Presidenti ukrainas i drejtohet Këshillit të Sigurimit (27 shtator 2022)
VOA, Margaret Besheer
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy i tha të martën Këshillit të Sigurimit të OKB-së se Rusia duhet të izolohet ndërkombëtarisht për referendumet false të organizuara në territorin e vendit të tij.
“Ekziston vetëm një mënyrë për ta ndalur të gjithë këtë”, tha ai nëpërmjet një lidhjeje videofonike. “Së pari është izolimi i Rusisë në përgjigje të gjithçkaje që bën”.
Ai tha se ndaj Moskës duhen vendosur sanksione të mëtejshme dhe se i duhet hequr vetoja në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, si dhe se duhet pezulluar anëtarësimi i saj në të gjitha institucionet ndërkombëtare.
“Aneksimi i territoreve të kapura… është shkelja më brutale e Kartës së OKB-së”, tha presidenti ukrainas. “Kjo është një përpjekje për të grabitur territorin e një vendi tjetër. Kjo është një përpjekje për të fshirë normat e ligjit ndërkombëtar”.
Nëse Moska anekson këto territore, tha zoti Zelenskyy, “do të thotë se ekziston asgjë për të biseduar me presidentin e Rusisë”.
Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë qarkulluar një draft-rezolutë mes vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit, ku dënohen referendumet, u bëhet thirrje vendeve të mos njohin statusin e ndryshuar të Ukrainës dhe ta detyrojnë Rusinë të tërheqë forcat nga ky vend.
“Nëse Rusia vendos ta imunizojë veten nga llogaridhënia në Këshill, atëherë ne do të kërkojmë nga Asambleja e Përgjithshme që t’i dërgojë një mesazh të pagabueshëm Moskës”, tha Ambasadorja amerikane Linda Thomas-Greenfield. “Bota duhet të qëndrojë e bashkuar dhe të mbrojë Kartën e Kombeve të Bashkuara”.
Ajo u tha gazetarëve pas takimit se shpreson të kërkojë një votim në Këshillin e Sigurimit, në vazhdim të kësaj jave, ose në fillim të javës së ardhshme.
“U bëjmë thirrje anëtarëve të OKB-së, të gjithë atyre për të cilët parimet e sovranitetit, integritetit territorial dhe paprekshmërisë së kufijve kanë domethënie, të kundërshtojnë veprimet e Rusisë, të dënojnë referendumet dhe rezultatet e tyre që priteshin, si dhe të mos njohin kurrë përpjekjet për të grabitur tokën ukrainase nëpërmjet dhunës dhe terrorit”, tha Ambasadori shqiptar Ferit Hoxha.
Rusia pretendoi të martën se numërimi fillestar i votave në ato që vendet perëndimore thonë se janë referendume false, tregojnë se ukrainasit në katër rajone i japin mbështetje dërrmuese bashkimit me Rusinë.
Agjencia shtetërore e lajmeve RIA Novosti tha se nga rreth 1/5 e votave të numëruara që ishin hedhur gjatë pesë ditëve të votimeve në Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson, mbi 97% e votuesve në katër rajonet mbështesin aneksimin. Të marra së bashku, këto rajone përfaqësojnë rreth 15% të territorit të Ukrainës.
Referendumet janë denoncuar gjerësisht nga Ukraina, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore si të paligjshme. Pavarësisht nga rezultati përfundimtar që do të shpallë Moska, ato nuk pritet të pranohen ndërkombëtarisht.
Por, votimi dhe rezultati që pritet të mbështesë aneksimin, do t’i japë Presidentit rus Vladimir Putin një pretekst për ta ndryshuar në mënyrë të njëanshme kufirin Rusi-Ukrainë dhe për t’i aneksuar këto katër rajone. Për rrjedhojë, çdo sulm ndaj këtyre rajoneve nga forcat e Kievit mund të paraqitet si sulm ndaj vetë Rusisë.
Punëtorët varin flamujt rusë në një ndërtesë apartamentesh në Luhansk, Ukrainë (27 shtator 2022)
Ai tha javën e kaluar se ishte i gatshëm të përdorte armë bërthamore për të mbrojtur “integritetin territorial” të Rusisë, një kërcënim i denoncuar gjerësisht nga Ukraina, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera perëndimore që i kanë dërguar miliarda dollarë qeverisë së Kievit për të përballuar sulmin disa mujor të Rusisë.
