VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Më 22 mars 1941 lindi Billy Collins, poet i shquar amerikan

By | March 22, 2019

Komentet

Kodra që përshkojmë Poezia që Amanda Gorman recitoi në përurimin e Presidentit të SHBA Joe Biden Në shqip nga Meri Lalaj

Fotoja është marrë nga Zëri i Amerikës

Këtë poezi poetasha e re Amanda Gorman e recitoi në ceremoninë e përurimit të Presidentit të 46-të të Amerikës Joe Biden.

Kur zbardh dita ne pyesim vet me vete
ku ta gjejmë dritën në errësirën që nuk po mbaron?
Dhimbja që mbartim
sa një det që duhet kapërcyer.
Kemi përballur oreksin e kafshës
kemi mësuar se qetësia nuk është ngahera paqe,
rregullat dhe idetë ashtu siç janë
nuk janë gjithnjë të drejta.
Megjithatë, para se ta dinim
i yni është agimi.
Disi ne e bëmë.
E kemi përballur disi dhe kemi dëshmuar
se një komb nuk është thyer,
por thjesht është i papërfunduar.
Ne jemi pasardhësit e një vendi
ku një vajzë lëkurëzezë
prejardhur prej skllevërish dhe rritur
vetëm nga nëna
mund të ëndërrojë të bëhet presidente
dhe e gjen veten tek i thotë gjërat një për një.
E megjithatë jemi larg nga thjeshtësia
e ardhme shkëlqimtare.
Por kjo nuk do të thotë se po përpiqemi
të formojmë një bashkim që është i përsosur.
Ne po përpiqemi të formojmë një bashkim me qëllim,
ne do të formojmë një vend kushtuar
të gjitha kulturave, ngjyrave, karaktereve
dhe kushteve të njeriut.
Dhe kështu hedhim vështrimet
jo tek ato që qëndrojnë midis nesh
por tek ato që qëndrojnë para nesh.
Ne i mbyllim ndasitë sepse
dimë të vemë të parën të ardhmen tonë,
ne duhet së pari të lëmë mënjanë dallimet.
Ulim duart poshtë dhe takojmë krahët
me njëri tjetrin.
Nuk duam t’i bëjmë keq askujt
kërkojmë harmoni për të gjithë.
Lëreni rruzullin e tokës ta thotë
këtë që është e vërtetë,
se ndonëse u brengosëm ne ia dolëm,
madje u lënduam, por shpresuam
se ndonëse u lodhëm, u përpoqëm,
se ne jemi përgjithmonë të lidhur
së bashku, fitimtarë.
Jo sepse kurrë më nuk do ta njohim humbjen,
por se kurrë nuk do mbjellim përçarje.
Shkrimet e Shenjta na thonë të këqyrim
që gjithkush të ulet nën pjergullën e tij
dhe nën drurin e fikut të tij
dhe askush nuk do t’i frikësojë.
Në se ne do të jetojmë kohën tonë
atëherë ngadhnjimi nuk do të mbahet në një fije.
Por në të gjitha urat që kemi ndërtuar
ky është premtim për t’u gëzuar.
Ne do e ngjitim kodrën
vetëm po të guxojmë.
Sepse të jesh amerikan është
më shumë se një krenari që trashëgojmë,
është e kaluara në të cilën çapitemi
dhe se si e rregullojmë.
Kemi parë një forcë që donte
ta thërmonte kombin tonë
më saktë ta përçante.
Të mundnin të shkatërronin kombin tonë
do të thotë të vononin demokracinë.
Dhe kjo përçapje për pak u arrit.
Po ndërsa demokracia mund
të shtyhet herëpashere
ajo kurrë nuk mund të dështojë përngaherë.
Ne besojmë në këtë të vërtetë, në këtë fe.
Përderisa i mbajmë sytë tek e ardhmja,
historia i mban sytë mbi ne.
Kjo është epoka e shpërblesës së drejtë
ne u trembëm në fillimin e saj.
Nuk qemë të përgatitur për të qenë
pasuesit e saj
të një ore kaq të tmerrshme,
por brenda saj ne gjetëm forcën
të krijonim një fillim të ri.
T’i jepnim shpresë dhe gëzim vetvetes.
Kështu ndërsa një herë pyetëm se si mundëm
ta mposhtnim fatkeqësinë?
Tani pohojmë:
si do të mundtte gjëma të na mposhtte?
E nuk do marshojmë pas atje ku ishim,
por do të ecim përpara që të jemi.
Një vend që është lënduar, por jo i tëri
mirëdashës dhe guximtar
i rreptë dhe i lirë.
Ne nuk do të kthehemi prapa
apo të ndalemi nga kërcënimi
Sepse e dimë ndërveprimin
dhe plogëtinë tonë
që do të jetë trashëgimia e brezit tjetër.
Gabimet tona u bënë barrë për ta
por një gjë është e sigurt
Në se bashkojmë faljen me forcën
dhe fuqinë me të drejtën
Atëherë trashëgimia jonë bëhet dashuria.
A mund të ndryshojmë të drejtën e lindjes së fëmijëve?
Pra, le të lëmë pas një vend më të mirë se sa
ai që na ishte lënë neve.
Çdo frymëmarrje nga gjoksi im i bronztë jehon:
Ne do ta ngremë këtë botë të plagosur
në një vend të mrekullueshëm.
Ne do të ngrihemi nga kodrat
kraharta të perëndimit
dhe do të ngrihemi nga veri-lindja
rrahur prej erërave
ku stërgjyshërit tanë bënë revolucionin.
Ne do të ngrihemi nga qytetet buzë liqenit
të shteteve të perëndimit të mesëm.
Ne do të ngrihemi nga jugu i pjekur nën diell.
Ne do të rindërtojmë, do t’i shtrohemi punës
Dhe do ta përmirësojmë.
Dhe çdo cep të njohur të kombit tonë,
çdo qoshe të quajtur vendi ynë,
populli ynë i ndryshëm dhe i bukur
do të ripërtërihet e zbukurohet.
Kur të vijë dita, ne do të dalim nga hija
të përflakur dhe të patrembur,
një agim i ri po vjen se i dhamë krahë.
Sepse gjithnjë ka dritë vetëm në se
kemi guxim ta shohim.
Vetëm në se jeni aq trima
për të qenë drita.

