Sikurse është bërë tashmë traditë, edhe këtë vit në Shqipëri është shënuar festa e Ditës së Verës
TIRANË – Sikurse është bërë tashmë traditë, edhe këtë vit në Shqipëri është shënuar festa e Ditës së Verës, ku organizohen disa aktivitete në shumë qytete, por qendra e festimeve është Elbasani dhe kryeqyteti i vendit, Tirana, raporton Anadolu Agency (AA).
Elbasani është kthyer sot në një qendër të të gjithë Shqipërisë pasi qytetarë të shumtë nga gjithë vendi shkojnë për të kaluar këtë ditë në vendin ku edhe besohet se ka lindur festa pagane e Ditës së Verës. Ndërsa sikurse është bërë traditë, Dita e Verës ka nisur të marrë një pamje tjetër edhe në Tiranë.
Festimet në Tiranë kanë nisur fillimisht me ceremoninë e inaugurimit të Pazarit të Ri, ndërsa nën kujdesin e Bashkisë së Tiranës dhe institucioneve të tjera shtetërore janë organizuar disa aktivitete, si panaire, ku mund të veçojmë atë të policisë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, koncerte, minifestivale, etj.
Panairit të policisë i është bashkuar edhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. “Dua të uroj qytetarët Gëzuar Ditën e Verës. Është një motiv më shumë për të pasur më shumë shpresë. Është një motiv më shumë për të qenë më shumë të lumtur. Dhe për të qenë më shumë të bindur se kjo është rruga për të bërë shtet më të fortë. Kjo është rruga për të bërë një Shqipëri më të mirë. Besoj e patë këtu, në çadrat e këtij panairi: kjo është Policia që duam, e siç kemi bërë Policinë do bëjmë gjithë Shqipërinë”, u shpreh Tahiri gjatë një prononcimi për gazetarët.
Qindra qytetarë janë mbledhur në rrugët kryesore dhe sheshet e Tiranës, ku janë vendosur zbukurimet tradicionale që simbolizojnë këtë festë.
Ndërkohë festime të shumta ka patur edhe në Elbasan, që konsiderohet si kryeqyteti i Ditës së Verës. Bashkia e Elbasanit ka përgatitur një sërë aktivitetesh, si koncerte, panaire dhe shfaqje të ndryshme.
Dita e Verës është një festë me origjinë të lashtë pagane, ku qyteti i Elbasanit e ka ruajtur këtë traditë ndër shekuj. Sipas traditës së festimit të kësaj feste qytetarët ngrihen herët në mëngjes, mbledhin lulet e para dhe i vendosin ato në dyert e shtëpive të tyre, ndërsa një pjesë të tyre i zien për ti përdorur më pas për larjen e trupit.
Një tjetër simbolikë e kësaj dite është edhe ëmbëlsira tradicionale e njohur si bollokumja. Kjo ëmbëlsirë fillimisht gatuhej vetëm në Elbasan, ndërsa kohët e fundit tregtohet në të gjithë vendin.
Dita e Verës para disa vitesh është shpallur si festë zyrtare në Shqipëri.
Komentet