Ukraina gjithashtu ka paralajmëruar vazhdimisht se aneksime të mëtejshme nga Rusia do të shkatërronin çdo mundësi për bisedime paqeje.
Disa ukrainas raportuan se ishin detyruar me armë nga luftëtarët rusë të largoheshin nga shtëpitë e tyre për të votuar. Votimi përfundon të martën, dhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë paraprakisht se nuk do të njohin asnjë rezultat që shpall Rusia.
“Ne qëndrojmë përkrah partnerëve tanë anembanë botës për të refuzuar çfarëdolloj rezultati të sajuar që do të shpallë Rusia”, u tha gazetarëve të hënën sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre.
Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre duke informuar gazetarët
“Për sa i përket asaj që po bëjmë, ne jemi të përgatitur të imponojmë kosto shtesë të shpejta dhe të rënda ekonomike ndaj Rusisë, së bashku me aleatët dhe partnerët tanë, në përgjigje të këtyre veprimeve që ne po shohim aktualisht, nëse ata vazhdojnë me aneksimin”, tha zonja Jean-Pierre. “Kemi qenë shumë të qartë për këtë”.
Votimi filloi të premten në rajonet e kontrolluara nga Rusia, Luhansk dhe Kherson, dhe në zonat e pushtuara të rajoneve Donetsk dhe Zaporizhzhia.
Kërcënimet bërthamore
Dmitry Medvedev, nënkryetar i Këshillit të Sigurisë të Rusisë dhe ish-president i vendit, tha të martën se nëse Rusia kërcënohet përtej një kufiri të caktuar, ajo ka të drejtë të përgjigjet “pa kërkuar pëlqimin e askujt dhe pa zhvilluar konsultime të gjata”.
“Le të imagjinojmë se Rusia është e detyruar të përdorë armën më të fuqishme kundër regjimit ukrainas që ka kryer një akt agresioni në shkallë të gjerë, i cili është i rrezikshëm për vetë ekzistencën e shtetit tonë”, shkruajti zoti Medvedev në kanalin e tij në një aplikacion mesazhesh. “Unë besoj se NATO do të largohet nga ndërhyrja e drejtpërdrejtë në konflikt në atë rast”.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken i tha emisionit “60 Minutes” të CBS News në një intervistë të transmetuar të dielën vonë, se Shtetet e Bashkuara ia kanë bërë të qartë publikisht dhe privatisht Rusisë që të “ndalë bisedat me aludime për armët bërthamore”.
Sekretari i Shtetit, Antony Blinken (Uashington, 27 shtator 2022)
“Është shumë e rëndësishme që Moska të dëgjojë nga ne dhe ta dijë nga ne se pasojat do të ishin të tmerrshme, dhe ne e kemi bërë këtë shumë të qartë”, tha Sekretari Blinken.
Një zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit tha se Presidenti rus Putin u dha Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj një dhuratë javën e kaluar duke u angazhuar në kërcënime për sulme bërthamore, duke bërë thirrje për mobilizimin e trupave dhe duke shpallur referendumin, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara ishin në OKB “duke folur për sovranitetin, paqen ndërkombëtare, dhe sigurinë”. Zyrtari tha se Rusia “nuk mund të kishte gjetur një kohë më të mirë për të vënë në qendër të vëmendjes shkeljet e rënda që Rusia po kryen ndaj Ukrainës dhe rendit ndërkombëtar”.
Protestat kundër mobilizimit
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy raportoi për luftime të ashpra në disa zona të Ukrainës ndërsa mbajti të hënën fjalimin e tij të mbrëmjes.
“Situata është veçanërisht intensive në rajonin Donetsk”, tha ai. “Po bëjmë gjithçka për të frenuar aktivitetin e armikut. Ky është qëllimi ynë numër një tani, pasi Donbasi është ende objektivi numër një për pushtuesit”.
