TIRANË- Lëvizja Socialiste për Integrim pritet të mbledhë mbrëmjen e sotme, rreth orës 19:00 kryesinë e saj. Lajmi është bërë i ditur nga këshilltari për mediat i Ilir Metës, Emiljano Aleksi, ndërsa mbledhja vjen fill pas një darke që shefi i qeverisë, Edi Rama shtroi mbrëmë në ambjentet e kryeministrisë për kreun e LSI-së.

Ndonëse kohët e fundit marrëdheniet mes dy aleatëve u tensionuan deri në pikën sa Meta deklaroi se ishte i gatshëm të dilte i vetëm në zgjedhje nëse Rama siguronte 71 mandate, mbrëmë ata zgjodhën të darkojnë në ambientet e kryeministrisë nën “zhurmën” e protestës së pandalshme të opozitës, e “ngujuar” në një çadër me kërkesën për qeveri teknike.
Thuhet se Meta ishte i ftuari i Ramës dhe darka mes të dyve ka zgjatur disa orë, ndonëse nuk ka ende asnjë informacion se çfarë kanë diskutuar.
Ndoshta Meta do të shfrytëzojë mbledhjen e sotme të kryesisë për të dhënë ndonjë detaj nga darka e mbrëmshme ndërkohë që kreu demokrat, Lulzim Basha deklaroi sot se “buka e popullit do t’iu ngecë në fyt”.
Komentet