Alarmi i ngritur nga përfaqësuesi grek i kompanisë së mbikqyrjes së tunelit të Llogarasë se punimet nuk po kryhen në mënyrë cilësore, ishte temë e debatit në Log, ku përfaqësuesi i PD Aulon Kalaja bëri dhe një pyetje publike për zv/kryeministren Belinda Balluku e marrë e pandehur nga SPAK për shkelje të barazisë në tender për këtë investim.
“Në kushtet kur thuhet se tuneli përbën rrezik për jetën e qytetarëve, a e kalon zonja Balluku tunelin e Llogarasë? Nëse nuk e kalon, i bëjmë thirrje dhe qytetarëve të mos e përdorin”, tha Kalaja.
Ndërsa deputeti i Lëvizjes “Bashkë”, tha se të gjthë shqetësimet që ngre përfaqësuesi grek qëndrojnë.
“Sa herë që në Shqipëri ka një sërë aksidentesh nuk ka reagime. Nuk ka akt kolaudimi dhe leja shpallet 3 vite më vonë”, tha Muçi. Ndërsa gazetari Almer Toska tha se tuneli i Llogarasë është pa leje.
“Ka dështuar mbikqyrja e tunelit, pa hekur dhe mbrojtëse nga zjarri, pa asnjë standard për jetën e qytetarit”, u shpreh gazetari Toska.
Pas një inspektimi në kantier në korrik të vitit 2022, përfaqësuesi grek i kompanisë mbikëqyrëse të punimeve në tunelin e Llogarasë mbeti i shokuar.
Ai i shkroi i alarmuar kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi se punët po shkonin përditë e më keq me projektin.
“Evis…kontraktori duhet të kuptojë se projekti nuk është thjesht një “vrimë”, por është një tunel i cili duhet të ndërtohet sipas specifikimeve dhe praktikave ndërkombëtare në respekt ABSOLUT për çështjet e SIGURISË…” i shkroi Ioannis Kirkinezis, përfaqësues i kompanisë “Hill International NV”, Berberit.
Hetimi i Prokurorisë së Posaçme ndaj ish-kreut të ARRSH, Evis Berberi, tregon se tensioni erdhi në rritje në muajt që pasuan. Në shumë episode të përshkruara në dosje, Kirkinezis ankohet për cilësinë e punimeve, për mungesën e projekteve apo “për neglizhencë dhe fyerje totale” nga ana e nënkontraktorit.
Mesazhet e shkëmbyera mes Kirkinezis dhe Berberit nxjerrin në pah një marrëdhënie të ndërlikuar. Ato e kanë zanafillën në gusht të vitit 2021, pasi Ministria e Infrastrukturës çeli tenderin për mbikëqyrjen e punimeve në tunelin e Llogarasë, me një fond limit prej 196.2 milionë lekësh.
Fitues të tenderit u shpallën kompania “Hill International” e përfaqësuar nga Kirkinezis dhe “Net Group” sh.p.k, por Prokuroria e Posaçme pretendon se ky është një tjetër tender i manipuluar pas atij të ndërtimit të tunelit të Llogarasë dhe e akuzon Berberin për paracaktimin e fituesit.
Sipas SPAK, Kirkinezis i ka hartuar vetë kriteret e vendosura në dokumentet standarde të tenderit dhe në këmbim ka marrë si ortak kompaninë “Net Group” sh.p.k, e cila sipas hetimit ishte e lidhur me Berberin.