Presidenti Zelenskyy e quajti mobilizimin e 300 mijë rezervistëve nga Rusia “një përpjekje të sinqertë për t’u dhënë komandantëve në terren një rrymë të vazhdueshme furnizimi me mish për top”.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy
Në Rusi kanë filluar protesta të gjera kundër thirrjes në shërbim aktiv nga Presidenti Putin. Policia arrestoi qindra demonstrues që merrnin pjesë në protestat në rrugë në Moskë dhe qytete të tjera.
Në rajonin rus Siberi, një burrë 25-vjeçar qëlloi të hënën me armë një komandant ushtarak në një qendër regjistrimi, tha guvernatori lokal.
Shumë meshkuj që kundërshtojnë luftën e Putinit, ose që kanë frikë se mos vriten në fushën e betejës, janë larguar menjëherë nga Rusia për në vende të tjera nëpërmjet linjave ajrore. Të tjerë u janë bashkuar radhëve të gjata të makinave në rrugët drejt kufirit me Finlandën, Gjeorgjinë dhe vende të tjera.
* Disa nga të dhënat për këtë artikull u morën nga agjencitë e lajmeve Associated Press, Agence France-Presse dhe Reuters.
Ndonëse tashmë kemi dhe Ministren e Shtetit për Inteligjencën Artificiale, me emrin “Diella”, që vepron në formë virtuale, dhe Shqipëria doli në lajmet ndërkombëtare për këtë risi, realiteti është krejt ndryshe.
TIRANË- Bizneset po hasin vështirësi të shumta gjatë ditëve të fundit për kryerjen e shërbimeve online, po ashtu dhe individët. Ndonëse tashmë kemi dhe Ministren e Shtetit për Inteligjencën Artificiale, me emrin “Diella”, që vepron në formë virtuale, dhe Shqipëria doli në lajmet ndërkombëtare për këtë risi, realiteti është krejt ndryshe.
Në orën 14.00 nëse hap faqen e E-Albania, faqja hapet normalisht, por nëse kërkon të bësh një shërbim, faqja del e padisponueshme. Bizneset ankohen se prej disa ditësh nuk po funksionojnë sistemet bazë operative të punës dhe kjo është një situatë e patolerueshme.
Në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) nuk bëhen dot aplikime për regjistrim të shoqërive të reja, ose ndryshime (shitje kuotash, kapitali), sistemi “self care” përmes të cilat nxirren faturat punon me vështirësi, ose nuk punon fare. Ndërkohë sistemi i tatimeve punon normalisht, por sistemet e tjera, ku ndërlidhja bëhet përmes Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) nuk janë funksionale.
Nga kjo situatë janë prekur dhe individët. Është e pamundur të bësh rezervim për pasaportë e karta pasi sistemi i gjendjes civile nuk punon fare (nw E-Albania njoftohet qw Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile gjatë ditës së sotme do të realizojë një operacion mirëmbajtjeje dhe përmirësimi të sistemit elektronik të saj dhe kjo mund tw ndikojw te shwrbimet). Kjo ka ndikuar dhe bizneset, që nuk arrijnë të aplikojnë për raportet e përfitimeve afat shkurtra për punonjësit si raporte barrë lindje.
“Rënia e njëkohshme ose mosfunksionimi i sistemeve kryesore online të shërbimeve për biznesin, si e-Albania, QKB dhe SelfCare, përbën një shqetësim serioz për funksionimin normal të aktivitetit ekonomik dhe marrëdhënien e bizneseve me administratën publike apo e profesionistëve me klientët e tyre”, thotë Julian Saraçi, ekspert fiskal.
“Këto platforma janë sot infrastruktura bazë për regjistrime, deklarime, aplikime, pagesa dhe përmbushje detyrimesh ligjore. Ndërprerja e tyre, qoftë edhe e përkohshme, krijon pasiguri juridike, vonesa procedurale, rrezik penalitetesh dhe kosto shtesë për bizneset dhe profesionistët e lirë, të cilët varen pothuajse tërësisht nga shërbimet digjitale. Fenomeni ngre pikëpyetje jo vetëm mbi qëndrueshmërinë teknike të sistemeve, por edhe mbi menaxhimin e riskut, kapacitetet e back-up-it, komunikimin institucional dhe mekanizmat alternativë që duhet të aktivizohen në raste të tilla”, shton ai.
