Më 20 tetor 1900 mbylli sytë dhe heshti muza e poetit kombëtar, Naim Frashëri. Shqipëria aso kohe nuk ishte ende shtet i pavarur. Madje shumë mendonin se, pas 5 shekuj pushtim turk, as që do duhej të flitej për arbërorë, ilirë apo pellazgë. Gati- gati, tinëz, ishte ushqyer teza se atje ka vetëm njerëz që besojnë në fenë islame, pra një popullatë e turqizuar, ndaj ai territor, ajo mrekulli e natyrës, si në çdo luftë, duke e parë si një vend pa zot, pse të mos shqyhej e të mos trajtohej si plaçkë lufte? Të rrëmbehej nga të tjerë, që historia i sillte si fitues.
Të shqetësohesh për fatin e atdheut dhe mbrothtësinë e tij është një nga ato punë të vyera dhe me shumë vlerë në historinë e një populli. Në këtë kuptim, poetët kombëtarë ngrihen si vala e zhgulmtë përballë përgjegjësive historike. Në kohë të qeta, pa trazira dhe pa fate të rrezikuara, nuk është e mundur që historia e shoqërisë njerëzore të takojë tribunë të tillë të mendimit, kurajozë të frymëzimit dhe përfshirjes drejt përgjegjësisë historike.
Të rreshtosh disa tipare të dallueshme dhe tipizuese të poetit Naim Frashëri, si: romantizimi, panteizmi, lirizmi, patriotizmi, frymëzimi fetaro-laik, etj, ke thënë goxha, por jo shterueshëm. Të gjitha sa përmendem me lart, nëse duam t’i shohim të bashkuara dhe shprehura në një tjetër shprehi, është “Përgjegjësia për fatin e atdheut”.
Ndaj pyetja që kërkon përgjigje edhe sot, 125 vite pas “fikjes së qiririt” Naim Frashëri, është: Çfarë do të thotë të jesh poet kombëtar?
Të jesh “poet kombëtar” do të thotë të jesh një krijues letrar, që njihesh gjerësisht si përfaqësues i idealeve dhe kulturës së një kombi, shpesh duke shërbyer si hero kulturor. Ky mund të jetë një titull jozyrtar, si psh titulli jozyrtar për William Shakespeare, i cili njihet si poeti kombëtar i Anglisë, ose një pozicion zyrtar qeveritar, si “poeti laureat”, që emërojnë shumë vende. Ndaj këtu do doja të tërhiqja vëmendjen, që poetët, si: Naimi, Fishta, Mjeda, Shiroka, Migjeni, Poradeci, janë poetët kombëtarë që, si të tillë, i njohu dhe vlerësoi populli, duke patur si kriter matës dhe çmues, vetëdijen kombëtare dhe shërbimin e tyre për fatet e popullit dhe të kombit.
Poetë të tjerë, që vlerësohen apo edhe laureohen, nga periudha politike kur krijojnë dhe autoritetet e asaj kohe, kanë si matës dhe gjykues interesat politike dhe propagandën e periudhës. Kjo lidhet edhe me tematikën dhe idealet që sillen si muza e tyre krijuese.
Sërish atdheu është “ylli polar”, por mënyra se si shihet atdheu, udha e tij e ndryshimeve, heroi apo heronjtë e kohës, betejat që duhet të përballë atdheu, janë të ndryshme. Poetët e laureuar ndryshojnë nga poetët kombëtarë, edhe në mënyrën se si e shohin popullin. Ata dallojnë skajshëm në lidhje me kultet që ngrihen dhe deri hyjnizimet. Nuk janë të njëjtë në qëndrimet ndaj historisë së mëparshme, që nga koha e mugëtirave. I trajtojnë jo me të njëjtin metër kontributet dhe sakrificat, martirët dhe shpinakthyesit.
Poeti kombëtar dhe ai politik kanë qasje jo të njëjta ndaj natyrës, traditës, gjuhës, dokeve, besimeve dhe marrëdhënieve me zotin. Idoladhurimi kombëtar dhe principialiteti politik, qasen ndryshe edhe ndaj problematikave delikate, që kanë të bëjnë me bashkëjetesën apo luftërat me fqinjët, me kujtesën historike, me baladat, folklorin dhe traditat antropologjike, me etnokulturën dhe mitet, etj. Një poet i njohur zyrtarisht, ndonjëherë nga një sovran ose qeveri, ky rol është shpesh një pozicion i paguar brenda një familjeje mbretërore ose një pozicioni qeveritar.
