Ish-ministri i Drejtësisë, Spartak Ngjela në një status të publikuar në Facebook thotë se Gjykata Kushtetuese nuk mund të rrëzojë ligjin e Vetting-ut që është ankimuar nga Partia Demokratike.
Por përveç opozitës, Ngjela thotë se reforma në drejtësi ka edhe kundërshtarë të tjerë duke iu referuar këtu kreut të LSI-së, Ilir Meta.
Statusi i Ngjelës:
I gjithë korrupsioni shtetëror dhe gjyqësor e ka sot vështrimin e shpresës për mbijetesë, te Gjykata Kushtetuese
Kjo është vetëm një logjike e dëshpërimit, dhe jo një realitet.
Por pyetjet janë këto:
A do të ketë kurajë Gjykata Kushtetuese të marrë turpin përsipër për të dalë në mbrojtje të krimit shtetëror shqiptar?
A do të marre përsipër Gjykata Kushtetuese që të gjykojë një padi antiamerikane dhe kundër anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian?
Të dyja këto pyetje kanë një përgjigje: pamundësia e Gjykatës Kushtetuese për të ndërmarrë një akt antishqiptar qëndron në faktin që Reforma në Drejtësi nuk mund të ndalohet, kurse vetë gjykata implikohet shumë rëndë në histori, dhe patjetër që do te gjykohet rëndë pas dy apo tre muajsh, sepse ndërkombëtarët dhe vetë amerikanët do të denoncojnë komplotin e bashkëpunimit të krimit shtetëror me Gjykatën Kushtetuese. Prandaj Gjykata nuk mund të asgjësojë vetveten.
Reformën shqiptaro-amerikane nuk e ndalon dot askush: as Rusia, as Kina, as ata që shkojnë në Rusi, dhe as ata që shkojnë në Kinë. Naiviteti politik i lidershipëve mediokër të politikës banale të vendeve të botës së tretë, ka bërë që këta gjithmonë të kenë qenë viktima të injorancës së tyre.
Reforma shqiptaro-amerikane që ka marrë tani formë kushtetuese, nuk ndalohet dot më nga asnjë forcë e brendshme kriminale në Shqipëri.
Kush nuk kupton dot këtë, dhe vepron kundër kësaj Reforme, i bën keq vetëm vetes dhe jo Reformës.
Kushtetuta shqiptare tani, në funksion të Reformës, ka mbrojtje amerikane të konsakruar. Asnjë forcë e brendshme e inkriminuar në korrupsion nuk ka forcë që ta ndalojë.
Komentet