Në shqip nga: Meri Lalaj

Aanda Groman ka lindur më 07.03.1998, është Aktiviste për të drejtat e njeriut, feminizmit, racës etj.
Ajo është personi i parë i shpallur: Laureat Kombëtar i Poetit Rinor. Ka botuar librin : “Kodra që ngjitim”

Ujku dhe lejleku- Fabul nga FEDRI – Përktheu Skënder Buçpapaj

Kush kërkon mirënjohje nga i pabesi, është dy herë i gabuar,
sepse ndihmon atë që nuk e meriton,
dhe më pas nuk del i padëmtuar.

Ujkut një ditë i mbeti në fyt një kockë.
Dhimbja e madhe e bëri të butë bishën mizore,
dhe duke premtuar shpërblime dhe favore
u përpoq të bindte kafshët e tjera,
një nga një, që ta shpëtojnë nga vdekja.
Më në fund,
pas premtimesh, garancish dhe betimesh,
arriti të bindë lejlekun e ngratë
që, duke futur sqepin e tij të gjatë
në nofullat e tmerrshme të bishës,
të kryente operacionin e rrezikshëm.
Pastaj, siç kishin rënë dakord ai kërkoi tarifën.
“Sa mosmirënjohës që je – i tha ujku lejlekut –
ti e nxorë kokën shëndosh e mirë nga goja ime,
dhe dashke të flasësh me mua për kompensime?”

Chanson Dada – Poezi nga Tristan Tzara – Përktheu Skënder Buçpapaj

kjo është kënga e një dadaisti
i cili kishte dada në zemrën e tij
ai shqeu motorin e tij
e kishte dadanë në zemër

ashensori ngre një mbret
ai ishte një makinë e brishtë me gunga
ai preu krahun e djathtë deri në kockë
ia dërgoi papës në romë

kjo është arsyeja pse më vonë
ashensori
nuk kishte më dada në zemrën e tij

ha çokollatën tënde
laje trurin ti
dada
dada
hurb pak shi

.

kjo është kënga e një biçiklisteje
që e donte dadanë që nga fillimi
prandaj ajo ishte një dadaiste
si të gjithë me dada në zemrën e tyre

por burri i saj ditën e vitit të ri
mësoi gjithçka dhe në një krizë
dërgoi menjëherë në vatikan
dy trupat e tyre në dy valixhe

as biçiklistja
as burri
nuk qenë të lumtur as të trishtuar më kurrë

pi ca qumësht zogu
laj ëmbëlsirat e tua
dada
dada
haje mishin tënd

Ezopi dhe sportisti fitimtar – Fabul nga FEDRI – Përktheu Skënder Buçpapaj

Arroganca e fituesit.

