Ai vuri librin në dorën e bronztë të statujës, në dorën tjetër ishte shkopi, – i bronztë dhe ai.
S’e di si i shkrepi, por po aq befasisht më pëlqeu gjetja, ai veprim. Sikur donte të thoshte që poezia duhet, edhe statujat i bën më të gjalla, që sa të shkretë do të ishin njerëzit pa poezi… edhe gurit i duhet… poezinë duhet të dish ta gjesh e ta çosh… është për kudo…
E doja atë statujë. Është një lypës nga njëra anë dhe ëngjëll nga ana tjetër. Torba bëhet flatër. Kam treguaf për atë dhe herë tjetër…
Me Jani Gjonin e kishim lënë që ta pinim kafenë bashkë dhe ai erdhi te bari, ndërkaq unë i dhashë librin që kisha sjellë për atë dhe i thashë se ishte i pari nga miqtë në Chicago që ia firmosja, por dhe është i pari mik që njoha këtej para shumë vitesh e më pas ai më njohu dhe me të tjerë e si të thuash më futi në atë rutinën shqiptare të grupit, të bisedave miqësore për librat si fillim, që kalonin menjëherë dhe në politikë, se çfarë bëhej në Shqipëri e ç’duhet të bëjë lidershipi atje, opozita, po edhe në SHBA e botë, bankat, astrofizika sot, AI, artikujt deri në bezdi gazetave, hatërmbetjet, vajtjet në grup në Starbucks, vazhdimet atje, etj, etj. Jani thotë se e ka kult miqësinë dhe shokun dhe di të qëndrojë besnik.
Dolëm të shëtisnim pak, ditë e bukur nëntori, me atë ar vjeshtor rrugëve dhe unë e çova andej nga kisha “Saint Mary of the Lake and Our Lady of Lourdes” për të parë atë statujën e Timothy Schmalz te sheshi para që e pëlqej shumë, – i thashë, – ku lypësi dhe ëngjëlli janë një i vetëm dhe shkruhet “Ji mirëpritës”.
Do bënim një selfie dhe Jani i vuri librin në dorë statujës, sikur ajo po e mbante vetë me dëshirë. Libri në piedestal. Shkonin bashkë: bronzi dhe fjala, torba e lypësit dhe poezia, flatra dhe ëndrra…

ZËRI I TIM ZOT FAN NOLIT
Po shkopi i statujës? Është thjesht për t’u mbështetur në ato shtegëtimet pelegrine, ai shkop bronzi që statuja duket se e shtrëngon fort si besën, si urtësinë ku mbështetet.
Befas te shkopi m’u shfaqën rripa lëkure, litarë, sikur mbinë në tufë dhe u bë kamxhiku. Dhe m’u ndërmend poezia e Nolit, “Krishti me kamxhikun”:

I ka vuajtur dhe Noli shqiptarët e vet, patjetër dhe më shumë, i ka parë në Shqipëri deri në parlament dhe më lart, po edhe larg e pranë, në “Vatër”, prandaj ka dhe këtë strofë kësisoj në poezinë e tij:

Tani a do të duhej prapë ky inat dhe kjo thirrje? Ky shkop mefaforik? Mbase më shumë. Edhe në SHBA? Po pse jo? Do të duhej një shkop ashtu…t’ja merrnim statujës, se Jani i dha librin.
Dhe kërcënueshëm, por me dashamirësi, në mënyrë parodike, një shkop-Nol të vërvitej mbi ca vegime donkishoteske e sançopançojane, që kujtojnë se po u ndodhin përleshje patriotike me çështje gjigandeske të demokracisë, por që s’janë as mullinj me erë, por boshësia e tyre dhe kënaqësia dinake që barku amëtar po i tyre nga socialist është fryrë në kapitalist dhe…
Po kundronim statujën si për t’u qetësuar. Po ai engjëll me shkopin e udhëtimit në njërën dorë dhe librin me poezi në tjetrën, se fryma krijuese nuk humbet kurrë, edhe kur tjetri duket i varfër apo i braktisur. Statuja u shndërrua në bashkëbisedues kaq thjeshtë, madje në bashkëpunëtor, vetëm pse Jani i dha një libër, kur ka njerëz që i acaron, vjen nga edukata, nga përkatësitë e dikurshme e të tanishme, – po thoshim, zilitë… suksesi i tjetrit…
Po statujat, sa mirë, nuk flasin dhe desha ta pyesja Janit që në takimin e radhës në grup pse të mos ftohej?
– Kush?
– Statuja…
V.
