Tropoja në dimër
Nuk është titulli ynë. Është ndjesia që shprehin pacientët që janë mjekuar nga doktor Hektori dhe studentët e mjekësisë që e kanë pedagog. Më shumë se ata dy numra lakmitarë me nga 40 e ca vite për secilin pozicion, kanë qenë virtytet e karakterit të tij të përsosur që e kanë renditur në emrat më të shquar të historisë së mjekësisë shqiptare. Mjafton të kujtojmë se mbi 30 vjet, ka qenë krahu i djathtë i “babait të pneumologjisë shqiptare”, të madhit Prof.dr. Shefqet Ndroqi. Të rrije pranë atij njeriu vetëm mirësi do të ndieje dhe përfitoje. Një mjek që shënoi epokë në fushën e tij, në saj të përkushtimit dhe aftësive profesionale. Po aq i madhërishëm doktor Ndroqi edhe si njeri me shpirt të madh dhe të ndjeshëm. Edhe ditën e dasmës, iku në sanatorium për t’i ardhur në ndihmë pacientit që kishte ardhur në urgjencë. E nëse atë ditë të shënuar la nusen, pas disa vitesh do të linte dy gishtërinjtë e tij, pasojë e dëmtimit nga rrezet rengen prej radioskopive të pafundme në luftë me turbekulozin dhe tifon. Pas këtyre humbjeve fitoi madhështinë e emrin që nuk do të harrohet, por dhe një brez mjekësh të denjë për ta prezantuar veten si punonjës të Spitalit Universitar të Sëmundjeve të Mushkërive “Shefqet Ndroqi”. Më i spikaturi mes tyre është doktor Hektori. Dhe kush ecën në gjurmët e më të mirit, mirësia ka për ta ndjekur. Bëri çmos të merrte sa më shumë nga doktor Ndroqi, në aspektin profesional dhe shpirtëror. Nuk ishte e lehtë të zëvendësoje atë njeri dhe mjek të madh. Ky institucion mjekësor ishte bërë shumë i rëndësishëm dhe i njohur. Vetë përhapja dhe pasojat e sëmundjeve të mushkërive kërkonte disiplinë dhe aftësi profesionale. E kush më shumë se Hektori duhej të ndiente peshën e kësaj përgjegjësie dhe besimi. Gjithçka në shërbim të shëndetit të njerëzve të prekur nga këto sëmundje. Një staf i përgatitur dhe i pasionuar për pofilaksinë, diagnostifikimin dhe trajtimin e turbekulozit. Doktor Hektorit i duhej të bënte mjekun, por edhe drejtuesin e këtij stafi mjekësor. Të gjithë ata që kanë punuar me të, kujtojnë komunikimin e ngrohtë dhe thjeshtësinë e shefit të tyre. Por nuk harrojnë as ashpërsinë dhe qëndrimin e tij të prerë nëse vërente dobësi dhe gabime në punë. Në një rast që ai na i kujton vetë, edhe pse kanë kaluar vite, përsëri nuk ndien pishman për masën ndëshkuese që i dha një infermiereje.
Kishte tre-katër ditë që një pacient ishte në gjendje të rënduar dhe me temperaturë të lartë. Edhe me mjekimet e dhëna akoma nuk po dominohej situata. Netë pa gjumë të mjekëve në ato konsulta të gjata ku kërkoheshin arsyet e keqësimit. Lodhje dhe stërmundim kur shkaku ishte shumë i thjeshtë. Infermierja nuk i kishte dhënë pacientit antibiotikun kryesor që i kishin caktuar mjekët. Kjo për arsyen se ai medikament mungonte ato ditë në farmacinë e spitalit. Edhe pse detyra e infermieres ishte që ta ndiqte dhe jo ta gjente atë ilaç, ajo heshti. Heshtje që vuri në tension gjithë stafin e mjekëve dhe mbi të gjitha, në rrezik jetën e pacientit. Nuk u mendua dy herë shefi i shërbimit, doktor Hektori, që të propozonte largimin nga puna të infermieres. Pas këtij rasti, në stafin e shërbimit u shtua edhe më shumë përkushtimi dhe përgjegjësia. Jo rrallë, ndodh që nuk ke mundësi të shpëtosh një jetë njeriu, por ama kur është mundësia nuk të falet të bëhesh aleat me vdekjen. Por jo se i ka shpëtuar edhe këtij emocioni të padëshirueshëm. Çdo rast të humbjes së jetës, edhe pse nuk është për faj të tij, quhet dështim. Por doktor Hektori i ka ndierë më shumë se sa duhet. Madje, kjo është edhe pika më e dobët e tij. Një mjek nuk duhet të përjetojë, por të jetojë me diagnozën e të sëmurit. Por ja që ai në këtë ndjeshmëri, mbase shkon edhe më tej se ata. Kanë kaluar mbi dhjetë vjet dhe ende përjeton me emocion të fuqishëm një rast tragjik. E kuptoi diagnozën e atij djaloshi 20-vjeçar fatkeq, por nuk gjente forca t’i përgjigjej asaj nëne që në përlotjet e çdo dite, i lutej:
-Aman doktor! Më thuaj çdo gjë, vetëm mos më thuaj se ka sëmundje të keqe, se e kam djalë të vetëm!