I Urti, kur pa një kampion sporti
që fitores së një gare i dha shumë rëndësi,
e pyeti nëse kishte qenë më i fortë se rivali i tij.
“Është e qartë. Sigurisht që unë jam më i forti!”
“Pra, ku qenka merita, o mik?
Sepse paske mundur dikë më të dobët?
Do të ishte meritë, nëse thua se je i fortë
sepse ke mundur një atlet i cili, gjithsesi,
fizikisht është më i fortë se ti.”

Rrëfimi i çlirët i Kadaresë: Letërsia në komunizëm, gëzonim me lugë bosh! Portretizimi i Hoxhës, del i mjerueshëm

I çlirët dhe i qeshur, Kadare mbërrin në takimin me të rinjtë e klubit letrar të Kavajës me një kapele në kokë. Kur pyetjet nisin, ai i përgjigjet pa drojë, e shpesh me mëdyshje, mbi fëmijërinë, lumturinë, censurën, rininë, raportet me veten dhe të shkuarën, procesin letrar e heronjtë, kanonet e dogmat. Nuk ka drojë nga të rinjtë, megjithatë, vetë shkrimtari i njohur që është përkthyer në disa gjuhë dhe ka marrë disa çmimet, kujdeset ti lërë të lirë, kur ju kërkon të bëjnë çdo pyetje që kanë ndërmend, sepse shpesh, edhe pyetjet më të vështira, shkrimtarët së pari ia bëjnë vetes.

Shkrimtari i madh Ismail Kadare dhe bashkëshortja e tij po ashtu shkrimtare e njohur, Helena Kadare, kanë bërë një bashkëbisedim me të rinjtë të shtunën në Qerret. E gjithë vepra e letrare e Kadaresë u ripah nën lupën e të rinjve, që të çliruar nga kohët e analizat, pyetën mbi ndjesitë e tyre, duke e kthyer takimin në një bisedë të lirë. Takimi nis me një lajm mbi një ekranizim të jetës së tyre në një film francez.

“Më kanë kërkuar të drejtat e librit tim me kujtimet e jetës së përbashkët dhe do bëhet film, si bashkëpunim, shqiptar, francez e belg”, thotë Helena Kadare, ndërsa qesh kur thotë se ka parë dhe fotografinë e aktorit që interpretojë rolin e Ismail Kadaresë. Biseda nis me romanin “Pallati i ëndrrave”, ku ai u pyet mbi mundësinë që ka njeriu të arratiset bashkë me mendimet e tij, në rastet kur ushtrohet presion dhe kontroll? Për shkrimtarin, vepra u shkrua në kulmin e diktaturës dhe vetëm një i metë nuk e kuptonte se për çfarë flitej në të.

Vepra “Kronike në gur” nxori në pah qasjen e Kadaresë mbi Fëmijërinë dhe ndjesitë e tij të vegjëlisë që u ruajtën dhe u hodhën në fletë, kur në moshë të madhe, shkroi veprën duke ruajtur naivitetin e fëmijërisë. Kadare tha se “Jeta e shkrimtarëve është burim për ta. Unë fëmijërisë i jam rikthyer në disa vepra. Me ndjesi të ndryshme, si brengë dhe lumturi, por pa ndonjë spekulim. E kam bërë se më ka ardhur natyrshëm”. Një tjetër ndalesë e të rinjve ishte romani “Kush e solli Doruntinën” që solli në tryezë, misterin, legjendën e të vërtetën që kundërshtohet, sepse shpesh mungon forca, për të pranuar dy botë të ndryshme. “Letërsia ka rregullat e veta që nuk përkojnë me rregullat e jetës. Realizmi socialist, pati rregulla vrastare për letërsinë”.

Në këtë lami, ai foli edhe për heroin pozitiv dhe dëmin që i bëjnë stereotipat letërsisë.
“Heroi pozitiv që kërkohej në atë kohë, ishte kërkesa më absurde, madje më e çmendur për artin dhe letërsinë sepse është jashtëletrare. Shpesh shkrimtarët kanë keqardhje për atë që nuk e kanë shkruar dot, po nuk ka vlerë”. Shkrimtari që jetoi Tiranën dhe Moskën duke marrë e dhënë prej tyre, nuk sheh dallime a ndryshime te vetja pas Moskës, ngase sipas tij, logjika e letërsisë, është ndryshe nga e jona. “Personazhi pozitiv është i mërzitshëm, nuk i duhet letërsisë, ashtu si mësimet e partisë që kishin të bënin me parulla që nuk kishin kuptim. Po ashtu edhe orientimet mbi idetë optimiste e pesimiste nuk mund të merren seriozisht nga shkrimtarët ndryshe letërsia nuk do kishte vlerë”.
Për të dëshmuar dëmin e kanoneve jashteletrare, Kadare foli për letërsitë brenda kufijve të realizmit socialist.