Titulli “Poet i laueruar” e ka origjinën nga Greqia dhe Roma e lashtë, ku poetët nderoheshin me një kurorë laureate. Në një farë kuptimi, është me shumë rëndësi të kuptojmë se poeti kombëtar është një hero i muzës, ku shpërfaqet liria. Ndërsa një poet laureat është më pak i lirë, si në muzën krijuese, ashtu edhe në ndërtimin e tij poetik. Tek e fundit, ai shpesh tingëllon si krijues i mendimit të porositur. Kompromisi mes lavdërimit të sundimtarit dhe aftësisë krijuese e zbeh talentin dhe e sjell të ndërvarur nga një faktor jo poetik, jo estetik.
Me pak fjalë: Termi “Poet kombëtar” nuk është një pozicion i paguar, por një titull nderi për poetët, puna e të cilëve është thellësisht e lidhur me historinë dhe kulturën e kombit të tyre. “Poet kombëtar” është shpesh një titull respekti për figurat historike, ndërsa një Poet Laureat është një pozicion i paguar, ai është i ndryshëm nga të qenit një “Poet kombëtar”.
Përse e duan dhe e vlerësojnë italianët Danten? Dante Alighieri, i njohur shpesh thjesht si Dante, konsiderohet gjerësisht si një nga figurat më me ndikim në historinë dhe letërsinë italiane. Kryevepra e tij poetike, “Komedia Hyjnore”, jo vetëm që përcaktoi gjuhën italiane, por luajti gjithashtu një rol vendimtar në formësimin e identitetit kombëtar të Italisë. Po ne, a kemi të drejtë dhe bindje që ta themi të njëtën gjë për poetin Naim Frashëri? Unë mendoj se PO.
Letërsia shqipe, e nisur herët, sigurisht dhe me kontribute nga shumë zëra të tjerë seriozë dhe atdhetarë, kulmon me artin dhe poetekën naimiane. Shqipja u shpërfaq aq e pasur dhe aq e begatë, artistike dhe estetike, tingëlluese dhe e shkruar, bazuar në rregulla korrekte të sintasksës, morfologjisë, fonetikës dhe ortografisë. Po tejkalohej pengu historik i ligjërimit gojor, rapsodisë orale dhe rrëfenjave historike gojë më gojë dhe brez pas brezi. Po zgjohej e lëvruar vetëdija kombëtare.
Naim Frashëri e risolli në vëmendjen antropologjike të kohës së tij, historinë dhe kulturën e popullit tonë ndër breza, si periudha, civilizime dhe epoka, duke ndërtuar kuptimin mbi identitetin tonë historik. Në punimin e tij me titull; “Istori e Shqipërisë” botuar më 1899-tën, Naimi shkruan:
“Edhe sot Shqipëtarët ndahenë në filirëra, si Toskë, Gegë, Çamërë, Labërë, etj., etj., po janë gjithë një komp e kanë një gjuhë. Gjuha shqipe e sotme është Pellasgishtja, q’ësht’ e bij e Sanskritesë, q’është gjuh’ e Hindit të vjetërë dhe mëm’e gjithë gjuhëravet t’Europës. Po duke parë gjithë gjuhët’ e shkruara të moçime, që janë ndruarë, nuk mundimë të themi se Shqiptarët’ e moçim flisnin gjuhënë tënë si është sot së gjithash”.