Më e vështirë se sa ajo luftë që bënte me sëmundjen, i dukej përgjigjja e kësaj lutje nëne.
– Sëmundja është e rëndë, por ne do të bëjmë të pamundurën…, – mezi shqiptonte doktor Hektori.
U përkushtuan dhe u angazhuan natë e ditë i gjithë stafi në atë betejë që e dinin se e kishin të humbur. Një kujdes mjekësor që nuk u zvenit në shpirtin e asaj nëne të plagosur aq rëndë. Kështu, një ditë ndërsa kthehej nga puna, edhe pse u mundua t’i shmangej, ajo nënë dëshironte të takohej me doktor Hektorin. I shprehu mirënjohjen për atë çka kishin bërë për djalin e saj fatkeq. E sikur të çmallej me një relike të djalit të vet, puth duart e doktorit. I prekur tej mase, doktori e fton të ulen dhe të pijnë një kafe. Më tepër edhe për të ngushëlluar zemrën e asaj nëne. Por u çua nga ajo kafe edhe më i dëshpëruar, kur mësoi se para dy vjetësh ajo kishte humbur edhe bashkëshortin. Burrë e grua ishin rritur në shtëpinë e fëmijës dhe gëzimin më të madh në jetë kishin atë djalë… Me ditë të tëra përjetoi doktor Hektori shqetësimet e asaj fatkeqësie. Diçka jo e mirë, për një mjek që duhet të jetësa më i qetë dhe i ftohtë përballë të tilla emocionesh. Ndryshe, do të jetë më i dobët në përballjen me betejën e radhës… Por ama, edhe kjo e keqe dëshmon për karakterin dhe virtytet e larta njerëzore të doktor Hektorit, jo vetëm si mjek, por edhe si pedagog. Janë me dhjetëra studentët që kanë përfituar maksimumin e lëndës së sëmundjeve të mushkërive. I veçantë ky mjek i shquar edhe në mësimdhënie. Nuk kanë për të harruar studentët ditët e para të komunikimit me të. Pasionant, i rrjedhshëm dhe i qartë në ligjëratë e nis leksionin me postulatin: “Asgjë nuk kushton aq pak dhe nuk çmohet aq shumë sa sjellja e mirë!”, sepse mjeku nuk i takon vetes, por të tjerëve. Kush nuk mund të realizojë këtë kusht, është në kohën e duhur për t’i dhënë jetës një drejtim tjetër. Pasi u ka bërë testimin e parë shpirtëror, nuk vonon dhe u citon katër vargjet e popullit që i shërbejnë po shëndetit të popullit.
O more njeri me mend!
Mos e kërko në çdo vend,
Provoje në trupin tënd,
Si të dhemb, ashtu më dhemb!