“Nëse një shkrimtar e merrte seriozisht realizmin socialist ishte i destinujar të dështonte. Ata që e bënë dhe ata që e kërkuan, thyen ligjet e shenjta të letërsisë. Po ashtu të ecje sipas mësimeve të partisë në letërsi ishte të vije duart në kokë” -tha Kadare. Me sportivitetin që krijojnë të rinjtë, pyetjet ishin të drejtpërdrejta. Vetë Kadare, u kujdes ta ç’tensionojë herë pas here situatën, duke sjellë ndjesitë e përbashkëta. “Mos ngurroni të bëni pyetjet që doni, ose të më thoni kur kam i qartë. Ka pyetje që shkrimtari i bën gjatë gjithë jetës. Letërsia e vërtetë nuk e lë shkrimtarin të gabojë”
Në vazhdën e një mendimi mbi çka qenë letërsia dhe cili ka qenë ndikimi i saj në vend ne kohë të errëta, shkrimtari i madh, foli për të shkruarin dhe shpirtin.

“Letërsia në komunizëm, ishte e pavlerë për shpirtin njerëzor. Kënaqeshim me lugë të zbrazët, flitej për gjoja njerëz”, tha ai. Përmbledhja e poezive 1959-1989, është sa një vëllim në vargje po aq, edhe jeta e tij mes Moskës e Tiranës. Dilemat e tij dalin në një varg, ku ai i drejtohej Pushkinit për ndihmë. “I kërkova ndihmë Pushkinit që të ruaja veten nga leksionet e parullat. Është metaforë, por besoj se këtë ide kam pasur. Si studentë në Gorki, kishim liri në mendime, ose shpesh e gjenim lirinë”, rrëfeu ai. Nëse në këtë 85 vjetor ai kthen kokën pas kur pyetet për lumturinë, duket i sinqertë në atë që është perceptimi i njeriut mbi lumturinë që ka ndjerë a ndjen, dhe çastin fatlum kur e ka kuptuar.
“ Lumturia është e pagjendshme, ose e kupton vonë. Mund të them se krijimtaria, është lumturi e herëpashershme e vazhdueshme”, -vërejti.

Për të lumturia është një takim me lexues të sinqerte, a qoftë një ndërgjegje e qetë si ndërgjegje e letërsisë në tërësi. “Ribotimi i veprës me rishikime, ose herët kur kam dëshirë të punoj me të dhe ta ribotoj, është diçka që më qetëson ndërgjegjen, ose unë mendoj kështu. Shpesh kjo i vlen edhe letërsisë sepse letërsitë e lumtura janë ato që dominojnë veten”. Momentet më të vështira të jetës së dy shkrimtarëve, ishte Helena që i rrëfeu, duke i quajtur botimet e disa librave, torturë. Helena Kadare përmendi botimin e tri veprave që ju kanë shkaktuar probleme, “Dimrin e madh, Pallatin e Ëndrrave dhe poema Pashallarët e kuq”

Shkrimtari edhe njëherë sqaroi arsyet që e kanë bërë atë, të ndërhyjë në veprat e botuara, duke dhënë arsye të qenësishme, mbi pjesët që shërbyen si hi syve për censurën. “Ndërhyrjet që kam bërë unë në vepra, kanë të bëjnë me disa justifikime për budallenjtë. Dikur mendjet e budallenjve, kishin rëndësi, sepse vendosnin, ndaj ndërhyj për këtë arsye”. Për të letërsia ngërthen çdo ndjesi sepse letërsia e shtrin të vërtetën në çdo kohë. Ai foli edhe për portretizimin e Hoxhës në veprën e tij, dhe grackën në të cilën është vënë diktatori, nga shkrimtari i madh. Ka pasur studiues që e kanë quajtur mjeshtër shahu përballe tiranit, por vetë Kadare, foli për terma e fjale që gjenden mes rreshtave. “Tablloja kinoshqiptare ka qenë pak groteske, pak djallëzore, pak kritike e pak komike. Më kanë akuzuar se kam portretizuar Enver Hoxhën në dy romane, te Koncerti dhe te Dimri.