Më tej poeti me një një ndjenjë përgjegjësie, vijon, e citoj:
“Qysh rrojti një komp mijëra vjet pa shkronja në mest të fqinjëve me shkronja? Janë shumë dhe nga të dituritë që kanë thënë se Shqiptarët’ e vjetërë kishinë shkronja të gjuhës së tyre e pasdaj kanë humburë…Janë gjendurë gurë gërmadhash në Shqipëri të mbeturë nga koh’e vjetërë, të cilëtë janë shkruarë me gjuhë shqip dhe me shkronja shqip. Këto shkronja u shëmbëllejnë më shumë shkronjavet të Finikaset, se shkronjavet’ e vjetëra t’Elinëvet (Lexo Helenëve P.Kabo). Andaj thonë se Shqipëtarët’ e vjetërë i muarrë shkronjatë nga Finikasitë, Grekët’ e moçim i muarrë nga Shqipëtarët. Po shkronjat’ e vjetëra të Shqipesë vetëm nër gurë, që thamë më sipër, i shohëmë nukë gjetkë. Andaj ja shtijemë që s’janë përdorurë shumë” – Naim Frashëri, VEPRA 5-Faqe 194, 195, Botime Toena, botuar nën kujdesin e akademikëve, Rexhep Qosja dhe Jorgo Bulo, Tiranë 2007.
Identiteti kombëtar është i lidhur me historinë dhe poeti kombëtar e kryen këtë mision gjithëshërbyes. Arsyeja është se identiteti kombëtar lidhet me njohuritë e historisë, sepse historia ofron ngjarjet e rëndësishme përgjatë kohërave dhe epokave, të njeh gjerësisht me traditat dhe përvojat e përbashkëta, që formojnë një vetëdije tërësore qëllimesh dhe përkatësie të përbashkët midis njerëzve. Njohja e historisë ndihmon në krijimin e një rrëfenje kolektive, që nxit krenarinë dhe tërë bashkimin kombëtar. Historia, gjithashtu, kur shndërrohet në kujtesë të përbashkët antropologjike, shërben më së miri për të ruajtur trashëgiminë kulturore dhe ofron një bazë për të kuptuar vlerat dhe institucionet e ditëve të sotme.
Nëse edhe sot shtrojmë pyetjen: “kush jemi ne shqiptarët?”, përgjigjja do ishte e rregullt dhe bindëse nëse ajo do të niste udhëtimin formulues se nga vijmë ne, kur zë fill origjina jonë, cilën gjuhë flasim, cilit qytetërim ne i takojmë, nga jemi orientuar dhe si kemi kontribuar në zhvillimin e përgjithshëm. Nëse do ta shpërfytyrosh një popull apo një komb, mjeti efikas është t’i shpërfillësh kontributet, kështu ai popull shitet në tregun e vlerësimit si jo i rëndësishëm, si një lloj bárre për fuqitë e kohërave apo, më keq akoma, si një “çiban” për popujt fqinjë.
Prishja e ekuilibrave në marrëdhëniet rajonale dhe më gjerë, është një nga mënyrat për të ngritur gishtin e të akuzosh një popull, i cili trajtohet si i nivelit të ulët, bezdisës në kancelaritë vendimmarrëse dhe problematik në vijimësinë historike. Ky lloj vizatimi dashakeq ndaj shqiptarëve e shqetësonte poetin tonë kombëtar. Ai nuk mund të heshtte, kur nderi i popullit të tij përbuzej, poshtërohej me qëllime të mbrapshta, ksenofobe apo shovene. Nderi i popullit të tij është thelbësor për një poet kombëtar. Përndryshe do të ishte e pamundur të formësohet kuptimi dhe përgjegjësia ndaj identitetit kombëtar. Pa detyrimin ndaj nderit kombëtar, që është krijuar dhe ushqyer nga breznitë ndër shekuj, si mund të nxitet dhe të ushqehet uniteti, si mund dhe pse do duhet të ruhet trashëgimia kulturore? Poeti kombëtar e bën këtë detyrë ndaj kombit të vet përmes artit të tij, duke shkruar në një gjuhë kombëtare dhe duke iu drejtuar përvojave, historisë dhe aspiratave të kombit.
Naim Frashëri frymëzoi krenari, ngalli shpresë dhe farkëtoi një ndjenjë që ushqente qëllime dhe bindje kolektive, të cilat kontribuan në ndryshimin shoqëror dhe përparimin kombëtar. Kur të tjerët nuk t’i njohin kontributet, kjo nuk është thjesht harresë. Janë veprime të qëllimshme për të të nënçmuar dhe poshtëruar, pse jo edhe për të të akuzuar nesër, në një kohë të zbrazur nga kujtesa e saktë, për ato që s’i ke bërë, dhe më tej akoma, për të ta vjedhur historinë.