E ku ka më mirë se të përdorësh mençurinë e popullit, në ngulitjen dhe përsosjen e virtyteve humane dhe njerëzore aq të domosdoshme për profesionin e mjekut. Është këndvështrimi dhe metoda që ndjek një pedagog kaq i suksesshëm, siç është doktor Hektori. Ndoshta është momenti për të dëshmuar edhe faktin tjetër, se në bibliotekën e tij prekëm edhe tre libra voluminozë me arritje dhe informacion të mjekësisë botërore për sëmundjet e mushkërive, botime të vitit 2009. Ndryshe nuk do të ishte aq i vlerësuar dhe i dëshiruar nga studentët e mjekësisë. Nuk ndjehet mirë kur shikon se shumica e tyre tymosin cigare, atë armik kryesor që shkakton edhe sëmundjet e mushkërive. Nuk i lodh apo mërzisë, duke u cituar rreshtat që janë shkruar me gërma kapitale edhe në paketat e cigareve. “Humbet” një orë mësimi dhe i shëtit studentët nëpër dhomat e pacientëve, duke i pyetur se sa prej tyre e pijnë duhanin. Vetë llogaria përfundimtare, u jep përgjigjen tronditëse se mesatarisht në 100 veta të prekur nga kjo sëmundjet e mushkërive, 97 pinë cigare.
Një llogari që na kujton një debat të zhvilluar mes mjekësh të shquar në Edinburg të Skocisë. Me siguri që të gjithë studentët e doktor Hektorit do të ndjeheshin krenar për pedagogun e tyre. Këtë kongres botëror mbi “Kontrollin e turbekulozit në shekullin XXI” e drejtonte doktori i shquar John Crofton, personaliteti më i shquar botëror në fushën e sëmundjeve të turbekulozit. Sapo kishte referuar doktor Hektori studimin me temë: “Gjendja epidemologjike aktuale për turbekulozin në Shqipëri”. Për të përgatitur këtë material ishte bërë një punë parapërgatitore voluminoze. Një grup mjekësh kishte bërë depistimin në gjithë vendin tonë. Ishin vizituar mijëra njerëz, prej të cilëve u gjetën 700 të sëmurë me turbekuloz. Ende pa u larguar nga podiumi doktor Hektori, çohet nga salla një mjek zviceran që kishte referuar pak orë më parë për modelet matematikore që mund të përdoren për vlerësimin e gjendjes me një numër më të vogël pacientësh. Çka do të thoshte kohë më e shkurtër pa e cënuar saktësinë e studimit. Me sa duket, emri pak i njohur i Shqipërisë, serioziteti dhe personaliteti i shfaqur nga mjeku shqiptar, kishte ngacmuar egon e sëmurë të kolegut, për të bërë pyetjen:
-Ku e bazoni ju saktësinë e të dhënave për të cilat ju referuat?
Pa humbur qetësinë dhe pa u menduar, doktor Hektori edhe pse kishte ndier ligësinë e pyetjes, përgjigjet:
-Duke mos vënë në dyshim saktësinë e përdorimit të modeleve matematikore për studimin që ju referuat, të dhënat e studimit tim saktësinë e bazojnë në ekzaminimin mjekësor të të gjithë pacientëve…
E si për të mos mjaftuar kjo shuplakë ndërhyn edhe drejtuesi i Kongresit, sër Crofton, duke e bërë të pavlefshme pyetjen e mjekut zviceran:
– Doktor Hektori nga Shqipëria, ka të drejtë!
Para disa muajsh, doktor Hektori, u shpall “Qytetar Nderi i Tropojës”. Nuk janë pak vlerësimet dhe titujt që atij i janë akorduar, por ky i fundit i ngjalli emocion të fuqishëm. Një mirënjohje e merituar që i rrizgjoi kujtimet e viteve 1960-1965 kur shërbeu si mjek në Tropojë. Pasi mbaroi me rezultate të shkëlqyera Fakultetin e Mjekësisë, shpresonte se do të emërohej në kryeqytet. Nuk u dëshpërua që iku në veriun ekstrem të Shqipërisë, por edhe të lehtë nuk e pati. Përfytyroni një djalosh 21-vjeçar që del për herë të parë nga Tirana dhe përfundon në Tropojë. Sapo kishte mbaruar specializimin njëvjeçar me doktor Ndroqin. Zonat veriore ishin më të prekura me sëmundjet e mushkërive, për arsye edhe të temperaturave të ulëta. Vetëm një mjek gjeti në Bajram Curr. Detyrimisht që nevoja e bëri të shërbente edhe si patollog, gjinekollog, pediatër etj. Çmon faktin që atje gjeti një personel mjekësor të përgatitur dhe të përkushtuar për punën. Akoma më me fat e quan veten që njohu një njeri të mrekullueshëm, të lindur për humor, siç është mjeshtri Ali Mula. Njohja me të ia bëri edhe më të lehtë kryerjen e detyrës së mjekut, por edhe të përshtatjes me banorët mikpritës dhe shumë të kulturuar. Kjo mirënjohje e veçantë që shkon për mikun e tij të respektuar bën që t’ja falë edhe atë “prezantim” torturues si mjek….
