
Më datë 5 korrik 2015 Sami Repishti mbushi plot 90 vjeç. Ka shumë intelektualë shqiptarë që na bëjnë krenarë me personin e tyre dhe që përbëjnë palcën shpirtërore të kombit shqiptar. Sami Repishti është ndër ta. Profesor Repishti ka një cilësi që pak i karakterizon shqiptarët e mendimit: përvujtëria. Mendoj se një thënie e E. Koliqit mundet t’i shkojë fort për shtat përmasës intelektuale e shpirtërore të S. Repishtit: “Intelektualët e vërtetë, qi me vetëdije të detyrës s’vet, ushtrojnë profesìn e letrave janë syni i kombit; nji sy qi merr dritë nga vuejtjet e gzimet e kalesës, qi e forcon at dritë në përvojë të së tashmes dh’e flakron si rreze terr-shporuese kah ardhmenija e palindun. Pà vepren dritë-përhapse t’intelektualvet të njimendët, nji komb asht si i verbti mbi një udhë plot gropa e çarravina të rrezikshme” (Shejzat nr. 3 – 4/1958).
Në shumë periudha dramatike që ka kaluar Shqipëria, fjala e Repishit ka kthjelluar shumë mendje e zemra. Fati bëri që ai të përjetojë luftën, diktaturën, emigrimin, demokracinë e të shikojë prej së largu tranzicionin e atdheut të tij. Dashuria e për kombin e tij është si një porosi shpirtërore që e ka shoqëruar gjithë jetën dhe kjo dashuri rrok edhe përmasa të tjera si ajo për personin njerëzior me emër e mbiemër, persona që Repishti i ka takuar kudo: në familjen ku lindi, në lagjen e fëmijërisë, në shkollë, në burg, në kampet e punës së detyruar skllavëruese, në bankat e universitetit ku jepte mësim. Ja si shkruante në librin e tij “Nën Hijen e Rozafës”: “«Njeriu», nuk duhej sakrifikue në altarin e «kauzës» për arsye të «fitores». Këtu ishte edhe dallimi thelbësor i qëndrimit tonë, me atë të komunistëve, gjatë luftës edhe ma vonë”. Ai ka qënë e mbetet një idealist antikomunist pa mllef, për shkak të ideve të tij dhe mendjes së hapur.
Ëndrra e tij për një komb mund të thuhet se është edhe emblema e shpirtit të tij: “Andrrat e mia për nji komb shqiptar, të bashkuem e me nji ideal të përbashkët, të ndërtojmë atdheun tonë, të shpëtojmë atdheun tonë nga vuejtja, uria, paditunia e vorfnia që e mundojshin, po mbyteshin në pellgun e gjakut të burgjeve komuniste”.
Një mendje dhe një shpirt i tillë vjen si rrjedhojë e një marrdhënie të kristaltë me të vërtetën. Ka një kalim të shkëlqyeshëm në shkrimet e tij për mënyrën se si ai e shikon çështjen e së vërtetës. Kjo dallohet në një dialog i tij në burg me një frat françeskan: «Ajo që më shqetëson më shumë», më thoshte frati përpara se të vdiste, «është mashtrimi i popullit, dhe kam frikë se janë edhe ata që do t’i besojnë këtij mashtrimi …». Pas këtij «rrëfimi», frati u drejtua drejt meje dhe më drejtoi një lutje të përgjëruar që më goditi në zemër: «Ti je i ri», më tha «dhe një ditë do të jesh i lirë. Të lutem, kur do të jesh i lirë, tregoje të vërtetën. Ky është testamenti im.” (Repishti, S., 2004, Nën hijen e Rozafës. Narrativë e jetueme, Tiranë, f. 120). Këtë testament Repishti e ka ruajtur me përkushtimin më të madh. Ka sakrifikuar shumë për këtë testament por ka mbetur vetvetja dhe kjo është fitorja më e madhe e njeriut autentik. E ka bërë këtë betim përpara varrit të të atit duke i thënë: “të lutem babë lutu për mue”! E lutjet e të atit i kanë dhën forcën e jashtëzakonshme që vetem lutja mund ta ketë për të mbajtur shpirtin të lidhur me trashendentalen që është burimi i sublimes.
Në turbullirën morale që ka zënën rrënjë në realitetin shqiptar, Repishti mbetet një busull e jashtëzakonshme morale e shpirtërore. Zoti i dhashtë jetë të gjatë e të lumtur së bashku me familjen.
Komentet