Është poeti kombëtar ai i cili e mbron historinë e popullit të tij, duke formësuar fillimisht identitetin kombëtar përmes artit tij. Nëse ai nuk e kryen një detyrë të tillë kombëtare, zor se mund të vlerësohet si poet kombëtar. Një aspekt tjetër është qartësimi se cilat janë idealet kulturore të popullit të tij. Ai e ka përdorur poezinë për të ngjallur emocione dhe për të frymëzuar krenari. Janë poetët kombëtarë, që e sjellin dhe analizojnë të kaluarën përmes kredos së vlerave dhe kontributeve të kombit të tyre. Në këtë peizazh të gjallë, gjithçka shpërfaqet duke përkujtuar triumfet, duke vajtuar tragjeditë dhe duke krijuar një kujtesë tërësore, që pasqyron frymën dhe besimet kombëtare.
Naim Frashëri është një bartës i këtyre idealeve dhe përgjegjësive. Poeti ynë kombëtar është një mbrojtës i të vërtetave historike të popullit të tij, larg qendrimeve të skajshme, teprimeve apo të pavërtetave. Me artin e tij të fjalës, ai është një luftëtar i identitetit të të qenit shqiptar dje, sot dhe nesër. Naim Frashëri ngriti zërin e protestës, që të mos na vidhej historia. Jini të vetëdijshëm se cilët jini ju, shqiptarë, mësoni drejt dhe pa shtrembërime historinë tuaj, përndryshe, nëse do jeni nesër një popull pa histori, pa kontribute dhe sakrifica për veten dhe për të tjerët, do ju trajtojnë si mjeranë të histories! Le të citojmë disa vargje nga vepra e Naim Frashërit, me titull: “PARAJSA DHE FJALA FLUTURAKE (1894), NAIM FRASHËRI ,VEPRA 2, Faqe 110, botimet Toena, botuar nën kujdesin e akademikëve Rexhep Qosja dhe Jorgo Bulo). E citoj:
Aleksandr’ i madh i ndjerë
Kombinë tën’ e nderuan
Dhe shumë shokë të tjerë,
Dhe Evropën’ e shpëtuan
Q’ishinë me të të parë,
Nga kurt’ i zi i Persisë,
Qenë gjithë Shqipëtarë
Dh’i dhanë nder Shqipërisë
Muntnë së pari Greqinë,
Pirua Romanët’ i mundi
Pasdaj muntnë dhe Persinë
Kostandin’ i madh, q’i thonë,
Zunë dhe Hind dhe Afrikë
Dh’ajy ish nga fara jonë,
Burrat trima pa frikë.
Gjithë ç’qenë të mëdhenjtë
S’qenë as Grekë as Bullgarë,
Ishin burra Shqipëtarë.
E vërteta historike e një populli nuk mund të vidhet përgjithmonë, sepse ajo ruhet në forma të ndryshme, siç janë: traditat gojore, artefaktet fizike dhe kujtesa kolektive, të cilat i rezistojnë fshirjes së plotë. Ndërsa mund të bëhen përpjekje për të shtypur ose rishkruar historinë, qëndrueshmëria e kulturës njerëzore dhe puna e vazhdueshme e poetëve kombëtarë, historianëve seriozë, arkeologëve punëshumë dhe pasardhësve të tyre, për të zbuluar dhe ndarë provat, risjellin argumenta që e kaluara të mos humbasë përgjithmonë.
Në kulturën europiane dhe më gjerë, frymëzimi në periudha të ndryshme vjen nga vepra dhe sakrifica e atij që njihet si heroi kombëtar. Ndodh kështu për disa arsye, dhe konkretisht heroi kombëtar frymëzon poetin kombëtar, sepse falë gjithçkaje që ai ka bërë për atdheun dhe popullin e tij, ka mishëruar idealet, vlerat dhe kontributet e historisë kombëtare. Heroi kombëtar që vjen në vargjet e poetit kombëtar, si askush tjetër përfaqëson luftërat dhe sakrificat e bëra për vendin dhe kështu poeti ofron një simbol të fuqishëm të identitetit kombëtar.