I vendosur përballë një aparati të vjetër skopie, fton pacientin e parë. Shikon që zemra e tij ishte në krahun e djathtë. I bën përshtypje, por jo se befasohet, pasi e dinte që në 10 000 banorë ndodh një anomali e tillë. Mbaron punë dhe fton para aparatit qytetarin e dytë. Fshin sytë, por nuk i largohet e njëjta pamje. Edhe ky zemrën e kishte në krahun e djathtë. Të paktën dhe për një arsye tjetër kjo që po i ndodhte nuk duhej të ishte e pranueshme. I kishin thënë që rrethi i Tropojës kishte rreth 11 mijë banorë. Kjo anomali që po shikonte në aparatin e skopisë, do të thoshte se numri i banorëve duhej të ishte mbi 20 mijë banorë. Nuk e jep veten dhe vazhdon punën. Para aparatit i shfaqet trupi i pacientit të tretë. Dhe përsëri, zemra në krahun e djathtë. I tronditur, heq këmbën nga pedali i aparatit që mbante dritën fikur dhe çohet menjëherë në këmbë. Shikon qytetarin që ishte vendosur me shpinë dhe jo siç duhej me fytyrë nga aparati. Nuk përmbahet dhe ngre zërin, duke i treguar se si duhej qëndruar. Ndërkohë edhe dy të tjerët që ishin duke u veshur i thonë se edhe ne kështu kemi hyrë aty, o doktor.
-Hyfshi dhe mos dalshi më! – u lëshoi mallkimin pa shpirt, por me zë të lartë dhe doli nga dhoma.
Por ditët, muajt dhe vitet në vazhdim e bënë doktor Hektorin njeriun më të dashur të asaj treve. Me vrullin djaloshar, pasionin për profesionin dhe dëshirën për të ndihmuar këta njerëz të dashur, por të zhytur në varfëri, nuk la fshat e shtëpi pa hyrë. I qëllonte që të ecte në këmbë ditën apo natën edhe 12 orë pa pushim. Nuk e harron atë përkujdesje dhe dashuri që tregonin për të si të ishte i shenjtë. Edhe sot kujton kur lëvizte në ditë me borë, para tij borën e hapnin dy njerëz të tjerë për t’ja bërë sa më të lehtë udhëtimin. E si të mos u shërbeje dhe ndodheshe pranë këtyre njerëzve në raste urgjente. Edhe sot në shtëpinë e doktor Hektorit trokasin miqtë e vjetër tropojanë. Kush për hall e kush për ta përshëndetur për të mirat e bëra në ato vite dhe në vazhdim, sepse doktor Hektori duke zbuluar dhe bllokuar të gjitha vatrat e infeksionit në Tropojë, hapi për gjithë jetën dyert e shpirtit dhe u bë mysafir i përjetshëm dhe i mirëpritur në çdo vatër tropojane…
Shikon këtë fotografi të çiftit Çoçoli dhe kushdo dallon se Lirika është më rinore. Por po të hysh në shpirtin e doktor Hektorit, këtë hijeshi dhe bukuri e gjen të shumëfishuar… Aq sa shpirti i tij, ndjehet disa vjet edhe më i ri se bashkëshortja e tij. Jo më kot e quan si një nga mbështetëset dhe frymëzueset e karrierës së tij të suksesshme. Një jetë e gëzuar mes harmonisë dhe mirëkuptimit, dashurisë dhe bashkëpunimit. Edhe sot janë po aq të dashuruar dhe të përkushtuar ndaj njëri-tjetrit, si dikur në sallën e Bibliotekës Kombëtare. Hektori përgatitej për temën e Doktoraturës, ndërsa Lirika studionte për provimet e sezonit. Më shumë se sa tek studimi, e kishin mendjen kur do të vinte pushimi që i bashkonte te koridori. Vërtetë kishin diferencë në moshë, por humori dhe natyra gazmore e Hektorit e bënë për vete menjëherë atë bukuroshe. Sepse edhe tek dashuria më shpejt dhe më sigurtë se çdo gjë, të çon mençuria. Rrjedhshmëria në të folur, çiltërsia dhe komunikimi elegant ia lehtësuan shumë fitimin e betejës atij djaloshi simpatik. Po me barcaletë e nisi dhe e bitisi propozimin. Ishte duke i treguar historinë e një personi që kishte rënë në dashuri me një studente që ai kishte pranë. Ia tregoi aq bukur sa edhe ajo vetë nuk po kuptonte se për kë po binin ato këmbana… Pas heshtjes së tij që priste reagimin e saj, kuptoi se ajo ishte studentja dhe ai personi i dashuruar. E pse duhej vështirësuar më shumë ai propozim kur përgjigjja e secilit prej tyre ishte dhënë prej kohësh nga zemrat e tyre?
