë që paratë nuk u përdorën atje nuk tregon se ku përfunduan ato realisht (nëse janë vjedhur apo keqpërdorur), çka përbën thelbin e mbrojtjes së tij ndaj kundërpadisë. /Kapitali/

Trumpi urdhëron hetime ndaj Grenellit

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka urdhëruar nisjen e hetimeve ndaj një prej ish-aleatëve të tij më të afërt, Richard Grenell.

Siç ka shkruar mediumi “Axios”, në Shtëpinë e Bardhë ka shpërthyer një skemë e “pagesave për ndikim” te Trumpi. Në qendër të raportimit është një instruksion i pretenduar nga Grenelli për biznesmenin turk, Turhan Mildon, në maj të vitit të shkuar.

Grenell atë kohë shef i qendrës kulturore “Kennedy Center”, i pati thënë Mildonit të transferojë rreth 17 milionë dollarë te kompania “Texas Armament & Technology” – nga të cilat rreth 6 milionë dollarë do të shkonin për qendrën e arteve.

“Sapo që paratë të vijnë te kompania këtu, do të aranzhoj donacionin te ‘Kennedy Center’, dhe ju do t’iu bashkoheni ngjarjeve VIP dhe të jeni të afërt me administratën, madje edhe me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, thuhet në mesazhin e Grenellit, sipas raportimit.

Grenelli ka mohuar pretendimet duke i quajtur të rreme.

E gruaja e Mildonit, avokatja Alina Habba, ka thënë se “Kennedy Center” s’e ka marrë kurrë donacionin.

Ajo raportohet se më herët gjatë muajit ka takuar Trumpin për Grenellin sipas “Axios” dhe “The New York Times”. Presidenti më pas ka urdhëruar Shtëpinë e Bardhë që menjëherë të nisë hetimet.

Richard Grenell ka shërbyer si emisar special i Trumpit për dialogun Kosovë-Serbi, në periudhën 2019-2021. koha

“Qytetarët janë mosbesues ndaj politikanëve të korruptuar”- Protestat studentore, shtohet vëmendja nga Kongresi amerikan! Republikani Keith Self: Liderët shqiptarë të përgjigjen me ndryshime thelbësore

Kongresmeni republikan amerikan Keith Self ka reaguar në mbështetje të protestave në Shqipëri, duke i cilësuar ato si shprehje të mosbesimit të qytetarëve ndaj politikanëve të korruptuar dhe shpërfilljes së shtetit të së drejtës.

Ai u ka bërë thirrje drejtuesve të Shqipërisë të dëgjojnë kërkesat për ndryshime thelbësore, që garantojnë mundësi ekonomike dhe stabilitet rajonal.

Reagimi i kongresmenit republikan Keith Self: 

Protestat në Shqipëri janë kulmi i mosbesimit të qytetarëve ndaj politikanëve të korruptuar dhe i lodhjes nga shpërfillja totale e shtetit të së drejtës. Udhëheqësit e Shqipërisë duhet t’u përgjigjen thirrjeve për ndryshime thelbësore, që do të krijojnë mundësi ekonomike dhe do të nxisin stabilitetin rajonal. Panorama

Kongresmeni republikan amerikan mesazh qeverisë Rama për protestat: Populli shqiptar meriton sundimin e ligjit, institucione që japin llogari dhe lirinë për ta bërë zërin e tij të dëgjohet

Kongresmeni republikan amerikan Robert Aderholt ka reaguar me shqetësim për përshkallëzimin e tensioneve dhe protestat e studentëve në Shqipëri, duke i bërë thirrje qeverisë të respektojë të drejtat e qytetarëve që protestojnë paqësisht.

Në një reagim të publikuar në rrjetin social X, ligjvënësi amerikan thekson se populli shqiptar meriton sundimin e ligjit, institucione që japin llogari dhe lirinë për të shprehur zërin e tij.

Aderholt i kushton vëmendje të veçantë rinisë shqiptare, e cila është vendosur në qendër të protestave të ditëve të fundit, duke nënvizuar se të rinjtë duhet të kenë mundësinë të ndikojnë në të ardhmen e vendit të tyre.