Ai del i mjerueshëm në të dyja. Por këtë nuk ia thoshte njeri, sepse nuk mundej dhe vetë ai duhet të dini që, tiranët besojnë në lavdi. Thonë që e kam parë me adhurim, më thoni ku është madhështia? Te ecja e tij e hallakatur, të përballja me Hrushovin ku përmend vetëvrasjen?”. Shkrimtari i madh, më i përkthyeri e më i vlerësuari me çmime brenda e jashtë vendit, në dy kohë e përtej kohëve e vendeve, nuk deshi megjithatë, të zgjedhë kryeveprën e tij mes veprave. Çifti i shkrimtarëve, Helena e Ismail Kadare falënderuan të rinjtë për bisedën përmes këshillash të ndryshme. Biseda me të rinjtë si bashkëpunim i klubit letrar të Kavajës, e Qendrës së Librit, i paraprin datëlindjes së 85-të të shkrimtarit që do e festojë në Shqipëri.

Dje Jevrem Bërkoviqi mori udhën e Qiellit – Nga VISAR ZHITI

POETI I MADH I MALIT TË ZI
Jevrem Bërkoviq
është një nga më të fuqishmit në Ballkan
e më gjerë, rebel, opozitar i përhershëm, akademik, mik i shqiptarëve, vëllamë i poetit Ali Podrimja…
Kam qenë në shtëpinë e tij nē Podgoricê, më çoi miku im, poeti dhe kineasti Nezir Sefaj. Na priti
me madhështi, dua të them që ai ishte madheshtor, emblematik, zëlartë, i përzemërt…
I tregova që në romanin tim “Në kohën e britmës” është personazh.
– M’i vizo në libër ato pjesë, – më tha.
– Në një kapitull është aventuara juaj në Shqipëri. – Buzëqeshi si një shkëmb.
– Poemën tuaj për Stalinin dhe pianisten, – vazhdova t’i them, – e gjetëm kur s’kishte rënë diktatura dhe ia çuam në internim prizrenasit poet, Lazer Radi, për të na e përkthyer.
I kam treguar në libër…
Pasi na dha medalionet e akademisë, na përcolli deri jashtë dhe na tregoi në rrugë ku i kishin bërë atentatin. Shoferi iu vra…
Dhe më pas nga Mali i Zi kam marrë letra prej Jevremit, kolegut të tij dhe mikut, Martinoviqit, përkthime të poezive të tyre nga miku ynë i përbashkët Smajl Smaka, kemi shkëmbyer libra,
e kam dhe atë që ia ka përkthyer
aq bukur Azem Shkreli.
Dje Jevrem Bërkoviqi mori udhën e Qiellit
dhe e ndjej si ka shungëlluar Mali i Zi
prej tronditjes.
Visar Zhiti

Ujku dhe qeni – Fabul nga FEDRI

 

Sa e ëmbël është liria, dua ta shpalos shkurtimisht.

Një ujk i ligështuar dhe i uritur takon një qen të ushqyer mirë.

“Nga na vjen me kaq shkëlqim dhe bukuri? Çfarë ha për t’u mbajtur kaq mirë? Unë jam më i fortë se ti, por vuaj nga uria ”

“Edhe ti mund të ndihesh mirë nëse dëshiron, për sa kohë që i bën të njëjtin shërbim zotërisë.”

“Çfarë shërbimi?”

“Ruajtja e shtëpisë natën dhe frikësimi i hajdutëve.”

“Po, unë pajtohem! Jam lodhur nga kjo jetë e vështirë. Duhet të jetë mirë të kesh një çati mbi kokë dhe të mbushësh barkun pa gjuajtur. Unë po vij me ty.”

Duke ecur ujku pa se qafa e qenit ishte pak e dëmtuar: “Çfarë është ajo shenjë që e ke në qafë? ”

“Oh… nuk është asgjë!”

“Unë dua ta di!”

“Ndonjëherë, ata më mbajnë të lidhur në mënyrë që të pushoj ditën dhe të qëndroj zgjuar natën. Por në mbrëmje unë mund të endem lirshëm, dhe ata më ushqejnë.”

“Por nëse do që të dalësh, a ke leje?”

“Kur të dua … jo”.

“Mirupafshim mik, unë preferoj më mirë të ha pak në liri sesa shumë në robëri!!!”/Skënder Buçpapaj

ECJE MBI XHAMA – Cikël poetik nga MUSTAFA V. SPAHIU

                   ECJE MBI XHAMA    

 

 

Muzgu qeros derdhet mbi xhama – ferr,

Shputat më janë gjakosur zjarr shqim, e

Flakë nxjerrin – si gozhdat në kushtrim,

Sëmbojnë si kongjijtë beftas nëpër terr!

 

Thërmia xhamash dritës të shpërndarë,

Provo me këmbë kanjushë të fluturosh,

Ndiz kandilash plagët – var t’i mjekosh,

Mos trazo anamenë – kërko bimë e bar.

