Dimër 1991. Në Tiranë, mbërriti kryeministri i Greqisë, zoti Micotaqis.
Në pushtet ishte Partia e Punës me Ramiz Alinë në ballë. Sigurimi i shtetit bënte ligjin dhe Maliqin.
Ndërkohë ishte krijuar Partia Demokratike. Unë dhe Filip Çakuli punonim në gazetën “Rilindja Demokratike”.
Kryeministri I Greqisë, kishte parashikuar një takim me liderin e opozitës, zotin Sali Berisha.
Takimi do të bëhej në hotel “Dajti”.
Hoteli ishte I mbushur me punonjës të sigurimit.
Dalloheshin lehtë. E kishin të shkruar profesionin në lule të ballit.
I dyshimtë ishte edhe përkthyesi shqiptar I kryeministrit grek.
Ishte ky sebepi, që Berisha parapëlqeu si përkthyes Filip Çakulin.
Për ta ndjekur sa më mirë debatin, duhet thënë se në atë mot, Filipi, ende nuk ishte njohës i mirë i greqishtes edhe pse ishte minoritar, nga fshati Dermisht – Sarandës.
Në takim ishte edhe Pashko, Azem Hajdari. Isha edhe unë me përkthyesin.
Me filxhanët e kafesë përpara, biseda rrodhi e lirë.
U fol për miqësinë mes dy popujve. Micotaqi tha që mes popujve tanë nuk ka pasur asnjë luftë. U përmëndën bëmat e Marko Boiçari dhe Bubulinën.
Miciotaqi tregoi, se kur fitoi revolucioni grek në vitin 1821, u mblodh paralamenti.
U bë debat për të patur gjuhë të dytë edhe gjuhën avranite.
Normale.
Ajkën revolucionarëve e përbënin avranitasit.
Për pak vota, gjuha shqipe nuk fitoi.
Pastaj u fol për Ali Pash Tepelenën.
-Kini qënë në Janinë,-pyeti Micotaqi. -Aty është kalaja dhe ishulli ku pashait ju pre koka.
Aty,- tha Micotaqi,- është varri I Pashait. Por vetëm trupi. Koka është varrosur në Stamboll…
Deri këtu, përkthimi I Filipit ishte na lartësinë e detyrës. Telashet dolën kur biseda u përqëndrua në ekonominë e tregut.
Kryeministri grek tha:
– Zoti Berisha! Kur të vini në pushtet, duhet të tregoni një kujdes të veçantë për idhiotis?
Filipi, kur dëgjoi fjalën “idhiotis” ngurroi.
Berisha e vështroi në dritë të syrit. I thotë Filipi:
– Kryeministri grek më duket i lodhur nga politika. Thotë të kemi kujdes për idiotët?!…
– Meqë pyet, thuaji se kemi tre spitale për trajtimin e të sëmurëve psiqikë.
Një në Tiranë, një në Elbasan dhe një në Vlorë…
– Doktor! Pasi i numërova tre spitalet, ky më thotë, se për idiotët duhet të krijoni kushte në të gjithë vendin…
– Thuaj: Do ta vëmë si pikë të veçantë në programin elektoral të PD-së.
Kthehet Filipi në shtëpi. Gjënë e parë që bëri, hapi fjalorin shqip-greqisht.
“Idhiotis” në greqisht do të thotë pronarë!?…