-Tek Hektori gjeta jo vetëm njeriun me humor të veçantë, por njeriun e përkushtuar ndaj familjes së tij. Një admirues i zjarrtë i leximit, historisë, gjeografisë, arkitekturës, pikturës, muzikës, udhëtimeve… Është e lehtë të jetohet me Hektorin si bashkëshort sepse jetën ta bën të bukur jo vetëm duke u përshtatur me dëshirat e mija, por e pasuron me intelektin dhe natyrën e tij gazmore…
Nuk ka ç’i duhen më shumë se sa kaq një femre për ta ndier veten mirë dhe të sigurtë, në një jetë të lumtur bashkëshortore.
E dëshmon këtë vetë jeta e tyre, e dëshmon edhe kjo fotografi që shpalos hijshëm gëzimin dhe buzëqeshjen e tyre të përditshme…
AKTIVITETI I PUNËS:
1960 Diplomohet: “Mjek” nga Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit të Tiranës.
1980 “Kandidat i Shkencave Mjekësore”, në Fakultetin e Mjekësisë, Tiranë,
1983 “Docent” (titull i barasvlefshëm me Prof.Ass), në Fakultetin e Mjekësisë, Tiranë.
1993 “Doktor i Shkencave Mjekësore”,
1994 “Profesor”, Universiteti i Tiranës,
2007 Profesor, në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit privat “KRISTAL”
2008 “Profesor Emeritus”
2009 Përshkruhet biografi e shkurtër në Enciklopedinë Shqiptare, botuar në Tiranë, 2009.
Aktiviteti Shkencor:
Ka marrë pjesë aktive në shumë konferenca, simpoziume, kongrese mjekësore si brenda shtetit ashtu dhe jashtë shtetit.
Jashtë Shqipërisë:
Prishtinë (Kosovë)
Ulqin (Mali i Zi)
Shkup (Maqedoni)
Bukuresht (Rumani)
Constanca ( ” “)
Varna (Bullgari)
Athinë (Greqi)
Janinë ( ” “)
Lubljanë (Slloveni)
Ankara (Turqi)
Budapest (Hungari)
Salzburg (Austria)
Rome (Itali)
Palermo (Itali)
Paris (France)
Nicë ( ” “)
Moskë (Rusi
Mainz (Gjermani
Essen ( ” “)
Fraiburg ( ” “)
Edinburg (Skoci)
Londër (Angli)
Wolfheze (Hollandë)
Seattle (ShBA)
Teheran (Iran)
Tunis (Tunizi)
Lome (Togo)
Ka marrë pjesë në të gjitha aktivitetet shkencore të zhvilluara në Shqipëri, për problemet e sëmundjeve të mushkërive dhe sidomos për ato të tuberkulozit, të zhvilluara në Tiranë apo në qytetet e tjera të vendit; në konferencat e organizuara me mjekë të huaj; në konferencat mjekësore te organizuara nga specialitetet e tjera ku ka diskutuar për problemet e sëmundjeve të mushkërive. Ka botuar studime të shumta: monografi, tekste mësimore, libra për probleme të tuberkulozit dhe sëmundjeve të mushkërive, artikuj shkencore etj. Botimet janë bërë në Shqipëri dhe në disa revista të huaja.
Agron Sejamini
27.08. 2009
https://www.voal-online.ch/index.php?mod=article&cat=SHQIPTAR%C3%8BT&article=2873
Komentet