 

Pjesa tjetër e xhamave kaq po zbardhon,

Prej horizontit breshër gurët e qiellit, po

Godasin m’rrufeshëm se rrezet e dielli, e

Gjaku po ngjizet brengat po i murron, si

 

Zemra kur vithiset e shembet pa pritë!

Dhemba trashet ofkëllima deri në kulm;

Ecja mbi xhama s’është trimëri as zulm,

Kumbonaret tingëllojnë thellë në shpirt!

 

 

E martë, 19 kollozhèk 2021, në

Dardaninë Ilire

 

                FUSHË E VENDLINDJES

 

 

 

Të kam dashuruar me shpirtkrenari,

Nëpër grunajash dhe në kallamoqe

Ti si lirishte – s’të gjeta kund shoqe,

Stërgjyshërit të ruajtën me trimëri.

 

Ky zjarr i zjarrtë që prej fëmijërisë

Kur s’m’u shua thellë n’kraharor-

Vargjesh zemre t’i thuri kurorë,oh,

Fushë e vendlindjes fole e lirisë,e

 

Kupë e qiellit si vello me dëfrime,

Në ditësh lavdie si zgjua bujarie…

Dhe mezhdat s’presin ujeme urie

Qeshin frutet fushës me lavdime.

 

Fush’e vendlindjes merr një amanet:

Mua me shoq’e shokët na dhæ dritë…

– Na jep forcë për t’u mos u venitë,e

Nga të tjerët të këndon – i yti – poet!

 

Fush’e vendlindjes breroresh n’fytyrë,

Nesër mrekulli mund ta kesh,brezin –

E ru që vjen – dhuratash ta shpërblesh;

Çdo valë lumi ta shfaqën në pasqyrë…

 

Fush’e shtrenjtë û rroj me njerëzinë,

Për ty po stisi margaritar me mënd,

Zemra ime është në shpirtin tënd, e

Fjala jote e përimton tërë poezinë…

 

 

E enjte, 21 kollozhèk 2021, në

Dardaninë Ilire

 

KURRILLA OGURMIRË

 

 

Ngjatjetoj lumin fisnik sinqerisht,

Shklasin dallgët s’di si më mirë –

Krahapur vjen kurrilla ogurmirë –

E tund sqepin aq përzemërsisht.

 

Të dy sytë i shkrepin një dashuri,

Lehtë ulet prej fronit aq të lartë, e

Sqepit nxjerr krrokamë t’zjarrtë,

Kur sodit më t’madhen mrekulli!

 

Dy brigjesh hovet duke fluturuar,

Kurrilla krenare e përplot guxim-

Unë rri gati m’mbush frymëzim,

Natyrës kërkoj vargun e qëruar.

 

Më thuani miqësinë kush s’e don?

Te lumi takoheshim për çdo ditë…

Me kurrillën përmot unë jam rrit –

Thuri shpresë zogu ende fluturon!

 

Ardhja e kurrillës kishte një vlerë,

Me pendlat e paçta dukej tej larg

Dhe zogjtë tjerë vinin varg e varg

N’vendlindjen e tyre ku kanë lerë.

 

Tri stinësh shelgjet s’kishin portë,

Qielli zbarkohej nga shtegtimet,e

Plepat t’parët merrnin përqafimet;

Kurrilla “ime” vinte pa pasaportë.

 

Për kurrillën ndjejë ‘i dhëmbshuri!

S’dua kjo këngë helme t’iu sjellë,

T’panumërtat mistere ikën thellë!

Kurrilla gjeti folenë në këtë poezi.

 

 

E enjte, 21/22 kollozhèk 2021, në

Dardaninë Ilire

 

NGA GJUHË BLETE DEL

                                 FJALA

 

 

Përbiroje fjalën gamile me fije

Të tyltë në vesh gjilpëre yjesh

N’gishtërinjtë e vestaleve fute

Bërthamën n’fetus të virgjërt.

 

Nga gjuhë blete del fjala, sa

Larg meje n’urë buzësh – fjaf

Ndrit shpirti zhgrehet rrufeja

Hapen fluturimet degë vatre.

 

N’praninë time bleron kujtimi

I pranoj fjalët pa u përkulur,një

Unazë ilire më vizatohet ylber

N’mollëza t’fytyrës dikon krua.

 

Përkulem t’i ngjasoj rrënjëve

Buzëqeshja e agimit m’shfaqet

Rretherrotull nektari ma zhduk

Sëmundjen zogu s’ndal cic’rime.