Në këtë kontekst, bizneset vlerësojnë si të domosdoshme:
• transparencë më të madhe mbi shkaqet e ndërprerjeve dhe kohëzgjatjen e tyre;
• forcimin e sigurisë, qëndrueshmërisë dhe redundancës së sistemeve digjitale;
• parashikimin e procedurave alternative dhe shtyrjen automatike të afateve ligjore në raste mosfunksionimi të platformave;
• komunikim të qartë dhe në kohë me përdoruesit, për të shmangur pasigurinë dhe keqinterpretimet.
“Digjitalizimi është një arritje e rëndësishme, por ai kërkon investim të vazhdueshëm, testim rigoroz dhe qasje serioze ndaj riskut operacional. Ne inkurajojmë institucionet përgjegjëse që ta trajtojnë këtë çështje me prioritet, në dialog me komunitetin e biznesit dhe profesionistëve, për të garantuar shërbime publike digjitale të besueshme, funksionale dhe të qëndrueshme”, thotë Saraçi./MONITOR
Publikohet video që tregon qilarin ku ruhej vera me vlerë miliona euro e Ergys Agasit, e cila ndodhej në vilën e tij në periferi të Tiranës. Vera është e ruajtur në bodrumin e vilës, teksa shishet u përkasin markave të shtrenjta, të dyshuara se janë futur në mënyrë kontrabande në Shqipëri.
Një ditë më parë u njoftua se shishet e verës që shiheshin në pamje, pasi u gjetën nga agjentët e BKH-së dhe u kaluan për kompetencë hetimore te hetimi tatimor, janë zhdukur nga banesa e Ergys Agasit. Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedim penal dhe ka shpallur në kërkim Eno Agasin, kushëririn e biznesmenit Ergys Agasi, i cili u shpall gjithashtu në kërkim nga SPAK në kuadër të dosjes për tenderat e AKSHI-t. Burime të besueshme konfirmuan se nga futja e verës në Shqipëri pa paguar akcizë i është shkaktuar dëm shtetit shqiptar në vlerë 400 mijë euro.
Gjatë kontrolleve në banesa e objekte në kuadër të hetimeve për dosjen e AKSHI-t, BKH zbuloi kantinën e verës në vilën e Agasit në zonën e Mulletit dhe vendosi sekuestrimin e saj, pasi malli ishte kontrabandë. Doganat bënë inventarin përgjatë disa orëve dhe, në momentin e kontrolleve, duke qenë se ishte natë, vendosën ta transportonin të nesërmen, ndërsa malli u la në ruajtje në vilë. Gjatë natës ka dyshime se Eno Agasi e ka hequr verën, si dhe ka marrë serverin e kamerave të sigurisë, duke u zhdukur pa gjurmë bashkë me to.
Prokurori Bledar Valikaj ka shpallur në kërkim Eno Agasin për veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës, kontrabandë të mallrave që paguajnë akcizë dhe magazinim të mallrave që paguajnë akcizë, ndërsa burimet konfirmuan se po kryhet edhe hetim pasuror, krahas atij të nisur nga SPAK.
Pamjet e qilarit të verës së Ergys Agasit i publikoi lideri i opozitës, Sali Berisha, i cili shkruan se: “Kjo është vinoteka prej 4 milionë euro e Edi Ramës në vilën e Gys Agasit, që u vodh nga drejtori i Doganës, Elvis Doçi dhe Ilirjan Proda, për t’u dërguar në Surrel!”
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani me zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit, Christopher Landau gjatë takimit të tyre në korrik të vitit 2025.
Radio Evropa e Lirë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka biseduar të hënën në Uashington me zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit, Christopher Landau, për një sërë çështjesh, përfshirë një ligj të nënshkruar së voni nga presidenti amerikan Donald Trump, gjendjen e sigurisë në rajon dhe shtyrjen përpara të dialogut të pezulluar strategjik mes dy vendeve, tha Presidenca e Kosovës.
Në një Akt për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, që u miratua u nënshkrua në ligj nga Trump, javën e kaluar, Kosovës dhe Serbisë gjithashtu u kërkohet ta zbatojnë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve nga viti 2023.