Mesazhi i kongresmenit republikan vjen në një kohë kur protestat studentore janë shoqëruar me përplasje me policinë, përdorim të gazit lotsjellës dhe ujëhedhëseve, si dhe ndalime të protestuesve.

Në deklaratën e tij, Aderholt kërkon gjithashtu që të gjitha palët të refuzojnë dhunën, ndërsa i drejtohet shprehimisht qeverisë shqiptare me kërkesën për respektimin e të drejtave të protestuesve paqësorë.

Deklarata e plotë e kongresmenit Robert Aderholt:

“Jam thellësisht i shqetësuar nga përshkallëzimi i trazirave në Shqipëri, një vend aleat i NATO-s.

Populli shqiptar meriton sundimin e ligjit, institucione që japin llogari dhe lirinë për ta bërë zërin e tij të dëgjohet. Të gjitha palët duhet të refuzojnë dhunën dhe qeveria duhet të respektojë të drejtat e protestuesve paqësorë.

Të rinjtë shqiptarë meritojnë të kenë një zë në formësimin e së ardhmes së vendit të tyre.” Panorama

“Qeveria të përmbahet nga dhuna”- Protestat tërheqin vëmendjen e Kongresit amerikan, republikani Joe Wilson: Populli shqiptar meriton liri! Të rinjtë duhet të dëgjohen

Përshkallëzimi i protestave studentore në Shqipëri ka sjellë reagimin e kongresmenit republikan amerikan Joe Wilson, i cili i ka bërë thirrje qeverisë të mos përdorë dhunë ndaj protestuesve.

Në një reagim në rrjetet sociale, Wilson shprehet i shqetësuar për krizën në Shqipëri, ndërsa thekson se qytetarët meritojnë liri, shtet të së drejtës dhe përgjegjshmëri institucionale.

Ai nënvizon veçanërisht të drejtën e të rinjve për t’u dëgjuar dhe për të ndikuar në të ardhmen e vendit të tyre.

“Populli shqiptar meriton liri, shtet të së drejtës dhe përgjegjshmëri institucionale. Qeveria duhet të përmbahet nga çdo formë dhune ndaj protestuesve. Të rinjtë meritojnë të kenë zë në përcaktimin e së ardhmes së vendit të tyre”, shkruan Wilson.

Reagimi vjen në ditën e pestë të protestave, ku studentët dhe qytetarët kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë së tij. Panorama

Tmerr në Florida! Uragani Isaias godet vendin, mbi 850 mijë familje pa energji elektrike. Një grua humb jetën

Mbi 850 mijë banesa kanë mbetur pa energji elektrike në Shtetet e Bashkuara pas uraganit Isaias, i cili goditi bregdetin e Gjirit të Meksikës në Florida të premten. Si pasojë e motit ekstrem, një grua humbi jetën në kontenë Escambia, pasi një pemë u rrëzua mbi banesën e saj.

Sherifi i kontesë, Chip Simmons, konfirmoi vdekjen përmes një videoje të publikuar në Facebook, duke bërë të ditur se pema e rrëzuar shkaktoi tragjedinë.

Isaias ishte uragani i parë i sezonit të vitit 2026 në Atlantik dhe arriti fillimisht kategorinë e tretë, me erëra të qëndrueshme deri në 193 kilometra në orë. Përpara se të mbërrinte në bregdet, stuhia u dobësua në kategorinë e dytë, ndërsa doli në tokë pranë Destinit, në Florida, rreth orës 21:40 sipas kohës lokale të së premtes.

Uragani tashmë është dobësuar ndjeshëm, me erëra maksimale prej rreth 55 kilometrash në orë, por vijon të përbëjë rrezik për pjesë të Floridës, Xhorxhias dhe Karolinës.

Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, deklaroi se stuhia ka shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe ka lënë pas mbetje të shumta, ndërsa autoritetet po punojnë për rikthimin e energjisë elektrike dhe normalizimin e situatës.

