Në shtëpinë e zonjës Denada Gorani, telegrami nga jashtë shtetit mbërriti në vjeshtën e dytë të vitit nëntëdhjet e katër.
Ishte përgjigje e një telegramit që Denada kishte nisur pak muaj më parë në Moskë me një adresë që kishte gjetur në zarfat e dikurshëm të të shoqit të ndjerë.
“Familjes së zotit ing.Mikel Gorani. Rruga ‘Vrana Konti’ nr.15, Kinostudio Shqipëria e Re, Tiranë. Nga: Sonja Smirnova(Gorani ).Rruga. Muzeu i Arteve të Bukura, Pushkin, 341,.Moskva.
E nderuar zonjë.
Duke shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të bashkëshortit tuaj dhe ish bashkëshortit tim të ndjerë, ing. Mikelit, ju bëj me dije se unë do të udhëtoj drejt Tiranës dhe do të jem atje në mbrëmjen e 22 nëntorit.
Do të isha mirënjohëse, nëse një ditë më vonë nga mbërritja ime në Tiranë, të bëja një vizitë në shtëpinë tuaj së bashku me tim bir, Vanja Smirnova (Gorani). Juaja, me respekt, Sonja Smirnova (Gorani ). Moskë.”
Zonja Nada, Denada Gorani, e lexoi me një gjendje ankthi telegram shemrës së saj. Tek kalonte nga togfjalëshi i parë tek i dyti, e kështu me radhë, iu përhit befas në mendje shpërfaqja e mjegulluar e portretit të asaj tjetrës. Këmbët e çuan te sirtari i fundit i komodinës së madhe në dhomën e gjumit.
Çifti mbante atje gjithë koleksionet dhe relike të fotografive ndër vite, nga fëmijëria e secilit deri në përditshmëri, sipas një tradite dhe mundësive të kohës.
Aty, prej dekadash flinte edhe aparati fotografik. “Lajka” me mbulesë kafe në çelur, një gjeratore e vogëlth ku ishin fiksuar dhe mbyllur çastet intime të ditëve të paharruara në atdheun e largët të Sonja Smirnovës po dhe kapitulli lirik i atdheut të dytë të asaj tjerës, në vendin e vogël ballkanik. Aty, në misterin e kësaj kutie mbuluar me meshin të hollë i dukej se flinin në gjumin e kohës edhe çastet e bekuara të lindjes së,Vanjës që ata i thërrisnin drita jonë.
Diku në thellësinë e sirtararkivit, Nada si zonjë shtëpie e dinte se Mikeli kishte vendour në një kutizë kartoni, disa foto familjare të veçanta nga jeta studentore në Moskë dhe të tjera nga Tirana.
E mori kutizën në dorë. E kishte parë disa herë atë edhe më parë. Madje, kishte qenë vetë bashkëshorti i saj që dikur ia kishte treguar koleksionin e fotove me rusen, sigurisht, duke e pyetur më parë nëse kjo, e ngacmonte shpirtërisht.
Një ndjesi mjegullore e të papërcaktuar e përfshiu qënien e saj. Ishte martuar në vitin njëmijë e nëntëqind e gjashtëdhjet e gjashtë me një burrë të ndarë më parë nga një martesë me një ruse. Me Sonjën pati nje djalë që ende pa mbushur gjashtë muaj, iu desh të ndaheshin.
Po ish kohë e prishjeve të mëdha mes dy vendeve. Era e ftohtë siberiane që kish fryrë furishëm në marrëdhënieve e dikur miqve, të thirrur: ‘vëllai i madh’ e ‘vëllai i vogël’; kishte mbetur tani, atje tej, në ajrin e ngrirë, si një kumt i dhimbshëm, përherë e më i largët.
Aso motesh, të paktit, ata më entuziastët, e përfytyronin vendin e tyre, shkëputur nga treni i madh i kampit Lindor. Një lokomotivë që do të çante mes acarit të borërave e stuhive vetëm me këngë marciale.Të shumtit, më të pazëshëm në vetëdije të trazuar, kishin përfytyrimin se tani e tutje vendi i tyre, nuk ishte veçse një vagon i ndryshkur, i vetmuar, i shkëputur e lënë në harresë diku mes stepave me dëborë, akujve dhe pyjeve të ngrirë.