Osmani gjithashtu ia shprehu atij “mirënjohjen e popullit të Kosovës” për mbështetjen amerikane ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, për vizionin e presidentit Donald Trump që dialogu të bazohet në njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në NATO, si dhe për rritjen e investimeve strategjike ekonomike.
“Sa i përket raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, presidentja shprehi mirënjohje ndaj politikës së qartë të Administratës Trump që dialogu duhet të bazohet në njohje reciproke dhe për faktin që janë përjashtuar idetë e rrezikshme për ndryshime të kufijve apo ndarje. Kjo qasje, shtoi ajo, është e domosdoshme, në mënyrë që të ruhet paqja e stabiliteti në rajonin tonë”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, Osmani dhe Landau folën edhe për dialogun strategjik, të cilin SHBA e pezulloi më herët këtë vit për kohë të pacaktuar.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti i ka arsyetuar këto veprime si hapa drejt shtrirjes së sundimit të ligjit në veri dhe ka thënë se ato janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Osmani e cilësoi dialogun strategjik mes dy vendeve si “platformë thelbësore” për forcimin e partneritetit dypalësh dhe avancimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët.
Ky ishte takimi i dytë i Osmanit me Landaun këtë vit, pasi ata ishin takuar në verë për të diskutuar fushat potenciale për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve në të ardhmen.
Ajo pati përmendur se dy vendet mund të përfitojnë nga bashkëpunimi në sektorin e energjisë, teknologjisë informative dhe atë të mbrojtjes.
Autobotë, më shumë se 1300 policisë, janë vendosur në gatishmëri për protestën e thirrur nga opozita. Kryeministria është “blinduar” nga efektivë të policë. Ndryshe nga protestat apo Foltoret e opozitës, në këtë protestë ka një numër më të lartë policësh të angazhuar.
Kreu i PD Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për korrupsion ndërsa kanë bërë thirrje për arrestimin e Belinda Ballukut pas skandaleve të njëpasnjëshme.
Gjithashtu në disa pankarta të vendosur përpara Kryeministrisë, shkruhet “i pangopuri i fundit të Europës”. bw
Kreu i PD-së, Sali Berisha në një dalje për mediat përsëriti thirrjen e tij për Adriatik Lapajn dhe partitë e tjera opozitare që t’i bashkohen protestës së opozitës, kundër kësaj qeverie.
“Nuk matet gjëja me numra. Mësimi i historisë së Shqipërisë ka vlerë botërore. Pakicat që kanë fituar kundër stërshumicave nuk gjen kund tjetër. Ne dalim aty me guximin e shqiptarit, me idealet më fisnike të njeriut, për të larguar këtë njeri që mori licencën nga Gjykata Kushtetuese. Licencën mund t’ia japë gjykata, por jo jetëgjatësinë populli.”, pohoi ai.
Ai tha se Rama, pavarësisht se mori licencë për vjedhjet nga Kushtetuesja, populli nuk do ta falë.
“Lapaj ka pasur dhe do të ketë mbështetjen time për sa kohë gjendet në protestë. Kushdo që proteston kundër qeveri, ka mbështetjen time. Ftesa ime për Lapaj dhe partitë opozitare është që të bashkohemi kundër kësaj të keqe të madhe. Kryetari i një partie ka planet e veta.”, tha ai. bw
Altin Dumani i dorëzoi sot zyrtarisht detyrën kreut të ri të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK), Klodian Braho.
Në një fjalim shkurt, Dumani tha se sot mbyll një nga kapitujt më sfidues në karrierën e tij profesionale. Ai u shpreh se gjatë detyrës së tij është ndeshur edhe me presione, por theksoi se ka punuar me profesionalizëm dhe përgjegjshmëri.
“Sot mbyllet një kapitull që ka qenë ndër më sfiduesit në karrierën time 26 vjeçare si prokuror. Drejtimi i SPAK ka qenë privilegj, por edhe përgjegjësi e jashtëzakonshme. Në rrugën tonë jemi ndeshur me vendime të vështira, sfida institucionale dhe presion të mëdha.