Sipas tij, këtë herë nuk ka qenë e nevojshme të mobilizohen operacione të mëdha kërkim-shpëtimi, si në raste të mëparshme, kur ekipeve u është dashur të ndërhynin për të nxjerrë njerëz nga situata tepër të rrezikshme.

Florida2

Megjithatë, DeSantis paralajmëroi se rreziku nga përmbytjet vijon, edhe pse niveli i ujërave përgjatë bregdetit perëndimor të Floridës pritet të bjerë gradualisht gjatë ditës. Ndërprerjet e energjisë elektrike kanë prekur veçanërisht Floridën, Alabamën dhe Xhorxhian, ku autoritetet kishin shpallur gjendjen e jashtëzakonshme përpara mbërritjes së uraganit.

Sipas të dhënave të publikuara nga faqja e monitorimit të ndërprerjeve të energjisë, rreth 428 mijë banesa në Florida, 325 mijë në Alabama dhe 125 mijë në Xhorxhia kanë mbetur pa energji elektrike.

Guvernatori DeSantis bëri të ditur se, në orën 07:00 sipas kohës lokale, rreth 448 mijë abonentë në Florida ishin pa energji. Në disa zona, situata ishte edhe më e rëndë, me 90% të abonentëve pa energji në kontenë Santa Rosa, 89% në kontenë Holmes dhe 86% në kontenë Uashington.

Mbi 16 mijë punonjës të mirëmbajtjes së rrjetit elektrik ishin mobilizuar përpara stuhisë për të riparuar linjat e dëmtuara. Ata nisën punën që mbrëmjen e së premtes, duke u përqendruar fillimisht në zonat më të prekura.

Autoritetet amerikane paralajmërojnë se shirat e rrëmbyeshëm mund të shkaktojnë përmbytje të menjëhershme dhe urbane, ndërsa ekziston edhe rreziku i formimit të tornadove në pjesë të juglindjes së vendit. bw

Skandali që trazoi Greqinë, Rubio vizitë ‘blic’ në Athinë për të mbështetur ambasadoren Guilfoyle

 

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio dhe ambasadorja amerikane në Greqi, Kimberly Guilfoyle

Vizita zhvillohet edhe në një moment delikat për Ambasadën amerikane në Athinë…

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, do të vizitojë Greqinë më 6 dhe 7 tetor, në udhëtimin e tij të parë në vend që prej marrjes së detyrës. Departamenti amerikan i Shtetit ka konfirmuar se Rubio do të drejtojë delegacionin e SHBA-së në raundin e gjashtë të Dialogut Strategjik SHBA-Greqi, ku në fokus do të jenë bashkëpunimi në mbrojtje, siguria rajonale dhe energjetike.

Por vizita zhvillohet edhe në një moment delikat për Ambasadën amerikane në Athinë. Mediat greke e shohin udhëtimin e Rubios edhe si një sinjal mbështetjeje për ambasadoren amerikane Kimberly Guilfoyle, e cila është përfshirë në polemika pas raportimeve të “Wall Street Journal”.

“Wall Street Journal” ka raportuar mbi veprimtarinë e Guilfoyle në promovimin e marrëveshjeve energjetike në Europën Juglindore dhe marrëdhëniet e saj me një lobist të regjistruar që përfaqëson kompaninë greke Aktor.

Raportimet kanë ngritur pikëpyetje në SHBA për përdorimin e postit diplomatik dhe kanë nxitur demokratë të lartë në Kongres të kërkojnë nga Departamenti i Shtetit shqyrtimin e veprimtarisë së ambasadores. Guilfoyle dhe përfaqësuesit e saj kanë mohuar se ajo ka vepruar në mënyrë të papërshtatshme.

Raportime të tjera të lidhura me çështjen i kanë atribuar Guilfoyle deklarata mbi aftësinë e Uashingtonit për të ndikuar në zhvillimet politike në vende aleate.

Rubio, ndërkohë, ka dalë publikisht në mbështetje të ambasadores vetëm pak ditë përpara mbërritjes së tij në Athinë.