Një qënie që ashtu do të atrofizohej e shndërrohej në një fosil të stërlashtë mamuthor si qymyrguri ndanë Adritikut dhe Jonit.
Zonja Nada me letrën në dorë mbërritur prej larg, ndjehej e përhumbur mes qënies dhe mosqënies.
Mikel, i tha zëri i brendshëm. Erdhi letra që prisje. Erdhi po ti, i shtrenjti im, nuk je. Kush do ta presë miken e largët? Çfarë do t’i them? Është një mike e vështirë, i dashuri im. Vetëm ti më kupton, si gjithmonë.
Në vetminë e saj hodhi sytë nga letra dhe nisi të gërmëzojë me zë……. do të udhëtoj drejt Tiranës dhe do të jem atje në mbrëmjen e 22 nëntorit. Do të isha mirënjohëse nëse një ditë më vonë nga mbërritja ime në Tiranë, të bëja një vizitë në shtëpinë tuaj së bashku me tim bir, Vanja Smirnova (Gorani). Juaja, me respekt, Sonja….
***
Djaloshi që i kish kaluar të tridhjetat, me flokët e verdhë si e ëma tani po vështronte që nga qielli përmbi territore dhe vendin që u shfaq befas përtej qelqeve mijëra këmbë poshtë avionit dhe që quhej Shqipëri, i orientuar nga e ëma, me ngulmin e akumuluar ndër vite për të parë sa më parë vendin ku kishte lindur.
Ajo, që nga sipër drejtoi gishtin drejt një grumbulli laraman pejzazhesh, kuadratesh e konturesh të çrregullta poshtë avionit që u shfaqën pas vijës së bregdetit.
-Atje, është Durrësi, biri im. Atje je larë edhe ti një herë të vetme kur shkuam si familje. Ja, tani, ku duket Tirana ku unë jetova dhe ku ti linde, i shtrenjti im.
Pasagjeret e parë nisën të zbresin nga avioni. Si një rrymë e beftë ajri në veshët e gruas ruse nisën të shquhen fjalët e para në gjuhën e huaj shqipe dhe një kaplim e turbullim i mjegullt i përshkoi kurmin duke përhitur në kujtesën e largët. Kishte zbritur këtu dikur me të dashurin e saj, në këtë pistë avioni sa nje fushe tenisi, krahasuar me vendin e nisjes.
-Vanja, biri im i dashur, më në fund jemi mbi Tiranë, në qytetin ku ti ke lindur, në vitin gjashtëdhjet e tre. Zemra po më rreh fort që jemi së bashku. Sa shumë do të thotë kjo për mua! Ishte si një amanet dhe dheu nuk do më treste kurrë, pa ardhur të dy këtu, i shtrenjti im.
Vanja nuk foli por e shtrëngoi të ëmën me krahët e fuqishëm.
Ajo e përsëriti fjalinë e fundit. “…и земля не приняла бы меня, если бы мы оба не пришли сюда.” (…i zemlja, nje proniala bi menja, esli bi mi oba nje prishlli sjuda) ..”..dheu, nuk do më treste pa ardhur të dy këtu.”
-Mamushka ime e dashur,- pëshpëriti i biri duke e përkëdhelur në kokë e supe të ëmën. Jemi së bashku, mamushka ime tani, me flokët e bukur mbuluar me dëborë…
Sonja instiktivisht futi dorën në xhepin e palltos dhe nxori kopjen e telegramit. Nuk dihet pse sytë iu mbërthen te fjalitë e fundit. …Do të isha mirënjohëse nëse një ditë më vonë nga mbërritja ime në Tiranë, të bëja një vizitë në shtëpinë tuaj së bashku me tim bir, Vanja Smirnova (Gorani). Juaja, me respekt, Sonja Smirnova (Gorani ).
***
Ne mendjen mjegullore të Sonjës, tani shfaqeshin e iknin me shpejtësi si retë e shtyra nga erërat e nëntorit , sekuenca nga e kaluara e këtij vendi ku kish mbetur pas një pjesë e bukur, e dhimbsur dhe e hidhur nga jeta e saj.