Në çdo hap kemi punuar me integritet, profesionalizëm dhe vendosmëri. Sot SPAK është më i konsoliduar dhe më i besueshëm se më parë.
Këto arritje janë rezultat i punës së palodhur të të gjithëve. Çdo punonjësi që ka kontribuar me ndershmëri dhe kurajo”, deklaroi Altin Dumani.
Një falënderim kishte edhe për partnerët ndërkombëtarë: “Kanë qenë krah nesh në cdo etapë me mbështetje dhe ekspertizë të pakushtëzuar. Kontributi i tyre ka qenë i çmuar, për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe për të ndërtimin e standardeve që kemi sot.
Besimi i publikut -tha Dumani- ka qenë forca jonë më e madhe.
Dumani i uroi Brahos suksese në punën e tij, duke shprehur bindjen “se do të mbështetet në trashëgimin 6 vjeçare duke e çuar përpara misionin e SPAK me integritet dhe vendosmëri”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani me zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit, Christopher Landau gjatë takimit të tyre në korrik të vitit 2025.
Radio Evropa e Lirë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani takon të hënën në Uashington zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit, Christopher Landau, ka bërë të ditur Departamenti amerikan i Shtetit përmes një njoftimi zyrtar.
Aty nuk janë dhënë më shumë hollësi se cilat do të jenë temat e diskutimit në takimin që zhvillohet pasdite, me orën lokale të Kosovës.
Presidentja Osmani është takuar me zëvendëssekretarin Landau edhe në korrik të këtij viti, kur dy palët i kanë diskutuar fushat potenciale për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve në të ardhmen.
Ajo pati përmendur se dy vendet mund të përfitojnë nga bashkëpunimi në sektorin e energjisë, teknologjisë informative dhe atë të mbrojtjes.
Marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së e kanë përjetuar një goditje më herët gjatë vitit për shkak të vendimit të Uashingtonit për të pezulluar për kohë të pacaktuar dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë të Kosovës.
Dialogu ishte planifikuar për t’i forcuar lidhjet ekonomike dhe diplomatike, por veprimet e ekzekutivit janë parë si sfida për përparim.
Gjatë viteve të fundit, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka qenë disa herë në shënjestër të kritikave nga aleatët ndërkombëtarë, për shkak të disa vendimeve në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – që lidheshin me zëvendësimin e targave serbe me ato të Kosovës, heqjen e dinarit serb nga përdorimi, apo mbylljen e institucioneve serbe.
Kurti i ka justifikuar këto veprime si hapa drejt shtrirjes së sundimit të ligjit në veri dhe ka thënë se ato janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Por, bashkësia ndërkombëtare, në disa raste, i ka cilësuar si të njëanshme dhe të pakoordinuara me aleatët.
Vetë Kurti ka thënë ditë më parë se marrëdhëniet e vendit me Shtetet e Bashkuara janë shumë të mira dhe që mospajtimet kryesore kanë pasur të bëjnë gjithmonë lidhur me Serbinë dhe strukturat e saj, dhe asnjëherë për çështje bilaterale.
E pyetur lidhur me këto deklarata, Ambasada e SHBA-së në Kosovë I ka thënë Radios Evropa e Lirë më 17 dhjetor se synon të punojë ngushtë me Qeverinë e re të zgjedhur pas zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë, “për t’i avancuar prioritetet e përbashkëta”.
Shtetet e Bashkuara i kanë ndarë mbi 2 miliardë dollarë për Kosovën prej vitit 1998.
Udhëheqës shtetërorë kosovarë e kanë përsëritur ndër vite që Amerika është partnerja më e rëndësishme e Kosovës dhe se mbështetja e saj është jetike.
Opozita shqiptare organizon sot një protestë kombëtare në Bulevardin e ‘Dëshmorët e Kombit’, kundër qeverisë dhe asaj që e cilëson si “keqqeverisje, korrupsion dhe abuzim me fondet publike”.
Protesta, e cila nis në orën 18:00 ka në qendër akuzat ndaj qeverisë për afera të mëdha infrastrukturore, me fokus të veçantë zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Balluku është e përfshirë në shkelje të rënda ligjore lidhur me projektin e Tunelit të Llogarasë dhe ndërtimin e Unazës së Madhe, për të cilat SPAK e ka marrë të pandehur zyrtarisht.