“Ambasadorja Guilfoyle ka qenë jashtëzakonisht e efektshme në promovimin e agjendës së Presidentit në Greqi dhe në të gjithë Europën”, deklaroi Rubio. Ai vlerësoi gjithashtu rolin e saj në avancimin e interesave energjetike amerikane në Greqi dhe Europën Juglindore, duke përmendur në mënyrë të veçantë Korridorin Vertikal të Energjisë.

Përtej polemikave rreth ambasadores, vizita e Rubios ka një agjendë të gjerë strategjike. Një prej çështjeve kryesore do të jetë energjia dhe roli që Uashingtoni synon t’i japë Greqisë si nyje për furnizimin e Europës Juglindore, përfshirë përmes gazit natyror të lëngshëm amerikan.

Një tjetër pikë qendrore do të jetë raundi i gjashtë i Dialogut Strategjik SHBA-Greqi, një mekanizëm i nisur në vitin 2018. Bisedimet do të përfshijnë bashkëpunimin ushtarak dhe mbështetjen që Greqia ofron në kuadër të Marrëveshjes së Bashkëpunimit të Ndërsjellë në Mbrojtje.

Në tryezë pritet të jenë edhe zhvillimet në Mesdheun Lindor dhe projektet e lidhjes energjetike. Sipas “Kathimerini”, diskutimet zhvillohen ndërsa Athina shqyrton çështje që lidhen me një zgjerim të mundshëm të ujërave territoriale në jug të Kretës në 12 milje detare dhe rifillimin e studimeve të shtratit detar për projektin energjetik Great Sea Interconnector mes Greqisë dhe Qipros.

Lufta në Ukrainë dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme pritet gjithashtu të jenë pjesë e agjendës diplomatike. Gjatë qëndrimit në Athinë, Rubio pritet të zhvillojë bisedime me ministrin e Jashtëm grek, Giorgos Gerapetritis, dhe kryeministrin Kyriakos Mitsotakis./Pamfleti.al

Kryeministri Kurti u prit nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Trump

 

 

Prishtinë, 2 tetor 2026 / New York, 22 shtator 2026

 

Në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga bashkëshortja Rita Augestad Knudsen, u prit nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump.

 

Njoftimi i plotë i Kryeministrit Kurti:

 

Në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, kisha nderin që të takoj për herë të parë Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Donald J. Trump.

 

E falënderova për ngritjen e valës së investimeve në mbrojtje në NATO, ku edhe Kosova duhet të anëtarësohet.

 

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati kryesor, partneri i pazëvendësueshëm dhe miku special i Republikës së Kosovës./Zyra e Kryeministrit

Trumpi dhe gjigantët e teknologjisë nënshkruajnë marrëveshje për sigurinë e IA-së, presidenti i SHBA: Pothuajse si kushtetutë!

Presidenti amerikan Donald Trump dhe drejtuesit e disa prej kompanive më të mëdha të teknologjisë dhe inteligjencës artificiale kanë nënshkruar një marrëveshje vullnetare për vetërregullimin e industrisë dhe forcimin e masave të sigurisë. Marrëveshja u prezantua pas një dreke të zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë, ku morën pjesë disa nga emrat më të njohur të industrisë së teknologjisë. Marrëveshja, e quajtur “White House Accord on Super Intelligence – Joint Commitment on Frontier Responsibilities”, synon të krijojë një kuadër kontrollesh për zhvillimin dhe përdorimin e sistemeve të avancuara të inteligjencës artificiale.

Trump e përshkroi marrëveshjen si një hap të rëndësishëm për sigurinë e teknologjisë së re, duke thënë se është “pothuajse si një kushtetutë”. Sipas tij, drejtuesit e kompanive më të mëdha të industrisë e kanë nënshkruar dokumentin së bashku me presidentin amerikan. Megjithatë, marrëveshja nuk është ligjërisht detyruese. Ajo bazohet në angazhimin vullnetar të kompanive për të vendosur mekanizma të brendshëm kontrolli dhe vlerësimi të sigurisë. Trump e ka cilësuar atë si “moralisht detyruese”, ndërsa dokumenti nuk parashikon sanksione ligjore apo një rol të drejtpërdrejtë të autoriteteve shtetërore mbikëqyrëse.