Një ditë, kujtoi se si mes ca totemesh vizive të paharruara, regjimi quhej i rënë gërmadhash dhe imazhet e pabesueshme të rrëzimit të regjimit komunist më tepër se në gazetat dhe kanale televizive të botës, ishin blatuar në shpirtrat e njerëzve në Tiranë dhe vise të tjera të vendit të varfër.
Pas kthimit, më saktë dëbimit nga atdheu i dytë, atje, në dheun e saj, kish nisur punë si kimiste në një ndëmarrje industriale. I biri, ishte gjithçka për të. Ishte e tashmja dhe e kaluara ngjizur në një. Po edhe ardhmja. Vetë jeta e saj.
Këtu, sot askush nuk të njeh dhe kërrkush nuk të pret, i tha zëri i brendshëm ushqyer me kureshtinë dhe misterin e kësaj vizite.
Qënia e saj ndjeu lagështirën dhe ajrin e freskët të aeroportit, tek ecte ngadalë në krah të të birit. Një re e vogël e mesditës përmbi malin e Dajtit i kujtoi, kushedi pse, letrën e fundit të saj nisur në Tiranë në adresë të Mikelit. Ishin kumtet që ajo përcillte plot dhimbje nga ndarja…Se nëna e sëmurë kishte ndërruar jetë dhe asaj, i ndalohej udhëtimi për Tiranë. I bëhej se ajo letër po endej nëpër qiejt etern të të dy vendeve pa mbërritur kurrë në destinacion.
Befas, tek shikonte turmën e njerëzve dhe taksixhinjve, sytë iu mbërthyen tek një copëz kartoni mbi lartësinë e supeve të njerëzve ku shkruhej me gërma kapitale:
NADA GORANI.(MIKEL)
Qënia e gruas ruse u trand tjetërsojshëm. Zhbiroi me sy si e etur personin që po e mbante kartën me emrin njoftues. U afruan drejt dy femra që mbanin letrën.
-Nada Gorani? – pyeti me një zë që nuk iu duk i saj.
-Po. Nada dhe Alba, bija ime!-tha tjetra.
Ndërkaq, duart e tyre u kryqëzuan dhe pas një hezitimi të lehtë, të dyja gratë u përqafuan.
-Alba, ime bijë.-tha Nada duke prezantuar të bijën.
Alba buzëqeshi me një hije droje dhe e sapombërritura e përqafoi duke ndjerë aromën e balukeve të saj.
-Im bir, Vanja!- tha gruaja ruse.
Djaloshi u afrua dhe zgjati dorën drejt Albës dhe gruas shqiptare pranë saj.
Denada e përqafoi djaloshin biond miqësisht si ta kish takuar më parë.
Shtatlartë dhe me sy blu si i ati, i tha zëri i brendshëm.
Vanja u përshëndosh në gjuhën e tij me një buzëqeshje naive.
Gruaja ruse iu drejtua të birit dhe ndërkaq e ktheu në shqip të njëjtën fjali:
-Vanja, ju jeni vëlla e motër nga i njejti baba, Mikeli,
Të rinjët u takuan sërish me buzëqeshje.
-Mirë se erdhët!-tha Alba.
Sonja përktheu.
-Dabró pozhalovat!
Aty për, aty djaloshi ia ktheu:
– Spasíba, rádi bït’ u vas! Rad poznakomít’sja! -Ndërkohë që e ëma përktheu:
-Mirë se u gjetëm! Gëzohem që u takuam!
Pasi siguruan taksinë e nisjes për Tiranë, pritëset u ofruan ardhësve të largët një kafe në një nga kioskat e mbira pranë sheshit të aeroportit
Të nesërmen do t’i merrnin për një vizitë në shtëpi nga hoteli në qendër të qytetit ku ishin akomoduar.
***
Tek përfunduan gjithshka për vizitën, Nada. përqafoi të bijën që iu bë krah në përgatitjen e drekës së mikpritjes. Me sytë nga ora e dorës i kujtoi se mbeteshin vetëm tridhjet minuta të lira para nisjes për t’i marrë nga hoteli mysafirët e huaj.
-Erdha mami-u dëgjua që nga mesorja e shtëpisë Alba që ende po rregullohej para pasqyrës.
