Zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden ka akuzuar Rusinë se po përpiqet të destabilizojë Ukrainën “me çdo mjet që mundet”, duke thënë se Kremlini dëshiron të shohë ekonominë e ish-fqinjit të vet sovjetik duke u shkatërruar. “Rusia është duke u përpjekur për të minuar stabilitetin dhe sovranitetin e Ukrainës me çdo mjet që mundet, përfshirë përpjekjen e saj për të krijuar kushte që do të shkaktojnë kolapsin ekonomik të Ukrainës”, tha Biden në Uashington më 13 korrik. “Kjo është preferenca e parë e Rusisë”, shtoi Biden. “Por ne nuk mund të lejojmë që strategjia të ketë sukses”. Biden i bëri këto komente në një fjalim gjatë përurimit të Forumit të Biznesit SHBA-Ukrainë, një eveniment i organizuar nga Departamenti i Tregtisë i SHBA-së, që ka për qëllim nxitjen e investimeve amerikane në ekonominë e Ukrainës, e cila është rrënuar nga lufta mes forcave qeveritare dhe separatistëve pro-rusë në lindje të vendit. Biden përsëriti akuzat e Kievit, Uashingtonit dhe aleatëve të tyre në Bruksel, se Moska ka mbështetur rebelët, duke thënë se Ukraina është “nën rrethim”.
Komentet