Marrëveshja parashikon katër nivele kontrolli për kompanitë që zhvillojnë modelet më të avancuara. Në fazën e parë, kompanitë duhet të krijojnë mekanizma të fuqishëm të brendshëm për monitorimin e sigurisë gjatë zhvillimit dhe trajnimit të modeleve. Më pas, duhet të krijojnë ekipe të posaçme që të mbikëqyrin nëse këto kontrolle funksionojnë siç duhet. Niveli i tretë parashikon auditime nga vlerësues të jashtëm, ndërsa në fazën e katërt bordet e kompanive duhet të kenë struktura të pavarura që shqyrtojnë raportet dhe masat e sigurisë.

Megjithatë, marrëveshja nuk i detyron kompanitë të publikojnë rezultatet e këtyre vlerësimeve. Gjithashtu, kompanitë kanë hapësirë për të zgjedhur auditorët e jashtëm dhe mënyrën se si do të zbatojnë disa prej mekanizmave të kontrollit. Kjo e bën marrëveshjen pjesë të një qasjeje të vetërregullimit të industrisë, në një kohë kur në SHBA janë shtuar thirrjet për mbikëqyrje më të fortë shtetërore ndaj kompanive të inteligjencës artificiale.

Në të njëjtën ditë, Trump ndërmori edhe një tjetër hap lidhur me terminologjinë zyrtare të përdorur nga administrata amerikane. Presidenti njoftoi se inteligjenca artificiale do të quhet zyrtarisht “Super Intelligence” (SI) në komunikimet dhe dokumentet e qeverisë federale. Trump ka argumentuar se termi “artificiale” nuk e përshkruan më siç duhet teknologjinë dhe ka deklaruar se SHBA-ja duhet të ruajë avantazhin e saj në këtë fushë. Ndryshimi i terminologjisë u përfshi në një urdhër ekzekutiv të presidentit, ndërsa administrata po përdor tashmë termin “Super Intelligence” në komunikimet e saj për teknologjitë më të avancuara.

Në takimin me Trump morën pjesë drejtues dhe figura të rëndësishme të industrisë, mes tyre Elon Musk, Mark Zuckerberg, Jensen Huang, Sundar Pichai, Greg Brockman dhe Dario Amodei, ndërsa në takim ishte i përfshirë edhe themeluesi i Amazon, Jeff Bezos. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, i cili mori pjesë në takimin në Shtëpinë e Bardhë, tha se synimi është gjetja e një ekuilibri mes sigurisë dhe ruajtjes së rolit udhëheqës të SHBA-së në zhvillimin e teknologjisë. Ndërkohë, Mark Zuckerberg e përshkroi marrëveshjen si një hap të parë të rëndësishëm për forcimin e besimit të publikut te teknologjia. Marrëveshja vjen në një periudhë kur kompanitë e IA-së po përballen me presion në rritje për të dëshmuar se sistemet e tyre mund të zhvillohen dhe përdoren në mënyrë të sigurt. bw

Presidenti Donald Trump pret në Shtëpinë e Bardhë presidentin e Kinës, Xi Jinping

Presidenti i Kinës, Xi Jinping ka mbërritur në Shtëpinë e Bardhë për vizitën e tij të parë pas më shumë se një dekade. Xi Jinping dhe bashkëshortja e tij janë pritur nga presidenti amerikan Donald Trump dhe Zonja e Parë, Melania Trump.

Dy liderët pritet të zhvillojnë pasditen e sotme një takim dypalësh, i cili do të pasohet nga një darkë shtetërore.

Vizita shtetërore e Xi Jinping vjen në një kohë kur SHBA-të dhe Kina kanë vendosur të zgjasin një armëpushim doganor njëmujor dhe përballen me pasiguri rreth Iranit, Ukrainës dhe Tajvanit.