 

T’mbarës s’i ndahem me gjuhën

Qepi qiellin e grisur me arnat blu

Pikojnë metafora pse shiu fshehet

Në gjuhë blete këlthet bukuria, as

 

Fjala s’të mashtron shpresa e fati

Piqen në zjarrin magjik të gjakut-

Unë e mashtroj fjalën në gjakoj lojën

Gabimisht t’keqkuptuar të urtisë.

 

 

E shtunë, 23 kollozhèk 2021, në

Dardaninë Ilire

 

             NJË PËRGJIGJE KARAGJOZËVE

 

Pa pardon t’shartuar jeni karaskaqë,

Ballë, hundebuzë uritur – fytyrëçarë

Në rropulli mallkimesh jeni t’vrarë –

Udbashët iu kanë mëkuar me kulaç.

 

Keni ndopak dinjitetin e shqiptarëve,

Bëni tuxharllëk me dreqin e të birin!

Me Nikolla Pashën,Esat Toptan qafirin,

ADN-ët e gjenit i keni si të gomarëve.

 

Në mua anakonda çka jeni hakërruar?

Nëntë vite po derdhni helme të therta,

Ju eunuk me malloçet e shterpëta,në

Shtrezash sogjoni natë e ditë t’zgjuar.

 

Publikisht! Për tutë s’ndi kur hiç e hiç!

Këtë lëkurë s’e ndërroi me tjetër lëkurë;

Llafe boshesh shajaku s’është lënurë;

Atkina s’ka pjellë asnjëherë dot kërriç?

 

Stojan Andov[1] iu futi në lojëra të kota,

Resore ministrash iu pati premtuar, Be-

Dele ngelët mëkatarë më të turpëruar

Dhe të pështyrë mbi ju po qesh BOTA!

 

 

E shtunë, 23 kollozhèk 2021, në

Dardaninë Ilire

[1] Stojan Andov,  spiker i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, disa mandate në legjislacionet e Parlametit. I dalluar si albanofob i regjur ekstrem!?!

 

THARMA E BLERIMIT

 

 

Vetveten ngjeshi n’tharmë të blerimit,

Me ujin e paparë – rruazat e shpresës,

Të përtritëm si bar rrënjve t’qëndresës

Dhe murriz qofsha n’stom të kujtimit.

 

Poezia ime të mos vuan për lagshtirë!

Me zemër ta magjepsi t’egrin gjarpër,

Me mirësi të këngës të rrimë në vatër

Për njëri – tjetrin të kemi pak mëshirë!

 

Ndrydhur e ngjeshur për jetë tē jetës,

Emblemë blerimi u bëftë mbrothësia,

Me rreze dielli të më ngroh dashuria

Fjal’e zgjedhur mbi krahët e vërtetës.

 

Tharm’e blerimit me aromë ka ardhë,

Me qiqra t’mimozës,me djersë gatuar;

Kalliri vargjesh me çdo kokërr praruar,

Këngës borxh i kam ngjyrën e bardhë!

 

 

E martë, 19 kollozhèk 2021, në

Dardaninë Ilire

Hapni dosjet – Poezi nga Neki Lulaj

 

Po hapni,  bre ato arka të mbyllura

Hapni ato Arkiva gjëmëmëdha!

Ju që rrini si thëngjill i ndezur, si struci.

E fshiheni pas ofshamave  si mëkatarë

 

Kujeni ju?

Ju oficerë fallco që mbanit çelësat e thesarit

Hapni  ato bashkë me sejmenët tuaj!

Se I fshihni nëpër gungat e qafës së malit.

Dosjet  e krimit, përt ë cilat  toka ju ka mallkuar

 

Hapni  more ato mistere  të shohim  padrejtësitë

Kush iu priu shtegut e rrufeve të krimit

E pa faj  vrau,   plaçkiti si në një lukuni

Në terrin e hipokrizisë  urrejtjes e nënçmimit

 

Hapni se shuhet dhimbja  e nënave shamizeza

Në horizontin shurdhmemec misteri ende  gjemon

Gjarpëron si vetëtimë në qiellin ku duket rrezja

E dalin plagët vdekjeprurëse që ende kullojnë.

 

Zbardhni  me drejtësi dosjet të krimeve të rënda

Nxirrni dosjet e vrasjeve  politike dhe  pritat.

Duam të shohim të vëretën që është brenda.

Se na  vrasin si gjilpera si heshta, si shtizat.