Një trishtim i beftë e pushtoi. Kishin rrjedhur shumë ujëra ndër vite kur ajo mbeti e vetëm me të bijën. Iu kujtua një nga bisedat e fundit të jetës së Mikelit. Nada, edhe sikur shëndeti im të perkeqësohet, dhe mundet të iki nga kjo botë, dua të interesohesh për birin tim në Rusi… dhe, natyrisht nëse, kjo nuk të ngacmon shumë, edhe për Sonjën. Nëse rron ose jo. Ishte një pjesë e jetës sime.
E kishte siguruar për këtë. Dhe ja, si e solli fati. Janë mirë, i dashur, i takova, Erdhën vetë. -i përhitej në shpirt zëri i tij i qetë nga biseda e dikurshme.
Dreka, deri dy orë më parë e sikletshme për të zonjën e shtëpisë, rrodhi shumë më natyrshon nga ç’e mendonte, falë episodeve të dy të rinjve që tregonin histori nga shkollimi i tyre. Vëllait dhe motrës që tani ishin bërë bashkë çuditërisht, si në një legjendë urbane.
Dhuratat e sjella nga larg ishin dy pejzazhe. Një pranverë me simfoni lulesh dhe gjelbërim të stepash ruse dhe një kuadër pranveror me mështeknat dhe berjozat e nje parku në Moskë, mbuluar nga pelerina e butë e dëborës.
-Janë autorë bashkohorë,-tha Sonja për dhuratat.
Zonjës Nada tek i mori ne dorë iu duk për një grimë se mori ne dorë një copëz nga qyteti i dikurshëm i dy të dashuruarve.
Pastaj, biseda rreth tryezës me gatimet e shtrura megjithë drojet e fillimit për të dyja palët, rrodhi më çlirët.
Të nesërmen ishin ftuar të dyja në drekën që mysafirët do të jepnin në një lokal pas muzeut kombëtar.
Pas tre ditëve zonja Denada dhe Alba i përcollën miqtë në Rinas me nje taksi që e kishin prorositur më parë.
Dhuratat i mbante në një çantë Alba. Ishin punime artizanati familjar nga tregu i Krujës ku i çuan ditën e fundit mysafirët. Në çastin e ndarjes, me sytë nga Sonja , Denada tha:
-Prit! Kam edhe diçka.
Nga çanta e dorës nxori një pako të vogël në madhësinë e një kutije biskotash. Nisi të shpalos letrën e çokollatës me të cilën kishte mbështjellë pakon.
Nga letra doli një papuçe e një foshnje të mitur.
-Kjo është për ju! -iu drejtua Sonjës që kishte mbetur e hutuar.
-O Zoot ! O nëna ime! Papuçja e Vanjës së vogël që e zuri porta e autobusit atë ditë të ndarjes kur më zgjati foshnjën tonë dhe Mikeli nuk mundi të ma jepte se makina u nis për Rinas.
Sonja e mori papuçen e butë ngjyrë gri të çelur, e puthi dhe e vuri poshtë gushës me sy të mbushur me lot.
-Të falënderoj nga zemra se je zonjë e vërtetë- tha e prekur. -Kjo ështe dhurata më e bukur e jetës sime,- dhe e puthi sërish.
U përqafuan.
-Si një amanet i Mikelit,-tha Nada me sytë e lëngëzuar.
-Tjetrën e kam në shtëpi -shqiptoi Sonja.
Vëllai dhe motra kishin mbetur të befasuar, ashtu të përqafuar.
Pas pak, Vanja me Sonjën përkrahu u larguan drejt sallës së pritjes dhe më pas drejt pistës ku një avion Tu-104 që fluturonte në linjën Moskë-Tiranë, kish ndezur prej kohësh motorët. Pranë tij një Tupolev Tu-104, sapo kishte mbërritur.
Nënë e bijë qëndruan aty duke i ndjekur me sy gjatë, derisa sa avioni u ngrit dhe çau qiellin gri të nëntorit.
Tek zvogëlohej në sfondin blu të hapësirës eterne, ngjante përherë e më tepër si një shpend që çante udhën e kthimit, në shtegtim për dimërim në viset e origjinës së largët.///