Poetët frymëzohen nga jeta e një heroi për të shpërfaqur temat e patriotizmit, të sakrificës dhe se ku i kanë themelet e kombit të tyre. Vepra të tilla (si në rastin e Naimit tonë, “ISTORI E SKËNDERBEUT” (1898), botuar në veprën 4, përgatitur nga akademik REXHEP QOSJA), të ndihmojnë në përcaktimin dhe përforcimin e një ndjenje identiteti dhe krenarie kombëtare.
Sot ka një lloj indiference, mungojnë studime të thelluara dhe në vend të tyre takojmë shpesh edhe në mendje të lëvruara, sulme të pabesa ndaj heroit kombëtar, duke përdorur insinuata gjenealogjike, që të tregojnë se Gjergj Kastrioti nuk paskësh qenë shqiptar. Disa duan ta bëjnë serb e disa grek. Disa çartin dhe nuk ndalen në vetëdashurinë perfide të na thonë se heroi ynë kombëtar është një mit i sajuar nga sistemi i djeshëm komunist.
Sjellje të tilla ndaj heroit kombëtar janë jo thjesht të patolerueshme, por më së pari janë krime ndaj historisë së popullit tënd. Natyrisht ka mes nesh edhe të tillë, të paditur dhe të shitur.
Por le të kthehemi te poeti ynë. Te poema “ DËSHIRA E VËRTETË E SHQIPËTARËVE (1886) e sjellë në shqip nga Pano Çuka dhe e përfshirë në botimin e plotë, libri 1 përgatitur nga Akademik Rexhep Qosja, lexojmë:
Turqit, bishat gjakatare,
shkatëronjësit e botës,
Porsi ujqër të uritur
njerëzve u shqyen zorrët.
Perëndimi mbarë dridhej
nga të frikshmit barbarë
Dhe arusha u kish mbetur
e vdekur, pa shpirt në duar.
Asnjeri guxim nuk pati
t’i luftonte ato bisha.
Po ndërsa të gjithë ulën qafën
nën zgjedhën e zezë.
Një komb vetëm i guximshëm,
një komb trim i papërkulur,
U rreshtua para tyre
edhe më t’u kalli dërrmën.
……
Kush qe, vallë, atëhere
ai prijësi kombit.
Ai trimi sypatrembur
dhe ajo shqiponjë mali?
Mos qe Marsi a Minerva,
a mos qe Zeusi vetë?
…….
Lëri mitet e Homerit
për Akilin këmbëshpejtë,
Lër Eneun adhuronjës
dhe përrallat e Virgjilit,
Se heroi i vërtetë
tani njihet nga të gjithë,
Është prijësi i shqiptarëve,
është Skënderbeu i madh.
(NAIM FRASHËRI 1, faqe 218, u përgatit nga akademikët Rexhep Qosja dhe Jorgo Bulo, botime TOENA)
*****
Poetët romantikë të shekullit XIX ndërtuan një raport krejt të veçantë dhe origjinal me natyrën. Në vendet e zhvilluara kapitaliste kjo marrëdhënie kishte të bënte me adhurimin e natyrën, duke e përjetuar atë si një strehë njerëzore, ndryshe nga industrializimi. Për ta natyra ishte një burim frymëzimi shpirtëror dhe emocional dhe një mënyrë për t’u rilidhur me një ekzistencë njerëzore të perceptuar kaherët si më të pastër dhe më organike.
Ata e shihnin natyrën në një kontrast të fortë me botën e ashpër dhe të mekanizuar të Revolucionit Industrial. Natyra e mirëfilltë, e pandotur, ishte një burim i epërm i mençurisë, emocioneve dhe udhëzimit moral, duke u frymëzuar me nevojën e Iluminizmit për arsyen. Te Naim Frashëri kemi një veçori ndryshe. Adhurimi i natyrës deri në një kulmim panteist (perëndia e shkrirë me natyrën) në veçanti te poema “BAGËTI E BUJQËSIJA” (1886), te poema “ËNDËRRIME” (1885) përshtatur në shqip nga Vexhi Buharaja dhe te poema “LULET E VERËSË” (1890), etj, natyra për Naimin nuk është thjesht një peizazh idilik, një harmoni e botës së gjallë, dritës, aromave dhe ngjyrave.