TRIP-TIK-LIRIK – Cikël poetik nga THANI NAQO

 
GJUMË TË THELLË EDHE QENTË NË FSHAT
.
Po qe se ti më ke fshirë nga kujtesa,
Gjer sot, kjo gjë, s’ka ndodhur me mua.
Më të bukur, se ç’je, të bëj me vjersha,
Ëndërr e ëndrrave të patreguara.
.
Po qe se ti ma ke shurdhuar hapin,
Hija ime s’të ndjek nga pas.
Për ty, pa gjumë, sërish e lë fshatin,
qentë egërshanë do lehin plot gaz.
.
Po qe se unë ta trazoj gjumin,
Mos e ngjyro dashurinë me terr.
Cilido që ty ta prek kurmin,
Më mirë se unë s’të përkëdhel.
.
Po qe se ti ma ke harruar fytyrën,
Buzët e mia ngjitur i ke.
Hajt, të përziejmë për të fundit herë frymën,
Unë mos plakem, ti të mbetesh e re.
***
Po qe se, (vërtet!,) më ke fshirë nga kujtesa,
E unë, (ta dish!,) do të t’ fshij pak e nga pak.
Sa mirë mos më shfaqesh nëpër vjersha,
Në gjumë të thellë edhe qentë në fshat…
2013
.
MË DUKET SE BASHKË KEMI NJË SHEKULL
.
Më duket se bashkë kemi një shekull,
I fundmi thëngjill më kleit në gjoks.
Marrëzisht, mendoj, edhe zjarri yt’ ka vdekur.
Marrëzira, marrëzira, marrëzira për kot!
.
Më duket se bashkë do bëjmë dhe ca rrugë,
Ku vallë është fundi i saj?
Ti thua: “Atje, ku mbollëm puthjen e parë,”
Unë them: “Diku gjetkë edhe ca më larg.”
.
Më duket se bashkë do jemi edhe atje,
Ku lulet çelin në çdo stinë.
Edhe thekët e yjeve varen gjer përdhe
Dhe heshtja e dashuria krah për krah rinë.
2018
.
BUKURIA VRASTARE
.
Bukuria jote, kur isha djalë,
Edhe hënën e vishte me ndryshk.
Një re, si zemër, loton sot e vrarë,
Pikëllon kalldrëmi me myshk.
.
Të krisur më morën, si me magji,
Sytë e ëndrra që s’vdes.
Ç’ë se s’t’i preka buzë e gjinj,
As flokët derdhur mbi bel.
.
Nga pas të ndiqnja,porsi gjahtar,
Paçka se një tjetër dashuroje.
Por ja, ai tjetri, dashurinë e heq zvarrë,
gjersa e shkel si lëvore.
.
Ende ri larg, dua të afrohem,
Të bindem  se bën magji.
Në ndodh, sërish, të plagohem,
Bukuri Vrastare je ti.
2009

PIRAMIDA TË REJA MASKASH…. – Poezi nga TON ZMALI

Sikur nuk na mjaftonin
Maskat e pafund të përditëshmërisë
Frymor e qenje shumeftyrash
Vrastar e dordoleca shpirtrash…
Që me maska fjalësh
U ngjitën në Olimpe maskash…
Dhe atje me pabesi
U vetshpallën perendi…!?
Rreth vetës mblodhën kopetë me mijë…
Ata glacuan e banë pis çdo bukuri…
Piramidat e mashtruesve e karkalecave
Piramidat e gjarpnive e brevave
Piramidat e vrasjeve të zeza, të kuqe e të fshehta
Piramidat e zagarve, qenve e meqkave
Piramidat e xhunglave e maskave të reja
Piramidat e gjembave, murrizave e ferrave
Piramidat e ajrit të pistë e votrave të shitblera
Armata skllevrish mbanin te dera
Nji virus i padukshem nji ditë u shfaq i fortë
Dhe i rrafshoj Piramidat ma të medha në botë
Faraonët e rrëme me mumjet e perendive
U gjunjëzuan pa kushte,
Nën glacat e mijve…
Nën maskat e syve….
TON ZMALI ATHINË

Dhelpra dhe maska – Fabul nga Fedri

 

Fedri

Një dhelpër një herë hyri në një teatër dhe, ndërsa rrotulloi nëpër kostume, gjeti një maskë argjile të modeluar në mënyrë perfekte. Dhelpra ngriti maskën dhe, duke e mbajtur midis putrave, bërtiti duke qeshur: «Çfarë koke madhështore! Por është për të ardhur keq që ajo nuk ka një tru ”.

Kjo fabul vlen për të gjithë ata njerëz me trup të bukur, por që nuk kanë shpirt dhe inteligjencë./Skënder Buçpapaj


Send this to a friend