Të dy vendet janë gjithashtu rivalë në teknologjinë e përparuar të inteligjencës artificiale. Trump postoi më herët në mediat sociale përpara takimit se inteligjenca artificiale do të jetë një “temë e madhe diskutimi”. /CNA

Rubio thotë se Serbia është e përfshirë në “çështje potencialisht problematike dhe shpërthyese”

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, 23 shtator 2025, në Nju Jork.

 

Radio Evropa e Lirë

Serbia është e përfshirë në “çështje potencialisht problematike dhe shpërthyese”, ka thënë Marco Rubio, sekretari amerikan i Shtetit, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve para largimit nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork më 23 shtator.

“Është e qartë se Serbia është e përfshirë në çështje të caktuara që janë potencialisht problematike dhe shpërthyese dhe që tërheqin vëmendjen ndërkombëtare”, theksoi Rubio, pa shpjeguar hollësisht se për cilat çështje bëhej fjalë.

Ai shtoi se, sa i përket marrëdhënieve të SHBA-së me Serbinë, Uashingtoni ka një partneritet strategjik me të, të cilin dëshiron ta thellojë.

“Ne synojmë ta bëjmë këtë, ndërkohë që njëkohësisht adresojmë problemet e mundshme që mund të shfaqen, për të cilat e di se janë thellësisht të rëndësishme edhe për vetë ata”, tha Rubio.

Ai tha gjithashtu Serbinë tashmë e kanë vizituar zyrtarë nga Departamenti amerikan i Shtetit dhe agjenci të tjera qeveritare.

“Shpresoj që edhe unë do të kem mundësinë ta vizitoj atë”, tha Rubio.

Në korrik, Shtetet e Bashkuara dhe Serbia nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi për infrastrukturën energjetike dhe sigurinë energjetike rajonale, në kuadër të procesit të dialogut strategjik të zhvilluar në Uashington.

Takimin mes zyrtarëve amerikanë dhe serbë asokohe e hapi vetë Rubio.

Në gusht, anëtarë republikanë dhe demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan paraqitën një projektligj që i kërkon SHBA-së të ndërmarrë masa ndaj Serbisë për shkak të “prapambetjes serioze” në demokraci dhe sundimin e ligjit në vend, si dhe bashkëpunimit me Rusinë, Kinën dhe Iranin.

Sipas projektligjit, Serbia ka shënuar prapambetje serioze në fushën e demokracisë, gjë që është pasqyruar në Raportin për të Drejtat e Njeriut për vitin 2024 dhe në Raportin e Parlamentit Evropian për Serbinë për vitin 2025, ku përmenden probleme të konsiderueshme me sundimin e ligjit, pavarësinë e gjyqësorit, lirinë e medias dhe korrupsionin.

Edhe pse është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Serbia për gati pesë vjet nuk ka hapur asnjë kapitull të ri negociatash, ndër të tjera për shkak të përparimit të pamjaftueshëm në fushën e sundimit të ligjit, por edhe për shkak të mospërputhjes së politikës së saj të jashtme me atë të BE-së.

Dy muaj pas hapjes së kapitullit të fundit, Rusia e nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, ndërsa Serbia nuk e përshtati politikën e saj të jashtme me Bashkimin Evropian dhe nuk vendosi sanksione ndaj Rusisë.

Kjo ishte atëherë arsyeja kryesore për ngecjen e negociatave të anëtarësimit, ndërsa, në ndërkohë, gjendja në fushën e sundimit të ligjit është përkeqësuar.

Së fundmi, edhe kongresisti amerikan Joe Wilson propozoi që takimi vjetor i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së të zhvendoset nga Serbia në Karolinën e Jugut, duke shpjeguar se arsyeja kryesore për këtë propozim ishte “ndikimi i tepruar” i presidentit rus, Vladimir Putin, në Serbi.

Beogradi zyrtar vitet e fundit ka mbajtur gjithashtu marrëdhënie miqësore me Iranin, pavarësisht se ky shtet është nën sanksione ndërkombëtare për shkak të aktiviteteve të tij bërthamore dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut.

