Alba Kepi, anëtare e Këshillit Bashkiak të Tiranës ka protokolluar propozimin që një hapësirë e kryeqytetit të mbajë emrin e Qazim Mulletit, Kryebashkiakut dhe Prefektit të Tiranës. Po e sjellim tekstin argumentues:
“Kam protokolluar pranë Bashkisë së Tiranës propozimin me kërkesën për emërtimin e një hapësire publike pranë Pazarit të Ri si “Sheshi Qazim Mulleti”, në nder të një figure me kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e kryeqytetit.
Qazim Mulleti ishte një nga administratorët më të rëndësishëm të Tiranës në një periudhë historike të vështirë.
Si prefekt dhe kryetar bashkie, ai kontribuoi në organizimin e institucioneve, sigurimin e shërbimeve publike dhe stabilitetin urban, duke lënë gjurmë të qëndrueshme në historinë e qytetit.
Përzgjedhja e zonës së Pazarit të Ri nuk është rastësore. Kjo hapësirë është një nga zemrat e Tiranës, ku bashkohen tradita, komuniteti dhe identiteti qytetare, në afërsi të banesave të familjes Mulleti, pjesë e komunitetit autokton tironas.
Diktatura goditi rëndë komunitetin tironas duke denigruar historinë, grabitur trojet, burgosur e zhdukur familje vendalie dhe duke imponuar në mendimin publik, gjuhën e urrejtjes mbi patriotizmin dhe kontributet e komunitetit tironas.
Qazim Mulleti (1893–1956) luajti një rol vendimtar në zhvillimin dhe konsolidimin e Tiranës si kryeqytet të Shqipërisë. Që nga pjesëmarrja e tij në Kongresin e Lushnjës (1920), ai kontribuoi drejtpërdrejt në vendosjen e institucioneve shtetërore dhe promovoi idenë që Tirana të jetë kryeqytet, duke argumentuar për avantazhet strategjike, gjeografike dhe klimatike.
Nuk është e lehtë të administrosh një kryeqytet në kohë pushtimi e Qazim Mulleti e kreu këtë detyrë duke vënë parësor në punën e tij sigurinë, ekonominë e garancinë publike pêr jetën e jetesën e qytetarëve.
Filozofia e mendimit të tij elitar, parashikojë dramën më të kobshne pêr kombin shqiptar sic që komunizmi e që u hakmorr ndaj tij me mendësinë e propagandës provincialiste e egërsinë e atyre që tradhëtojnë kombin.
Si prefekt dhe kryetar i Bashkisë së Tiranës gjatë viteve 1939–1944, Qazim Mulleti organizoi administratën lokale dhe shërbimet publike në një periudhë të vështirë. Ai ndërmori masa për ruajtjen e rendit, furnizimin me ushqime dhe stabilitetin social, si dhe realizoi ndërhyrje urbane dhe përmirësime infrastrukturore që kontribuan në zhvillimin modern të qytetit. Veprimtaria e tij ka lënë gjurmë të rëndësishme në historinë urbane dhe politike të Tiranës.
Lindi më 20 dhjetor 1893 në lagjen Sulejman Pasha dhe kreu arsimin fillor në Manastir, studimet e mesme në gjimnazin Zosimea në Janinë, dhe studimet e larta në kolegjin perandorak Galatasaray në Stamboll, ku u diplomua me medalje ari. Ishte një poliglot i shquar, duke zotëruar shumë gjuhë, përfshirë turqishten, osmanishten, arabishten, gjermanishten, frëngjishten, italishten, latinishten, serbo-kroatishten dhe greqishten, gjë që e ndihmoi shumë në aktivitetin diplomatik dhe administrativ.
Ky propozim është pjesë e angazhimit tim në mbrojtje të historisë autoktone për të rikthyer në vëmendje figurat historike të qytetit, për të nderuar ata që kanë kontribuar në zhvillimin e Tiranës dhe për të forcuar lidhjen e qytetarëve me rrënjët e tyre. Kujtesa historike dhe respekti për kontributin e komunitetit autokton janë të domosdoshme për të ndërtuar një qytet që respekton të shkuarën dhe përgjegjësinë për të ardhmen.”