Data 15 Nëntor 2025, në Kinema Millenium, u shënua lindja e një zhanri të ri në kinematografinë shqiptare
RIKTHIMI I SHPRESËS
Një film nga Elvis Peçi
Me skenar të Elvis Peçi dhe Edlira Stavre
Me regji, kolonë zanore, montazh, miksazh, orkestracion muzike, piano, sound engineering dhe produksion të Elvis Peçit
Një sallë e mbushur plot me miq, dashamirës, familjarë, aktorët simpatikë pjesëmarrës, artistë dhe kineastë i dhanë filmit impaktin e bukur që një premierë e një zhanri të ri di ta japë kaq hijshëm. Atmosfera jashtëzakonisht emocionale përfshiu publikun për më shumë se një orë e 30 minuta film.
Premierën e hapi autori dhe producenti i filmit, Elvis Peçi, i cili përshëndeti dhe falënderoi të pranishmit.
Së pari, zhanri Fantastiko-Planetar, me ide ëndërrimtaro–avatare që shohin nga e ardhmja, me një botë të pasur dëshirash dhe me një energji lucidente plot koloristikë të aktorëve 14-vjeçarë, i ka munguar kinemasë sonë.
Filmi është një udhëtim imagjinar në kohë — një prej parapëlqimeve personale të autorit — me dramaturgji të spikatur, plot ide dhe simbolika të dukshme e të padukshme në sfond.
Pa e ditur as vetë autori se kjo ditë do të vinte, filmi e ka indicien që kur gjyshi i tij, Petrika Koço, për t’i ushqyer imagjinatën dhe dëshirën për pikturë një 6-vjeçari, i pikturonte Elvisit një yll.
Dhe ai yll, i ngulitur në kujtesë, ka udhëtuar për afro 40 vite në imagjinatën e artistit, për të marrë më pas formën e festivalit Twinkle Twinkle Festival, e sot, të materializohet në një zhanër të ri filmik.
Së dyti, të gjithë profesionistët e njohin procesin Multitrack-Video në montazh, ashtu si dhe Multitrack-Audio në produksion zanor.
Por që do vinte një ditë një profesionist “MULTI-TRU”, me aftësi unike, që do të bashkonte brenda trurit të tij jo vetëm Multitrack-Video e Multitrack-Audio, por funksionimin perfekt të shumë profesioneve njëkohësisht në një film — as unë s’mund ta imagjinoja.
Autori i filmit “Rikthimi i Shpresës” është skenaristi, kompozitori, orkestruesi, pianisti, regjisori, montazhieri, sound inxhinieri, dirigjenti i orkestrës virtuale të Hollywood Orchestra, producenti, financieri — dhe një nga simbolikat më të bukura ku ai metaforizon veten është skena ku Ylli Twinkle i bie kitarës, dhe në kapakun e saj njerëzit hedhin para. Një skenë që i rri filmit si një tis dramaturgjik shumë i bukur.
Ëndrrat dhe dëshirat janë ideale të bukura, por realiteti është tjetër gjë. Ai shfaqet dhunshëm dhe dhimbshëm përmes simbolikës së gojës së shqyer të luanit në kopshtin zoologjik, gojë që duket sikur do të shqyejë gjithçka.
Hungërimat e tij të frikshme, dhëmbët e mprehtë, duken sikur kafshojnë pjesë të Detit, relievet e Mëmëdheut, troje të bëra mish-mash, shpate malesh të kafshuara, shpopullime.
Fëmijët që vrapojnë pas ëndrrave, dëshirave e idealeve në një botë ideale që goja e luanit nuk i lë t’i shijojnë… ku ta kërkojnë atë? Në një planet tjetër?
Këto skena, si në natyrë ashtu edhe në shkollën e muzikës, i japin filmit një temporytm shumë të bukur.
Çfarë kontrasti i mrekullueshëm skena nën errësirën e natës në muzeun zoologjik.
Urime të përzemërta për aktorin kryesor që luan rolin e yllit Twinkle.
Urime për kamerën dhe fotografinë cilësore, për pamjet fantastike me dron të bukurisë shqiptare — të cilat, megjithëse mahnitëse, risjellin në vëmendje gojën e luanit, gojën e korrupsionit dhe shpopullimit.
Urime për kastin e aktorëve fëmijë që luajnë kaq natyrshëm e bindshë, dhe këngëtarëve që i japin shumë oksigjen sonor filmit.
Urimet me te perzemerta stilistit te mirenjohur Arben Peçi per kostumet.
Dhe urimi kryesor shkon për autorin e filmit, Elvis Peçi, i cili solli lindjen e një
Zhanri te ri Fantastiko-Planetar me ide Ëndërrimtaro–Avatare në kinemanë tonë.
Dhe së dyti, autori solli funksionimin perfekt të shumë profesioneve njëherazi, që kohezionojnë në një film te permbledhura ne UNIKALITETIN “MULTI-TRU” me aftësi gjeniale te Autorit te filmit.
Ne nje shoqeri te perparuar a duhet te egzistoje kutia e instrumentit per te lypur para per ARTIN – ARIN E VLERAVE SHOQERISE, apo ky eshte ritual i shoqerive te prapambetura. Po patjeter qe keshtu eshte.
Problemi eshte se a kane veshe te dëgjojne ata qe duhet te Dëgjojnë.





Komentet