Naimi i këndon përmes natyrës, atdheut, fatit të tij, e sheh këtë hyjnizim të saj si frymëzim për dashurinë për atdheun. Humbja e këtij kuptimi për tokën, natyrën, punët dhe prodhimtarinë, për stinët dhe peizazhin gjeografik, për ujërat, malet, detet, kufijtë, qytetet, shkrijnë në një të vetëm mallin e poetit dhe zgjimin e një kuptimi ndryshe për dheun e të parëve. Apatia kolektive, humbja e shpresës, një përditësi e lodhshme disa shekullore, kishte fashitur ndjesitë frymëzuese.
Ajo që të mrekullon te Naimi është dritësimi i çdo detaji të natyrës dhe vizatimet emocionale të stinëve, pemëve, lumenjve, maleve, zogjve, që herë ngjyrosen në hirin e perëndisë dhe, si të tillë, hyjnë në shpirtin e shqiptarit, që ka nevojë për një tjetër vetëdije, dhe here ngre krye kuptim për kohën kur jeton dhe për përgjegjësitë që ka ndaj atdheut. Si shkruan Naimi te “Bagëti e Bujqësija”:
Atje lint diell’i qeshur
dhe hëna e gëzuar,
Fat’i bardh’ e mirësija
në atë vënt janë mbluar;
Nat’ atje ‘shtë tjatrë natë
edhe dita tjatrë ditë;
Në pyjet’ e gjelbëruar,
atje rrinë perënditë…
…..
Tek këndon thëllëza me gas
dhe zogu me dëshirë,
E qyqja duke qeshur,
bilbili me ëmblësirë.
Naim Frashëri, si çdo poet kombëtar, në të gjithë veprën identifikohet me atdheun. Vargjet i tij, “Ti Shqipëri më ep nderrë më ep emërin Shqipëtar/ Zëmërnë ti ma gatove plot me dëshirë dhe me zjarr”, janë një lloj përgjërimi, që, aq sa shpreh përnjuësi, po aq është dhe një kushtrim e njehsim me atdheun dhe me fatin e tij, ku dallom përgjegjësia e të qenit shqiptar. Një poet kombëtar identifikohet me atdheun, për të zotëruar dhe për të përcjellë te lexuesi identitetin e tij/tyre kombëtar. Ky njehsim plazmohet nga ngjarje historike, kultura dhe luftërat e përbashkëta.
Ky identifikim i lejon poetit të shërbejë si një zë për përvojën gjithëpopullore, qoftë duke shprehur krenari kombëtare, qoftë duke protestuar kundër padrejtësive historike, apo duke reflektuar mbi një ndjenjë të përbashkët nostalgjie dhe malli për atdheun, veçanërisht gjatë periudhave të mërgimit jashtë atdheut. Sa bukur i drejtohet Naimi, po në këtë poemë, dallëndyshes bukuroshe, duke nisur me vargun e parë:
“A mos vjen nga Shqipërija?
Eni vjen prej Çamërije”
dhe pasi sjell në mendje të gjitha qytetet e atdheut, e mbyll përsihatjen me vargun:
“Mat e Ysqyp e Prështinë,
dhe Mirëdit’ e Tetovën;
Krojënë e Skëndërbegut,
q’i ka pasur dhan ner Shqypnisë”.
Në punimin e tij jo artistik, por dijesor enciklopedik, të titulluar “DITURITË”, kur shprehet për gjeografinë, Naim Frashëri, krahas kontinenteve , jep të dhëna edhe për shtetet, qytetet e tyre kryesore dhe popujt. Ja si shkruan për vendin e tij:
“Shqipërija, me 3,000,000 njerës. Shqipërija nga lindja ka Bullgarinë dhe Serbinë, nga perëndimi Adriatiknë, nga jugu Grekërin’ e Maqedhoninë, nga veriu Mal’ e Zi dhe Bosnjënë. Shqipërija ka male të veshura e të tepërë, dhe fusha të gjera e të mbimëta. Më të mëndhenjt’ e lumënjet janë Drini e Bujana në Shkodrë, edhe Vjosa e Devolli në Myzeqe, që derdhenë në Adriatikt, dhe Vardhari, që derdhetë në mëngët të Selanikut. Qytetet’ e Shqipërisë janë Shkodra, Prizreni, Jakova, Ipeku, Preshtina,Tetova, Ysqypi, Qyprillija, Përlepi, Manastiri, Fëllërina, Kosturi, Ohrija, Dibra, Mati, Kruja, Tirana, Durrësi, Kavaja, Peqini, Elbasani, Starova, Korça, Herseka, Përmeti, Vlora, Gjinokastra, Tepelena, Delvina, Konica, Leskoviku, Janina, Filati, Paramithija, Margëlëçi, Parga, Preveza etj” (NAIM FRASHËRI, VEPRA 6, 175-176, Botime TOENA).