Ministri serb i Informimit dhe Telekomunikacionit, Boris Bratina, ishte ndër të paktët përfaqësues evropianë në funeralin e liderit suprem të Iranit, ajatollah Ali Khamenei, në muajin korrik.

Trumpi falënderon Kosovën për kontributin me trupa në Bordin e Paqes

Presidenti amerikan, Donald Trump, gjatë fjalimit në OKB.

 

Radio Evropa e Lirë

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka falënderuar Kosovën për kontributin e saj në Bordin e Paqes – nismës së udhëheqësit amerikan për arritjen e paqes në botë.

“Dua të falënderoj ato shtete që kanë vendosur të kontribuojnë me trupa, e trajnime për të stabilizuar Gazën, përfshirë Indonezinë, Marokun, Shqipërinë, Kosovën, Kazakistanin, Egjiptin, Jordaninë dhe të tjerë”, tha Trump gjatë fjalimit para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Gjatë fjalimit të tij, Trump e përmendi Kosovën dhe Serbinë edhe në kontekstin e ndaljes së një lufte, duke deklaruar se i kërcënoi këto dy shtete se do të ndalte tregtinë e tyre me SHBA-në nëse do të shpërthente lufta.

Edhe në të kaluarën, Trump ka përmendur ndaljen e një përplasjeje të mundshëm mes Kosovës dhe Serbisë.

Ndryshe, Kosova është në mesin e pesë shteteve të para – së bashku me Indonezinë, Marokun, Kazakistanin dhe Shqipërinë – që janë zotuar për angazhim në misionin në Gazë, me qëllim ofrimin e sigurisë dhe mbikëqyrjen e armëpushimit në Rripin e Gazës.

Më 7 shtator, Kosova u bë formalisht pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF), pasi u nënshkrua marrëveshja formale për t’u bërë pjesë e kësaj force.

Marrëveshja, e nënshkruar nga komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, dhe komandanti amerikan i ISF-së, gjeneralmajor Jasper Jeffers, formalizon përfshirjen e Kosovës në forcën e planifikuar.

“Ky zhvillim i rëndësishëm nënvizon përkushtimin e Kosovës ndaj misionit të ISF-së dhe mbështetjen e saj të vazhdueshme për planin 20-pikësh për Paqe të presidentit [Donald] Trump”, u tha në deklaratën e Bordit të Paqes.

Nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje i ka paraprirë miratimi nga Kuvendi për dërgimin e FSK-së jashtë vendit dhe marrëveshjes për anëtarësim në Bordin e Paqes, si dhe autorizimit për dërgimin e tyre në Gazë nga Presidenca.

Ndërkaq, në prill një ekip i FSK-së shkoi në Rripin e Gazës për të bërë një vlerësim të vendit ku pritet të veprojnë trupat kosovare si pjesë e një force ndërkombëtare në territorin palestinez.

Forca Ndërkombëtare Stabilizuese buron nga një plan 20-pikësh i presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës së Izraelit në Gazë.

Trumpi krijoi Bord të Paqes për të mbikëqyrur planin e tij për t’i dhënë fund luftës së Izraelit në Gazë dhe për të rindërtuar territorin e shkatërruar.

Sipas planit, forca paqeruajtëse duhet të zhvendosen në Gazë për të siguruar zonat pas tërheqjes së forcave izraelite, si dhe t’i trajnojnë forca e reja policore palestineze dhe të mbështesin dërgimin e ndihmave atje.

Pjesa më e madhe e Gazës mbetet në rrënoja pas dy vjetësh luftë, e cila u shkaktua nga sulmet e udhëhequra nga Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – më 7 tetor 2023.

Por, që nga njoftimi për një marrëveshje në fund të korrikut, përpjekjet për dërgimin e trupave kanë ngecur, pasi si Izraeli, ashtu edhe Hamasi nuk kanë pranuar t’i përmbushin kushtet që do ta mundësonin zbatimin e marrëveshjes.


Send this to a friend