Kreu i PD-së, Sali Berisha akuzon Belinda Ballukun se ka vjedhur 50 milionë euro, ka 300 apartamente, 2 jahte dhe 13 supermarkete.
Opozita kërkon që Balluku do të japë dorëheqjen dhe të shkojë para drejtësisë. Ndërkohë SPAK ka kërkuar nga Kuvendi heqjen e mandatit të Belinda Ballukut, me qëllim arrestimin e saj.
Ndërkohë kryeministri Edi Rama një ditë më parë paralajmëroi se do të bllokojë kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit.
Nesër ora 18:00 Protesta kombëtare përballë pabarazisë dhe korrupsionit
Sali Berisha: Duhet të organizojmë protestat, duhet t’i fillojmë sa më parë.
I kemi filluar ato që janë te kryeministria.
Por me datën 22, duhet të thërrasim protestë kombëtare.
Ata shqiptarë që vijnë, ata janë të bekuar.
Ata që nuk do vijnë, do vijnë më vonë.
Por ne kurrë nuk do bëhemi pengesë, përkundrazi nxitës të protestave gjer ditën e fundit që të krijohet qeveria teknike në këtë vend për zgjedhjet e lira.
Agjendë tjetër nuk ka dhe nuk mund të ketë PD.
Ditë e hënë, 22 dhjetor ora 18:00, është fillimi i protestës tonë.
Të jemi të qartë se ne kemi vetëm një rrugë protesta,
protesta gjer në largimin e Ramës.
Pa protesta të qëndrueshme, narkodiktaturat nuk largohen.
Ne do të jemi më tepër, por në radhë të parë nuk kam më të rëndësishme sesa vendimi i secilit prej nesh çfarë do të bëjë më shumë.”, tha Berisha.
Gazetaria sportive shqiptare humbi një nga figurat e saj më madhore. Afër mesnatës së 20 dhjetorit u shua në moshën 91 vjeçare Ismet Bellova, legjenda e mikrofonit, gazetari, komentatori dhe publicisti i rrallë, zëri i të cilit u bë pjesë e pandashme e historisë së sportit dhe medias shqiptare.
Kushdo që e ka dëgjuar ndonjëherë, vështirë të mos jetë drithëruar, vështirë të mos jetë emocionuar deri në përlotje dhe vështirë të mos i jetë rritur adrenalina e krenarisë dhe atdhedashurisë.
Zëri i tij kumbues dhe timbri i veçantë tashmë do të dëgjohen vetëm në fonotekën e Radio Tiranës dhe në arkivat sportive të RTSH, por jehona e tij do të jetojë përgjithmonë në kujtesën e miliona shqiptarëve.
Me largimin e Ismet Bellovës, gazetaria sportive shqiptare humbi jo vetëm një profesionist të jashtëzakonshëm, por një pasuri kombëtare, një vlerë të rrallë radiofonike dhe një shkollë të vërtetë të gazetarisë sportive, nga e cila u formuan e u frymëzuan breza të tërë. bw
Sërish tensione mes aktivistëve të Lëvizjes ‘Shqipëria Bëhet’ dhe policisë. Përfaqësues të Lëvizjes, që po protestojnë para Kryeministrisë prej disa ditësh, denoncojnë se policia i ka marrë gjeneratorin, ndërsa thuhet se janë ndaluar dhe 4 aktivistë.
Në videon e shpërndarë nga lëvizja Shqipëria bëhet, dëgjohet një nga përfaqësueset e lëvizjes që debaton me punonjës të policisë.
“A kemi të bëjmë me policinë, apo me bandat! Këtë dua të di dhe unë. Policia a respekton shkresat? Se kemi shkresa. Dhe ne na e hoqën gjysmë ore para. Ju po silleni si banditë, dhe ne si njerëz.”, tha ajo. Ndërkohë, Adriatik Lapaj tha se ky është shteti dhe policia e Edi Ramës. “Ne kërkojmë që të na jepet gjeneratori dhe më pas ju mbroni Ramën.”, dëgjohet teksa thotë ai. BW
Komentet