A e ndihmon poeti kombëtar atdheun e tij se nga duhet ai të orientohet, pra kah cilit civilizim? Po sigurisht, një poet kombëtar mund ta ndihmojë atdheun e tij, duke dokumentuar historinë, kulturën dhe luftërat e tij, duke nxitur një ndjenjë identiteti kombëtar dhe duke frymëzuar kombin. Vepra e tij është e orientuar në thelb drejt atdheut dhe përkatësisë në qytetërimin specifik, i cili mund të përfshijë historinë, traditat dhe vlerat e tij unike, si dhe ndërveprimet e tij me qytetërime të tjera.
Ka pasur një lloj luhajtje në lidhje me orientimin e Naim Frashërit, madje dhe nga zëra të rëndësishëm të mendimit shqiptar, duke e parë të dyzuar frymëzimin e tij, në veçanti nisur nga poema “Qerbelaja”. I rëndësishëm është fakti që në gjykimin e personaliteteve historike, Naimi niset gjithnjë nga atdhetaria dhe jo nga besimi fetar. E gjithë kultura e tij është shembulli më kuptimplotë i bashkëjetesës së kulturave. Ai njihte shumë mirë antikitetin pellazgo-greko-romak, por dhe Orientin persioano-turk. Në krijimet e tij ka referenca, si në kulturën perëndimore, dhe në atë orientale.
Pikërëndesat e arsyetimeve të tij janë morale “e mira dhe e liga”, por mbi të gjitha ngre krye shqiptaria dhe fati i atdheut. Shpëtimin e vendit e shihte përmes daljes nga pushtimi osman, pavarësisht se ai ishte vetë një besimtar bektashi. Besimi për të ishte diçka personale private, ndërsa e përbashkëta e shqiptarëve ishte fati i atdheut, fat ky që duhej të udhëtonte nën shembullin e Skënderbeut, kah perëndimi dhe Europa.
Nëse dikur kishte një sjellje disi jo fort të ekuilibruar ndaj kulturës në shumës, sipas mozaikut perëndimor dhe oriental, në ditët tona, një ndërkallje e tillë kulturore, është pasuri. Në këtë këndgjykimi do duhet të rishikojmë vlerësimin për Naim Frashërin dhe personalitetin e tij krijues. Ja si ka shkruar profesor Eqerem Çabej për kulturën dhe orientimin perëndimor të Naim Frashërit, e citoj:
“Gjurmët e poezisë klasike na shfaqen qartë te Naimi. Si njohës i mirë i Homerit, ishte ai që përktheu këngën e parë të Iliadës. Homeri na kujton si përshkrimi i luftërave e i dylyftimeve dhe mënyra sesi vdesin luftëtarët, si dhe drejtimi i shpeshtë që i bën në vetë të dytë heroit që kuvendon, krahasimet epike, pastaj ndonjë epitet, si “nata këmbëqeta”, që të kujton epitete homerike. Situacioni poetik në këngën XXI të “Istorisë së Skënderbeut” (f. 310), ku heroi që heq për vdekje i drejton fjalët e fundit të birit të ri, duket se është frymëzuar gjer në imtësira te skena e njohur ndërmjet Ajaksit dhe të birit, në dramën e njohur të Sofokliut, por të kujton njëkohësisht dhe skenën midis Hektorit, Andromakës dhe birthit të tyre, frymën e Virgjilit, për të cilin poeti pati një dashuri të veçantë, e gjejmë te idili “Bagëti e Bujqësija”. Këtu Naimi këndon tokën pjellore shqiptare, bagëtitë e shumta të vendit, natyrën jugore të atdheut të tij, kullotat e blerta në pranverën shqiptare…Ndër ndikime të tjera të literaturave të Perëndimit, duhet përmendur së fundi Dante. Kënga XIX e “Istorisë së Skënderbeut”, në të cilën përshkruhet sesi heroi nën udhëheqjen e një engjëlli vete në botën tjetër, sheh tmerret e skëterrës, vëren virtytet dhe veset, është një pasqyrë e qartë e “Komedisë Hyjnore.” (Eqrem Çabej, “Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes” faqe 110, 111)
Ndërsa për ndikimin nga Orienti, profesor Çabej, çuditërisht më poshtë shkruan:
“Mirëpo, ndërsa Orienti për disa shkrimtarë është vetëm një anë në zhvillimin e botës artistike të tyre, për Naimin është toka prej nga thith fuqitë poetike.” (po aty faqe 111).
