Një shpërthim i fuqishëm pas një sulmit ajror izraelit i mori jetën pesë anëtarëve të stafit të rrjetit mediatik Al Jazeera në Rripin e Gazës, përfshirë korrespondentin e njohur palestinez, Anas al-Sharif.

Sulmi me dron ndodhi vonë të dielën jashtë portës kryesore të Spitalit al-Shifa në Qytetin e Gazës, duke goditur një tendë të ngritur për gazetarët lokalë dhe ndërkombëtarë.
Përveç al-Sharifit, humbën jetën edhe korrespondenti Mohammed Qreiqeh dhe operatorët e kamerës Ibrahim Zaher, Moamen Aliwa dhe Mohammed Noufal. Ndër viktimat ishte edhe gazetari i pavarur vendas, Mohammad al-Khaldi. Tre gazetarë të tjerë raportohen të plagosur.


Vetëm disa orë para se të vritej, al-Sharif, 28 vjeç, kishte postuar në platformën X mbi “bombardimet intensive dhe të përqendruara” të ushtrisë izraelite në pjesën lindore dhe jugore të Gazës. I njohur për guximin e tij dhe raportimet në kushte ekstreme nga Gaza veriore, al-Sharif ishte bërë një nga zërat më të fuqishëm në dokumentimin e asaj që shumë e përshkruajnë si një gjenocid të vazhdueshëm ndaj popullsisë palestineze.
Reagime të ashpra ndërkombëtare
Rrjeti Al Jazeera ka dënuar ashpër sulmin, duke e cilësuar atë si një “vrasje të qëllimshme” dhe “një sulm të hapur dhe të paramenduar ndaj lirisë së shtypit”. Në deklaratën zyrtare, rrjeti akuzon drejtpërdrejt ushtrinë izraelite për shënjestrimin e qëllimshëm të vendndodhjes së gazetarëve.
“Mediat janë nën sulm. Vrasja e kolegëve tanë është një përpjekje e dëshpëruar për të heshtur zërat që ekspozojnë të vërtetën rreth pushtimit dhe shkatërrimit të Gazës”, thuhet në deklaratën e Al Jazeera-s.
Misioni palestinez në OKB e quajti vrasjen një krim të qëllimshëm dhe tha se gazetarët e vrarë ishin “ndër të fundit të mbetur në Gaza” që dokumentonin sistematikisht krimet e luftës dhe urinë e detyruar që po përjeton popullsia.
Nga Irani, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Esmail Baghaei, kërkoi që bota ta mbajë Izraelin përgjegjës për këtë akt brutal. “Një distinktiv shtypi nuk është mburojë ndaj kriminelëve të luftës që kanë frikë nga e vërteta”, u shpreh ai.
Zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, shprehu ngushëllime për humbjen tragjike dhe theksoi domosdoshmërinë e një hetimi të plotë dhe të pavarur. “Në Gaza dhe kudo tjetër, gazetarët duhet të jenë në gjendje të kryejnë punën e tyre pa frikë nga shënjestrimi apo dhuna,” tha Stephane Dujarric.
Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut e cilësoi sulmin si një “shkelje të rëndë të ligjit ndërkombëtar humanitar”, duke ritheksuar se Izraeli ka detyrim të mbrojë civilët, përfshirë gazetarët.
Një humbje e rëndë për gazetarinë
Vrasja e Anas al-Sharif dhe kolegëve të tij ka tronditur komunitetin global të medias. Në një kohë kur informimi i saktë dhe i pavarur është thelbësor, sulmi ndaj gazetarëve në Gaza përfaqëson një goditje të rëndë ndaj lirisë së shtypit dhe dëshmon vështirësitë ekstreme me të cilat përballen gazetarët në zonat e konfliktit.


Sipas organizatës Reporterët pa Kufij, numri i gazetarëve të vrarë në Gaza është ndër më të lartët në historinë moderne të luftërave, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë e punonjësve të medias në këtë zonë të rrethuar.
Ndërsa situata në Gaza mbetet kritike dhe bombardimet vazhdojnë, komuniteti ndërkombëtar përballet me presionin për të kërkuar llogaridhënie dhe për të mbrojtur ata që guxojnë të tregojnë të vërtetën nga terreni.
sn