Është një datë e veçantê për shtypin shqiptar.
Është 30 vjetori i themelimit të gazetës kombëtare ‘Bota Sot’ me seli në Zvicër.
Kjo gazetë erdhi si domosdoshmëri e nevojës akute për informim të shqiptarëve.
E them pa frikë se “Bota Sot” është mediumi me ndikimin më të madh në trojet shqiptare në gjysmën e dytë të viteve 90të e sidomos në Kosovë e cila ishte nën okupimin serb.
Pse ishte kaq e sukseshme Bota Sot?
Dua ta filloj nga iniciativa e vëllezërve Mazrekaj e sidomos atij që vazhdon ta mbajë gjallë edhe sot këtë medium paçka se vetëm online Z. Xhevdet Mazrekaj.
“Bota Sot” ndryshe nga disa mediume të tjera brenda dhe jashtë Kosovës të cilat anonin shpesh në pozita ideologjike majtiste u bë zëri i fortë e ndoshta i vetëm i mbrojtjes së interesit kombetar të shqiptarëve.
Personalisht kam rënë në kontakt me këtë gazetë vetëm në vitin 1998 kur unë lashë Shqipërinë sepse ajo nuk lejohej të futej në Shqipërinë Londineze e kjo sidomos pas revolucionit tregishtor të 97es që shkërmoqi shtetin shqiptar.
Kjo gazetë pati sukses sepse ajo grumbulloi penat më brilante të publicistikës dhe gazetarisë shqiptare.
Këtu dua të veçoj ish Kryeredaktorin për shumë vite të kësaj gazete Skender Buçpapaj i cili e ngriti këtë gazete në gazetën shqiptare më të shitur dhe më popullore të gjitha kohërave të hapësirave shqiptare e kudo ku jetonin shqiptarë.
“Bota Sot” mbajti një peshë të madhe të informimit të shqiptarëve sidomos gjatë kohë se luftës.
Dua të përmend këtu kolumnistët e kësaj kohe të lavdishme për këtë medium si Teki Dervishi (tashmë i ndjerë), Xhemajl Mustafa një penë brilante e kësaj gazete, Abdi Baleta, Idriz Zeqiraj, Elida Buçpapaj, Milazim Krasniqi, Bajrush Morina e shumë pena të tjera që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në kohë të ndryshme të saj.
Nuk ka medium shqiptar që ka paguar çmim më të lartë për lirinë e fjalës dhe mbrojtjen e interesit kombetar se “Bota Sot”!
Bekim Kastrati, Xhemajl Mustafa, Enver Maloku, Bardhyl Ajeti e Shefki Popova a u eleminuan se thanë të vërtetën. U eleminuan se prekën interesat e atyre që nuk e donin pavarësinë dhe lirinë e Kosovës!
Kjo gazetë dhe redaksia e saj janë kërcënuat edhe me atentate shumë serioze edhe në gazetën e saj.
“Bota Sot” ka mbajtur peshën kryesore të informimit të saktê jo vetëm të lexuesit shqiptar por edhe të botës së huaj.
Informimi i saktë i kësaj gazete ka patur peshën e saj edhe në bindjen e ndërkombëtarëve që çoi në ndërhyrjen e NATOs!
Në këtë jubile të 30 vjetorit do të doja që Bota Sot por jo vetem kjo të jenë jo vetëm portal por të dilnin serish të printuara sepse Kosova mbetet ndoshta i vetmi shtet që nga ka shtyp serioz të printuar!