Pas debatit publik që zgjati më shumë se gjysmë viti, Kuvendi federativ miratoi më 21 shkurt 1974, kushtetutën e re të RSFJ. Disa ditë më vonë secili kuvend republike dhe krahine autonome miratoi kushtetutën e vet. Kushtetuta e KSA të Kosovës u miratua më 28 shkurt të vitit 1974. Kjo ishte kushtetuta e parë e KSA të Kosovës.
Kushtetuta Federative e përcaktonte KSA të Kosovës si pjesëmarrëse të drejtpërdrejtë në kushtetutën e federatës.
Gjendja e shqiptarëve në Kosovë u përmirësua dukshëm nga vitet 70, e sidomos me nxjerrjen e Kushtetutës së Kosovës, së paku në çështjet e teorisë kushtetuese. Kushtetuta e re jugosllave e vitit 1974, që mbeti në fuqi deri në shthurjen përfundimtare të Jugosllavisë, i siguronte Krahinës Autonome të Kosovës një status të barabartë, në shumë rrafshe me ato të republikave.
Pavarësisht nga arritjet pozitive për autonominë e Kosovës, që bartte sistemi kushtetues i vitit 1974, ai kishte edhe kufizimet e veta. Parimi kushtetues i barazisë kombëtare që sanksiononte Kushtetuta e RSF të Jugosllavisë për statusin politik të popullit shqiptar, respektivisht të KSA të Kosovës, nuk ishte konsekuent. Kjo shihej në gjithë përmbajtjen e Kushtetutës, po edhe me rastin e ngj arjeve të pas vitit 1981, deri në mbarim të luftës së fundit, shkruan Kosovapress.
Por t’i kthehemi pak historikut të shqiptarëve nën Jugosllavi. Në Bujan në vitin (1943-1944) u arrit një marrëveshje ndërmjet komunistëve nacionalistë e patriotëve të tjerë shqiptarë dhe nacional-komunistëve serbo-malazeze për respektimin e të drejtave të popullit të Kosovës e të Rrafshit të Dukagjinit pas lufte, të drejta që shkonin deri tek shtetformimi dhe shkëputja nga Jugosllavia e Versajes, marrëveshje që u prish nga Millovan Gjilasi, me urdhër të Titos.
Më 27 nëntor 1968, në Prishtinë e në disa qytete të Kosovës, si dhe në disa qytete të Maqedonisë, për herë të parë u kërkua publikisht, nëpërmjet demonstratave të organizuara nga lëvizja kombëtare e kohës, që Kosova të bëhej republikë.
Sipas njoftimeve zyrtare pati një të vrarë dhe shumë të plagosur nga njerëzit e UDB-së, që sulmuan demonstruesit dhe nga demonstruesit që u mbrojtën”.
Në Kosovë u hap më 1970 Universiteti i Prishtinës. Nëse pas Procesit të Prizrenit shqiptarët persekutoheshin për armë, serbët thanë se me hapjen e këtij universiteti “shqiptarëve ua dhamë topat”! Ky ishte viti më i mirë për shqiptarët në ish Jugosllavi.
Kosova kishte Akademinë e Arteve dhe Shkencave, si dhe Radiotelevizionin e Prishtinës, institucione këto që i çelën rrugë ngritjes së tyre intelektuale e kulturore. Në pranverën e këtij viti (1974) marrin hov po ashtu punimet në ndërtimin e Pallatit të Shtypit, që edhe sot njihet si Rilindja, e që ishte motor i zhvillimit të shqiptarëve.
Në këtë vit miratohet Kushtetuta e re e Jugosllavisë, me të cilën shqiptarëve u njihen më shumë të drejta, kurse Kosova bëhet element konstitutiv i Federatës jugosllave. Serbët do të punojnë shumë që këtë realitet ta ndryshojnë, sidomos pas vdekjes së liderit komunist të Jugosllavisë, Josip Broz Tit o (4 maj 1980).
Më 11 dhe 26 mars të vitit 1981 shpërthyen demonstratat studentore të Universitetit të Kosovës. Ata, dy dekada para përfundimit të mileniumit që e kemi lënë pas, do të kërkonin vetëm atë që iu takonte – të drejtën e tyre, kërkonin që kjo pjesë e robëruar të fitonte lirinë e merituar.
Kështu, 15 vite më vonë, me më 23 mars 1989, nën sundimin e Kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, do të suprimohet autonomia e Kosovës, apo ajo që edhe sot njihet si Kushtetuta e vitit 1974. Fatkeqësisht, delegatët shqiptarë që ishin kundër këtij ndryshimi, apo ripushtimi klasik, numëroheshin me gishta. Nga 190 delegatë të tri dhomave sa kishte atëherë Kosova, Riza Lluka, Melihate Tërmkolli, Shkëlzen Gusinja, Ukë Bytyqi, Sadik Zuka, Remzi Hasani, Menduh Shoshi, Bajram Buçani, Mehdi Uka dhe Avdi Berisha votojnë kundër suprimimit të asaj autonomie. Dy delegatë thuhet se abstenojnë, ndërsa 25-30 mungojnë në seancë.
Komentet