Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky gjatë një interviste me CNN të hënën
VOAL- “Pa ndihmën amerikane, Rusia mund të fitojë dhe miliona ukrainas do të vdesin”, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në një intervistë për CNN të hënën në mbrëmje. I intervistuar nga Kaitlan Collins, kreu i shtetit saktësoi gjithashtu se kishte folur me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, republikanin Mike Johnson, dhe ky i fundit e siguroi atë se “do të bëjë gjithçka për të mbështetur Ukrainën”.
“Më duhet t’i besoj atij”, shtoi Zelensky, duke vënë në dukje se “paratë amerikane përfundojnë kryesisht në prodhimin ushtarak amerikan, jo në buxhetin tonë”. Megjithatë, politikani ukrainas premtoi reforma për transparencën dhe luftën kundër korrupsionit.
Gjatë intervistës, presidenti deklaroi gjithashtu se beson se kërcënimet e Donald Trump “janë vetëm fjalë dhe nuk mendoj se do t’i zbatojë”, duke iu referuar premtimit të Trump për të mos mbrojtur vendet e Aleancës Atlantike që nuk paguajnë kuotën e duhur.
Lidhur me ish-kreun e shtetit amerikan, i cili kandidon për një mandat të dytë në nëntor, Volodymyr Zelensky tha gjithashtu se ai nuk mund të “kuptojë se si mund të ishte në anën e Vladimir Putinit. Trumpi nuk e kupton se Putini nuk do të ndalet kurrë. Dhe nëse ai e mbështet atë, do të jetë kundër amerikanëve dhe interesave të Shteteve të Bashkuara”, shtoi Zelensky.rsi-eb