Këtë lloj përcaktimi disi kundërthënës, ndoshta profesori e ka vetëm në aspektin krijues, sepse në fund të librit të tij lexojmë:
“Naimi… është frymë nga fryma jonë dhe gjak nga gjaku ynë”. (po aty faqe 113)
Po vetë Naimi Frashëri, si ndihej, si shpërfaqej dhe si vetëvlerësohej? “Ti, Shqipëri, më ep nder, më ep emrin shqiptar”. Pra, kombësia mbi fenë, atdhetaria mbi liturgjinë. Te poema “LULET E VERËSË” (1890), në vjershën me titull: “Përse?” vihet re një kulminacion tejet emancipues, sepse në vargjet e saj, Naim Frashëri i lutet dhe Zotit, që ta shpjerë atdheun e tij kah perëndimi, të cilin e quan dritë dhe ngrohtësi. Ja si ka shkruar poeti:
Përse?
Pse s’vjen o dit’ e mirë!
Pse vallë nukë vjen?
Gjer kurrë në errësire?
Mos Zoti të pëlqen?
As hidhe gardhë,
Dhe shpejto pakë,
O dit’ e bardhë
Dhe jakë, jakë
Se të pres,
Nuk vdes.
Jak’ o dit’ e uruar!
Që lind nga perëndon,
At an e ke ndritur,
E ne pse na harron.
Dritëz’ e jetës!
Edhe e motit
Dh’e së vërtetës,
Dhe gaz i Zotit,
Ndritëna
E ngrohna!
Përse poeti kombëtar duhet kujtuar? A mund të harrohet ai? Poeti kombëtar duhet të mbahet mend, sepse vepra e tij ofron një pikë referimi kulturore dhe historike, duke qendërzuar vlerat, historinë dhe privacionet, kontributet dhe emocionet tallazike të kombit. Përmes poezisë së tij kumbon fort, si zë përgjegjësie, përvoja historike kombëtare. Vepra e poetit kombëtar shërben si një libër i hapur në të gjitha kohërat, për të marrë njohuri mbi identitetin kombëtar dhe kështu vetëdijësohesh, cilido qofsh, se përse duhet të ruhet dhe të shpërndahet ndër breza trashëgimia dhe kumtet historike, si materie universale e kulturës kombëtare. Si shkruan Naimi te vjersha “Atdheu”:
O Atdhe! Më je i dashur sa më s’ka,
Më je nënë, më je motër, më je vlla
Nga ç’ka rrotull më i shtrenjti ti më je,
Je më i miri nga çdo gjë që ka ky dhe.
Çdo komb serioz me historinë e vet, e kujton me adhurim poetin kombëtar. Arsyeja është e thjeshtë: Përjetësia e një poeti kombëtar qëndron në aftësinë e tij për të kapur përvojat universale njerëzore, siç janë: e vërteta, serioziteti dhe pesha emocionale, që përcillen përmes veprës së tij. Kjo cilësi e përjetshme vjen nga poetika e tij me përmbajtje të thellë emocionale, që rezonon ndër breza, përtej lidhjeve të cunguara brenda një konteksti specifik, krejt të shkurtër si produkt dhe jehonë vetëm e kohës së tij. Harresa mund të mbulojë çdo gjë, por jo zërin dhe veprën e poetit tonë kombëtar, Naim Frashëri. /Gazeta Dita
—–
https://gazetadita.al/vitet-ikin-por-poeti-kombetar-eshte-fryma-jone/